ATV

Category: Lajme

  • Përfitimet e hapjes së urës mbi Ibër, qytetarët serbë diskutojnë sot me autoritetet kosovare

    Përfitimet e hapjes së urës mbi Ibër, qytetarët serbë diskutojnë sot me autoritetet kosovare

    Komuna e Mitrovicës së Veriut organizon sot një takim dhe bashkëbisedim me qytetarë, aktivistë të shoqërisë civile dhe përfaqësues të mediave lokale me temën “Bashkëpunimi ndëretnik, këshillim komunal për siguri në bashkësi, bashkëpunimi në mes të institucioneve dhe shoqërisë civile”.

    Aty, veç kryetarit Erden Atiq, do të marrin pjesë edhe Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, zëvendësdrejtori i Policisë për veriun, Veton Elshani dhe zyrtarë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

    Lidhur me këtë takim, dje, Kryeministri Albin Kurti tha se aty pritet të diskutohet për përfitimet nga hapja e Urës së Ibrit.

    Ai i ka ftuar qytetarët serbë që të marrin pjesë në këtë diskutim, në të cilin ai ka thënë se do të diskutohet për përfitimet që qytetarët do të kenë nga hapja e Urës së Ibrit.

    Takimi është paraparë të nis nga ora 11:00 dhe mbahet në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut.

  • ShBA-ja kërkon ‘reflektim’ nga Qeveria: Të kthehet në angazhim të afërt dhe konstruktiv me ShBA-në, BE-në e NATO-n

    ShBA-ja kërkon ‘reflektim’ nga Qeveria: Të kthehet në angazhim të afërt dhe konstruktiv me ShBA-në, BE-në e NATO-n

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Matthew Miller, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, në konferencën e mbrëmshme ka thënë se ndihen të shqetësuar me vendimet e pakoordinoruara të Qeverisë së Kosovës.

    “Jemi të shqetësuar me vendimet e vazhdueshme të pakoordinuara nga lidershipi i Kosovës. Ne besojmë se ato i rrezikojnë mundësitë të cilat e ndihmuam Kosovën që t’i krijojë”, tha Miller sot para mediave.

    Tutje ai ka thënë se këshilla e SHBA-ve ndaj Kosovës është rikthimi në angazhimin konstruktiv me aleatët ndërkombëtar.

    “Do ta inkurajonim qeverinë e Kosovës të kthehet në angazhim të afërt dhe konstruktiv me ShBA-në, BE-në, NATO-n dhe me partnerët tjerë të afërt ndërkombëtarë të Kosovës dhe e kemi bërë atë të qartë, siç po e bëj tani publikisht, ia kemi bërë të qartë qeverisë edhe privatisht”, potencoi zëdhënësi Miller.

    Miller ndër të tjera përmendi edhe mbështetjen që Kosova e ka pasur nga shteti amerikan në procesin e shtetndërtimit.

    “Nëse e shikoni rrëfimin që nga pavarësia e Kosovës, ShBA-ja e ka mbështetur fuqishëm integrimin e saj të plotë në komunitetin ndërkombëtar si demokraci sovrane e multietnike. Por, për ta realizuar këtë vizion, që është vizion të cilin edhe ne e ndajmë, ne kemi bashkëpunuar me liderët e vazhdueshëm politikë të Kosovës në masa që forcojnë paqen dhe prosperitetin brenda ndërsa avancojmë Kosovën në këtë rrugë euro-atlantike në të cilën jeni pajtuar”, ka thënë ai.

    Miller gjatë konferencës për media u pyet nga një gazetare për qëndrimin e SHBA-ve pas ngjarjes së mbylljes së postave, duke thënë se “edhe sa vija të kuqe do t’i shkel kryeministri Kurti pa ndonjë pasojë?”. Përgjigja fillestare e Miller ishte se nuk do ta spekulojë të ardhmen.

  • Pritje të gjata në Merdarë për të dalë nga Kosova, kolona deri në 1200 metra

    Pritje të gjata në Merdarë për të dalë nga Kosova, kolona deri në 1200 metra

    Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka bërë një përditësim të ri mëngjesin e së enjtes mbi gjendjen aktuale në pikëkalimet kufitare për hyrje-dalje nga Kosova.

    Sipas përditësimit të ri, pritjet më të gjata për dalje nga Kosova janë aktualisht në Merdarë, ku shkojnë pritjet deri në 2 orë, me kolonë 1200 metra.

    Pritjet tjera më të gjata janë te Dheu i Bardhë deri në 30 minuta, me kolonë 100 metra.

    Ndërkohë pritjet për të hyrë në Kosovë në të gjitha pikëkalimet kufitare nuk janë më shumë se 10 minuta.

  • Parashikimi i motit për sot, paralajmërohet për rrebeshe shiu e bubullima në disa zona gjatë pasdites

    Parashikimi i motit për sot, paralajmërohet për rrebeshe shiu e bubullima në disa zona gjatë pasdites

    Për të enjten parashikohet të mbajë mot me diell dhe vranësira, ku pritet gjatë orëve të pasdites dhe mbrëmjes të ketë rrebeshe të izoluara, të shoqëruara me disa shkarkesa rrufesh. Gjasa më shumë për të reshura do të jenë drejt Rrafshit të Dukagjinit, e sidomos në pjesën perëndimore.

    Era do fryjë kryesisht nga veriperëndimi, e cila kohë pas kohe pritet të jetë e fuqishme, me shpejtësi prej 10-45 km/h.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 13 deri në 17°C, ndërsa ato maksimale prej 31 deri në 34°C./MK/

  • Një i vdekur e një i plagosur rëndë në Lipjan

    Një i vdekur e një i plagosur rëndë në Lipjan

    Një rast i rëndë ka ndodhur sot në fshatin Zllakuqan të Lipjanit, ku një person 57-vjeçar është vrarë pasi është sulmuar me një mjet të mprehtë dhe për pasojë ka humbur jetën.

    Përveç tij, i plagosur ka mbetur edhe një person tjetër.

    Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

    “Rreth orës 13:00, policia ka marrë informatën për një vrasje  që ka ndodhë  në fshatin Zllakuqan të Lipjanit. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes  dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.

    Bazuar në informacionet e para janë ngritur dyshimet se një mosmarrëveshje mes disa personave ka rezultuar me plagosjen e  rëndë të dy personave, dyshohet me mjet të mprehtë thikë. Njëri nga personat e lënduar ka vdekur, ndërsa i lënduari tjetër është dërguar për tretman mjekësor.

    Vdekjen e viktimës mashkull, rreth 57 vjeç, e ka konstatuar ekipi mjekësor në QKMF në Magure. Aktualisht hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për për ndriçimin e plotë të rastit,ndërkohë që dy persona të dyshuar janë arrestuar.”

  • Kosovë: Konfirmohet rasti i parë me “Ethet e Nilit”, vjen nga pickimi i mushkonjave

    Kosovë: Konfirmohet rasti i parë me “Ethet e Nilit”, vjen nga pickimi i mushkonjave

    Është konfirmuar rasti i parë në Kosovë me virusin “Ethet e Nilit”.

    Konfirmimin e ka bërë Drejtori i Klinikës Infektive në QKUK, Arben Vishaj.

    “E kemi një rast ama nuk është diçka shqetësuese. Është një rast që e kemi konfirmuar me virusin VNP”, ka thënë Vishaj për mediat vendore.

    Theksojmë se ky virus në Shqipëri, ka shkaktuar vdekjen e tre personave.

    Se duhet të ketë kujdes nga mushkonjat, sidomos gjatë kohës së verës, pasi virusi i njohur si “Nil” është shpërndarë në shumë vende të botë, ka bërë thirrje edhe Instituti i Shëndetit Publik të Kosovës.

  • Një burrë dënohet me burgim për sulm ndaj kryeministres daneze

    Një burrë dënohet me burgim për sulm ndaj kryeministres daneze

    Një burrë polak është dënuar me katër muaj burgim të mërkurën, pasi u shpall fajtor se e goditi me grusht kryeministren e Danimarkës, Mette Frederiksen, derisa ajo po ecte në një shesh të Kopenhagë në qershor.

    Ai u shpall fajtor për akuzat për sulm kundër shërbyesit civilit dhe u dënua me burgim. Pas vuajtjes së dënimit, ai do të dëbohet nga Danimarka dhe do ta ketë ta ndaluar hyrjen në vendin nordik për gjashtë vjet, tha gjykata.

    Ai e grushtoi Frederiksenin pasi e takoi rastësisht derisa ajo po ecte në një shesh publik.

    “I pandehuri e goditi kryeministren me grusht në krahun e djathtë, duke ia humbur baraspeshën kryeministres”, thuhet në vendimin e gjykatës.

    Ai e pranoi dënimin me burgim, sipas gjykatës.

    Sulmi, i cili ndodhi dy ditë para zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, i shkaktoi Frederiksenit lëndim në qafë dhe e detyroi atë t’i anulojë disa angazhime pune.

    Frederiksen kishte thënë asokohe se ishte tronditur nga ai incident.

    I pandehuri i tha gjykatës të martën se e kishte njohur Frederiksenin, por e mohoi se e kishte prekur, sipas gjykatës./REL

  • Protesta e serbëve në Veri – reagon Kurti, i fton nesër të marrin pjesë në takimin e thirrur nga komuna

    Protesta e serbëve në Veri – reagon Kurti, i fton nesër të marrin pjesë në takimin e thirrur nga komuna

    Para pak kohe ka përfunduar tubimi i serbëve në Mitrovicën të Veriut, ku serbët dolën për të protestuar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për hapjen e Urës mbi lumin Ibër.

    Për protestën ka reaguar kryeministri Albin Kurti, i cili i ka falënderuar institucionet e sigurisë që garantuan mbarëvajtjen e qetë të saj.

    Tutje, kryeministri njoftoi se komuna e Mitrovicës së Veriut nesër prej orës 11:00, në hapësirat e Kuvendit Komunal, organizon takim dhe bashkëbisedim me qytetarë, aktivistë të shoqërisë civile dhe përfaqësues të mediave lokale me temën “Bashkëpunimi ndëretnik, këshillim komunal për siguri në bashkësi, bashkëpunimi në mes të institucioneve dhe shoqërisë civile”.

    Ai u bëri ftesë bashkëqytetarëve të komuniteti serb që të marrin pjesë në diskutim në të cilin do të njoftohen mbi përfitimet nga hapja e urës dhe të shprehin shqetësimet e tyre.

    “I ftoj bashkëqytetarët tanë të komunitetit serb që të marrin pjesë në këtë diskutim të përbashkët në të cilin do të mund të njoftohen mbi përfitimet nga hapja e urës dhe të shprehin shqetësimet e tyre të cilat do të trajtohen nga përfaqësuesit tanë institucionalë dhe institucionet e vendit. Për shumë gjatë Ura e Mitrovicës mbi Ibër na ka mbajtur në distancë. Asaj padrejtësisht i është dhënë epiteti i ndasisë dhe marrëdhënieve jonormale. Urat na bashkojnë, e bashkë le ta bëjmë atë simbol të normalizimit”, ka shkruar më tej kryeministri Kurti.

  • Shqipëri: Vrau babain pasi i vrau nënën – Policia e lejon të dyshuarin të shkojë në varrimin e prindërve

    Shqipëri: Vrau babain pasi i vrau nënën – Policia e lejon të dyshuarin të shkojë në varrimin e prindërve

    41-vjeçari Klementin Islamaj, i arrestuar si i dyshuar për vrasjen e babait të tij Hysen Islamaj, do të marrë pjesë në varrimin e dy prindërve të tij.

    Klementin Islamaj do të marrë pjesë në ceremoninë mortore që zhvillohet në orën 11:00 në fshatin Shalës, i shoqëruar nga efektivë të Komisariatit të Policisë Sarandë.

    Edhe pozitat e tij para ligjit duken të lehtësuara, pasi nga të gjitha provat dhe faktet, duket se vrasja e 69-vjecarit Hysen Islamaj nuk ka ardhur as në formë hakmarrje për vrasjen e nënën së Klementinit e as si rrjedhojë e dashjes së drejtpërdrejtë nga ana e tij.

    Nuk dihet ende se çfarë akuze ka ngritur Prokuroria ndaj 41-vjecarit, por burime bëjnë me dije se rrethanat e ngjarjes janë lehtësuese në favor të të dyshuar.

    Ai dëshmoi para hetuesve se e kishte shtyrë të atin për ta larguar nga vetja, pasi kishte gjetur nënën të vrarë në shtëpi. Por, aksidentalisht, 69-vjeçari është rrëzuar nga shkallët dhe ka humbur jetën. Islamaj shtoi se nuk kishte aspak qëllim të vriste të atin.

  • Kurti bën homazhe te Lapidari i Dëshmorëve të familjes Lleshi

    Kurti bën homazhe te Lapidari i Dëshmorëve të familjes Lleshi

    Kryeministri Albin Kurti ka bërë homazhe pranë Lapidarit të Dëshmorëve të familjes Lleshi në fshatin Vraniq të Komunës së Gjakovës, në 26-vjetorin e rënies heroike të Kolë dhe Mark Leshit.

    “Jemi këtu për të bërë homazhe, për të nderuar, për të kujtuar dhe përkujtuar veprën heroike të dëshmorëve të kësaj familje, e cila bëri krejt çfarë mundi e diti dhe dha krejt çfarë pati për çlirimin e vendit tonë dhe për pavarësi e për bashkim”, u shpreh kryeministri.

    Ai shprehu mirënjohjen e tij të thellë, falënderimin e pamasë për këtë vetëmohim, flijim e sakrificë, të familjes Lleshi, që katër dëshmorë i ka nga lufta e fundit, por edhe në luftat e mëhershme, gjithmonë ka pasur bijë e bija, të cilët me armë në dorë i kanë mbrojtur trojet e tyre stërgjyshore.

    “Sot, jemi këtu për një ditë të veçantë, sepse është 26-vjetori i rënies heroike të Kolës dhe të Markut, andaj edhe vendosëm lule të freskëta e bëmë nderime tek varri i tyre, para së cilës është kjo përmendore e respektuar, me katër shtylla, që simbolizojnë katër dëshmorët e familjes Lleshi e që mbajnë sipër kulmin, sepse kulmi është kulmi i shtëpisë së popullit, që do të thotë i shtetit të Kosovës, që na ruan e na mbron të gjithëve porsi një familje. Edhe njëherë shpreh mirënjohjen time të thellë, falënderimin e pamasë për këtë vetëmohim, flijim e sakrificë, të familjes Lleshi, që katër dëshmorë i ka nga lufta e fundit, por edhe në luftat e mëhershme, gjithmonë ka pasur bijë e bija, të cilët me armë në dorë i kanë mbrojtur trojet e tyre stërgjyshore”, tha tutje Kurti.