ATV

Category: Lajme

  • Ky është kosovari që është arratisur nga spitali psikiatrik në Gjermani

    Ky është kosovari që është arratisur nga spitali psikiatrik në Gjermani

    Mbrëmë rreth orës 21:00 një kosovar dhe tre të burgosur tjerë janë arratisur nga spitali psikiatrik në Gjermani.

    Dyshohet fillimisht se ata e kishin kërcënuar një punonjës të këtij spitali, për t’u larguar në drejtim të Alburgut.

    Lidhur me rastin detaje ka dhënë edhe policia gjermane, duke ofruar edhe përshkrime të holllësishme për të dyshuarit.

    Sipas organeve të rendit, 27 vjeçari nga Kosova është Zeqir Beqiri.

    “Përafërsisht 70 kg, përafërsisht 185 cm, shtat normal, flokë të gjatë bionde/kafe të lidhura bisht, mjekër të plotë”.

    Bashkë me të, thuhet se janë arratisur edhe një 31-vjeçar boshnjak dhe dy gjermanë të moshës 28 vjeçare.

    BKH Lerchenhaid është një spital në Bavari ku trajtohen të burgosurit me probleme psikologjike dhe varësi.

    Arratisja e tyre ka krijuar shqetësime për banorët e zonës.

  • Masat e BE-së dëmtuan ekonominë, kërkohet shfuqizimi i sanksioneve

    Masat e BE-së dëmtuan ekonominë, kërkohet shfuqizimi i sanksioneve

    Masat e Bashkimit Evropian (BE) ndaj Kosovës, të vendosura në qershor të vitit të kaluar kanë pasur ndikim negativ në ekonominë e vendit tonë. Kështu vlerëson kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ku sipas tij rreth 300 milionë euro janë bllokuar nga BE-ja.

    Rafuna i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës, që të punojnë ngushtë me partnerët ndërkombëtar që të shfuqizohen sa më shpejt këto masa dhe të mos lejohet vendosja e sanksioneve të shtesë, të paralajmëruara nga Bashkimi Evropian.

    Përveç kësaj, Rafuna kritikon ekzekutivin e vendit se nuk e kanë në prioritet ekonominë, pasi siç thekson ai “ekonomia e Kosovës është në rend të dytë”.

    Kryetari i OEK-ut në një intervistë për KosovaPress ka folur edhe për Udhëzimin administrativ të nxjerrë ditë më parë nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për kuotat në import.

    “Aq sa kemi pasur mundësi me parë dhe prej të dhënave që janë publike, vlera e projekteve të cilat nuk kanë mundur të implementohen si rezultat i masave ndëshkuese që i janë vendosur Kosovës shkon rreth 300 milionë euro deri më sot. Kjo aq sa i kemi pasur mundësitë me i parë të dhënat publike, pra gjithnjë po i referohemi të dhënave që kemi pasur mundësi me i parë. Por në rast se na vështirësohen këto masa, pa dyshim, por edhe hiq mos me pas të tjera, në qoftë se rrinë në fuqi këto masa, kjo vlerë do të shkon duke u rritur e projekteve që nuk do të mund t’i shfrytëzojmë. Prandaj, kjo është shumë e keqe dhe e dëmshme për ekonominë e vendit, për arsye se këto projekte kanë qenë të parapara për investime kapitale. Kështu janë të dëmshme për qytetarët e Kosovës për arsye se në implementimin e këtyre projekteve do ta kishim një mirëqenie më të mirë për qytetarët. Ndërsa, është edhe më keq për shtetin e Kosovës, sepse nuk është një mesazh që e përçojmë tek investitorët e huaj për t’i motivuar me ardhur në Kosovë me investuar”, thekson Rafuna.

    Kryetari i OEK-ut ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që për çdo veprim e vendim të rëndësishëm politik për vendin, të jenë siç thotë ai në koordinim me aleatët ndërkombëtar.

    “Kërkesa jonë është që të punohet ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtar. Të koordinohemi me partnerët tanë. Vendimi më i mirë është ai vendim i cili merret në koordinim me të gjithë ata miq që i kanë ndihmuar Kosovës me u zhvilluar dhe që janë pjesë e historisë së Kosovës deri më tani… Mos të lejojmë që të ketë masa të reja, por të luftojmë që të hiqen edhe këto masa të cilat na u kanë vendosur padrejtësisht”, thekson Rafuna.

    Dialogu dhe çështja e veriut të vendit, sipas Rafunës, kanë vendos nën hije ekonominë e Kosovës. Ai kërkon që ky sektor vital për vendin të jetë në rend të parë.

    “Hapja e këtyre temave dhe mbajtja e këtyre temave po e vendos në rend të dytë ekonominë. Kërkesa jonë është që ekonomia të jetë në rend të parë pa i lënë anash edhe këto tema, por edhe me politikën e jashtme, me sundimin e ligjit, mirëpo jo me lënë ekonominë në rend të dytë. Kështu kërkesa jonë është që të punohet sa më shumë edhe në fushën e ekonomisë dhe në përmirësimin e imazhit përmes diplomacisë ekonomike. Por edhe te legjislacioni i brendshëm kemi pasur mundësi me parë ligjin e fundit për Administratën Tatimore që nuk është një ligj ‘miqësor’ me biznesin, por është një ligj që e vendos në pozitë plotësisht kontrolluese biznesin nga ana e ATK-së ose edhe institucioneve tjera. Kështu që këtu duhet të punojë qeveria që t’i hap mundësinë biznesit që mos të ngulfat biznesin, por ta luan rolin e vetë që i takon në hartimin e politikave të mira, ligjeve të mira, tatimeve të favorshme dhe kështu ta bëjmë një ambient të mirë për me ardhur me investuar në Kosovë”, thotë ai.

    Ndërkaq, Udhëzimi administrativ i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrsisë dhe Tregtisë (MINT), për kuotat në import, nuk është mirëpritur nga Oda Ekonomike e Kosovës. Sipas kryetarit Rafuna në këtë Udhëzim nuk ka sqarime të mjaftueshme për bizneset.

    “Ne e kemi përqafuar tregtinë e lirë dhe e mira kishte me qenë që me ia lejuar ofertës dhe kërkesës me e rregulluar këtë çështje…Ne kemi pasur kuota edhe kur u nënshkrua marrëveshja e MSA-së edhe ajo e CEFTA-s, por edhe kur Bashkimi Evropian para marrëveshjes së MSA-së me vendimin e vetë 2000/47 ku Kosovës në mënyrë unilaterale ia ka njohur të drejtën për një gamë shumë të gjerë produkteve me i eksportua ne vendet e BE-së pa tatim doganor, edhe në atë përudhë për verërat kemi pasur një kuotë të caktuar se sa kemi mundur me eksportuar në vendet e Bashkimit Evropian. Mirëpo ajo çka kemi mundur me parë edhe gjatë grupeve punuese të Udhëzimit të administrativ që nuk ka sqarime të bollshme. Nuk ka informata të bollshme te biznesi se cili është qëllimi i Udhëzimit dhe si duhet të implementohet….Ne jemi duke pritë që të ketë sqarime shtesë per mënyrën se si do të implementohet dhe për çfarë është sjellë ky Udhëzim administrativ. Ende nuk e kemi një sqarim për me parë se sa do të jetë në favor të bizneseve”, thotë ai.

    Nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë thonë se ky udhëzim administrativ është në përputhje me praktikat ndërkombëtare, marrëveshjet e Organizatës Botërore të Tregtisë dhe legjislacionin e Bashkimit Evropian. Më tej thuhet se “Bazuar në parimet e Organizatës Botërore të Tregtisë; Kuotat në Import mund të vendosen kryesisht për mbrojtjen sezonale të produkteve të caktuara”.

  • Zjarr masiv në Mallakastër, pritet evakuimi i banorëve

    Zjarr masiv në Mallakastër, pritet evakuimi i banorëve

    Zjarri masiv që ka përfshirë fshatin Çerrilë të Mallakastrës, deri më tani ka shkrumbuar mbi 20 hektarë pyll me pisha, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.

    Flakët po ashtu kanë djegur mbi një mijë rrënjë ullinj, dy banesa të pabanuara dhe një banesë të banuar, si dhe dy stalla bagëtish, raporton A2CNN.

    Për shkak të situatës së rënduar, drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë kombëtare të mbrojtjes civile, Haki Çako ka urdhëruar që, nëse është e nevojshme, të ndërmerren masa për evakuimin e banorëve të zonës.

    Sipas kryebashkiakut, Qerim Ismailaj po luftohet me flakët por zjarri ndihmohet nga era e fortë që fryn në këtë zonë. Fatmirësisht nuk ka dëme në njerëz, ndërsa për në bagëti ende nuk ka të dhëna ekzakte.

  • Zhduket një e mitur nga Klina

    Zhduket një e mitur nga Klina

    Një vajzë e mitur është raportuar e zhdukur në Klinë nga babai i saj më 15 gusht, e enjte.

    Në raportin 24 orësh të policisë thuhet se e mitura ishte dalë nga shtëpia dhe nuk ishte kthyer më.

    Rasti është duke u hetuar nga njësitet policore.

  • Hodhën granatë dore në parkingun e një lokali, arrestohet dy të dyshuar në Lipjan

    Hodhën granatë dore në parkingun e një lokali, arrestohet dy të dyshuar në Lipjan

    Policia ka njoftuar se dy persona dyshohet se e kanë gjuajtur një granatë dore në parkingun e një lokali në Lipjan.

    Sipas raportit 24 orësh, nuk raportohet për të lënduar, përveç dëmeve materiale të shkaktuara.

    Ata janë dërguar në mbajtje.

    “SHKAKTIM I RREZIKUT TË PËRGJITHSHËM- Lipjan  17.08.2024-02:50. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që të njëjtit dyshohet se kanë hedhur një mjet shpërthyes (granat dore) në parkingun e një lokali. Përveç dëmeve materiale nuk raportohet për të lënduar. Me vendim të prokurorit është kryer bastisja në shtëpinë e njërit nga të dyshuarit ku gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar një armë gjueti me 16 fishekë si dhe një pushkë ajrore. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.”

  • 2024-ta mund të jetë viti më i nxehtë ndonjëherë për Austrinë

    2024-ta mund të jetë viti më i nxehtë ndonjëherë për Austrinë

    Viti 2024 mund të bëhet viti më i nxehtë i Austrisë në rekord, duke gjykuar nga temperaturat e vëzhguara deri më tani.

    Shifrat e fundit nga Geosphere Austria tregojnë se një numër rekordesh të nxehtësisë tashmë janë thyer.

    Temperatura mesatare e ajrit në Austri për vitin 2024, përfshirë parashikimet për muajin gusht, është tashmë 3.8 gradë Celsius mbi mesataren vjetore për periudhën 1961-1990, transmeton albinfo.at.

    Edhe një dhjetor më i ftohtë se zakonisht, i cili në vitin 2023 ishte relativisht i butë me 0.8 gradë mbi mesataren e të gjitha kohërave, nuk ka gjasa të ulë ndjeshëm mesataren vjetore për 2024.

    Veçanërisht, pesë vitet më të ngrohta të regjistruara janë të gjitha nga e kaluara e afërt, duke përfshirë 2023, 2018, 2014, 2022 dhe 2019, raporton theinternational.at.

    Rekordet për netët tropikale – kur temperaturat nuk ulen nën 20 gradë – tashmë janë barazuar ose tejkaluar nga mesi i gushtit në St. Pölten, Eisenstadt dhe Graz.

    Vetëm në Eisenstadt, numri i netëve tropikale këtë vit ka arritur në 23 që nga 16 gushti, katër më shumë se rekordi i mëparshëm i vendosur në 2015.

    St. Pölten ka përjetuar 11 netë tropikale deri më tani këtë vit, katër më shumë se në vitin 2015. Në Graz, rekordi i mëparshëm prej nëntë netësh tropikale nga viti 2013 tashmë është arritur dhe pritet të tejkalohet, me Geosphere Austria që parashikon vapë të vazhdueshme në lindje të vendit deri të hënën, pasuar me kushte më të freskëta.

    Vjena kryeson listën me numrin më të madh të netëve tropikale këtë vit, duke regjistruar 37 në stacionin e motit Inner City që nga 16 gushti. Rekordi për netët tropikale në Vjenë është 41, i vendosur si në vitin 2018 ashtu edhe në vitin 2019. Nëse ky rekord do të barazohet apo do të thyhet këtë vit, mbetet e pasigurt.

    Netët më të njëpasnjëshme tropikale u regjistruan edhe në stacionin e qytetit të brendshëm në vitin 1994, kur temperatura qëndroi mbi 20 gradë për 17 netë me radhë.

  • Blinken sot në Izrael për të nxitur armëpushim në Gaza, pritet të takohet me Netanyahun dhe zyrtarë të tjerë

    Blinken sot në Izrael për të nxitur armëpushim në Gaza, pritet të takohet me Netanyahun dhe zyrtarë të tjerë

    Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken do të mbërrijë në Izrael si pjesë e shtytjes diplomatike të Uashingtonit për të arritur një armëpushim në Gaza që do t’i japë fund luftës 10-mujore, edhe pse një zyrtar i lartë i Hamasit hodhi poshtë optimizmin për një marrëveshje si “një iluzion”.

    Udhëtimi i nëntë i diplomatit të lartë amerikan në rajon që nga fillimi i luftës në tetor të vitit të kaluar vjen disa ditë pasi SHBA-ja paraqiti propozime tejkaluese që ajo dhe ndërmjetësit Katari dhe Egjipti besojnë se do të mbyllnin boshllëqet midis palëve ndërluftuese.

    Zyrtarët amerikanë kanë përmendur një optimizëm të ri për ta çuar marrëveshjen në vijën e fundit, por edhe kujdesin se ka ende punë për të bërë.

    “Ajo që ne kemi bërë është marrë boshllëqet që mbeten dhe i kemi kapërcyer ato në një mënyrë që ne mendojmë se në thelb është një marrëveshje që tani është gati për t’u mbyllur dhe zbatuar dhe për të ecur përpara,” u tha gazetarëve të premten një zyrtar i lartë i administratës Biden.

    Megjithatë, anëtari i byrosë politike të Hamasit, Sami Abu Zuhri, i tha AFP: “Të thuash se po i afrohemi një marrëveshjeje është një iluzion. Ne nuk po përballemi me një marrëveshje apo negociata reale, por me imponim të diktateve amerikane”, shtoi ai.

    Në Izrael, Blinken pritet të takohet me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

    Negociatat po zhvillohen nën hijen e një përshkallëzimi të frikshëm rajonal. Irani ka kërcënuar se do të hakmerret kundër Izraelit pas vrasjes së liderit të Hamasit Ismail Haniyeh në Teheran më 31 korrik.

    Uashingtoni e ka paralajmëruar vazhdimisht Iranin që të mos vazhdojë me asnjë veprim hakmarrës kundër Izraelit. Zyrtari amerikan tha se një akt i tillë mund të ketë pasoja “kataklizmike”, veçanërisht për Iranin.

    Ministrat e Jashtëm të Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë dhe Italisë në një deklaratë të përbashkët hodhën mbështetjen e tyre pas bisedimeve në vazhdim të armëpushimit, duke u kërkuar të gjitha palëve që të shmangin çdo “aksion përshkallëzues”.

    Bisedimet mbi mënyrën e zbatimit të marrëveshjes pritet të vazhdojnë në fillim të javës së ardhshme, përpara se zyrtarët e lartë të mblidhen sërish në Kajro, me synimin për të përfunduar marrëveshjen më vonë gjatë javës në Kajro.

    Ekipi negociator i Izraelit të shtunën shprehu “optimizëm të kujdesshëm” për mundësinë e avancimit të një marrëveshjeje, sipas një deklarate të shtunën nga zyra e Netanyahut.

    Zëdhënësi i Hamasit, Jihad Taha, i tha Al Jazeera TV të shtunën se Izraeli kishte shtuar kushte në bisedimet e armëpushimit dhe akuzoi Netanyahun se i përdor ato për të penguar përpjekjet.

    Edhe pse shpresat u rritën për një armëpushim, Izraeli vazhdoi sulmin e tij vdekjeprurës në Gaza.

    Të paktën 18 palestinezë nga e njëjta familje u vranë dhe dhjetëra u plagosën në një sulm izraelit në qytetin Zawayda të Gazës të shtunën, thanë zyrtarët e spitalit, ndërsa Izraeli lëshoi ​​urdhra të reja evakuimi, duke përmendur raketat e Hamasit aty pranë.

    Sulmi ajror i së shtunës goditi një shtëpi dhe një magazinë ngjitur që strehonte njerëzit e zhvendosur në hyrje të qytetit të Zawayda, sipas spitalit të Martirëve al-Aksa në Deir al-Balah, ku u shkaktuan viktima. Një reporter i Associated Press atje numëroi të vdekurit.

    Midis të vrarëve ishte Sami Jawad al-Ejlah, një shitës me shumicë i cili u koordinua me ushtrinë izraelite për të sjellë mish dhe peshk në Gaza. Të vdekurit përfshinin edhe dy gratë e tij, 11 nga fëmijët e tyre të moshës 2 deri në 22 vjeç, gjyshja e fëmijëve dhe tre të afërm të tjerë, sipas një liste të ofruar nga spitali.

    “Ai ishte një njeri paqësor,” tha Abu Ahmed, një fqinj. Më shumë se 40 civilë ishin strehuar në shtëpi dhe depo në atë kohë, tha ai.

    Izraeli gjithashtu kreu një sulm në Liban të shtunën që vrau 10 njerëz, duke përfshirë një nënë dhe dy fëmijët e saj, sipas ministrisë së shëndetësisë të vendit. Sulmi erdhi pavarësisht një paralajmërimi nga presidenti amerikan Joe Biden të premten se “askush në rajon nuk duhet të ndërmarrë veprime për të minuar këtë proces [armëpushimi dhe marrëveshjes së pengjeve]”.

    Raundi i fundit i luftës në konfliktin izraelito-palestinez dhjetëvjeçar filloi më 7 tetor kur luftëtarët e Hamasit u tërbuan në Izrael, duke vrarë rreth 1200 njerëz dhe duke kapur rreth 250 pengje sipas raporteve izraelite.

    Sipas autoriteteve palestineze shëndetësore, fushata e mëvonshme ushtarake e Izraelit e ka shkatërruar pjesën më të madhe të Gazës dhe ka vrarë më shumë se 40,000 palestinezë, kryesisht civilë. Numri nuk përfshin mijëra që besohet se janë varrosur nën rrënoja ose ata që kanë vdekur për shkak të kequshqyerjes ose mungesës së trajtimit mjekësor për shkak të shkatërrimit të sistemit spitalor nga Izraeli.

    Izraeli pretendon se ka eliminuar 17,000 luftëtarë të Hamasit pa dhënë asnjë provë./Guardian/

  • Nga një orë pritje në Jarinjë dhe Merdarë

    Nga një orë pritje në Jarinjë dhe Merdarë

    Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka përditësuar të dhënat mbi fluksin në kufi.

    Aktualisht pritjet më të gjata për të dalë nga Kosova janë në Jarinje dhe Merdarë, deri në 1 orë pritje, ndërsa në Mutivodë deri në 50 minuta.

    Te Dheu i Bardhë janë zvogëluar pritjet- 30 minuta.

  • Policia e Kosovës do ta ndërtojë një nënstacion në Leshak të Leposaviqit, punimet pritet të fillojnë brenda këtij muaji

    Policia e Kosovës do ta ndërtojë një nënstacion në Leshak të Leposaviqit, punimet pritet të fillojnë brenda këtij muaji

    PËRGATITI: ARTON HAMITI 

    Vendbanimi më verior në territorin e Kosovës, Leshaku, do të bëhet me nënstacion policor. Objekti që u ndërtua rreth vitit 1970 dhe para luftës përdorej nga ish-policia jugosllave, do t’i lëshojë rrugë ndërtesës së re.

    Ky objekt i vjetër gati 5 dekada pritet të rrënohet brenda këtij muaji. Policia e Kosovës, këtu në Leshak pritet ta ndërtojë një nënstacion të ri.

    Për ATV-në, këtë e konfirmoi zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

    “Ne konsiderojmë se punimet do të fillojnë brenda këtij muaji. Komplet ndërtesa do të rrënohet dhe do të punohet një ndertës e re në bazë të planifikimeve që i kemi”, deklaroi Elshani.

    Nënstacioni i vendosur rreth 10 kilometra nga pika kufitare me Serbinë, sipas Veton Elshanit, është shumë i nevojshëm.

    “Është shumë i nevojshëm sepse Leposaviqi si qytetet është i ndarë edhe me dy qendra të tjera. P:sh si Istogu qe e ka Vrellen dhe Gurrakocin ashtu edhe Leposaviqi e ka Leshakun dhe Soqancen”, shtoi tutje ai.

    Ndërkaq, praninë e përhershme të policisë në këtë zonë, e mirëpriti edhe kryetari i Leposaviqit.

    “Ne shpesh kemi kërkesa nga qytetarët aty për te dërguar ndonjë patrullë të policisë. Leshaku është një vendbanim bukur i dendur dhe ka nevojë po ashtu edhe policet do ta kenë një vend me të përshtatshëm për të vepruar”, tha kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi.

    Derisa javë më parë u përurua nënstacioni në Soçanicë, policët e Zubin-Potokut, që nga tetori i vitit të kaluar, punojnë në kontejnerë.

    Ndërtimi i stacionit të ri nuk është gati të nisë, për shkaqe prokurimi. Lëvizje nuk ka as në planin për një stacion të ri në Mitrovicë të Veriut./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Osmani paralajmëron padi: S’kemi asnjë lidhje me rrethanat që shpien në vrasjen e mbrëmshme

    Osmani paralajmëron padi: S’kemi asnjë lidhje me rrethanat që shpien në vrasjen e mbrëmshme

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas vrasjes tragjike në Ferizaj mbrëmë, ku u raportua në disa media se personi i vrarë, i cili është axha i bashkëshortit të saj, u privua nga jeta pasi kishte lidhje me pedofili.

    Osmani nëpërmjet një postimi në Facebook, tha se është duke i marrë të gjitha hapat ligjorë, lidhur me publikimin e Gazetës Nacionale dhe pronarit të saj, Berat Buxhala, të cilat sipas saj janë “propagandë e paprecendtë.”

    Postimi i plotë i saj:

    Pasi i kam njoftuar institucionet e sigurisë dhe jam në përgatitje e sipër të të gjitha mjeteve ligjore, po e bëj publik edhe këtë reagim ndaj publikimit të propagandës së paprecedentë që ka filluar Berat Buzhala dhe media e tij, gazeta online “Nacionale”, e që po vazhdon edhe nga disa portale të tjera.

    I njoftoj qytetarët e Kosovës se asnjë njohuri e asnjë lidhje me rrethanat që shpien në vrasjen e mbrëmshme nuk kam as unë e as bashkëshorti im, e aq më pak njohuri për ndonjë rast dhunimi.

    Rrethanat që e kanë shtyrë Buzhalën dhe të tjerët në përhapjen e këtyre dezinformatave, kërkoj që urgjentisht të hetohen nga institucionet e sigurisë dhe ato të drejtësisë. Buzhala me “Nacionalen”, dhe disa të tjerë, duke më implikuar mua dhe bashkëshortin tim në situata me të cilat nuk kemi asnjë lidhje të vetme, kanë qëllim të qartë të nxitjes së urrejtjes, e cila pastaj rezulton në dhunë.

    Kjo lidhje e rrejshme dhe e rrezikshme e krijuar nga këto portale, me vetëdije të plotë dhe me qëllim të rrezikimit të jetës sime dhe të familjes sime, ndërkohë që autoritetet kompetente po e hetojnë rastin, tregon tendencën e drejtpërdrejtë të tyre për rrezikim te jetës, duke na implikuar rrejshëm madje edhe në gjoja ndërhyrje në drejtësi.

    Ftoj sërish të gjitha organet e sigurisë dhe ato të drejtësisë që t’i hetojnë me prioritet të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje e njëkohësisht edhe veprimet e këtij portali dhe portaleve të ngjashme që kanë qëllim të qartë për të rrezikuar jetën dhe nxitur urrejtje, e që këtë mision po shihet se e kanë edhe portalet e Serbisë.