ATV

Category: Lajme

  • ​MPJD-ja pa përgjigje zyrtare, çfarë po ndodh me identifikimin e trupit të Faton Hajrizit?

    ​MPJD-ja pa përgjigje zyrtare, çfarë po ndodh me identifikimin e trupit të Faton Hajrizit?

    Më shumë se dy javë kanë kaluar prej kur është raportuar si i vrarë Faton Hajrizi, e trupi i tij ende nuk është kthyer në vendlindje. Javën e kaluar është dërguar strisho e gojës së nënës së tij, por ende nuk ka informata se sa do të zgjasë kthimi i rezultatit të analizës së saj. Njohës të sigurisë thonë se deri në fund të kësaj jave do të ketë zhvillime konkrete në identifikimin dhe qartësimin e identitetit të Faton Hajrizit. Të njëjtit thonë se institucionet vendore do të duhej të kishin bërë kërkesë që të dërgohet një ekspert vendor në Serbi. Megjithatë, shteti ende nuk ka pranuar përgjigje zyrtare lidhur me këtë rast.

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i ka thënë KosovaPress-it se janë në komunikim me shtetet e QUINT-it, misionin e BE-së në Serbi, familjen e të ndjerit dhe avokatin e autorizuar nga familja.

    “Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi i ka parashtruar tri herë kërkesë zyrtare Qeverisë së Serbisë, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, për të konfirmuar identitetin e personit të vrarë më 19 korrik 2024 në Lloznicë dhe rrethanat e ngjarjes. Gjithashtu, kemi kërkuar mundësimin e kthimit të trupit të tij në Kosovë, por ende nuk kemi pranuar përgjigje zyrtare. Më 30 korrik 2024, përmes avokatit Arianit Koci dhe me asistimin e Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, është kryer testi i ADN-së nga ekspertët mjeko-ligjorë nga Beogradi tek nëna e shtetasit Faton Hajrizi në Vendkalimin Kufitar Dheu i Bardhë, tek pjesa serbe. Autoritetet serbe kanë deklaruar se do të duhen disa ditë për të kryer analizat e ADN-së. Deri më tani, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi nuk është njoftuar për përfundimin e analizave, dhe as avokati Koci nuk ka marrë ndonjë njoftim”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së.

    Avokati Ardian Bajraktari konsideron se është obligim i institucioneve që të dërgojë kërkesë për përfshirjen e një eksperti vendor.

    “Është obligim i institucioneve të shtetit të përkujdesën për qytetarët pavarësisht se çfarë dhe ku ndodhën ata. Në rrethana të tilla do të duhej angazhim i madh i shtetit edhe në drejtim të sigurimit, të përfaqësuesve të Institutit të Mjekësisë Ligjore me rastin e ekspertizës dhe ekzaminimit mjeko-ligjor që bëhet nga ana e institucioneve të Serbisë. Pavarësisht faktit që unë konsideroj që një kërkesë e tillë nuk do të mund të realizohej për faktin se fqinji jonë verior vazhdon të hezitojë të bashkëpunojë me institucionet tona si rezultat i mendësisë së vjetër, mirëpo megjithatë një kërkesë e cila së paku deri më tash nuk është bërë publike që është bërë në adresë të institucioneve që këto të marrin pjesë në këtë. E si rezultat i mos marrjes pjesë të ekspertëve tanë të Mjekësisë Ligjore, në bindjen time do ta bënte të domosdoshme një ekspertizë shtesë me rastin e kthimit, kurdo që do të ndodhë kthimi i trupit të të ndjerit, Faton Hajrizi në Kosovë”, deklaron ai.

    Serbia do ta zvarris hartimin e raportit mjeko-ligjor, shton Bajraktari, ani pse thekson se në raste të ngjashme nuk ka pasur vonesa më shumë se dy javë.

    “Si rregull kur kanë ndodhur raste të ngjashme, afërsisht dy javë ka ndodhur procesi i kthimit të trupave të pajetë të qytetarëve tanë ku kanë humbur jetën në rrethana të ngjashme në vende të tjera e kjo natyrisht kur jemi te Serbia, unë kam përshtypjen që do të mund të zgjas edhe ca ditë pikërisht për shkak të këtyre arsyeve. Do të përpiqen të justifikohen në drejtim të hartimit të raportit mjeko-ligjor e të ngjashme. Por që esencë do të përpiqen për aq sa kanë mundësi ta përdorin këtë rast për viktimizim”, shtoi ai.

    Ndërkaq eksperti i sigurisë, Bedri Elezi pret që deri në fund të kësaj jave të ketë finalizim të raportit për identifikimin e trupit të pajetë.

    “Deri në fund të kësaj jave do të ketë zhvillime konkrete për identifikimin dhe qartësimin e identitetit të tij dhe më pas edhe sjelljen në Kosovë. Sa i përket kapaciteteve teknike për konstatimin e profilit apo identitetit të tij nuk është ndonjë problem, madje këtë e kanë konstatuar edhe ekspertët kosovar të cilët merren me çështjen, kanë konstatuar që nuk është e vështirë të identifikohet nëse kemi të bëjmë me Faton Hajrizin, por që rrethanat e vdekjes mund të vështirësohen në rast se kemi një afat”, shton ai.

    Ai shton se familja po bën përpjekje të vazhdueshme për kthimin e trupit të pajetë në vendlindje, ani pse konsideron se është e vështirë.

    “Ka një përpjekje të familjes së Faton Hajrizit për ta sjellur kufomën e tij në Kosovë, por që përpjekja e tyre duke e pasuksesshme për shkak se të njëjtit kanë autorizuar një avokat i cili nuk është pjesë e Odës së Avokatëve të Serbisë dhe nuk ka të drejtë operimi si avokat në Serbi por që ka bërë përpjekje, madje duke tentuar që të sjell edhe kampione të ADN-së nga familja deri në Serbi. Në rastin konkret ne jemi të vetëdijshëm se duhet të jenë institucionet e Republikës së Kosovës të cilat duhet të bashkëpunojnë me Serbinë duke përdorur zyrën ILEK, e cila është në kuadër të EULEX-it dhe Policisë së Kosovës dhe vepron për raste të tilla, siç është bërë njëjtë edhe me shenjat e gishtërinjve dhe se është bërë një konfirmim. Nuk ka informacione deri më tani nëse Ministria e Jashtme në bashkëpunim me zyrën ndërlidhëse në Beograd kanë angazhuar ndonjë ekspert të pavarur për të konstatuar identitetin e Faton Hajrizit, ngase në vendin e ngjarjes janë gjetur dokumentet e vëllait të tij dhe veprën dyshohet se e ka kryer Faton Hajrizi”, deklaron ai.

    Faton Hajrizi ishte arratisur nga burgu i Smrekonicës dhe ishte në kërkim nga Policia e Kosovës. Pas disa ditëve, u shpall në kërkim edhe nga autoritetet serbe, meqë dyshohej për vrasjen e një polici dhe plagosjen e një tjetri në Lloznicë të Serbisë. Hajrizi u raportua se është vrarë në vendin e quajtur Banja Kovilaça.

  • Turqia dëshiron t’i bashkohet rastit kundër Izraelit në GJND

    Turqia dëshiron t’i bashkohet rastit kundër Izraelit në GJND

    Turqia do të paraqesë një kërkesë më 7 gusht që zyrtarisht t’i bashkohet rastit për gjenocid, të ngritur nga Afrika e Jugut kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

    Turqia vazhdimisht ka kritikuar Izraelin për bombardimin e Gazës gjatë luftës kundër Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

    Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, mbështet kauzën palestineze dhe ka dënuar “barbarinë” e Izraelit, shtet që sipas tij, “vazhdimisht ka shfaqur qëllimin e tij për të zbatuar politika masakruese”.

    GJND-ja veçse ka urdhëruar Izraelin që të bëjë gjithçka për të parandaluar gjenocidin gjatë ofensivës së tij, që e nisi si kundërpërgjigje ndaj sulmit të 7 tetorit të Hamasit. Por, gjykata nuk ka urdhëruar një armëpushim. GJND-ja po ashtu ka urdhëruar Izraelin që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar që popullata palestineze e Gazës të ketë furnizime me ushqime bazike dhe në maj, kjo gjykatë bëri thirrje për ndaljen e operacioneve ushtarake në qytetin Rafah, në jug të Gazës.

    “Ekipi ligjor i Parlamentit tonë më 7 gusht do të dorëzojë një kërkesë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë që t’i bashkohemi rastit”, tha Erdogan, pas një mbledhjeje të kabinetit presidencial më 5 gusht.

    “Prandaj, ne do të bëjmë aplikimin zyrtar në emër të Turqisë”.

    Turqia është një nga shtetet më kritike ndaj veprimeve ushtarake të Izraelit në Gazë.

    Hamasi po ashtu ka mbështetje nga armiku i kamotshëm i Izraelit, Irani. Tensionet rajonale janë rritur ditëve të fundit, pasi më 31 korrik në Teheran u vra lideri politik i Hamasit, Ismail Haniyeh.

    Irani ka fajësuar drejtpërdrejt Izraelin, i cili nuk ka marrë përgjegjësinë për vrasjen. Lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei është zotuar për një përgjigje ushtarake, duke rrezikuar që ta çojë mbarë rajonin në prag të luftës.

    Erdogan ka dënuar vrasjen e Haniyehut, duke e cilësuar si “akt të neveritshëm” që synon të minojë kauzën palestineze dhe të dekurajojë dhe kërcënojë popullin palestinez.

    Lideri turk shpesh ka krahasuar kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, me Adol Hitlerin, duke thënë se trajtimi që u bënë Izraeli palestinezëve përbën gjenocid dhe se shteti duhet të ndëshkohet nga nivelet më të larta ndërkombëtare.

    Erdogani po ashtu ka kritikuar shtetet perëndimore për mbështetjen që i ofrojnë Izraelit, veçanërisht ka kritikuar SHBA-në.

    Afrika e Jugut ngriti rastin në GJND në dhjetor të vitit 2023, duke argumentuar se Izraeli ka shkelur Konventën e Gjenevës me aparteidin e pretenduar, pushtimin dhe bllokadën që ka vendosur në Rripin e Gazës.

    Dhjetëra shtete kanë shprehur mbështetje për rastin kundër Izraelit.

    Por, SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe disa shtete të tjera janë kundër këtij rasti.

    Duke iu bashkuar rastit në GJND, Turqia do të dorëzonte një “deklaratë për intervenim” duke iu bashkuar procedurave gjyqësore.

    GJND-ja duhet që zyrtarisht ta miratojë kërkesën e Turqisë për t’iu bashkuar rastit.

    “Turqia qëndron me Palestinën gjatë këtyre ditëve të vështira të [luftës] për mbijetesë dhe mbështet vëllezërit dhe motrat palestinezë me të gjitha mjetet”, tha Erdogan më 5 gusht./REL

  • Përfundon e qetë protesta e serbëve në veri, morën pjesë rreth 600 vetë

    Përfundon e qetë protesta e serbëve në veri, morën pjesë rreth 600 vetë

    Ka përfunduar e qetë protesta e organizuar nga serbët lokal në Mitrovicën e Veriut. Në protestë u kundërshtua hapja e Urës së Ibrit, e cila është e mbyllur për qarkullim të veturave që nga përfundimi i luftës në Kosovës.

    Sipas zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, numri i protestueseve të cilët ishin prezentë në sheshin “Car Llazar”, ka qenë rreth 600.

    “Numri përafërsisht sipas neve është 600. Situata është e qetë. Në jemi këtë vend për të siguruar rendin publikë çdo gjë është në rregull”, tha ai.

    Ai ka shtuar se protesta është paralajmëruar që nga dita e shtunë.

    Për të siguruar rendin publik të pranishëm kanë qenë Policia e Kosovës, KFOR dhe EULEX.

    Në protestë kanë marrë pjesë deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, ish-deputeti, Slavko Simiq, si dhe kryetari partisë së Serbëve të Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq.

    Kjo protestë është thirrur pas paralajmërimeve të Qeverisë së Kosovës për hapjen e urës së lumit Ibër.

  • Serbët nisin protestën kundër hapjes të Urës së Ibrit, KFOR-i dhe Policia në vend të ngjarjes

    Serbët nisin protestën kundër hapjes të Urës së Ibrit, KFOR-i dhe Policia në vend të ngjarjes

    Në orën 11:00 ka nisur protesta e paralajmëruar nga serbët lokalë të veriut, të cilët e kundërshtojnë hapjen e Urës së Ibrit.

    Me nisjen e protestës, janë shtuar njësite të KFOR-it, të cilat janë të stacionuar pranë Urës së Ibrit.

    Njëkohësisht ka edhe një numër më të lartë të njësiteve të Policisë së Kosovës që janë angazhuar për siguri.

    Protesta është iniciuar nga disa serbë lokalë për të kundërshtuar hapjen e Urës mbi Lumin Ibër.

  • “Po i vrisni gratë” – Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist i drejtohet institucioneve për plagosjen e gruas në Fushë Kosovë

    “Po i vrisni gratë” – Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist i drejtohet institucioneve për plagosjen e gruas në Fushë Kosovë

    Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist ka mbajtur aksion simbolik para stacionit policor në Prishtinë dhe pastaj para Prokurorisë së Shtetit, në muret e të cilave kanë shkruar “Po i vrisni gratë”.

    Aksioni vjen pas plagosjes së gruas në Fushë Kosovë dhe lirimit të dorasit, burrit të saj, pas arrestimit të tij dy ditë më parë për dhunë në familje.

    Sipas Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist, shteti po mban anën e dhunuesve në luftën e dhunës ndaj grave.

    “Jemi mbledhur këtu për ta shprehur revoltën tonë me neglizhimin e jetëve të grave dhe normalizimin e dhunës së gjinizuar nga institucionet e shoqëria. Veç brenda një javë, një burrë e vrau gruan në Graqanicë dhe një tjetër tentoi ta vriste gruan ne Fushe Kosovë. Ky i fundit ishte arrestuar pak ditë më parë për dhunë ne familje, per t’u liruar pas 48 orëve ne procedure te rregullt. Në këtë luftë shteti vazhdon ta mbajë anën e dhunuesve”, deklaruan nga kjo organizatë.

  • Protesta e serbëve në veri, Haradinaj: Mos u bëni pre e politikave shkurtpamëse

    Protesta e serbëve në veri, Haradinaj: Mos u bëni pre e politikave shkurtpamëse

    Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas paralajmërimeve për protestë të qytetarëve serbë në veri.

    Haradinaj përmes një shkrimi në Facebook u kërkoi qytetarëve serbë të Kosovës të mos bien pre e politikave shkurtpamëse e të protestojnë kundër lëvizjes së lirë.

    “Qytetarë serbë të Kosovës, Urat dhe rrugët duhet të na lidhin e jo të na ndajnë. Mos u bëni pre e politikave shkurtpamëse e të protestoni kundër lëvizjes së lirë. Ura e Ibrit duhet të jetë simbol i një jete të përbashkët e të pa alternativë.

    Liria e lëvizjes si vlerë universale është e sotmja dhe e ardhmja. Ndarjet e përplasjet na rikthejnë në memorie të kaluarën e tragjeditë tona”, shkroi Haradinaj.

  • Ministrja Haxhiu nënshkruan kërkesën për ekstradimin e Noizyt, Stresit dhe Dj Crax

    Ministrja Haxhiu nënshkruan kërkesën për ekstradimin e Noizyt, Stresit dhe Dj Crax

    Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka nënshkruar kërkesën për ekstradim të reperit Rigels Rajku i njohur ndryshe si Noizy dhe DJ të tij, Crax, raporton Atvlive.tv.

    Noizy dhe DJ Crax janë arrestuar në mesnatë në një klub nate në Lezhë.

    Ata ishin shpallur prej disa ditësh në kërkim nga Policia e Kosovës, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i rëndë trupor’.

    Noizy dyshohet se ditë më parë u përfshi në një përleshje në Pejë me një grup tjetër. Ai së bashku me grupin e tij dyshohet të kenë rrahur TikTok-erin e njohur, Medi Iseni.

     

     

  • Arratiset një i burgosur që po trajtohej në QKUK

    Arratiset një i burgosur që po trajtohej në QKUK

    Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) ka njoftuar se paraditen e së mërkurës i burgosuri L.XH. është arratisur nga reparti i Hematologjisë në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar.

    Sipas njoftimit të SHKK-së, i arratisuri, L.XH. është i akuzuar për veprën penale “fajde”. Ai ishte arrestuar më 19 korrik në Prishtinë.

    Hetimet se si ka ndodhur rasti kanë nisur, ndërsa SHKK-ja ka pezulluar nga puna dy zyrtarë korrektues.

    Gjatë korrikut pati dy arratisje nga burgjet e Kosovës. Fillimisht u arratis Faton Hajrizi, që dyshohet se është vrarë në Serbi, nga burgu i Smrekonicës dhe Ujkan Metaj nga burgu i Dubravës, i cili u arrestua pas pak ditëve.

  • Prokuroria: Të dyshuarit për plagosjen e gruas, më 4 gusht iu ngrit aktakuzë për dhunë në familje dhe iu ndalua t’i afrohet viktimës

    Prokuroria: Të dyshuarit për plagosjen e gruas, më 4 gusht iu ngrit aktakuzë për dhunë në familje dhe iu ndalua t’i afrohet viktimës

    Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje për rastin e plagosjes së gruas nga i dyshuari- bashkëshorti i saj.

    Sipas Prokurorisë, ndaj I.A., më 4 gusht është ngritur aktakuzë për “Dhunë në familje” me propozimin për caktim të masës së paraburgimit, e në seancë fillestare ishte propozuar që t’i caktohet masa e arrestit shtëpiak, mirëpo gjykata e ka refuzuar këtë propozim dhe ndaj tij ka caktuar masën për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar.

    Fillimisht, Prokuroria njofton se i dyshuari më 2 gusht u ndalua nën dyshimin për “Dhunë në familje” e më pas iu ngrit aktakuza.

    “Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik se Departamenti i Përgjithshëm i kësaj prokurorie, më datë 02.08.2024 në ora 17:30, ka ndaluar të pandehurin I.A, për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprën penale ‘’Dhunë në familje’’ nga neni 248 të KPRK-së. Ju njoftojmë se më datë 04.08.2024, Prokurori i Shtetit ka ngritur Aktakuzë me kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit I.A.”, thuhet në njoftim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Sipas Prokurorisë, në seancë fillestare prokurori duke marrë parasysh gjendjen shëndetësore të të pandehurit dhe faktin se nuk jetonte bashkë me bashkëshorten, ka propozuar masën e arrestit shtëpiak.

    “Po ashtu, më datë 04.08.2024, në Gjykatën Themelore në Prishtinë – dega në Fushë Kosovës, është mbajtur shqyrtimi fillestar në këtë çështje penale, ku Prokurori i Shtetit gjatë kësaj seance, duke marrë parasysh gjendjen shëndetësore të të pandehurit si dhe faktin se i pandehuri ka edhe një adresë tjetër të vendbanimit, ka propozuar masën e arrestit shtëpiak. Gjykata ka refuzuar propozimin e Prokurorit të Shtetit për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, ashtu që ndaj të pandehurit I.A, është caktuar masa e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar”, thuhet në njoftim.

    Të martën, I.A., u ndalua nën dyshimin për “Vrasje të rëndë në tentativë” ndaj bashkëshortes së tij në Bresje të Fushë-Kosovës, si dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Mospërfillje të gjykatës”.

    “Ndërkaq, sot, më datë 06.08.2024, i pandehuri I.A, është arrestuar në fshatin Bresje, në Fushë Kosovë, me dyshimin për kryerjen e veprave penale ‘’Vrasje e rëndë në tentativë’’ nga neni 173 lidhur me nenin 28 të KPRK-së, ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ nga neni 366 i KPRK-së dhe ‘’Mospërfillja e gjykatës’’ nga neni 393 të KPRK-së. Në vendin e ngjarjes ka dal Prokurori i Shtetit, me qëllim të sigurimit të provave materiale, si dhe, ka vizituar të dëmtuarën e rastit, e cila është në trajtim në SHSKUK në Prishtinë, ndërsa ndaj të pandehurit IA, ka lëshuar Aktvendim mbi ndalim. Prokurori i Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, janë duke punuar intensivisht me qëllim të ndriçimit të rrethanave të cilat i kanë paraprirë kryerjes së këtyre veprave penale”, thuhet në njoftim.

    Nga QKUK, të martën njoftuan se gjendja shëndetësore e viktimës është stabile.

  • Rusia thotë se ka rrëzuar disa dronë të Ukrainës

    Rusia thotë se ka rrëzuar disa dronë të Ukrainës

    Ministria ruse e Mbrojtjes tha se mbrojtja e saj ajrore ka rrëzuar 11 dronë të lëshuar nga Ukraina në katër rajone ruse mëngjesin e 7 gushtit.

    “Sistemet e mbrojtjes ajrore penguan dhe shkatërruan tre dronë mbi rajonin e Belgorodit, katër mbi atë të Kurskut, dy dronë në rajonin e Voronezhit dhe dy në rajonin e Rostovit”, tha Ministria e Mbrojtjes në një postim në Telegram.

    Edhe një ditë më parë, zyrtarët lokalë në Kursk kishin raportuar për sulme me dronë dhe granata të Ukrainës.

    Ndërkaq, Forcat Ajrore të Ukrainës raportuan se kanë zmbrapsur kërcënimet ruse me dronë në disa rajone ukrainase.

    Administrata ushtarake e rajonit të Kievit tha se sistemet e mbrojtjes ajrore të kryeqytetit ukrainas u aktivizuan ndaj dronëve rusë. Rusia, që nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës, sulmon shtetin fqinj me lloje të ndryshme armësh, përfshirë dronë dhe raketa. Pavarësisht dëshmive të shumta, Moska mohon se sulmon infrastrukturën civile.

    Edhe Kievi shpesh thotë se sulmon caqet e ushtrisë ruse, infrastrukturën e energjisë, për të penguar luftën që Rusia nisi kundër saj në shkurt të vitit 2022./REL