ATV

Category: Lajme

  • Bëhet shkëmbimi i 103 të burgosurve ukrainas, Zelensky: Njerëzit tanë u kthyen shtëpi

    Bëhet shkëmbimi i 103 të burgosurve ukrainas, Zelensky: Njerëzit tanë u kthyen shtëpi

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy ka shpërndarë fotografi të 103 të burgosurve ukrainas të luftës të liruar në një shkëmbim me Rusinë.

    Përmes një shkrimi në “X”, Zelensky tha se 82 nga ukrainasit ishin ushtarë dhe rreshterë, dhe 21 ishin oficerë, duke përfshirë roje kufitare dhe oficerë policie, shkruan Sky News.

    “Ata po mbronin rajonet e Kievit dhe Donetskut, rajonet Mariupol dhe Azovstal, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kharkiv”, ka shtuar Zelensky.

  • Përmbytjet kaplojnë Rumaninë, vdesin katër persona

    Përmbytjet kaplojnë Rumaninë, vdesin katër persona

    Pesë persona kanë vdekur dhe më shumë se 100 të tjerë janë evakuuar, pasi pjesa lindore e Rumanisë u godit nga vërshime masive mbrëmjen e 13 shtatorit.

    Qarku Galati dhe Vaslui janë goditur më së rëndi nga vërshimet, teksa njerëzit hipën në çatitë e shtëpive të tyre, duke pritur ekipeve e shpëtimit që t’i evakuonin.

    Shumë rrugë janë bllokuar në këto dy qarqe, ku niveli i ujit në disa vende ka arritur deri në 3 metra për shkak të shirave të rrëmbyeshëm.

    Nëntëmbëdhjetë fshatra në tetë qarqe janë goditur nga vështrimet, sipas autoriteteve rumune.

    Reshje shiu është parashikuar se do të godasë shumicën e rajonit në ditët në vijim, teksa autoritet janë vënë në gatishmëri në Republikën Çeke, Poloni, Sllovaki, Hungari, në jug të Gjermanisë dhe disa pjesë të Austrisë./REL

  • Rama të enjten në Bruksel, Presidentja e KE-së mbledh liderët e Ballkanit Perëndimor

    Rama të enjten në Bruksel, Presidentja e KE-së mbledh liderët e Ballkanit Perëndimor

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, do të mbledhë të enjten në Bruksel liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

    I pranishëm do të jetë edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.

    Në këtë takim Von Der Leyen pritet që t`ju paraqesë një udhërrëfyes konkret për pesë vitet e ardhshme me afate kohore në kushtet kur do të nisë nga puna Komisioni i ri Evropian.

    Kryeministri Rama pritet që të shtrojë çështjen e rrugëtimit të Shqipërisë drejt BE-së duke kërkuar që të mbahet konferenca e dytë ndërqeveritare në tetor.

  • Stoltenberg: NATO-ja ka mundur të bëjë më shumë për të parandaluar luftën në Ukrainë

    Stoltenberg: NATO-ja ka mundur të bëjë më shumë për të parandaluar luftën në Ukrainë

    NATO-ja ka mundur të bëjë më shumë për të armatosur Ukrainën dhe për të tentuar që të parandalojë pushtimin e Ukrainës, që Rusia nisi më 2022.

    Kështu deklaroi në një intervistë të publikuar më 14 shtator shefi në largim i aleancës ushtarake perëndimore, Jens Stoltenberg.

    “Tani ne ofrojmë pajisje ushtarake për luftën – atëherë, ne kemi mundur të ofronim pajisje ushtarake për të parandaluar luftën”, tha Stoltenberg për gazetën e përjavshme gjermane, FAS.

    Stoltenberg theksoi se hezitimi i aleancës për të ofruar armë që Kievi kërkonte para nisjes së pushtimit ishte për shkak të frikës se tensionet me Rusinë do të përshkallëzoheshin.

    Stoltenberg, ish-kryeminitër i Norvegjisë, do të largohet nga drejtimi i NATO-s në tetor të këtij viti./REL/

  • Aprovohet marrëveshja e ndërmjetësimit, hudhet aktakuza për grushtimet në Kuvend

    Aprovohet marrëveshja e ndërmjetësimit, hudhet aktakuza për grushtimet në Kuvend

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim me të cilin ka aprovuar marrëveshjen e lidhur në Qendrën e Ndërmjetësimit në mes zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe deputetëve Hajdar Beqa, Bekim Haxhiu dhe Mërgim Lushtaku me të dëmtuarin Hekuran Murati, për përleshjen e ndodhur më 13 korrik 2023 në Kuvendin e Kosovës.

    Vendimi është marrë më 2 shtator 2024, përmes së cilit gjykata po ashtu ka hedhur poshtë aktakuzën ndaj Bislimit, Beqës, Lushtakut e Haxhiut dhe ka pushuar procedurën penale ndaj tyre.

    “HUDHET aktakuza e PTH-së në Prishtinë-Departamenti i Përgjithshëm, PP.II.nr.4413/23, të dt.24.10.2023 dhe PUSHOHET procedura penale kundër të pandehure B. B., M. L. dhe H. B., për shkak të veprës penale Sulmi nga neni 184 par.1 të KPRK-së, për të pandehurin H. B. edhe për shkak të veprës penale Asgjësimi, apo dëmtimi i pasurisë nga neni 321 par.1 të KPRK-së, ndërsa për të pandehurin B. H., për shkak të veprës penale Lëndim i lehtë truporë nga neni 185 par.1 pika 1.4 të KPRK-së”, thuhet në vendimin e gjykatës, që ka siguruar “Betimi për Drejtësi”.

    Tutje, në këtë vendim thuhet se marrëveshja e arritur në mes palëve të lartcekura është aprovuar konform nenit 248 paragrafi 1, pika 1.4 të Kodit të Procedurës Penale lidhur me nenin 2 paragrafi 2 dhe nenin 15 paragrafi 1 të Ligjit për Ndërmjetësim.

    Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se për aktakuzën e ngritur ndaj Bislimit, Beqës, Lushtakut e Haxhiut, gjykata më 25 maj 2024 ka caktuar dhe mbajtur shqyrtimin fillestar, ku me propozimin e palëve në procedurë është vendosur që kjo lëndë të dërgohet në Qendrën për Ndërmjetësim në Prishtinë, ku dhe në këtë qendër është arritur marrëveshja në mes palëve në procedurë.

    “Andaj gjykata duke vepruar konform dispozitave nga neni 2 par.2 dhe neni 15 par.1 të Ligjit për Ndërmjetësim Nr.06/L-009, më dt.02.09.2024, e aprovoi këtë marrëveshje pasi që të njëjtën e vlerësoi se është lidhur me vullnetin e plotë të palëve në konflikt dhe në pajtim me ligjin në fuqi, konform nenit 8 par.7 të Ligjit të Ndërmjetësimit, me datën e aprovimit nga Gjykata, përkatësisht nga dt.02.09.2024, kjo marrëveshje do ta ketë fuqinë e titullit ekzekutiv”, thuhet tutje në vendimin e gjykatës.

    Ndërsa, shpenzimet e procedurës penale sipas këtij vendimi bien në barrën e mjeteve buxhetore të kësaj gjykate.

    Se një marrëveshje e tillë ishte arritur mes palëve, më 14 gusht 2024 e kishte konfirmuar edhe avokatja e deputetit të PDK-së, Mërgim Lushtakut, Besjana Ismajli.

    Deri tek kjo marrëveshje ka ardhur pasi në seancën e datës 28 maj 2024 Besnik Bislimi, Mërgim Lushtaku, Hajdar Beqa dhe Bekim Haxhiu ishin pajtuar që kjo çështje të zgjidhet me ndërmjetësim.

    Pajtimi i palëve që lënda të shkojë në procedurë të ndërmjetësimit, kishte ardhur pasi gjykatësi i rastit Eroll Gashi ua propozoi një gjë të tillë.

    Mbrojtësi i të akuzuarit Besnik Bislimi, avokati Florent Latifaj kishte thënë se pas konsultimit me të mbrojturin e tij, pajtohen që kjo lëndë të shkojë në procedurë të ndërmjetësimit.

    Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Hajdar Beqa, avokati Hajzer Salihu kishte thënë se do t’ia japin një shans procedurës së ndërmjetësimit.

    Po ashtu, edhe mbrojtësja e të akuzuarit Mërgim Lushtaku, avokatja Besjana Ismajli e kishte mbështeti deklarimin e avokatit Salihu, e cila tha se pajtohen që kjo lëndë të shkojë në ndërmjetësim.

    Gjithashtu, mbrojtësi i të akuzuarit Bekim Haxhiu, avokati Ardian Megjani, ishte pajtuar që lënda të shkojë në ndërmjetësim.

    Po ashtu, që kjo lëndë të shkojë në ndërmjetësim ishte pajtuar edhe i dëmtuari, ministri i Financave, Hekuran Murati si dhe prokurorja Nebahate Salihu.

    Për çka akuzohej zëvendëskryeministri Besnik Bislimi?

    Sipas aktakuzës, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi akuzohej se gjatë seancës plenare të 13 korrikut 2023, ka përdorur forcë fizike kundër tani të dëmtuarit deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mergim Lushtaku, pasi ky i fundit i kishte hedhur ujë Bislimit.

    Sipas Prokurorisë, Lushtaku këtë e kishte bërë në shenjë revolte pasi i akuzuari Bislimi paraprakisht e kishte hequr një foto të Kryeministrit Albin Kurtit të paraqitur në formë të “Pinokios”, e vendosur paraprakisht nga disa deputetë. Pasi kishte hedhur ujë Lushaku në drejtim të Kryeministrit dhe më pas të Bislimit, thuhet se Bislimi në shenjë revolte e kishte gjuajtur me shishe Lushtakun, e më pas me dashje e kishte goditur edhe me grushte dore në fytyrë të dëmtuarin Lushtaku, veprime të cilat shihen nga kamerat e sigurisë brenda sallës së Kuvendit.

    Me këtë, Bislimi akuzohej se ka kryer veprën penale “Sulmi”, sipas nenit 184 par.1 të Kodit Penal.

    Për çka akuzohej deputeti Mërgim Lushtaku?

    Sipas aktakuzës, ekziston dyshimi se i pandehuri Mërgim Lushtaku më 13 korrik 2023, në objektin e Kuvendit, gjatë mbajtjes së seancës së rregullt plenare, ka përdorur forcë fizike kundër tani të dëmtuarit Besnik Bislimi. Aty thuhet se pas krijimit të situatës së eskaluar në Kuvend, i pandehuri Lushtaku me dashje e kishte sulmuar fizikisht Bislimin, duke e goditur me shuplakë në fytyrë, veprime të cilat shihen përmes kamerave të sigurisë që gjenden brenda sallës së Kuvendit.

    Me këtë, Lushtaku akuzohej se ka kryer veprën penale “Sulmi” sipas nenit 184, patr.1 të Kodit Penal.

    Për çka akuzohej deputeti Hajdar Beqa?

    Kurse, i pandehuri Hajdar Beqa, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), thuhet se më 13 korrik 2023, në objektin e Kuvendit, gjatë seancës plenare, ka përdorur forcë fizike kundër tani të dëmtuarit, ministrit të Financave, Hekuran Murati. Sipas aktakuzës, derisa i dëmtuari Murati kishte parë se deputeti Lushtaku kishte hedhur ujë në drejtim të Kryeministrit të Kosovës, i njëjti ishte ngritur në këmbë për të parandaluar ndonjë sulm ndaj Kryeministrit dhe atëherë i pandehuri me dashje e kishte sulmuar fizikisht të dëmtuarin Murati, duke e goditur me grusht në fytyrë mbi vetull, veprime të cilat shihen përmes kamerave të sigurisë në Kuvend.

    Me këtë, Beqa akuzohej se ka kryer veprën penale “Sulmi”, nga neni 184, par.1 të Kodit Penal.

    Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Beqa, më 13 korrik 2023, në objektin e Kuvendit gjatë seancës plenare, i revoltuar nga situata e krijuar mes deputetëve të PDK-së dhe disa anëtarëve të kabinetit qeveritar, me dashje që t’i shkaktojë dëm material të dëmtuarit Hekuran Murati, të njëjtit me forcë nga fytyra ia ka tërhequr syzet e tij, e më pas i hedh në tokë, duke ia dëmtuar ato, duke i shkaktuar dëm material në vlerë të pacaktuar.

    Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë” nga neni 321, par.1 të Kodit Penal.

    Për çka akuzohej deputeti Bekim Haxhiu?

    Gjithnjë sipas aktakuzës, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, akuzohej se në seancën e Kuvendit, në të njëjtën datë, kishte përdorur forcë fizike, ndaj tani të dëmtuarit Hekuran Murati, kjo pas situatës së krijuar mes deputetit Mërgim Lushtaku dhe anëtarëve të kabinetit qeveritar. Sipas aktakuzës, i akuzuari Haxhiu, me dashje që t’i shkaktojë lëndime trupore të dëmtuarit Murati, e ka goditur me grusht në pjesën e majtë të fytyrës, duke i shkaktuar ndrydhje të indeve në nofull, dëmtime të kualifikuara si lëndime të lehta trupore.

    Me këto veprime, Haxhiu akuzohej se ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, sipas nenit 185, par.1, pika 1.4 të Kodit Penal.

    Me këtë aktakuzë, është propozuar që gjatë administrimit të provave të nxjerrën dhe shikohen si prova: një CD me video-incizime nga regjia në Kuvend, CD-ja me video-incizime nga Kuvendi më 13 korrik 2023, një CD me video-incizime të marrë nga DIA lidhur me rastin e Kuvendit, foto-dokumentacioni që gjendet në shkresat e lëndës, deklaratat e të pandehurve dhe të dëmtuarve dhe informacionet e siguruara gjatë procedurës penale, raportin mjekësor, mendimin e ekspertit mjeko-ligjor dr. Naim Uka.

    Përmes aktakuzës së ngritur nga prokurorja Nebahate Salihu, propozohet që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor publik, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas Kodit dhe të njëjtit të obligohen që t’i paguajnë shpenzimet e procedurës penale.

  • Policia arreston një burrë në Viti, iu gjetën 13 revole në shtëpi

    Policia arreston një burrë në Viti, iu gjetën 13 revole në shtëpi

    Policia e Kosovës ka arrestuar një qytetar në qytetin e Vitisë.

    Në njoftimin e PK-së thuhet se në shtëpinë e të arrestuarit janë gjetur 13 revole.

    “Rr. Flaka e Janarit, Viti 13.09.2024-15:40. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi qe gjate kontrollit ne shtëpinë e tij janë gjetur dhe konfiskuar 13 revole, një arme karabine dhe 42 fishekë të kalibrave të ndryshëm. Me vendim te prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje” – shkruhet në raportin e Policisë së Kosovës.

  • DASh-i reagon lidhur me aktakuzën për Banjskën: Të respektohet procesi gjyqësor

    DASh-i reagon lidhur me aktakuzën për Banjskën: Të respektohet procesi gjyqësor

    Shtetet e Bashkuara tha se inkurajojnë respektimin e procesit gjyqësor dhe të sundimit të ligjit, pasi Kosova ngriti aktakuzë lidhur me sulmin e armatosur të 24 shtatorit të Banjskë të Zveçanit.

    “Sa i përket aktakuzës së Kosovës, ne inkurajojmë për respektimin e procesit gjyqësor dhe të sundimit të ligjit dhe për durim, teksa ky rast i ndërlikuar procedohet në gjykata. SHBA-ja vazhdon të mbështesë fuqishëm sundimin e ligjit, drejtësinë e barabartë dhe qeverisjen e mirë në Kosovë”, tha një zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit për Radion Evropa e Lirë.

    Nga DASH-i thanë se presin që Serbia të kërkojë përgjegjësi të plotë për personat e përfshirë në sulmin e shtatorit të vitit të kaluar.

    Më 24 shtator të vitit të kaluar, një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës në veri të Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë.

    Gjatë kësaj jave, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 45 personave për këtë sulm.
    Kosova e konsideron këtë sulm si terrorist, ndërsa liderët shtetërorë akuzojnë shtetin e Serbisë për organizim të sulmit.

    Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe. Ai, në aktakuzë, cilësohet si “kreu i grupit terrorist”.

    Ngritja e aktakuzës për sulmin e armatosur në Banjskë është mirëpritur edhe nga Bashkimi Evropian, i cili ndërmjetëson dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Nga BE-ja thanë se përgjegjësit duhet të përballen me pasoja, pasi gjyqësori i Kosovës të shpallë aktvendimin ndaj tyre, teksa zëdhënësi i bllokut, Peter Stano, tha se Brukseli vazhdimisht i ka kërkuar Serbisë që të përfshirët në këtë sulm të dalin para drejtësisë.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 13 shtator se autoritetet serbe po e hetojnë sulmin në Banjskë.

    Ai tha se ky sulm, për Serbinë, nuk është “terrorist”.

    “Por, nuk dua të zgjerohem më tej dhe të shpjegoj përsëri se kush është fajtor për këtë dhe kush e solli këtë gjendje”, tha Vuçiq gjatë një adresimi.

    Radoiçiq besohet se gjendet në Serbi. Ndërkaq, të pandehurit e tjerë, sipas aktakuzës, të gjithë janë në arrati përveç tre personave që gjenden në paraburgim në Kosovë: Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq.

  • Policia largon posterat me foton e Radojiçiqit që u vendosën në tri komuna në veri, i merr si provë materiale

    Policia largon posterat me foton e Radojiçiqit që u vendosën në tri komuna në veri, i merr si provë materiale

    Policia e Kosovës ka konfirmuar se në tri komunat veriore, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, persona të panjohur kanë vendosur postera me foton e kryeterroristit Millan Radojiçiq.

    Policia ka bërë me dije se posterat janë hequr dhe janë marrë si provë materiale.

    Rasti po trajtohet për “NXITJE E PËRÇARJES DHE MOS DURIMIT”.

    “Leposaviç, Zveçan, Zubin Potok 12-13.09.2024-23:00-10:00. Raportohet se persona të panjohur, në qytetet: Leposaviç, Zveçan, Zubin Potok, kanë vënë (ngjitur) postera me foton e Milan Radojçiqit dhe me përmbajtje të nxitjes së përçarjes dhe mos durimit. Posterat janë marre si prove materiale. Lidhur me rastin është informuar prokurori”, thuhet në raportin e Policisë.

  • Të hënën Kuvendi i Kosovës shënon Ditën e Demokracisë

    Të hënën Kuvendi i Kosovës shënon Ditën e Demokracisë

    Me moton globale “Qeverisja efektive e Inteligjencës Artificiale në të gjitha nivelet”, Kuvendi i Kosovës të hënën shënon Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë.

    Në kuadër të kësaj dite, dyert e Kuvendit do të jenë të hapura për qytetarët.

    Tutje, bëhet e ditur se nga ora 10:00 fillon ceremonia e Hapjes së Ditës së Demokracisë, po ashtu mbahet panairi i organizatave të shoqërisë civile dhe kuizi i Demokracisë.

    Ndërkohë nga ora 11:00 mbahet tryezë diskutimi “Zgjedhjet dhe teknologjia”.

  • Qalaj: Policia e Kosovës është sanksionuar nga ShBA-ja, ka vite që askush më nuk shkon në trajnime në FBI

    Qalaj: Policia e Kosovës është sanksionuar nga ShBA-ja, ka vite që askush më nuk shkon në trajnime në FBI

    Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka thënë se policia veçse është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Qalaj u shpreh se këtë e thotë për faktin që sipas tij, nuk është duke marr më pjesë në trajnime të FBI-së dhe PK-së i janë ndalur edhe trajnimet në Gjermani.

    “As një parti politike, as kush, as një politikan, pavarësisht a është i pozitës apo i opozitës nuk duhet të ketë tendenca të përzierjes në punët operacionale të policisë. Mund të them që PK-ja veç është sanksionuar nga ShBA-ja me qenë se ka vite që askush më nuk shkon në trajnime në FBI”.

    “Me sa kam informata janë ndalur edhe trajnimet në Gjermani e kështu me radhë, prandaj këto janë masat që janë duke u marr fatkeqësisht ndaj Policisë së Kosovës”, ka thënë Qalaj.

    Ai gjithashtu tha se ka një kohë të gjatë që është duke u diskutuar ndikimi direkt i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe i qeverisë në punët operacionale të Policisë së Kosovës.

    “Ka një kohë bukur të gjatë, ka dy tri-vite që ne jemi duke folur vazhdimisht mbi ndikimin direkt të Ministrisë së Brendshme dhe qeverisë së Kosovës në punët operacionale të Policisë së Kosovës”.

    “Në vazhdimësi e kemi ngritur këtë çështje në qoftë në seancat e Kuvendit, qoftë në mbledhjen e Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje, mendoj që Policia e Kosovës duhet të punoj e pa varur nga aspekti operacional ashtu që përcakton edhe ligji i policisë dhe po ashtu Policia e Kosovës të mbështet sa më shumë edhe me buxhet por edhe me përkrahje nga qeveria dhe populli i Kosovës”, ka thënë ai./EO