ATV

Category: Lajme

  • “Fillimi i vitit shkollor”, Policia del me apel për shoferët që të kenë kujdes maksimal pranë shkollave

    “Fillimi i vitit shkollor”, Policia del me apel për shoferët që të kenë kujdes maksimal pranë shkollave

    Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, policia e Kosovës apelon pjesëmarrësit në trafik për një përgjegjësi të shtuar.

    Përmes një postimi në Facebook, policia thotë se në zonat pranë shkollave dhe ku janë vendosur tabelat njoftuese si “Kujdes shkolla” dhe “Këmbësorë”, është jetike që të gjithë të tregojnë maksimal.

    Tutje, policia kërkon të tregohet kujdes i veçantë për fëmijët që shkojnë në shkollë për herë të parë.

    “Këta fëmijë janë më të pafajshëm dhe më të papërvojë në rrugë, ndaj është detyra jonë të sigurojmë që udhëtimi i tyre drejt shkollës të jetë sa më i sigurt dhe i mbrojtur”, thotë policia.

  • Lajçak: Është iluzion të mendosh se me Kallas do të ketë proces të ri dhe marrëveshje të re Kosovë-Serbi

    Lajçak: Është iluzion të mendosh se me Kallas do të ketë proces të ri dhe marrëveshje të re Kosovë-Serbi

    Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka deklaruar se nuk beson se do të ketë marrëveshje të re në dialogun Kosovë-Serbi gjatë udhëheqësisë së re të Bashkimit Evropian. Ai tha se është iluzion të besohet se me përfaqësuesin e ri të Lartë të BE-së, papritur do të ketë një proces të ri.

    Lajçak tha se në marrëveshjen e Ohrit, kanë punuar mendjet më të ndritura dhe se mbështetet plotësisht nga të 25 vendet antarë.

    Ai tha se palët duhet të zbatojnë për atë që kanë rënë dakord dhe se sa ma shpejt ta kuptojnë këtë, aq më mirë.

    “Dhe përsëri, nuk mendoj që do të ketë një marrëveshje të re. Sepse nëse do të kishte një marrëveshje më të mirë, dikush do ta kishte propozuar. Janë mendjet më të ndritura që kanë punuar për këtë marrëveshje. Kjo marrëveshje mbështetet plotësisht nga Shtetet e Bashkuara, nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe në veçanti nga Gjermania, Franca dhe Italia. Pra, është përsëri një iluzion të besosh se me përfaqësuesin e ri të Lartë [të BE-së], papritur do të ketë një proces të ri. Parametrat kryesorë nuk do të ndryshojnë. Dhe për këtë arsye, pacta sunt servanda – ajo që është rënë dakord duhet të zbatohet – është parimi bazë. Dhe sa më shpejt ta kuptojmë këtë, aq më mire”, ka deklaruar Lajçak në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.

    Lajçak tha se parametrat bazw të këtij procesi nuk do të ndryshojnë.

    “Shiko, parametrat bazë nuk do të ndryshojnë. Parametrat bazë të këtij procesi janë të njohura mirë. Dhe natyrisht, këtu përfshihet fakti që komuniteti serb në Kosovë duhet të jetë në gjendje ta ruajë identitetin e vet, të ndihet i sigurt dhe i mbrojtur, të ketë marrëdhënie institucionale me Serbinë në përputhje me standardet evropiane dhe brenda kornizës ligjore të Kosovës. Le të jemi shumë të qartë për këtë. Dhe, në këmbim, Serbia duhet t’i përmbushë të gjitha elementet e normalizimit të marrëdhënieve”, ka thënë Lajçak.

  • Borrell kërkon që Ukrainës t’i hiqen kufizimet në përdorimin e armëve

    Borrell kërkon që Ukrainës t’i hiqen kufizimet në përdorimin e armëve

    Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, u bëri thirrje aleatëve perëndimorë të Ukrainës që t’i heqin kufizimet në përdorimin e armëve, duke thënë se Kievi ka të drejtë t’i sulmojë vendet nga të cilat sulmohet.

    Duke folur në Bruksel, përpara një takimi jozyrtar të ministrave të Mbrojtjes të BE-së, Borrell tha se është “absurde” të thuash se sulmet në territorin e Rusisë, do të nënkuptonin luftë direkte kundër Moskës.

    “Askush nuk dëshiron” një luftë me Rusinë, tha ai.

    “Por, vendoseni veten në vendin e ukrainasve: Rusët po ju bombardojnë nga një vend ku nuk mund të arrini. Ju dëshironi të luftoni si të barabartë”, tha ai, duke shtuar se për ta bërë këtë, Ukraina duhet të jetë në gjendje t’i godasë vendet nga ku Rusia e sulmon.

    Zyrtarët ukrainas, përfshirë presidentin Volodymyr Zelensky, u kanë bërë vazhdimisht thirrje aleatëve globalë të Ukrainës që ta lejojnë atë t’i godasë objektivat ushtarake më thellë brenda Rusisë, me armët që ia siguron Perëndimi.

    Javë më parë, Ukraina ka nisur një inkursion në territorin rus.

    Zelensky ka thënë se Rusia “duhet ta ndjejë atë që ka bërë”.

    Ditëve të fundit, Rusia është përgjigjur me sulme të ashpra me raketa dhe dronë, të cilat kanë pasur në shënjestër infrastrukturën civile në të gjithë Ukrainën.

    Zyrtarët ukrainas thonë se, pavarësisht dërgesave të armëve të reja që po e ndihmojnë Ukrainën, forcat e saj të armatosura janë ende në disavantazh, sepse kufizimet e Perëndimit i pengojnë ato që t’i përdorin armët me rreze të gjatë, për të goditur thellë brenda territorit rus.

    “Siguria afatgjate për Evropën fillon me vendime afatshkurtra dhe të guximshme për Ukrainën”, u tha ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, gazetarëve në Bruksel më 29 gusht./REL

  • Ndahet nga jeta profesori Ismail Hasani

    Ndahet nga jeta profesori Ismail Hasani

    Ismail Hasani, nga komuna e Shtimes, profesor unversitar i Sociologjisë dhe autor i disa librave nga fusha e sociologjisë së religjionit ka vdekur gjatë ditës së sotme.

    Lajmin e ka konfirmua kryetari i kësaj komune, Qemajl Aliu, teksa ka thënë se profesori Hasani do të mbahet mend për përkushtimin dhe punën e palodhshme në përgatitjen e shumë gjeneratave të studentëve.

    Aliu me anë të një Telegrami Ngushëllimi ka shprehur ngushëllime për familjen, të afërmit, miqtë, bashkëpunëtorët e ish-studentët e tij!.

    Postimi i plotë:

    Telegram ngushëllimi

    Me pikëllim e morëm lajmin e hidhur për vdekjen e profesorit universitar të sociologjisë, Prof.Dr Ismail Hasani, i cili është autor i disa librave nga fusha e sociologjisë së religjionit, njëherit autor i një numri artikujsh shkencorë në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të huaja. Krahas punës në Universitetin e Prishtinës, i ndjeri profesor Hasani ishte angazhuar edhe në Universitetin e Stavangerit në Norvegji dhe si bashkëpunëtor i jashtëm në Institutin për Studimin e Raporteve Ndëretnike në Universitetin “Leiden” në Holandë.

    Bashkëqytetari ynë, profesori Hasani do të mbahet mend për përkushtimin dhe punën e palodhshme në përgatitjen e shumë gjeneratave të studentëve. Veprimtaria akademike e tij do jetë frymëzim për brezat e ardhshëm.

    Në emër të Komunës së Shtimes, shpreh ngushëllime të sinqerta për familjen, të afërmit, miqtë, bashkëpunëtorët e ish-studentët e tij!

    Pushofsh në paqen e përjetësisë, profesor Ismail Hasani!

  • Ekzekutohen sot pagat në sektorin publik, Murati: Secili do të përfitojë 6.8 euro më shumë

    Ekzekutohen sot pagat në sektorin publik, Murati: Secili do të përfitojë 6.8 euro më shumë

    Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se sot do të ekzekutohen pagat në sektorin publik, për herë të parë me ndryshimet në shkallët tatimore.

    Kësisoj, Murati tha se të ardhurat deri në 250 euro janë të liruara nga tatimi.

    “Pagat në sektorin publik sot ekzekutohen duke aplikuar shkallët e reja të tatimit në të ardhura personale, ku 250 eurot e para janë të liruara nga tatimi”, tha Murati.

    “Si rezultat i këtij ndryshimi, secili punonjës në Kosovë, nga ky muaj e tutje do të paguajë më pak tatim, e rrjedhimisht do të marrë pak më shumë pagë neto.”

    Duke llogaritur përfitimet e punëtorëve, ai tha se në tërësi bëhet fjalë për 2.3 milion euro në muaj më shumë paga neto sesa në muajin paraprak.

    “Përfitimi mujor prej 6.8 euro apo vjetor prej 81.6 euro dikujt mund të mos i duket shumë, mirëpo nëse e shohim në tërësi, janë rreth 2.3 milion euro në muaj apo rreth 27 milionë euro në vit, që nuk do të mblidhen si tatim nga shteti por do të mbesin në xhepat e qytetarëve”, tha Murati.

  • A Radio arrin 4 milionë dëgjime në platformën Shkabaj

    A Radio arrin 4 milionë dëgjime në platformën Shkabaj

    Brenda një kohe relativisht të shkurtër, A Radio ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm duke regjistruar 4 milionë dëgjime vetëm në platformën Shkabaj, duke mos përfshirë platformat e tjera dhe valët e saj që mbulojnë një pjesë të madhe të Kosovës.

    Kjo arritje shënon një moment të rëndësishëm për radion, duke tërhequr një audiencë të gjerë dhe duke e bërë A Radion një nga radiostacionet më të dëgjuara mbarë kombëtare.

    A Radio, e cila është pjesë e grupit mediatik “Media Invest”, filloi transmetimin më 21 shkurt 2021 dhe që atëherë ka arritur të bëhet një nga stacionet më të preferuara të dëgjuesve shqiptarë.

    Grupi mediatik “Media Invest”, pjesë e së cilës janë ATV dhe A Radio, funksionon mbi themelet e Kolegjit AAB, i cili nëpërmjet Fakultetit të Komunikimit Masiv dhe Gazetarisë̈, për me shumë se dy dekada me radhë, u ka dhënë mediave në Kosovë profesionistë të spikatur dhe të përkushtuar.

    Për tri vite e gjysmë që nga themelimi, ATV vazhdon te jetë televizioni më i shikuar në Kosovë, ndërsa A Radio, një nga radiostacionet më të dëgjuara mbarë shqiptare.

  • Deputeti i PDK-së publikon video nga KEK-u: Gjendje alarmante mjedisore

    Deputeti i PDK-së publikon video nga KEK-u: Gjendje alarmante mjedisore

    Ferat Shala, deputet i PDK-së, ka publikuar një video nga Korporata Elektroenergjetike e Kosovës.

    Sipas Shalës, gjendja mjedisore në KEK është alarmante.

    Tutje, Shala ka vlerësuar se këto shkarkime janë të dënueshme me çdo legjislacion vendor dhe ndërkombëtar.

    “Sot në KEK, përkatësisht në Termocentralin Kosova B, gjendje alarmante mjedisore! Kjo është situata reale menaxhuese e Termocentraleve të Kosovës pas katër viteve të kësaj Qeverie. Ndotja në shkallë shqetësuese dhe jashtë çdo norme. Shkarkimet në ketë nivel, janë të dënueshme me çdo legjislacion vendor dhe ndërkombëtar”, ka shkruar Shala.

  • Tahiri: Me sanksionet ende në fuqi, po paguajmë kosto të lartë për eksperimentet politike dhe diplomatike të qeverisë aktuale

    Tahiri: Me sanksionet ende në fuqi, po paguajmë kosto të lartë për eksperimentet politike dhe diplomatike të qeverisë aktuale

    Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se duhet një strategji e qartë për të forcuar pozicionin tonë diplomatik dhe për të ndërtuar partneritete të qëndrueshme.

    Tahiri ka thënë se anashkalimi i Kosovës, i shoqëruar me mesazhet nga vizitat e Presidentit Macron dhe Kryeministrit Scholtz në Serbi, është një sinjal i keq për ne.

    “Anashkalimi i Kosovës, i shoqëruar me mesazhet nga vizitat e Presidentit Macron dhe Kryeministrit Scholtz në Serbi, është një sinjal i keq për ne. Me sanksionet evropiane ende në fuqi, ne po paguajmë një kosto të lartë për eksperimentet politike dhe diplomatike të qeverisë aktuale. Mos harroni, përderisa Serbia po i thellon raportet e saj bilaterale me shumë shtete të BE-së, lidershipi ynë operon në një realitet virtual dhe pa vizion të forcimit të subjektivitetit tonë ndërkombëtar. Thellimi i tyre nuk ndodh pa pasoja dhe efekte negative kundër Kosovës. Ndërkohë, Kosova po portretizohet si një vend në krizë. Kjo nuk mund të vazhdojë pafundësisht”, ka thënë Tahiri.

    Tahiri ka shtuar se duhet një strategji e qartë për të forcuar pozicionin tonë diplomatik.

    “Duhet një strategji e qartë për të forcuar pozicionin tonë diplomatik dhe për të ndërtuar partneritete të qëndrueshme. Pa këtë angazhim, rrezikojmë të mbetemi periferikë në zhvillimet rajonale. Koha për veprim po ikën shpejt: ishte dje, është tani!”, është shprehur Tahiri.

  • ZKA-ja gjen gabime në Raportin Vjetor të Qeverisë për vitin 2023: Shumë projekte të nënshkruara në mungesë të fondeve

    ZKA-ja gjen gabime në Raportin Vjetor të Qeverisë për vitin 2023: Shumë projekte të nënshkruara në mungesë të fondeve

    Zyra Kombëtare e Audimit ka gjetur shumë gabime në Raportin Vjetor të Qeverisë për vitin 2023. Arsyeja që ka ndikuar në modifikim të opinionit është se vlera e gabimeve në disa komponentë të Pasqyrave Vjetore Financiare për vitin 2023 ishte materiale. Kështu ka bërë të ditur në një konferencë për media, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, raporton EO.

    Spanca ka thënë se nga vlera prej 25 milionë euro, 11 milionë i takojnë nivelit qendror, ndërsa mbi 14 milionë euro i takojnë nivelit lokal.

    Një e gjetur sipas Spancës është numri i madh i kontratave për projekte kapitale të nënshkruara në mungesë të fondeve. Sipas saj, kjo e kërcënon buxhetin e shtetit me kosto shtesë të pa planifikuara.

    “Për Raportin Vjetor Financiar të Qeverisë për Buxhetin e Republikës së Kosovës është dhënë: Opinion i Modifikuar përkatësisht Opinion i Kualifikuar. Arsyeja që ka ndikuar në modifikim të opinionit është se vlera e gabimeve në disa komponente të Pasqyrave Vjetore Financiare për vitin 2023 ishte materiale”, ka thënë Spanca, teksa përmendi disa prej gabimeve.

    “Klasifikimi jo adekuat i shpenzimeve në vlerë prej 25 milionë euro. Prej tyre mbi 11 milionë euro i takojnë nivelit qendror, ndërsa mbi 14 milionë euro i takojnë nivelit lokal. Klasifikimi i gabuar i shpenzimeve ka ndodhur si rezultat i pagesave të bëra me vendime gjyqësore në vlerë prej mbi 11 milionë eurove, buxhetimit jo adekuat prej afër 9 milionë euro dhe të ndikuara nga vetë organizatat buxhetore mbi 5.3 milionë euro. Nënvlerësim i pasurive në organizata buxhetore në vlerë prej afër 21 milionë euro, kjo për shkak të mos regjistrimit të plotë të pasurive, regjistrimit të gabuar, apo zhvlerësimit jo adekuat. Llogaritë e arkëtueshme ishin nënvlerësuar në vlerë prej 2.4 milionë euro, dhe detyrimet kontingjente, të cilat janë rezultat i pretendimeve përmes padive gjyqësore ndaj organizatave buxhetore janë nënvlerësuar për afër 20 milionë euro”.

    Spanca tha se auditimet individuale për 35 organizata buxhetore, opinionet e auditimit ishin jo të mira, edhe pse krahasuar me vitin paraprak ka përmirësim në cilësinë e raportimit financiar.

    “Derisa për 12 ndërmarrjet publike të audituara, janë dhënë 4 opinione të kundërta, 5 të kualifikuara dhe 3 opinione të pa modifikuara. Më gëzon fakti, që pas shumë vitesh auditimi të Telekomit të Kosovës, që vite me radhë ka pasur opinion jo të mirë, në vitin 2023 Telekomi ka arritur të prezantoj të dhënat financiare drejte dhe të marrë opinion të pastër”, u shpreh tutje Spanca.

    “Një numër kontratash për projekte kapitale janë nënshkruar në mungesë të fondeve, por edhe pa u miratuar këto fonde me ligj, në veçanti në nivelin lokal. Kjo e kërcënon buxhetin e shtetit me kosto shtesë të pa planifikuara, ndërsa mungesa e kontrolleve në këto projekte mund të rezultojë edhe në keq menaxhim të tyre. Prokurimi publik dhe menaxhimi i kontratave vazhdon të mbetet sfidë për institucionet publike. Ka nevojë të përmirësohet procesi i menaxhimit të listës së pritjes së pacientëve në sistemin shëndetësor. Procesi i sponsorizimit të sportit në Kosovë duhet të rishikohet dhe të evitohen parregullsitë e evidentuara. Po ashtu edhe fusha e menaxhimit të teknologjisë se informacionit dhe siguria e saj kërkojnë vëmendje nga bartësit e institucioneve. Menaxhimi i sistemit e-edukimi, sistemit të menaxhimit të stokut farmaceutik dhe sistemi i ujësjellësit rajonal Prishtina janë disa nga sistemet e TI-së tek të cilat kemi gjetur mangësi, të cilat duhet të evitohen”.

    Tutje, Spanca ka thënë se tek ndërmarrjet publike, menaxhimi dhe zvogëlimi i humbjeve kishte përmirësim të dukshëm për vitin 2023, mirëpo sfidë mbetet forcimi i menaxhimit financiar dhe kontrolleve në Ndërmarrjen Publike “Trepça”.

  • Maqedonci: Me ndihmën e Shqipërisë, synojmë të jemi pjesë e NATO-s së shpejti

    Maqedonci: Me ndihmën e Shqipërisë, synojmë të jemi pjesë e NATO-s së shpejti

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se Kosova synon të jetë pjesë e NATO-s dhe e strukturave tjera euroatlantike, bashkë me Shqipërinë dhe mbështetjen e saj, raporton Ekonomia Online.

    Maqedonci, pas takimit me ministrin e Mbrojtjes të Shqipërisë, Pirro Vengu, ka thënë se të dyja vendet kanë nevojë për thellim të bashkëpunimit dhe zgjerim në industrinë ushtarake.

    Ai ka theksuar se e vlerëson lartë vizitën e parë të homologut të tij në Kosovë.

    “Pata nderin dhe kënaqësinë që të pres në takim për herë të parë ministrin e Mbrojtjes së Shqipërisë, me të cilin diskutuam për thellimin e bashkëpunimit në aspektin e sigurisë dhe mbrojtjes. Kemi bashkëpunuar mjaftë mirë por kemi vlerësuar që ka nevojë për thellim të bashkëpunimit dhe zgjerimin e tij në industrinë ushtarake që po shihet si nevojë. Këtu dua të bëjë të qartë të gjithë atyre akterëve që ne me ushtrinë shqiptare jemi dhe kemi bashkëpunuar për t’u përballur me çdo sfidë dhe kërcënim që synon të kërcënojë trashëgiminë, vlerat dhe sigurinë”.

    “Si dy vende demokratike ne po vazhdojmë të kontribuojmë në luftën globale kundër rreziqeve që rrezikojnë dhe kërcënojnë sigurinë globale siç është rasti i luftës në Ukrainë ku dy vendet tona janë pjesëmarrëse aktive të grupit të kontaktit për mbrojtjen e Ukrainës dhe po ndihmojmë popullin e Ukrainës në luftën për liri. Jemi pjesë e përbashkët e shumë iniciativave regjionale dhe synimi ynë do të jetë që bashkë me Shqipërinë dhe mbështetjen e saj të jemi në të ardhmen e afërt pjesë e NATO-s dhe pjesë e strukturave tjera euroatlantike. Faleminderit ministrit Vengu për vizitën dhe respektin që na keni bërë duke zhvilluar vizitën tuaj të parë në Kosovë”, ka thënë Maqedonci, raporton EO.