ATV

Category: Lajme

  • Mbyllja e postave ilegale, BE-ja kundër veprimeve të “Administratës Kurti”

    Mbyllja e postave ilegale, BE-ja kundër veprimeve të “Administratës Kurti”

    PËRGATITI: FATLUM JASHARI  

    Veprim të njëanshëm, të pakoordinuar dhe kundër dialogut, e cilësoi Bashkimi Evropian mbylljen e zyrave të Postës së Serbisë të cilat funksiononin ilegalisht në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

    Duke përmendur marrëveshjen e Brukselit për telekomunikimin, e cila parasheh diskutime të mëvonshme për shërbimet postare, blloku 27-anëtarësh përsëriti se për këtë çështje duhet zgjidhje në dialogun Kosovë-Serbi.

    Duke iu referuar si “Administrata Kurti”, zëdhënësi për punë të jashtme dhe siguri i BE-së, foli për pasojat e “padëgjueshmërisë” së Qeverisë së Kosovës.


    “Kjo është kundër dialogut. Ky është një tjetër shembull i veprimeve të njëanshme dhe të pakoordinuara të ndërmarra nga administrata Kurti. E dimë nga e kaluara se cilat janë rezultatet kur kjo administratë ka ndërmarrë veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara, të cilat kanë pasur ndikim negativ në popullatë”, deklaroi zëdhënësi i BE-së për punë të jashtme dhe siguri, Peter Stano.

    Kur u pyet për pasojat eventuale, në kohën kur Kosova po pret nga BE-ja heqjen e masave ndëshkuese, përfitimet nga Plani i Rritjes dhe përparim në aplikimin për anëtarësimin, Stano tregoi kërkesat ndaj Qeverisë.


    “Në këtë fazë, Bashkimi Evropian e ka bërë të qartë se çfarë pret nga administrata Kurti. Presim që të ri-konsiderojnë dhe ta trajtojnë këtë çështje në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, dhe që të vijnë me propozime që do të merreshin me ndikimin e mundshëm negativ të këtyre vendimeve te popullata në veri të Kosovës. Por, të gjitha çështjet që listuat, janë çështje ku Kosova ka probleme. Fakti që BE-ja vendosi masa kundër Kosovës vitin e kaluar, është reflektim ndaj hapave që çuan në përshkallëzim. Tani po shohim më shumë hapa të njëanshëm, më shumë veprime të pakoordinuara. Kjo nuk është në fakt shtensionim, kjo çon në tensione të reja. Dhe kjo duhet të kuptohet mirë nga ata që marrin vendime në Prishtinë”, shtoi tutje Stano.

    Në një reagim, teksa kërkoi që BE-ja të fokusohet te marrëveshja bazë, zëvendëskryeministri për dialog, Besnik Bislimi, tha se, përveçse ilegal, funksionimi i zyrave Postës së Serbisë në Kosovë përbën shkelje të parimeve të fqinjësisë së mirë.


    “Fakti që çështja e shërbimeve postare është konsideruar si diskutim për të ardhmen në marrëveshjet e kaluara të viteve 2013 dhe 2015, nuk nënkupton që në ndërkohë Posta e Serbisë të vijojë operimin ilegal në vend, të shkelë të gjitha rregullat, ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Asgjë nuk nënkupton të drejta, apo tolerim të entiteteve ilegale në vend. Kjo assesi nuk mund të jetë e pranueshme dhe e lejueshme për shtetin tonë, e parimisht nuk do të duhej të ishte e pranueshme as nga ana e Bashkimit Evropian”, ka shkruar Bislimi.

    Kundër aksionit të së hënës, doli edhe ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila tha se “veprimet e pakoordinuara vënë në rrezik të madh qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, nxisin përshkallëzim të panevojshëm të tensioneve rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si partnere e besueshme ndërkombëtare”.

    Ndërkaq, ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, shtoi se veprimet e pakoordinuara rrezikojnë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE./atvlive.tv

    Për më shumë klikoni në linkun e mëposhtëm:

     

  • Bislimi për mbylljen e zyrave postare serbe në veri: Strukturat paralele dhe aktiviteti ilegal nuk kanë vend në Republikën e Kosovës

    Bislimi për mbylljen e zyrave postare serbe në veri: Strukturat paralele dhe aktiviteti ilegal nuk kanë vend në Republikën e Kosovës

    Zëvendëskryeministri i Parë i Kosovës, përgjegjës për Dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, ka komentuar mbylljen ditën e djeshme të nëntë objekteve të Postës së Serbisë në veri. Ai ka thënë se strukturat paralele dhe aktiviteti ilegal nuk kanë vend në Republikën e Kosovës.

    Ai ka thënë se kjo, do të duhej të mbështetej fuqishëm edhe nga partnerët e aleatët tanë ndërkombëtarë.

    Aksioni i djeshëm është kritikuar nga BE-ja dhe ShBA-ja, të cilat e quajtën “vendim të njëanshëm”.

    POSTIMI I PLOTË:

    Pas informacioneve të marra nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) se në territorin e Kosovës po operojnë operatorë ekonomikë pa licensë dhe që nuk janë të regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK), Policia ka mbyllur ditën e djeshme nëntë objekte të Postës së Serbisë në veri.

    Posta e Serbisë ka vepruar ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës. Veprimet e ndërmarra ditën e djeshme nga Policia, janë vetëm në shërbim të mbrojtjes së sundimit të ligjit, konkurrueshmerisë, dhe kushtetutshmërisë në vend. Strukturat paralele dhe aktiviteti ilegal, nuk kanë vend në Republikën e Kosovës. Kjo, do të duhej të mbështetej fuqishëm edhe nga partnerët e aleatët tanë ndërkombëtarë.

    Republika e Kosovës punon çdo ditë që t’i përafrohet standardeve, vlerave e parimeve më të larta të Bashkimit Evropian. Përmes Marrevëshjes së Stabilizim-Asocimit që Kosova e ka me BE-në, ne si shtet obligohemi që sipas neneve 74, 75, 91, 94, 96 dhe 99, të ndërtojmë dhe praktikojmë ekonominë e tregut të lirë, t’i përmbahemi rregullave të mbrojtjes së konkurrueshmërisë në treg si dhe ndalimit, parandalimit dhe luftimit të aktiviteteve të tjera ilegale. Për më tepër, parakushtet kryesore për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian janë drejtësia, sundimi i ligjit dhe mbrojtja e respektimi i tyre.

    Një entitet i Serbisë, në këtë rast Posta e Serbisë, ka operuar jashtëligjshëm jashtë territorit të Serbisë, e për më tepër në një shtet të cilin ajo nuk e njeh. Prezenca e këtyre zyrave në territorin e Republikës së Kosovës përveçse paraqet shkelje të rëndë të parimeve të fqinjësisë së mirë, ato gjithashtu përbëjnë aktivitet ilegal, shkaktojnë çrregullim tregu, dhe prishjen e konkurrencës.

    Fakti që çështja e shërbimeve postare është konsideruar si diskutim për të ardhmen në marrëveshjet e kaluara të viteve 2013 dhe 2015, nuk nënkupton që në ndërkohë Posta e Serbisë të vijojë operimin ilegal në vend, të shkelë të gjitha rregullat, ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Asgjë nuk nënkupton të drejta, apo tolerim të entiteve ilegale në vend. Kjo asesi nuk mund të jetë e pranueshme dhe e lejueshme për shtetin tonë, e parimisht nuk do të duhej të ishte e pranueshme as nga ana e Bashkimit Evropian.

    Dialogu në Bruksel në vend se të përqëndrohej në çështjet qendrore dhe tejet të rëndësishme, e që lidhen me mohimin e Serbisë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues të Ohrit, të shprehur si përmes shkeljeve të shumëfishta por edhe nga letra zyrtare e deponuar në Shërbimin e Jashtëm të BE-së nga ish-kryeministrja Brnabiq, si dhe deklaratat e vazhdueshme nga presidenti Vuçiq dhe së fundmi kryeministrit Vuçeviq, BE-ja gatishmërinë e reagimit po e ka më të lartë në dënimin e Kosovës dhe rikthimin prapa të procesit në çështjet e dialogut teknik, duke kontribuar negativisht në ecjen përpara drejt marrëveshjes finale.

  • Katër të lënduar në një aksident trafiku në rrugën Prishtinë – Mitrovicë

    Katër të lënduar në një aksident trafiku në rrugën Prishtinë – Mitrovicë

    Katër persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti në mes të dy veturave që ka ndodhur këtë të martë në rrugën Mitrovicë – Prishtinë, konkretisht në fshatin Debërllukë.

    Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi rajonal i Policisë në Mitrovicë, Avni Zahiti.

    Sipas tij, aksidenti ka ndodhur rreth orës 12:00, ku përpos të tjerash janë shkaktuar edhe dëme materiale.

    “Aksident trafiku me lëndime, shkaktuar rreth orës 12:00 në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë, në segmentin rrugor në fshatin Deberllukë, në aksident janë përfshirë dy vetura civile, ku përveç dëmeve materiale lëndime kanë pësuar katër (4) persona”, ka thënë Zahiti.

  • Maqedonci: Për herë të parë, Kosova akrediton atashe të mbrojtjes në Slloveni, Kanada, Zvicër e Holandë

    Maqedonci: Për herë të parë, Kosova akrediton atashe të mbrojtjes në Slloveni, Kanada, Zvicër e Holandë

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka thënë se FSK ka ngritur kapacitetet profesionale dhe operacionale, duke zgjeruar rrjetin e diplomacisë ushtarake.

    Maqedonci ka njoftuar se gjatë këtij viti janë akreditur për herë të parë atashë të mbrojtjes jorezident në disa shtete.

    “Krahas ngritjes së kapaciteteve profesionale dhe operacionale të FSK-së, kemi zgjeruar rrjetin e diplomacisë ushtarake përmes akreditimit të atasheve të mbrojtjes në shtetet partnere.Vetëm gjatë një viti janë akredituar për herë të parë atashe të mbrojtjes jorezident në këto shtete: Slloveni, Kanada, Konfederatë të Zvicrës dhe Holandë”, është shprehur ministri.

    Tutje, ai ka pohuar se “përfaqësuesit tanë ushtarakë tanimë janë të pranishëm edhe në disa shtete të tjera me të cilat kemi bashkëpunim të shkëlqyer bilateral si në ShBA, Mbretëri të Bashkuar, Gjermani, Turqi, Kroaci e Shqipëri, ndërsa në proces është akreditimi i atasheve në Itali, Japoni e Republikë Çeke”.

    “Zgjerojmë përfaqësimin dhe partneritetin për të ruajtur paqen, marrëdhëniet ndërkombëtare që ne zotohemi të mbrojmë: një rend të lirë dhe të hapur të bazuar në rregulla”, ka bërë të ditur Maqedonci.

  • Stano për mbylljen e objekteve të Postës së Serbisë: Kundër dialogut dhe çon në tensione të reja

    Stano për mbylljen e objekteve të Postës së Serbisë: Kundër dialogut dhe çon në tensione të reja

    Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka thënë se aksioni i Qeverisë së Kosovës ku janë mbyllur nëntë objekte të Postës së Serbisë në veri është kundër dialogut Kosovë – Serbi dhe se ky veprim çon në tensione të reja.

    Në një konferencë për media, Stano ka thënë se në kuadër të dialogut po shohin më shumë veprime të pakoordinuara dhe të njëanshme nga qeveria e Kosovës.

    “Por të gjitha çështjet që listuar, janë çështje ku Kosova ka probleme. Fakti që BE-ja vendosi masa kundër Kosovës vitin e kaluar, është reflektim i hapave që quan në eskalim. Tani po shohim më shumë hapa të njëanshëm, veprime të pakoordinuara. Kjo nuk është në fakt shtensionim, kjo çon në tensione të reja. Dhe kjo duhet të kuptohet mirë nga ata që marrin vendime në Prishtinë”, ka deklaruar Stano.

    Sipas Stanos, ky veprim është kundër dialogut dhe një tjetër shembull i “veprimeve të njëanshme nga qeveria Kurti”.

    “E konsiderojmë si hap të njëaanshëm dhe të pakoordinuar pikërisht për arsyet që i listuam në deklaratën e lëshuar mbrëmë. Palët, Kosova e Serbia, kanë arritur një marrëveshje në vitin 2013 për telekomunikim, ku thuhet se shërbimet postare do të diskutoheshin në faza të mëvonme. Që nënkupton se kishte dialog të përfshirë në zgjidhjen e këtyre çështjeve. Për fat të keq, ajo që bëri qeveria e Kosovës dhe autoritetet atje gjatë ditës së djeshme, ishte absolutisht e pa koordinuar dhe do të ketë pasoja negative për njerëzit në veri të Kosovës, dhe është një shkelje e marrëveshjes së dialogut, për çka edhe lëshuam edhe deklaratën dhe ishim shumë të qartë. Kjo është kundër dialogut, dhe një tjetër shembull i veprimeve të njëanshme e të pakoordinuara të administratës së Kurtit”, ka vijuar Stano.

    Policia e Kosovës më 5 gusht i ka mbyllur nëntë objekte të Postës së Serbisë në veri, përmes një aksioni të nisur më herët gjatë ditës.

    Policia në aksion, mbyll nëntë pika të Postës së Serbisë

  • EKSKLUZIVE: Nis matja e stabilitetit të Urës së Ibrit, të pranishëm ministrat Sveçla, Krasniqi e Durmishi

    EKSKLUZIVE: Nis matja e stabilitetit të Urës së Ibrit, të pranishëm ministrat Sveçla, Krasniqi e Durmishi

    Pas paralajmërimeve të Qeverisë për hapjen e urës mbi lumin Ibër, sot ka filluar matja e stabilitetit të Urës së Ibrit.

    ATV-ja raporton se të pranishëm janë ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, ai i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

    Të njëjtit janë parë dhe nën përcjellje të Njësisë Speciale.

    Ndryshe, paralajmërimi për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullim edhe të automjeteve, ka nxitur reagime të shumta edhe nga faktori ndërkombëtar, të cilët kërkuan që çdo vendim që lidhet me urën e Ibrit duhet të merret në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.

  • Pritje deri në një orë për të hyrë nga Dheu i Bardhë

    Pritje deri në një orë për të hyrë nga Dheu i Bardhë

    Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka njoftuar se pritjet për të hyrë nga Dheu i Bardhë po shkojnë deri në një orë.

    Sipas përditësimit të fundit dalja nga kjo pikë kufitare shkon deri në gjysmë orë pritje.

    Dalja nga Merdara varion nga 10 deri në 20 minuta pritje, ndërkaq pikat tjera kufitare nuk kanë kolona të theksuara.

  • Mbi dy mijë tiketa trafiku të shqiptuara brenda 24 orëve në Kosovë

    Mbi dy mijë tiketa trafiku të shqiptuara brenda 24 orëve në Kosovë

    Dy mijë e 46 tiketa trafiku janë shqiptuar brenda 24 orëve në Kosovë.

    Kështu ka bërë të ditur policia përmes raportit në statistikat e përgjithshme.

    Pos aksidenteve, në vendin tonë në 24 orët e fundit kanë ndodhur 44 aksidente me të lënduar, 75 me dëme materiale, 29 persona u arrestuan ndërkohë 17 u dërguan në mbajtje.

  • Stuhia Debby godet Floridën, katër të vdekur

    Stuhia Debby godet Floridën, katër të vdekur

    Të paktën katër persona kanë vdekur pasi stuhia tropikale, Debby, goditi Floridën më 5 gusht, duke kërcënuar se mund të shkaktojë shira të rrëmbyeshëm dhe vërshime katastrofale në shtetet në juglindje të Shteteve të Bashkuara.

    Një 13 vjeçar vdiq në qarkun Levi, pasi një pemë ra në shtëpinë e tij mobile, përderisa stuhia Debby goditi brigjet e Floridës të hënën, si uragan i kategorisë 1.

    Autoritetet thanë po ashtu se një shofer kamioni humbi jetën pasi ra me kamion në një kanal në qarkun Hillsbrou, ndërkaq një grua 38 vjeçe dhe një djalë 12 vjeç vdiqën pas përplasjes së makinës së tyre në Diksi.

    Gjatë natës, stuhia u zhvendos drejt Xhorxhias dhe sipas Qendrës Kombëtare amerikane për Uragane pritet që stuhia më pas të lëvizë drejt Karolinës së Jugut.

  • Edhe Gjermania kundër mbylljes së objekteve të Postës së Serbisë në veri

    Edhe Gjermania kundër mbylljes së objekteve të Postës së Serbisë në veri

    Policia e Kosovës të hënën ka realizuar një aksion në veri, ku ka mbyllur nëntë objekte të Postës së Serbisë.

    Ky aksion nuk u mirëprit nga ndërkombëtarët, të cilët po i cilësojnë si veprime të njëanshme nga Qeveria Kurti.

    Përmes një postimi në platformën X, Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, thotë se hapat e njëanshëm bien ndesh me marrëveshjet e arritur në dialog.

    “Hapat e njëanshëm dhe të pakoordinuar jo vetëm që bien ndesh me marrëveshjet e dialogut, por edhe më keq, rrezikojnë që aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të mbetet i mbërthyer në kuti (inbox)”, thotë mes tjerash ambasadori Rohde.

    Kundërshtime për mbylljen e objekteve të Postës së Serbisë kanë pasur edhe nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Sipas tyre, Qeveria e Kosovës po ndërmerr hapa të njëanshëm, dhe se këto çështje duhet diskutuar në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd.

    LEXONI EDHE:

    Policia në aksion, mbyll nëntë pika të Postës së Serbisë