ATV

Category: Lajme

  • Vdes një i burgosur në Spitalin e Gjilanit

    Vdes një i burgosur në Spitalin e Gjilanit

    Një i burgosur që ishte dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Gjilan ka vdekur dje.

    I ndjeri ka pasur probleme shëndetësore dhe për një kohë të gjatë është trajtuar edhe brenda Qendrës së Paraburgimit në Gjilan.

    Lajmin e ka konfirmuar Shërbimi Korrektues i Kosovës.

    “Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Departamenti Shëndetësor i Burgjeve njoftojnë opinionin publik se sot, në Spitalin Rajonal të Gjilanit, ka ndërruar jetë i burgosuri A.F.

    I ndjeri, po trajtohej për një kohë të gjatë në Stacionarin Shëndetësor të Qendrës së Paraburgimit Gjilan për probleme kardiologjike paraprake, ai kishte të vendosura stenta dhe ishte nën mbikëqyrjen e kardiologëve, duke u trajtuar sipas rekomandimeve të tyre.

    Organet kompetente janë duke zhvilluar procedurat ligjore të nevojshme, ndërsa autopsia do të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes.”

  • Moti sot me diell, temperaturat deri në 31 gradë Celsius

    Moti sot me diell, temperaturat deri në 31 gradë Celsius

    Sot në Kosovë parashihet të mbajë mot me diell dhe me vranësira të pakta, më të fokusuara rreth relievit malor.

    Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat maksimale do të arrijnë deri në 31 gradë Celsius.

    Minimalet do të lëvizin nga 13 deri në 17 gradë Celsius.

    “Do të mbajë mot me diell dhe vranësira të pakta, më të fokusuara rreth relievit malor, ku atje mund të ketë edhe ndonjë rigë e izoluar shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 13-17 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 27-31 gradë Celsius. Do të fryjë erë kryesisht nga veriperëndimi me shpejtësi 1-6m/s”, thuhet në njoftimin e IHMKS-së.

  • Kurti kërkon nga ShBA-ja t’i bëjë trysni Beogradit për dorëzimin e Radoiçiqit

    Kurti kërkon nga ShBA-ja t’i bëjë trysni Beogradit për dorëzimin e Radoiçiqit

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga ShBA që të bëjnë trysni mbi Beogradin zyrtar për arrestimin e Millan Radoiçiqit. Kërkesën, Kurti e ka bërë gjatë takimit me senatorin Chris Murphy në Amerikë, në margjina të Konventës Kombëtare Demokratike.

    Pos kësaj, kryeministri ka theksuar përkushtimin e Kosovës në zbatimin në plotni të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues të Ohrit.

    Ai shtoi se për t’u zbatuar marrëveshja, nevojitet pranimi i saj edhe nga ana e Serbisë, duke e nënshkruar atë si dëshmi e garanci të angazhimit në zbatimin e marrëveshjes

    “Në lidhje me dialogun me Serbinë, kryeministri theksoi përkushtimin e Kosovës në zbatimin në plotni të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues të Ohrit. Ai shtoi se për t’u zbatuar marrëveshja, nevojitet pranimi i saj edhe nga ana e Serbisë, duke e nënshkruar atë si dëshmi e garanci të angazhimit në zbatimin e marrëveshjes”.

    “Kryeministri Kurti nënvizoi se Serbia duhet të tërheqë letrën e dërguar drejt Bashkimit Evropian nga ana e ish-kryeministres Brnabiq dhjetorin e vitit të kaluar, përmes së cilës shprehet refuzimi dhe tërheqja nga marrëveshja nga ana e Serbisë. Serbia duhet të kthehet te marrëveshja dhe ta respektojë atë në mënyrë që e njëjta të zbatohet. Nuk ka zbatim të marrëveshjes sepse para së gjithash nuk po ka respektim të saj”, thuhet në komunikatë.

    “Tash kur po bëhen 11 muaj të vrasjes së rreshterit tonë policor Afrim Bunjaku në Banjskë të Zveçanit, është koha e fundit që kryekrimineli Millan Radojçiq t’i dorëzohet autoriteteve të drejtësisë së Kosovës dhe për këtë Kurti kërkoi që ShBA-të të bëjnë trysni mbi Beogradin zyrtar”, thotë komunikata zyrtare.

  • Vrasja në “Kodrën e Trimave”, Prokuroria kërkon paraburgim ndaj të dyshuarës

    Vrasja në “Kodrën e Trimave”, Prokuroria kërkon paraburgim ndaj të dyshuarës

    Prokuroria Themelore e Prishtinës ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore të Prishtinës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarës N.M për vrasjen e një burri me armë zjarri në mbrëmjen e së martës në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë.

    Lajmin për “Betimi për Drejtësi”, e ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj.

    “Lidhur me rastin e vrasjes së rëndë në rrugën “Ismet Krasniqi” në Prishtinë iu njoftojmë se prokurorja kujdestare nga Departamenti për Krime të Rënda, ka dalë në vendin e ngjarjes, nga aty ne bashkëpunim të plotë me policinë e njësitë relevante kanë marrë veprime hetimore, me qëllim të ndriçimit të rrethanave të kësaj ngjarjeje”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

    Prokuroria njofton se me urdhër të Prokurorisë, trupi i pajetë është dërguar në IML, për obduksion, ndërsa e dyshuara (56 vjeçe) është dërguar në mbajtje, për shkak të veprës penale “Vrasja e rënde”, sipas KPRK-se, si dhe është sekuestruar arma, si mjet i kryerjes së veprës penale.

    “Nga hetimet preliminare, dyshohet se motivi i kryerjes së këtij akti janë problemet familjare, megjithatë rezultatet nga hetimi do t’i sqarojnë të gjitha rrethanat e këtij rasti”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë”, ka deklaruar Prokuroria.

    Po ashtu bëhet e ditur se Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarës, pranë gjykatës kompetente.

    Lidhur me rastin përmes raportit 24-orësh të së mërkurës po ashtu Policia e Kosovës ka njoftuar se në vendngjarjen e vrasjes në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë është sekuestruar një pistoletë me të cilën dyshohet se është kryer vrasja.

    Në këtë vend janë gjetur 10 gëzhoja dhe katër predha. Është sekuestruar edhe një karikator me tre fishekë. Po ashtu gjatë kontrollit janë gjetur edhe 27 fishekë.

    “Vrasje e rëndë. Prishtinë / 20.08.2024 – 19:00. Lidhur me rastin njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë gjetur trupin e pajetë të viktimës mashkull kosovar si dhe janë gjetur 10 gëzhoja dhe katër predha. Në cilësi të provave materiale është sekuestruar një pistoletë me të cilën dyshohet se është kryer vrasja, një karikator me 3 fishekë. Me vendim të prokurorit i cili ka qenë prezent në vendin e ngjarjes trupi i pajetë i viktimës është dërguar në obduksion, po ashtu gjatë kontrollit janë gjetur edhe 27 fishekë që janë sekuestruar në cilësi të provave materiale. E dyshuara me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

  • IKShPK: Në dy javët e fundit janë raportuar tre të vdekur dhe mbi 600 të infektuar nga COVID-19

    IKShPK: Në dy javët e fundit janë raportuar tre të vdekur dhe mbi 600 të infektuar nga COVID-19

    661 raste pozitive dhe tre persona kanë humbur jetën nga COVID 19 përgjatë dy javëve të fundit në Kosovë.

    Kjo u bë e ditur nga IKSHPK-ja përmes një postimi në Facebook, teksa kanë njoftuar se nga 661 raste pozitive me Covid-19, prej tyre grupmosha më e prekur janë nga mosha 50-59.

    “Vaksinimi vazhdon të jetë masa mbrojtëse me efikase kundër COVID-19 dhe gripit, veçanërisht ndaj formave të rënda të sëmundjes. Mbrojtja përmes vaksinës e individëve në rrezik të lartë të rezultateve të rënda (si p.sh. të moshuarit) mbetet i rëndësishëm”, thuhet në njoftim.
    Po ashtu, IKSHPK ka njoftuar se në dy javët e fundit të muajit gusht respektivisht nga 7 deri me 20 gusht janë raportuar tri raste të vdekjes me COVID-19 dhe 661 raste pozitive.

  • Reagim nga Presidenca: Zotëria i parë s’ka kërkuar mbrojtje të afërt, ajo i ofrohet familjes së presidentes sipas ligjit

    Reagim nga Presidenca: Zotëria i parë s’ka kërkuar mbrojtje të afërt, ajo i ofrohet familjes së presidentes sipas ligjit

    Presidenca e Kosovës ka thënë se zotëria i parë, Prindon Sadriu nuk ka kërkuar mbrojtje të afërt nga Policia e Kosovës, por ajo i takon në përputhje me ligjin dhe vlerësimet e sigurisë.

    Në një reagim të lëshuar sot, Presidenca thotë se gjatë ditëve të fundit ka pasur vazhdimisht kanosje, kërcënime dhe nxitje dhune virtuele ndaj Presidentes dhe familjes së saj të ngushtë, të cilat janë deponuar dhe janë duke u trajtuar nga Policia e Kosovës.

    “Zotëria i parë nuk ka kërkuar mbrojtje të afërt. Mbrojtja e afërt i ofrohet familjes së presidentes në përputhje me ligj dhe me vlerësimet e rrezikshmërisë.

    Pika 4.3 e procedurave standarde të operimit të njësisë për vlerësimin e kërcënimit dhe rrezikut parashohin me automatizëm nivelin e lartë të rrezikshmërisë, i cili i takon Presidentes së Kosovës dhe familjes së ngushtë të saj.

    Gjatë ditëve të fundit ka pasur vazhdimisht kanosje, kërcënime dhe nxitje dhune virtuele ndaj presidentes dhe familjes së saj të ngushtë, të cilat janë deponuar dhe janë duke u trajtuar nga Policia e Kosovës. Zotëria i parë personalisht nuk ka kërkuar asgjë. Vlerësimet e sigurisë i bëjnë institucionet e sigurisë”, thuhet në reagimin e Presidencës së Kosovës.

  • Turqia ndan 1 milion dollarë për FSK-në

    Turqia ndan 1 milion dollarë për FSK-në

    Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se zyrtarisht ka pranuar vendimin e Qeverisë së Republikës së Turqisë, e cila ka ndarë 1 milon dollarë amerikan donacion për ngritjen e kapaciteteve ushtarake të FSK-së.

    Maqedonci ka thënë se ky donacion është pjesë e programit të mbështetjes së jashtme ushtarake të qeverisë turke.

    “Marrëdhëniet mes dy vendeve tona kanë qenë gjithnjë në nivelet më të larta dhe kontributi i Republikës së Turqisë në ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës ka qenë i vazhdueshëm si në aspektin e trajnimeve, ashtu edhe në atë të pajisjeve ushtarake”– theksoi ai përmes një postimi në Facebook.

    Gjithashtu, ai falënderoi Republikën e Turqisë për donacionin duke vënë në theks të veçantë besimin e dyanshëm mes Kosovës dhe Turqisë.

    Ai shtoi se Turqia si shtet mik mbetet njëri nga partnerët strategjikë më të rëndësishëm për Republikën e Kosovës.

  • Scholz në Moldavi, lufta në Ukrainë në fokus të bisedimeve

    Scholz në Moldavi, lufta në Ukrainë në fokus të bisedimeve

    Kancelari gjerman, Olaf Scholz, qëndron më 21 gusht në Moldavi, ish-republikën sovjetike që gjendet në kufi me Ukrainën dhe e ndien kërcënimin nga pushtimi i nisur nga Rusia ndaj shtetit fqinj.

    Scholz do të takohet me presidenten e Moldavisë, Maia Sandu, dhe kryeministrin moldav, DorinRecean, në Kishiniev.

    Bisedat do të fokusohen kryesisht në ndikimin e luftës së Rusisë ndaj Ukrainës në këtë shtet të vogël me 2.6 milionë banorë.

    Qeveria e Moldavisë, që synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, ka akuzuar Rusinë për dezinformim dhe destabilizim. Që nga vitet ’90, ushtarët rusë janë të stacionuar në rajonin e shkëputur të Transnistrisë, një rrip i ngushtë toke në lindje të Republikës.

    Scholz vizitoi Moldavinë vitin e kaluar në kuadër të një samiti evropian. Megjithatë, kjo vizitë është vizita e parë bilaterale që një kancelar gjerman ka zhvilluar në këtë shtet në 12 vjetët e fundit.

    Gjermania ka mbështetur me mbi 41 milionë euro sektorin e sigurisë së Moldavisë që nga viti 2018, sipas Qeverisë gjermane. Berlini është donatori i pestë më i madh i Moldavisë, që është një prej shteteve më të varfra në Evropë.

    Si Ukraina, Moldavia është shtet kandidat për anëtarësim në BE që nga viti 2022.

    Votuesit në Moldavi më 20 tetor do të votojnë në zgjedhjet presidenciale. Qytetarët po ashtu do të votojnë në një referendum nëse shteti duhet të anëtarësohet në BE, në mënyrë që ky synim të përfshihet në Kushtetutë.

  • Gazë – rritet numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite

    Gazë – rritet numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite

    Ministria e Shëndetësisë në Gaza ka njoftuar se brenda 24 orëve të fundit, 50 palestinezë u vranë dhe 124 të tjerë u plagosën nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës.

    Sipas deklaratës të tyre, ushtria izraelite ka kryer “4 masakra” në pjesë të ndryshme të Rripit të Gazës ku edhe kanë humbur jetën viktimat.

    Numri i të vrarëve në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, në përgjithësi është rritur në 40.223 ndërsa numri i të plagosurve në 92.981.

    Ende ka njerëz të vdekur nën rrënoja dhe përreth rrugëve, por ekipet mjekësore dhe zyrtarët e Mbrojtjes Civile nuk mund të arrijnë tek trupat për shkak të pengesës së forcave izraelite, transmeton Anadolu.

  • Hovenier: Po sfidohemi me Kurtin, shpresojmë t’i kthehet angazhimit të ngushtë dhe konstruktiv me ShBA-në

    Hovenier: Po sfidohemi me Kurtin, shpresojmë t’i kthehet angazhimit të ngushtë dhe konstruktiv me ShBA-në

    Presidentja Vjosa Osmani dhe Mary Elieen Devitt në emër të USAID-it sot kanë nënshkruar marrëveshjen e grantit për objektivat zhvillimore në vlerë prej 34.5 milionë dollarësh.

    Pas kësaj marrëveshje, presidentja dhe ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, mbajtën një konferencë për media për të treguar përfitimet që kanë qytetarët nga këto fonde.

    Duke thënë se populli amerikan është krenar që mund të ofrojë këtë mbështetje, Hovenier këtu përmendi sërish marrëdhëniet e SHBA-së me Qeverinë Kurti.

    “Është e rëndësishme që ta sqaroj një çështje që disa na kanë thënë se është e pakuptimtë. Shumë prej jush keni parë raportime në media për disa dallime tashmë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe anëtarëve të tjerë të bashkësisë ndërkombëtare me Qeverinë e Kosovës të drejtuar nga Albin Kurti me disa veprime të saj dhe zgjedhje politike të saj. Siç kam thënë, po sfidohemi me Qeverinë e tanishme të Kosovës që kanë ndikuar në cilësinë e partneritetit tonë”.

    Hovenier citoi edhe zëdhënësin e Departamentit të Shtetit, Mathew Miller.

    “Ashtu siç tha zëdhënësi këtë muaj: Qeveria amerikane shpreson që Qeveria e Kosovës do t’i kthehet angazhimit të ngushtë dhe konstruktiv me SHBA-në, BE-në, NATO-n dhe partnerët e tjerë të ngushtë ndërkombëtarë të Kosovës”.

    “Por, edhe disa fusha të bashkëpunimit me qeverinë e tanishme të Kosovës mbesin më pak pozitive se që do të kishim shpresuar, përkushtimi i SHBA-së ndaj popullit të Kosovës mbetet po aq i fortë dhe i hekurt si gjithmonë. Ngjarja e sotme dhe përmbyllja e një marrëveshje për të ofruar gati 34.5 milionë dollarë në fonde shtesë për zhvillim për popullin e Kosovës për të mbështetur rritjen e ekonomisë, qeverisjen e mirë dhe integrimin në BE. Ky përkushtim ndaj popullit të Kosovës nuk vlen domosdoshmërish për ndonjë qeveri të caktuar apo për veprimet politike të asaj qeverie”.

    Hovenier tha se duke e përmirësuar prosperitetin për të gjithë kosovarët, këto fonde të reja do të orientohen nga veprimtaritë dhe programet që do të përforcojnë edhe më shumë ekonominë e Kosovës, mbështesin qeverisjen e mirë dhe shërbimet qeveritare më efektive për të gjithë qytetarët e Kosovës.