ATV

Category: Lajme

  • Erdogani thotë se Turqia mund të hyjë në Izrael për t’i ndihmuar palestinezët

    Erdogani thotë se Turqia mund të hyjë në Izrael për t’i ndihmuar palestinezët

    Presidenti turk, Rexhep Taip Ergodan, ka thënë të dielën që Turqia mund të futet në Izrael siç ka bërë më parë në Libi dhe Nagorno-Karabakh.

    Sidoqoftë, ai nuk e ka qartësuar se për çfarë lloji të intervenimit po sugjeronte, shkruan Reutersi.

    Kritiku i madh i ofensivës izraelite në Gaza e diskutoi këtë gjatë një fjalimi ku po e lavdëronte industrinë turke të mbrojtjes.

    “Ne duhet të jemi të fuqishëm asisoj që Izraeli të mund të mos i bëjë këto gjëra absurde ndaj Palestinës”, ka thënë Erdogani.

    “Ashtu sikur qemë futur në Karabakh, ashtu si qemë futur në Libi, mund t’ua bëjmë edhe atyre ngjashëm”.

  • Investimet e BE-së në arsim, mundësi për të rinjtë kosovarë që të hyjnë në ambientet që janë me standarde evropiane

    Investimet e BE-së në arsim, mundësi për të rinjtë kosovarë që të hyjnë në ambientet që janë me standarde evropiane

    Shef i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka vizituar të hënë kantierin e objekteve të reja për Fakultetin e Matematikës dhe Shkencave Natyrore të Universitetit të Prishtinës, në të cilën ka parë nga afër punimet që po bëhen në këtë objekt.

    Ambasadori Szunyog derisa është shprehur i lumtur me ndërtimin e këtij objekti, shpreson se studentët e rinj të mund të vijnë në ndërtesë për të studiuar tashmë në vitin akademik duke filluar nga tetori i 2025-ës. Në këtë drejtim, ai nënvizoi se në një mënyrë përmes këtyre nismave po ndihmohen të rinjtë kosovarë që të hyjnë në ambientet që janë me standardet evropiane.

    Pas vizitës me rektorin aktual të UP-së, Qerim Qerimi, Szunyog shton se BE mbetet donatori më i madh për Kosovën, dhe ka theksuar se ky është rezultat i prekshëm, jo vetëm për këtë punë ndërtimore, por edhe për të ardhmen e Kosovës, në këtë rast studentët.

    “Mbaj mend, mendoj se ishte më pak se dy vjet më parë në kohën e dimrit, kur ne në fakt hodhëm hapat e parë këtu dhe nuk kishte asgjë, kështu që pas 18 muajsh tashmë mund të shihen ndërtesat e përfunduara. Çfarë kam kuptuar unë duke folur me kolegët tanë është se ndërtesa do të përfundonte brenda një viti dhe shpresojmë që studentët e rinj të mund të vijnë në ndërtesë për të studiuar tashmë në vitin akademik duke filluar nga tetori 2025. Pra, është me të vërtetë një kënaqësi të shoh diçka që është bërë së bashku nga BE-ja dhe gjithashtu Universiteti i Prishtinës dhe Ministria e Arsimit, dhe sigurisht, do të vlerësoja gjithashtu punën e mirë të partnerit tonë zbatues UNOPS”, tha Szunyog.

    Ambasadori Szunyog tha se kjo nismë është veçanërisht interesante për ata që duan të punojnë në fushën e IT-së ose TIK-ut.

    “Është një shembull i ndihmës së BE-së për Kosovën, BE-ja është donatori më i madh për Kosovën. Ky është një rezultat i prekshëm, jo vetëm për këtë punë ndërtimore, por edhe për të ardhmen e Kosovës për studentët. Pra, kuptoni se kjo është veçanërisht interesante për ata që duan të punojnë në fushën e IT ose TIK. Mendoj se në njëfarë mënyrë po i ndihmojmë të rinjtë kosovarë që të hyjnë në ambientet që janë me standardet evropiane dhe mund t’u mundësojmë të studiojnë më mirë”, ka shtuar Szunyog.

    Ndërsa, falënderues ndaj ndihmës së BE-së janë shprehur edhe rektori, Qerim Qerimi bashkë me punëtorët që po kryenin punën në këtë objekt.

  • Avokati i familjes Osmani: E çuditshme se si nuk u cituan provat kryesore, videot flasin për vdekje të ngadalshme dhe mizore

    Avokati i familjes Osmani: E çuditshme se si nuk u cituan provat kryesore, videot flasin për vdekje të ngadalshme dhe mizore

    Sot në Gjykatën Themelore në Ferizaj është mbajtur rigjykimi në rastin e të akuzuarve Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu.

    Krivaqa është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e 18 vjeçares e Marigona Osmani si dhe maltretimin e saj.

    Kurse Arbër Sejdiu është dënuar me 15 vite burgim. Dyshes u llogariten edhe ditët e kaluara në burg.

    Pas përfundimit të seancës, para mediave është deklaruar edhe avokati i familjes së Marigona Osmanit, Gazmed Rexhepi.

    Ai tha se vendimi është pjesërisht i kënaqshëm dhe se fajtori i dytë në këtë rast do të duhej të merrte po ashtu burgim të përjetshëm.

    “Vendimi pjesërisht i kënaqshëm. Do të isha i kënaqur nëse edhe fajtori i dytë do të merrte burgim të përjetshëm. Janë provat ato që e vërtetojnë me burgim të përjetshëm. Atë mizorin që e sqaroj trupi gjykues është bazu në xhirime.Është kokë e këmbë i kyçur në vrasje, në bashkëkryerje sepse këtë na vërtetojnë edhe provat edhe video-incizimet.”, tha avokati, transmeton lajmi.net.

    Ai gjithashtu tha se Gjykata e Apelit ka rekomanduar për plotësim të disa provave.

    “Është paksa e çuditshme hera e parë që është kthy në rigjykim. Dhe nuk janë cituar provat kryesore. Video xhirimet tregojnë se ka pas një vdekje të ngadalshme dhe mizore”, shtoi ai.

  • Rrjeti hekurudhor francez është restauruar pasi sabotimi ndërpreu udhëtimin olimpik

    Rrjeti hekurudhor francez është restauruar pasi sabotimi ndërpreu udhëtimin olimpik

    Rrjeti i trenave të shpejtësisë së lartë të Francës rifilloi funksionimin normal të hënën, tre ditë pasi aktet e sabotimit ndërprenë ndjeshëm udhëtimin përpara ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike, sipas ministrit të transportit, thuhet në raportet e shtypit të hënën.

    Patrice Vergriete konfirmoi se sulmet e koordinuara me zjarrvënie të premten në mëngjes kishin në shënjestër pikat kyçe të infrastrukturës hekurudhore, sipas mediave lokale.

    Incidentet ngritën shqetësime pasi ndodhën pak para hapjes madhështore.

    Megjithatë, autoritetet ende nuk kanë përcaktuar autorët kishin për qëllim të pengonin ngjarjen.

    Në Paris, ku numri i turistëve pritet të shkojë në 16 milionë gjatë Lojërave Olimpike, ka pasur edhe ndërprerje në shërbimet e metrosë.

    Sipas një njoftimi në X nga linja 8 e metrosë së Parisit, shërbimet u ndërprenë në stacionin e Operas për shkak të ndërhyrjes së policisë. Arsyeja e ndërhyrjes nuk është bërë e ditur.

    Linja përdoret nga vizitorët dhe turistët që duan të marrin pjesë në ngjarjet olimpike.

    Sipas France Bleu, një rrjet radiostacionesh lokale dhe rajonale në Francë, shërbimet në linjën 13 të metrosë së Parisit, që lidh Parisin me periferinë e Saint-Denis, u pezulluan midis orës 12:52 dhe ora 14:30 me kohë lokale (1052-1230 GMT) për shkak të një aksidenti të rëndë pasagjerësh.

    Gjashtë makina të metrosë u bllokuan në tunele dhe pasagjerët në tre nga makinat u zbarkuan, duke ecur përgjatë shinave të metrosë deri në stacionin më të afërt./AA

  • Serbia dhe Rusia bashkërisht festojnë 80 vjetorin e çlirimit të Beogradit

    Serbia dhe Rusia bashkërisht festojnë 80 vjetorin e çlirimit të Beogradit

    Presidenti serb Aleksandar Vuçiq është takuar ambasadorin rus Alexandar Botsan-Kharchenko, me të cilin u morën vesh që bashkërisht të shënojnë 80 vjetorin e fitores mbi fashizmin dhe çlirimin e Beogradit.

    “Një takim shumë i mirë me ambasadorin e Federatës Ruse Alexander Botsan-Kharchenko. Ne u morëm vesh që bashkërisht të festojmë 80-vjetorin e fitores mbi fashizmin dhe çlirimin e Beogradit. Diskutuam tema me interes të përbashkët, veçanërisht në fusha të tilla si tregtia, kultura dhe siguria rajonale”, ka shkruar Vuçiqi në Instagram, transmeton Paparaci.

    Ai ka shtuar se ka ritheksuar mirënjohjen e tij ndaj Federatës Ruse për mbështetjen e saj diplomatike ndaj Serbisë në arenën ndërkombëtare në çështjet me rëndësi thelbësore për vendin tonë.

    “Kemi shkëmbyer mendime për situatën aktuale në vend dhe rajon dhe kam ripërsëritur qëndrimin konsistent të Serbisë se mbron dialogun dhe mjetet diplomatike në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në marrëdhëniet ndërkombëtare, si dhe se Serbia është e gatshme të marrë pjesë në të gjitha iniciativat që kanë për qëllim paqen dhe stabilitetin”, ka pretenduar Vuçiq.

  • Obiliq, arrestohet pasi kanosi policët

    Obiliq, arrestohet pasi kanosi policët

    Të dielën në Obiliq është arrestuar një person pasi i ka kanosur tre policë.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti i kishte kanosur tre viktimat meshkuj kosovar, zyrtarë policorë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

    “Gjatë kontrollit te i njëjti është gjetur dhe sekuestruar një armë e ftohtë (thikë)”.

    “I dyshuari ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”.

  • Dardan Krivaqa dënohet me burgim të përjetshëm edhe në rigjykim

    Dardan Krivaqa dënohet me burgim të përjetshëm edhe në rigjykim

    Gjykata Themelore e Ferizajt ka shpallur aktgjykim dënues edhe në rigjykim ndaj Dardan Krivaqës, duke e dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Marigona Osmanit, ndërsa është liruar nga akuza për dhunim. Kurse, i akuzuari Arbër Sejdiu është dënuar me 15 vite burgim për ndihmë në vrasjen e rëndë në bashkëkryerje, kurse është liruar nga vepra penale e ndihmës në dhunim.

    Aktgjykimi ndaj tyre u shpall të hënën nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Sahit Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Në dënimin me burgim, të njëjtëve do t’u llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

    Po ashtu, sipas aktgjykimit të akuzuarit obligohen t’i paguajnë edhe shpenzimet e procedurës, në emër të paushallit gjyqësor në shumë prej 400 euro dhe për fondin e kompensimit të viktimave të krimit shumën prej 50 euro.

    Ndryshe, Gjykata Themelore e Ferizajt më 4 gusht 2023 e ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën për vrasje e Marigona Osmanit. Ndërsa ishte liruar nga akuza për dhunim. Arbër Sejdiu ishte dënuar me 15 vite burgim për ndihmë në vrasjen e rëndë në bashkëkryerje. Sejdiu ishte liruar nga vepra penale e ndihmës në dhunim.

    Por, Gjykata e Apelit me aprovimin e ankesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe mbrojtjes së dy të akuzuarve, e ka kthyer çështjen në rigjykim.

    18 vjeçarja Marigona Osmani u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt.

    Sipas aktakuzës, Dardan Krivaqa thuhet se më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale dhe e kishte abuzuar e maltretuar në forma të ndryshme.

    Një ditë më pas, më 22 gusht 2021, Krivaqa dhe Sejdiu akuzohen se kanë privuar nga jeta Marigona Osmanin, në përpjekje për të fshehur veprën penale të dhunimit.

    Më 14 korrik 2022, ishte mbajtur seanca fillestare ku Dardan Krivaqa ka shfrytëzuar të drejtën të mbrohet në heshtje, kurse Arbër Sejdiu, është deklaruar i pafajshëm.

    Krivaqën, Prokuroria e ngarkon me veprën penale vrasje e rëndë dhe dhunim, kurse Sejdiu po akuzohet për veprën penale vrasje e rëndë dhe ndihmë në kryerjen e dhunimit.

    Sipas aktakuzës, i pandehuri Dardan Krivaqa më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij në rrugën “Ramadan Rexhepi”, në Ferizaj, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar të njëjtën për të kryer marrëdhënie seksuale, e cila siç thuhet në aktakuzë përcillet me tortura.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, aty thuhet se i pandehuri Krivaqa fillimisht pa dëshirën e tani të ndjerës ka kryer marrëdhënie seksuale në sallon, pas kryerjes së aktit seksual të njëjtën të zhveshur e kishte dërguar në banjo, nga aty me dhunë e kishte dërguar në dhomën e gjumit, mirëpo me kalimin e kohës për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore tani e ndjera Marigona Osmani si pasojë e dhunës së ushtruar kishte humbur aftësinë për të rezistuar, e ku në dy raste në mbrëmje kishin kryer marrëdhënie seksuale, pastaj i pandehuri Dardan të zhveshur e kishte dërguar në banjë, e ku i vërehen edhe lëndimet në trup.

    Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Dhunimi” nga neni 227, par. 4, nënpar 4.1, lidhur me par.1 të Kodit Penal.

    Sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, i pandehuri Arbër Sejdiu më 21 gusht 2021, në banesën e të pandehurit të parë në rrugën “Ramadan Rexhepi”, në Ferizaj, me dashje i kishte ndihmuar të pandehurit Dardan Krivaqa në kryerjen e veprës penale të dhunimit.

    Sipas aktit akuzues thuhet se fillimisht dy të pandehurit kishin kontaktuar përmes telefonit dhe ishin takuar në qytet, pastaj së bashku ishin kthyer në banesë, ku i pandehuri Arbër posa kishte arritur, duke qenë në dijeni se i pandehuri Dardan është duke e dhunuar tani të ndjerën Marigona Osmani, me dashje kishte marrë veprime me të cilat lehtësohet kryerja e dhunimit.

    Tutje thuhet se dy të pandehurit së bashku kishin hyrë në dhomën ku kryhet dhunimi, e ku e ndjera ishte e zhveshur, e të cilin veprim gjatë qëndrimit në banesë e merr disa herë, po ashtu dhe gjatë asaj kohe kishte përcjellë gjendjen nëse ndonjë nga banorët është duke lëvizur aty pari.

    Siç e përshkruan aktakuza, i pandehuri Arbër Sejdiu po ashtu edhe disa herë kishte dalë nga banesa për të blerë gjëra ushqimore, ndërsa gjatë gjithë kohës dy të pandehurit kishin biseduar mes vete, kështu tutje, të pandehurit Dardan Krivaqa i kishte dhënë telefonin për të thirrë kompaninë e cila menaxhon kamerën, që ishte e vendosur në korridorin e banesës me qëllim që të fshihen video-incizimet, gjegjësisht provat e veprës penale.

    Me këtë, Sejdiu akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndihmë në kryerjen e dhunimit” nga neni 227, par 4, nënpar. 4.1, lidhur me par. 1 dhe nenin 33 të Kodit Penal.

    Kjo aktakuzë në dispozitivin e III-të, dy të pandehurit Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu i ngarkon për veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje.

    Aty thuhet se më 22 gusht 2021, në banesën e të pandehurit Dardan Krivaqa, në rrugën “Ramadan “Rexhepi”, në Ferizaj, me dashje dhe në bashkëkryerje, me qëllim të fshehjes së veprës penale dhunimi e kanë privuar nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmani, me të cilën i pandehuri i parë ishte në bashkësi jashtëmartesore.

    Tutje, sipas aktakuzës, përshkruhet se në intervale kohore nga ora 10:56 deri në orën 14:43, i pandehuri i parë kishte marrë një shkop, e së bashku me të pandehurin e dytë kishin hyrë në dhomë dhe kishin filluar ta godasin tani të ndjerën në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast të njëjtës i kanë shkaktuar dhimbje të mëdha fizike dhe psiqike, ku nga goditjet e njëjta ka pësuar politrauma-lëndime të shumëfishta, ku vdekja shkaktohet drejtpërdrejt nga asfiksia mekanike, si dhe shoku hemorragjik dhe traumatik, të cilat janë pasojë e gjakderdhjes së jashtme dhe gjakderdhjes së brendshme, nga thyerja e ashtit të nofullës së poshtme, thyerja e brinjëve, klavikulës së majtë, unazave të qafës, gjakderdhjes epidurale dhe subdurale në pjesën e pasme të trurit të madh dhe në trurin e vogël, këputje parciale të palcës së kurrit në qafë, të njëjtën e dërgojnë në Spitalin e Përgjithshëm – Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe largohen nga aty.

    Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, par. 1, nënpar. 1.3, 1.4 dhe 1.7, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

    Ndryshe, dosja e plotë e Prokurorisë, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, tregon në detaje se si ka ndodhur i gjithë rasti.

    Kujtojmë se më 29 prill 2024, Gjykata Themelore në Ferizaj njoftoi se në një rast tjetër, Krivaqa u dënua me 4 vjet burgim për grabitje në një kazino. /BetimipërDrejtësi

  • Aksion kundër krimit të organizuar, arrestohen gjashtë persona në Prizren

    Aksion kundër krimit të organizuar, arrestohen gjashtë persona në Prizren

    Prokuroria Speciale Kosovës, pas një hetimi disa mujor, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka zhvilluar sot një aksion në kuadër të së cilit janë kontrolluar disa lokacione në rajonin e Prizrenit.

    Në njoftim thuhet se gjatë këtij aksioni janë arrestuar gjashtë persona mbi bazën e dyshimit se kanë kryer veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, nga neni 277 par. 1 të KPRK-së, lidhur me veprat penale “Blerja posedimi shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, nga neni 267 par. 2 lidhur me nenin 275 par. 1 nën par. 1.9 të KPRK-së.

    “Personat e arrestuar janë SH.K., A.K., G.H., N. J., K.M. dhe A. M. dhe për të njëjtit Prokuroria Speciale ka caktuar masën e ndalimit për 48 orë për të vazhduar me tutje me masat tjera procedurale”, thuhet në komunikatë.

  • Të shtënat me armë zjarri gjatë ahengjeve familjare, policia arreston 13 persona

    Të shtënat me armë zjarri gjatë ahengjeve familjare, policia arreston 13 persona

    Trembëdhjetë persona janë arrestuar në 24-orët e fundit në rajonin e Pejës, Gjakovës dhe Ferizajt, pasi të njëjtit dyshohet se kanë shtënë me armë zjarri në ahengje familjare.

    Të dyshuarit tashmë janë dërguar në mbajtje, ndërsa policia ka sekuestruar armë dhe municion në këto rajone.

    “Drejtoria Rajonale e Policisё nё Pejё, gjatё vikendit ka pranuar informacione se ka tё shtёna nё ahengje familjare nё Pejё dhe Klinё, nga njёsitet relevante janё gjetur dhe sekuestruar: Njё armё pistoletё Blow Tr 17 cal 9mm, njё armё pistoletё Blow Tr 17 cal 9mm, njё armё pistoletё TT, njё karikator tё sё njejtёs armё, njё armё pistoletё Zoraki cal 9mm, njё karikator tё sё njëjtёs armё dhe 59 gёzhoja”, thuhet në njoftim.

    Policia shton tutje se katёr nga pёrsonat e dyshuar pas intervistimit mё vendim tё prokurorit dёrgohen nё mbajtje pёr 48- orё, ndёrsa njёri nga tё dyshuarit lirohet nё procedurё te rregullt.

    Ndërsa, policia në Gjakovë njofton se në dy ahengje familjare ka pasur të shtëna me armë zjarri.

    “Patrulla policore e Stacionit Policor në Gjakovë rreth orës 23:00 pasi ishte njoftuar për të shtëna me armë zjarri në një aheng familjar në rrugën “Ardhmëria” fshati Madanaj-Gjakovë, ka
    arritur të identifikon dhe arreston një të dyshuar (R. K., i lindur në vitin 1983 mashkull kosovar) mbi dyshimin se i njëjti kishte shtënë me armë zjarri. Në cilësinë e provave materiale është
    sekuestruar një pistoletë dhe katër gëzhoja”, bëhet e ditur nga policia.

    Policia shton tutje se në rastin e dytë në fshatin Skivjan në Gjakovë është arrestuar i dyshuari K.B., mashkull kosovar i lindur në vitit 1985 pasi që në një aheng tjetër familjar kishte shtënë me armë zjarri.

    “Në posedim të të dyshuarit është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë (e cilat dyshohet të jetë përdorur në rast) si dhe janë gjetur gjashtë gëzhoja”.

    Kurse në Ferizaj, policia njofton se ka arrestuar gjashtë persona, pasi të njëjtit dyshohet se kanë shtënë me armë zjarri gjatë një ahengu familjarë.

    “Policia e stacionit në Ferizaj me datën 27.07.2024 rreth orës 17:00 ka pranuar një informacion se në fshatin Koshare të Ferizajt, në një aheng familjarë kishte të shtëna me armë të zjarrit. Policët e rendit dhe hetuesit policorë menjëherë janë nisur në atë drejtim dhe kanë arritur të identifikojnë disa persona, tek të cilët janë gjetur armë të zjarrit, me të cilat dyshohet se kishin shtënë gjatë ahengut”, thuhet në njoftim.

    Tutje, policia bën të ditur se të dyshuarit janë dërguar në stacionin e policisë në Ferizaj dhe pas intervistimit nga policët hetues, me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, gjashtë persona janë ndaluar në mbajtje për 48 orë për procedura tjera hetimore.

    Ndërsa si provë materiale janë sekuestruar katër armë të zjarrit, një pushkë gjysmë-automatike, tri pistoleta dhe sasi e municionit.

    Rasti është cilësuar “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” , ” Armëmbajtje pa leje ” dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.

    Policia e Kosovës ka bërë apel që qytetarët të mos përdorin armë zjarri gjatë festave.

  • Vikendi me qindra aksidente në trafik, policia publikon shifrat shqetësuese

    Vikendi me qindra aksidente në trafik, policia publikon shifrat shqetësuese

    Gjatë vikendit të fundit, në rrugët e Kosovës është vërejtur një numër i madh i aksidenteve në trafik.

    Sipas policisë, të shtunën dhe të dielën janë raportuar gjithsejtë 186 aksidente trafiku prej të cilave një ka përfunduar me pasoja fatale në Suharekë.

    Policia ka njoftuar se përveç aksidentit fatal kanë ndodhur edhe 58 aksidente tjera me persona të lënduar dhe 127 me dëme materiale.

    Ndaj pjesëmarrësve në trafik që kanë thyer rregullat e komunikacionit, gjatë kësaj periudhe policia ka shqiptuar 3 516 gjoba kundërvajëse.