ATV

Category: Lajme

  • DASh: Rusia po kërkon të shfrytëzojë tensionet ndëretnike në Kosovë e rajon

    DASh: Rusia po kërkon të shfrytëzojë tensionet ndëretnike në Kosovë e rajon

    Shtetet e Bashkuara thanë se Rusia po kërkon të shfrytëzojë tensionet ndëretnike në rajonin e Ballkanit Perëndimor, me qëllim që të krijojë “jostabilitet dhe të pengojë integrimin e rajonit në institucionet euroatlantike”.

    “Është e qartë se Rusia nuk mbështet të ardhmen e njëjtë evropiane për shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor që ata vetë kanë zgjedhur dhe që njerëzit në rajon e meritojnë”, tha një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit për Radion Evropa e Lirë.

    DASH tha se pikërisht për shkak të qëllimit të Rusisë, Uashingtoni po punon me shtetet e Ballkanit Perëndimor që të forcohet bashkëpunimi rajonal dhe të avancohet reformat “që do të pakësojnë mundësinë për ndikimin malinj rus dhe do të sillnin paqe, stabilitet dhe prosperitet për rajonin”.

    “Lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës vë në pah urgjencën dhe rëndësinë e këtyre prioriteteve”, thanë nga DASH-i.

    Në Kosovë udhëheqësit politikë së fundi kanë intensifikuar paralajmërimet e tyre se Serbia po përgatitet për një sulm apo provokim ndaj Kosovës. Por, sa herë që autoritetet kosovare flasin për një kërcënim të tillë, nuk lënë pa përmendur aleaten e Beogradit, Rusinë, që ato thonë se është e interesuar për destabilizimin e veriut të Kosovës dhe të rajonit.

    Njohës të zhvillimeve në Ballkan, i thanë më herët gjatë javës REL-it se aleatja e Beogradit, Moska, po synon të shpërqendrojë vëmendjen e Perëndimit nga lufta e saj në Ukrainë, dhe fuqitë e mëdha duhet t’i dërgojnë mesazh të qartë Serbisë se nëse vepron në veri të Kosovës, NATO-ja do të reagojë.

    Po ashtu, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Azi, James O’Brien, e cilësoi veriun e Kosovës – i banuar me shumicë serbe – dhe kërcënimet për shkëputjen e një pjese të Bosnje e Hercegovinës si rreziqet kryesore për sigurinë në Ballkanin Perëndimor.

    Në veri, tensionet janë rritur qysh vitin e kaluar, ndërkaq në Bosnje e Hercegovinë, autoritetet në entitetin e Republikës Sërpska kanë kërcënuar me shkëputje.

    Zëdhënësi i DASH-it tha se SHBA-ja vazhdon të jetë e shqetësuar se tensionet lokale mund të përshkallëzohen në tensione serioze politike në rajon.

    “Ne mbesim të shqetësuar lidhur me rrezikun që tensionet lokale të shndërrohen në tensione serioze politike që mund të stagnojnë shtetet e rajonit, si për shembull në veri të Kosovës dhe duke pasur parasysh kërcënimet për shkëputje në Bosnje e Hercegovinë. Ne po vazhdojmë të punojmë me të gjitha palët për të minimizuar këto rreziqe”, tha zëdhënësi i DASH-it.

    Njohësit e zhvillimeve në Ballkan i kanë thënë REL-it se nuk mund të përjashtohet mundësia që në veri të Kosovës të ketë tensione, teksa vitin e kaluar në këtë pjesë të Kosovës tensionet kulmuan pasi një grup serbësh të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë një rreshter.

    Ivana Stradner, hulumtuese e lartë në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive, me bazë në Uashington, i tha REL-it se kërcënimi për një përshkallëzim të mundshëm në veri të Kosovës “është i madh dhe i vërtetë”, për shkak se Rusia – që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës – po kërkon që ta shpërqendrojë vëmendjen nga lufta në Ukrainë.

    Por, Stradner tha se nuk beson se në Ballkanin Perëndimor do të ketë një konflikt në shkallë të gjerë, sikurse ai në Ukrainë. Megjithatë, ajo pohon se në Ballkan ka aktivitete që mund të konsiderohen “luftë hibride”.

  • Therja me thikë në Pejë – Policia publikon fotot e dy vëllezërve të dyshuar, kërkon ndihmën e qytetarëve për kapjen e tyre

    Therja me thikë në Pejë – Policia publikon fotot e dy vëllezërve të dyshuar, kërkon ndihmën e qytetarëve për kapjen e tyre

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë rreth orës 19:30 në Pejë, në rrugën “Jeton Dedushaj”, ku një person është plagosur gjatë një përleshjeje me thikë, raporton Gazeta Sinjali.

    Të dyshuarit për rastin janë në arrati, por janë identifikuar nga policia dhe se po vazhdon kërkimi i tyre.

    Gjithashtu, Policia e Kosovës ka kërkuar nga qytetarët ndihmë për kapjen e të dysharëve Adem dhe Besnik Bulliqin nga Peja.

    Sipas Policisë ata dyshohet se janë përfshirë në therjen me thikë që ndodhi mbrëmë në Pejë.

    Ndërkaq viktima për shkak të plagëve të marra si shkak i therjes, nga Spitali Rajonal i Pejës është dërguar me urgjencë në QKUK.

  • I gjakosur dhe pavetëdije – Policia jep detaje për tentim vrasjen në Pejë

    I gjakosur dhe pavetëdije – Policia jep detaje për tentim vrasjen në Pejë

    Një person në gjendje të rëndë është transportuar në QKUK nga spitali i Pejës të premten.

    Ai është gjetur në oborrin e shtëpisë i gjakosur e pa vetëdije.

    Policia ka identifikuar të dyshuarit dhe është në kërkim të tyre. Rasti po hetohet si “vrasje e rëndë në tentativë”.

    “Raportohet se viktima mashkull kosovar, është gjetur i shtrirë në oborrin e shtëpisë i gjakosur në kokë, trup dhe pa vetëdije. Autoambulanca ka dalë në vend ngjarje dhe viktima është transportuar në spitalin e Pejës e më pas për shkak të gjendjes serioze është transportuar në QKUK. Të dyshuarit janë në arrati, por janë identifikuar nga policia dhe vazhdon kërkimi i tyre. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori”, thuhet në raportin e PK-së

  • Vdes një fëmijë 2-vjeçar në QKUK

    Vdes një fëmijë 2-vjeçar në QKUK

    Një fëmijë i moshës dy vjeçare ka vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

    I njëjti ishte duke u trajtuar aty.

    Policia, përmes raportit 24 orësh ka njoftuar se me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës u është liruar familjarëve.

    “Fsh. Balaj, Ferizaj 11.07.2024-17:00. Është raportuar se në QKUK viktima mashkull kosovar, i moshës dy vjeçare, i cili ishte duke u trajtuar, ka ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës u është liruar familjarëve”, thuhet në raport.

  • Syla: Mbi 470 mijë pacientë për gjashtë muaj në Emergjencë, sfidë mbingarkimi i klinikës

    Syla: Mbi 470 mijë pacientë për gjashtë muaj në Emergjencë, sfidë mbingarkimi i klinikës

    Drejtori i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Naser Syla, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se në gjashtëmujorin e parë të këtij viti kanë trajtuar mbi 470 mijë pacientë, prej tyre 13 mijë si shkak i aksidenteve të shkaktuara në komunikacion.

    Ai ka thënë se sipas statistikave brenda 24 orëve në Qendrën Emergjente në QKUK trajtohen rreth 300 pacientë.

    Syla ka thënë se një numër i madh i pacientëve që pranojnë për trajtim janë nga rastet e aksidenteve të komunikacionit.

    “Qendra emergjente është e ngarkuar nga pacientë me një numër të lartë të tyre që prezantojnë gjatë 24 orëve. Ne zakonisht i kemi raportet e punës që i dorëzojmë Drejtorisë së QKUK-së dhe ShSKUK-së çdo tre muaj, tani i kemi përpiluar dhe dorëzuar tre mujorin e dytë apo gjashtë mujorin e punës kështu që shifrat janë ende të larta të pacientëve që kanë kërkuar trajtim në Qendrën Emergjentë, do të thotë janë të njëjta me vitin e kaluar. Kemi mbi 476 mijë e 690 pacientë që kanë kërkuar trajtim në Qendrën Emergjente gjatë këtij gjashtë mujori. Përkundër asaj që veç tre javë janë bërë që jemi në renovim të Qendrës Emergjente, prapë se prapë numri i pacienteve nuk ka zbritje mirëpo është ai trendi i lartë siç ka qenë vitin e kaluar”.

    “Statistikat e 24 orëve në Qendrën Emergjente deri para dy muajve të fundit, deri në kohën e gjysmës së majit edhe sot ka qenë diku 272 pacient kanë qenë mesatarja në 24 orë. Në këta dy muajt e fundit është rritur ajo mesatare dhe mbërrin diku 311 deri 313 pacient brenda 24 orëve. Në 24 orët e fundit kemi pasur 292 pacientë që kanë kërkuar ndihmë. Në 24 orët të fundit prej këtij numri të përgjithshëm të pacienteve 18 prej tyre kanë qenë prej aksidenteve të komunikacionit. Kurse nëse e marrim shifrën e gjashtë mujorshit diku, duke e përfshirë traumën, jo vetëm prej aksidenteve të komunikacionit por çdo traumë, çdo lëndime mbërrin diku 13 mijë e 337 pacientë”, ka thënë ai.

    Syla ka thënë se me problemin më të madh që përballet kjo qendër është se një numër i madh i pacientëve që shkojnë për tu trajtuar nuk janë për trajtim të nivelit tretë apo nivelit tercial.

    Sipas tij, në mungesë të Spitalit të Prishtinës, Qendra Emergjente dhe QKUK-ja janë duke e luajtur rolin e Spitalit të qytetit.

    “Një prej problemeve më të mëdha që ne përballemi këtu është kjo se një numër i madh i pacienteve që prezantojnë Qendrën Emergjente, nuk janë për trajtim të nivelit tretë apo nivelit tercial. Mundet që të marrin trajtimin adekuat edhe në ambulantet e Mjekësisë Familjare, mirëpo në qytetin e Prishtinës ekziston një problem për shkak të mungesës së spitalit të qyteti edhe domosdo Qendra Emergjente edhe QKUK-ja në përgjithësi janë duke e luajtur rolin e Spitalit të Qytetit. Por prapë së prapë mund të themi se një numër i madhi pacienteve nuk kanë nevojë që të trajtohen në QKUK gjegjësisht në Qendrën Emergjente”, ka thënë ai.

    Në mungesë të Spitalit të Prishtinës, kryeqytetasit detyrohen të kërkojnë shërbime në Qendrën Emergjente, andaj Syla e sheh të domosdoshme ndërtimin e Spitalit të Prishtinës. Sfidë tjetër është fakti që detyrohen t’i mbajnë pacientët me orë të tëra për shkak të mbingarkimit të klinikave përkatëse. Shembull e merr atë të Mjekimit Intensiv Qendror që pacientët e referuar për këtë klinikë nuk mund t’i dërgojnë për shkak të mungesës së shtretërve të lira.

    “Numrin e përgjithshëm të pacienteve normalisht që dominojnë pacientet nga Prishtina. Kur flasim si me arsye si pa arsye shumica prej tyre, me qenë se spitalet rajonale të Kosovës që janë shtatë, kanë mungesë të një profili të caktuar, për shembull të trajtimit të pacienteve atje siç është Neurokirurgjia, Kirurgjia Torakale mandej Kirurgjia, Kirurgjia Vaskulare. Atëherë domosdo ata janë detyruar që t’i dërgojnë pacientet ë tillë në QKUK ku janë kuadri dhe ju jepte tretmani pacienteve të tillë”.

    “Është një numër i madh, për shkak ngarkimit të Qendrës Emergjente, ngarkohet edhe mjekimi intensiv qendror, ku dihet që në QKUK Mjekimi Intensiv Qendror i ka 20 shtretër, e shumica e pacientëve të tillë që sillen nga spitalet rajonale vijnë në gjendje të rëndë që duhet asistenca e respiratorëve të kyçen në aparat edhe njëjtën kohë kemi ngarkesë edhe të Qendrës Emergjente edhe mjekimit intensiv qendror. Për shembull kemi raste që duhet që pacienti të mbetet në Qendrën Emergjente 12 orë ose 24 orë për shkak të mungesës së vendeve të Mjekimit Intensiv Qendror. A e dim saktësisht që spitalet e tjera rajonale mjekimet intensive i kanë shumë mirë, por për fat të keq janë shumë pak të shfrytëzuar”, ka thënë ai.

  • Arratisjet e fundit, Shërbimi Korrektues i Kosovës mban konferencë për media

    Arratisjet e fundit, Shërbimi Korrektues i Kosovës mban konferencë për media

    Shërbimi Korrektues i Kosovës do të mbajë sot konferencë për media.

    Konferenca mbahet në ora 11:00 në Drejtorinë Qendrore të SHKK-së, ku do të flitet për arratisjet e fundit e të burgosurve nga institucionet e tipit të hapur.

    Në konferencë do të marrin pjesë zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, dhe Drejtori i Përgjithshëm i SHKK-së, Ismail Dibrani, të cilët do të japin informacione të detajuara mbi këtë çështje.

  • Vala e të nxehtit, nga sot do të ketë kufizim të orarit të punës për këto tri kategori

    Vala e të nxehtit, nga sot do të ketë kufizim të orarit të punës për këto tri kategori

    Nga sot e deri më 20 korrik me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë do të lirohen nga puna gratë shtatzëna, qytetarët me sëmundje kronike do të punojnë me orar të shkurtuar deri në 4 orë në ditë, si dhe do të ndalohet puna në sektorin e ndërtimtarisë në ambiente të hapura gjatë orarit 11:00 – 17:00.

    Ky vendim i MSH-së është marrë në bazë të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, për shkak të rritjes së konsiderueshme të temperaturave në ditët në vijim.
    Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se varësisht prej temperaturave që mbizotërojnë gjatë muajit korrik dhe gusht 2024, ndërmerren masa të tjera.
  • Mali i Zi sot shënon Ditën e Shtetësisë

    Mali i Zi sot shënon Ditën e Shtetësisë

    Dita e Shtetësisë shënohet për të kujtuar 13 korrikun e vitit 1878, kur Mali i Zi në Kongresin e Berlinit u pranua si shtet i pavarur, si dhe 13 korrikun e vitit 1941, kur filloi kryengritja kundër fashizmit.

    Në referendumin e mbajtur më 21 maj 2006, 55,5 për qind të qytetarëve janë shprehur për pavarësinë e Malit të Zi.

    Pavarësia e Malit të Zi është shpallur më 3 qershor, ndërsa më 28 qershor 2006 u bë anëtari i 192-të i OKB-së.

    Mali i Zi më 11 maj 2007 është anëtarësuar në Këshillin e Evropës, ndërsa më 5 qershor 2017 në NATO. /KosovaPress/

  • Shërbimi Korrektues i Kosovës ka hapur tender për furnizim me 3 mijë pula për Burgun e Dubravës, për to kujdesen të burgosurit

    Shërbimi Korrektues i Kosovës ka hapur tender për furnizim me 3 mijë pula për Burgun e Dubravës, për to kujdesen të burgosurit

    Fillimisht përkujdeset që shpezët të kenë ushqim. Në këto ditë të nxehta, rëndësi të madhe i kushton edhe sasisë së ujit. Në fund, Nazmi Ejupi, i cili vuan dënimin në Qendrën Korrektuese në Dubravë, kujdeset që vezët t’i sistemojë në një vend të freskët. Këtë punë, ai e bën tash e 8 muaj.  

    “Pulat kanë nevojë për përkujdesje, prej mëngjesit ne kujdesemi për ujin, për ushqimin dhe për pastërtinë e tyre”, tha Ejupi.

    Shërbimi Korrektues i Kosovës hapi tender për t’i blerë edhe 3000 pula të tjera.

    “Ky aktivitet me ndihmon jashtëzakonisht shumë,sepse këtu i kaloj 8 orë. Po kemi mundësi me u përkujdes edhe për më shumë pula, sepse i kam edhe ca kolegë që përkujdesen për to”, deklaroi tutje Ejupi.

    Me blerjen e pulave të reja, synohet kursimi i buxhetit dhe risocializimi i të burgosurve.

    “Këtu fuqia punëtore është e lirë, punojnë të dënuarit dhe këto aktivitete ndikojnë shumë nërisocializimin e tyre. Ata kalojnë këtu shumë kohë, nga mëngjesi deri në mbrëmje”, u përgjigj Besim Januzaj, agronom në burgun e Dubravës.

    Ata të cilët vuajnë dënimin në burgun e Dubravës, e kalojnë kohën duke kryer edhe punë të tjera.

    “E kemi edhe fermën e lopëve, e kemi pemëtarinë dhe vlen të theksohet se e kemi edhe thertoren që nga lopët e prera kemi pasur mbi gjysmë milioni qarkullim”,  shtoi tutje Januzaj.

    Megjithatë, sipas Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, burgjet në Kosovë kanë hapësira edhe për shumë aktivitete të tjera.

    “Ka aktivitete të shumta, por burgjet në Kosovë kanë shumë hapësira që nuk po shfrytëzohen. Duhet të këtë më shumë aktivitete”, tha Valentina Demolli nga KNDLNj.

    Aktualisht, në institucione korrektuese në Kosovë, llogaritet se janë duke u mbajtur mbi 1600 persona./atvlive.tv

    Për më shumë klikoni në linkun e mëposhtëm:

    https://youtu.be/nIj5T0Vp2pI?si=efy7oNV0tNiMwVrP

  • Pas mbylljes së komunave paralele serbe dyshohet se shërbimet administrative po ofrohen në disa lokale të gastronomisë

    Pas mbylljes së komunave paralele serbe dyshohet se shërbimet administrative po ofrohen në disa lokale të gastronomisë

    Gjashtë muaj pasi u mbyllën, katër objektet e komunave paralele serbe në Vranisht të Dragashit, Gorazhdec të Pejës, Osojan të Istogut dhe Videjë të Klinës janë jashtë funksionit.

    Por ka dyshime që shërbimet që ofroheshin në to, tashmë po vazhdojnë në forma të tjera.

    ATV-ja merr vesh jozyrtarisht se, persona me detyrë të caktuar, shërbimet komunale me sistem të Beogradit, po i ofrojnë nëpër disa lokale të gastronomisë. Ata dyshohet se i mbledhin dokumentet e qytetarëve tëkomunitetit serb, dhe më pas i dërgojnë për procesim matanë kufirit në Serbi dhe anasjelltas.

    Ndërsa, në një dokument të institucioneve të sigurisë që e kemi parë, thuhet se strukturat ilegale të Serbisë janë duke e zhvendosur administratën, pas mbylljes së komunave paralele. Për këtë, institucionet e Serbisë e kanë blerë një objekt nëRashkë, për të ofruar shërbime administrative për komunat me shumicë serbe në Kosovë, sidomos atyre në veri. Po ashtu, njësoj po ndodh edhe në Kurshumli.

    Në dy aksione të ndara, më 26 janar dhe 2 shkurt, me vendim të prokurorisë, policia mbylli komunat paralele në qarkun e Dragashit dhe në atë të Dukagjinit.

    Organet e rendit sekuestruan dokumente e pajisje elektronike, ndërsa brenda kishte edhe materiale të fushatës zgjedhore të Listës Serbe.

    Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, konfirmon se dëshmitë mbeten ende të sekuestruara, por që ende nuk është arritur të intervistohen të gjithë shtatë të dyshuarit për këtë rast.

    Në një përgjigje me shkrim, qeveria thotë se brenda këtyre gjashtë muajve është rritur interesimi i qytetarëve për t’i zëvendësuar dokumentet dhe shërbimet e strukturave ilegale, me ato të Republikës së Kosovës, përfshirë pasaportat e letërnjoftimet, por edhe konvertimin e patentë-shoferëve.

    Aksionet e fillimvitit i kishin përcjellë nga afër dy ministra të qeverisë, Xhelal Sveçla i Punëve të Brendshme dhe Elbert Krasniqi i Administrimit të Pushtetit Lokal. Në paraqitjet e tyre kishin thënë se në Kosovë nuk ka vend për institucionet ilegale të Serbisë.

    Për mbylljen e këtyre katër komunave paralele, kishin reaguar Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke thënë se kjo nxit tensione të reja, si dhe ndikon negativisht në komunitetin serb.

    Pas kësaj kohe, qeveria dhe organet e rendit nuk kanë ndërmarrë aksione të tjera, për mbylljen e institucioneve paralele serbe brenda Kosovës./atvlive.tv

    Për më shumë klikoni në linkun e mëposhtëm:

    https://www.youtube.com/watch?v=OKLREAmODLY