ATV

Category: Lajme

  • Szunyog: Serbia e Kosova në BE vetëm me normalizim të marrëdhënieve, t’i zbatojnë marrëveshjet sa më shpejt

    Szunyog: Serbia e Kosova në BE vetëm me normalizim të marrëdhënieve, t’i zbatojnë marrëveshjet sa më shpejt

    Në detyrën e tij në Prishtinë, shefi i zyrës së Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog për katër vite u angazhua që Kosova dhe Serbia të arrijnë hapa drejt normalizimit.

    Mirëpo, dialogu që ndërmjetësohet nga blloku evropian nuk i ka arritur pritshmëritë.

    Takimi i fundit në Bruksel mes Kurtit dhe Vuçiqit nuk solli asnjë rezultat, kështu që palët vazhdojnë të kenë qëndrime diametralisht të kundërta.

    Pavarësisht se dialogu ka ngecur, ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, edhe në ditët e fundit e tij në këtë pozitë, shprehet optimist për të ardhmen e këtij procesi.

    “Po jam optimist për të ardhmen e procesit të dialogut, jam i bindur se nëse ka angazhim mund të shkojmë në rrugën e duhur drejt pajtimit. Siç e keni parë gjatë mandatit tim jam angazhuar maksimalisht për këtë çështje sepse është shumë e rëndësishme që Kosova dhe Serbia t’i normalizojnë raportet”, tha Szunyog për Tëvë1.

    Diplomati evropian e ka bërë të qartë se pa normalizim të raporteve as Kosova e as Serbia nuk mund të bëhen pjesë e unionit evropian.

    Në të njëjtën kohë ai po kërkon që palët të fillojnë me zbatimin e marrëveshjeve.

    “Po e bëj edhe njëherë të qartë se vetëm përmes normalizimit të plotë të marrëdhënieve Kosova dhe Serbia mund t’i bashkohen familjes së madhe evropiane. Pra nëse ju jeni të përkushtuar seriozisht për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian duhet të angazhoheni më shumë në dialog dhe duhet t’i zbatoni të gjitha marrëveshjet. Por duhet thënë se deri më tani palët akoma nuk kanë bërë progres të mjaftueshëm në zbatimin e marrëveshjeve”, tha ai.

    Brukseli e konsideron si një arritje të madhe marrëveshjen e Ohrit që palët e arritën në vitin 2023.

    Szunyogun do ta pasojë, diplomati estonez, Aivo Orav, në postin e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së në Kosovë.

    Sipas BE-së, ai do të marrë detyrën më 1 shtator 2024 dhe do të ketë një mandat fillestar prej dy vjetësh, duke pasuar Tomas Szunyog, që ka qenë në këtë post që nga viti 2020.

  • Moti sot në Kosovë

    Moti sot në Kosovë

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se të martën do të mbajë mot kryesisht me diell dhe me vranësira të pakta.

    Temperaturat minimale pritet të sillen mes 10-13 gradë celsius, e ato maksimalet ndërmjet 27-30 gradë.

    IHMK-ja ka bërë me dije se do të fryjë erë në drejtime të ndryshme.

    Mot i ngjashëm pritet të jetë edhe në ditët e tjera, veçse pritet të ketë ngritje të temperaturave maksimale.

  • Maqedonci: 104 kadetë janë duke studiuar në akademitë më të njohura ushtarake në ShBA, Gjermani e Britani

    Maqedonci: 104 kadetë janë duke studiuar në akademitë më të njohura ushtarake në ShBA, Gjermani e Britani

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se edukimi i ushtarakëve vazhdon të jetë prioritet i dikasterit që e drejto.

    Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai ka thënë se 104 kadetë të FSK-së aktualisht janë duke studiuar në akademitë më të njohura ushtarake brenda dhe jashtë vendit, si në ShBA, Turqi, Gjermani, Mbretëri të Bashkuar, Kroaci dhe Shqipëri.

    “Krahas shkollimit akademik, Ministria e Mbrojtjes është duke investuar në ngritjen profesionale të ushtarakëve të FSK-së përmes financimit të shkollimit dhe trajnimeve. 66 ushtarakë janë duke ndjekur edukim profesional ushtarak dhe trajnime specialistike në programe të rëndësishme në akademi, shkolla dhe qendra trajnuese për ndërtimin e lidershipit ushtarak”.

    “Një pjesëtar është duke studiuar në Kolegjin e Luftës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (US Army War College), ndërsa gjashtëdhjetë e pesë të tjerë po ndjekin kurse bazike dhe të avancuara të zhvillimit të aftësive dhe kapaciteteve operacionale specialistike të mbështetjes luftarake të FSK-së”, ka shkruar Maqedonci.

    Maqedonci ka pohuar se FSK-ja po ndërtohet, zhvillohet e avancohet në vazhdimësi në forcë me standarde të NATO-s, makimalisht të ndërveprueshme për operacione të përbashkëta me forcat e vendeve partnere dhe aleate të NATO-s.

    “Vazhdojmë me vendosmëri të plotë, angazhim vetëmohues dhe përkushtim maksimal drejt përmbushjes së objektivit tonë”, ka theksuar ai.

  • Përfundon programi për rehabilitimin e kryerësve të dhunës

    Përfundon programi për rehabilitimin e kryerësve të dhunës

    Sot ka përfunduar pilotimi i programit të parë kombëtar për trajtimin e kryerësve të dhunës në familje në një ceremoni në Qendrën Korrektuese në Dubravë.

    Të pranishëm kanë qenë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, zëvendës shefi i Këshillit të Evropës, Tankut Soykan dhe personalitete të tjera.

    Sipas Haxhiut, nëpërmjet 24 sesioneve gjatë 6 muajve është sfiduar mendësia dhe sjelljet abuzive të kryerësve të dhunës. Qëllimi i programit, sipas saj, është ballafaqimi me pasojat e veprimeve.

    “Programi Kombëtar mbulon të gjitha format e dhunës ndaj grave, fizike, psikologjike, seksuale, ekonomike dhe dhunën në dimenzionin digjital. Pilotimi i programit u shoqërua me monitorim dhe vlerësim, për të matur efektivitetin në ndryshimin e qëndrimeve dhe sjelljeve të kryerësve të dhunës”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

  • Gjykata Speciale në pushim veror, seancat ndaj ish-krerëve të UÇK-së nuk mbahen

    Gjykata Speciale në pushim veror, seancat ndaj ish-krerëve të UÇK-së nuk mbahen

    Dhomat e Specializuara kanë njoftuar se procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, do të pauzojë për kohën e datave të përmendura për pushim veror.

    Sipas DHSK-së, pushimi veror fillon nga sot 29 korrik dhe përfundon më 16 gusht, ndaj gjatë kësaj periudhe nuk do të mbahen seanca dhe disa nga shërbimet jothelbësore do jenë të minimizuara.

    ”Siç është njoftuar në kalendarin tonë, pushimi veror në DHSK fillon të hënën, më 29 korrik, dhe përfundon më 16 gusht 2024. Gjatë kësaj periudhe nuk mbahen seanca dhe disa nga shërbimet jothelbësore do të jenë në minimum. Megjithatë, gjykata mbetet plotësisht funksionale dhe puna vazhdon në të gjitha seksionet e DHSK-së. Gjatë pushimit mund të paraqiten parashtrime dhe përveç nëse gjykatësit kanë urdhëruar ndryshe, afatet gjyqësore vazhdojnë të jenë në fuqi”, thuhet në njoftim.

  • Hovenier e prezanton Zëvendësshefen e re të Misionit në Ambasadë, përmend avancimin e marrëdhënieve me Kosovën

    Hovenier e prezanton Zëvendësshefen e re të Misionit në Ambasadë, përmend avancimin e marrëdhënieve me Kosovën

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier e ka prezantuar Anu Prattipatin, duke publikuar një fotografi me të.

    Hovenier shkroi se ajo do të jetë Zëvendës Shefe e Misionit në Ambasadën Amerikane.

    “Kënaqësi ta mirëpres Anu Prattipatin në Kosovë si Zëvendës Shefe e re e Misionit në Ambasadën e SHBA-së. Mezi pres të punojmë së bashku për t’i avancuar marrëdhëniet e Kosovës dhe SHBA-së”, shkroi ambasadori amerikan në X.

  • Pas Muratit, edhe ministrja Haxhiu ankohet ndaj Gjykatës Kushtetuese

    Pas Muratit, edhe ministrja Haxhiu ankohet ndaj Gjykatës Kushtetuese

    Pas ministrit Murati, edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu është ankuar që Gjykata Kushtetuese nuk e ka publikuar ende aktgjykimin e plotë për Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

    Ajo ka pyetur se “edhe sa ditë të tjera i duhen Gjykatës Kushtetuese?”.

    “Kanë kaluar më shumë se një muaj nga njoftimi i Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme por ende nuk është publikuar Aktgjykimi i plotë. Rrjedhimisht, po bëhen 518 ditë prej kur Gjykata e ka në trajtim këtë reformë të rëndësishme.”

    Haxhiu ka thënë se “vonesat e tilla vazhdojnë të jenë goditja e radhës ndaj reformës dhe qytetarëve”.

    Ndërkaq ministri i Financave, Hekuran Murati, pak më parë ka thënë se aktgjykimi i plotë për Ligjin për Pagën Minimale ende nuk është publikuar.

    “Aktgjykimi i plotë për Ligjin për Pagën Minimale ende nuk është publikuar, megjithëse ka kaluar më shumë se një muaj që nga publikimi i njoftimit nga Gjykata Kushtetuese që konstaton se Ligji për Pagën Minimale nuk bie ndesh me Kushtetutën.”

    Murati ka thënë se “janë me dhjetëra mijëra të punësuar që po e presin tash e një vit hyrjen në fuqi të këtij ligji, e me të edhe rritjen e pagës së tyre”.

    “Sikur të mos mjaftonte vonesa prej 11 muajsh përgjatë shqyrtimit, ligji ende nuk është në fuqi për shkak të mos-publikimit të aktgjykimit të plotë”, ka shkruar ai.

  • Vazhdon rigjykimi për rastin 18-vjeçarit nga Podujeva, Gashi: Motra dhe vëllai i tij janë në gjendje të rëndë

    Vazhdon rigjykimi për rastin 18-vjeçarit nga Podujeva, Gashi: Motra dhe vëllai i tij janë në gjendje të rëndë

    Avokati Tomë Gashi ka bërë të ditur se sot nga ora 13:00 do të vazhdojë seanca ndaj dy të miturve për vrasjen e 18-vjeçarit nga Podujeva, Lulzim Fejzullahu.

    Në një postim në Facebook, Gashi ka bërë të ditur se familja e tij janë në gjendje të rëndë emocionale.

    “Tani pa Lulin gjendja e vëllait dhe motrës së tij është shumë e rënduar emocionalisht – shpirtnisht e që të jetë keq edhe ekonomikisht. Vëlla e motër ma nuk e kanë Lulin që me punë fizike i mbante gjallë”, ka shkruar Gashi.

    Më tej, ai ka shtuar se është hapur një fond për t’i dalë në ndihmë familjes së Lulzimit, ndihma këto, sipas tij, i dedikohen vetëm motrës dhe vëllait të tij.

    Në korrik të këtij viti, Gjykata e Apelit e ka kthyer për rigjykim çështjen e vrasjes së 18-vjeçarit. Ky vendim anulon aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin i mituri i parë ishte dënuar me 10 vjet burgim dhe i mituri i dytë me 9 vjet burgim.

    Aktgjykimi i Apelit është marrë më 17 korrik 2024, me të cilin ka aprovuar si të bazuara ankesën e mbrojtësit të të miturit të parë, avokatit Skender Musa dhe mbrojtësit të të miturit të dytë, avokatit Florent Latifaj.

    Sipas vlerësimit të kolegjit të gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit, qëndron pretendimi i avokatit Musa se kryetarja e trupit gjykues, Lumnije Krasniqi ka qenë gjyqtare e procedurës paraprake në të njëjtin rast penal. Apeli vlerëson se gjyqtarja Krasniqi është dashur të përjashtohet nga gjykimi i kësaj çështjeje penale.

    Në vendimin e Apelit theksohet se gjykatësja për të mitur në fazat paraprake ka marrë pjesë në këtë cështje penale në procedurën përgatitore, duke ua caktuar dhe vazhduar masën e paraburgimit dy të miturve. Aty thuhet se e njëjta me rastin e vendosjes në këtë cështje penale ka marrë pjesë dhe ka vendosur në cilësinë e kryetares së trupit gjykues.

  • Hasani i kërkon ministrit boshnjak rivlerësim të qëndrimit ndaj Kosovës për anëtarësim në nismat rajonale

    Hasani i kërkon ministrit boshnjak rivlerësim të qëndrimit ndaj Kosovës për anëtarësim në nismat rajonale

    Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani, e ka pritur të hënën homologun e Bosnje-Hercegovinës, Elmedin Konakoviq.

    Në një konferencë për media që ata kanë mbajtur sot Hasani ka bërë të ditur se kanë diskutuar për Kosovën, sigurinë rajonale dhe Bashkimin Evropian.

    Ai ka thënë se ka kërkuar një rivlerësim të qëndrimit lidhur me anëtarësimin e Kosovës në nismat rajonale apo edhe nismat që kanë të bëjnë me shkëmbimet ndërnjerëzore mes Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës.

    “Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina ndajnë një qasje të njëjtë në drejtim të forcimit të bashkëpunimit rajonal dhe në këtë kuadër i shpreha mikut tonë boshnjak kërkesën për një rivlerësim të qëndrimit lidhur me anëtarësimin e Kosovës në nismat rajonale apo edhe nismat që kanë të bëjnë me shkëmbimet ndërnjerëzore mes Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës, si dy vende fqinje, por edhe si realitete gjeopolitike të shekullit të ri në funksion të paqes dhe stabilitetit në hapësirën tonë të përbashkët”, ka thënë Hasani.

    “Kosova lypset të këqyret nga një pikë bashkëkohore, realiste dhe pragmatike. Prekëm edhe çështjet e sigurisë në rajon e më gjerë. Pata rastin t’i përsëris kolegut dhe mikut tim boshnjak mbështetjen e plotë për tërësinë territoriale dhe sovranitetin e Bosnjë-Hercegovinës,” u shpreh ministri Hasani në konferencën e përbashkët për shtyp”.

  • Murati akuzon Kushtetuesen për vonesë në publikimin e aktgjykimit të plotë për Ligjin për pagën minimale

    Murati akuzon Kushtetuesen për vonesë në publikimin e aktgjykimit të plotë për Ligjin për pagën minimale

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se edhe pas më shumë se një muaji që nga njoftimi i Gjykatës Kushtetuese ku konstatohet se Ligji për Pagën Minimale nuk bie ndesh me Kushtetutën, aktgjykimi i plotë ende nuk është publikuar.

    Murati ka thënë se janë dhjetëra-mijëra punëtorë që po e presin hyrjen në fuqi të këtij ligji.

    “Aktgjykimi i plotë për Ligjin për Pagën Minimale ende nuk është publikuar, megjithëse ka kaluar më shumë se një muaj që nga publikimi i njoftimit nga Gjykata Kushtetuese që konstaton se Ligji për Pagën Minimale nuk bie ndesh me Kushtetutën. Janë me dhjetëra mijëra të punësuar që po e presin tash e një vit hyrjen në fuqi të këtij ligji, e me të edhe rritjen e pagës së tyre”, ka shkruar Murati në Facebook.

    Sipas Muratit, ky ligj nuk mund të hyjë në fuqi për shkak të mospublikimit të aktgjykimit të plotë.