ATV

Category: Lajme

  • ‘‘Momente të bukura’’, Haradinaj ndan foto me Rifat Jasharin nga dasma e vajzës së Shkurte Fejzes

    ‘‘Momente të bukura’’, Haradinaj ndan foto me Rifat Jasharin nga dasma e vajzës së Shkurte Fejzes

    Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se ai, së bashku me gruan e tij, Anitën, ka marrë pjesë në dasmën e vajzës së Shkurte Fejzës, Agnesës.

    Haradinaj, ka ndarë foto nga dasma, ku shihet edhe krah Rifat Jasharit.

    ‘’Sonte me Anitën, bacën Rifat e shumë miq ndamë momente te bukura në gazmendin e familjeve Behluli dhe Shatri. Agnesa, vajza e miqve të mi, Hajrushit dhe Shkurtes, lidhi fatin e jetës me Lauratin.

    Çiftit të ri i uroj nga zemra jetë të lumtur, të mbushur me dashuri dhe mbarësi gjatë gjithë jetës.

    Urime familjeve Behluli dhe Shatri për këtë gëzim të madh!’’, ka shkruar Haradinaj.

  • Si u zbulua krimi i rëndë në Tiranë: Telefoni celular tradhtoi Armand Shakajn pas zhdukjes së trupit

    Si u zbulua krimi i rëndë në Tiranë: Telefoni celular tradhtoi Armand Shakajn pas zhdukjes së trupit

    Pika më e lartë e është fshatit Cërrujë vendi ku Armand Shakaj finalizoi planin e tij kriminal, te zhdukjes së trupit të mikut të tij, Eglant Koçi.

    Pasi më 4 qershor dhe ekzekutoi Eglant Koçin me plumb në kokë në lokalin dhe zyrat e tij pranë shkollës “Ismail Qemali” në Tiranë, Armand Shakaj të nesërmën më 5 qershor realizoi edhe zhdukjen e trupit, duke përdorur një plan të mirëmenduar në detaje si një vrasës gjakftohtë. Ai futi trupin e pajetë të Koçit, në makinë e tij tip “Porche”, të cilën e dërgoi me karrotrec deri në fshatin Ibë, me qëllim humbjen e gjurmëve. Shakaj i tha drejtuesit të karrotrecit se makinë po e dërgonte në servis.

    Më pas ai ka udhëtuar nga Iba në drejtim të fshatit Cërrujë, zonë të cilën e njihte shumë mirë pasi e frekuentonte shpesh për të bërë relli me motora. Këtë e tregon edhe itinnerari i rrugës që ka ndjekur, pasi ka ecur nëpër rrugë që vetëm banorë të zonës e njohin. Shakaj ka përdorur rrugën për në fshatin Mollagjesh, pas ka vijuar në Funar dhe më tej është futur në pyll në një terren malor për të shkuar në Cërrojë.

    Armand Shakajn nuk e ndaloi as terreni i vështirë malor, zona e pyllëzuar dhe e thepisur për të shkuar në destinacionin final, për të zhdukur trupin e mikut të tij Eglant Koçi. Shakaj ushëtoi për tre orë e 30 minuta në një zonë të vështirë malore për të shkuar në Majën e Korrës, raporton A2 CNN

    Një rrugë e cila kërkon ta njohësh mirë për shkak të vështirësive që të krijon terreni i pyllëzuar, por Armand Shakaj e çoi planin e tij kriminal deri në fund, duke shkuar më makinë deri në pikën më të lartë, në Majën e Korrës.

    Aty më pas ka nxjerrë nga makina trupin e pajetë të të riut duke e hedhur në pyll, në një zonë ku ishte i bindur se nuk do të gjendej kurrë. “Pas shpinës time ndodhet humnera, ku 41-vjeçari Armand Shakaj hodhi trupin e mikut të tij, Eglant Koçi.”

    Ekspertët e kriminologjisë thonë se nuk ka krim perfekt dhe se një gjurmë do të mbesë gjithmonë vlen në këtë rast. Shakajn e tradhëtoi telefoni i tij celular, pasi edhe pse e kishte hedhur më pas, policia nëpërmjet IMSI Chatcher, arriti të zbulonte ku kishte pulsuar për herë të fundit. Po ashtu, hetuesit siguruan informacione në rrugë operative se makina e Shakajt ishte parë nga barinjtë e zonës të kalonte në fshatrat Mollagjesh, Funar dhe Cërrojë. Për këtë arsye kërkimet u fokusuan në këtë zonë. Për rreth 10 ditë policia ka qëndruar në këto fshatrat duke kryer kontrolle të shumta nga toka dhe ajri, deri në momentin kur droni pikasi një trup në Majën e Korrës, i cili i përkiste Eglant Koçit.

    Pasi hodhi trupi e Koçit, Shakaj ka ndjekur një tjetër itinerar për t’u larguar, ndryshe nga erdhi, ai u largua nëpërmjet fshati Funar në drejtim të fshatrave Bixëlle, Balëz dhe Bradashesh dhe më pas në Tiranë. Pasi mbërriti në Tiranë, për ironi të fatit, ai u thirr të merrej në pyetje nga komisariati nr.2 pasi pas kqyrjes së tabulateve telefonike të numrit të Eglant Koçit, rezultonte se Shakaj ishte personi i fundit që kishte komunikuar. Kur u mor në pyetje Shakaj dha dëshmi të rreme duke deklaruar se nuk kishte dijeni për mikun e tij. Madje pasi ka dalë nga policia ai është ndeshur në rrugë me shokët dhe familjarët e Eglant Koçit, të cilëve i ka thënë se kishin pyetur nëse kishte dijeni dhe se ishte shumë i shqetësuar dhe se kur Eglanti të kthehej në shtëpi, t’i thonin që ta telefononte pasi ishte bërë merak. Dy ditë më vonë policia pas hetimeve intensive zbuloi se Shakaj që “ishte bërë merak” për mikun e tij, ishte edhe autori i vrasjes dhe zhdukjes së trupit.

    Ky ishte i gjithë skenari i kësaj ngjarje të rëndë që tronditi mbarë opinionin publik. Një histori krimi që i ngjan një skenari të plotë krimi. /A2 CNN

  • Shqipëria merr hua 302 milionë dollarë nga SHBA për financimin ushtarak

    Shqipëria merr hua 302 milionë dollarë nga SHBA për financimin ushtarak

    Këshilli i Ministrave ka miratuar në parim një marrëveshje për hua direkte me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila kap vlerën totale prej 302 milionë dollarësh amerikanë. Ky financim do të akordohet në kuadër të Financimit të Jashtëm Ushtarak (FMF) dhe synon të mbështesë sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë në vend.

    Vendimi vjen me propozimin e përbashkët të Ministrit të Mbrojtjes dhe Ministrit të Financave, duke u mbështetur në kuadrin kushtetues dhe ligjor për marrëveshjet ndërkombëtare.

    Sipas tekstit zyrtar të vendimit, Republika e Shqipërisë në këtë transaksion financiar përfaqësohet nga autoritetet e linjës financiare, ndërsa pala amerikane përfaqësohet nga agjencia e specializuar për sigurinë e mbrojtjes.

    Në vendim thuhet se Këshilli i Ministrave vendosi “miratimin, në parim, të marrëveshjes së huas direkte, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfaqësuar nga Agjencia e Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes (DSCA), në kuadër të financimit të jashtëm ushtarak (FMF).”

    Shuma e akorduar përmes këtij instrumenti të financimit ushtarak është specifikuar në vlerën e plotë valutore “me një hua në shumën totale prej 302 000 000 (treqind e dy milionë) dollarësh amerikanë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.”/RTSH

  • Kroacia gati të shtojë forcat në Kosovë, NATO rishikon numrin e trupave të KFOR-it

    Kroacia gati të shtojë forcat në Kosovë, NATO rishikon numrin e trupave të KFOR-it

    Përgatitjet për samitin e NATO-s që do të mbahet më 7 dhe 8 korrik në Ankara të Turqisë kanë hyrë në fazën përfundimtare, pas takimit të ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare në selinë e Aleancës në Bruksel.

    Samiti pritet të jetë një tjetër përballje mes kërkesave të SHBA-së dhe angazhimeve të aleatëve evropianë, veçanërisht për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes dhe forcimin e kapaciteteve ushtarake të Evropës.

    Presidenti amerikan, Donald Trump pritet të ushtrojë presion ndaj aleatëve evropianë, të cilët sipas tij nuk kanë përmbushur objektivat për rritjen e investimeve në mbrojtje. Në fokus do të jetë edhe mënyra se si Evropa do të kompensojë reduktimin e mundshëm të pranisë ushtarake amerikane në kontinent.

    Ndërsa burime diplomatike të huaja bëjnë të ditur jozyrtarisht se disa aleatë evropianë kanë nisur tashmë diskutimet se si mund të kontribuojnë në mbushjen e boshllëkut që do të krijohej pas një tërheqjeje të pjesshme amerikane nga Evropa, ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Ivan Anushiq, në një deklaratë për gazetarët të enjten në Bruksel la të kuptohet se Kroacia po ofron rritjen e numrit të ushtarëve të saj në misionin e NATO-s, KFOR, në Kosovë.

    Kjo vjen pasi komandanti suprem i NATO-s për Evropën (SACEUR), gjenerali amerikan Alexus G. Grynkewich, njoftoi se po shqyrtohet ulja e numrit të trupave të KFOR-it, shkruan vecernji.hr.

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se kontingjenti në Kosovë mund të reduktohet nga rreth 4700 ushtarë aktualisht në rreth 3000–3500, nivel i ngjashëm me periudhën para vitit 2023.

    Ndërkohë, ministri amerikan i Luftës, Pete Hegseth, u ka bërë thirrje aleatëve evropianë që të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e kontinentit.

    “Pritet që aleatët të angazhohen dhe të bëjnë pjesën e tyre”, deklaroi Hegseth, duke paralajmëruar se SHBA do të vëzhgojë nga afër vendet që nuk kontribuojnë mjaftueshëm në përpjekjet e përbashkëta të NATO-s.

    Ai tha gjithashtu se disa aleatë do të dështojnë në këtë “test të ri amerikan”, ndërsa të tjerë do ta kalojnë me sukses, duke theksuar se Uashingtoni pret një rol më të madh nga partnerët evropianë në mbrojtjen e përbashkët.

  • Presidenti polak i heq Zelenskyt dekoratën më të lartë shtetërore

    Presidenti polak i heq Zelenskyt dekoratën më të lartë shtetërore

    Presidenti i Polonisë ka vendosur t’i heqë presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyt, “Urdhrin e Shqiponjës së Bardhë”, dekorata më e lartë shtetërore polake.

    Vendimi, sipas presidentit polak Karol Nawrocki, nuk është i drejtuar kundër popullit ukrainas dhe nuk ndryshon politikën strategjike të sigurisë së Polonisë.

    “Dua të theksoj se ky vendim nuk është kundër popullit ukrainas. Ai nuk ndryshon drejtimin strategjik të politikës së sigurisë së Polonisë. Ne e kemi mbështetur dhe vazhdojmë ta mbështesim Ukrainën”, deklaroi Nawrocki.

    Arsyeja e heqjes së dekoratës lidhet me vendimin e Zelenskyt për të emërtuar një njësi speciale të Forcave të Armatosura të Ukrainës me emrin e “heronjve të UPA-së” (Ushtrisë Kryengritëse Ukrainase).

    Në Poloni, pjesëtarët e UPA-së akuzohen për përfshirje në spastrime etnike ndaj polakëve dhe krime lufte gjatë Luftës së Dytë Botërore, një çështje që vazhdon të jetë shumë e ndjeshme në marrëdhëniet polako-ukrainase.

    Zelensky e kishte marrë Urdhrin e Shqiponjës së Bardhë në vitin 2023 nga ish-presidenti polak, Andrzej Duda, si vlerësim për rolin e tij në forcimin e marrëdhënieve mes Polonisë dhe Ukrainës, si dhe për përpjekjet në fushën e sigurisë, rezistencës dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

  • SHBA-Iran, nga lufta në paqe

    SHBA-Iran, nga lufta në paqe

    AKADEMIK PROF. DR. ANASTAS ANGJELI

    SI FILLOI LUFTA?

    Në orët e para të datës 28 shkurt 2026, qielli mbi Teheran u ndez. Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli ndërmorën gati 900 goditje brenda vetëm 12 orësh, në atë që Uashingtoni e emërtoi Operacioni Furia Epike dhe që ishte në thelb sulmi ushtarak më i gjerë ndaj Iranit në historinë moderne. Objektivat ishin të qarta, sistemet raketore iraniane, mbrojtja ajrore, infrastruktura ushtarake, instalimet bërthamore dhe udhëheqja e vendit. Udhëheqësi Suprem Ali Khamenei u vra në sulmin e parë.

    Goditjet nuk erdhën rastësisht. Ato pasuan vite të tëra lufte në hije gjithnjë në eskalim, shkëmbimet e para direkte raketore Iran-Izrael në prill dhe tetor të 2024-s, një luftë 12-ditore në qershor 2025 dhe një raund i tretë negociatash bërthamore në Gjenevë, që u shemb më 26 shkurt 2026, vetëm dy ditë para se bombat të binin mbi Teheran. Edhe pasi ministri i Jashtëm i Omanit njoftoi se Irani kishte rënë dakord të reduktonte stoqet e tij bërthamore në nivelin më të ulët të mundshëm, Uashingtoni dhe Tel Avivi nuk ngurruan të nisnin sulmin.

    Reagimi iranian qe i menjëhershëm dhe i gjerë. Brenda disa orësh nga goditjet e para, Teherani lançoi raketa dhe dronë nëpër rajon, duke goditur ambasadat amerikane, bazat ushtarake dhe infrastrukturën e naftës në Katar, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite, Bahrejn, Kuvajt dhe Irak. Por lëvizja më e rëndësishme e Iranit nuk ishte ushtarake, por ekonomike. Irani mbylli Ngushticën e Hormuzit, korridorin 34 kilometërsh nëpër të cilin kalojnë rreth një e pesta e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm të botës.

    109 DITË LUFTË, FUSHATA USHTARAKE

    Gjatë javëve që pasuan, forcat amerikane dhe izraelite kryen fushata ajrore të qëndrueshme që shkatërruan pjesën më të madhe të rrjetit të mbrojtjes ajrore të Iranit, fushata të prodhimit të raketave dhe asete detare. Deri në fund të marsit, ushtria amerikane raportonte se kishte goditur mbi 10.000 objektivë brenda Iranit, duke pretenduar se kishte shkatërruar plotësisht ose pjesërisht shumicën e fabrikave iraniane të prodhimit të raketave dhe dronëve, si dhe fundosur rreth 92% të anijeve më të mëdha të flotës iraniane. Instalimet bërthamore në Fordow, Natanz dhe Isfahan u bombarduan vazhdimisht me bomba shpuese.

    Rezultatet në frontin bërthamor mbetën të diskutueshme. Një raport paraprak i Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes Amerikane vlerësoi se Irani kishte zhvendosur shumicën e stoqeve të uraniumit të pasuruar para goditjeve dhe se operacionet kishin vonuar kapacitetin bërthamor të Iranit vetëm për disa muaj. Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, megjithatë insistoi se fushata kishte çmontuar kapacitetin e kërcënimit konvencional të Iranit.

    Humbjet njerëzore dhe infrastrukturore qenë katastrofike. Mijëra njerëz u vranë në Iran, Liban, Izrael dhe shtetet arabe të Gjirit, dhe miliona të tjerë u zhvendosën. Konflikti u përhap edhe në Liban, ku forcat e lidhura me Iranin mbetën aktive gjatë gjithë luftës. Instalimet e LNG-së së Katarit u goditën nga sulmet me dronë iraniane, duke çuar jashtë funksionimit 17% të prodhimit të tyre për deri në pesë vjet.

    TËRMETI EKONOMIK DHE BOTA NË ALARM

    Të pakta janë konfliktet moderne që kanë ndikuar kaq shumë dhe kaq shpejt ekonominë globale. Pas goditjeve të para, çmimi i naftës Brent u rrit me 6.2%, duke tejkaluar çmimin prej 82 dollarë për fuçi.

    Brenda dy javësh, ky çmim kishte shënuar rritje prej mbi 40%, nga 72 dollarë para luftës në mbi 106 dollarë. Në pikun e tij, analistët paralajmëronin se nafta mund të arrinte 200 dollarë për fuçi nëse Ngushtica mbetej e mbyllur pafundësisht. Ndërkaq, tregjet financiare u tronditën disa herë duke ngjallur pasiguri tek investitorët.

    Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit nuk qe vetëm krizë nafte. Ngushtica transporton rreth 13 milionë fuçi naftë bruto në ditë, pra rreth 31% të të gjithë transportit detar të naftës bruto, por edhe mbi 80 milionë ton LNG çdo vit, të barabartë me 20% të furnizimit global. Pasojat u shtrinë edhe në industri. Fabrikat kimike aziatike u mbyllën për shkak të mungesës së LNG. Çmimet e aluminit u rritën, duke kërcënuar zinxhirët e furnizimit në industrinë automobilistike, ajrore dhe në sektorin e ndërtimit dhe të shoqërive të sigurimit. Prodhimi i plehrave kimike shkoi gati në kolaps, duke rritur çmimet e ushqimeve nga Egjipti deri në Indonezi. Transporti i kontejnerëve gjithashtu u paralizua, me miliona kontejnerë të bllokuar në Gjirin Persik.

    Modelimet ekonomike e kuantifikuan kërcënimin me saktësi alarmante. Një analizë e FMN-së llogariti se një mbyllje e zgjatur e Ngushticës mund të vinte në rrezik ndërmjet 330 miliardëve dhe 2.2 trilionë dollarëve të prodhimit të brendshëm bruto global, në varësi të kohëzgjatjes së konfliktit. Skenari më pesimist, ai i një luftë tre deri gjashtëmujore, parashikonte naftën Brent mbi 130 dollarë për fuçi, inflacionin global të rritej me 2.5 %, dhe ekonominë e Gjirit të tkurrej me rreth me 22%. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë e konsideroi mbylljen e Ngushticës si goditjen më të rëndë të furnizimit në historinë e tregut global të naftës. Brenda ShBA çmimi mesatar i benzinës arriti në rreth 4.25 dollarë për gallon; në Kaliforni u kalua kufiri i 6 dollarëve. Ekonomistët risollën përsëri në vëmendje fantazmën e stagflacionit.

    Sidoqoftë, vlen të përmendet se goditjet në ekonomi nuk ishin të njëjta për rajone të ndryshme. Azia ishte kontinenti që mori goditjen më të rëndë: Koreja e Jugut, India, Tajlanda dhe Filipinet, ekonomi me varësi të thellë strukturore nga importet e energjisë së Gjirit, u gjetën të ekspozuara në mënyrë disproporcionale. Katari, i cili bazon eksportet e tij të gazit natyror të lëngshëm pothuajse tërësisht mbi Ngushticën e Hormuzit, u përball me parashikime të FMN të cilat shkonin deri në një tkurrje të GDP me 9% vetëm gjatë vitit 2026. Rritja ekonomike e rajonit në tërësi u parashikua të ulej me mbi gjysmën e vlerës së pritur. Ndërkohë, vende të tjera si ShBA, Kanadaja, Brazili dhe Kazakistani, reaguan shpejt për të rritur prodhimin e brendshëm, duke shfrytëzuar vakumin e krijuar nga mungesa i naftës iraniane dhe arabe nga tregjet ndërkombëtare.

    MARRËVESHJA KUADËR ME 14 PIKA

    Pas 109 ditësh lufte, lodhja qe reciproke dhe dukej se nëpërmjet luftës do arrihej te paqja. Më 14 qershor 2026, Uashingtoni dhe Teherani njoftuan se kishin arritur një marrëveshje të ndërmjetme, ndërmjetësuar kryesisht nga Pakistani dhe Katari. Memorandumi i Mirëkuptimit u nënshkrua elektronikisht më 16 qershor, me një ceremoni zyrtare të planifikuar në Gjenevë, Zvicër, më 19 qershor.

    14 pikat e Memorandumit (që janë publikuar në mediat kryesore ndërkombëtare sot) janë në thelb një udhërrëfyes me faza dhe me kushte, jo një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Pikat kryesore janë si më poshtë:

    1. Armëpushim i menjëhershëm. Të dyja palët zotohen për ndërprerjen e menjëhershme dhe të përhershme të të gjitha veprimeve armiqësore në çdo front, përfshirë Libanin.

    2. Respektimi i sovranitetit. SHBA dhe Irani njohim reciprokisht sovranitetin e njëri-tjetrit dhe zotohen të mos ndërhyjnë në punët e brendshme të palës tjetër.

    3. Dritare 60-ditore negociatash. Palët kanë 60 ditë për të negociuar dhe finalizuar një marrëveshje gjithëpërfshirëse e të qëndrueshme, me mundësi zgjatjeje me marrëveshje të ndërsjellë.

    4. Heqja e bllokadës detare amerikane. SHBA do të heqë bllokadën detare ndaj Iranit brenda 30 ditëve dhe do të tërheqë forcat ushtarake nga zonat ngjitur brenda 30 ditëve pas marrëveshjes finale.

    5. Rihapja e Ngushticës së Hormuzit. Irani do të rihapë Ngushticën dhe do të sigurojë kthimin e lundrimit tregtar në nivelet para-luftës brenda 30 ditëve, duke përfshirë pastrimin e minave detare.

    6. Fondi i rindërtimit prej 300 miliardë dollarësh. SHBA dhe partnerët rajonalë do të zhvillojnë një plan financimi prej të paktën 300 miliardë dollarësh për rehabilitimin ekonomik dhe infrastrukturor të Iranit.

    7. Heqja e sanksioneve. Të gjitha sanksionet ndaj Iranit, përfshirë ato të OKBsë, IAEA-s dhe SHBA do të hiqen sipas një kalendari që do të përcaktohet në marrëveshjen finale.

    8. Zotimi bërthamor i Iranit. Irani riafirmon se nuk do të ndjekë zhvillimin e armëve bërthamore, ndërsa fati i materialeve të pasuruara shtyhet për negociatat e ardhshme.

    9. Status quo bërthamor gjatë negociatave. Gjatë periudhës 60-ditore, Irani ruan programin bërthamor ashtu siç është dhe SHBA nuk imponon sanksione të reja e as nuk ndërmerr ndonjë eskaladim ushtarak.

    10. Përjashtim i menjëhershëm nga sanksionet për naftën. SHBA lëshon menjëherë përjashtime që i lejojnë Iranit të eksportojë naftë bruto, petrokimikate dhe shërbime të lidhura me to gjatë armëpushimit.

    11. Lirimi i aseteve të ngrira. Asetet e ngrira iraniane do të lirohen dhe Irani do të ketë akses të plotë në to, së bashku me lejet e nevojshme për transferime financiare.

    12. Mekanizëm zbatimi. Do të krijohet një strukturë e posaçme mbikëqyrëse për të monitoruar dhe garantuar zbatimin e marrëveshjes finale.

    13. Pas nënshkrimit, SHBA dhe Irani do të hyjnë në negociata mbi pikat e mbetura pasi secila palë të marrë garancitë e kërkuara mbi pika specifike.

    14. Rezolutë e detyrueshme e OKB. Marrëveshja gjithëpërfshirëse finale duhet ratifikuar nëpërmjet një rezolute detyruese të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara..

    E ARDHMJA, “NJË BAST 60-DITOR”

    Memorandumi është një dokument armëpushimi dhe jo një traktat paqeje. Pak kush beson se mund të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse brenda 60 ditëve, dhe edhe sikur të arrihet, asgjë nuk garanton që lufta dhe paqëndrueshmëria të mos kthehen. Marrëveshja parashikon vetëm që Irani të hapë Ngushticën, duke lënë jashtë zgjidhjes një sërë detajesh teknike dhe politike me peshë.

    Çështja më e vështirë mbetet ajo që Memorandumi e shmang me kujdes, pra programi bërthamor iranian. Irani zotëron rreth 440 kg uranium të pasuruar deri në 60%, një sasi që tejkalon ndjeshëm pragun teknik për prodhimin e armës bërthamore. Uashingtoni kërkon çmontimin e plotë të infrastrukturës së pasurimit në Fordow, Natanz dhe Isfahan, si dhe dorëzimin e të gjithë materialit të pasuruar. Teherani, nga ana e tij, ka treguar gatishmëri vetëm për hollimin e stoqeve brenda territorit të vet, duke qëndruar larg çarmatimit të plotë. Zyrtarët iranianë kanë qenë të hapur dhe dokumenti i nënshkruar nuk përmban asnjë marrëveshje bërthamore të finalizuar.

    Edhe rihapja e Ngushticës është më e komplikuar se sa duket. Operatorët ndërkombëtarë të anijeve kërkojnë garanci të qarta mbi pastrimin e minave para se të autorizojnë transitin e flotave të tyre. Ekspertët vlerësojnë se mund të duhen deri dy javë që lundrimi tregtar të rritet ndjeshëm pas nënshkrimit. Edhe në skenarin më optimist, çmimi i naftës Brent pritet të ulet gradualisht drejt 80 dollarëve për fuçi deri në fund të vitit 2026 dhe rreth 65 dollarëve në 2027, ndërsa tregu i naftës të kthehet ngadalë në ekuilibër. Dëmet në infrastrukturën energjetike të Iranit, instalimet e gazit natyror të lëngshëm të Katarit dhe fushat e prodhimit në shtetet e Gjirit do të kërkojnë muaj, dhe jo ditë, për t’u riparuar.

    E ardhmja varet nga aftësia e të dy palëve për ta kthyer këtë memorandum në një kuadër të qëndrueshëm paqeje. Kjo është saktësisht sfida që çdo raund i mëparshëm i diplomacisë nuk ia ka arritur. Le të presim dhe të shpresojmë. Përtej diskutimeve “Cila marrëveshje është më e mirë: Ajo e Presidentit Obama në 2015 apo kjo e Presidentit Trump e tanishme”? Me e rëndësishme është që paqja të fitoi.

  • ‘‘Është vijë e kuqe’’ – Rukiqi tregon se cili është kushti i LDK’së për marrëveshje politike në krijimin e institucioneve

    ‘‘Është vijë e kuqe’’ – Rukiqi tregon se cili është kushti i LDK’së për marrëveshje politike në krijimin e institucioneve

    Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berat Rukiqi zbuloi kushtin e partisë së tij për marrëveshje politike në krijimin e institucioneve të reja shtetërore.

    Rukiqi i ftuar në KlanKosova, deklaroi se LDK e ka pozicion të pa negociueshëm pranimin e gazit amerikan në çdo lloj marrëveshje politike pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

    “Ne e kemi si pozicion zyrtar dhe politik se në çdo lloj marrëveshje për krijimin e institucioneve të reja ku përfshihet LDK, ne kemi kërkesë të panegociueshme, ose vija të kuqe qysh kemi për Listën Serbe në një anë, në anën tjetër vijë e kuqe është çështja e gazit. Kusht i çdo bashkëpunimi institucional është pranimi i gazit amerikan”, tha Rukiqi.

  • Parashikimi i motit për fundjavën

    Parashikimi i motit për fundjavën

    Nën ndikimin e masave ajrore relativisht të qëndrueshme, fundjava do të karakterizohet me mot kryesisht të kthjellët, me intervale me diell dhe vranësira të pakta.

    Të shtunën do të mbajë mot kryesisht me diell dhe vranësira të shpërndara.

    Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10 dhe 13°C, ndërsa temperaturat maksimale të ditës do të arrijnë ndërmjet 28 dhe 33°C.

    E diel:
    Parashihet mot me diell dhe pjesërisht i vranët. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10 dhe 13°C, ndërsa maksimalet e ditës pritet të arrijnë nga 28 deri në 32°C.

  • Bekim Haxhiu kërkon rinumërim të plotë të votave të kandidatëve të PDK-së, dorëzon ankesë në PZAP

    Bekim Haxhiu kërkon rinumërim të plotë të votave të kandidatëve të PDK-së, dorëzon ankesë në PZAP

    Kandidati i PDK-së për deputet, Bekim Haxhiu, ka bërë të ditur se ka paraqitur ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke kërkuar rinumërimin e plotë të votave të kandidatëve për deputet të Partisë Demokratike të Kosovës.

    Haxhiu tha se kërkesa e tij nuk bazohet në pakënaqësi me rezultatin zgjedhor, por në gjetjet e evidentuara gjatë procesit të rinumërimit të zhvilluar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

    Sipas tij, rinumërimi i 185 vendvotimeve, që përfshijnë rreth 3.52 për qind të votave të PDK-së, ka dëshmuar se në numërimin fillestar ka pasur gabime. Ai theksoi se nga ky proces i janë shtuar gjashtë vota që nuk ishin regjistruar më parë.

    “Kur diferenca ndërmjet kandidatëve është vetëm 102 vota, çdo votë ka rëndësi dhe çdo pasaktësi mund të ndikojë drejtpërdrejt në rezultatin përfundimtar”, ka deklaruar Haxhiu.

    Ai ka kërkuar që të rinumërohen të gjitha votat e kandidatëve të PDK-së që nuk janë përfshirë në procesin e deritanishëm të rinumërimit, duke vlerësuar se vetëm një verifikim i plotë mund të garantojë që mandati parlamentar t’i takojë kandidatit që ka marrë mbështetjen e qytetarëve.

    Haxhiu ka theksuar se besimi në procesin zgjedhor ndërtohet mbi transparencën, ligjshmërinë dhe respektimin e vullnetit të votuesve, ndërsa ka shprehur pritjen që PZAP ta shqyrtojë ankesën në mënyrë të paanshme.

    Ai gjithashtu ka deklaruar se saktësia e rezultatit zgjedhor është më e rëndësishme se shpejtësia e publikimit të tij, duke shtuar se edhe në proceset e mëparshme zgjedhore ka identifikuar dhe denoncuar parregullsi, përfshirë ato që, sipas tij, janë evidentuar më 28 dhjetor 2025.

    Për këto arsye, Haxhiu ka bërë të ditur se ka kërkuar ndërhyrjen e PZAP-it për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor dhe mbrojtjen e çdo vote.

  • Mblidhet Qeveria, merren disa vendime

    Mblidhet Qeveria, merren disa vendime

    Qeveria në detyrë e Kosovës, ka mbajtur një mbledhje elektronike.

    Në njoftimin e zyrës së kryeministrit bëhet e ditur se gjatë kësaj mbledhjeje janë marrë disa vendime, si, miratimi i vendimit për emërimin e Komisionit të Pranimit për kategorinë e lartë drejtuese, për pozitën Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, dhe, miratimi i vendimit për emërimin e Komisionit të Pranimit për kategorinë e lartë drejtuese, për pozitën Komisioner për Gjuhët.

    Njoftimi:

    Mbledhja e 24-të e Qeverisë në detyrë të Republikës së Kosovës

    Prishtinë, 19 qershor 2026

    Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka:

    – Miratuar vendimin për emërimin e Komisionit të Pranimit për kategorinë e lartë drejtuese, për pozitën Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit.

    – Miratuar vendimin për emërimin e Komisionit të Pranimit për kategorinë e lartë drejtuese, për pozitën Komisioner për Gjuhët.

    – Miratuar vendimin për emërimin e Komisionit të Pranimit për kategorinë e lartë drejtuese, për pozitën Drejtor Ekzekutiv në Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale

    – Ndryshuar dhe plotësuar Vendimin e Qeverisë Nr. 10/230, të datës 13 nëntor 2024, për themelimin e Komisionit për Vlerësimin e Sistemeve të Informacionit dhe Komunikimit me Rëndësi Strategjike.

    – Miratuar vendimin për vazhdimin e mandatit të Komisionit për Verifikimin e Diplomave të lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut, i themeluar me Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr. 11/130, të datës 22.02.2023, i ndryshuar dhe i plotësuar me Vendimin Nr. 14/169, të datës 27.10.2023, Vendimin Nr. 19/218, të datës 28.08.2024, Vendimin Nr. 12/249, të datës 26.02.2025, dhe Vendimin Nr. 01/268, të datës 22.08.2025, Vendimin 10\280 të datës 19.12.2025, dhe Vendimin Nr. 16\05 të datës 19.03.2026, i vazhdohet mandati nga data 22.06.2026 deri me datën 22.09.2026.