ATV

Category: Lajme

  • Paushalli mund të jetë praktikë prezente në faturat e energjisë elektrike në veri edhe për një vit, ende s’ka kontratë për matësit

    Paushalli mund të jetë praktikë prezente në faturat e energjisë elektrike në veri edhe për një vit, ende s’ka kontratë për matësit

    PËRGATITI: FATLUM JASHARI 

    Faturimi i konsumit të energjisë elektrike me vlerë fikse apo paushall mund të jetë praktikë prezente në katër komunat me shumicë serbe edhe për një vit.

    Dy muaj e gjysmë nga mbyllja e tenderit, Bashkimi Evropian nuk e ka nënshkruar kontratën për furnizim me matës të mençur, për konsumatorët në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

    Pa dhënë detaje, Zyra e BE-së përsëriti përgjigjen që i kishte dhënë ATV-së në fillim të muajit Qershor.

    “Aktualisht, Bashkimi Evropian është duke i vlerësuar ofertat e pranuara. Me kusht që procedura është suksesshme, kontrata do të nënshkruhet së shpejti”, thanë nga zyra e BE-së në Kosovë.

    Të mbyllur, sikur për secilën çështje tjetër, mbeten nëElektrosever – kompaninë bijë të “ElektroPrivredaSerbija”, e licencuar në Kosovë në Qershor të vitit 2022.

    Megjithatë nëpërmjet fletushkave, pa përmendur detaje dhe afate, kjo kompani ka nisur informimin e konsumatorëve të saj se matësit aktualë “në të ardhmen të ndërrohen me të mençur”

    Matësit, të cilët do t’i blejë Bashkimi Evropian, do t’i dorëzohen KEDS-it, që pastaj në bashkëpunim me Elektroseverin do të vijojë me vendosjen e tyre.

    Draft-kontrata, të cilën e ka parë ATV-ja, dhe e cila parasheh furnizim me rreth 25 mijë matës “smart”, si dhe koncentratorë e transmormatorë të tensionit të energjisë, ka afat zbatimit prej 365 ditësh.

    Sipas kushteve specifike në draft-kontratë, brenda tre muajve të parë, furnitori do të bëjë dërgesën e parë prej jo më shumë se 10% të totalit të matësve.

    Nga 1 Janari 2024, kur Elektrosver mori përsipër furnizimin në katër komunat me shumicë serbe në veri pjesa dërmuese e konsumatorëve paguajnë paushall, në vlerë rreth 20 euro.

    Që nga përfundimi i luftës, dëmi buxhetor si pasojë e mos-pagesës së energjisë elektrike në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok llogaritet të jetë rreth 350 milionë euro.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Reagime të ndryshme për transformimin e sheshit “Xhorxh Bush”, opozita lokale thotë se ideja e kryetarit Rama është vetëm një ”vizatim”

    Reagime të ndryshme për transformimin e sheshit “Xhorxh Bush”, opozita lokale thotë se ideja e kryetarit Rama është vetëm një ”vizatim”

    PËRGATITI: SARA SHEHU      

    Për transformimin e sheshit “Xhorxh Bush” në Prishtinë, këtë javë është hapur edhe thirrja nga komuna, për operatorët ekonomik.

    Kryetari Përparim Rama përmes fotografive të postuara në rrjetet sociale ka përshkruar se sheshit në fjalë do t’i shtohen hapësirat gjelbëruese.

    Ndryshime do të pësojë edhe sheshi “Zahir Pajaziti” bashkë me hapësira tjera përreth.

    Megjithatë, sipas Lëvizjes Vetëvendosje, që ështëopozitë në kryeqytet, plani i Ramës nuk është i qëlluar.

    “Projekte në thojza, edhe ky duket vetëm një vizatim. Prandaj nuk dua të thellohem më shumë as nëaspektin Teknik as financiar pasi për mua ështëvetëm një vizatim. Për këtë çështje kemi reaguar disa herë për faktin se bëhet mbyllja e segmentit rrugor për dy vite pa plan se cka do të bëhet më tutje. Është një mungesë e ideve të mirëfillta, pasi duhet trajtimi ishkollav, çerdheve, e të tjera por të cilat nuk janë as në horizont. I bëjmë thirrje kryetarit të merret me probleme më të mëdha e jo me vizatime të tilla të cilat janë vetëm në shijen e kryetarit”, deklaruan nga LV-ja.

    Por për disa qytetarë, intervenimet e paralajmëruara nëshesh, janë të duhura.

    Komuna e Prishtinës të premten ka hapur thirrjen për operatorët ekonomik për rindërtimin e sheshit “XhorxhBush” e cila sipas parashikimeve pritet të kushtojë 18 milion e 400 mijë euro.

    Sidoqoftë, para 7 muajve, disa qytetarë përmes një proteste kanë shprehur zhgënjimin e tyre lidhur me vendimin e kryetarit Përparim Rama për mbylljen e këtij segmenti rrugor.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Mësimi gjithëditor, pasditja rekreative për nxënësit

    Mësimi gjithëditor, pasditja rekreative për nxënësit

    PËRGATITI: PRANVERA KRASNIQI    

    Mësimet që i marrin paradite, do t’i ushtrojnë pasdite, përmes argëtimit.

    Në pesë shkollat e kryeqytetit ku do të nis mësimi gjithëditor, pas orës 12 janë planifikuar aktivitete të ndryshme nga literatura bazike. Ato përfshijnë lojërat, këndimin, shkrimin e leximin.

    Sipas drejtoreshës së Arsimit në Prishtinë, Jehona Lushaku, ky plan ka për qëllim që nxënësit të kenëedhe rekreacion, gjatë mësimit tërëditor.

    “Fillon 7:45, me mëngjesin, 8:30 orët e rregullta, pastaj deri në 3:45, paraditja lëndët bazike, sporti, aktivitete muzikore, shrkim lexim, përforcim, detyra logjike, përmes aktiviteteve ti kombinojnëato, basketball me thysa është një aktivitet që do tu ndihmojnë nxënësve ti kuptojnë thyesat duke luajtur basketboll e kemi sigurua një platformë qëka kurikulë edhe tema të caktuara”, deklaroi Lushaku.

    Lëndët e shkathtësisë siç janë sporti e muzika do tëmbahen nga mësimdhënës përkatës.

    Drejtorë të shkollave ku pritet të fillojë kjo risi e shohin këtë si përparësi për nxënësit, në disa aspekte.

    Një lehtësim shtesë po konsiderohet të jetë edhe për prindërit, pasi tash e tutje nuk do ketë nevojë që fëmijët e tyre t’i dërgojnë në kurse private.

    Gjatë kësaj kohe, nxënësve do t’u ofrohet edhe ushqim i cili do të sigurohet nga Kuzhina Qendrore, e për këtë komuna ka ndarë 1.7 milion euro për 1 vit shkollor.

    Mësimi tërëditor do të nis në shkollën “Faik Konica”, “Xhemail Mustafa”, “Shkolla e Gjelbër”, “NazimGafurri” dhe “Qamil Batalli”.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

     

  • Lehtësimet në votim, pritet shtim i votuesve nga diaspora

    Lehtësimet në votim, pritet shtim i votuesve nga diaspora

    PËRGATITI: PRANVERA KRASNQI    

    Më 2021, votat e mërgimtarëve erdhën me postë.

    Por në procesin e ardhshëm zgjedhor, në shkurt të vitit 2025, diaspora do të mund të votojë për subjektet e tyre të preferuara, edhe në përfaqësitë diplomatike tëKosovës, nëpër shtetet ku jetojnë.

    Regjistrimi si votues, sipas Ligjit të Ri për Zgjedhjet e Përgjithshme, mund të bëhet në formë elektronike.

    “Dy janë mënyrat për të aplikuar për regjistrim: njëra prej tyre do të jetë aktive, behët fjalë për aplikimin për t’u regjistruar përmes platformës elektronike. Mënyra tjetër, por kjo mundësohet vetëm në rrethana të jashtëzakonshme, behet përmes postës, në një nga kutitë postare të KQZ-së. KQZ-ja mundëson regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës edhe përmes e-mailit personal”, deklaroi Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së:

    Ky proces, për mërgimtarët ndahet në dy faza. Në të dytën, duhet të përcaktohet mënyra e votimit.

    “Në momentin e regjistrimit, votuesit do të përcaktohen individualisht për mënyrën e votimit, fizikisht, në përfaqësi diplomatike apo në hapësira të tyre, të cilat shndërrohen në qendra të votimit, sipas kritereve të KQZ-së, duke dërguar fletëvotimet përmes kutisë postare të KQZ-së, në postën e Kosovës dhe duke dërguar fletëvotimet përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ-ja dhe me lehtësimin e përfaqësive diplomatike, jashtë Kosovës”, tha Elezi.

    Këto reforma, sipas politologut Fidan Ukaj, reflektojnë pozitivisht për Kosovën. Madje Ukaj thotë se lehtësimi i procesit të votuesve nga diaspora, do të ndikojë në rritjen e numrit të tyre.

    “Rrjedhimisht edhe interesimi për të votuar do të jetë i lartë, pritet numër i konsiderueshëm i votuesve nga jashtë”, tha ai.

    Në zgjedhjet e 2021-ës ishin mbi 100 mijë votues jashtë Kosovës të regjistruar dhe verifikuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për votim.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Nga ky muaj edhe vajzat prej moshës 13 deri në 21 vjeç mund ta marrin vaksinën që parandalon kancerin në qafë të mitrës

    Nga ky muaj edhe vajzat prej moshës 13 deri në 21 vjeç mund ta marrin vaksinën që parandalon kancerin në qafë të mitrës

    PËRGATITI: SARA SHEHU          

    Vaksinën që parandalon kancerin e qafës së mitrës do të kenë mundësi ta kryejnë edhe vajzat prej 13 vjeç deri në 21 vjeç.

    Në 16 njësi të kujdesit parësor shëndetësor në Prishtinë, ky vaksinim ka filluar që nga java e kaluar.

    Stafi mjekësor i vaksinimit kanë bërë të ditur për ATV-në se për një javë në QKMF dhe në 15 qendra të tjera në Prishtinë janë vaksinuar më shumë se 20 vajza me vaksinën HPV.

    Drejtori i Shëndetësisë, Izet Sadiku, tregon se ka pasur shumë kërkesa që të vazhdojë ky vaksinim.

    “Ne kemi filluar që të përfshihen edhe moshat 13 deri në 21 vjeq kjo është shumë e rëndësishme për shëndetin publik të tyre pasi mbrohen nga virusi që shkakton kancerin në qafë të mitrës. Në Prishtinë kemi 80% të nxënësve të vaksinuar me këtë vaksinë. Kemi pas shumë kërkesa që edhe moshat e tjera me u vaksinu dhe tash pra është e mundur. Kanceri i qafës së mitrës është më i përhapuri pas kancerit në gji”, deklaroi Sadiku.

    Derisa niveli parësor në kryeqytet është i furnizuar me mbi 1000 vaksina HPV, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike edhe nëpër komunat tjera, ky proces ka filluar të zbatohet.

    Drejtorët e QKMF-ve në Ferizaj, Prizren, Gjakovë e Malishevë konfirmuan për ATV-në se ka qytetare të interesuara për vaksinim.

    Nga ana tjetër, Drejtuesi i Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve, Besim Kodra, thotë se duhet fushatë vetëdijesuese për rëndësinë e vaksinimit kundër virusit i cili po shkakton kancerin në qafë të mitrës.

    “Shtimi i vaksinave HPV në kalendarin e vaksinimit është një mundësi e mirë për vajzat e reja që të mbrohen nga kanceri i qafës së mitrës, ashtu siç është thënë nga IKSHPK dhe Ministria e Shëndetësisë. Ajo çka duhet bërë nga institucionet shtetërore është që t’i bindin prindërit dhe vajzat e tyre se kjo gjë është diçka e mirë dhe mbron shëndetin e tyre. Kjo pasi nuk ka tjetër formë të vaksinimit të tyre”, tha Kodra.

    Gjatë vitit të shkuar, nga muaji shkurt deri në muajin korrik, janë vaksinuar 1469 vajza të klasës së gjashtë nëpër shkolla të Prishtinës.

    Referuar vendeve të tjera të cilat prej vitesh aplikojnë vaksinën kundër Human Papilloma Virusit, ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetit thonë se ajo ka dhënë rezultate në reduktimin e sëmundjes së kancerit të qafës së mitrës.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Nga një muaj paraburgim për dy të akuzuarit për vrasjen e 89-vjeçarit në Ferizaj

    Nga një muaj paraburgim për dy të akuzuarit për vrasjen e 89-vjeçarit në Ferizaj

    PËRGATITI: KASTRIOT TAHIRI

    F.R. dhe J.M., të dyshuar për vrasjen e 89 vjeçarit, gjatë një dasme në Bibaj të Ferizajt, të premten, do tëqëndrojnë nga një muaj në paraburgim.

    Kështu vendosi Gjykata Themelore në Ferizaj, që të dielën pati seancën dëgjimore për dy të dyshuarit, tëcilët, e shfrytëzuan të drejtën për tu mbrojtur në heshtje.

    Por, vendimin e gjykatës e kundërshtoi njëri nga avokatët e të dyshuarve.

    Sipas Prokurorisë, të premten mbrëma, kur në Bibaj të Ferizajt po mbahej një dasmë në njërën prej sallave të ahengjeve, ish-zyrtari policor, F.R. që ishtë jashtë orarit të punës, shkoi dhe e qëlloi me armë zyrtare viktimën. Ndërsa i dyshuari tjetër J.M. thuhet të jetë vërsulur në drejtim të viktimës S.S. me mjet të fortë.

    Për shkak të këtij rasti, Inspektorati Policor e ka suspenduar shefin e atij ndërrimi në policinë e Ferizajt, pasi dorasi i dyshuar e ka marrë armën në stacion, për ta kryer krimin.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Rrufeja ia mori jetën një gruaje 64 vjeçe në Prevallë, ndërsa shkaktoi lëndime edhe te 4 persona të tjerë, të cilët po qëndronin nën një lis, në momentin e goditjes

    Rrufeja ia mori jetën një gruaje 64 vjeçe në Prevallë, ndërsa shkaktoi lëndime edhe te 4 persona të tjerë, të cilët po qëndronin nën një lis, në momentin e goditjes

    PËRGATITI: KASTRIOT TAHIRI  

    Moti i ligë ishte fatal për një grua, të dielën në Prevallëtë Prizrenit.

    64-vjeçarja nga Ferizaj vdiq pasi u godit nga rrufeja, teksa po qëndronte në këtë ambient malor, bashkë me katër persona të tjerë.

    Në momentin e goditjes, ata po qëndronin nën një lis.

    Viktima nuk u bëri ballë plagëve, ndërsa vdekjen e saj e konstatoi ekipi mjekësor në Spitalin e Prizrenit. Rastin e konfirmoi për ATV-në edhe zëdhënësi i policisë rajonale të Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

    Lëndime nga rrufeja morën edhe katër personat tjerë. Por nga Urgjenca në Spitalin e Prizrenit, thonë se pas kontrolleve mjekësore, është konstatuar se ata tashmë janë jashtë rrezikut për jetë.

    Deri në spitalin rajonal, të lënduarit u dërguan nga urgjenca dhe Forca e sigurisë së Kosovës.

    Siç mëson televizioni, e ndjera po qëndronte në Prevallë tash e një kohë, bashkë me dy familjarë, për shkaqe shëndetësore. Ndërkaq dy të lënduarit tjerë janë nga komuna e Malishevës.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

     

     

  • Vdes 64-vjeçarja që u godit nga rrufeja në Prevallë

    Vdes 64-vjeçarja që u godit nga rrufeja në Prevallë

    Pesë persona janë goditur nga rrufeja gjatë mesditës së sotme në Prevallë, ku një grua 64-vjeçare pasi gjendja e saj ishte e rëndë ka ndërruar jetë në spitalin e Prizrenit.

    Rastin e konfirmoi zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili njoftoi se viktima është nga komuna e Ferizajt.

    “Me datën 18.08.2024 rreth orës 12:14, policia ka  marre informatën se në Prevallë rrufeja ka goditur 5 persona. Njëra nga viktimat, femer , 64 vjeçare ishte në gjendje më të rëndë, e njëjta ka ndërruar jetë në emergjencën e Spitalit Rajonal në Prizren”, ka thënë Bytyqi.

  • Pesë persona goditen nga rrufeja në Prevallë, një grua në gjendje të rëndë

    Pesë persona goditen nga rrufeja në Prevallë, një grua në gjendje të rëndë

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në mesditë në Prevallë, ku pesë persona dyshohet se janë goditur nga rrufeja.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

    Bytyqi tha se rasti është raportuar nga ora 12:14, ku pesë persona u goditën nga rrufeja.

    Tutje, shtoi se nga të lënduarit, një grua ndodhet në gjendje të rëndë.

  • Të paktën 19 të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza

    Të paktën 19 të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza

    Sulmet ajrore izraelite, të kryera gjatë natës, kanë lënë të vrarë të paktën 19 persona. Në mesin e viktimave janë një grua dhe gjashtë fëmijët e saj.

    Sulmet izraelite përfshijnë një sulm në orët e para të së dielës në një shtëpi në qytezën Deir al-Balah, ku u vra gruaja me gjashtë fëmijët e saj, sipas spitalit Martirët e Al-Aksës.

    Ndërkaq, një sulm ajror në qytezën Xhabalija goditi dy banesa, duke vrarë dy burra, një grua dhe vajzën e saj, tha Ministria e Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi, grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

    Një tjetër sulm, afër qyteti jugor Han Junis la të vrarë katër pjesëtarë të një familjeje, përfshirë dy gra, sipas spitalit Naser.

    Këto sulme u kryen, teksa të dielën, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, pritet të qëndrojë në Izrael, ku do të takohet me zyrtarë të lartë izraelitë, përfshirë kryeministrin Benjamin Netanyahu.

    Vizita e Blinkenit është në kuadër të përpjekjeve të Uashingtonit për të ndihmuar palët që të tejkalojnë dallimet për të arritur një marrëveshje armëpushimi. Më herët gjatë javës, në Doha u zhvilluan bisedime dyditore për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi dhe të lirimit të pengjeve. Zyrtarët amerikanë janë shprehur optimistë për arritjen e një pakti, që do të ndalte luftimet dhjetëmujore mes Izraelit dhe Hamasit.

    Lufta mes Izraelit dhe Hamasit nisi më 7 tetor, pasi radikalët palestinezë sulmuan jugun e Izraelit, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë.

    Si pasojë e ofensivës ushtarake izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 40.000 palestinezë, shumica civilë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në këtë territor.