ATV

Category: Lajme

  • Kurti u bën thirrje mergimtarëve të regjistrohen në e-Diaspora: Bëhuni pjesë e ndërtimit të së ardhmes së Kosovës

    Kurti u bën thirrje mergimtarëve të regjistrohen në e-Diaspora: Bëhuni pjesë e ndërtimit të së ardhmes së Kosovës

    Kryeministri Albin Kurti, u bëri thirrje qytetarëve jorezident të Kosovës, për të regjistruar përmes platformës online e-Diaspora.

    Ai gjatë thirrjes së tij përmes një video në Facebook, mërgatën e cilësoi si pjesë të pandashme të Kosovës.

    I pari i qeverisë kosovare, tha se duke u regjistruar si qytetar jorezident është mundësi për të “forcuar lidhjen” me atdheun.

    “Procesi i regjistrimit si qytetarë jo rezident të Republikës së Kosovës është mundësia juaj për të forcuar lidhjen me atdheun. Duke u regjistruar, ju bëheni pjesë aktive e ndërtimit të së ardhmes së Kosovës dhe të vetë mërgatës. Përdorni të drejtën tuaj kushtetuese dhe regjistrohuni online përmes platformës e-diaspora deri më 31 gusht 2024”, u shpreh 49-vjeçari.

    Njeriu që mbi supe e ka udhëheqjen e qeverisë, thotë se regjistrimi është i shpejtë dhe i lehtë, por me ndikim të madh.

    “E krahas platformës e-diaspora, ju mund të informoheni dhe sipas nevojës edhe të ndihmoheni për t’u regjistruar, në objektet e komunave rajonale të Kosovës, nga zyrtarët e Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Regjistrimi është i shpejtë dhe i lehtë, por me ndikim të madh. Të dhënat tuaja do të ndihmojnë në krijimin e politikave që mbështesin mërgatën, përmirësojnë shërbimet, si dhe forcojnë lidhjet kulturore dhe arsimore me atdheun”, deklaroi Kurti.

  • Zvogëlohet koha e pritjeve në pikat kufitare

    Zvogëlohet koha e pritjeve në pikat kufitare

    Është zvogëluar koha e pritjeve të mërgimtarëve në pikat kufitare për të dalë nga Kosova.

    Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, te Dheu i Bardhë ato arrijnë deri në 25 minuta.

    Sa i përket pikës tjetër kufitare, asaj në Merdarë ato janë regjistruar nga 10 deri në 20 minuta, njofton Klankosova.tv.

    Gjendje e njëjtë sikurse në Merdarë është edhe në Jarinjë ku pritjet arrijnë deri në 20 minuta.

  • Hoti: Të bëhen bashkë sindikatat për të parandaluar emërimin e anëtarit të Bordit të Trustit pa pëlqimin e BSPK-së

    Hoti: Të bëhen bashkë sindikatat për të parandaluar emërimin e anëtarit të Bordit të Trustit pa pëlqimin e BSPK-së

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se është e papranueshme që në zgjedhjen e anëtarit të Bordit të Trustit Pensional që përfaqëson punëtorët, të përzgjidhet një person që sipas evidencës së ofruar nga BSPK-ja nuk i plotëson kriteret ligjore për të qenë përfaqësues i punëtorëve në Bordin e Trustit Pensional.

    Në një postim në Facebook, ai ka ftuar të gjitha sindikatat të bëhen bashkë “për të parandaluar këtë shkelje”.

    “Shihni letrën e BSPK-së dërguar Kuvendit të Kosovës dhe anëtarëve të Komisionit për Buxhet dhe Financa. Në fakt, kjo sjellje e qeverisë nuk është asgjë e re tanimë. Gjatë mandatit të kësaj qeverie është mbytur dialogu social. Qeveria ka luftuar sindikatat me të gjitha mjetet. Puna e Këshillit Ekonomik-Social është paralizuar”.

    “Pagesat simbolike që punëtorët kanë bërë si kontribut i anëtarësisë në sindikata tani kontrollohen nga Qeveria dhe tani këto lloj pagesa janë përgjysmuar. Secili sindikalist që ka kundërshtuar qeverinë është linçuar nga zyrtarë e militantë të partisë në pushtet, të cilat linçime janë pasuar me veprime të tjera në organizatën përkatëse. Këta mashtrues që bëjnë thirrje për fuqizim të sindikatave në sektorin privat po e pengojnë me çdo formë organizimin sindikal në sektorin publik”, ka thënë Hoti.

  • Policia shqiptoi 1905 tiketa trafiku në 24 orët e fundit

    Policia shqiptoi 1905 tiketa trafiku në 24 orët e fundit

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 1905 tiketa për pjesëmarrësit e trafikut për shkak të shkeljeve të rregullave të komunikacionit.

    Sipas raportit të policisë, gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar disa aksidente në trafikun rrugor, 3 aksidente trafiku me fatalitet, 21 aksidente kanë qenë me lëndime, ndërsa 51 me dëme materiale.

    Policia njofton se janë arrestuar 24 persona, ndërkaq 14 të tjerë janë dërguar në mbajtje, kurse një person është dërguar në vuajtje të dënimit.

  • Policia gjermane: I dyshuari për sulmin në festival u dorëzua dhe e pranoi krimin

    Policia gjermane: I dyshuari për sulmin në festival u dorëzua dhe e pranoi krimin

    Policia gjermane tha mëngjesin e së dielës se një burrë 26-vjeçar është dorëzuar në polici dhe e ka pranuar se është dorasi i sulmit vdekjeprurës me thikë në një festival për shënimin e 650-vjetorit të qytetit Solingen në perëndim të vendit.

    I dyshuari për vrasjen e tre njerëzve dhe plagosjen e tetë të tjerëve të premten, u dorëzua dhe e pranoi krimin, thanë policia dhe prokuroria e Dyseldorfit në një komunikatë të përbashkët.

    “Përfshirja e këtij personi është duke u hetuar intensivisht”, thuhet në komunikatë.

    Sulmi, për të cilin e mori përgjegjësinë Shteti Islamik, ndodhi të premten në mbrëmje në festivalin ku po shënohej 659-vjetori i qytetit.

    I dyshuari është i lidhur me një shtëpi të refugjatëve në Solingen, e cila u bastis nga policia të shtunën, thanë autoritetet.

    Shteti Islamik (IS)e përshkroi e përshkroi burrin që e kreu sulmin si një “ushtar i Shtetit Islamik” në një komunikatë të publikuar të shtunën në Telegram.

    IS nuk dha dëshmi për ta mbështetur pretendimin e vet. Nuk është e qartë se çfarë lidhjesh mund të ketë pasur sulmuesi me Shtetin Islamik.

    Të shtunën, autoritetet e arrestuan një 15-vjeçar nën dyshimin se ai ishte në dijeni për sulmin e planifikuar dhe nuk i kishte njoftuar autoritetet. Policia tha se 15-vjeçari nuk është dorasi.

    Markus Caspers, prokuror nga zyra e prokurorisë publike në Dyseldorf, tha të shtunën pasdite në një konferencë se “terrorizmi” nuk mund të përjashtohet nga ky rast, sepse nuk ka motive të tjera dhe sepse viktimat nuk kanë lidhje mes vete.

    Sulmi ndodhi të premten pas orës 21:00 kur sulmuesi i theri me thikë disa persona në një shesh në qendër të qytetit.

    “Festivali i Shumëllojshmërisë”, i cili shënon përvjetorin e 650-të të qytetit, nisi të premten dhe duhej të mbahej deri të dielën.

    Solingeni i ka rreth 160.000 banorë dhe ndodhet afër qyteteve të mëdha Këln dhe Dyseldorf. /REL/

  • Vdiq në QKUK një fëmijë që u godit nga një veturë derisa ishte në biçikletë

    Vdiq në QKUK një fëmijë që u godit nga një veturë derisa ishte në biçikletë

    Një fëmijë ka vdekur në orët e para të së dielës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pasi të shtunën pasdite ishte goditur nga një veturë, në fshatin Korishë të Prizrenit.

    Sipas njoftimit të policisë të dielën, deri te aksidenti ka ardhur kur vetura ka goditur një biçikletë në të cilën ndodheshin dy fëmijë, dhe njëri prej tyre nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve.

    “Ka ndodhur një aksident trafiku ku të përfshirë kanë qenë një automjet me targa vendore me drejtues mashkull kosovar dhe një biçiklete me drejtues një fëmijë i cili ka qenë i shoqëruar me një fëmijë tjetër në cilësinë e pasagjerit. Si pasojë e aksidentit të dy fëmijët-viktimat meshkuj kosovarë kanë pësuar lëndime trupore. Njëri prej tyre është hospitalizuar në Repartin Ortopedik në Prizren, ndërsa tjetri është transferuar në QKUK . Më datë 25.08.2024-01:28 viktima e cila ka qenë në trajtim mjekësor në QKUK ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftim.

    I dyshuari për aksidentin është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit kujdestar, ndërsa trupi i pa jetë është dërguar në IML për autopsi.

  • Demaskohen statistikat dhe grafikonet imagjinare të Institucioneve Qeveritare nga World Statistics

    Demaskohen statistikat dhe grafikonet imagjinare të Institucioneve Qeveritare nga World Statistics

    World Statistics ka publikuar renditjen e vendeve më të varfra në Evropë, dhe në krye të listës është Ukraina, e cila është në luftë me Rusinë, ndërsa Kosova, pavarësisht statistikave të shpallura dhe grafikoneve optimiste nga Institucionet Qeveritare për rritje ekonomike, është renditur si vendi i dytë më i varfër në Evropë, menjëherë pas Ukrainës.

    Kosova qëndron si vendi më i varfër në Ballkan, duke u krahasuar me fqinjët e saj që janë në pozicione shumë më të mira. Kjo situatë është alarmante dhe shqetësuese.

    Ndersa, krahasimi me vendet fqinje është ky:

    • Shqipëria: 8 vende më lartë?

    • Maqedonia Veriore: 7 vende më lartë

    • Serbia: 9 vende më lartë?

    • Bosnja dhe Hercegovina: 4 vende më lartë,

    • Mali i Zi: 10 vende më lartë.

    Gjendja e rëndë ekonomike e Kosovës është pasqyruar në raportet ndërkombëtare, duke treguar jo vetëm varfëri të madhe, por edhe një tendencë përkeqësimi të mëtejshëm. Institucionet Qeveritare vazhdojnë të shpallin statistika që duken si ëndrra të bukura, por realiteti është shumë më i hidhur.

    Duhet ngritur pyetja se sa është lehtësuar vërtet jeta e qytetarëve me rritjen e proklamuar nga institucionet qeveritare? !

    Në teren, qytetarët ankohen për inflacionin dhe rritjen e çmimeve, duke përballuar me vështirësi të mëdha për të mbyllur muajin. Kjo situatë po përkeqësohet edhe më shumë nga ngulfatja e sektorit privat, ku shumë kompani po mendojnë të mbyllen ose të zhvendosin kapitalin e tyre në vendet e rajonit.

    Nga Kosova po largohen qytetarët por edhe kapitali vendor falë mungesës së stabilitetit politik, mungesës së dialogut publiko – privat, burokracis dhe nepotizmit , tentativa Qeveritare për barazi në varfëri, sanksioneve nga Bashkimi Evropian dhe raporteve shqetësuese me SHBA-të.

    Për investime të huaja mund të flasin Institucionet dhe Banka Qendrore e Kosovës por ato janë për të u dëshiruar sepse përveq investimeve në patundshmëri nga diaspora të tjera pothuajse nuk ka.

    Le të kuptohet se përballë të vërtetes qëndron vetēm e vërteta dhe se nuk ka gjysëm të vërtetë!

    Indikatori më preciz i matjes së realitetit ekonomik dhe social nē një vend është jeta dhe niveli i standardit të jetesës së qytetarëve.

    Ky raport është një sinjal SOS për marrjen e hapave konkrete për zhvillimin ekonomik të vendit dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve. Nëse nuk veprohet tani, pasojat do të jenë të pariparueshme.

  • 70 raste mund të dërgohen në Prokurori nga APK-ja për mosdeklarim të pasurisë

    70 raste mund të dërgohen në Prokurori nga APK-ja për mosdeklarim të pasurisë

    Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), Yll Buleshkaj, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se agjencia të cilën ai drejton është në fazën finale të verifikimit të 4 mijë zyrtarëve që kanë deklaruar pasurinë. Nga këto raste, rreth 70 prej tyre janë në fazën finale për të verifikuar se a i plotësojnë të gjitha kriteret për t’u dërguar në Prokurori si formë e kallëzimit penal, për shkak të shkeljeve të identifikuara.

    Ai ka thënë se janë në fazën finale që të shqiptojnë edhe 98 gjoba për zyrtarët që nuk e kanë deklaruar fare apo nuk e kanë deklaruar me kohë pasurinë.

    Buleshkaj ka thënë se brenda këtij muaji do të përfundoj verifikimi dhe do ta dihet saktë numri i rasteve që do të dërgohen në Prokurori, ku sipas tij, duke marr parasysh numrin e madh të deklarimit të zyrtarëve, numri prej 70 që mund të dërgohen në Prokurori nuk është i madh.

    “Po Agjencia është në fazën finale të përfundimit të plotë të deklarimit të pasurisë, ku kemi verifikuar rreth 4 mijë persona, nga ta janë afër 2 mijë zyrtarë publik dhe familjar të tyre, i kemi kryer verifikimin. Nga këto raste janë diku rreth 70 të cilët janë në fazën finale për të verifikuar se a plotësojnë të gjitha kriteret për të dërguar në Prokurori si formë e kallëzimit penal, për shkak të shkeljeve që janë identifikuar gjatë verifikimit që ka kryer Agjencia. Shumë shpejt po besoj brenda këtij muaji do të përfundoj dhe do ta dimë numrin e saktë të rasteve. Si përqindje nuk është numër i keq, nëse kemi pasur po them rreth 2000 zyrtarë publikë në qoftë se vetëm kemi pasur më pak se 100 nga ta kemi identifikuar lëshime, atëherë kjo është një sasi e mirë në procesin e deklarimit të pasurisë dhe jemi të kënaqur në atë aspekt, duke pasur parasysh që për herë të parë është vënë në funksion deklarimi elektorinik i pasurisë, ku ndoshta për shkak të kësaj risie ka mund të lëshohen edhe gabime të tjera”, ka thënë ai.

    Buleshkaj ka deklaruar se nga mjekët dhe profesorët, që këtë vit për herë të është dashur që të deklarojnë pasurinë, 8 nga ta nuk e kanë deklaruara, e po ashtu janë edhe 90 zyrtarë të tjerë që nuk e kanë kryer deklarimin e pasurisë në kohë, për të cilët do të shqiptohen gjoba sipas ligjit.

    “Po kanë qenë 8 nga ta të cilët nuk e kanë deklaruara, nga mjeket dhe profesorët, përveç 8 kemi pasur edhe 90 të tjerë nga grupi tjetër i zyrtarëve publik të cilët nuk e kryer deklarimin e pasurisë në kohë. Një numër i tyre ka deklaruar pas afatit, po ne jemi në fazën finale edhe për këta 98 zyrtar për ti shqiptuar gjobat ashtu siç i parasheh ligji. E shuma e gjobave është 30 për qind e pagës së tyre mujore, për të gjithë këta që nuk e kanë deklaruar në kohë apo nuk e kanë deklaruar fare do të marrin një gjobë mandatorë fillestare, e pastaj për ata që nuk e kanë deklaruar fare do të përgatitim shumë shpejt edhe kallëzimet penale”, ka thënë ai.

    Drejtori i APK-së ka thënë se këta zyrtarë do të gjobiten në bazë të pagës, ku sipas tij, në bazë të ligjit, gjoba nuk mund të tejkaloj shumën 500 euro.

    Ai ka thënë se pjesa me e madhe e zyrtarëve që do të gjobiten i takojnë institucioneve siç janë nga radhët e Policisë së Kosovës, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) si dhe nga doganat.

    “Edhe këtu jemi në fazën finale, zyrtarët janë duke punuar tash, duke marr informatat sepse në duhet ta konfirmojë se sa kanë qenë paga bazike e zyrtarëve ne muajin kur është deklaruar pasuria, ashtu siç e parasheh ligji, se sa ka qenë paga në muajin mars për ata që kanë qenë të obliguar për deklarim në mars, apo për mjekët dhe profesorët që ka qenë në muajin shkurt. Duhet të dimë saktë sa ka qenë paga pastaj të llogaritim edhe shumën të cilën duhet të paguhet në formë të gjobës. E mira për ta është se kjo shumë nuk mund të tejkaloj 500 euro, në as një rast, nëse dikush ka një pagë ku 30 për qindëshi është më shumë se sa 500 euro, ligji ka limituar gjobën në 500. Vitin e kaluar kemi shqiptuar 30 gjoba, shumica nga to janë shlyer. Vitin e kaluar e kemi parë nevojën që të kryhet verifikim më i mirë se sa ka qenë paga mujore. Jemi duke i kontaktuar të gjitha institucionet një për një ku këta zyrtarë punojnë. Ajo që kam thënë përpara po edhe tash është një numër i madh i këtyre nga 90 të cilët janë kryesisht nga dy tri institucione kryesore, janë nga policia e Kosovës një numër i madh, nga ATK një numër, kanë qenë disa nga doganat e të tjera të cilët nuk e kanë kryer për arsye te ndryshme këtë obligim në kohë”, ka thënë ai.

    Buleshkaj ka shtuar se me mjekët dhe profesorët përmbyllet kategoria e subjekteve deklaruese, ku me këto dy kategori tashmë janë 12 mijë subjekte deklaruese të cilët kryejnë deklarimin në formë të rregullt.

    “Me mjekët dhe profesorët përmbyllet si ta themi mozaiku i subjekteve deklaruese, pra më këto dy kategori ne tashmë i kemi 12 mijë subjekte deklaruese të cilëve kryejnë deklarimin në formë të rregullt. Ndërsa nga viti i ardhshëm nuk do të ketë kategori të reja që do të shtohen, tashmë jemi stabilizuar. Ky numër pritet që të jetë numër i qëndrueshëm deri sa të ndryshohet eventualisht ligji në të ardhmen”, ka thënë ai.

  • Ndalohet për 48 orë shoferja që dyshohet se e goditi për vdekje këmbësoren në rrugën Prishtinë- Fushë Kosovë

    Ndalohet për 48 orë shoferja që dyshohet se e goditi për vdekje këmbësoren në rrugën Prishtinë- Fushë Kosovë

    Policia, përmes raportit 24 orësh, ka njoftuar për aksidentin e mbrëmshëm në rrugën Prishtinë- Fushë Kosovë, ku një këmbësore u godit për vdekje.

    E dyshuara është ndaluar për 48 orë.

    “AKSIDENT KOMUNIKACIONI RRUGOR ME FATALITET- Rruga Prishtinë-Fushë Kosovë,24.08.2024-20:39. Ka ndodhur një aksident trafiku me fatalitet dhe me lëndime trupore, ku janë përfshirë një veturë me targa vendore me drejtues femër kosovare dhe një këmbësore femër kosovare. Si pasojë e lëndime të marra nga aksidenti, këmbësorja ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Ndërsa lëndime trupore ka pësuar drejtuesja e automjetit e cila është dërguar në QKUK-së për tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit kujdestar trupi i pa jetë dërgohet në IML për obduksion, ndërsa të dyshuarës- drejtueses së automjetit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.”

  • Arrestohet në Paris shefi i Telegramit, Pavel Durov

    Arrestohet në Paris shefi i Telegramit, Pavel Durov

    Shefi ekzekutiv i Telegramit, Pavel Durov është arrestuar nga policia franceze në një aeroport në veri të Parisit.

    Durov është arrestuar pasi avioni i tij privat ishte ulur në aeroportin Le Bourget, raportuan mediat franceze.

    Sipas zyrtarëve, 39-vjeçari u arrestua nën një urdhër për shkelje, të lidhura me aplikacionin popullor të mesazheve.

    Ambasada ruse në Francë ka bërë të ditur se po ndërmerr “hapa të menjëhershëm” për të sqaruar situatën, sipas agjencisë ruse të lajmeve TASS.

    Telegrami është veçanërisht i popullarizuar në Rusi, Ukrainë dhe shtetet e ish-Bashkimit Sovjetik.

    Aplikacioni u ndalua në Rusi në vitin 2018, pas një refuzimi nga Durov për të dorëzuar të dhënat e përdoruesit.

    Por ndalimi u anulua në vitin 2021.

    Telegrami renditet si një nga platformat kryesore të mediave sociale pas Facebook, YouTube, WhatsApp, Instagram, TikTok dhe Wechat.

    Durov themeloi Telegramin në vitin 2013 dhe u largua nga Rusia në vitin 2014 pasi refuzoi të përmbushte kërkesat e qeverisë për të mbyllur komunitetet e opozitës në platformën e tij të mediave sociale VKontakte, të cilën ai e shiti.