ATV

Category: Lajme

  • Qeveria e Kosovës mendon se mbajtja në fuqi e masave nga BE-ja është e pakuptimtë: Duhet të hiqen menjëherë

    Qeveria e Kosovës mendon se mbajtja në fuqi e masave nga BE-ja është e pakuptimtë: Duhet të hiqen menjëherë

    Qeveria e Kosovës tha se mbajtja në fuqi e masave ndëshkuese ndaj Kosovës me gjithë rekomandimin pozitiv të përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell është e pakuptimtë.

    Këshilltari i zëvendëskryeministrit Bislimi, Klisman Kadiu, tha se masat duhet të hiqen menjëherë dhe në mënyrë të plotë.

    “Masat kanë qenë të padrejta prej ditës së parë. Mbajtja ende në fuqi e këtyre masave përkundër rekomandimit pozitiv nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, z. Josep Borrell tashmë është e pakuptimtë. Ishte vetë letra e z. Borrell e 3 qershorit 2023, ajo që vendosi kushtet për vendosjen e masave ndaj Kosovës, që pasoi me marrëveshjen e Bratisllavës, dhe vetë përfaqësuesi i lartë Borrell i cili i ka propozuar fillimisht ato, ka më shumë se një muaj që ka konstatuar se të gjitha kushtet janë përmbushur dhe masat duhet të hiqen. Meqë është konstatuar përmbushja e kushteve, nuk ka nevojë as për heqje graduale, e hiç më pak për mbajtjen e tyre, por duhet largimi i plotë dhe i njëhershëm i masave”, tha Kadiu për RTV21.

    Një ditë me parë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se diskutimet e shteteve anëtare të BE-së në Këshill për raportin e përfaqësuesit të lartë, për përmbushjen e kërkesave të BE-së nga Kosova janë duke vazhduar, teksa i bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që të përmbahen nga hapat e njëanshëm dhe të pa koordinuar.

    Masat ndaj Kosovë u vunë pas tensioneve në pjesën veriore të Kosovës në kohën kur kryetarët e zgjedhur shqiptarë në katër komunat në veri u dërguan me mbështetjen e policisë së Kosovës në zyrat e tyre.

  • Abdixhiku: Më 9 shkurt, vonesat infrastrukturore marrin fund, historia rrugore do të kompletohet brenda një mandati

    Abdixhiku: Më 9 shkurt, vonesat infrastrukturore marrin fund, historia rrugore do të kompletohet brenda një mandati

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka vizituar punimet që po zhvillohen në ndërtimin e rrugës në Velani.

    Abdixhiku në Facebook ka lavdëruar punën e drejtorit komunal, Krenar Xhaferi.

    “Secili që ka marrë rrugën nga udhëkryqi i Taslixhes për në Velani e të dal sipër në Breg të Diellit apo Mat, është dashur të kalojë nëpër njërën nga katër rrugicat e lagjes – mu pranë shtëpive. Kolona të gjata, pasiguri për banorë e vonesa për secilin tjetër që s’kishte alternativë tjetër. Krenari kishte një ide. Të krijoj një rrugë të re – ngjitur me ‘SOS Fshatin’ – për tu lidhur drejtë me Mat, Breg të Diellit e përfundimisht Rrugën B, e kështu për ta shmangur nevojën e kalimit nëpër rrugicat e shtëpive”, ka shkruar ndër të tjera ai.

    Më tutje, kreu i LDK-së shkruan se më 9 shkurt vonesat infrastrukturore marrin fund edhe në Kosovë.

    “Historia rrugore e Kosovës do të kompletohet brenda një mandati të vetëm. Tjetër tempo, tjetër mendësi, tjetër angazhim”, ka përfunduar ai.

  • Macron më 29 dhe 30 gusht në Serbi, e pret Vuçiqi

    Macron më 29 dhe 30 gusht në Serbi, e pret Vuçiqi

    Presidenti francez, Emmanuel Macron, më 29 dhe 30 gusht do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Serbi.

    Kjo është bërë e ditur nga zyra për media e kreut të shtetit serb, Aleksandar Vuçiq.

    Vuçiq së fundmi, në hapjen e Shtëpisë Serbe në Paris, gjatë Lojërave Olimpike, ka paralajmëruar vizitën e Macronit.

    Vizita e kreut të shtetit francez në Beograd vjen asaj të kancelarit gjerman Olaf Scholz.

  • Kapet me mbi 6 kilogramë substancë narkotike, arrestohet një maqedonas në Prishtinë

    Kapet me mbi 6 kilogramë substancë narkotike, arrestohet një maqedonas në Prishtinë

    Një shtetas i Maqedonisë së Veriut është arrestuar në Prishtinë, pasi tek i njëjti janë gjetur gjashtë paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë.

    Sipas policisë, pesha e substancës së sekuestruar është 6.13 kilogramë, ndërsa vlera e saj është rreth 150 mijë euro.

    “Pas ndërhyrjes së Policisë së Kosovës tek personi i dyshuar janë gjetur 6 (gjashtë) paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë me peshë të përgjithshme prej 6.137.6 gramë (6 kilogramë e 137 gramë), ku vlera e substancës së dyshuar narkotike e cila është konfiskuar vlerësohet të jetë rreth 150.000 euro (njëqind e pesëdhjetë mijë euro”)”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Tutje, policia tha se lidhur me rastin, në cilësi të provave materiale janë sekuestruar dy telefona, një veturë dhe 4 mijë e 305 denarë maqedonas.

    “Të gjitha veprimet e ndërmarra dhe dëshmitë e gjetura të sekuestruara janë kryer me autorizimin e prokurorit kujdestar. Personi i dyshuar është shoqëruar për intervistim në prezencë të avokatit mbrojtës dhe me vendim të prokurorit të shtetit i dyshuari ndalohet për 48 orë, kurse dy personat e tjerë janë në kërkim policor”, thuhet në njoftim.

    Më tej, policia bëri të ditur se në një rast tjetër në Ferizaj është sekuestruar edhe një sasi e substancës së dyshuar narkotike e llojit kokainë, me peshë prej 38.62 gramë, ku vlera, sipas policisë është rreth 3 mijë e 500 euro.

    “Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar: një qese najloni me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, me peshë të përgjithshme 38.62 gramë, vlera e substancës së dyshuar narkotike vlerësohet të jetë rreth 3500 euro, para në monedhë letre 50 euro dhe 1500 kruna suedeze”.

    “Lidhur me rastin, për të gjitha veprimet është njoftuar prokurori kompetent, me urdhër të të cilit i dyshuari pas intervistimit ndalohet për 48 orë”, thuhet në njoftim.

  • MSh-ja konfirmon dorëheqjen e Naser Ramadanit nga IKShPK-ja

    MSh-ja konfirmon dorëheqjen e Naser Ramadanit nga IKShPK-ja

    Pas rreth 12 vitesh në krye të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë para një jave. Dorëheqjen e tij e ka konfirmuar Ministria e Shëndetësisë.

    Pa paraqitur asnjë arsye, profesori Naser Ramadani ka dhënë dorëheqje nga pozita e Drejtorit Ekzekutiv të Instituti Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.

    Dorëheqjen e ka dorëzuar me 14 gusht tek Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

    “Ju njoftojmë se me datën 14.08.2024, Ministri i Shëndetësisë ka pranuar dorëheqjen e Dr. Naser Ramadanit nga pozita e Drejtorit Ekzekutiv të IKShPK-së”, ka konfirmuar Ministria e Shëndetësisë për Gazetën Express.

    Arsyet që e çuan deri te ky vendim, Ramadani nuk ia ka dhënë ministrisë, për çka ka sugjeruar që përgjigja të kërkohet direkt tek ai.

    “Dr. Naser Ramadani nuk ka paraqitur arsye për dorëheqjen e tij, megjithatë, për këtë pyetje mund të kërkoni përgjigje drejtpërdrejt nga dr. Ramadani”, thuhet në përgjigje.

    Në vendin e tij, me vendim të Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitisë, si ushtrues detyre është caktuar Dr.Ardita Baraku, e cila është Specialiste e Shëndetësisë Publike në Departamentin e Mjekësisë Sociale në IKSHP.

    Gazeta Express i ka dërguar pyetje Ramadanit qysh ditën kur u raportua për dorëheqjen e tij, lidhur me arsyet, mirëpo i njëjti nuk është përgjigjur.

    Në pozitën e Drejtorit Ekzekutiv të IKSHPK’së, Ramadani ishte emëruar në 28 shtator të vitit 2012.

    Prej atëherë, ka pritur e përcjellur disa kryeministra. Ramadani e ka udhëhequr vendin gjatë pandemisë, ku bashkë me mjekun Lul Raka, kanë qenë figurat kryesore gjatë asaj periudhe.

    Gjatë asaj periudhe mbahet mend sidomos konferenca ku ishte paraqitur bashkë me ish-Presidentin Hashim Thaçi, ku u kishte kërkuar gazetarëve që të rrinë dy metra larg kreut të shtetit, atëherë.

    “Veç mbajeni distancën ju kisha lut, sidomos te presidenti, te unë afroni sa të doni, te presidenti dy metra duhet, është siguria”, u tha ai gazetarëve.

    Si Drejtor i IKSHP’së, Ramadani, në regjistrin e fundit të pasurisë, ka deklaruar se merr pagë vjetore në shumë prej 22 mijë e 863 euro.

    Përveç kësaj page, Ramadani ka deklaruar edhe të hyra të tjera. 7 mijë 524 euro ka deklaruar se i ka marrë nga Kolegji “Rezonanca” nga punët me kontratë, duke sqaruar se nuk është në listën e pagave. 117 euro i ka marrë për mentorimin e specializantëve, rreth 3 mijë euro nga konsultimet për KeA SECID, 136 euro si mëditje nga komisionet dhe mbi 6 mijë euro si pagesa neto nga Universiteti i Prishtinës, nga puna me orar të shkurtuar.

    Si para të gatshme, Ramadani ka deklaruar rreth 57 mijë euro.

  • Aksident me tre të lënduar në magjistralen Prishtinë-Pejë, njëri dërgohet në QKUK

    Aksident me tre të lënduar në magjistralen Prishtinë-Pejë, njëri dërgohet në QKUK

    Një aksident është regjistruar sot në orët e hershme të mëngjesit në magjistralen Prishtinë-Pejë.

    Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

    Në këtë aksident u përfshinë dy vetura, ku tre persona mbetën të lënduar, derisa njëri nga ta është dërguar në QKUK për trajtim.

    “Policia është njoftuar rreth orës 4:44 për një aksident në magjistralen Prishtinë-Pejë, ku janë përfshirë dy vetura dhe janë lënduar tre persona. Dy nga të lënduarit po trajtohenë në Spitalin e Pejës, ndërsa njëri prej tyre është dërguar në QKUK”, thuhet në përgjigjen e Gashit.

  • Arrestohet një zyrtar i Gjendjes Civile në Gjakovë, dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti

    Arrestohet një zyrtar i Gjendjes Civile në Gjakovë, dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti

    Policia e Kosovës ka arrestuar dje në Gjakovë një zyrtar të Gjendjes Civile, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe mit marrje.

    I dyshuari, sipas policisë, në gjendjen civile për rregullimin e një dokumenti i kishte kërkuar të holla një qytetari.

    Zyrtari në fjalë është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

  • Tre të vrarë nga një sulm izraelit në Bregun Perëndimor

    Tre të vrarë nga një sulm izraelit në Bregun Perëndimor

    Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se tre persona janë vrarë gjatë një sulmi ajror izraelit ndaj një shtëpie në Bregun e pushtuar Perëndimor.

    Në njoftim u tha se sulmi u krye gjatë natës në kampin e refugjatëve Tulkarem, një zonë banimi e ndërtuar që nga lufta e vitit 1948, në kohën e krijimit të Izraelit. Ministria palestineze e Shëndetësisë nuk tregoi nëse të vrarët ishin luftëtarë apo civilë.

    Ushtria izraelite ende nuk ka komentuar për këtë raportim të palës palestineze.

    Në Bregun Perëndimor ka pasur rritje të dhunës që nga 7 tetori, kur Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – sulmoi jugun e Izraelit, sulm që nxiti luftën në Gazë.

    Forcat izraelite kryejnë bastisje pothuajse në baza ditore në Bregun Perëndimor që shpesh nxisin përleshje të armatosura me palestinezët. Militantët palestinezë kanë kryer një sërë sulmesh ndaj izraelitëve.

    Ministria palestineze e Shëndetësisë ka thënë se të paktën 637 palestinezë janë vrarë nga izraelitët në Bregun Perëndimor që nga nisja e luftës në Gazë.

    Izraeli mori Bregun Perëndimor, Gazën dhe Jerusalemin Lindor gjatë Luftës të Lindjes së Mesme më 1967. Palestinezët duan që këto tri territore të jenë pjesë e shtetit të tyre në të ardhmen.

    Izraeli ka ndërtuar vendbanime në mbarë Bregun Perëndimor të cilat janë shtëpi e më shumë se 500.000 kolonëve hebre. Ata kanë shtetësi izraelite, ndërkaq 3 milionë palestinezë në Bregun Perëndimor jetojnë nën sundimin ushtarak izraelit, ndërkaq Autoriteti Palestinez administron qendrat e banuara.

    Ndryshe, në sulmin e 7 tetorit, Hamasi vrau afër 1.200 persona dhe rrëmbeu afër 250 të tjerë nga komunitetet në jug të Izraelit. Izraeli u kundërpërgjigj me një ofensivë ushtarake në Gazë, që deri më tani ka lënë të vrarë më shumë se 40.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë. Lufta ka detyruar shumicën e 2.3 milionë banorëve të Gazës të largohen nga shtëpitë e tyre./REL

  • Një shtetase e huaj raporton se është dhunuar në Prishtinë

    Një shtetase e huaj raporton se është dhunuar në Prishtinë

    Një femër, shtetase e huaj ka raportuar dje në Policisë se është dhunuar nga një mashkull i cili po ashtu është shtetas i huaj.

    Policia ka bërë të ditur se ka arrestuar të dyshuarin i cili është dërguar në mbajtje.

    “Ankuesja femër shtetase e huaj ka raportuar se i dyshuari mashkull shtetas i huaj kishte kryer veprën e lartcekur ndaj saj. I dyshuari është arrestuar, dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.

  • Rritet migrimi i paligjshëm në Evropë, Gjermania destinacioni kryesor

    Rritet migrimi i paligjshëm në Evropë, Gjermania destinacioni kryesor

    Migrimi i paligjshëm në Evropë u rrit ndjeshëm në vitin 2023, ndërsa Gjermania mbeti destinacioni kryesor.

    Kështu njoftoi të mërkurën Zyra Federale e Policisë Kriminale.

    Sipas shifrave të fundit zyrtare, kalimet e paligjshme të kufijve nëpër kufijtë e jashtëm të BE-së u rritën nga 326,300 në 380,200, duke shënuar shifrën më të lartë që nga viti 2016.

    Në Gjermani, Zyra Federale e Policisë Kriminale (BKA) regjistroi 266,224 raste të hyrjes dhe qëndrimit të paligjshëm në vitin 2023, më shumë se 33% rritje nga viti i kaluar.

    Shumë nga migrantët e parregullt ishin azilkërkues nga Siria dhe Afganistani.

    Në shumë raste, këto hyrje të paligjshme në Gjermani u lehtësuan nga trafikimi i qenieve njerëzore, sipas raportit të BKA.

    Nga ata të kontrabanduar në Gjermani, gati 42% vinin nga Polonia, 29% nga Austria dhe 22% nga Republika Çeke.

    Shumica e tyre udhëtuan në këmbë (37%), me furgona të vegjël (26), ose makina (24%).

    Qeveria e koalicionit të majtë-liberal të kancelarit gjerman Olaf Scholz ka qenë nën presion nga partitë opozitare për të trajtuar migrimin e parregullt, pasi autoritetet lokale po ankohen se po përballen me një krizë në ofrimin e strehimit dhe mbështetjes sociale për migrantët e sapoardhur.

    Partia e ekstremit të djathtë AfD, e cila kandidon në një platformë kundër imigracionit, ka parë rritjen e popullaritetit të saj përpara zgjedhjeve vendimtare rajonale muajin e ardhshëm në tre shtetet lindore të Gjermanisë.