ATV

Category: Lajme

  • Gjendja në pikat kufitare, pritjet për të dalë nga Kosova deri në 5 orë

    Gjendja në pikat kufitare, pritjet për të dalë nga Kosova deri në 5 orë

    Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka përditësuar të dhënat e fundit sa u përket pritjeve në pikat e kalimit kufitar.

    Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, në Merdarë për të dalë nga Kosova po pritet deri në pesë orë, ndërsa kolona është 2500 metra.

    Pritje për të dalë nga Kosova ka edhe në Muçibabë. Aty po pritet më shumë se dy orë, derisa kolona është 1100 metra.

    Ndërsa të pikë-kalimi kufitar te Dheu i Bardhë për të dalë nga Kosova po pritet më shumë se një orë e gjysmë, kurse kolona është 800 metra.

  • “Jam betuar se i gjallë nuk bie në duar të shtetit serb” – Pas arratisjes, Blerim Ramadani kthehet në Nerodime

    “Jam betuar se i gjallë nuk bie në duar të shtetit serb” – Pas arratisjes, Blerim Ramadani kthehet në Nerodime

    PËRGATITI: ARIAN HAJDARAJ

    Dyert u hapën sërish për ta pritur të zotin e shtëpisë, Blerim Ramadanin.
    Ish-ushtari i UÇK-së, pas arratisjes nga Maqedonia e veriut, në Nerodimen ku kishte luftuar për çlirim, arriti në orët e vona të së enjtes.

    Punët e oborrit që i kishte lënë në gjysmë, ditën kur u nis drejt shtetit fqinje ku edhe u ndalua, 47-vjeçari është gati t’i vazhdojë, veçse fillimisht duhet t’i presë e përcjellë, të afërmit të cilët pareshtur i vinin për vizitë.

    Beli siç e thërrisnin bashkëluftëtarët, nuk qe i gatshëm që publikisht të deklarohet lidhur me përvojën në Shkup ku u mbajt në paraburgim e arrest shtëpiak për më shumë se tri javë.

    Megjithatë, prapa kamerës tha se nuk ndjehet krenar për arratisjen, por konsideron se e kishte të vetmen rrugë, meqë i gjallë ishte betuar se nuk do binte në duar të shtetit serb.

    Këto dyshime iu kishin shtuar në momentin kur Gjykata Themelore atje kishte vendosur ta kthente sërish në paraburgim.

    Bashkëfshatarët, konsiderojnë se nuk gaboi fare që u largua.

    Blerim Ramadani ishte ndaluar më 17 korrik, kur po hynte në Maqedoni të Veriut.

    Derisa mbahej në arrest shtëpiak, Gjykata Themelore Penale kishte vendosur që të mos e ekstradonte në Serbi.

    Por, në ditën e fundit kur pritej vendimi final i Gjykatës Supreme, Penalja vendosi që ta kthente sërish në paraburgim./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Nëntë muaj prej kur u dogj, renovimi i Institutit të Mjekësisë Ligjore larg fillimit

    Nëntë muaj prej kur u dogj, renovimi i Institutit të Mjekësisë Ligjore larg fillimit

    PËRGATITI: ARTON HAMITI 

    Gati 9 muaj që kur një pjesë e objektit të Institutit të Mjekësisë Ligjore u përfshi nga zjarri, renovimi nuk ka filluar ende.

    Madje, as 4 muaj nga hapja e tenderit, vlera e të cilit është parashikuar të jetë gati 900 mijë euro nuk është nënshkruar kontrata për fillimin e punimeve. Teksa tenderi u hapë në maj, është përcjellë me zvarritje dhe vetëm dosja e tenderit është korrigjuar 3 herë.

    Ministria e Drejtësisë nuk preferoi që në këtë fazë të japë komente.

    Duke pasur parasysh rëndësinë e IML-së, zvarritjet në sanimin e dëmeve të shkaktuara nga zjarri, juristët i konsiderojnë të pakuptimta.

    Sidoqoftë, sipas Dosjes së Tenderit, parashihet që të behet rikonstruktimi i kulmit, funksionalizimi i një laboratori si dhe përmirësimi i kushteve të punës për të gjithë stafin e IML-së.

    Mes tjerash, parashihen instalime në ujësjellës dhe kanalizim, instalime elektrike si dhe investime në makineri./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Pas shumë kohësh, krahas njësive të përhershme të karabinierëve, KFOR-i qëndron me autoblinda dhe ushtarë me armë të gjata

    Pas shumë kohësh, krahas njësive të përhershme të karabinierëve, KFOR-i qëndron me autoblinda dhe ushtarë me armë të gjata

    PËRGATITI: FATLUM JASHARI 

    Përkundër pranisë së përhershme në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, me njësi të Karabinierëve Italianë, për kohë të gjatë KFORI nuk ishte parë aty me autoblinda me kamuflazhe dhe ushtarë me armë të gjata.

    Edhe pse përkohësisht, KFOR-i e çoi në këtë nivel prezencën në kohën kur Qeveria shpalosi planin për hapjen e urës për qarkullim edhe për automjete.

    Nga fillimi, misioni paqeruajtës i udhëhequr nga NATO – nën rezolutën 1244 të OKB-së – tha se “çfarëdo vendimi për hapjen duhet të ndërmerret në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.

    Në grumbullin e deklaratave dhe reagimeve publike lidhur me përgatitjet e Qeverisë për hapjen e urës, KFOR-i ka përsëritur se njësitë e saj mbajnë prezencë të përhershme dhe statike në urën kryesore mbi Ibër, dhe se janë të gatshëm dhe nuk do të hezitojnë të trajtojnë çfarëdo zhvillimi apo çështje që ndikon sigurinë dhe stabilitetin.
    Vetë presidentja Vjosa Osmani përmendi rrezikun e një konfrontimi eventual mes policisë dhe ushtarëve paqeruajtës – si pasojë veprimeve të pakoordinuara.

    Pasi tha se një situatë e tillë hipotetike do të ishte tmerri për Kosovën, ish zv-ministri i Mbrojtjes dhe ish-kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani, theksoi se presidentja është dashur të thërrasë takimin e Këshillit të Sigurisë.

    “Është krejtësisht e qartë, nëse nuk ka bashkë-planifikim me NATO-n ura nuk mund të hapet, as ky ministri me brushë në dorë, ministri Sveçla, as asnjëri. Sepse, po flasim për një institucion ushtarak, i cili është mbi Kushtetutën e Kosovës dhe ka mandat në tërë territorin e Kosovës, jo vetëm në zona të caktuara”, tha Ramadani.

    Shtimin e pranisë së ushtarëve dhe pajisjeve nga KFOR-i, ai e vlerësoi pasojë të dështimit në komunikimin e Qeverisë me NATO-n për nevojën, dobitë dhe domosdoshmërinë e hapjes së urës.

    “Pra, këto konfrontime deklarative të ulëta, nga njerëz të padijshëm dhe eksperimentalë e kanë dëmtuar vetë procesin e hapjes së urës. Pra, duke thënë që ne e hapim me KFOR, pa KFOR, me NATO, pa NATO, këta realisht kanë ndihmuar të dëmtohet Kosova edhe në kuptimin strategjik, por edhe ura të mos hapet. Nuk e di nëse qëllimi ka qenë të mos hapet ura duke i vendosur, të themi, gishtat në sy të NATO-s dhe duke i tregu forcë NATO-s. Janë elemente bazike të komunikimit strategjik që Kosova duhet të ndërtojë me NATO-n”, shtoi tutje ai.

    Duke kërkuar bashkërendim, ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier, tha se hapja e urës në këtë moment mund të vë në rrezik ushtarët amerikanë.

    Ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, kërkoi përfillje këshillash që të shmanget një skenar si ai në Zveçan, kur me qëllim parandalimin e përshkallëzimit, KFOR-i hyri në mes protestuesve të dhunshëm serbë dhe policisë së Kosovës.

    Deri në marrjen e kontrollit të situatës, si pasojë e lëndimeve, disa ushtarë humbën gjymtyrët e poshtme.

    Në një rast tjetër, në Dhjetor 2022, KFOR-i kishte marrë kontrollin e plotë në pikën kufitare në Jarinjë, duke vendosur tela gjembor, derisa dhjetëra metra nga aty – në territorin e Serbisë – një grup ekstremistësh provoi të futej në Kosovë./atvlive.tv

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Hyn në fuqi udhëzimi administrativ që i hap rrugë MPB-së që të shfrytëzojë pasurinë e Millan Radojiçiqit

    Hyn në fuqi udhëzimi administrativ që i hap rrugë MPB-së që të shfrytëzojë pasurinë e Millan Radojiçiqit

    PËRGATITI: NORA LUTA

    Udhëzimi administrativ që i hap rrugë Ministrisë së Punëve të Brendshme, që të shfrytëzojë vilën milionëshe buzë liqenit të Ujmanit, banesën dhe restorantin në Mitrovicë të Veriut të MIlan Radojicicit, organizatorit të sulmit në Banjskë, tashmë ka hyrë në fuqi.

    Megjithatë MPB-ja, vazhdon të jetë e mbyllur sa i përket dhënies së informacioneve se kur dhe për çfarë do të shfrytëzohet vila nga Policia e Kosovës.
    Jozyrtarisht ATV-së i është thënë se kryesisht vetëm oborri i vilës do të mund të shfrytëzohet për logjistikë.

    Ndërkohë njohës të sigurisë thonë se vila, u shfrytëzua për poenë politikë nga ministri Xhelal Sveçla. Sipas tyre ajo nuk i përmbush kushtet që të shfrytëzohet si stacion policor.

    Njësitë speciale do të qëndrojnë për të ofruar siguri, sipas kërkesave të menaxhmentit të Policisë.

    Udhëzimi, të cilit i është shtuar vetëm një nen, ai 21/A do të mundësojë dhënien me qira, dhe shitjen e pasurisë së paluajtshme, pa ankand publik, kur kërkesa për shfrytëzim do të jetë nga një institucion shtetëror edhe në rastet e tjera.

    Në maj të këtij viti, Gjykata e Prishtinës dha pëlqimin për dhënien me qira të pasurisë së sekuestruar të të dyshuarit kryesor për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, Radojicic, deri në një vendim përfundimtar./atvlive.tv./

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Presidentja Osmani cakton datën 9 shkurt për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare

    Presidentja Osmani cakton datën 9 shkurt për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar datën 9 shkurt për mbajtje të zgjedhjeve të rregullta për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

    Përmes dekretit zyrtar, të nënshkruar nga presidentja, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve udhëzohet t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve.

    Vendimi i presidentes vjen dy javë pas takimit që pati me krerët e partive politike, takim ky i cili u mbajt pa prezencën e LV-së.

  • EULEX: Hapja e urës në Ibër është çështje dialogu, situata në veri është stabile por e brishtë

    EULEX: Hapja e urës në Ibër është çështje dialogu, situata në veri është stabile por e brishtë

    Qëndrimi i BE-së për hapjen e urës në Ibër është se është çështje e dialogut dhe se çdo vendim për hapjen duhet të merret në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tha sot EULEX-i për Tanjug.

    “Diskutimet janë duke vazhduar, dhe Bashkimi Evropian është duke bashkëpunuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e pyetjes së Tanjug për gjendjen në urën në Mitrovicë dhe nëse EULEX-i ka folur me dikë nga Qeveria e Kosovës për çfarë po planifikojnë dhe se a mund ta ndryshojnë vendimin për hapjen e urës.

    BE-ja ka deklaruar vazhdimisht se çështja e urës duhet të diskutohet në kuadër të dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe ka paralajmëruar se do të jetë temë në takimin e ardhshëm në Bruksel.

    Kosova ka paralajmëruar hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, ndonëse Beogradi dhe serbët në veri të Kosovës janë kundër, duke theksuar se kjo kërcënon sigurinë dhe mbijetesën e serbëve.

    Kundër hapjes së urës në Ibër për momentin janë edhe KFOR, ShBA, QUINT-i dhe OSBE, të cilët besojnë se kjo çështje duhet të jetë pjesë e dialogut ndërmjet dy palëve.

  • Kufizimi i orarit të punës, Inspektorati shqipton 6 gjoba për mosrespektim të vendimit të MSh-së

    Kufizimi i orarit të punës, Inspektorati shqipton 6 gjoba për mosrespektim të vendimit të MSh-së

    Gjashtë gjoba janë shqiptuar deri më tani për mosrespektim të vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për kufizim të orarit të punës. Inspektorati Qendror i Punës ka identifikuar raste ku punëtorët e sektorit të ndërtimtarisë kanë vazhduar punën edhe në temperatura të larta. Kryeinspektori i Punës, Hekuran Nikçi bën të ditur se në kundërshtim me vendimin e qeverisë, kanë identifikuar edhe dy raste të shtatzënave dhe një me sëmundje kronike të cilët nuk janë liruar nga puna. Megjithatë, ai konsideron se ky vendim po gjen zbatim.

    Për herë të dytë, Ministria e Shëndetësisë ka marrë vendim për rikthimin e kufizimit të orarit të punës nga 14 deri më 17 gusht.

    “Vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë për ndalimin e punës nga ora 11:00 deri në orën 16:00, si rezultat apo preventivë e sëmundjeve shëndetësore që mund të pasojnë punëtorët nga kjo valë e të nxehtit që po mbizotëron në vendin tonë, mund të them plotësisht që po gjen zbatim. Ky është vendimi i dytë këtë vit i Ministrisë së Shëndetësisë për reduktimin e orëve të punës për punëtorët që janë të ekspozuar ndaj diellit në ndërtimtari, gratë shtatzëna dhe punëtorët e tjerë kronik”…Për këtë periudhë 14-17 gusht, apo tash për dy ditë e para të zbatimit të këtij vendimi mund të themi se kemi shumë pak raste të identifikuara dhe shumë pak ankesa që kemi pranuar në Inspektoratin e Punës për t’i trajtuar ato. Dhe si rezultat i kësaj mund të them se ky vendim po gjen zbatim”, deklaron Nikçi.

    Në gjithë Kosovën për dy ditë janë shqiptuar gjashtë gjoba për mosrespektim të këtij vendimi.

    “Rastet që Inspektorati i Punës ka identifikuar ku është shkelur ky vendim janë të pakta dhe mund të themi se në rajonin e Pejës është evidentuar për këto dy ditë, 14 dhe 15 gusht, vetëm një rast në ndërtimtari. Në rajonin e Ferizajt gjithashtu është evidentuar vetëm një rast në ndërtimtari. Në rajonin e Gjilanit janë evidentuar tri raste, dy gra shtatzëna dhe një punëtor me sëmundje kronike dhe në rajonin e Prizrenit vetëm një rast në ndërtimtari. Në rajonet e tjera, pavarësisht vëzhgimit që inspektorët e punës po bëjnë çdo ditë në mbikëqyrje të implementimit të zbatimit të këtij vendimi nga subjektet juridike, nuk ka raste të evidentuara”, shton ai.

    Kryeinspektori i Punës, Hekuran Nikçi thekson për KosovaPress se në kryeqytet janë inspektuar 12 subjekte, por që nuk kanë vërejtur shkelje.

    “Nga këto gjashtë raste që i përmenda që janë evidentuar në këto katër rajone, do të thotë për këto dy ditë, 14 dhe 15 gusht, kryeson ndërtimtaria…Kemi pasur raste në Prishtinë ku janë inspektuar 12 subjekte dhe nga këto 12 subjekte janë konstatuar që në këto subjekte ka pasur gra shtatzëna dhe punëtorë me sëmundje kronike por punëdhënësit i kanë liruar nga puna sipas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë”, përfundon ai.

    Vendimi për kufizim të orarit të punës është marrë për shkak të temperatura të larta, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve.

  • Rama prezanton projektin, kështu do të duket sheshi “Xhorxh Bush” në Prishtinë

    Rama prezanton projektin, kështu do të duket sheshi “Xhorxh Bush” në Prishtinë

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka zbuluar projektin për sheshin “Xhorxh Bush” në kryeqytet.

    Rama ka thënë se thirrja për operatorët ekonomi është hapur dhe se ky projekt përfshinë edhe transformimin e sheshit “Zahir Pajaziti” dhe të hapësirave përreth.

    “Kështu do të duket Sheshi Xhorxh Bush. Thirrja për operatorët ekonomik tanimë është hapur. Projekti i reviduar përfshin edhe transformimin e Sheshit Zahir Pajaziti dhe të hapësirave përreth. Vizioni ynë për Prishtinën me qytetarin prioritet po vazhdon”, ka shkruar Rama.

  • LV: Është e pranueshme cilado datë që e cakton presidentja për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare

    LV: Është e pranueshme cilado datë që e cakton presidentja për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare

    Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se cilado datë që vendoset për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare, është e pranueshme për këtë parti.

    Kështu ka deklaruar sot deputetja e VV-së, para mediave pas një konference që ky subjekt politik kishte për çështjen e subvencionimit të librave shkollor.

    “Ne e kemi thënë vazhdimisht që kemi qenë të gatshëm për zgjedhje dhe sidomos tani që jemi në gjashtëmujorin e fundit të qeverisjes, për neve data e përcaktuar nuk është shumë e rëndësishme, sa është e rëndësishme gatishmëria për të marrë pjesë në zgjedhje. Kjo i mbetet pastaj presidentes për ta caktuar. Ne kemi dërguar normalisht propozimin tonë, vendimi përfundimtar sigurisht që i takon presidentes. E kemi dërguar propozimin, por cilado datë që vendoset nga presidentja është e pranueshme”, deklaroi ajo para mediave.

    Kujtojmë se siç u raportua sot, Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar 2 shkurtin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta parlamentare.

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani konfirmoi dje se Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit kryeministër, Albin Kurti, i cili nuk mori pjesë në takimin konsultativ, ia ka dërguar tashmë me shkrim datën e preferuar nga subjekti i tij për mbajtjen e zgjedhjeve.

    “Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëkohësisht kryeministër më ka njoftuar me shkrim lidhur me datën e preferuar të Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Osmani, pa treguar se cili ka qenë propozimi i Kurtit.

    Ndërsa, në anën tjetër, partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK, si datë për zgjedhjet e kanë dhënë 26 janarin.

    Ditë më parë, e para e shtetit priti në takim kryetarët e partive politike parlamentare për konsultimin për caktimin e datës së zgjedhjeve. Presidentja Osmani bëri të ditur se sipas Ligjit, janë katër data, 26 janari, 2, 9 dhe 16 shkurti, pasi parashihet që ato të mbahen të dielave.

    “Sipas Ligjit, janë katër data për zgjedhje, 26 janari, 2 shkurti, 9 shkurti dhe 16 shkurti, duke qenë që e parasheh Ligji vetëm të dielave. Diskutimi ishte vetëm në kontekst të këtyre datave. Nuk kishte insistim të tepërt, kishte preferenca. Disa parti preferojnë 26 janarin, disa të tjera 9 shkurtin, dhe 16 shkurtin, dhe kishte nga ato që s’kishte preferencë, se cilado datë ju përshtatej”, kishte deklaruar Osmani pas takimit.

    Pas takimit, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi bëri të ditur se Osmanit i ka propozuar 26 janarin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të vitit 2025.

    Ashtu si PDK, edhe LDK-ja e ka parë më të përshtatshëm 26 janarin për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve të rregullta.

    Propozimi i njëjtë për datë erdhi edhe nga kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj. Sipas tij, 26 janari është data e parë në përputhje me afatet ligjore.