ATV

Category: Lajme

  • ​Kjo është arsyeja pse KFOR-i shtoi trupat mbi Urën e Ibrit

    ​Kjo është arsyeja pse KFOR-i shtoi trupat mbi Urën e Ibrit

    Trupa e automjete të shtuara të KFOR-it janë parë të shtunën në mëngjes mbi Urën e lumit Ibër.

    Arsyeja e vendosjes së tyre ka të bëjë më një trajnim që karabinierët italianë janë duke e mbajtur.

    “Është një situatë krejtësisht normale për KFOR-in përveç se ka rastis që të jetë sot e shtune dhe ku ne po zhvillojmë një trajnim për situata të caktuara mbi urën kryesore të Ibrit. Kjo është arsyeja pse sot qytetarët po shohin numër më të madh të pjesëtarëve të KFOR-it dhe po iu duket se gjendja është e tensionuar. Po e përsëris situata është krejtësisht normale për neve KFOR-in”, ka thënë për Kosovapress një burim brenda KFOR-it italian.

  • KQZ u jep 122 ditë afat qytetarëve për kundërshtimin e pasaktësive të listës së votuesve

    KQZ u jep 122 ditë afat qytetarëve për kundërshtimin e pasaktësive të listës së votuesve

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se ka filluar periudha për kundërshtimin e pasaktësive në Listën Preliminare Votuese, për Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.

    Gjatë periudhës 122 ditore (29 gusht – 28 dhjetor 2024) për kundërshtimin e pasaktësive në Listën Preliminare Votuese, çdo person me të drejtë vote që nuk figuron në Listën Votuese, është caktuar gabimisht në qendër tjetër të votimit apo ka të dhëna të tjera të pasakta, mund të kërkojë nga KQZ rishikimin e saj përmes sistemit elektronik apo duke u paraqitur në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën përkatëse.

    Po ashtu, gjatë kësaj periudhe votuesi mund ta kundërshtojë pasaktësinë e Listës Preliminare të Votuese edhe për ndonjë emër të votuesit për të cilin pretendon se nuk duhet të figurojë në këtë listë. Në këtë rast, ankesa duhet të parashtrohet në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ka thënë KQZ.

    Lista Preliminare e Votuesve është publikuar në platformën elektronike të vendosur në
    ueb faqen e KQZ-së: www.kqz-ks.org ose në vegzën direkte http://qv.kqz-ks.org

    Për të kundërshtuar pasaktësitë për Listën Preliminare të Votuesve, votuesi duhet të indentifikohet me njërin nga tri dokumentet: Letërnjoftim i vlefshëm; pasportë e vlefshme; leje e vozitjes e vlefshme.

    Për informata shtesë, qytetarët mund të kontaktojnë në këtë linjë ndihmëse pa pagesë 0800 55 555.

  • Bahtiri u reagon karabinierëve, thotë se qytetarët e jugut dhe veriut duan të jetojnë “pa kufij të padukshëm”

    Bahtiri u reagon karabinierëve, thotë se qytetarët e jugut dhe veriut duan të jetojnë “pa kufij të padukshëm”

    Ish-kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, i ka lutur karabinierët italianë që të mos “provokojnë situatën” dhe tha se qytetarët e jugut të Mitrovicës dhe ata të veriut duan të jetojnë në harmoni e pa kufij.

    “Mbi Urën e lumit “Ibër”, karabinierët italianë duhet të kuptojnë se paqja nuk vjen nga provokimi, por nga mirëkuptimi. I lus karabinierët italianë që të mos provokojnë situatën. Në vend që të bëhen pengesë, le të bëhen urë që bashkon, duke ndihmuar në krijimin e një të ardhmeje të përbashkët. Qytetarët e Jugut dhe Veriut të Mitrovicës dëshirojnë të jetojnë në harmoni, pa kufij të padukshëm!”, ka shkruar Bahtiri.

    Dje policia mbylli pesë objekte të komunave ilegale në komunat veriore të vendit. Kjo lëvizje u kritikua nga partnerët ndërkombëtarë, ndërsa sot KFOR shtoi prezencën në Urën e Ibrit, duke vendosur ushtarë.

  • Policia publikon pamjet nga operacioni i mbylljes së komunave ilegale

    Policia publikon pamjet nga operacioni i mbylljes së komunave ilegale

    Policia e Kosovës ka publikuar pamje të operacionit policor të realizuar në veri të Kosovës

    “Pamje nga operacioni policor i realizuar me 30.08.2024 në veri të Kosovës, bazuar në kërkesën e Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal për ndërprerjen e aktiviteteve ilegale dhe mbylljen e pesë objekteve të komunave ilegale në veri të Kosovës”, shkruan policia krahas pamjeve.

    Aksioni i djeshëm policor që përfundoi me mbylljen e pesë objekteve të komunave ilegale në komunat veriore shkaktoi reagime të ashpra nga SHBA, BE e Mbretëria e Bashkuar.

    Ndërkaq, sot KFOR u pa me një prezencë të shtuar te Ura e Ibrit.

  • Osmani zhvillon takimin e parë bilateral me presidentin e Çekisë

    Osmani zhvillon takimin e parë bilateral me presidentin e Çekisë

    Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka njoftuar se sot për herë të parë në historinë e raporteve midis Kosovës dhe Çekisë, është realizuar takimi i parë bilateral në nivel presidentësh.

    Ajo ka thënë se në takimin e sotëm me Presidentin çek Petr Pavel janë fokusua në angazhimin e përbashkët për paqe dhe siguri afatgjate në Evropë, si dhe në forcimin e partneritetit midis dy shteteve.

  • Pas aksionit policor në veri, KFOR-i rrit numrin e ushtarëve mbi Urën e Ibrit

    Pas aksionit policor në veri, KFOR-i rrit numrin e ushtarëve mbi Urën e Ibrit

    Dje Policia e Kosovës realizoi një aksion policor në veri të Kosovës kundër objekteve të strukturave paralele të Serbisë.

    Një operacion i tillë policor u kritikua gjerësisht nga ndërkombëtarët si i pakoordinuar dhe që vë në rrezik ushtarët e KFOR-it. Pikërisht këta të fundit sot me mëngjes janë parë në Urën e Ibrit.

    Një numër i konsiderueshëm i ushtarëve të KFOR-it janë vendosur mbi Urën e Ibrit, hapja e së cilës është bërë temë politike që disa javë.

    Në një video të publikuar nga mediumi Koha, shihen qartësisht ushtarët e KFOR-it mbi Urën e Ibrit, të cilët kanë bllokuar tashmë edhe lëvizjen mbi këtë urë.

    Në video shihen edhe disa autoblinda të KFOR-it, të cilat i përkasin “Carabanieri”-t të Italisë.

  • Ambasadori britanik për aksionin në veri: Veprimet e tilla rrezikojnë të nxisin tensione

    Ambasadori britanik për aksionin në veri: Veprimet e tilla rrezikojnë të nxisin tensione

    Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves ka reaguar lidhur me aksionin e djeshëm në veri, ku u mbyllën pesë institucione paralele ilegale atje.

    Hargreaves, përmes një postimi në platformën X, ka shkruar se veprimet e tilla kërkojnë konsultim të kujdesshëm me miqtë e palëkundur të Kosovës dhe partnerët e sigurisë, sepse sipas tij, rrezikojnë të nxisin tensione.

    “Veprimet që ndikojnë thelbësisht në mirëqenien e serbëve të Kosovës dhe të komuniteteve të tjera joshumicë kërkojnë konsultim të kujdesshëm me miqtë e palëkundur të Kosovës dhe partnerët e sigurisë, në kontekstin e dialogut më të gjerë. Veprimet e sotme në veri të Kosovës u kryen pa këtë dhe rrezikojnë të nxisin tensione dhe të prekin më të cenuarit”, ka shkruar të premtën në X, Hargreaves.

    Të premten Policia e Kosovës ka zhvilluar një operacion për ndërprerjen e aktiviteteve në pesë objekte që janë shfrytëzuar nga komunat ilegale.

    Policia e Kosovës ka njoftuar se aksioni është realizuar bazuar në kërkesën e Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet përkatëse të Kosovës dhe organeve të drejtësisë.

  • ASK tregon shkaqet e zgjatjes së afatit për regjistrimin e diasporës

    ASK tregon shkaqet e zgjatjes së afatit për regjistrimin e diasporës

    Procesi i regjistrimit për mërgatën ishte planifikuar të përfundojë më 31 gusht të këtij viti, por pas ankesave Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që këtë afat ta shtyjë deri në fund të këtij viti.

    Më shumë se 600 mijë mërgimtarë kanë përfunduar procesin e regjistrimit të popullsisë, prej tyre rreth 300 mijë janë regjistruar fizikisht nëpër komuna dhe mbi 300 mijë të tjerë në platformën E-diaspora deri më tani.

    Me numrin më të madh të diasporës të regjistruar deri më tani prin Gjermania, pasuar nga Zvicra, Suedia, Franca.

    Menaxheri i projektit në Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK), Ylli Shala ka thënë për KosovaPress se përveç formatit online, ASK-ja ka dërguar nga një zyrtar në shtatë komunat më të mëdha të Kosovës, të cilët po asistojnë personat që nuk kanë njohuri të mjaftueshme në aspektin e teknologjisë.

    Sipas ASK-së, numri i personave që jetojnë jashtë vendit është më shumë se 600 mijë, andaj edhe shtyrja e afatit iu ndihmon atyre që të bëhen pjesë e këtij procesi të rëndësishëm.

    Shala ka bërë të ditur se ka kërkesa të shumta nga disa shoqata në diasporë, që të shtyhet për një kohë më të gjatë regjistrimi i popullsisë pasi nuk kanë informacione të mjaftueshme.

    Shala fton të gjithë diasporën të regjistrohen në platformën e E-diaspora, e cila nuk merr më shumë kohë se 5 deri në 10 minuta.

  • Hidhet një mjet shpërthyes në Leposaviq, dyshohet të jetë shok bombë

    Hidhet një mjet shpërthyes në Leposaviq, dyshohet të jetë shok bombë

    Policia e Kosovës ka njoftuar se pas mesnatës në afërsi të objektit të ish-komunës ilegale në Leposaviq, është hedhur një mjet shpërthyes i cili dyshohet të jetë shok bombë.

    Sipas njoftimit të policisë, njësitet relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, për të kryer ekzaminime dhe hetime lidhur me rastin.

    Policia ka bërë të ditur se nuk është raportuar për lëndime, derisa hetimet për rastin janë duke vazhduar nga njësitet kompetente policore.

  • Sesioni vjeshtor – PDK e AAK paralajmërojnë vazhdim të hetimeve në Komisione Hetimore

    Sesioni vjeshtor – PDK e AAK paralajmërojnë vazhdim të hetimeve në Komisione Hetimore

    Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë thënë se në sesionin vjeshtor të Kuvendit të Kosovës do të vazhdojnë me punën e tyre me Komisionet Hetimore për të shpërfaqur “keqpërdorimet e Qeverisë që kanë bërë me buxhetin e shtetit”.

    Ata kanë thënë se kjo legjislaturë ka dështuar edhe në aspektin e miratimit të Ligjeve më të rëndësishme për qytetarët, kështu duke mos përmbushur zotimet e tyre.

    Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka thënë se si opozitë në sesionin vjeshtor do të vazhdojnë punën me Komisionin Hetimor për subvencionimin e teksteve shkollore për vitin 2023-2024, ku sipas tij, do të vazhdojnë të shpërfaqin çdo keqpërdorim të kësaj qeverie.

    “Ne do të vazhdojmë punën aty të Komisioni Hetimor për subvencionimin e teksteve shkollore për vitin 2023-2024, atu ku e kemi lënë për keqpërdorime të cilat kanë ndodhur me subvencionim e për fat të keq tani këto subvencionime vazhduan edhe këtë vit ende pa përfunduar punën procesi hetimor i filluar nga Kuvendi i Kosovës dhe vazhdojmë të shpërfaqmi çdo dobësi dhe çdo keqpërdorim të kësaj qeveri. Ne kemi iniciuar edhe Komisionet Hetimore për sektorin e energjisë dhe për rezervat shtetërore ku tani jemi në një situatë ku mazhoranca ka bllokuar këto Komisione. Shpresoj që Prokuroria të jetë më aktive dhe këto keqpërdorime dhe abuzime të buxhetit të ndalohen, ne do të shpërfaqim edhe gjatë këtij sesioni për aq kohë sa ka mbetur, janë më pak se katër muaj punë të Kuvendit dhe kjo qeveri tani është qeveri në detyre dhe në ikje”, ka thënë ai.

    Ai ka thënë se mazhornaca ka dështuar edhe në sektorin e miratimit të ligjeve duke mos arritur të përmbushin zotimet e tyre.

    Haxhiu ka thënë se me këtë mazhorancë është degraduar puna e Kuvendit të Kosovës.

    “Është dështim edhe në sektorin e legjislacionit, nuk ka arrit të përmbushin as një nga zotimet e tyre. Ligji për shëndetësi, Ligji për Fertelizimin e Asistuar mjekësor po bëhen një vit që është në Kuvend dhe nuk kalon, Ligji për tekste shkollore ka kaluar me kontrabandë dhe vjedhje të votave në Kuvend diçka që nuk ka ndodhur as një herë. Është degraduar puna e Kuvendit me këtë mazhorancë ajo çka kemi parë janë propaganda të natyrave të ndryshme por që në realitet Kosova me këtë qeveri ka shënuar një rritje të varfërisë dhe me qeverinë Kurti jemi vendi me i varfër në Evropë pas Ukrainës e cila ndodhet në luftë”, ka thënë ai.

    Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, ka thënë se dy komisione hetimore të më hershme të Kuvendit të Kosovës, nuk kanë arritur që të përfundojnë punën e tyre për shkak të bojkotit të mazhorancës.

    Ai ka thënë se pozita është munduar që të pengoj ecurinë e punës edhe të Komisionit Hetimor për subvencionimin e teksteve shkollore, sipas tij, shkeljet e kësaj qeverie në raport me iniciativat që ndërmerr opozita janë rutinore dhe të përditshme.

    “Komisionet Hetimore janë themeluar por ju e dini që dy komisione Hetimore paraprake të cilat veç kanë filluar shumë ma herët punën nuk kanë arritur ta përmbyllin për shkak të bojkotit të mazhornacës. Ju e dini rastin e fundit ku jam unë kryesues i Komisionit Hetimor për subvencionimin e tekste shkollore, ju i dini ato lëvizjet të cilat i ka bërë grupi i mazhorancës pa pranin time, pa pranin e nënkryetarit që nuk kanë pasur të drejt fare të ftojnë mbledhje për shkak se unë nuk kam pasur kuorum. Kjo ka qenë arsyeja që të shkojmë në pushim, të ndërpremë punën dhe të vazhdojmë me datën 9 shator. Opozita fare nuk ka qenë e pranishme në intervistimin e palëve të cilat kanë ardhur aty. Madje janë bërë edhe pa pranin e ekspertëve. Shkeljet e kësaj qeverisje në raport me iniciativat që ndërmerr opozita janë rutinore dhe të përditshëm”, ka thënë ai.

    Dreshaj ka thënë se nga vlerësimet e organizatave jo qeveritare del që puna e Kuvendit për sesioni e kaluar nuk ka qenë e mirë, sipas tij, ajo vlerësohet si qeverisja me e dobët duke marr parasysh numrin e ligjeve të cilat kanë kaluar në Kuvend.

    “Keni pasur dhe prononcime të organizatave tjera jo fitimprurëse të cilat funksionojnë në Kosovë dhe merren me menaxhimin e punës së Kuvendit, vlerësimet e tyre nuk janë të mira lidhur me punën. Madje vlerësojnë me keq se në këtë qeverisje sa qe qeverisjet paraprake në raport me numrin e ligjeve të cilat kanë kaluar në Kuvend. As një ligj bazik nuk ka kaluar në këtë qeverisje, krejt janë ligje sektoriale, ose amandamentime të ligjeve paraprake të cilat nominohen, ose numërohen si suksese të punës. Ju them që as një ligj bazik i cili është premtuar nga kjo qeverisje nuk është sjell në Kuvend dhe nuk ka kaluar në Kuvend, Ligji për Shëndetësi, Ligji për Sigurime Shëndetësore, Ligji për Skema Pensionale, këto janë tri ligjet e mëdha bazike që kanë pasur për të kaluar as njëri nuk janë ardhur për tu debatuar”, ka thënë ai.