ATV

Category: Lajme

  • Arrestohet një shtetase e Maqedonisë së Veriut, dyshohet për mashtrim

    Arrestohet një shtetase e Maqedonisë së Veriut, dyshohet për mashtrim

    Një shtetase e Maqedonisë së Veriut është arrestuar dje në Podujevë.

    Sipas Policisë së Kosovës, ajo dyshohet se e ka mashtruar një burrë me pagesë.

    “Podujevë 12.07.2024-15:00. Me datë 25.08.2024 është arrestuar e dyshuara femër shtetase e Maqedonisë veriore pasi që e njëjta kishte mashtruar viktimën mashkull kosovar lidhur me një pagesë. Me vendim të prokurorit e dyshuara dërgohet në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

    Po ashtu dje, një grua ka raportuar në polici se është sulmuar fizikisht nga burri i saj te hyrja e QKUK-së.

    I dyshuari është arrestuar dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt.

    “Prishtinë 25.08.2024-17:00. Viktima femër kosovare ka njoftuar se gjersa ishte tek hyrja e QKUK-së është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit lirohet në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.

  • Trupi gjykues: S’ka urdhër që të monitorohen komunikimet mes të akuzuarve dhe avokatëve

    Trupi gjykues: S’ka urdhër që të monitorohen komunikimet mes të akuzuarve dhe avokatëve

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, të hënën, kryetari i trupit gjykues, Charels Smith III njoftoi se nuk ka urdhër për monitorimin e komunikimeve në mes të akuzuarve dhe avokatëve në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Po ashtu, Smith III njoftoi se edhe Zyra e Prokurorit të Specializuar ka konfirmuar se nuk ka bërë përgjime të asnjë prej komunikimeve që mbrohen sipas Rregullores së gjykatës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Kjo deklaratë e gjykatësit erdhi gjatë një urdhri gojor në mocionin e përbashkët të mbrojtjes së katër të akuzuarve, të cilin e kishin dorëzuar më 17 qershor për mbrojtjen e privilegjit ligjor.

    “Ishte një kërkesë e përbashkët e mbrojtjes për mbrojtjen e privilegjit ligjor… më 28 qershor 2024 u përgjigj prokurori i specializuar dhe mbrojtja nuk u kundërpërgjigj. Më 16 korrik 2024, gjykatësja e vetme lëshoi vendim mbi kërkesën e mbrojtjes për garantimin e mbrojtjes së privilegjit ligjor. Trupi gjykues vëren që në vendimin e 16 korrikut dhe 24 korrikut, gjykatësi i vetëm konfirmoi se nuk kishte bërë monitorimin i komunikimeve të privilegjuara në asnjë formë, as tek vizitat personale, as të telekomunikimit, as të korrespodencës me shkrim dhe as të dokumentacionit në mes të akuzuarve dhe avokatëve të tyre në objektin e paraburgimit. Së dyti; garantojmë mbrojtjen se nuk ka asnjë urdhër për monitorimin e komunikimit të tyre në asnjë formë të akuzuarve në objektin e paraburgimit”, tha Smith III.

    Gjykatësi theksoi se tashmë është e qartë që mbrojtja e ka marrë nga organet përkatëse informacionin që duhet të merrte në këto rrethana.

    “Trupi gjykues vëren se nuk ka asnjë bazë ligjore për të bërë një garanci të atillë dhe mbrojtja mund të refuzojë një garanci të ngjashme nëse ofrohet në një rast të ngjashëm. Theksojmë se trupi gjykues nuk ka urdhëruar asnjëherë që të përgjohen komunikimet në mes të akuzuarve dhe avokatëve të tyre në objektin e paraburgimit”, tha tutje Smith III.

    Kurse urdhri i dytë me gojë kishte të bënte me dëshmitarin Stiven Russell për ndryshimin e një numri të dokumenti që i ishte prezantuar këtij dëshmitari.

    Po ashtu, Charles Smith III tha se administratorja do të nxjerrë kalendarin e seancave nga janari deri më 1 maj 2025 në këtë çështje gjyqësore.

    Avokatja e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagnedra njoftoi për një bashkë-mbrojtës të ri në ekipin e tyre, e që ishte Detoshama Alagendra.

    Kryetari i trupit gjykues njoftoi se të gjithë të akuzuarit janë të pranishëm në sallën e gjyqit.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • Digjitalizimi i domosdoshëm për rritjen e efikasitetit në dhënien e subvencioneve nga MKRS-ja

    Digjitalizimi i domosdoshëm për rritjen e efikasitetit në dhënien e subvencioneve nga MKRS-ja

    Procesi i digjitalizimit po konsiderohet i domosdoshëm në dhënien e subvencioneve nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, veçanërisht në rritjen e efikasitetit. Kështu u tha në konferencën për media të organizuar nga Instituti GAP, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), raporton EO.

    Aty u tha se kjo analizë ka ardhur pasi MKRS-ja është ministria e dytë, pas Ministrisë së Bujqësisë me buxhetin më të madh të ndarë për grante dhe subvencione dhe për këtë u tha se digjitalizimi i këtyre proceseve është domosdoshëm.

    Rrona Zhuri, koordinatore e hulumtimeve në GAP, ka thënë se 38 për qind e gjithsej buxhetit të përgjithshëm të MKRS është dedikuar për kategorinë e subvencioneve dhe transfereve.

    Ajo ka thënë se procesi i ndarjes së këtyre fondeve, duke filluar nga faza e hapjes së thirrjeve e deri në përmbylljen e projekteve, ka shfaqur sfida të ndryshme përgjatë viteve të cilat kanë pasur ndikim në efikasitetin dhe efektivitetin e subvencioneve kundrejt përmbushjes së përgjithshme të objektivave strategjike të MKRS.

    “Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) është një ndër ministritë me buxhetin më të madh të ndarë për grante dhe subvencione, me rreth 38 për qind të gjithsej buxhetit të përgjithshëm të saj të dedikuar për kategorinë e subvencioneve dhe transfereve. Megjithatë, procesi i ndarjes së këtyre fondeve, duke filluar nga faza e hapjes së thirrjeve e deri në përmbylljen e projekteve, ka shfaqur sfida të ndryshme përgjatë viteve. Këto sfida kanë pasur ndikim në efikasitetin dhe efektivitetin e subvencioneve kundrejt përmbushjes së përgjithshme të objektivave strategjike të MKRS”, ka thënë Zhuri.

    Ajo po ashtu ka përmendur edhe sfidat me të cilat përballet MKRS në këtë çështje.

    “Disa nga sfidat që janë evidentuar ndër vite janë mos funksionimi i sistemit online të Ministrisë si dhe platformës E-Kosova, humbja e dosjeve ose dokumenteve të aplikuesve nga ministria. Mungesa e transparencës gjatë proceseve të vlerësimit. Deri më tani, aplikimet janë bërë përmes dorëzimit fizik të dokumenteve ose përmes e-mailit. Si zgjidhje e duhur në këtë situatë është digjitalizimi i procesit të dhënies së granteve dhe subvencioneve nga MKRS”, ka thënë ajo.

    Besart Zhuja, hulumtues në Institutin GAP, ka thënë se ky studim bënë thirrje për digjitalizim të krejt procesit të dhënies së granteve nga hapja e thirrjeve, e deri tek vlerësimi i tyre dhe menaxhimi i zbatimit të projekteve nga ana e përfituesve.

    “Ky është një studim që ka ardhë si pasojë e nevojës për adresimin e sfidave që kanë derivuar si rezultat i problemeve të shumta në aspektin e dhënies së granteve dhe subvencioneve të përvitshme nga ana e MKRS-së. Në thelb, studimi bënë thirrje për digjitalizim të krejt procesit të dhënies së granteve nga hapja e thirrjeve, e deri tek vlerësimi i tyre dhe menaxhimi i zbatimit të projekteve nga ana e përfituesve”.

    “Përgjatë periudhës 2021-2023 janë analizuar 51 thirrje të hapura. Ato janë analizuar sistematikisht. Aty përfshihet korniza ligjore ku përfshihen ligje e rregullore, e gjithashtu janë analizuar strategjitë aktuale për trashëgimi kulturore dhe rini, derisa për sport, MKRS vazhdon mos me pas një strategji që adreson atë. Në periudhën 2021-2023 MKRS ka ndarë 17 milionë euro për 2,399 projekte për individë dhe organizata të shoqërisë civile”.

    “Ne fazën e vlerësimit përmes digjitalizimit do te krijohej një siguri me e lartë për kredibilitetin e vlerësimeve, secili anëtar i komisionit do te jepte piken në sistem pa u ndikuar nga kolegët, kjo do të mundësonte në kredibilitet të rezultateve. Në aspektin e monitorimit te zbatimit, do te lehtësohej puna e stafit të MKRS-së, dhe do të rritej transparenca dhe llogaridhënia. Një problem tjetër që e kemi vërejt është aspekti i mbylljes së projektit, dokumentacioni origjinal ka humbur ose është ngatërruar, me digjitalizim kjo do të lehtësohej”, ka thënë ai.

  • Rama: Samiti i NATO-s do të zhvillohet në Tiranë në vitin 2027

    Rama: Samiti i NATO-s do të zhvillohet në Tiranë në vitin 2027

    Samiti i NATO-s do të zhvillohet në Tiranë në vitin 2027. Kështu tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë fjalës së tij në Konferencën e Ambasadorëve në Tiranë.

    “Shqipëria vitin tjetër do të mikpresë liderët e 44 vendeve evropiane nga Britania në Ukrainë apo nga Suedia e Norvegjia në Turqi vitin e ardhshëm në Samitin e Komunitetit Politik Evropian. Sa e rëndësishme është për ne që jemi një vend i vogël që të përfaqësohemi me volumin më të lartë të ambicies dhe aftësisë për të qenë të respektueshëm, na jep mundësinë që ne të jemi mikpritës i Samitit të NATO-s vitin 2027, as që mund të imagjinoheshin vite më pare”, tha Rama, shkruan TCh, transmeton KosovaPress.

    “Tirana Diplo 2024” titullohet konferenca e Ambasadorëve, e cila nisi sot punimet në Tiranë.

    Në konferencën, e cila do të zhvillohet deri në 28 gusht, përveç kryeministrit Rama, marrin pjesë ambasadorë, krerë të posteve konsullore, si dhe janë të ftuar personalitete të shtetit shqiptar dhe të huaj.

  • Prej sot gjoba për vozitësit që nuk kanë ndërruar patentë shoferët serbë

    Prej sot gjoba për vozitësit që nuk kanë ndërruar patentë shoferët serbë

    Të premten ka përfunduar procesi i zëvendësimit të patentë shoferëve të Serbisë me shenjat e qyteteve të Kosovës në patentë të lëshuara nga Ministria e Brendshme e Kosovës.

    Nga dita e sotme, drejtuesit e automjeteve që nuk kanë ndërruar dokumentet, gjobiten nëse kapen nga policia rrugore duke drejtuar automjetet e tyre.

    Pesë muaj pas përfundimit të ri-regjistrimit të automjeteve nga targat e Serbisë në ato të Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës filloi procesin e ndërrimit të patentë shoferëve. Shoferëve u është dhënë një afat prej tre muajsh e gjysmë që t’i ndërrojnë patentë shoferët e lëshuar nga MPB-ja e Serbisë me shenjat e qyteteve të Kosovës në patentë të lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës. Fillimisht u dha afati nga 9 maji deri më 9 gusht, e më pas MPB-ja e Kosovës e zgjati procesin e zëvendësimit deri më 23 gusht. Ky afat ka skaduar të premten, kështu që nga sot vozitësit, para së gjithash në veri të Kosovës ku ka pasur më së shumti dokumente të tilla, nuk do të mund të drejtojnë më veturat e tyre nëse kanë dokumente serbe.

    Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës gjatë fundjavës ka paralajmëruar se vozitësit që nuk kanë bërë zëvendësim nuk do të mund t’i ngasin veturat e tyre dhe nga sot do të fillojnë me ndëshkimin e tyre, pasi që dokumentet e tilla konsiderohen të paligjshme në Kosovë.

    Nuk dihet se sa do të jetë shuma e gjobës dhe siç tha MPB-ja e Kosovës, këto gjoba do të caktohen nga gjykata. Procesi i shkëmbimit të patentë shoferëve ka shkuar pa probleme dhe gjatë kësaj periudhe janë shkëmbyer mbi 6.300 dokumente.

    Më së shumti kërkesa për ndërrim të patentë shoferëve janë paraqitur në veri të Kosovës, 5.574.

    Në Leposaviq ka pasur 1.944 kërkesa, në Mitrovicën e Veriut 1.536, në Zubin Potok 940 dhe në Zveçan 1.154.

  • Vrasja e Liridona Ademajt, iu vazhdohet edhe nga dy muaj paraburgimi tre të dyshuarve

    Vrasja e Liridona Ademajt, iu vazhdohet edhe nga dy muaj paraburgimi tre të dyshuarve

    Gjykata Themelore në Pristinë ka marrë vendim që t’iu vazhdojë masën e paraburgimit edhe për nga dy muaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës, dhe Granit Plavës të cilët dyshohen për vrasjen e Liridona Ademajt.

    Lajmin për KosovaPress, e ka konfirmuar bashkëpunëtorja profesionale nga zyra e kryetares së kësaj gjykate, Medina Gashi.

    “Ju informoj se të pandehurve N.M, G.P dhe K.K iu është vazhduar masa e paraburgimit për dy muaj me Aktvendimin e datës 23.08.2024, e cila masë do t’iu llogaritet nga data 26.08.2024 deri me datë 25.10.2024, nën kushtet ligjore të parapara në KPPK”, ka thënë Gashi.

    Murselit, Kokallës e Plavës, fillimisht Gjykata Themelore në Prishtinë më 3 dhjetor 2023, ua kishte caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, të cilin vendim e kishte lënë në fuqi edhe Gjykata e Apelit.

  • Elezi: Deri më tani asnjë koalicion i deklaruar zyrtarisht, afati përfundon më 30 gusht

    Elezi: Deri më tani asnjë koalicion i deklaruar zyrtarisht, afati përfundon më 30 gusht

    Subjektet politike deri të premten kanë afat t’i deklarojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), koalicionet parazgjedhore për votimet e fillim vitit të ri, ka bërë të ditur për Ekonomia Online, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

    Elezi ka thënë se pas 30 gushtit, secili subjekt politik që s’ka deklaruar koalicion deri më këtë datë do të obligohet të garojë i vetëm në zgjedhjet e 9 shkurtit.

    “Sipas ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, partitë politike të cilat janë të regjistruara në KQZ dhe të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhjet në shkurt të viti 2025 përmes koalicionit duhet ta njoftojnë KQZ, respektivisht Zyrën për regjistrim, certifikim dhe kontrollim financiar të subjekteve politike si duna të marrin pjesë në këto zgjedhje në këtë mënyre. Afati i fundit për të bërë këtë njoftim është data 30 gusht pra deri ne këtë kohë të gjitha partitë politike duhet të njoftojnë KQZ-në se në zgjedhjet e 9 shkurtit do të marrin pjesë përmes koalicionit”, ka thënë Elezi.

    Zëdhënësi i KQZ-së ka deklaruar se deri të hënën, nuk kanë pranuar asnjë koalicion.

    “Koalicioni mund të ndërtohet nga së paku dy parti politike dhe partia politike nuk mund të tërhiqet nga koalicioni pasi të jete certifikuar deri sa rezultati i zgjedhjeve të certifikohet nga ana e KQZ. Gjithashtu partia politike e cila është anëtare e koalicionit nuk mund të marr pjesë si anëtare në një koalicion tjetër, pra të partive të tjera apo edhe si parti e veçanta në procesin zgjedhor. Deri në këto momente që flasim në KQZ nuk kemi pranuar ndonjë njoftim nga ana e partive politike se do të kërkojnë certifikim në zgjedhje përmes koalicionit. Afati i fundit për të bërë këtë deklarimi është data 30 gusht”, ka thënë ai.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar 9 shkurtin 2025 si datë të zgjedhjeve të përgjithshme. Vendimi vjen pas takimit ku presidentja dëgjoi të gjitha partitë.

  • Sot lansohet projekti për subvencionimin e izolimit të shtëpive dhe pajisjeve efiçente të ngrohjes

    Sot lansohet projekti për subvencionimin e izolimit të shtëpive dhe pajisjeve efiçente të ngrohjes

    Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) do të shpallë sot thirrjen e dytë publike për projektin “Zbatimi i masave të efiçiencës së energjisë për shtëpitë individuale të banimit”.

    Lansimi i projektit do të bëhet në ora 14:30.

    Ky projekt synon të ofrojë subvencione direkte për familjet që dëshirojnë të investojnë në përmirësimin e efiçiencës së energjisë në shtëpitë e tyre.

  • Mbi 1900 gjoba trafiku për 24 orë në Kosovë

    Mbi 1900 gjoba trafiku për 24 orë në Kosovë

    Brenda një dite në Kosovë, janë shqiptuar 1 mijë e 905 gjoba trafiku nga ana e Policisë së Kosovës.

    Po në këtë vazhdë kohore, u regjistruan tri aksidente me fatalitet, 21 me të lënduar dhe me dëme materiale 51.

    24 persona u arrestuan për 24 orë, e 14 të tjerë u dërguan në mbajtje.

  • Kosova ngec në legalizimin e armëve, i referohet shifrave të 2015-s

    Kosova ngec në legalizimin e armëve, i referohet shifrave të 2015-s

    Kosova ka ngecur në legalizimin e armëve. Në mars të vitit të kaluar, Ministria e Punëve të Brendshme pati filluar vlerësimin e ligjit, por ende nuk dihet se deri ku ka shkuar ky proces sa u takon politikave të reja të legalizimit të armëve. Nga viti 2015 nuk ka pasur hulumtim të ri mbi numrin e armëve ilegale që janë në shtetin e Kosovës, por bazuar në ato të dhëna, në vendin tonë janë rreth 250 mijë armë ilegale në duart e qytetarëve.

    Draftimi i ndryshimeve ligjore për armët dhe masat ndëshkimore kanë bërë që një fushatë e nisur në vitin 2019 për legalizimin e armëve pa leje në Kosovë të mos japë rezultatet e pritura.

    Në mars të vitit të kaluar, Ministria e Punëve të Brendshme pati thënë se ka filluar vlerësimi i ligjit që ka përfshirë një grup të përbërë nga institucionet relevante.

    Ky grup do të dilte me politikat e reja të hartimit dhe legalizimit. Por, nuk dihet se deri ku ka shkuar ky proces. Në Ministri nuk iu përgjigjën pyetjeve të RTK-së për këtë çështje.

    Nga viti 2015 nuk ka pasur hulumtim të ri mbi numrin e armeve ilegale që janë në shtetin e Kosovës. Bazuar në ato të dhëna, në vendin tonë janë 250 mijë armë ilegale në duart e qytetarëve, të cilat janë shqetësim i madh për institucionet e vendit. Ndërkohë rreth 1 mijë e 500 prej tyre konfiskohen çdo vit nga Policia e Kosovës.

    Njohësi i sigurisë, Nuredin Ibishi, mendon se qytetarët nuk janë inkurajuar nga institucionet përkatëse që të legalizojnë armët.

    “Kem hile edhe na, institucionet vendore na kanë përkrah, nuk duhet me mohu atë, por vet legalizimi ka shkuar në mënyrë palidhje, pa një konsultë të duhur, pa një qasje të gjerë me qytetarët dhe sistem të shpërblim për qytetarët, siç ka ndodhë në vende të rajonit, ose vendet e ish- Jugosllavisë, pas luftërave të përgjakshme”, tha ai.

    E krejt këta armëmbajtës pa leje, për Ibishin marrin dënime tepër të ulëta për këtë vepër penale.

    “Kur flasim për pasojat, ajo janë minimale në kuptim me veprat, që janë gjegjësisht në nenet e kodit penal për armëmbajtje pa leje, ngase çdo herë ata dënohen me dënim minimal, dhe kjo i bënë të kenë guxim, që lirshëm ta përdorin armen, ta mbajnë me vete, dhe rreziku I përgjithshëm është I madh për të gjithë qytetarët”, ka deklaruar Ibishi për RTK.

    Dënimi për armëmbajtje pa leje përcaktohet sipas Kodit Penal të Kosovës, ku parashihet gjobë deri në 7500 euro. Veç tjerash, parashihet edhe dënimi me burg deri në pesë vjet për armëmbajtje pa leje.

    Bazuar në Kodin Penal, parashihet edhe dënim dy deri në dhjetë vjet burgim për posedim ilegal të katër ose më shumë armëve ose më shumë se 400 fishekëve.