ATV

Category: Lajme

  • Burri nga Shtimja raporton në polici se një predhë e ka goditur murin e shtëpisë së tij

    Burri nga Shtimja raporton në polici se një predhë e ka goditur murin e shtëpisë së tij

    Një burrë nga Komuna e Shtimes ka raportuar në Policinë e Kosovës se një predhë e fishekut të armës së zjarrit e ka goditur murin e shtëpisë së tij.

    Lajmin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes raportit ditor, ku thuhet se predha e fishekut të armës së zjarrit ka ngelur brenda fasadës së shtëpisë. PK’ja ka konfiskuar predhën në vendngjarje.

    “Petrovë, Shtime / 06.09.2024 – 11:00. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se një predhë e fishekut të armës së zjarrit kishte goditë murin e shtëpisë së tij dhe kishte mbetur brenda fasadës së shtëpisë. Njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, si dëshmi kanë konfiskuar një predhë të fishekut të armës së zjarrit. Lidhur me rastin është informuar prokurori”, thuhet në njoftimin e PK’së.

    Rasti po hetohet si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

  • Aksident mes dy veturave në Fushë Kosovë, policia dalin në vendngjarje

    Aksident mes dy veturave në Fushë Kosovë, policia dalin në vendngjarje

    Një aksident ka ndodhur rreth orës 9:50 në rrugën Prishtinë-Fushë Kosovë, ku dy vetura janë përplasur, raporton ATV.

    Nuk ka ende informacione për ndonjë të lënduar.

    Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur ekipet e policisë, ndërsa aksidenti ka shkaktuar pengesa në trafik gjatë kësaj dite vikendi. /atvlive.tv

  • Vetëm Kosova pa statusin e vendit kandidat për BE, Von der Leyen: 2030 mund të jetë afat real për zgjerim

    Vetëm Kosova pa statusin e vendit kandidat për BE, Von der Leyen: 2030 mund të jetë afat real për zgjerim

    Presidentja e rizgjedhur e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka paralajmëruar se në ekipin e saj të ri me mandat pesëvjeçar do të ketë një komisionar për zgjerim.

    Ajo e ka thënë këtë për të treguar se procesit të zgjerimit do t’i kushtohet rëndësi dhe kujdes i veçantë.

    Edhe në përbërjet e deritashme të Komisionit Evropian ka pasur komisionar për zgjerim, por ai ka qenë përgjegjës edhe për politikën fqinjësore të BE-së. Me zgjerimin është marrë vetëm pjesërisht, pasi në dikasterin e tij ka pasur përgjegjësi edhe për vendet në fqinjësi të BE-së – nga lindja e Evropës deri te vendet e Afrikës së Veriut.

    Hera e fundit kur Komisioni Evropian ka pasur komisionar vetëm për zgjerim, ka qenë gjatë mandatit të parë të Komisionit Evropian, të udhëhequr nga Jose Manuel Barroso, nga viti 2004 deri në vitin 2009. Atëkohë, këtë rol e ka pasur komisionari Olli Rehn.

    Më pas, për tri mandate radhazi të Komisionit, komisionari për zgjerim ka qenë i angazhuar edhe me politikën ndaj fqinjëve.

    Drejtoria për zgjerim është shndërruar, po ashtu, në drejtori të përgjithshme për fqinjësi dhe zgjerim. Shkurtesë e saj ishte NEAR, që nga anglishtja i bie ‘afër’. Kjo është shpjeguar me faktin se vetëm disa vende kanë qenë në procesin e zgjerimit dhe shumica prej tyre në fazën fillestare.

    Tash, me përfshirjen e tri vendeve të Evropës Lindore në procesin e zgjerimit – Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë – krahas gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor – Malit të Zi, Serbisë, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Bosnje e Hercegovinës dhe Kosovës – si dhe Turqisë – numri i vendeve në procesin e zgjerimit është rritur në dhjetë.

    Të gjitha, me përjashtim të Kosovës, kanë edhe formalisht statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.

    Kosova ka aplikuar për anëtarësim në këtë bllok qysh në dhjetor të vitit 2022, por kërkesa e saj deri më tash nuk është shqyrtuar.

    Në BE, ndërkohë, është rritur mbështetja për procesin e zgjerimit dhe pritet që ai të përshpejtohet.

    Presidenti në largim i Këshillit Evropian, Charles Michel, e ka përmendur vitin 2030 si afat deri kur edhe BE-ja, edhe vendet kandidate do të duhej të bëheshin gati për zgjerim.

    Edhe udhëheqës të tjerë të BE-së kanë bërë thirrje që të dyja palët, si vendet kandidate, ashtu edhe Bashkimi Evropian, të kryejnë pjesën e tyre të punës, për të mundësuar realizimin e qëllimit të procesit të zgjerimit, përkatësisht pranimin formal të vendeve kandidate në BE.

  • Kosova rrezikon të mbetet jashtë Procesit të Berlinit, shkak masa e sigurisë me Serbinë

    Kosova rrezikon të mbetet jashtë Procesit të Berlinit, shkak masa e sigurisë me Serbinë

    Kosova mund të mbetet jashtë procesit të Berlinit nëse nuk reflekton në kërkesën që Manuel Sarrazin i’a bëri për përfaqësimin e saj në CEFTA.

    Një mundësi të tillë e përmendi edhe vet emisari gjerman, i cili po kërkon heqjen e ndalesës së importit të mallrave serbe, si masë e sigurisë.

    Brenda më pak se 10 ditësh, përfaqësuesi i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor Manuel Sarrazin vizitoi dy herë Kosovën.

    Herën e dytë foli në publik për vendimmarrjen në CEFTA, që është bllokuar për shkak të mospajtimeve të Kosovës në lidhje me përfaqësimin e saj në këtë mekanizëm.

    Ani pse duket që Kosova arriti një marrëveshje me Sarrazin në lidhje me këtë aspekt, kushti i Serbisë ndaj Kosovës për heqjen e ndalimit të importit të mallrave serbe, bllokoi prapë këtë marrëveshje.

    Kështu, kishte thënë amabasadori gjerman në Kosovë Jorn Rohde që me anë të një postimi në platformën X tha se ka tërhequr vërejtjen se nëse është e nevojshme do të vazhdohet pa Kosovën në këtë proces.

    Jeton Zulfaj, këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në samitin që do të mbahet me 14 tetor, është e rëndësishme të ketë rezultate konkrete drejt synimeve të Procesit të Berlinit.

    Duke folur për kritikat e emisarit special gjerman ndaj Kosovës në lidhje me CEFTA-n, Zulfaj thotë se Kosova është treguar konstruktive në këtë proces duke kontribuar për një zgjidhje kompromisi.

    “Procesi i Berlinit nuk ka një listë të gjërave që janë vetëm në proces, por merr nga iniciativat e ndryshme, duke përfshirë edhe ato që janë në kuadër të tregut të përbashkët rajonal, por ndonjëherë kontribuon edhe në zgjidhjet e çështjeve bilaterale… Besoj se në këtë drejtim është deklarata e Sarrazin që lidhet me vendimet që udhët t’i marrin në CEFTA, ku shumica e tregut të përbashkët rajonal varet nga mënyra sesi funksionon CEFTA… Ka të bëjë me vendime që janë në CEFTA dhe janë një listë që po presin vendimmarrje”, tha ai.

    Për të koordinuar agjendën e samitit në tetor, emisari gjerman Sarrazin ka qëndruar javën e kaluar dhe këtë javë në vendet e rajonit dhe në Kosovë.

  • Parashikimi i motit për sot

    Parashikimi i motit për sot

    Sot, në Kosovë na pret mot kryesisht me diell dhe mjaft i nxehtë veror.

    Vranësirat pritet të jenë të pakta, ndërsa temperatura parashihet të arrijë deri në 32 gradë Celsius.

    Në Shqipëri, Maqedoninë Veriore, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi nesër pritet të mbajë mot kryesisht me diell dhe mjaft i nxehtë veror.

    Temperaturat do të jenë mjaft të larta, deri në 35 apo 36 gradë Celsius në zonat më të nxehta të territoreve tona.

    Pasdite rrallë në disa vise mund të ketë ndonjë rigë ose rrebesh lokal shiu.

  • Përleshje në Prishtinë, pesë të arrestuar, një në QKUK

    Përleshje në Prishtinë, pesë të arrestuar, një në QKUK

    Pesë persona janë arrestuar në Prishtinë, pasi dyshohet janë përfshirë në një rrahje.

    Ata janë dërguar në mbajtje, ndërsa një person tjetër gjendet në QKUK.

    Rasti po hetohet.

    “LËNDIM I RËNDË TRUPOR- Rr. Dervish Qollaku, Prishtinë / 07.09.2024 – 03:35. Janë arrestuar pesë të dyshuar meshkuj kosovar të cilët për shkaqe ende të panjohura ishin përfshi në rrahje dhe si pasojë kanë pësuar lëndime dhe kanë pranuar tretman mjekësor. Pas intervistimit me vendim të prokurorit pesë të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, kurse një i dyshuar mashkull kosovar i cili ka pësuar lëndime dhe nuk është arrestuar gjendet në QKUK për tretman të mëtejmë mjekësor. Rasti vazhdon të hetohet.”

  • Humb jetën një 67-vjeçare në plazhin e Durrësit

    Humb jetën një 67-vjeçare në plazhin e Durrësit

    Një grua 67-vjeçare ka vdekur sot në plazhin e Durrësit, pasi është futur për t’u larë në det.

    Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:50, në lagjen nr. 13 Durrës, njoftoi policia, raportojnë mediat atje.

    Viktima A. Gj., 67 vjeçe, banuese në Tiranë, dyshohet se sapo ka rënë në kontakt me ujin në det, ka pësuar arrest kardiak dhe si pasojë ka humbur jetën.

  • Hapen për qarkullim pikat në Bërnjak e Merdar, Sveçla thotë se bllokadat janë hequr nga serbët

    Hapen për qarkullim pikat në Bërnjak e Merdar, Sveçla thotë se bllokadat janë hequr nga serbët

    Të gjitha pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë tashmë janë hapur për qarkullim të plotë dhe papengesë, pas bllokadave në pjesën serbe të kufirit.

    Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se janë informuar se për largimin e bllokadave nga persona të maskuar në pikat kufitare në territorin e Serbisë.

    Për këtë, ai tha se kanë marrë vendim për hapjen për qarkullim të pikave kufitare në Merdar dhe Bërnjak, të cilët u mbyllën dje, transmeton Sinjali.

    “Pas pranimit të njoftimeve se tashmë janë larguar bllokadat e krijuara nga ekstremistë të maskuar që kanë qenë të vendosura dje në territorin e Serbisë dhe duke parë se nuk ka ndonjë pengesë për qarkullim nga dhe drejt pikave kufitare të Republikës së Kosovës, morëm vendimin për hapjen për qarkullim të pikave kufitare Merdarë dhe Bërnjak.” – ka shkruar Sveçla.

    Pikëkalimi në Jarinjë u hap mëngjesin e së shtunës.

  • Rrahja në Emshir, Gjykata Themelore e Prishtinës cakton paraburgim për të dyshuarit

    Rrahja në Emshir, Gjykata Themelore e Prishtinës cakton paraburgim për të dyshuarit

    Gjykata Themelore Prishtinë, ka vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së Paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurve A.H.1, A.H.2 dhe J.H si dhe ndaj të pandehurit M.H për caktimin e masës Paraqitja në stacionin policor, për shkak se në bashkëkryerje dyshohen se kanë kryer veprën penale Lëndimi i rëndë trupor dhe veprën penale në bashkëkryerje Lëndimi i lehtë trupor.

    Gjykata ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, pasi nëse të pandehurit lihen në liri, ekziston rreziku i ikjes së tyre dhe të shmangen nga procedura penale, duke pasur parasysh rrethanat dhe mënyrën, sesi pretendohet se janë kryer veprat penale, po ashtu edhe raportet familjare ndërmjet të pandehurve dhe të dëmtuarve në këtë çështje penale, gjykata vlerëson se lënia në liri e të pandehurve mund të rrezikojë në masë të madhe zhvillimin e drejtë të procedurës penale dhe ndikimin në dëshmitarë me qëllim të lirimit të të pandehurve nga përgjegjësia penale, si dhe të njëjtit mund të përsërisin veprën penale apo mund të kryejnë vepër penale edhe më të rëndë.

    “Ekziston dyshimi i bazuar se më datën 05.09.2024 rreth orës 20:30 në lagjen Emshir në Prishtinë për shkak të mosmarrëveshjeve me familjen H., të pandehurit në bashkëkryerje edhe me tre të mitur, me dashje dhe me qëllim të shkaktimit të lëndimeve trupore përgatiten dhe marrin mjete të përshtatshme për të shkaktuar lëndime të rënda trupore dhe shkojnë në vendin ku po qëndronin të dëmtuarit A.H, N.H, S.H dhe B.H, ku pas një fjalosje të shkurtër, fillojnë ti godasin në pjesë të ndryshme të trupit me ç’rast të dëmtuarit A.H i shkaktojnë lëndime të rënda trupore. Ndërsa në të njëjtë datë, kohë dhe vend për shkak të mosmarrëveshjeve me familjen H., të pandehurit në bashkëkryerje edhe me tre të mitur, me dashje dhe me qëllim të shkaktimit të lëndimeve trupore, përgatiten dhe marrin mjete të përshtatshme për të shkaktuar lëndime të rënda trupore dhe shkojnë në vendin ku po qëndronin të dëmtuarit N.H, S.H dhe B.H, ku pas një fjalosje të shkurtër fillojnë ti godasin në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast të njëjtëve ju shkaktojnë lëndime të lehta trupore”, thuhet në vendimin e themelores.

  • Vazhdon qarkullimi normal në Jarinje, Bërnjaku dhe Merdarja mbesin të mbyllura

    Vazhdon qarkullimi normal në Jarinje, Bërnjaku dhe Merdarja mbesin të mbyllura

    Edhe në këto orë të pasdites është duke vazhduar në mënyrë normale qarkullimi në pikën kufitare veriore, në Jarinje, raporton Gazeta Sinjali.

    Kështu ka konfirmuar zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

    “S’ka ndryshim”, thotë Elshani, duke iu referuar edhe deklaratave të tij të mëhershme, ku ka treguar se “qarkullimi në Jarinje po vazhdon normalisht”.

    Ndërkohë, në mëngjes Elshani ka njoftuar për situatën që ka qenë gjatë natës në pikat veriore.

    “Situatë e qetë, pa incidente”, ka thënë Elshani për Gazetën Sinjali.

    Ndryshe, dy pikat tjera kufirtare, Bërnjaku dhe Merdarja – vazhdojnë të jenë të mbyllura, ashtu siç ka konfirmuar mbrëmë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

    Fillimisht mbrëmë u mbyllë pikëkalimi në Bërnjak. Sveçla tha se grupe ekstremistësh të maskuar në prani të policisë së Serbisë, brenda territorit të Serbisë, kanë ndaluar veturat dhe legjitimuar udhëtarët.

    Ai bëri me dije se një familje kosovare që po udhëtonte për në Gjermani është kthyer prapa me forcë.

    “Kjo po ndodhë para syve të policisë së Serbisë, fakt ky që e bën atë bashkë fajtore. Këto akte fashiste ku serbët lejohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë kurse shqiptarët pengohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë, janë absolutisht të papranueshme për ne.  Prandaj, deri në stabilizimin e qarkullimit normal, të pa pengueshëm dhe të sigurtë për të gjithë udhëtarët, pika kufitare në Bërnjak mbyllet për qarkullim”, shkroi Sveçla.

    Pas mesnatës, ai njoftoi se është mbyllur edhe pika kufitare në Merdare.

    “Pas veprimeve të njëjta të ekstremistëve të maskuar serb brenda territorit të Serbisë, që po ndalojnë në mënyrë selektive e me qasje fashiste ndaj qytetarëve që duan të kalojnë transit përmes Serbisë dhe gjithë kjo para syve të autoriteteve të Serbisë, mbyllet edhe pika kufitare në Merdare. Në mbrojtje të jetës dhe për sigurinë e të gjithë qytetarëve tanë, edhe kjo pikë si ajo në Bërnjak do të jetë e mbyllur deri në ndalim të veprimeve të tilla selektive e fashiste e normalizim të plotë të situatës”, shkroi Sveçla.

    Pikëkalimet e tjera kufitare mes dy vendeve, Dhei i Bardhë, Mutidovë dhe Muçibabë, janë të hapura.

    Shoqatat serbe i vendosën këto bllokada në anën serbe të kufirit me Kosovën si shenjë proteste ndaj mbylljes së institucioneve paralele serbe në veri të Kosovës nga autoritetet kosovare më 30 gusht.