ATV

Category: Lajme

  • Televizioni izraelit: Vritet komandanti i lartë i Hezbollahut në një sulm në Bejrut

    Televizioni izraelit: Vritet komandanti i lartë i Hezbollahut në një sulm në Bejrut

    Izraeli beson se një komandant i lartë i grupit të armatosur libanez, Hezbollah, është vrarë nga një sulm ajror izraelit të martën në Bejrut, raporton transmetuesi publik izraelit.

    Më herët, ushtria izraelite tha se sulmi në Bejrut të martën vonë ishte hakmarrje për një sulm raketor tri ditë më parë, ku u vranë 12 fëmijë dhe adoleshentë,

    Dy burime të paidentifikuara thanë për transmetuesin publik izraelit Kan se Izraeli vlerësoi se “objektivi i sulmit” u vra.

    Në një komunikatë për media më herët, ushtria izraelite tha se në shënjestër të sulmit në Bejrut ishte komandanti i Hezbollahut përgjegjës sulmin raketor në Lartësitë e Golanit, të okupuara nga Izraeli, të shtunën, si pasojë e të cilit u vranë 12 të rinj në një fushë futbolli në fshatin Druze.

  • Drejtori në detyrë i Shërbimit Sekret: Dështimi i masave të sigurisë për Trump i pajustifikueshëm

    Drejtori në detyrë i Shërbimit Sekret: Dështimi i masave të sigurisë për Trump i pajustifikueshëm

    Ronald Rowe, drejtori në detyrë i agjencisë së Shërbimit Sekret amerikan dhe nëndrejtori i FBI-së, Paul Abbate, po dëshmojnë në një seancë të përbashkët të dy komisioneve të Senatit mbi atentatin ndaj ish Presidentit Trump. Në qendër të interesit të senatorëve janë mangësitë e masave të sigurisë në orët para atentatit.

    Drejtori në detyrë i agjencisë tha se ai e konsideronte “të pajustifikueshme” mungesën e agjentëve të sigurisë në çatinë nga ku sulmuesi qëlloi në drejtim të ish-presidentit Trump.

    Rowe tha se kishte qenë së fundmi në vendngjarje në Batlër të Pensilvanisë.

    “Ndjeva turp nga ajo që pashë. Si oficer karriere dhe punonjës prej 25 vjetësh i Shërbimit Sekret nuk mund të kuptoj se përse në atë çati nuk kishte agjentë”, u shpreh ai.

    Ai po ashtu fajësoi autoritetet lokale që nuk kishin ndarë me autoritetet federale të dhëna që ai i cilësoi si jetike.

    Sipas tij, ata nuk kishin ndarë informacionin se një person i armatosur, ishte pikasur mbi një çati pranë vendit të tubimit disa minuta para se sa të ndodhte sulmi i 13 korrikut.

    “Oficerët lokalë nuk e ndanë këtë informacion, e mbajtën të izoluar një të dhënë të tillë”, tha ai. “Për mua është shumë shqetësuese që nuk e morëm këtë informacion aq shpejt sa duhej. Ne nuk e dinim se po ndodhte një incident”, tha ai.

    Ndërkohë, nën drejtori i FBI-së Paul Abbate tha se profili në median sociale që besohet se i përket autorit Thomas Matthew Crook tregon se ai përkrahte dhunën politike dhe përmbajtje anti-semite dhe kundër emigracionit.

    Postimet ishin bërë në vitet 2019 dhe 2020 periudhë që ai ka qenë në shkollë të mesme.

    Ish drejtoresha e Shërbimit Sekret Kimberly Cheatle dha dorëheqjen javën e kaluar pas kritikave të shumta të ligjvënësve, raporton VOA.

  • Djali 20-vjeçar në Prishtinë e rrah nënën dhe tenton ta dëbojë nga shtëpia

    Djali 20-vjeçar në Prishtinë e rrah nënën dhe tenton ta dëbojë nga shtëpia

    Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre, raporton Gazeta Sinjali.

    Kështu ka ndodhur së fundmi në një familje në fshatin Bardhosh të Prishtinës, ku një grua është përballur me dhunë nga djali i saj, 20-vjeçar, me të cilin qe një kohë ka probleme.

    Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se ky rast ka ndodhur në shtëpinë e tyre, ku plasi sherri pas një mosmarrëveshje verbale mes nënës dhe djalit, i cili më pas e sulmoi fizikisht dhe tentoi ta dëbojë.

    Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor.

    Pas përfundimit të procedurave, me urdhër të Prokurorit të Shtetit i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe ndaj tij është iniciuar rasti tjetër për kryerjen e veprës penale “Dhunë në familje”.

  • Moti sot me diell dhe vranësira të shpërndara

    Moti sot me diell dhe vranësira të shpërndara

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka parashikuar për të mërkurën mot me diell dhe vranësira të shpërndara.

    Sipas IHMK temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10-13 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 29-32 gradë Celsius.

    “Do të fryjë erë nga drejtimi i verilindjes me shpejtësi 1-4m/s”, thuhet në njoftimin e IHMK.

  • Osmani pret sot në takim përfaqësuesit e partive politike – konsultime për datën e zgjedhjeve

    Osmani pret sot në takim përfaqësuesit e partive politike – konsultime për datën e zgjedhjeve

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot do të takohet me përfaqësuesit e partive politike për konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve.

    Partitë politike në vend tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim me të parën e shtetit.

    Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka refuzuar të marrë pjesë në takimin e thirrur nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani për konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve.

    Burimet e gazetës online Reporteri.net kanë thënë se Kurti është kryetari i vetëm nga partitë politike që ka refuzuar të marrë pjesë në këtë takim që do të mbahet të martën më 31 korrik. Kurti në këtë takim e ka deleguar nënkryetarin e partisë, Glauk Konjufcën.

    Gazeta online Reporteri.net raportoi sot se ftesa ka qenë vetëm për kryetarët e subjekteve politike dhe jo për nënkryetarët. Të njëjtat burime kanë thënë se kryeministri Kurti do të kthehet të martën në mbrëmje (sonte) nga Parisi.

    Pozitivisht ftesës së Osmanit i është përgjigjur edhe PDK-ja. Nëpërmjet Sekretares së Përgjithshme, Vlora Çitakut, në një konferencë për medie të mbajtur të shtunën më 27 korrik, ajo theksoi se ftesa nuk ndërlidhet me zgjedhjet e parakohshme, pasi një gjë të tillë ka kohë që e kërkon PDK-ja.

    “PDK e ka pranuar ftesën e presidentes Osmani për një takim rreth përcaktimit të datës së zgjedhjeve. Sigurisht që ne do t’i përgjigjemi ftesës, e kemi obligim kushtetues dhe ligjor që të marrim në një takim të tillë. Ju e dini mirë që PDK-ja që nga korriku i vitit të kaluar ka kërkuar zgjedhje të parakohshme, mirëpo ftesa e presidentes Osmani nuk ndërlidhet me inicimin e zgjedhjeve të parakohshme por me përcaktimin e datës për zgjedhje të rregullta dhe ne do të marrim pjesë aty dhe qëndrimin për këtë çështje dhe datës e preferuar do ta themi aty”, kishte thënë Çitaku.

    Edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë konfirmuar të shtunën për Reporteri.net se do të marrin pjesë në takimin e ftuar nga presidentja Osmani.

    “Ju konfirmoj që kryetari Abdixhiku ka pranuar ftesën si dhe të mërkurën në takim do jep qëndrimet e LDK-së”, ka thënë zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, për Reporteri.net.

    Pjesëmarrjen në këtë takim me presidenten Osmani e konfirmoi edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

    “Mund të ju konfirmoj që AAK do të marrë pjesë në takimin konsultativ të thirrur nga Presidentja për caktimin e datës së zgjedhjeve të rregullta”, tha Kushtrim Xhemajli, zëdhënës i kësaj partie.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar zyrtarisht liderët e partive politike që t’i takojë më 31 korrik për konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve.

    Presidentja u ka dërguar një letër liderëve të partive, në të cilën ka shkruar se bazuar në Kushtetutë dhe Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, zgjedhjet duhet të mbahen përgjatë periudhës 26 janar- 16 shkurt 2025.

    “Në këtë drejtim, bazuar në kompetencat e mia kushtetuese për shpalljen e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, ftoheni në takim konsultativ më 31 korrik 2024, në orën 14:00, në Sallën S301, në Ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në letrën e presidentes drejtuar partive politike

  • Vrasja e Lulzim Fejzullahut, sot shpallet aktgjykimi

    Vrasja e Lulzim Fejzullahut, sot shpallet aktgjykimi

    Gjykata Themelore në Prishtinë sot do të shpallë aktgjykimin e vrasjes së të riut nga Podujeva, Lulzim Fejzullahu.

    Fejzullahu u godit me veturë mbrëmjen e 14 janarit të këtij viti, për tu rrahur më pas brutalisht me shufra metalike nga dy të dyshuar.

    Si pasojë e plagëve të marra, Lulzimi ndërroi jetë në QKUK më 20 janar.

    Në shkallë të parë, më 23 maj Gjykata dënoi dy të dyshuarit, të mitur, më 19 vjet burg: njërin dhjetë e tjetrin nëntë.

  • Dy orë pritje për mërgimtarët që hyjnë nga pikëkalimi kufitar Dheu i Bardhë

    Dy orë pritje për mërgimtarët që hyjnë nga pikëkalimi kufitar Dheu i Bardhë

    Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka bërë një përditësim lidhur me gjendjen nëpër pikëkalimet kufitare.

    Në disa prej pikave kufitare ka pritje deri në 1 orë e 30 minuta minuta, derisa kolonat kanë arritur deri në 350 metra.

    Në pikën kufitare Dheu i Bardhë, pritjet për të hyrë në Kosovë janë deri në 1 orë e 30 minuta, ndërkohë që kolona është 350 metra.

    Derisa në Muçibabë pritjet janë 50 minuta dhe kolona është 350 metra.

    Ndërsa në Merdarë pritjet janë 05-10 minuta.

  • Sindikata e Trepçës fton nesër në takim minatorët për të gjetur “zgjidhje konkrete dhe afatgjate”

    Sindikata e Trepçës fton nesër në takim minatorët për të gjetur “zgjidhje konkrete dhe afatgjate”

    Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës, ka ftuar në takim minatorët e këtij gjigandi metalurgjik, pas situatës së krijuar dhe vështirësive financiare, raporton Ekonomia Online.

    Përmes një njoftimi për media, qëllimi i këtij takimi është diskutimi mbi situatën e rëndë në të cilën ndodhen minatorët dhe miniera e StanTergut.

    “Duke pasur parasyshë situaten e fundit të krijuar në ndërmarrjen Trepca Sh.A. dhe vështërsit financiare me të cilat jemi duke u ballafaquar vazhdimisht, me qëllim të gjetjes së ndonjë zgjidhje konkrete dhe afatgjate, ju ftojmë që nesër nga ora 07:00 të takohemi në menzem e minieres në Stan Tërgut. Qëllimi i këtij takimi është diskutimi mbi situatën e rëndë në të cilen ndodhemi ne minatorët dhe miniera e StanTergut”, thuhet në njoftim.

  • Trump: Ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike në Paris ishte turp

    Trump: Ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike në Paris ishte turp

    Ish-presidenti amerikan Donald Trump tha se ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike të mbajtura në Paris ishte “turp”, transmeton Anadolu.

    “Mendoj se ceremonia e hapjes ishte një turp”, tha Trump në një intervistë me Fox News.

    Ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike të Parisit 2024 tërhoqi reagime të konsiderueshme për pasqyrimin e pikturës së Leonardo da Vinçit “Darka e Fundit” me një performancë “drag queen”, të cilën shumë persona e shohin si mungesë respekti ndaj besimeve fetare.

    Trump tha se nëse ai do të ishte i përfshirë në Lojërat Olimpike Los Angeles 2028 dhe do të kishte ndikim mbi organizatorët, ai do të siguronte që të mos kishte përshkrim të tillë të “Darkës së Fundit”.

    Ndërkohë, Konferenca e Peshkopëve Francezë tha se ceremonia “përfshinte skena të talljes me krishterimin”.

  • Rritet në tre numri i fëmijëve të vdekur nga sulmi me thikë në Angli

    Rritet në tre numri i fëmijëve të vdekur nga sulmi me thikë në Angli

    Ka shkuar në tre numri i fëmijëve të vdekur nga sulmi i së hënës në një ngjarje vallëzimi në veri të Anglisë.

    Policia konfirmoi të martën se fëmija i tretë vdiq si pasojë e plagëve të marra në sulmin me thikë një ditë më parë në Southport, në veri të Liverpulit.

    Një 17-vjeçar po mbahet në paraburgim si i dyshuar për vrasje dhe tentim vrasje, pas incidentit në “seminarin e jogës dhe vallëzimit Taylor Swift” në Southport, një ngjarje verore për fëmijë të moshës mes gjashtë dhe 11 vjeç.

    Policia tha se që të tri viktimat janë vajza të moshës gjashtë, shtatë dhe nëntë vjeçare. Tetë fëmijë të tjerë pësuan lëndime, prej të cilëve pesë janë në gjendje të rëndë.

    Dy të rritur u plagosën rëndë në përpjekje për t’i mbrojtur fëmijët nga sulmuesi i armatosur me thikë, tha policia.

    Këngëtarja amerikane Taylor Swift tha se ndihet e tmerruar me atë që ndodhi në Southport.

    “Më ka kapluar tmerri i sulmit të djeshëm në Southport, jam plotësisht e tronditur. Ata ishin thjesht fëmijë të vegjël duke mësuar vallëzim”, shkroi ajo në Instagram.

    Adhuruesit e këngëtares amerikane grumbulluan mbi 64.000 dollarë online për t’i ndihmuar familjet e viktimave dhe për spitalin ku po mjekohen disa prej fëmijëve të plagosur.

    Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, e quajti të “tmerrshëm” sulmin, ndërsa Mbreti Charles dhe familja e tij thanë se janë të tronditur nga kjo ndodhi.

    Policia e Merzesajd tha se nuk është i qartë motivi i sulmit, por nuk besohet se ka të bëjë me terrorizëm. Policia nuk është në kërkim të ndonjë personi tjetër në lidhje me sulmin./REL