ATV

Category: Lajme

  • Nesër mbahet testi i maturës, do i nënshtrohen mbi 19 mijë nxënës – Ministria jep detaje

    Nesër mbahet testi i maturës, do i nënshtrohen mbi 19 mijë nxënës – Ministria jep detaje

    Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ka njoftuar se, nesër do të mbahet Testi i Maturës Shtetërore 2026, afati i parë, në të cilin do të marrin pjesë 19,514 nxënës në 152 qendra të testimit në të gjithë vendin.

    Në njoftim shtohet edhe se, procesi i testimit do të administrohet nga 1,360 administrues dhe 750 kryetarë e anëtarë të komisioneve, dhe se, testi do të fillojë në orën 10:00 dhe do të përfundojë në orën 12:30.

    Postimi:

    Njoftim për mbajtjen e Testit të Maturës Shtetërore 2026

    Ministria e Arsimit dhe Shkencës njofton se nesër do të mbahet Testi i Maturës Shtetërore 2026, afati i parë, në të cilin do të marrin pjesë 19,514 nxënës në 152 qendra të testimit në të gjithë vendin.

    Procesi i testimit do të administrohet nga 1,360 administrues dhe 750 kryetarë e anëtarë të komisioneve. Testi do të fillojë në orën 10:00 dhe do të përfundojë në orën 12:30.

    Të gjithë maturantët janë të obliguar të paraqiten në qendrat e tyre të testimit më së voni në orën 09:00, për të përfunduar me kohë procedurat e identifikimit dhe sistemimit në sallat e testimit.

    Testi i Maturës Shtetërore 2026 do të zhvillohet brenda një dite për të gjitha lëndët dhe për të gjithë kandidatët. Testi përmban 100 kërkesa, përkatësisht nga 25 kërkesa për secilën prej katër lëndëve: gjuhën amtare, gjuhën angleze, matematikën dhe një lëndë zgjedhore të përzgjedhur nga vetë kandidati/ja.

    Rikujtojmë se posedimi i telefonave mobilë dhe i çdo pajisjeje tjetër elektronike gjatë testimit është rreptësisht i ndaluar. Çdo kandidat/e që konstatohet se posedon telefon ose pajisje tjetër elektronike do të largohet menjëherë nga testi, pavarësisht nëse pajisja është përdorur apo jo.

    Qendra për Vlerësim ka përfunduar të gjitha përgatitjet e nevojshme për zhvillimin e suksesshëm të testit, ndërsa administruesit dhe anëtarët e komisioneve janë trajnuar dhe pajisur me udhëzimet përkatëse.

    Për informata të detajuara, udhëzime dhe rregulla për kandidatët, vizitoni: https://mash.rks-gov.net/…/informata-udhezime-dhe…

    Ministria e Arsimit dhe Shkencës u uron suksese të gjithë maturantëve në këtë proces të rëndësishëm të vlerësimit.

  • Ministri italian anulon vizitën në SHBA pas komenteve të Trumpit për Melonin

    Ministri italian anulon vizitën në SHBA pas komenteve të Trumpit për Melonin

    Një përplasje e re diplomatike ka shpërthyer mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe kryeministres italiane, Giorgia Meloni, pasi Trump deklaroi se Meloni i ishte “lutur” për të bërë një fotografi me të gjatë samitit të G7 në Francë dhe se ai kishte pranuar “nga keqardhja”.

    Meloni reagoi ashpër ndaj këtyre deklaratave, duke i quajtur ato “plotësisht të sajuara” dhe duke theksuar se “as unë dhe as Italia nuk lutemi”.

    Ajo u shpreh e habitur nga mënyra se si Trump trajton aleatët tradicionalë perëndimorë, duke sugjeruar se ai tregon më shumë mirëkuptim ndaj kundërshtarëve të Perëndimit sesa ndaj partnerëve të vjetër, raporton ap.

    Si shenjë proteste, ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, anuloi vizitën e planifikuar në Shtetet e Bashkuara javën e ardhshme. Ai i cilësoi komentet e Trumpit si “serioze dhe fyese”, jo vetëm ndaj Melonit, por ndaj gjithë Italisë.

    Incidenti konsiderohet një tjetër goditje për marrëdhëniet mes dy liderëve, të cilët dikur kishin një raport të afërt politik. Tensionet mes tyre janë shtuar muajt e fundit për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me luftën me Iranin dhe kritikave të Trumpit ndaj Papa Leos XIV, të cilat Meloni i kishte dënuar publikisht.

    Përplasja e fundit ka nxitur reagime të shumta në Itali dhe rrezikon të thellojë më tej krizën diplomatike mes dy vendeve aleate.

  • Dogana e Kosovës sekuestron produkte të duhanit të ngrohur me vlerë rreth 12 mijë euro

    Dogana e Kosovës sekuestron produkte të duhanit të ngrohur me vlerë rreth 12 mijë euro

    Njësitet Anti Kontrabandë të Doganës së Kosovës, në kuadër të aktiviteteve të vazhdueshme operative për parandalimin dhe luftimin e kontrabandës, kanë realizuar kontrolle në tri lokacione të ndryshme në rajonin e Prishtinës.

    Sipas njoftimit, gjatë kontrolleve të kryera zyrtarët doganorë kanë hasur dhe kanë sekuestruar gjithsej 33,000 njësi të produkteve të duhanit të ngrohur të markës TERREA, të cilat përdoren në pajisje elektronike për ngrohjen e duhanit, si dhe një pajisje elektronike për përdorimin e këtyre produkteve.

    Vlera e përafërt e mallit të sekuestruar llogaritet të jetë rreth 12,000 euro.

    Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe tregtisë së paligjshme, me qëllim mbrojtjen e ekonomisë së vendit, garantimin e konkurrencës së drejtë në treg dhe mbrojtjen e të hyrave buxhetore të Republikës së Kosovës.

  • Mesazhet e LVV-së për LDK’në përmes Rrustemit: Elektorati preferon koalicion, shpresoj të jenë konstruktivë

    Mesazhet e LVV-së për LDK’në përmes Rrustemit: Elektorati preferon koalicion, shpresoj të jenë konstruktivë

    Rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit ka sjell pak ndryshime në matematikat për krijimin e institucioneve të reja. LVV e Albin Kurtit me votat që ka marrë duket se do të arrijë ta krijojë qeverinë i vetëm me pakicat joserbe, derisa çështja e presidentit pritet të jetë temë e negociatave me partitë e tjera.

    Zyrtari i LVV’së, Adnan Rrustemi, i ftuar në emisionin Pressing të T7 të enjten ka dhënë sinjale se partia që Kurti drejton dhe elektorati i saj preferojnë Lidhjen Demokratike të Kosovës për bashkëpunim.

    Rrustemi ndërkohë ka përjashtuar PDK’në si një partner të mundshëm për bashkëqeverisje.

    “PDK’së i kemi ofru kryetarin e Kuvendit jo bashkëqeverisje. S’është e dobishme për Kosovën dhe PDK duhet të qëndrojë në opozitë. Edhe në aspektin elektoral preferenca e votuesve ka qenë bashkëpunimi me LDK’në”, ka thënë ai.

    Sipas Rrustemit, edhe votuesit e LDK’së do ta zgjidhnin si preferencë të dytë Lëvizjen Vetëvendosje.

    Deputeti i zgjedhur i VV-së në këtë intervistë ka folur edhe për temën e zgjedhjes së presidentit. Rrustemi ka thënë se Vjosa Osmani është politikane aktive dhe se LVV dëshiron një president konsensual.

    Megjithatë ai ka thënë se mund të gjendet një zgjidhje në kuadër të negociatave që do të zhvillojnë partitë politike.

    “Osmani është e mveshur me petkun aktiv politik”, ka thënë Rrustemi.

    I pyetur nëse LVV ka vullnet që t’ia jep opozitës pozitën e presidentit, Rrustemi ka thënë se “pozicionet politike duhet të jenë në përputhje me pozicionin elektoral”.

    Ai ka përmendur ftesat që LVV ia ka bërë LDK’së për bashkëqeverisje dhe refuzimet që partia e Abdixhikut i kishte bërë. Zyrtari i LVV’së ka thënë se shpreson që ketë herë LDK’ja edhe të pranojë ftesën për bashkëqeverisje dhe të jetë konstruktive në takime.

    “LDK refuzoi edhe takimet vitin e kaluar. Pra duhet me ndodhë një palë zgjedhje që LDK me e bo një gjysmë hapi. Pas zgjedhjeve të dhjetorit erdhi në takim por s’ishte konstruktive. Shpresojmë që herën e tretë edhe të vijë në takime edhe të jetë konstruktive”, ka thënë Rrustemi në Pressing të T7.

    Deklarime për një bashkëpunim ne mes të LDK’së dhe LVV’së ka dhënë edhe Lutfi Haziri në Pressing. Haziri madje ka paralajmëruar se Vjosa Osmani është e gatshme të tërhiqet nga synimi për presidente në rast të një marrëveshjeje.

    “Kjo marrëveshje do të mundësonte që vendi t’i kthehet stabilitetit”, ka deklaruar Haziri në T7.

    Ai tha se sipas procesit, ata do ta adaptojnë emrin e përveçëm.

    “LDK as nuk e ka pas e as nuk e ka asnjë problem me emër të përveçëm. Nëse mendohet se znj. Osmani ka qenë apo mundet me qenë problem, unë ju siguroj edhe sot që vetë ajo ka konfirmu që nuk është emri i saj problem në arritjen e një marrëveshje bashkëpunimi mes partive politike për t’i dhënë vendit stabilitet”, ka shtuar Haziri.

  • ​Kokainë në çantën e udhëtarit, Dogana e Kosovës godet dy raste të drogës në Vërmicë

    ​Kokainë në çantën e udhëtarit, Dogana e Kosovës godet dy raste të drogës në Vërmicë

    Zyrtarët e Doganës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë zbuluar dy raste të substancave narkotike gjatë kontrolleve të automjeteve në Pikën e Kalimit Kufitar Vërmicë.

    Sipas Doganës së Kosovës, në rastin e parë gjatë kontrollit të detajuar të një automjeti që po hynte në Republikën e Kosovës, janë gjetur 104.90 gram substancë narkotike e dyshuar si kokainë, e fshehur në çantën personale të një udhëtari.

    Testet fillestare të kryera me pajisjen TruNarc dhe testin fushor kanë rezultuar pozitive për kokainë. Pas kontrollit të plotë dhe skanimit të automjetit nuk janë evidentuar parregullsi të tjera, ndërsa rasti është proceduar për hetime të mëtejshme.

    Në rastin e dytë, gjatë kontrollit të një automjeti tjetër në të njëjtën pikë kufitare, janë zbuluar 5.53 gram substancë narkotike e dyshuar si kanabis/marihuanë, e fshehur në hapësirën e bagazhit. Gjatë kontrollit është gjetur edhe një thikë kuzhine e padeklaruar.

  • Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave trajtoi 46 raste të reja brenda një jave, shumica dhunë në familje

    Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave trajtoi 46 raste të reja brenda një jave, shumica dhunë në familje

    Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave ka trajtuar 46 raste për periudhën 12.06.2026-19.06.2026

    Sipas një njoftimi thuhet se gjatë periudhës së punës 12.06.2026-19.06.2026, në Zyrën për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave, mbrojtësit e viktimave në nivel të Kosovës kanë trajtuar gjithsej 46 raste të reja.

    Prej tyre 36 raste, dhunë në familje, 2 raste pwr trafikim me njerëz, njw dhunim, etj.

    “01 rast, Tentim dhunim, 01 rast, Krime Lufte, 05 rast, Mospërfillje e Gjykatës, 06 Kërkesa për Urdhër, mbrojtje (KUM) të parashtruara në Gjykatë, 11 Kërkesa për Urdhër mbrojtje Emergjente (KUME), 04 Kërkesa për ndryshim të UM-së, 02 Kërkesa për vazhdim të UM-së, 01 Kërkesa për ndërprerje të UM-së, 01 Ankesë, 02 Parashtresa, 15 Aktvendime të aprovuara, 01 Aktvendime të refuzuara, 85 Seanca gjyqësore, 13 Seanca në prokurori, 110 Këshilla juridike, 17 Aktgjykime dënuese, 02 Aktgjykime liruese, 01 Aktgjykim refuzues, 01 Përfaqësim i rastit në polici, 02 Referim i rastit në ANJF, 07 Referim i rastit në QPS”, thuhet në njoftim.

  • Maliqi: Presidenti s’duhet të jetë noter i Kurtit, Hamzës ose Abdixhikut, por një personalitet me integritet

    Maliqi: Presidenti s’duhet të jetë noter i Kurtit, Hamzës ose Abdixhikut, por një personalitet me integritet

    Analisti politik Shkëlzen Maliqi tha se Presidenti i ri duhet të jetë një personalitet që ka integritet të dëshmuar intelektual e profesional.

    Ai tha se dy partitë, PDK e LDK, e kanë gabim që po e kërkojnë Presidentin nga radhët e tyre, duke thënë se ai s’duhet të jetë noter as i Albin Kurtit, Bedri Hamzës ose Lumir Abdixhikut.

    “E kanë gabim edhe PDK edhe LDK që kërkojnë president-e nga radhët e tyre. President-e duhet të jetë dikush që e respekton frymën dhe normat e Kushtetutës, nuk angazhohen për interesa partiake por interesa të përgjithshme. Të mos janë as notere Albin Kurtit, çfarë ishte Presidentja Osmani, a as noter-e të Bedri Hamzës ose Lumir Abdixhikut… Konsultat mes partive për kandidimin duhen me u përqendru në personalitetet që gëzojnë respekt për paanshmërinë dhe integritetin e dëshmuar intelektual dhe profesional”.

    Maliqi tha se Kosova ka “kandidat të tillë”.

  • Dita e 19-të e protestës qytetare, policia merr në hetim 27 persona

    Dita e 19-të e protestës qytetare, policia merr në hetim 27 persona

    Pas ditës së 19-të të protestës qytetare, Policia e Tiranës ka njoftuar se ka proceduar penalisht 27 shtetas, të cilët dyshohet se janë përfshirë në veprime që, sipas autoriteteve, kanë cenuar rendin dhe sigurinë publike gjatë tubimit të zhvilluar.

    Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, personat e proceduar akuzohen se kanë penguar qarkullimin e mjeteve të transportit dhe kanë shkaktuar shqetësim për rendin dhe qetësinë publike. Policia pretendon se ata kanë orientuar pjesëmarrësit e protestës të lëvizin në disa akse të Tiranës, duke tejkaluar orarin dhe perimetrin e lëvizjes të njoftuar më parë për organizimin e tubimit.

    Procedimi penal vjen pas veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga strukturat e policisë në lidhje me protestën, ndërsa hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes vijojnë. /Euronews.al/

  • Osmani: Dhuna seksuale në luftë e kryer nga Serbia gjenocidale kishte synim sulmin ndaj dinjitetit njerëzor

    Osmani: Dhuna seksuale në luftë e kryer nga Serbia gjenocidale kishte synim sulmin ndaj dinjitetit njerëzor

    Dhuna seksuale në luftë e kryer nga Serbia gjenocidale kishte synim sulmin ndaj dinjitetit njerëzor.

    Kështu është shprehur ish-presidentja e Kosovës Vjosa Osmani në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale gjatë Luftës.

    Sipas Osmanit kujtesa, drejtësia dhe mbështetja për të mbijetuarit mbeten detyrime të përhershme.

    Postimi i plotë:

    Sot, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale gjatë Luftës, përulemi me respekt para të mbijetuarve që bartën plagë të rënda, por gjetën forcën të vazhdojnë jetën me dinjitet, guxim e luftë të pareshtur për drejtësi.

    Dhuna seksuale në luftë e kryer nga Serbia gjenocidale kishte synim sulmin ndaj dinjitetit njerëzor dhe ishte ndër krimet më të llahtarshme të kryera ndaj mijëra grave e burrave. Prandaj, kujtesa, drejtësia dhe mbështetja për të mbijetuarit mbeten detyrime të përhershme.

    Përgjatë pesë viteve në Presidencë jemi siguruar që zëri i të mbijetuarve të dëgjohet e fuqizohet kudo në botë e nuk kemi lënë vend pa e ballafaquar Serbinë me krimet e kryera. E vërteta nuk do të harrohet kurrë, ndërsa përpjekja për drejtësi nuk do të ndalet.

  • Kërkohet ndihmë për trajtimin e Ardit Muqakut, 9-vjeçari po përballet me një betejë të rëndë për shikimin

    Kërkohet ndihmë për trajtimin e Ardit Muqakut, 9-vjeçari po përballet me një betejë të rëndë për shikimin

    Familjarët kanë nisur një fushatë në GoFundMe për të mbledhur 25 mijë euro, shumë e nevojshme për trajtimin mjekësor dhe ndërhyrjen që mund t’i shpëtojë shikimin.

    Një thirrje për solidaritet po bëhet për Ardit Muqakun, një djalë 9-vjeçar, i cili po përballet me probleme serioze shëndetësore që rrezikojnë shikimin e tij.

    Sipas familjarëve, Arditi është një fëmijë i buzëqeshur, i sjellshëm dhe nxënës i dalluar, por së fundmi është përballur me komplikime të rënda në sy që kërkojnë trajtim urgjent dhe të kushtueshëm jashtë vendit.

    Dokumentet mjekësore të publikuara në kuadër të fushatës tregojnë se Arditi është trajtuar në Turqi, ku mjekët kanë konstatuar komplikime serioze okulistike, përfshirë keratitin dhe nevojën për trajtim të specializuar, me mundësi të transplantimit të kornesë së syrit.

    Për të mbuluar shpenzimet e trajtimit dhe qëndrimit në spital, familja ka hapur një fushatë në platformën GoFundMe me objektiv prej 25 mijë eurosh.

    Deri tani, falë solidaritetit të qytetarëve, janë mbledhur mbi 17 mijë euro, që përfaqësojnë rreth 69 për qind të shumës së nevojshme, ndërsa familja shpreson që pjesa e mbetur të sigurohet sa më shpejt.

    “Çdo kontribut ka rëndësi”, thuhet në thirrjen e publikuar nga organizatorët e fushatës, të cilët u bëjnë apel qytetarëve, biznesve dhe bashkatdhetarëve që të ndihmojnë sipas mundësive të tyre.

    Të gjithë ata që dëshirojnë të kontribuojnë mund ta bëjnë këtë përmes fushatës së dedikuar në GoFundMe:

    Linku për donacion: https://gofund.me/bcb9d6fa2