ATV

Category: Lajme

  • Fondi Saudit i Zhvillim kredi Kosovës për magjistralen Prishtinë – Mitrovicë

    Fondi Saudit i Zhvillim kredi Kosovës për magjistralen Prishtinë – Mitrovicë

    15 milionë euro është kostoja e kredisë së nënshkruar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Fondi Saudit për Zhvillim, për financimin e rrugës Prishtinë – Mitrovicë, raporton Ekonomia Online.

    Kjo kredi është nënshkruar për financimin e segmentit që fillon nga Smrekonica deri në Mitrovicë dhe është një gjatësi prej 5 kilometra.

    Në nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje kanë marr pjesë ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ai i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe përfaqësuesit e Fondit Saudit për Zhvillim.

    Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, tha se ky projekt është i rëndësishëm duke marrë parasysh vëllimin e trafikut. Shtoi se projekti ndikon në përmirësim të jetës së qytetarëve.

    “Me këtë marrëveshje Fondi Saudit për Zhvillim do të mbështesë me një kredi prej 15 milionë euro që fillon nga Smrekonica deri në Mitrovicë dhe është një gjatësi prej 5 kilometra. Ky segment është pjesë e projektit të rrugës Prishtinë-Mitrovicë”, tha Aliu.

    Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se marrëveshja kap vlerën e rreth 14 milionë eurove.

    “Sot jemi mbledhur që të përmbyllim edhe pjesën tjetër të financimit për këtë projekt. Mesatarja ditore në këtë rrugë është në nivelin për 27 mijë automjete. Marrëveshja kap vlerën rreth 13 milionë euro. Pjesa tjetër është bashkëfinancim nga Qeveria e Kosovës. Do të doja të falënderoja Fondin Saudit për Zhvillim për mbështetjen dhe të ritheksoj përkushtimin e Qeverisë për thellimin e partneritetit me Mbretërisë së Arabisë Saudite”, tha Murati.

    Për rëndësinë e këtij projekti foli edhe drejtori ekzekutiv në Fondin Sovran për Zhvillim, Sultan A.Almarshad.

    “Ky është një bashkëpunim i vazhdueshëm mes Kosovës dhe Fondit Saudit. Marrëveshja që do të nënshkruhet sot është vazhdim i projektit që është financuar nga fondi që është bërë në vitin 2013. Kjo zgjatje do ta zgjeroj rrugën në dy anët në dy autoudhë. Do të zvogëloj trafikun dhe do të zvogëloj aksidentet”, u shpreh ai.

  • Fundi i korrikut, minatorët ende nuk e kanë marrë pagën e qershorit

    Fundi i korrikut, minatorët ende nuk e kanë marrë pagën e qershorit

    Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës, ka njoftuar se minatorët ende nuk i kanë marrë pagat e muajit qershor, raporton EO.

    Nga kjo sindikatë, kanë bërë të ditur se interesimi i Qeverisë, Ministrisë dhe Bordit është zero, teksa nuk e përjashtojnë mundësinë e migrimit si pasojë e kësaj qasje.

    Njoftimi i plotë:

    Tani që ndodhemi në fundin e muajit Korrik, minatorët ende nuk i kanë marrë as pagen e muajit Qershor!

    Interesimi për fatin e minierës dhe minatorëve nga qeveria, ministria dhe bordi i ndërmarrjes janë në nivelin zero. Vullneti i tyre për prosperitetin e kësaj ndërmarrje dhe premtimi për ditë të mira në ndërmarrjen Trepca SH.A., janë vetem fjalë boshe dhe asgje tjeter.

    Një qasje e till refuzuese ndaj ndërmarrjes Trepca Sh.A dhe minatorëve, duke i lënë të njëjtit buzë humneres dhe duke ia pamundësuar ekzekutimin e pagave gati për dy muaj nën këto kushte të rënda financiare të minatorëve përben shqetësim serioz dhe sfidë që kërkon zgjidhje të mënjehershme.

    Ta dini se një qasje e till ndaj minierës Trepca Sh.A dhe minatorëve të saj nga qeveria dhe ministria e saj paraqet rrezik serioz që të gjithë minatorët të gjejn zgjidhje tjera apo edhe të migrojnë jasht vendit.

    Fatkeqësisht ndoshta ky edhe është qëllimi dhe dëshira e disave!!

    Jeni duke i përbuzur minieren dhe minatorët, një ditë do i kërkoni!

    Reflektoni dhe ekzekutoni pagat.

  • Dyshohet për djegien e një depoje me material shkollor në Fushë-Kosovë, arrestohet një person

    Dyshohet për djegien e një depoje me material shkollor në Fushë-Kosovë, arrestohet një person

    Arrestohet një person i cili dyshohet se nga pakujdesia kishte ndezur një zjarr dhe ka djegur një depo me material shkollor, në Miradi e Epërme, në Fushë Kosovë.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, thuhet se rasti ka ndodhur gjatë mesditës së djeshme dhe se zjarri kishte dalë nga kontrolli, raporton Ekonomia Online.

    Ndërsa rasti është duke u hetuar.

    “Është shoqëruar në stacionin policor i dyshuari mashkull kosovar, pasi që dyshohet se nga pakujdesia kishte ndezur një zjarr i cili ka dal jashtë kontrollit dhe ka djegur depon me material shkollor. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raport.

  • Aksident i rëndë në Suharekë, vdes këmbësorja

    Aksident i rëndë në Suharekë, vdes këmbësorja

    Në një aksident të rëndë që ka ndodhur në Suharekë, ku një këmbësore 58-vjeçare ka ndërruar jetë pasi është goditur nga një automjet, raporton EO.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur si rezultat i pakujdesisë dhe mos përshtatjes së shpejtësisë nga ana e drejtueses së automjetit.

    Policia njofton se e dyshuara, e cila ka qenë duke drejtuar veturën, nuk ka arritur të kontrollojë shpejtësinë dhe ka goditur këmbësoren. Pas aksidentit, viktima është dërguar me urgjencë në Spitalin e Prizrenit, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e saj.

    Me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, ndërsa e dyshuara është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje për hetime të mëtejshme.

  • Arrestohen gjashtë persona në Ferizaj, gjuajtën me armë në një aheng familjarë

    Arrestohen gjashtë persona në Ferizaj, gjuajtën me armë në një aheng familjarë

    Policia e stacionit në Ferizaj me datën 27.07.2024 rreth orës 17:00 ka pranuar një informacion se në fshatin Koshare të Ferizajt, në një aheng familjarë kishte të shtëna me armë të zjarrit.

    Policët e rendit dhe hetuesit policorë menjëherë janë nisur në atë drejtim dhe kanë arritur të identifikojnë disa persona, tek të cilët janë gjetur armë të zjarrit, me të cilat dyshohet se kishin shtënë gjatë ahengut.

    “Policia i ka shoqëruar shtatë persona në stacionin e policisë në Ferizaj dhe pas intervistimit nga policët hetues, me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, gjashtë persona janë ndaluar në mbajtje për 48 orë për procedura tjera hetimore, ndërsa si provë materiale janë sekuestruar katër armë të zjarrit, një pushkë gjysmëautomatike, tri pistoleta dhe sasi e municionit’, thuhet në komunikatë.

    Rasti është cilësuar “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” , ” Armëmbajtje pa leje ” dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.

    “Me këtë rast policia rajonale e Ferizajt falënderon qytetarët për bashkëpunim , ndërsa inkurajon edhe të tjerët që të bashkëpunojnë me policinë. Sa herë që kanë informacione për veprat penale që rrezikojnë jetën e qytetarëve, të njoftojnë menjëherë stacionin më të afërt të policisë, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat kujdestarë : 192 ,0290/326-250 & 0290/322-406. Policia do të reagojë menjëherë”, shtoi tutje.

  • Sot shpallet aktgjykimi kundër Krivaqës e Sejdiut

    Sot shpallet aktgjykimi kundër Krivaqës e Sejdiut

    Gjykata Themelore në Ferizaj sot do të shpallë aktgjykimin kundër Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të dyshuar për vrasjen e Marigona Osmanit.

    “Ju njoftojmë se të hënën, më 29 korrik 2024, duke filluar nga ora 11:00, vazhdon seanca gjyqësore me shpalljen e aktgjykimit në çështjen penale kundër të pandehurit D.K., i akuzuar për shkak të veprave penale ‘Dhunimi’, nga Neni 227, paragrafi 4, lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe veprës penale në bashkëkryerje ‘Vrasja e rëndë’, nga Neni 173, paragrafi 1, nënparagrafët 1.3, 1.4 dhe 1.7, lidhur me Nenin 31 të KPRK-së, si dhe të pandehurit A.S., i akuzuar për shkak të veprave penale në bashkëkryerje ‘Vrasja e rëndë’, nga Neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.3, 1.4 dhe 1.7, lidhur me Nenin 31 të KPRK-së dhe veprën penale ‘Ndihma në kryerjen e veprës penale të dhunimit’, nga Neni 227, paragrafi 4, nënparagrafi 4.1, lidhur me paragrafin 1, lidhur me Nenin 28 të KPRK-së”, thuhej në njoftimin e Gjykatës Themelore të Ferizajt javën e kaluar.

    Rasti në fjalë është në rigjykim pasi Gjykata e Apelit e kishte anuluar aktgjykimin në të cilin Krivaqa ishte dënuar me burg të përjetshëm ndërkaq Arbër Sejdiut i ishin dhënë 15 vjet burg.

  • Kjo është gjendja në pikat kufitare me Kosovën

    Kjo është gjendja në pikat kufitare me Kosovën

    Mërgimtarët që kanë filluar të vijnë në Kosovë për të kaluar pushimet, po presin nëpër kufi.

    Në përditësimin e fundit Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka njoftuar se pritjet për të hyrë përmes Dheut të Bardhë në këtë mëngjes janë 20-25 minuta, ndërsa daljet 3 deri në 5 minuta.

    Ndërsa, te pika kufitare Kullë pritjet për të hyrë në Kosovë janë 10-20 minuta, po ashtu pritje deri në 15 minuta ka edhe në dalje.

    Pritje 15 minutshe ka edhe në Vërmicë. Deri në 10 minuta po presin edhe udhëtarët nëpër pikat tjera kufitare.

  • Posti i komisionarit të Zgjerimit të BE-së bëhet sërish tërheqës

    Posti i komisionarit të Zgjerimit të BE-së bëhet sërish tërheqës

    Menjëherë pasi Parlamenti Evropian, më 18 korrik, ka konfirmuar Ursula von der Leyenin në postin e presidentes së Komisionit Evropian edhe për një mandat të ri pesëvjeçar, kanë filluar kalkulimet se kush do t’i ketë postet kryesore në kolegjin e ri të komisionarëve, siç njihet Komisioni Evropian.

    Sipas traktateve themelore të BE-së, Komisioni Evropian duhet t’i ketë aq anëtarë sa ka vende anëtare BE-ja, që do të thotë se secili vend anëtar ka një komisionar.

    Kur emërohen në postet e komisionarëve, ata duhet t’i shërbejnë BE-së dhe jo vendit prej nga vijnë. Por, megjithatë, vendet anëtare synojnë dhe lobojnë fuqishëm që komisionarët e tyre të kenë poste sa më të rëndësishme.

    Poste kryesore në Komisionin Evropian konsiderohen, zakonisht, ato që kanë të bëjnë me financa, bujqësi, fonde, tregti dhe energji.

    Edhe pse në BE nuk ka poste të komisionarëve që janë të parëndësishme, ndikimi i atyre që merren me resorë si kultura, edukimi, shëndetësia dhe disa fusha të tjera, është më i vogël.

    Kjo, jo për faktin se këto fusha nuk janë të rëndësishme, por më shumë për shkak se ato janë kryesisht kompetenca të vendeve anëtare dhe Komisioni Evropian ka më pak ndikim në to.

    Kësaj radhe ka shumë interes nga vendet anëtare që kandidati i tyre ta marrë postin e komisionarit të Zgjerimit të BE-së.

    Situata nuk ka qenë kështu para pesë vjetësh. Që nga viti 2004, kur ka ndodhur zgjerimi i madh i Bashkimit Evropian me dhjetë anëtarë të rinj, posti i komisionarit për Zgjerim nuk është konsideruar si i rëndësishëm.

    Atëkohë, është kuptuar se në procesin e zgjerimit mbeten vetëm vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe ato janë shumë larg anëtarësimit, andaj komisionari i Zgjerimit nuk do të mund të kishte ndonjë sukses të konsiderueshëm në mandatin e tij.

    Nga viti 2007, kur në BE janë anëtarësuar Rumania dhe Bullgaria, si dy vende që kanë qenë pjesë e valës së madhe të zgjerimit, vetëm Kroacia ka arritur të bëhet anëtare e këtij blloku në vitin 2013.

    Për t’i dhënë pak më shumë rëndësi këtij posti, komisionari i Zgjerimit ka marrë mbi vete edhe politikën ndaj fqinjëve të BE-së.

    Por, kjo nuk ka pasur ndonjë vlerë të madhe, pasi me ato vende, edhe ashtu, është marrë përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, që me automatizëm është edhe zëvendëspresident i Komisionit Evropian.

    Në vitin 2019 nuk ka pasur ndonjë interes të madh nga vendet anëtare të BE-së që kandidati i tyre ta merrte postin e komisionarit për Zgjerim dhe ai i është dhënë Hungarisë.

    Ky nuk është parë si mesazh i mirë nga mbështetësit e zgjerimit, pasi Hungaria, edhe atëherë, ka pasur probleme në raportet me BE-në, për shkak të dyshimeve se ky vend ka shkelur parimet e sundimit të ligjit.

    Tash, kur po përfundon mandati aktual i komisionarit për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, shumë diplomatë vlerësojnë se ai, sado që ka vepruar në mënyrë korrekte, shpesh e ka ndjekur edhe linjën politike të kryeministrit hungarez, Viktor Orban.

    Kjo, sipas disa diplomatëve të BE-së dhe Parlamentit Evropian, është shprehur sidomos në raportet me Serbinë.

    Arsyet përse posti i komisionarit të Zgjerimit tani ka më shumë peshë, janë të shumta, sipas diplomatëve të BE-së me të cilët ka biseduarRadio Evropa e Lirë.

    Në proces të zgjerimit tani janë dhjetë shtete. Pos gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor – Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Shqipërisë, Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës – në proces janë edhe Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia. Turqia – edhe pse pak kush beson se ajo mund të jetë ndonjëherë anëtare e BE-së – formalisht është ende vend me status kandidati.

    Derisa këto vende ose janë kandidate, ose i kanë nisur negociatat e anëtarësimit, Kosova vetëm se ka aplikuar për anëtarësim në BE në fund të vitit 2022 dhe ende nuk ka marrë përgjigje.

    Çka pas aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE?

    Me të gjitha këto vende do të merret komisionari i Zgjerimit dhe, për këtë, do të ketë përgjegjësi edhe për një buxhet shumë më të madh se më parë.

    Meqë Ukraina – e cila për më shumë se dy vjet është nën pushtimin e plotë rus – pritet të jetë tema kryesore për BE-në edhe për një kohë, kjo e bën procesin e zgjerimit edhe më atraktiv për politikanët dhe vendet që duan të kenë ndikim.

    Edhe von der Leyen, gjatë fjalimit para Parlamentit Evropian, e ka përmendur procesin e zgjerimit si një prioritet të lartë të saj dhe si “imperativ gjeopolitik” të Bashkimit Evropian.

    “Kremtimi i 20-vjetorit të zgjerimit më të madh të BE-së na ka mundësuar të reflektojmë mbi këtë proces, që është dëshmuar si sukses për ato vende dhe për BE-në në tërësi. Historia na thërret përsëri dhe BE-ja ka një zgjedhje për ta bërë për të ardhmen e saj. Unë besoj se është një imperativ moral, politik dhe gjeostrategjik, që ta kompletojmë unionin tonë, në përputhje me premtimet që i kemi dhënë në bazë të traktateve”, ka shkruar von der Leyen në udhëzimet e saj.

    Ajo ka thënë se në një botë ku ekzistojnë fuqitë e mëdha, një union më i fortë dhe më i zgjeruar i jep Evropës një peshë më të madhe në skenën globale.

    Ka përsëritur se procesi i zgjerimit do të mbetet i bazuar në meritat individuale të atyre që duan të hyjnë në Bashkimin Evropian.

    “Ky nuk do të jetë një rrugëtim i lehtë. Anëtarësimi në BE do të jetë gjithmonë i bazuar në merita dhe secili kandidat do të vlerësohet në bazë të progresit në përmbushjen e kritereve. Do t’i rrisim përpjekjet për t’i përgatitur vendet kandidate, në veçanti përmes investimeve dhe reformave me planin e rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe mjetet për Ukrainën”, ka thënë von der Leyen.

    Ajo ka përmendur, po ashtu, integrimin e vendeve në procesin e zgjerimit edhe në tregun unik të BE-së dhe mundësinë që t’i shfrytëzojnë edhe fondet e BE-së.

    Von der Leyen ka përsëritur se sundimi i ligjit do të mbetet gurthemel i politikës së zgjerimit.

    Qysh më herët, ajo ka premtuar se nëse rizgjidhet presidente e Komisionit Evropian, do të emërojë një komisionar të përkushtuar për ta çuar përpara procesin e zgjerimit.

    Ajo ka thënë se nuk duhet të ketë dyshime në mundësitë e BE-së për të pranuar anëtarë të rinj dhe këtë, sipas saj, e ka dëshmuar edhe përvoja e deritashme.

    Gjatë javëve të ardhshme, ajo do t’i pranojë nga qeveritë e vendeve anëtare emrat e kandidatëve të emëruar nga to për komisionarë.

    Pasi t’i ketë të gjithë emrat, ajo do t’ua caktojë resorët.

    Pritjet janë që komisionari i Zgjerimit të jetë veç për zgjerim, e jo siç ka qenë deri më tash – për zgjerim dhe fqinjësi.

    Gjatë vjeshtës, të gjithë kandidatët do të kalojnë procesin e dëgjimit dhe konfirmimit në komisionet përkatëse të Parlamentit Evropian.

    Kandidati për komisionar të Zgjerimit do të duhet ta sigurojë mbështetjen e Komisionit për politikën e jashtme.

    Në fund, pasi individualisht ta marrin notën kaluese, të gjithë komisionarët do të votohen për përbërjen komplete të Komisionit Evropian.

    Plani ideal për të cilin flitet në BE, është që ekipi i ri i Komisionit Evropian, i udhëhequr përsëri nga presidentja Ursula von der Leyen, të jetë gati për ta nisur mandatin më 1 nëntor. /REL/

  • Parashikimi i motit për sot

    Parashikimi i motit për sot

    Sot në Kosovë do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara.

    Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK) temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 11-15 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 28-32 gradë Celsius.

    Sipas parashikimit do të fryjë erë e lehtë kryesisht nga drejtimi i verilindjes.

    Në njoftimin e IHMK-së thuhet se muaji korrik do të përmbyllet me një mesatare të lartë të temperaturave maksimale dhe me deficit të reshjeve.

  • Sot nënshkruhet marrëveshja për financimin e rrugës Prishtinë – Mitrovicë

    Sot nënshkruhet marrëveshja për financimin e rrugës Prishtinë – Mitrovicë

    Sot do të mbahet ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes për financimin e rrugës Prishtinë – Mitrovicë ndërmjet Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve dhe Fondit Saudit për Zhvillim.

    Ministria javën e kaluar kishte njoftuar se do të nënshkruante këtë marrëveshje.

    “Ju ftojmë që të merrni pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes për financimin e rrugës Prishtinë – Mitrovicë ndërmjet Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve dhe Fondit Saudit për Zhvillim”, thuhej në njoftimin e MF-së.