ATV

Category: Lajme

  • S’ka pritje të gjata nëpër librari – Prindërit vazhdojnë me blerjen e teksteve shkollore

    S’ka pritje të gjata nëpër librari – Prindërit vazhdojnë me blerjen e teksteve shkollore

    Kur kanë mbetur edhe tre ditë nga fillimi i vitit të ri shkollor, më 2 shtator, prindërit kanë vazhduar me blerjen e librave e mjeteve shkollore. Disa të intervistuar nga Ekonomia Online, u shprehën të kënaqur me procesin e blerjes së librave.

    Prindërit po shprehen të kënaqur me procesin e blerjes së librave shkollorë, duke theksuar se këtë vit gjithçka po shkon në rregull dhe librat janë në sasi të mjaftueshme.

    Qytetari, Halit Shahini, tha për Ekonomia Online se procesi i blerjes së teksteve ka shkuar mirë, ndonëse e pranon se mënyra e vjetër ka qenë më e mirë dhe e lehtë.

    “Procesi i blerjes po shkon mirë, librat ishin të gjitha në sasi të mjaftueshme. Ne jemi në këtë librari sepse shkolla ‘Faik Konica’ e ka tërëditor mësimin, pra mirë. Përpara ka qenë më mirë në shkollë të shpërndaheshin, por edhe tash është mirë”, tha ai

    E kënaqur me këtë proces është edhe Refie Sinani.

    “Blerja po shkon shumë mirë, faleminderit nga të gjithë. Edhe më përpara ka qenë mirë”, u shpreh ajo.

    Ndërsa prindi, Hazir Mehmeti, konsideron gjithçka ka shkuar në rregull, ndërsa për sasinë e librave thekson se është e mjaftueshme.

    “Aplikimi ka qenë shumë i thjeshtë. Për mua është me rëndësi të sigurohen librat për të gjithë”, tha ai.

    Ndërkohë, Musli Rexhepi vlerëson që librat nuk janë të shtrenjtë dhe se ka pasur sasi të mjaftueshme.

    “Unë si blerës jam shumë i kënaqur me shërbimin. Librat nuk janë të shtrenjtë dhe kishte sasi të mjaftueshme të librave. Mendoj se është më mirë të shërbehen vetë, sepse në shkolla nuk kanë llogari”.

  • Shkallët e reja tatimore aplikohen nga gushti. Në shtator dalin nga 6.8 euro më shumë

    Shkallët e reja tatimore aplikohen nga gushti. Në shtator dalin nga 6.8 euro më shumë

    Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se aplikimi i shkallëve të reja për tatimin në të ardhurat personale do të fillojë nga periudha e muajit gusht. Kjo nënkupton se për shkak të tatimit të ndryshuar, në pagat e shtatorit do të dalin 6.8 euro më shumë për të gjithë të punësuarit.

    Ditë më parë, hyri në fuqi Ligji për pagën minimale prej 250 eurosh, para se ajo të rritej në 350 me vendim të Qeverisë të mërkurën. Deri tash, kushdo që kishte pagë mbi 250 euro, deri në këtë vlerë paguante 6.8 euro tatim. Me ndryshime tatim deri në këtë vlerë s’do të ketë dhe të ardhurat rrjedhimisht do të rriten.

    Në një njoftim të enjten në mbrëmje, ATK-ja ka bërë të ditur se aplikimi i shkallëve të reja për tatimin në të ardhura do të nisë nga periudha e gushtit. “Pra, deklarimi dhe pagesa e tatimit në paga për pagat e muajit gusht 2024 do të kalkulohet sipas shkallëve të reja tatimore të përcaktuara me Ligjin Nr. 08/L-142”, thuhet në njoftim.

    Ligji për pagën minimale dhe shkallët tatimore ishte miratuar në korrik të vitit të shkuar, por ishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga deputetë të opozitës. Në qershor, Kushtetuesja konstatoi që ky Ligj nuk e shkelë aktin më të lartë juridik të vendit, e të premten u publikua në Gazetën Zyrtare kur edhe hyri në fuqi menjëherë.

    Ligji parasheh që në fund të çdo viti, Këshilli Ekonomiko-Social i propozon Qeverisë lartësinë e pagës minimale, të cilin e miraton më pas ekzekutivi.

    Paga minimale në Kosovë ishte 130 euro për punëtorët nën 35 vjeç dhe 170 euro për punëtorët deri në 65 vjeç. Pak ditë pasi hyri në fuqi ligji që e ngriti në 250 euro pagën minimale, Qeveria të mërkurën vendosi ta ngritë në 350 euro.

    Edhe pas kësaj rritje, Kosova është vendi me pagën minimale më të ulët në Evropë.

  • Sot, Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur

    Sot, Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur

    Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve të Kosovës.

    Kjo datë, 30 gushti, është ditë që përkujtohet fati i njerëzve që me dhunë e pa vullnet u larguan nga vendi i tyre, ku ende nuk dihet asgjë për ta.

    E lidhur me këtë, Zyra e Kryeministrit, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, në bashkëpunim me Këshillin Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës mbajnë homazhe.

    Po ashtu, Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut do të zhvillojë një aksion simbolik, nga ora 18:00, në sheshin “Skënderbeu”, ata nisin aksionin “Dera e Pritjes”.

  • Në Merdarë, pritjet deri në dy orë

    Në Merdarë, pritjet deri në dy orë

    Pritjet për të dalë nga Kosova po vijojnë deri në dy orë.

    Kjo sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar.

    Deri në dy orë po pritet në Merdarë, ndërsa në pikën kufitare te Dheu i Bardhë deri në një orë.

    25 minuta po pritet në Jarinje.

  • Maqedonci pret në takim homologun e tij nga Shqipëria

    Maqedonci pret në takim homologun e tij nga Shqipëria

    Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci sot do të zhvillojë takim me homologun e tij nga Shqipëria, Pirro Vengon.

    Takimi do të mbahet nga ora 10:00.

    Kjo mikpritje zhvillohet në objektin e ministrisë së Mbrojtjes.

  • Mot me diell e vranësira, temperatura deri në 30 gradë

    Mot me diell e vranësira, temperatura deri në 30 gradë

    Sot në Kosovë pritet të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara.

    Vranësirat në pjesën e dytë të ditës vende-vende mund të sjellin riga shiu.

    Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat do të shkojnë deri në 30 gradë Celsius.

    “Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 12-16 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 27-30 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimet të ndryshme , me shpejtësi 1-4m/s”, njofton IHMK-ja.

  • ATK jep njoftim shtesë për aplikimin e shkallëve të reja për tatimin në të ardhurat personale

    ATK jep njoftim shtesë për aplikimin e shkallëve të reja për tatimin në të ardhurat personale

    Administrata Tatimore e Kosovës, ditë më parë ka njoftuar për hyrjen në fuqi të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore.

    Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, ndryshohen shkallët tatimore të cilat janë të përcaktuara në nenin 6 të Ligjit për tatim në të ardhurat personale.

    ATK sot ka lëshuar njoftim, ku ka bërë të ditur se aplikimi i shkallëve të reja për tatimin në të ardhura personale do të fillojë nga periudha gusht 2024.

    “Pra, deklarimi dhe pagesa e tatimit në paga për pagat e muajit gusht 2024 do të kalkulohet sipas shkallëve të reja tatimore të përcaktuara me Ligjin Nr. 08/L-142. Administrata Tatimore e Kosovës ju njofton se të gjitha konfigurimet në Sistemin Elektronik EDI do t’i bëjë me kohë dhe varësisht se për cilën periudhë tatimore do të bëhet deklarimi dhe pagesa e tatimit, sistemi do t’ju mundësoj deklarimin dhe pagesën e tatimit në përputhje me Ligjin në fuqi”, thuhet në njoftim.

    Për shkak të tatimit të ndryshuar, pagat e muajit shtator do të dalin me nga 6.8 euro më shumë.

  • ​Osmani: Hapja e urës në interes të të gjithë qytetarëve pa dallim etnie

    ​Osmani: Hapja e urës në interes të të gjithë qytetarëve pa dallim etnie

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një takimi sot me ndihmës-sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për operacione, Thomas Goffus, ka folur mbi rëndësinë e hapjes së urës mbi lumin Ibër.

    Ajo ka potencuar rëndësinë e bashkëpunimit në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë, veçanërisht me NATO-n, për hartimin e një plani të përbashkët të zbatimit për hapjen e urës.

    Hapjen e urës, e para e vendit e ka cilësuar si një veprim në funksion të normalizimit dhe integrimit në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie.

    Osmani tha se Kosova mbetet e përkushtuar për bashkëpunim të vazhdueshëm me NATO-n dhe KFOR-in për adresimin e sfidave në fushën e sigurisë.

    Ajo falënderoi NATO-n për angazhimin për paqe, siguri dhe stabilitet dhe në këtë kontekst ritheksoi objektivin strategjik të Kosovës për integrim në komunitetin euroatlantik, duke shprehur besimin se anëtarësimi në NATO do të kontribuojë për sigurinë dhe stabilitetin e gjithë rajonit.

  • Presidentja Osmani dekreton 31 gjyqtarë me mandat fillestar

    Presidentja Osmani dekreton 31 gjyqtarë me mandat fillestar

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me propozim të Këshillit Gjyqësor të Kosovës ka dekretuar sot 31 gjyqtarë me mandat fillestar, pothuajse gjysma prej tyre gra.

    Në njoftim thuhet se në ceremoninë e betimit para presidentes Osmani, gjyqtarët e rinj janë betuar se: “do t’i qëndrojnë besnik Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe do të respektojnë rregullat e etikës profesionale, si dhe do të kryejnë me besnikëri në mënyrë të pavarur, profesionale dhe të paanshme detyrat e tyre”.

    “Presidentja Osmani ka potencuar se integriteti, pavarësia, paanshmëria dhe profesionalizmi i gjyqtarëve janë elemente thelbësore për një sistem të drejtësisë që garanton barazi për të gjithë dhe besim qytetar”, thuhet në komunikatë.

  • ​Finlanda ndërton “varrin e parë gjeologjik”

    ​Finlanda ndërton “varrin e parë gjeologjik”

    Finlanda së shpejti do të varrosë karburantin bërthamor të harxhuar në “varrin gjeologjik” të parë në botë, ku do të ruhet për 100 mijë vjet, në atë që konsiderohet një projekt revolucionar për qëndrueshmërinë afatgjatë të energjisë bërthamore dhe një “model për të gjithë botën”.

    Në një moment të vitit 2025 ose në fillim të 2026, karburanti bërthamor radioaktiv i harxhuar do të paketohet në kontejnerë të papërshkueshëm nga uji dhe do të hidhet në shkëmb 400 metra nën pyjet e Finlandës jugperëndimore. Rezervuarët e qëndrueshëm të bakrit do të izolohen, do të ndahen nga njerëzit dhe do të mbahen nën tokë për mijëra vjet.

    Projekti “Onkalo” nisi një debat nëse dikush mund të garantojë sigurinë afatgjatë të mbetjeve bërthamore të shpenzuara dhe në çfarë mase energjia atomike duhet të përdoret në luftën kundër krizës klimatike.

    Kompania finlandeze Posiva, e themeluar në vitin 1995, është përgjegjëse për asgjësimin përfundimtar të shufrave bërthamore të shpenzuara në “Onkalo”. Kompania është në pronësi të përbashkët të kompanisë së energjisë bërthamore TVO dhe kompanisë së shërbimeve komunale Fortum.

    “Përmes projektit ‘Onkalo’, ne po ndërtojmë një objekt për mbylljen dhe asgjësimin e karburantit të shpenzuar. Dhe nuk është i përkohshëm, është përgjithmonë,” tha Pasi Tuohimaa, kreu i komunikimit në Posiva.

    Sipas tij, depoja e parë gjeologjike e këtij lloji ka tërhequr interes të madh nga industria për shkak të “rilindjes” bërthamore dhe krizës energjetike që ka mbërthyer Evropën dhe pjesë të Azisë nga mesi i vitit 2021 deri në fund të 2022.

    Energjia bërthamore aktualisht siguron rreth nëntë për qind të energjisë elektrike në botë, sipas Shoqatës Botërore Bërthamore.

    Për shkak se prodhon emetime të ulëta të karbonit, përkrahësit argumentojnë se energjia bërthamore ka potencialin të luajë një rol të rëndësishëm në prodhimin e energjisë elektrike të shumë vendeve duke reduktuar emetimet dhe varësinë nga karburantet fosile.

    Megjithatë, disa grupe mjedisore argumentojnë se industria bërthamore është një opsion më i shtrenjtë dhe më i dëmshëm sesa alternativat më të lira dhe më të pastra.

    Profesori i radiokimisë në Universitetin e Helsinkit, Gareth Law, beson se projekti “Onkalo” është një pikë kthese e madhe si për Finlandën ashtu edhe për industrinë ndërkombëtare të energjisë bërthamore.

    “Do të jetë depoja e parë që do të marrë karburantin e harxhuar bërthamor dhe do ta asgjësojë atë në një mënyrë që mendoj se do të jetë shumë e sigurt dhe e fuqishme në të ardhmen,” tha ai.

    Projekti bazohet në të ashtuquajturën metodë “KBS-3”, e zhvilluar nga një kompani suedeze e karburantit bërthamor.

    KBS-3 bazohet në parimin e barrierave të shumta, ku disa pengesa të dizajnuara synojnë të sigurojnë karburantin e harxhuar bërthamor në afat të gjatë. Në praktikë, kjo do të thotë se nëse njëra nga barrierat dështon, izolimi i mbetjeve radioaktive nuk kërcënohet.

    “Siç e kemi parë gjatë 10 vjetëve të fundit, duket se energjia bërthamore është shumë e rëndësishme dhe e nevojshme për marrëveshjen e gjelbër në Evropë, veçanërisht nëse duam të shohim Azinë dhe SHBA të heqin qafe prodhimin e energjisë elektrike fosile”, tha ministri finlandez i Klimës, Kai Mykkänen.