ATV

Category: Lajme

  • Ambasadori britanik në Serbi i shqetësuar se askush nuk është dënuar për shkak të Banjskës

    Ambasadori britanik në Serbi i shqetësuar se askush nuk është dënuar për shkak të Banjskës

    Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Serbi, Edward Ferguson, ka thënë se është fakt që qëndrimet e Serbisë dhe Britanisë së Madhe mbivendosen kur është fjala për statusin e Kosovës, por thekson se ka edhe gjëra për të cilat ka të njëjtin mendim.

    “Ne e njohim Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur. Dhe është e qartë se ne nuk pajtohemi. Por ne pajtohemi, për shembull, që duhet të shohim përparim në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Zgjidhja e disa problemeve që mund të çojë në përshkallëzim dhe tension dhe që mund të dëmtojë stabilitetin, reputacionin politik dhe trajektoren ekonomike të Serbisë”, thotë ai në një intervistë për “Euronews Serbia”.

    Ferguson thotë se Britania e Madhe ndan gjithashtu shqetësimin e madh për komunitetin serb që jeton në Kosovë.

    “I vizitova në nëntor, isha në Mitrovicën Veriore, në Graçanicë dhe takova një komunitet që është nën presion, ata ndjejnë stres dhe ne duam të gjejmë mënyra për të ulur tensionet, për të përmirësuar dialogun”, thotë ai.

    Siç shton ai, Britania e Madhe gjithmonë e bën të qartë se nuk dëshiron asnjë lëvizje të njëanshme nga asnjëra palë, qoftë Kosova apo Serbia, të cilat mund të çojnë në përshkallëzim. Megjithatë, shton ai, situata në terren është ndryshe.

    “Ne e themi qartë se nuk jemi të kënaqur për disa gjëra që kanë ndërmarrë autoritetet në Prishtinë, siç është shpronësimi, si dhe disa gjëra të tjera për të cilat kemi thënë qartë se nuk jemi të kënaqur dhe që nuk janë në pajtim me sistemin ligjor të Kosovës. Kemi parë edhe incidente si sulmi në Banjskë, kur në shtator një grup personash me armë vranë një polic, filluan të qëllonin dhe një vit më vonë, askush nuk është përgjigjur për atë sulm. Mund të ju them se kjo ka ngjallur shqetësim dhe frustrim në Londër dhe përfaqësues tjerë në Evropë. Prandaj, të dyja palët duhet të bëjnë përpjekje të vazhdueshme për të gjetur një mënyrë për të reduktuar tensionet, në mënyrë që të gjithë të kthehen në dialog”, tha ai.

    Ai tha se në Ohër, kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Alleksandar Vuçiq bënë një plan për normalizim, por tha se “nuk jemi as për së afërmi të kënaqur me përparimin”.

    “Kemi parë pak përparime, që i përshëndesim, siç është njohja e targave të Kosovës nga Serbia. Kosova më në fund e zbatoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronën që i përket Manastirit të Deçanit. Britania e Madhe ka qenë shumë e përfshirë për të bërë presion që kjo të ndodhë. Por, duhet bërë edhe shumë që të vihet deri te stabilizimi dhe këtë e duam ne”, theksoi Ferguson.

  • Netanyahu pritet të takohet sot me Bidenin dhe Harrisin

    Netanyahu pritet të takohet sot me Bidenin dhe Harrisin

    Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, do të qëndrojë të enjten, më 25 korrik, në Shtëpinë e Bardhë, ku do të takohet me presidentin Joe Biden, dhe nënpresidenten, Kamala Harris, e cila ka shprehur synimin e saj për të garuar për postin e presidentes. Këto takime do të zhvillohen në një moment të rëndësishëm për të tre politikanët.

    Vizita e Netanyahut në Shtëpinë e Bardhë – e para që kur ish-presidenti Donald Trump përfundoi mandatin më 2020 – vjen në kohën e rritjes së presionit ndaj tre udhëheqësve që të gjejnë një zgjidhje për luftën 9-mujore, që ka lënë mbi 39.000 të vdekur në Gazë. Po ashtu, dhjetëra pengje izraelite, dhe mbetjet mortore të të tjerëve që kanë vdekur në robërim, po mbahen ende nga Hamasi, grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

    Biden po kërkon nga Izraeli dhe Hamasi që të arrijnë pajtim për propozimin e tij, që parasheh lirimin e pengjeve që ende po mbahen në Gazë, përmes tri fazave.

    Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë kanë thënë se negociatat janë në fazat finale, por ende ka disa çështje që duhet të zgjidhen.

    Pas bisedimeve, Biden dhe Netanyahu do të takohen me familjarët e pengjeve amerikane.

    Harris, e cila më pas do të takohet ndaras me Netanyahun, po tenton të demonstrojë se ka aftësi që të shërbejë si komandante supreme. Ajo po ashtu është nën llupën e politikanëve të majtë që thonë se Bideni nuk ka bërë mjaftueshëm që ta detyrojë Netanyahun që t’i japë fund luftës dhe republikanët po synojnë ta paraqesin Harrisin si politikane që nuk ka dhënë mbështetje të mjaftueshme për Izraelin.

    Një zyrtar i lartë i administratës amerikane, i cili foli me gazetarët në kushte anonimiteti, tha se presidenti dhe nënpresidentja nuk kanë asnjë dallim sa i përket Izraelit.

    Për herë të fundit, Harris dhe Netanyahu kanë zhvilluar takim dypalësh në mars të vitit 2021, por ajo ka marrë pjesë në mbi 20 telefonata të zhvilluara mes Bidenit dhe Netanyahut.

    Netanyahu po ashtu gjendet në një moment të djeshëm politik. Ai po përballet me presion nga familjet e pengjeve në Izrael, të cilët po kërkojnë që të arrihet një marrëveshje armëpushimi e cila do të mundësonte lirimin e familjarëve të tyre. Ndërkaq, në anën tjetër anëtarët e ekstremit të djathtë të koalicionit të tij qeverisës po i kërkojnë udhëheqësit izraelit që të mos pranojë asnjë marrëveshje që do t’ua pamundësonte trupave izraelite të eliminojnë Hamasin.

    Një ditë më herët, Netanyahu mbajti një fjalim para Kongresit amerikan, ku tha se lufta e shtetit të tij kundër Hamasit, që mbështetet nga Irani “po mban trupat amerikane larg nga terreni dhe po mbron interesat tona të përbashkëta në Lindjen e Mesme”.

    “Mbajeni mend: Armiqtë tanë janë edhe armiqtë tuaj. Lufta jonë është lufta juaj. Fitorja jonë do të jetë edhe fitorja juaj”, tha ai para ligjvënësve amerikanë.

    Gjatë fjalimit, Netanyahu lavdëroi Bidenin për mbështetjen pas sulmit të 7 tetorit, kur Hamasi vrau 1.200 persona në jug të Izraelit, dhe rrëmbeu 250 të tjerë.

    Gjatë fjalimit, Netanyahu po ashtu përmendi veprimet e ndërmarra nga Trumpi gjatë mandatit të tij presidencial, nga të cilat ka përfituar Izraeli, përfshirë njohjen e sovranitetit të Izraelit mbi Lartësitë e Golanit, luftimin e agresionit të Iranit dhe zhvendosjen e Ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Jerusalem.

    Netanyahu pritet që të premten të udhëtojë për në Florida, ku do të takohet me kandidatin republikan për president, Donald Trump. /REL

  • Brenga e komunave në veri: Më pak banorë, më pak buxhet

    Brenga e komunave në veri: Më pak banorë, më pak buxhet

    Për shkak të numrit të vogël të popullsisë së regjistruar, komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan – mund të marrin buxhet vjetor shumë më të vogël se më parë.

    Këtë shqetësim, së paku, shprehin zyrtarët komunalë në Mitrovicë të Veriut dhe në Zubin Potok.

    “Sigurisht që numri i banorëve do të reflektojë te buxheti. [Nga niveli qendror] do të na thonë: ju, komunarët, gjenduni për projekte dhe vendbanime, nëse mendoni se keni diçka”, thotë për Radion Evropa e Lirë Katarina Axhançiq, nënkryetare e Komunës së Mitrovicës së Veriut.

    Numri i popullsisë në komuna është faktor në përcaktimin e buxhetit të tyre nga Qeveria e Kosovës.

    Serbët e katër komunave në veri, kryesisht, e bojkotuan regjistrimin e popullsisë – që u bë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës në pranverë – me kërkesë të Listës Serbe, e cila kundërshton autoritetin e institucioneve të Kosovës.

    Sipas të dhënave paraprake të ASK-së, të publikuara më 12 korrik, vetëm rreth 6.500 njerëz në këtë zonë iu përgjigjën regjistrimit, ndërsa atje besohet se jetojnë dhjetëra mijëra.

    Pasoja të gjera

    “Ky bojkotim i regjistrimit [nga serbët lokalë] mund të ketë pasoja edhe në ndarjen e buxhetit, por edhe në zhvillimin ekonomik”, thotë kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, për Radion Evropa e Lirë.

    Në këtë komunë, sipas të dhënave paraprake të ASK-së, janë regjistruar 758 banorë.

    Shifra është shumë më e ulët sesa vlerësimi i fundit i popullsisë në Kosovë, i bërë nga ASK-ja në vitin 2022.

    Sipas atij vlerësimi, në Zubin Potok jetojnë 6.628 banorë.

    Dallime të mëdha vërehen edhe në tri komunat e tjera në veri.

    Në Mitrovicë të Veriut, sipas të dhënave të deritashme të ASK-së, janë regjistruar 2.346 banorë, ndërsa sipas vlerësimit të vitit 2022, atje jetojnë 11.912 banorë.

    Në Leposaviq janë regjistruar 3.204 banorë, ndërsa kanë qenë 12.883, dhe në Zveçan janë regjistruar 435, ndërsa kanë qenë 7.165.

    Katër komunat në veri e kanë bojkotuar kryesisht edhe regjistrimin e parafundit, më 2011, ndërsa buxhetet për to janë ndarë në bazë të vlerësimit të popullsisë.

    Zyrtarët komunalë në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok shpresojnë se institucionet qendrore do ta kenë parasysh që numri i qytetarëve të regjistruar në komunat veriore, nuk paraqet numrin real të popullsisë atje.

    Për vitin 2024, Mitrovica e Veriut ka pasur buxhet prej rreth 6.3 milionë eurosh.

    Nënkryetarja e komunës, Axhançiq, shpreson që buxheti komunal për vitin e ardhshëm të jetë së paku i njëjtë me këtë të këtij viti.

    “E lus Zotin për këtë, që të na e lënë aq”, thotë Axhançiq.

    “Duhet të gjendet një zgjidhje. Tani nuk e di… Me siguri që Qeveria [e Kosovës] do ta ketë parasysh se çfarë zgjidhjeje mund të bëhet”, thotë Zeqiri.

    Buxheti i sivjetmë i komunës që ai drejton është rreth 3.4 milionë euro.

    Lidhur me këto shqetësime, Radio Evropa e Lirë iu drejtua Qeverisë së Kosovës, por zyrtarë të saj nuk ishin të gatshëm të saktësojnë se si do të gjendet zgjidhja.

    Sipas tyre, “duhet pritur dhe analizuar shifrat dhe më pas të vendoset për buxhetet komunale”.

    Rreth gjysma e buxhetit vjetor të komunave varet nga grantet e përgjithshme, të cilat i ndan Qeveria e Kosovës nga buxheti i përgjithshëm i vendit, e që sivjet ishte rreth 3.3 miliardë euro.

    Rreth 90% e shumës së granteve të përgjithshme për komunat ndahen duke u bazuar në numrin e popullsisë së komunës përkatëse.

    Bekim Salihu, nga Instituti Kosovar për Studime të Avancuara – GAP, thotë për Radion Evropa e Lirë se mospjesëmarrja e qytetarëve në procesin e regjistrimit në veri, do të prodhojë efekte negative për vetë ata.

    “Më pak banorë nënkupton më pak buxhet. Ky është efekti i parë, por jo i vetmi, sepse edhe numri i asamblistëve nëpër kuvendet komunale përcaktohet nisur nga numri i popullsisë”, thotë Salihu.

    Sipas tij, kur një komunë nuk di numrin e popullsisë dhe shtrirjen e saj, e as nivelin e arsimimit, profesionet e qytetarëve dhe çështje të tjera demografike, ajo e ka problem të hartojë edhe studime dhe plane të qëndrueshme.

    Boban Simiq, nga Qendra për Veprime Afirmative Sociale – CASA në Kosovë, pajtohet se pjesëmarrja e ulët në regjistrimin në komunat në veri, nuk i godet vetëm institucionet komunale, por edhe vetë qytetarët.

    “Kur të hyrat e komunës janë më të vogla, një gjë e tillë bën që shërbimet komunale dhe investimet kapitale të jenë më të pakta. Me këtë fakt, popullsia në përgjithësi ka mundësi më të pakta për zhvillim”, ka thënë ai.

    Vlerësimi i përgjithshëm i popullsisë, si qasje alternative

    Në rastet kur pjesëmarrja e qytetarëve në procesin e regjistrimit është e ulët në komuna të caktuara, ekzistojnë mënyra për të përcaktuar numrin e përafërt, vlerësojnë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

    Drejtori i kësaj agjencie, Avni Kastrati, përmend vlerësimin e popullsisë, që, sipas tij, është standard ndërkombëtar.

    Ai thotë se ASK-ja ka burime të mjaftueshme për të bërë një vlerësim të përgjithshëm të popullsisë në komunat veriore të vendit.

    “Burimet janë administrative, prej anketave. Ne e kemi bërë një mini-regjistrim më parë dhe e kemi numrin e banesave, të shtëpive, sa janë të banueshme dhe sa të pabanueshme…”, ka thënë Kastrati.

    Ai ka shtuar se puna për vlerësimin e përgjithshëm të popullsisë në komunat e veriut të vendit nuk ka nisur, por se ekipet e punës janë të gatshme.

    Deri në fund të vitit, ASK-ja do të mund të dalë me rezultatet e këtij vlerësimi, që, sipas Kastratit, do të jetë mbi 90 për qind i përafërt me numrin real të popullsisë së atjeshme.

    A është, në fakt, real vlerësimi?

    Që prej regjistrimit të parafundit të popullsisë në vitin 2011, ASK-ja ka publikuar vazhdimisht raporte vjetore të vlerësimit të popullsisë.

    Çdo vit, ajo ka vlerësuar se popullsia është më e madhe sesa që është regjistruar më 2011, duke u bazuar në shifrat e natalitetit, mortalitetit dhe migrimit.

    Por, nga të dhënat paraprake të ASK-së del se popullsia në vitin 2024 është ndjeshëm më e vogël sesa në vitin 2011, përkatësisht 1.58 milion banorë, krahasuar me rreth 1.7 milion.

    Edhe përfaqësuesit e organizatave joqeveritare kanë pikëpamje të ndryshme nëse vlerësimi i përgjithshëm mund t’i afrohet numrit real të popullsisë së komunave përkatëse.

    Salihu, nga Instituti GAP, thotë se kjo metodë e ASK-së nuk ofron rezultat të saktë.

    Vlerësimi i popullsisë, sipas tij, bazohet në një regjistrim bazë, i cili pasohet me të dhënat nga numri i vdekjeve, numri i lindjeve dhe numri i migrimeve.

    Ai thotë se për të gjitha këto, ASK-ja nuk i ka të dhënat e plota.

    “E para, regjistrimi [i parafundit] i vitit 2011 nuk ka qenë i plotë, as atëherë. Mangësia e dytë është që këto komuna [në veri] nuk kanë raportuar në formë të rregullt dhe të plotë lidhur me lindjet dhe vdekjet. Ato nuk kanë as të dhëna për sa i përket migrimit”, thekson Salihu.

    Por, Simiq nga organizata CASA beson se ekzistojnë disa tregues që vlerësimi i përgjithshëm i popullsisë në komunat në veri, t’i afrohet numrit real të popullsisë së atjeshme.

    Sipas tij, ASK-ja mund t’i referohet numrit të nxënësve të saporegjistruar në shkolla në katër komunat e veriut, ndërsa në bazë të njësorëve që përllogaritin shpenzimet e energjisë elektrike, t’i evidentojë edhe amvisëritë.

    Sidoqoftë, për të dhënat përfundimtare të regjistrimit të popullsisë në Kosovë, që u zhvillua nga 5 prilli deri më 24 maj, do të duhet të pritet deri në fund të vitit, sipas ASK-së.

    Përafërsisht në atë periudhë miratohet edhe buxheti për vitin pasues./REL

  • Pse shumica e njerëzve përdorin fjalë emocionale për të bindur të tjerët

    Pse shumica e njerëzve përdorin fjalë emocionale për të bindur të tjerët

    Një hulumtim i fundit ka treguar se njerëzit priren drejt gjërave që nuk janë thjesht më pozitive apo negative, por janë të mbushura me emocionalitet edhe kur ata përpiqen të ndikojnë një audiencë që nuk mund të jetë e pranueshme për një gjuhë të tillë.

    Për të nxitur një audiencë ose për të sjellë kolegë në pikëpamjet e tyre në takimet e zyrave, shumica e njerëzve përdorin gjuhën emocionale për të rritur kompetencat e tyre bindëse.

    “Përtej thjesht duke u bërë më pozitive ose negative, njerëzit ndryshojnë spontanisht drejt përdorimit të gjuhës më emocionale kur përpiqen të bindin”, tha studiuesi Matthew D. Rocklage i Shkollës së Menaxhmentit të Kellogg-ut në Universitetin Veriperëndimor.

    Sipas studimit që u botua në Shkencën Psikologjike, një revistë e Shoqatës për Shkencën Psikologjike, mund të imagjinojmë se njerëzit do të përdorin fjalë shumë pozitive, të tilla si “të shkëlqyera” ose “të pazgjidhura” për t’i sjellë të tjerët në këndvështrimin e tyre.

  • Cilat janë ndryshimet në projektligjin për misionet e FSK-së jashtë vendit

    Cilat janë ndryshimet në projektligjin për misionet e FSK-së jashtë vendit

    Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit. I pari i ekzekutivit, Albin Kurti, tha se ky projektligj rregullon dërgimin e FSK-së në operacione ndërkombëtare, ndërsa u mirëprit nga ministri i mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

    Tri vjet me parë, iu dha leja për misione jashtë vendit.

    Në këtë formë, Forca e Sigurisë së Kosovës, me 92 vota, mori dritën e gjelbër nga legjislativi, për dërgimin e kontingjentit jashtë Kosovë.

    E tri vjet pas, Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për dërgimin e FSK-së, jashtë vendit.

    “Ky projektligj bënë rregullimin e proceduat e dërgimit të FSK-së jashtë vendit si dhe marrjen pjesë në operacionet e paqes dhe operacioneve ndërkombëtare dhe aktivitete tjera”, tha Kurti
    E këto ndryshime po i mirëpret ministri i mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

    “Procesi i zhvillimit te FSK-së që është e gatshëm që të marrin pjesë në operacionet e ndërkombëtare dhe rritjen e interesimit është e nevojshme që të bëhet ndryshimi sipas ligjit të mbrojtjes.
    Plotësim ndryshimi që është bërë në këtë ligj ka të bëjë në disa ndryshim që kanë të bëjnë me nenin 10 të këtij projektligji”, u shpreh Maqedonci.

    Por, cilat janë ndryshimet që u bënë në projektligjin për FSK-në?

    “FSK ligjërisht nuk ka pas të drejtë të shkojë jashtë vendit, përveç në partneritet me ndonjë prej ushtrive mike dhe në këtë formë ka shkuar sipas mandatit që e ka pasur deri më tani, mirëpo me këtë ndryshim të ligjit, mundësit shtohen e rritën. Krijon një mundësi të mirë për FSK-në që të tregohet e besueshme dhe të fitojë përvoja të reja”, ka thënë ish-ushtarku Hysen Gecaj.

    Gecaj thotë se më këto ndryshime, duhet të parashihen edhe mbështetja financiare për ushtarët e FSK-së që marrin pjesë në misionet jashtë vendit, si dhe sigurimet shëndetësore.

  • Kuvendi sot hapë dyert për bashkatdhetarët

    Kuvendi sot hapë dyert për bashkatdhetarët

    Kuvendi i Kosovës sot e nesër organizon aktivitetin tradicional “Bashkatdhetarët në Kuvend”.

    Siç është bërë e ditur për shkak të punimeve në sallën plenare, pritja dhe bashkëbisedimi me bashkatdhetarët do të bëhen në ambiente të tjera të Kuvendit.

    Dyert e Kuvendit do të jenë të hapura nga ora 08:00-16:00.

    “Të enjten dhe të premten, Kuvendi i Republikës së Kosovës organizon aktivitetin tradicional “Bashkatdhetarët në Kuvend. Për shkak të punimeve në sallën plenare, pritja dhe bashkëbisedimi me bashkatdhetarët do të bëhen në ambiente të tjera të Kuvendit”, thuhet në njoftim.

    Me këtë rast, shumë bashkatdhetarë nga vende të ndryshme të botës, kanë mundësin për t’u njohur nga afër me ambientet e brendshme të këtij institucioni dhe për t’u takuar me deputetë, të cilët i njoftojnë nga afër ata për punën, të arriturat dhe sfidat e vendit tonë.

  • Sejdiu: Sivjet 61 mjekë e lanë punën në Kosovë

    Sejdiu: Sivjet 61 mjekë e lanë punën në Kosovë

    Nga janari i këtij viti e deri më tash 61 mjekë kosovar kanë kërkuar vërtetime për largim e punësim jashtë Kosovës.

    Pagat e ulëta, kushtet e punës e mungesa e specializimeve, thuhet se janë faktorët kryesorë të ikjes së punëtorëve shëndetësorë nga vendi.

    Kështu po thotë kreu i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu.

    Sejdiu potencoi se njëra ndër arsyet kryesore për largimin e mjekëve është çështja e pagës.

    “Janë 61 mjekë që kanë tërhequr vërtetimet me qëllim largimi dhe punësimi jashtë Kosovës. Arsyet janë të shumta, por kryesorja ajo e pagave dhe kushtet e punës”, njoftoi Sejdiu për Front Online.

    Në Kosovë, paga e një mjeku specialist sipas Ligjit për Paga arrin në 1260 euro bruto, përderisa në Gjermani të njëjtëve po u ofrohen paga mbi 5000 euro dhe kushte shumë më të favorshme në punë.

  • Mot me diell dhe vranësira të enjten në Kosovë

    Mot me diell dhe vranësira të enjten në Kosovë

    Mot me diell dhe vranësira të shpërndara, parashihet të mbajë të enjten në vend.

    Vranësirat vende-vende parashihen të sjellin riga shiu dhe shkarkime rrufesh, ka njoftuar Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.

    Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 14-17 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 24-27gradë Celsius.

  • Arrestohet Ujkan Metaj, u arratis nga Burgu i Dubravës

    Arrestohet Ujkan Metaj, u arratis nga Burgu i Dubravës

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar Ujkan Metaj i cili ishte në kërkim pasi u arratis 12 ditë më parë nga burgu i Dubravës.

    Sipas Policisë, identifikimit dhe lokalizimit të tij i ka paraprirë ndërmarrja e masave aktive hetimore dhe operative, të cilat kanë rezultuar edhe me arrestimin e personit të dyshuar.

    “Si rezultat i angazhimeve të pandërprera të Policisë së Kosovës, konkretisht të Drejtorisë Rajonale në Pejë, në kërkim të personit të dyshuar U.M, viti i lindjes1988 nё Istog, i cili ishte i kërkuar për veprën penale “Arratisja e personit tё privuar nga liria”, i njëjti është arrestuar sot në orët e pasdites”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Sipas Policisë, të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.

    Ndryshe, Ujkan Metaj ishte shpallur sot në kërkim nga ana e policisë.

  • Clinton: Harris mund ta mposhtë Trumpin pavarësisht seksizmit dhe standardeve të dyfishta

    Clinton: Harris mund ta mposhtë Trumpin pavarësisht seksizmit dhe standardeve të dyfishta

    Hillary Clinton, ish-kandidatja presidenciale e demokratëve dhe kandidatja e parë grua e vendit nga një parti e madhe, ka thënë se beson se Kamala Harris mund ta mposhtë Donald Trumpin pavarësisht “seksizmit dhe standardeve të dyfishta të politikës amerikane”.

    Clinton, në një shkrim për New York Times, tha: “Unë di një ose dy gjëra rreth asaj se sa e vështirë mund të jetë për kandidatet e forta gra të luftojnë kundër seksizmit dhe standardeve të dyfishta të politikës amerikane. Më kanë quajtur shtrigë, “grua e keqe” dhe shumë më keq. Si kandidate, ndonjëherë i shmangesha të flisja për të bërë histori. Nuk isha e sigurt se votuesit ishin gati për këtë”.

    Ish-sekretarja amerikane e Shtetit tha se është “e emocionuar” për Harris, për të cilën ajo tha se përfaqëson “një fillim të ri” për politikën amerikane dhe që ofron një “vizion shpresëdhënës, unifikues”.
    “Ajo është e talentuar, me përvojë dhe e gatshme të jetë presidente”, shkroi Clinton.

    “Harris do të përballet me sfida unike shtesë si gruaja e parë me ngjyrë dhe aziatike e Jugut që do të jetë në krye të një partie të madhe. Kjo është e vërtetë, por ne nuk duhet të kemi frikë. Është kurth të besosh se përparimi është i pamundur”.