ATV

Category: Lajme

  • Martesat e rreme për të marrë letrat në Angli – arrestohen 5 “krushqit” shqiptarë

    Martesat e rreme për të marrë letrat në Angli – arrestohen 5 “krushqit” shqiptarë

    Pesë shtetas shqiptarë janë akuzuar nga autoritetet britanike për përfshirje në një skemë të dyshuar mashtrimi me martesa fiktive, e cila synonte sigurimin e të drejtës së qëndrimit në Mbretërinë e Bashkuar.

    Sipas njoftimit për mediat publikuar këtë të premte prej Prokurorisë së Kurorës (CPS), të cilës i referohet Top Channel, të dyshuarit akuzohen se kanë përdorur dokumente të falsifikuara për të pretenduar se ishin martuar me shtetas të Bashkimit Evropian, të cilët kishin të drejtë qëndrimi në Britani në kuadër të Skemës së Vendosjes së BE-së (EU Settlement Scheme), e krijuar pas Brexit-it.

    Hetimet nisën pas një sërë operacionesh të zhvilluara nga Home Office në Angli dhe Uells më 17 qershor.

    Prokurorët pretendojnë se të pandehurit kanë siguruar certifikata të rreme martese, që paraqiteshin si të lëshuara në Qipro, për të provuar lidhje martesore me shtetas të BE-së dhe për të përfituar status qëndrimi në Mbretërinë e Bashkuar.

    K.H, 31 vjeç, S.E, 35 vjeç, K.Si, 28 vjeç dhe V.Q, 40 vjeç, akuzohen për mashtrim dhe shkelje të ligjit të emigracionit. Ata janë lënë në paraburgim dhe pritet të paraqiten më 16 korrik në Gjykatën e Kurorës në Sheffield për seancën paraprake.

    Përveç akuzave për mashtrim, Kastriot Hoxha përballet edhe me një akuzë shtesë për posedim kanabisi me qëllim furnizimin.

    Ndërkohë, shqiptari i pestë, D.H, 30 vjeç, ka pranuar fajësinë për mashtrim me deklarim të rremë dhe dy vepra të tjera penale. Ai u akuzua më 17 qershor dhe një ditë më pas pranoi fajësinë në Gjykatën e Magjistraturës në Birkenhead. D.H është lënë në paraburgim dhe do të dënohet më 16 korrik në Gjykatën e Kurorës në Liverpool.

    Prokurori i lartë i CPS për Yorkshire dhe Humberside, Shaun Sigamoney, deklaroi se katër të pandehurit e tjerë gëzojnë prezumimin e pafajësisë deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.

    “Njëri prej të akuzuarve ka pranuar fajësinë, por kjo nuk ndikon në çështjen e katër të tjerëve, të cilët konsiderohen të pafajshëm derisa të provohet e kundërta. Procedurat penale janë në zhvillim dhe të gjithë kanë të drejtën e një gjykimi të drejtë”, tha ai.

    Autoritetet britanike u kanë bërë thirrje mediave dhe publikut të shmangin publikimin e informacioneve ose komenteve që mund të ndikojnë në procesin gjyqësor.

    Lista e të gjitha akuzave publikuar nga CPS:

    D.H (datëlindja: 08/12/1995) pranoi fajësinë për mashtrim me deklarim të rremë, paraqitje të qëllimshme të deklaratave të rreme për përfitim personal ose përfitim të një personi tjetër, apo për t’i shkaktuar humbje një personi tjetër ose për ta ekspozuar atë ndaj rrezikut, si dhe për sigurimin e lejes së hyrjes ose qëndrimit në Mbretërinë e Bashkuar përmes mjeteve mashtruese.

    K.H (datëlindja: 17/07/1994). Seanca e parë u zhvillua më 18 qershor në Gjykatën e Magjistraturës në Doncaster.

    2 akuza sipas nenit 6 të Aktit të Mashtrimit – posedim ose kontroll i një dokumenti për përdorim në mashtrim.

    2 akuza sipas nenit 24A të Aktit të Emigracionit – paraqitje formularësh të rremë.

    2 akuza sipas nenit 2 të Aktit të Mashtrimit – paraqitje e rreme ndaj Home Office.

    1 akuzë për posedim të lëndëve narkotike me qëllim furnizimin me kanabis.

    Valdet Qoshi (datëlindja: 02/07/1985). Seanca e parë u zhvillua më 18 qershor në Gjykatën e Magjistraturës së Leeds.

    2 akuza sipas nenit 6 të Aktit të Mashtrimit – posedim ose kontroll i një dokumenti për përdorim në mashtrim.

    2 akuza sipas nenit 24A të Aktit të Emigracionit – paraqitje formularësh të rremë.

    1 akuzë sipas nenit 2 të Aktit të Mashtrimit – paraqitje e rreme ndaj Home Office.

    Sina Ervin (datëlindja: 06/06/1991). Seanca e parë u zhvillua më 18 qershor në Gjykatën e Magjistraturës në Sheffield.

    1 akuzë sipas nenit 6 të Aktit të Mashtrimit – posedim ose kontroll i një dokumenti për përdorim në mashtrim.

    1 akuzë sipas nenit 24A të Aktit të Emigracionit – paraqitje formularësh të rremë.

    1 akuzë sipas nenit 2 të Aktit të Mashtrimit – paraqitje e rreme ndaj Home Office.

    Kadri Sinamati (datëlindja: 25/01/1998). Seanca e parë u zhvillua më 18 qershor në Gjykatën e Magjistraturës në Doncaster.

    1 akuzë sipas nenit 6 të Aktit të Mashtrimit – posedim ose kontroll i një dokumenti për përdorim në mashtrim.

    1 akuzë sipas nenit 24A të Aktit të Emigracionit – paraqitje formularësh të rremë.

    1 akuzë sipas nenit 2 të Aktit të Mashtrimit – paraqitje e rreme ndaj Home Office. /Tch/

  • Rinumërimi përfundoi, cilët janë hapat tash?

    Rinumërimi përfundoi, cilët janë hapat tash?

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar rinumërimin e 185 vendvotimeve për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, të cilat i fitoi Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media tha se ky institucion teknikisht është gati të shpallë rezultatet përfundimtare, por sipas ligjit, duhet fillimisht të konsumohet afati prej 48 orësh që palët kanë për të dorëzuar ankesat eventuale për rinumërimin që përfundoi.

    Ky afat nisi nga ora 12:00 e së premtes. Në rast se ka ankesa, ato më pas shqyrtohen nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe nga Gjykata Supreme.

    Rinumërimi u bë me vendim të KQZ-së bazuar në Rregullore zgjedhore për Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, që synon të adresojë problemet eventuale dhe për t’u siguruar që numërimi është zhvilluar me saktësi.

    Elezi tha se do të përpilohet një raport me gjetje të detajuara gjatë procesit të rinumërimit.

    Sa mandate fituan partitë?

    Sipas rezultateve preliminare, LVV-ja ka fituar 42.96 për qind të votave dhe pritet të ketë 53 ulëse në Kuvendin prej 120 anëtarësh. Ky është numër më i vogël i deputetëve, krahasuar me zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar, kur partia e Kurtit kishte fituar 57 mandate.

    Subjekti i dytë ka dalë Partia Demokratike e Kosovës me 21.13 për qind të votave të fituara dhe në legjislaturën e 11-të pritet të ketë 22 deputetë – po aq sa kishte edhe në legjislaturën paraprake.

    Lidhja Demokratike e Kosovës është forca e tretë me 17.60 për qind apo 18 deputetë – nga 15 deputetë sa kishte në dhjetor.

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – që së voni ka vendosur të njihet si Aleanca – ka fituar 7.16 për qind të votave dhe pritet të ketë shtatë deputetë, apo një më shumë se në dhjetor.

    Ndarja e mandateve në Kuvendin e Kosovës pas zgjedhjeve të 7 qershorit

    Nëntë nga dhjetë ulëset e rezervuara për komunitetin serb, sipas rezultatit preliminar, i ka fituar Lista Serbe, që mbështetet nga Beogradi zyrtar. Ndërkaq, një mandat ka fituar partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

    Nga komunitetet joshumicës serbe, KDTP-ja ka fituar dy mandate dhe nga një kanë fituar koalicioni Vakat, IRDK-ja, SDU-ja, NDS-ja, PSA-ja, PLE-ja, PREBK-ja dhe JGP-ja.

    Në zgjedhjet e 7 qershorit, dalja ishte 37 për qind, gjë që paraqet një rënie në pjesëmarrje krahasuar me rreth 45 për qind, sa ishte dalja në zgjedhjet e dhjetorit.

    Kandidatët më të votuar

    Sipas rezultateve preliminare, në top-dhjetëshen e kandidatëve më të votuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit, tetë prej tyre janë nga Lëvizja Vetëvendosje:

    Albin Kurti (LVV) – 324.329 vota

    Glauk Konjufca (LVV) – 264.338 vota

    Albulena Haxhiu(LVV) – 165.142 vota

    Hekuran Murati (LVV) – 137.812 vota

    Donika Gërvalla (LVV) – 131.844 vota

    Bedri Hamza (PDK) – 126.943 vota

    Xhelal Sveçla (LVV) – 109.269

    Vjosa Osmani (LDK) – 92.236

    Ejup Maqedonci (LVV) – 89.305

    Avni Dehari (LVV) – 89.184 vota

    Çfarë do të ndodhë më pas?

    Pasi rezultatet të jenë shpallur, më pas duhet të certifikohen nga KQZ-ja dhe vetëm pas kësaj, zyrtarisht hapet rruga për krijimin e institucioneve të reja.

    Deputetët e rinj kanë tri punë të rëndësishme përpara: konstituimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit të ri.

    Përderisa për dy të parat kërkohet shumica e thjeshtë prej 61 votash – dhe LVV-ja mund t’i bëjë numrat së bashku me pakicat joserbe – për presidentin duhen dy të tretat e votave.

    Zgjedhjet e 7 qershorit u mbajtën pikërisht për shkak të dështimit të deputetëve që të zgjedhin pasardhësinë e Vjosa Osmanit brenda afatit kushtetues, pasi ish të parës së vendit i përfundoi mandati në prill.

    Nga LVV-ja kanë thënë se pas certifikimit të rezultateve do të bisedojnë me partitë opozitare për krijimin e institucioneve, ndërkaq nga partitë ish-opozitare është vënë theksi te një marrëveshje politike për tejkalimin e ngërçit.

    Muaj më parë, bisedimet për çështjen e presidentit dështuan dhe në atë kohë LVV-ja kishte paraqitur disa oferta për LDK-në dhe PDK-në, por që u konsideruan të papranueshme nga këto dy subjekte.

    Kurti ka deklaruar se shpreson që këtë herë situata të jetë ndryshe sa i përket bisedimeve për çështjen e presidentit.

    “Ju e dini që në këtë pranverë, si Qeveri kemi bërë oferta të jashtëzakonshme për opozitën. Ne kemi propozuar, ata kanë refuzuar”, ka deklaruar ai ditë më parë.

    Sipas Kushtetutës, presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mund të mbahet./REL

  • Mbyten dy fëmijë në plazhin e Tales në Lezhë

    Mbyten dy fëmijë në plazhin e Tales në Lezhë

    Një ngjarje tragjike është regjistruar këtë të premte në bregdetin e Tales në Lezhë. Mësohet se dy të mitura, të moshave 9 dhe 11 vjeçe kanë humbur jetën pasi janë mbytur në det.

    Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ndodhi në një zonë plazhi publik, e cila nuk administrohej nga ndonjë subjekt privat dhe nuk ishte nën menaxhim shtetëror.

    Trupat e pajetë të dy vajzave janë transportuar në morgun e Spitalit Rajonal të Lezhës. Policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje dhe po kryejnë veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj tragjedie.

    “Lezhë / Informacion paraprak Rreth orës 12:50, në plazhin e Tales, dy shtetase të mitura, të moshave 9 dhe 11 vjeçe, dyshohet se janë mbytur duke u larë në det, raporton Euronews.al, transmeton Klankosova.tv.

    Shërbimet e Policisë Kufitare dhe të DVP Lezhë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Në bashkëpunim me pushuesit, është bërë e mundur gjetja dhe nxjerrja e trupave të pajetë në breg.

    Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për zbardhjen e rrethanave të rastit”, njofton policia.

  • Punëtorët teknikë të shkollave fillore në Prishtinë rikthehen në grevë nga 22 qershori

    Punëtorët teknikë të shkollave fillore në Prishtinë rikthehen në grevë nga 22 qershori

    Punëtorët teknikë të shkollave fillore në Prishtinë do të vazhdojnë grevën e pezulluar duke filluar nga 22 qershori 2026.

    Vendimi është marrë sot, më 19 qershor 2026, në një takim të zhvilluar ndërmjet kryetarit të FSPTSPK-së dhe përfaqësuesve të punëtorëve teknikë të shkollave fillore të kryeqytetit, ku është shqyrtuar gjendja aktuale e tyre, thuhet në komunikatë për media.

    Sipas njoftimit, rikthimi në grevë vjen pasi punëtorët ende nuk kanë marrë pagat për muajin maj dhe vazhdojnë të jenë pa kontrata pune.

    Përfaqësuesit e punëtorëve vlerësojnë se situata është krijuar si pasojë e moskryerjes së obligimeve financiare nga ana e Komunës ndaj kompanisë përgjegjëse, gjë që, sipas tyre, ka pamundësuar përmbushjen e obligimeve të kompanisë ndaj punëtorëve.

    Ata kërkojnë zgjidhje të menjëhershme të çështjes së pagave dhe rregullimin e statusit të tyre kontraktual, ndërsa kanë paralajmëruar se greva do të vazhdojë deri në adresimin e kërkesave të tyre./KP

  • KPK miraton kandidaturat e pesë prokurorëve për Kryeprokuror të Shtetit

    KPK miraton kandidaturat e pesë prokurorëve për Kryeprokuror të Shtetit

    Me 6 vota për dhe 1 kundër, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka miratuar kandidaturat e pesë kandidatëve që kanë hyrë në garë për Kryeprokuror të Shtetit.

    Përkatësisht, prokurorët që kanë aplikuar për këtë pozitë dhe i plotësojnë kushtet sipas kritereve janë:

    Atdhe Dema– Prokuror në Departamentin për Hetimin e Terrorizmit në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës,

    Naim Abazi– Prokuror në Departamentin për Hetimin e Korrupsionit dhe Krimit Financiar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës,

    Rafet Halimi– Prokuror në Departamentin për Hetimin e Korrupsionit dhe Krimit Financiar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës,

    Shqipdon Fazliu– Prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit,

    Zejnullah Gashi– Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

    Sekretariati i KPK-së, detyrohet që brenda afatit të publikojë Konceptdokumentet e secilit kandidat.

    Mbledhja e 295 e Këshillit po vazhdon me Raportin vjetor të Komisionit Ad-Hoc Mbikëqyrës për zbatimin e Planit Strategjik dhe Planit të Veprimit për Luftimin e Korrupsionit dhe Krimeve Ekonomike për 2025.

    Vendimi për shpalljen e konkursit për Kryeprokuror të Shtetit ishte marrë në takimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës më 18 maj 2026.

    Kujtojmë se në atë mbledhje, anëtari Milot Krasniqi e kishte kundërshtuar shpalljen e konkursit. Ai kishte kritika për atë që e quante “nxitim të shpalljes së konkursit” pa qenë të pranishëm i gjithë Këshilli në takim, duke thënë se Këshilli nuk duhet të bie në diktatin e pushteteve tjera, derisa theksoi se kandidati Blerim Isufaj ishte refuzuar nga atëkohë presidentja Vjosa Osmani, pa një vendim të arsyetuar.

    “Publiku e di që ky proces është bllokuar qëllimisht tash e rreth 4 vjet. Pasi u prit kaq kohë, unë nuk e di thjesht arsyen pse sot ngutemi dhe cila është kjo urgjencë me shpalljen e konkursit për Kryeprokuror të Shtetit. Pse të mos presim që të krijohen kushtet ligjore dhe legjitimiteti i plotë për këtë veprim. Pse Këshilli duhet të veprojë kur për këtë proces kanë folë dhe flasin tjerët- ata që kanë më së paku të drejtë, ata që s’kanë as të drejtë kushtetuese, as ligjore e as njerëzore të përfshihen në këtë proces”, kishte thënë ndër të tjera Krasniqi.

    Pas shpalljes së konkursit, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj kishte paraqitur padi me kërkesë për masë të sigurisë në Gjykatën Administrative, duke kërkuar që konkursi i shpallur nga KPK-ja të pezullohet, por Gjykata e kishte refuzuar kërkesën dhe se tash lënda gjendet në procedurën e ankesës në Gjykatën e Apelit. /Betimi për Drejtësi

  • Haxhiu pret në takim të mbijetuarit dhe organizatat që mbështesin viktimat e dhunës seksuale të luftës

    Haxhiu pret në takim të mbijetuarit dhe organizatat që mbështesin viktimat e dhunës seksuale të luftës

    Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale gjatë luftës, bashkë me zëvendëskryeministren dhe ministren Gërvalla, u takuan me Vasfije Krasniqi Goodman, Ramadan Nishori dhe përfaqësueset e Medica Kosova, Medica Gjakova, KRCT-së dhe Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas.

    “Për vite me radhë, këto organizata u kanë qëndruar pranë të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës, me kujdes, dokumentim, mbështetje ligjore e psikologjike dhe me përkushtim të pandërprerë për drejtësinë dhe dinjitetin e tyre. Sot i falënderova për këtë punë të çmuar dhe për rolin që vazhdojnë ta kenë në mbështetje të të mbijetuarave”, ka thënë Haxhiu.

    Gjithashtu, u diskutua për hapat që institucionet duhet t’i ndërmarrin për ta bërë më të lehtë dhe më dinjitoze rrugën e të mbijetuarve drejt njohjes e drejtësisë.

    “Diskutuam për rishikimin e afateve për aplikim, lirimin nga taksat gjyqësore, një hapësirë më të qasshme për Komisionin e Verifikimit, si dhe garancitë e një procesi të verifikimi ku të mbijetuarit trajtohen me dinjitet”, ka theksuar Haxhiu.

    Sipas saj, këto masa do të kontribuonin në një sistem më të drejtë, më human dhe më të ndjeshëm ndaj nevojave dhe realitetit të të mbijetuarve.

  • Netanyahu urdhëron ushtrinë ta “godasë Hezbollahun me forcë”: Do të paguajë çmim shumë të rëndë

    Netanyahu urdhëron ushtrinë ta “godasë Hezbollahun me forcë”: Do të paguajë çmim shumë të rëndë

    Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka paralajmëruar se Hezbollahu do të paguajë “një çmim shumë të rëndë” pasi katër ushtarë u vranë nga një mjet shpërthyes gjatë natës, ndërsa përleshjet me grupin militant libanez u përshkallëzuan.

    “Pas sulmit kriminal të Hezbollahut, i cili përbën një shkelje të hapur të armëpushimit, unë i kam urdhëruar mbrëmë Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) të godasin Hezbollahun me forcë”, tha Netanyahu në një deklaratë të premten.

    “Urdhri im është i qartë: Izraeli nuk do të tolerojë sulme ndaj ushtarëve tanë apo territorit tonë dhe do t’i shkaktojë një çmim shumë të rëndë Hezbollahut për sulme të tilla”, shtoi ai.

    Katër ushtarët e vrarë në jug të Libanit janë viktimat e para izraelite që nga nënshkrimi i marrëveshjes së armëpushimit mes SHBA-së dhe Iranit këtë javë. Izraeli u përgjigj me një valë të rëndë sulmesh në jug të Libanit, duke vrarë të paktën 21 persona të premten.

    Kryeministri izraelit përsëriti se trupat do të “mbeten në zonën e sigurisë në jug të Libanit për aq kohë sa të jetë e nevojshme për të mbrojtur komunitetet e veriut të Izraelit.”

  • ​Si e rriti Lista Serbe mbështetjen me 20 për qind brenda gjashtë muajsh?

    ​Si e rriti Lista Serbe mbështetjen me 20 për qind brenda gjashtë muajsh?

    Lista Serbe mund të lëvdohet se është njëra nga fitueset e mëdha të zgjedhjeve të fundit në Republikën e Kosovës.

    Kjo pasi subjekti që mbledh rreth vetes serbët kosovarë pro presidentit nga Beogradi, Aleksandar Vuciq,rriti rezultatin e saj me rreth 20 për qind krahasuar me zgjedhjet e dhjetorit 2025, duke kaluar nga 4.49 për qind në 5.40 për qind të votave në nivel vendi.

    Ky është suksesi më i madh i saj në katër proceset e fundit elektorale sa i përket përqindjes së besimit të marrë nga qytetarët, ndonëse me shifrën prej 43,838 votave që kapën me 7 qershor, Zlatan Elek me bashkëpartiakët e tij nuk arritën rekordin edhe në numër votash, në po aq zgjedhje. Atë e kishin kapur më 14 shkurt 2021, kur patën marrë besimin e 44,407 qytetarëve.

    Në votimet e 28 dhjetorit 2025, kjo listë kishte marrë 42,759 vota ose 4.49 për qind, duke siguruar po ashtu nëntë ulëse parlamentare.

    Më 9 shkurt 2025 pati regjistruar rezultat më të dobët, pasi nuk shkoi në më tepër se 39,915 vota ose 4.26 për qind, ndërsa kishte ruajtur numrin e njëjtë të mandateve.

    Ndërkaq, në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, Lista Serbe kishte marrë 44,407 vota ose 5.09 për qind.

    Sipas një vëzhgimi që i ka bërë KosovaPress rezultateve të KQZ, del se krahasuar me 28 dhjetorit 2025, Lista Serbe, më 7 qershor e ka rritur mbështetjen për 1,076 vota, ndërsa në raport me zgjedhjet e shkurtit 2025, ajo ka fituar 3,920 vota më shumë.

    Megjithatë, rekordi i Listës Serbe në numër votash, por jo me përqindje, mbetet ai i zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, kur kishte marrë 44,407 vota, që janë 572 më shumë se rezultati i regjistruar më 7 qershor 2026.

    Pavarësisht kësaj, rezultati prej 5.40 për qind në zgjedhjet e fundit përbën performancën më të mirë të krye subjektit të serbëve të Kosovës në aspektin proporcional gjatë katër proceseve të fundit zgjedhore. /Kp/

  • KQZ gati t’i shpallë rezultatet përfundimtare, pret të përmbyllet afati 48-orësh për ankesa lidhur me rinumërimin

    KQZ gati t’i shpallë rezultatet përfundimtare, pret të përmbyllet afati 48-orësh për ankesa lidhur me rinumërimin

    Pas përfundimit të rinumërimit të 185 vendvotimeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka deklaruar se është i gatshëm që të shpallë rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit.

    Zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, tha se tani janë në pritje nëse do të paraqitet ndonjë ankesë lidhur me këtë proces, në afatin prej 48 orësh duke u llogaritur nga ora 12:00 e ditës së sotme kur u përmbyll rinumërimi.

    Ai bëri me dije se para shpalljes së rezultateve përfundimtare, do të kërkojnë konfirmim nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa nëse është duke shqyrtuar ndonjë ankesë.

    “Më përfundimin e rinumërimit, mund të konstatojmë se KQZ ka përmbyllur administrimin e procesit që përfshin aktivitetet në QKN dhe QNR. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i gatshëm teknikisht që të shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit….Para shpalljes së rezultateve përfundimtare, KQZ do të kërkojë konfirmim nga ana e PZAP nëse ka ndonjë ankesë që është duke u shqyrtuar në këtë institucion”, ka deklaruar Elezi në konferencë.

    Sa i përket rinumërimit, Elezi tha se Qendra e Numërimit dhe Rezultateve do të dalë me raport të detajuar me gjetjet nga secili vendvotim.

    Ai tha se beson se raporti do të hartohet shpejt.

  • Besnik Tahiri tri pyetje publike Albin Kurtit

    Besnik Tahiri tri pyetje publike Albin Kurtit

    Deputeti në ardhje i Aleancës, Besnik Tahiri ka tri pyetje publike për Albin Kurtin për Ditën e Shërbimit Publik.

    “Së pari, pse një qeveri në dorëheqje po vazhdon të shpallë konkurse për pozita të larta drejtuese? Një qeveri në dorëheqje ka mandat të kufizuar dhe nuk mund të veprojë sikur gëzon legjitimitet të plotë. Shpallja e dhjetëra konkurseve në këtë periudhë bie ndesh me frymën e Ligjit për Qeverinë dhe krijon dyshime të arsyeshme për përpjekje të ndikimit politik në institucione para formimit të qeverisë së re.

    Së dyti, pse janë dobësuar garancitë juridike të shërbimit civil? Shndërrimi i pozitave drejtuese nga vende të përhershme pune në mandate të kufizuara cenon sigurinë juridike të nëpunësve publikë dhe rrezikon pavarësinë e administratës. Kjo qasje largohet nga standardet evropiane për një shërbim civil profesional, meritokratik dhe të depolitizuar.

    Së treti, pse po tolerohen emërimet e ushtruesve të detyrës në kundërshtim me ligjin? Vetëm në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, sipas raportit të Auditorit, janë evidentuar 29 pozita me ushtrues detyre, prej të cilave 3 në kundërshtim me ligjin. Vetë Auditori ka paralajmëruar se mbajtja e pozitave për periudha të gjata me ushtrues detyre rrezikon që funksionet publike të ushtrohen nga persona që nuk i plotësojnë kriteret ligjore dhe profesionale.

    Këto nuk janë raste të izoluara. Së bashku, ato dëshmojnë një prirje shqetësuese drejt kontrollit të plotë partiak të administratës publike, dobësimit të meritokracisë dhe zëvendësimit të shtetit ligjor me logjikën e parti-shtetit. Kosova ka nevojë për institucione të pavarura, profesionale dhe të mbrojtura nga ndërhyrjet politike, jo për praktika që minojnë besimin e qytetarëve në shtet.

    Pavarësisht këtyre shqetësimeve, në Ditën e Shërbimit Publik shpreh mirënjohjen dhe respektin tim për të gjithë nëpunësit publikë që me integritet, profesionalizëm dhe përkushtim i shërbejnë qytetarëve dhe Republikës së Kosovës çdo ditë” shkruan Tahiri në reagim.