ATV

Category: Lajme

  • Vengu: Shqipëria nuk ka asnjë rezervë për shtimin e trupave, vendimmarrja i përket KFOR-it

    Vengu: Shqipëria nuk ka asnjë rezervë për shtimin e trupave, vendimmarrja i përket KFOR-it

    Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu, ka thënë se Shqipëria është e gatshme për shtimin e trupave ushtarak në Kosovë, nëse është e nevojshme. Madje, ai ka deklaruar se në këtë drejtim, shteti shqiptar “nuk ka asnjë rezervë”, raporton Ekonomia Online.

    Pas takimit me homologun e tij kosovar, Ejup Maqedonci, Vengu ka theksuar se shtimi i trupave është një vendimmarrje kolektive e KFOR-it, e cila bëhet në bazë të rishikimeve periodike të situatës së sigurisë.

    “Është privilegj që të jem këtu. Patëm mundësi që të shkëmbejnë përpjekjet e përbashkëta për emergjenca civile. Kemi biseduar për rritjen e kapaciteteve. Kemi në dispozicion të gjitha instrumentet e armatosura që FSK-ja të ketë të gjithë nivelin e sigurisë. Bashkimi i forcave që resurset të mos humbin kohën në çështjen e ushtrisë civile dhe të investojmë në mënyrë të përbashkët”.

    “Diskutuam edhe për të gjithë sigurinë në rajon. KFOR-i është një instrument i rëndësishëm për sigurinë kolektive, këtë gjë e nënvizova edhe sot. Pa dyshim që Shqipëria në KFOR ka një kontribut të posaçëm. Kemi shtuar trupat në kuadër të Aleancës. Është një komandim i përbashkët dhe ka një rishikim periodik që bëhet situatës së sigurisë. Nëse është nevoja, edhe Shqipëria do t’i bashkëngjitet nëse është nevoja. Jemi në gatishmëri, nuk ka asnjë rezervë. Nuk është një vendimmarrje që i përket vetëm Shqipërisë, është një vendimmarrje kolektive”.

    “Po ashtu diskutuam për çmontimin e zonave të rrezikuara, që të gjithë të jenë të sigurt. Edhe për bashkimin e forcave dhe synojmë të krijomë grupe të bashkuara. E sigurisë në rajon, të gjitha kërcënimet që ka Kosova, KFOR-i është instrument për siguri”.

    Ndër të tjera, ministri tha se Shqipëria e ndjen si privilegj ta ndihmojë Kosovën që të kthehet në aktor që kontribuon në siguri kolektive.

    “Shqipëria ka një kontribut të veçantë, dhe e kemi privilegj që Kosova me gjithë përpjekjet e saj të kthehet në aktor që kontribuon në siguri kolektive”, ka thënë Vengu në konferencën e përbashkët me ministrin Maqedonci.

    Ndërsa, ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, pas takimit me Vengun ka thënë se të dyja vendet kanë nevojë për thellim të bashkëpunimit dhe zgjerim në industrinë ushtarake. Ai ka theksuar se edhe Kosova synon që të jetë përkrah Shqipërisë, anëtare e NATO-s.

  • Kurti për deklaratën e Macronit: Ne punojmë për paqen e sigurinë e të gjithë qytetarëve pa dallime

    Kurti për deklaratën e Macronit: Ne punojmë për paqen e sigurinë e të gjithë qytetarëve pa dallime

    Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i pyetur në lidhje me deklaratën e presidentit francez Emmanuel Macron “se Kosova është duke bërë lëvizje të njëanshme”, ka thënë se si qeveri janë duke vendosur sundim të ligjit e rendit publik, si dhe duke siguruar paqe e siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallime, raporton EO.

    Ai ka thënë se në këtë aspekt duan bashkëpunim të ngushtë edhe nga ndërkombëtarët duke përfshirë edhe Francën, për të cilën ai tha se e konsideron vend mik, aleat e partnere shumë të rëndësishme.

    “Ne bëjmë sundim ligji, rend publik, njëkohësisht me paqe dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallime. Në këtë aspekt duam edhe bashkëpunimin e ngushtë dhe mbështetjen ndërkombëtare, përfshirë këtu natyrisht edhe Francën të cilën e konsiderojmë vend mik, aleat, e partner shumë të rëndësishëm edhe në BE edhe në NATO”, ka thënë ai.

    Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha të enjten gjatë një vizite në Beograd se lëvizjet “e njëanshme” dhe “shqetësuese” të Kosovës nuk japin sinjal të mirë dhe se Franca është e përkushtuar që të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë.

    Macron e nisi një vizitë dyditore në Beograd të enjten, ku Ministria e Mbrojtjes e Serbisë nënshkroi marrëveshje me Francën për blerjen e 12 avionëve të rinj luftarakë Rafale.

  • Rruga Shkup-Bllacë, zv.ministrja e Maqedonisë: Segmenti i parë ka përfunduar, riprojektimi për pjesën tjetër i domosdoshëm

    Rruga Shkup-Bllacë, zv.ministrja e Maqedonisë: Segmenti i parë ka përfunduar, riprojektimi për pjesën tjetër i domosdoshëm

    Ministria e Transportit e Maqedonisë së Veriut ka dalë me një reagim lidhur me raportimet për projektin e Autostradës Shkup Bllacë. Zëvendësministrja Kaltrina Zekolli Shaqiri ka mohuar që Ministri Aleksander Nikollovski ka deklaruar se projekti nuk do të përfundojë.

    Ajo ka sqaruar se segmenti i parë prej 2 kilometrash tashmë ka përfunduar dhe pritet të hapet për qarkullim brenda dy muajve të ardhshëm, e për pjesën tjetër të autostradës, ka thënë se po shqyrtojnë mundësinë e riprojektimit për të siguruar një zgjidhje më të përshtatshme dhe më të qëndrueshme.

    Sipas saj, me planin aktual i bie kostoja rreth 20 milionë euro për kilometër.

    “Ky riprojektim është i domosdoshëm për shkak të zgjedhjes së gabuar dhe të palogjikshme të traseve nga drejtuesit e mëparshëm të Ndërmarrjes së Rrugëve Shtetërore, të cilët kanë preferuar një terren malor të vështirë dhe të shtrenjtë për ndërtim, PA ARSYE TË QARTA. Nga 12 kilometrat e planifikuara, 6 kilometra janë parashikuar të jenë tunele, duke e bërë këtë projekt jashtëzakonisht të KUSHTUESHËM pa arsye të qarta me një kosto të parashikuar prej afërsisht 240 MILION EURO për 12 kilometrat e mbetura, ose rreth 20 MILION EURO për kilometër gjë që e bënë këtë projekt një ndër projektet me koston më të lartë për një kilometër në rajon”, ka deklaruar Zekolli-Shaqiri.

    Ajo ka thënë se po shqyrtojnë mundësitë për një trase alternative, më të favorshme, që do të kalojë përgjatë rrugës ekzistuese.

    “Kjo zgjidhje do të sigurojë një qasje më të lehtë për qytetarët dhe një kosto ndërtimi më të arsyeshme, në përputhje me standardet normale të ndërtimit të rrugëve. Qëllimi ynë është të përfundojmë këtë projekt në mënyrë efikase dhe me KOSTO EFEKTIVE, duke siguruar që autostrada Shkup-Bllacë të jetë një rrugë moderne dhe funksionale, që plotëson nevojat e qytetarëve dhe kontribuon në zhvillimin e rajonit”, ka deklaruar ajo.

    Ndryshe, Ministri i Transportit të Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikollovski tha ende se nuk ka marrë sqarim nga drejtuesit e kaluar, përse është zgjedhur një trase e re, dhe jo ajo ekzistuese që të çon drejt Bllacës.

    “Kanë vendosur nga udhëheqësia e kaluar e Ndërmarrjes Publike Rrugët Shtetërore me në krye Ejup Rustemin, deri sot nuk e di arsyen se përse dhe nuk kam marrë asnjë përgjigje të logjikshme, të mos ndjekin trasenë ekzistuese, por të ndjekin trase tjetër e cila është malore, dhe në të cilën nga 12 kilometra, 6 kilometra janë tunele, që janë shumë të vështirë për t’u realizuar. Neve mund të na ndodhë njëjtë si me hekurudhën drejt Bullgarisë që autostrada të kushtojë shumë shtrenjtë, vlera e përllogaritur për momentin është 240 milion euro, që është 20 milion euro për kilometër, dhe që pyetja tjetër është a mundet të realizohet nga aspekti inxhinierik”, u shpreh Aleksandar Nikollovski, ministër i Transportit.

    Ai do të rishikojnë projektin për ndërtimin e rrugës Shkup-Bllacë, gjegjësisht për 12 kilometrat e mbetura nga gjithsej 14, për shkak se janë ngritur një sërë dilemash për projektin ekzistues. Mjetet nga Banka Evropiane për Zhvillim janë siguruar por janë të pamjaftueshme për realizimin e versionit që është zgjedhur, deklaroi ministri.

  • “Aty është e vërteta” – Kurti kërkon trysni nga bashkësia ndërkombëtare për hapjen e arkivave serbe

    “Aty është e vërteta” – Kurti kërkon trysni nga bashkësia ndërkombëtare për hapjen e arkivave serbe

    Në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur të Kosovës., kryeministri Albin Kurti së bashku me nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci e kryediplomaten Donika Gërvalla, kanë bërë homazhe te përmendorja dedikuar personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

    Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se që nga mbarimi i luftës, ka munguar vullneti i palës serbe për të lejuar gërmime në lokacione ku dyshohet se ka varreza masive. Andaj, ai ka kërkuar trysni nga bashkësia ndërkombëtare për hapjen e arkivave serbe, sepse “aty është e vërteta”.

    Kurti ka thënë se shumica dërmuese e atyre që u zhvarrosen dhe u kthyen si kufoma në Kosovë, ka qenë në muajt e fundit të vitit 2000 dhe 2001, pas rrëzimit të regjimit të Millosheviqit. Ndërsa, në Kosovë ai ka thënë se janë bërë më shumë se dy mijë gërmime në këto 25 vite.

    “Shumica dërmuese ose mbi 94 për qind të atyre që u zhvarrosen dhe u kthyen si kufoma në Kosovë, kjo ndodhi në muajt e fundit të vitit 2000 dhe 2001, pra pas rrëzimit të regjimit të Millosheviqit në Serbi në varrezat masive në Batajnicë e Peruqac. Nga këto varreza masive janë nxjerrë gjithsej 900 shqiptarë, gra, fëmijë e pleq, pastaj nuk ka pasur gërmime dhe në periudhën nga viti 2010 deri në vitin 2021, në dy varrezat masive janë nxjerrë edhe 61 shqiptarë të tjerë. Pra pjesa dërrmuese janë në muajt e parë të rrëzimit të Millosheviqit, më pastaj nuk ka pasur vullnet për gërmime të mëtutjeshme në Serbi, ndërsa në Kosovë i kemi 2800 gërmime në këto 25 vite”.

    “Andaj i bëjmë thirrje edhe njëherë faktorit ndërkombëtar që të bëjnë trysni mbi Serbinë, siç ka bërë trysni mbi Serbinë për gërmime në Sanxhak, të bëjnë trysni mbi Beogradin që të merret një vendim i ri, që të hapet arkiva e Brigadës së motorizuar 37 të Ushtrisë Jugosllave dhe të hapet. Aty është e vërteta”, deklaroi Kurti, raporton EO.

    Kryetari i Shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Çerkini, ka thënë se edhe sot e 25 vite pas lufte nuk e din fatin e të pagjeturve. Ai ka thënë se si familjarë janë të pa kënaqur si me punën e ndërkombëtarëve dhe institucioneve vendore sa i përket kësaj çështje.

    “Miliona njerëz sot lëshojnë lot dhe presin çka është duke ndodhur, ku edhe sot e kësaj dite ka të pagjetur. Kur them fëmijë, 133 nëna sot qesin më shumë lot se sot një vit. Sa kemi bërë për zbardhjen e fateve të pagjetur ne si familjarë jemi shumë të zhgënjyer. Jemi jo të kënaqur me institucionet vendore e ndërkombëtare, se fajin e ka Brukseli ku ndërkombëtaret nuk japin urdhër që ata që dinë të na tregojnë ku janë më të dashurit tonë. Nuk e dimë si munden që të mos gjej gjuhë të përbashkët 25 vite për të pagjeturit”, ka thënë ai.

    Krahas liderëve institucional, homazhe kanë bërë edhe ambasadorë të akredituar në Kosovë, udhëheqës e përfaqësues të shoqatave të familjarëve të personave të zhdukur me dhunë.

  • Abdixhiku: BE të mbajë në agjendë presionin ndaj Serbisë për të zhdukurit

    Abdixhiku: BE të mbajë në agjendë presionin ndaj Serbisë për të zhdukurit

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se bashkësia ndërkombëtare duhet ta mbajë lartë në agjendën e tyre presionin ndaj shtetit serb për fatin e të zhdukurve gjatë luftës së fundit në Kosovës.

    “Bashkësia ndërkombëtare, BE, duhet ta mbajnë lartë në agjendën e tyre presionin ndaj shtetit serb në mënyrë që të gjithë ata të zhdukur, e që deri më sot nuk u dihet fati, të gjenden. Nuk ka asnjë dyshim se përgjegjësi i krimit e din se ku janë ato viktima”, ka thënë Abdixhiku.

    I pari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se bëjnë thirrje që procesi i zbardhjes së këtyre rasteve të instensifikohet, duke mos lejuar që harresa të zbehë të drejtën për të vërtetën.

    Sipas tij, zbardhja e fatit të të zhdukurve mbetet një prioritet i pandryshuar dhe një detyrim moral ndaj të gjithë qytetarëve të Kosovës.

    Mesazhi i kryetarit Lumir Abdixhiku, në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve:

    “Sot në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, kujtojmë 1617 personat që vazhdojnë të mbesin të zhdukur gati një çerek shekulli pas përfundimit të luftës. Ata përfaqësojnë plagën më të thellë dhe më të dhimbshme të shoqërisë sonë, një plagë që kërkon drejtësi dhe zbardhjen e plotë të fatit të tyre.

    Lidhja Demokratike e Kosovës riafirmon përkushtimin e saj të palëkundur ndaj kauzës për zbardhjen e fatit të të zhdukurve si dhe qëndron krah për krah me familjarët e tyre në mbështetjen e kërkesës për të vërtetën dhe drejtësinë.

    Bashkësia ndërkombëtare, BE, duhet ta mbajnë lartë në agjendën e tyre presionin ndaj shtetit serb në mënyrë që të gjithë ata të zhdukur, e që deri më sot nuk u dihet fati, të gjenden. Nuk ka asnjë dyshim se përgjegjësi i krimit e din se ku janë ato viktima.

    Lidhja Demokratike e Kosovës, gjithashtu bën thirrje që procesi i zbardhjes së këtyre rasteve të intensifikohet, duke mos lejuar që harresa të zbehë të drejtën për të vërtetën.

    Zbardhja e fatit të tyre mbetet një prioritet i yni i pandryshuar, dhe një detyrim moral ndaj të gjithë qytetarëve të Kosovës.”

  • Osmani për të zhdukurit: Serbia po e përsëritë krimin

    Osmani për të zhdukurit: Serbia po e përsëritë krimin

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Ditën Ndërkombëtare për Përkujtimin e Viktimave të Zhdukur me Dhunë, ka shkruar mbi 1600 të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, shumë prej tyre fëmijë, ende mbesin plaga më e thellë e Kosovës.

    Osmani ka shkruar në Facebook se synim i regjimit gjenocidal të Serbisë ishte shfarosja dhe shkatërrimi i identitetit dhe të ardhmes sonë.

    “Duke e mohuar të vërtetën, Serbia po e përsëritë vazhdimisht krimin. Duke mbajtur arkivat e mbyllura, pavarësisht dakordimit të Brukselit që e kërkon të kundërtën, Serbia po shkel edhe marrëveshjet e arritura. E vërteta nuk mund të fshihet prapa propagandës se kinse Serbia qenka pro paqes dhe pro integrimit në BE. E vërteta është një dhe e vetme: në vitin 2024, Serbia ende fle mbi varreza masive të civilëve të pafajshëm”, ka shkruar ajo.

  • Mbyllet aplikimi për subvencionimin e izolimit të shtëpive, kjo është arsyeja

    Mbyllet aplikimi për subvencionimin e izolimit të shtëpive, kjo është arsyeja

    Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) ka njoftuar se është mbyllur aplikimi për thirrjen e dytë publike “Zbatimi i Masave të Efiçiencës së Energjisë për Shtëpitë Individuale të Banimit”, vetëm katër ditë pas hapjes.

    Kjo është bërë e ditur, përmes një njoftimi në faqen zyrtare në rrjetin social Facebook.

    Në njoftim thuhet se mbyllja e parakohshme është si rezultat i pranimit të 1333 aplikimeve.

    “Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) njofton qytetarët e Republikës së Kosovës se është mbyllur aplikimi për thirrjen e dytë publike “Zbatimi i Masave të Efiçiencës së Energjisë për Shtëpitë Individuale të Banimit”. Mbyllja e parakohshme është rezultat i pranimit të 1333 aplikimeve në vlerë prej 4,998,871.79€, të cilat përmbushin buxhetin e destinuar për subvencionim të masave, izolim të mureve dhe kulmit dhe ndërrim të dyerve e dritareve të jashtme, deri në 45% të shumës (5% shtesë për shtëpitë që janë pronë e gruas ose bashkëpronësi e çiftit) duke mos kaluar kufirin maksimal 5500 euro”, thuhet në njoftim.

    FKEE, ka bërë të ditur se aplikacionet kanë filluar të shqyrtohen sipas radhës së arritjes së tyre.

    “Ju rikujtojmë se aplikacionet kanë filluar të shqyrtohen sipas radhës së arritjes së tyre dhe së shpejti fillon shpërndarja e letrave të para-aprovimit. Të gjithë ata që pranojnë këtë dokument (para-aprovimin), duhet të ndjekin edhe më tutje rregullat e parapara në thirrjen publike deri në përfundim të procesit kur edhe marrin paratë. Pra, punimet duhet të fillojnë vetëm pas para-aprovimit nga FKEE dhe ato duhet të përfundojnë më së largu me datën 31.12.2024, dhe pas kësaj date nuk mund të trajtohet asnjë kërkesë për disbursim të mjeteve.”, thuhet më tutje në njoftim.
    Ky projekt mbështetet nga Bashkimi Evropian në kuadër të programit IPA – Pako për Mbështetjen e Energjisë, i aranzhuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe i zbatuar nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.

    Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) ka lansuar thirrjen e dytë publike për projektin “Zbatimi i masave të efiçiencës së energjisë për shtëpitë individuale të banimit”, më 26 gusht. Ndërsa, qëllimi i kësaj thirrje ishte të përmirësohen kushtet e jetesës së qytetarëve sa i përket efiçencës së energjisë elektrike dhe ulja e faturave të energjisë elektrike.

  • Macroni nga Beogradi: Zgjidhja Kosovë-Serbi s’bëhet pa kompromis

    Macroni nga Beogradi: Zgjidhja Kosovë-Serbi s’bëhet pa kompromis

    Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dje nisi një vizitë zyrtare dyditore në Serbi, ku pati një takim me presidentin e këtij vendi, Alleksandar Vuçiq.

    Pas takimit, dyshja doli para gazetarëve për t’iu dhënë përgjigje një sërë temash me interes.

    Mes tyre ishte padyshim edhe çështja e Kosovës.

    Macroni tha se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi është pjesë përbërëse e procesit të afrimit me Bashkimin Evropian.

    “Kjo çështje nuk do të zgjidhet pa kompromis nga të dyja palët dhe, në përputhje me rrethanat, nëse nuk ka guxim politik për të arritur një zgjidhje. Në këtë kuptim, dëshiroj të përgëzoj autoritetet kompetente serbe për vendimet e marra në fund të vitit të kaluar për fillimin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Ne kemi ndarë me partnerët tanë evropianë se sa të shqetësuar jemi për lëvizjet e fundit të njëanshme të Kosovës, të cilat nuk dërgojnë sinjal të mirë. Të jeni të sigurt se Franca do të vazhdojë të monitorojë kushtet në të cilat jeton komuniteti serb në Kosovë me vëmendje të veçantë dhe në këtë kontekst ne jemi veçanërisht të përkushtuar për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha Macron, raporton Klankosova.tv.

    Ai theksoi se mesazhi i tij sot është mbi të gjitha mesazh vendosmërie dhe besimi.

    “Ne do të vazhdojmë të mbështesim përpjekjet e investuara në ndërmjetësimin evropian për të arritur progres në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, gjë që është e një rëndësie kyçe për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në këtë mënyrë marrëdhëniet tuaja me të gjithë partnerët do të përmirësohen. Do të kemi lëvizje të lirë të qytetarëve dhe një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët tuaj”, tha Macron.

  • Goffus: Shtimi i trupave të KFOR-it s’është zgjidhje për stabilitet afatgjatë

    Goffus: Shtimi i trupave të KFOR-it s’është zgjidhje për stabilitet afatgjatë

    Ndihmëssekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Operacione, Thomas Goffus, të enjten ka qëndruar në Kosovë, e një ditë më parë edhe në Bosnjë e Hercegovinë. Nga të dyja vendet ai ka përsëritur angazhimin e NATO-s për paqe dhe stabilitet në rajonin “me rëndësi strategjike për Aleancën”.

    Goffus ka përmendur rritjen e numrit të trupave në Kosovë nga viti i kaluar pas tensioneve në veri, por ka deklaruar se kjo nuk është zgjidhje për stabilitet afatgjatë.

    “Gjatë vitit të kaluar, kemi rritur numrin e trupave në Kosovë, në mënyrë që të menaxhonim, për fat të keq, një mjedis më sfidues të sigurisë dhe tensione të vazhdueshme. Kjo tregon, edhe një herë, përkushtimin e palëkundur politik të aleatëve të NATO-s për sigurinë e qëndrueshme në gjithë Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor. Edhe pse fatkeqësisht është e nevojshme për momentin, më shumë trupa nuk janë zgjidhja për paqen dhe stabilitetin afatgjatë në Kosovë”, ka thënë Goffus, njoftoi NATO përmes një deklarate për media të premten.

    Më tej, ka shtuar se zgjidhja për situatën është politike, duke përmendur këtu dialogun Kosovë-Serbi. Ka bërë thirrje për zbatim të marrëveshjeve ekzistuese.

    “Veprimet e papritura dhe të pakoordinuara, veçanërisht në veri të Kosovës, mund të rrisin rrezikun e dhunës, që minon sigurinë e njerëzve në Kosovë dhe rrit rrezikun me të cilin përballen trupat e KFOR-it. Kjo rrit shqetësimin e aleatëve të NATO-s për stabilitetin e rajonit, sigurinë e Kosovës dhe sigurinë e trupave të tyre”, ka theksuar ai.

    Goffus e ka quajtur “jetike” koordinimin në kohë dhe efektiv me NATO-n e komunitetin ndërkombëtar – ndërsa ka përmendur këtu çështjen e Urës së Ibrit.

    Ndërsa ka kërkuar përgjegjësi për ngjarjet e dhunshme në Zveçan e Banjskë të vitit të kaluar, ai ka thënë se “veprimet e pakoordinuara bashkë me retorikën përçarëse, nxisin tensione që rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në Kosovë”.

    “Ekziston një mundësi dhe një nevojë për të ndërmarrë hapa pozitivë drejt depërshkallëzimit dhe uljes së presionit, përmes dialogut konstruktiv për zgjidhje të qëndrueshme”, ka deklaruar Goffus.

  • Kryeministri Rama do të operohet, zbulohet problemi shëndetësor

    Kryeministri Rama do të operohet, zbulohet problemi shëndetësor

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka paralajmëruar se do të operohet sërish për shkak të një problemi shëndetësor.

    Gjatë një vizite në QSUT, ku u përurua spitali ditor, Rama tha se do të paraqitet sërish si pacient, pasi duhet të kryejë edhe një ndërhyrje, për shkak të një problemi me hernien inguinale, shkruan A2.

    “Unë mund të flas edhe si pacient i spitalit që e provova vetë, madje mund të vij prapë për një tjetër ndërhyrje, kam një hernie inguinale që… i kam mësuar edhe emrin… Se kësaj diskales nuk kërkoj mjek se punoj me forcat e mia, me streç dhe vetëpërmbajtje para ushqimit që të mos rëndoj shumë me kolonën e lodhur nga basketbollit, por kësaj inguinales me sa duket nuk i bëj dot derman me forcat e mia, kështu që do të vij prapë”, tha Rama.