ATV

Category: Lajme

  • Me kërkesë të avokatëve mbrojtës, ndërpritet seanca në rastin “Patentë-shoferët”

    Me kërkesë të avokatëve mbrojtës, ndërpritet seanca në rastin “Patentë-shoferët”

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin e njohur si “Patentë-shoferët”, është ndërprerë seanca e planifikuar të mbahej në ditën e sotme, pasi që mbrojtësit e të akuzuarve kanë kërkuar t’u dorëzohet deklarata e dëshmitares bashkëpunuese, Filiz Krasniqi.

    Para se të fillohej me dëshminë e dëshmitares bashkëpunuese, Filiz Krasniqi, mbrojtësi i të akuzuarit Naser Llugaliu, avokati Hamdi Ibrahimi kërkoi nga gjykata që të sqarojë se si është shpallur dhe në cilat dispozita ligjore është bazuar vendimi, që dëshmitarja Filiz Krasniqi të shpallet dëshmitare bashkëpunuese.

    Gjithashtu Ibrahimi tha që Kodi i Procedurës Penale i cili ishte në fuqi në kohën kur është ngritur aktakuza, nuk ka lejuar që një person i cili është në pozitën e menaxherit dhe kur në rastin e njëjtë përfshihen së paku dy persona që janë nën vartësinë e tij apo saj, nuk mund të ketë statusin e dëshmitarit bashkëpunues.

    Po ashtu avokati Hamdi Ibrahimi kërkoi që dëshminë e mbyllur të dëshmitares bashkëpunuese Filiz Krasniqi, gjykata ta dorëzojë tek të gjithë mbrojtësit dhe të shfuqizohet urdhëresa që siguron mbylljen e deklaratës të kësaj dëshmitare.

    Lidhur me këtë kërkesë të avokatit Ibrahimi, prokurori Eset Rama deklaroi që nëse gjykata vendos ta revokojë këtë urdhër i cili siguronte mbylljen e deklaratës të dëshmitares Filiz Krasniqi, atëherë ata janë të gatshëm që ta dorëzojnë tek të gjithë mbrojtësit këtë deklaratë.

    Po ashtu mbrojtësi i të akuzuarit Dritmir Islami, avokat Flakron Sylejmani deklaroi që javën e kaluar janë pajisur me deklaratën e dëshmitares bashkëpunuese, por nuk janë pajisur me kopjen e urdhërit të veçantë që dëshmitarja është shpallur dëshmitare bashkëpunuese.

    Tutje, trupi gjykues morri aktvendim që të aprovohet propozimi i mbrojtëseve, që të hapet për mbrojtësit deklarata e dëshmitares bashkëpunuese Filiz Krasniqi dhe e njëjta të ju dërgohet atyre.
    Në këto rrethana mbrojtësi i të akuzuarit, Besfort Pozhegu, avokati Besnik Berisha, kishte kritika për kushtet në sallën e gjykimit dhe i njëjti kërkoi që seanca e sotme të shtyhet dhe mbrojtësve t’iu lejohet, sipas tij, ta bëjnë punën siç duhet dhe t’i analizojnë të gjitha shkresat.

    Po ashtu edhe avokati Hamdi Ibrahimi deklaroi se duhet kohë për t’u analizuar kjo deklaratë, duke kërkuar nga gjykata që kjo seancë të ndërpritet.

    Në fund të seancës kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dërmaku obligoi prokurorin e shtetit që mbrojtësit t’i pajisë me shkresa.

    “Obligohet prokurori i shtetit, që mbrojtësit ti pajis me të gjitha deklaratat e dëshmitarëve bashkëpunues si dhe urdhërin dhe procesverbalin e shpalljes së këtyre dëshmitarëve bashkëpunues” tha Dërmaku.

    Në seancën e 14 qershorit 2023, të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm për akuzën e ngritur më 31 mars 2021 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë. Në këtë rast, për korrupsion dhe vepra tjera penale akuzohen: Naser Llugaliu, Filloreta Ajvazi, Flora Ferizi, Adem Binakaj, Leurat Shehu, Agim Restelica, Flamur Lekaj, Shaban Zuka, Eduard Brahimaj, Dragan Zhivkoviq, Naser Bislimi, Azem Miftari, Labinot Ajeti, Magbule Mehmeti, Avdush Topalli, Pemtim Topallli, Selim Rrustemi, Fatos Ferizi, Besfort Pozhegu, Naim Thaqi, Sylë Bejta, Ekrem Latifi, Dritmir Islami, Murtez Rama, Hasan Hasani, Milazim Demolli, Lindita Hoxha, si dhe Enver Fazliu, raporton “Betimi për Drejtësi”.

  • “Edhe gratë vdesin për atdhe”, ministri Maqedonci fton të rejat t’i bashkohen FSK-së

    “Edhe gratë vdesin për atdhe”, ministri Maqedonci fton të rejat t’i bashkohen FSK-së

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, u ka bërë thirrje të rejave që të aplikojnë për t’u bërë ushtare të FSK-së.

    Nëpërmjet një videoje të postuar në Facebook, ai thotë se beson thellësisht se si burrat, edhe vajzat e gratë e duan atdheun dhe janë në gjendje të luftojnë e të vdesin për të.

    “Forca e Sigurisë së Kosovës është forcë multietnike, me element përbashkues vullnetin për t’i shërbyer atdheut, përtej dallimeve gjinore e kulturore është forcë për të qëndruar gjithmonë stoik në mbrojtje të sovranitetit territorial e të jetës së qytetarëve. Ne besojmë thellësisht se si burrat, edhe vajzat e gratë e duan atdheun dhe janë në gjendje të luftojnë e vdesin për të, siç e kanë dëshmuar fuqishëm në të gjitha periudhat e historisë sonë të lavdishme. Andaj, ftoj të rejat që të aplikojnë për tu bërë ushtare të FSK-së, si forma më fisnike për t’i shërbyer Kosovës”, ka shkruar Maqedonci.

  • BE-ja zotohet për sanksione ndaj Iranit, pas dyshimeve për furnizimin e Rusisë me raketa

    BE-ja zotohet për sanksione ndaj Iranit, pas dyshimeve për furnizimin e Rusisë me raketa

    Bashkimi Evropian (BE) e ka dënuar furnizimin e dyshuar të Rusisë me raketa balistike nga Irani, si dhe është zotuar se do të vendosë sanksione të reja ndaj republikës islamike.

    Në një komunikatë të përbashkët të premten, 27 vendet anëtare të BE-së thanë se furnizimi “është kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj sigurisë evropiane” dhe se kjo përbën përshkallëzim, pasi Irani në të kaluarën e ka furnizuar Rusinë me municione dhe dronë.

    Shefi i politikës së jashtme dhe sigurisë i bllokut, Josep Borrell, tha se BE-ja do të përgjigjet shpejt me sanksione të reja ndaj programeve raketore dhe dronëve të Iranit.

    Irani i ka mohuar akuzat nga Ukraina dhe Perëndimi se po e furnizon Rusinë me raketa. Teherani e ka mohuar edhe në të kaluarën se e furnizon atë me dronë luftarakë.

    “BE-ja e ka paralajmëruar vazhdimisht Iranin kundër furnizimit të Rusisë me raketa balistike”, thuhet në njoftim.

    Irani është tejet i izoluar politikisht për shkak të programit të tij bërthamor dhe shkeljes së të drejtave të njeriut.

    Në vitet e fundit, udhëheqësia iraniane është përgjigjur duke i forcuar marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën.

    Në fillim të kësaj jave, Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania i anuluan marrëveshjet për shërbime ajrore me Teheranin dhe u zotuan se do ta sanksionojnë kompaninë e saj ajrore, Iran Air.

    Treshja evropiane, e njohur si E3, tha në një komunikatë më 10 shtator se ka ndërmarrë masa pasi konfirmoi se Irani kishte transferuar raketa balistike në Rusi.

    Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj 10 individëve dhe gjashtë subjekteve me bazë në Iran dhe në Rusi, përfshirë ndaj Iran Air, për furnizimin e dyshuar me raketa balistike.

    Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Nasser Kanani, tha më 10 shtator se këto akuza janë “plotësisht të rrejshme dhe të pabaza”./REL/

     

  • Policia shpall në kërkim një grua, kërkon ndihmë për arrestimin e saj

    Policia shpall në kërkim një grua, kërkon ndihmë për arrestimin e saj

    Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për arrestimin e një gruaje.

    Në kërkesën e Policisë nuk tregohet emri i saj e as vepra për të cilën është shpallur në kërkim.

    “Policia e Kosovës, respektivisht stacioni policor Qendra në Prishtinë, paraqet para jush fotografinë e të dyshuarës së shpallur në kërkim. I bëjmë thirrje kujtdo që ka informacion për vendndodhjen e kësaj të dyshuare, të kontaktojë menjëherë Policinë e Kosovës ose të raportoj në mënyrë anonime përmes aplikacionit lajmëro policinë. Bashkëpunimi juaj është thelbësor për të na ndihmuar të garantojmë sigurinë brenda komunitetit tonë për një shoqëri pa krim”, thuhet në njoftim.

  • Bastisje në nëntë lokacione në rajonin e Prishtinës, arrestohen disa persona

    Bastisje në nëntë lokacione në rajonin e Prishtinës, arrestohen disa persona

    Policia ka bërë të ditur se në rajonin e Prishtinës janë bërë nëntë bastisje.

    Si rezultat i kësaj janë arrestuar disa persona dhe u bë zbulimi e sekuestrimi i armëve dhe municioneve.

    Njoftimi i plotë:

    Operacioni rrodhi pas një hetimi gjithëpërfshirës mbi informacione të mbledhura nga burime të ndryshme përfshirë këtu edhe ekspozime të armëve nga persona të caktuara në rrjete sociale dhe rezultoi me arrestimin e disa personave si dhe zbulimin dhe sekuestrimin e armëve dhe municioneve.

    Janë kryer nëntë bastisje si dhe janë sekuestruar;

    Një armë e gjatë,

    Një pushkë gjuetie,

    Dy revole, si dhe

    Një sasi e konsiderueshme municioni.

    Ndërlidhur me rastin, me rekomandimin e prokurorit të shtetit, policia ka iniciuar një hetim në drejtim të veprave penale “Mbajtja në pronësi kontroll ose posedim apo shfrytëzim të pa autorizuar të armës”, si dhe “Mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të pa autorizuar të armës”, ndërkaq të dyshuarit janë proceduar më tej.

    Ky operacion pasqyron përkushtimin dhe përpjekjet tona të vazhdueshme kundrejt armëve të zjarrit pa leje, për të garantuar sigurinë publike, për respektimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të të gjithë qytetarëve.

    Në të njëjtën kohë i bëjmë thirrje publikut të raportojë çdo aktivitet të dyshimtë për të na ndihmuar në misionin tonë për të ruajtur paqen dhe sigurinë.

  • Shqiptarët e Luginës protestojnë sërish kundër diskriminimit nga Serbia

    Shqiptarët e Luginës protestojnë sërish kundër diskriminimit nga Serbia

    Shqiptarët e Luginës së Preshevës do të protestojnë përsëri kundër diskriminimit që po u bëhet nga Serbia.

    Pas protestës që u mbajt në muajin gusht në Bujanoc, më 23 shtator është paralajmëruar protesta tjetër në Preshevë.

    Lajmin e ka bërë të ditur deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi i cili ka ftuar qytetarët të marrin pjesë në këtë protestë.

    “Marshojmë për ndërprerjen e pasivizimit të adresave, për njohjen e diplomave, për vende pune dhe për institucione të hapura për të gjithë. Për zbatimin e Marrëveshjeve të nënshkruara dhe për përmbushjen e detyrimeve të shtetit ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës. për dinjitetin dhe identitetin tonë- Dilni dhe marshoni!”, ka shkruar Kamberi.

  • KFOR-i bën tërheqjen e disa mjeteve shpërthyese në Kamenicë

    KFOR-i bën tërheqjen e disa mjeteve shpërthyese në Kamenicë

    Dje rreth orës 11:22, një person nga fshati Karaçevë e Epërme e Kamenicës ka raportuar se kishte vërejtur disa mjete shpërthyese.

    Policia bën të ditur se njësiti policor ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka bërë sigurimin e mjeteve shpërthyese, kurse njësiti i KFOR-it nga ai lokacion ka bërë tërheqjen e tyre.

  • Rusia i dëbon gjashtë diplomatë britanikë

    Rusia i dëbon gjashtë diplomatë britanikë

    Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë (FSB) i ka akuzuar gjashtë diplomatë britanikë për spiunazh dhe ka thënë se ka vendosur t’ua heqë atyre akreditimin.

    Televizioni shtetëror rus e citoi një zyrtar të FSB-së të ketë thënë se ata do të dëbohen.

    FSB-ja pretendon se mori dokumente që tregojnë se ata ishin dërguar në Rusi nga një divizion i Ministrisë së Jashtme britanike dhe se “detyra kryesore e tyre është shkaktimi i një disfate strategjike ndaj vendit tonë”.

    Sipas saj, ata ishin përfshirë “në grumbullimin e të dhënave dhe në aktivitete armiqësore”.

    Ky vendim u mori vetëm dy ditë pasi Shtetet e Bashkuara dhe Britania u zotuan se do ta ndihmojnë Ukrainën me 1.5 miliard dollarë shtesë, dhe pasi zyrtarët ukrainas i vazhduan kërkesat ndaj Perëndimit për përdorimin e raketave perëndimore për sulme thellë brenda Rusisë.

  • Pranohen me shkrim dëshmitë e nëntë dëshmitarëve në rastin Thaçi dhe të tjerët

    Pranohen me shkrim dëshmitë e nëntë dëshmitarëve në rastin Thaçi dhe të tjerët

    Gjykata Speciale ka njoftuar se më 10 shtator, trupi gjykues ka pranuar në prova dëshmitë dhe provat materiale shoqëruese me shkrim të 9 dëshmitarëve në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët.

    Po ashtu, trupi gjykues ka hedhur poshtë kërkesën në lidhje me dëshmitarin e 10-të, pa paragjykuar të drejtën e Prokurorisë për të paraqitur kërkesë për ta thirrur dëshmitarin të dëshmojë në sallën e gjyqit.

    Veç kësaj, më 5 shtator, trupi gjykues ka miratuar kërkesën e Prokurorisë për të lejuar pranimin në prova të disa pjesëve të dëshmisë me shkrim të një dëshmitari dhe për ta lejuar atë të dëshmojë nëpërmjet videokonferencës.

    “Trupi Gjykues theksoi se mbrojtja nuk kundërshtoi kërkesën dhe konstatoi se dhënia e dëshmisë nëpërmjet videokonferencës është më e favorshme për mirëqenien e dëshmitarit dhe ndihmon në kryerjen e shpejtë të procesit gjyqësor”, thuhet në njoftim.

    Të njëjtën ditë, trupi gjykues ka miratuar një kërkesë të Prokurorisë që dhe dy dëshmitarë të tjerë të japin dëshmi nëpërmjet videokonferencës, meqë kjo është më e favorshme për shëndetin dhe mirëqenien e tyre. Trupi gjykues u bind se dhënia e dëshmisë prej tyre nëpërmjet videokonferencës nuk do t’u shkaktojë dëm të akuzuarve dhe është në përputhje me mbrojtjen e efektshme të të drejtave të tyre.

    Seanca e ardhshme në këtë çështje gjyqësore është planifikuar për të hënën, 16 shtator, duke filluar në orën 9:00 paradite, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • Mbi 2 mijë e 500 gjoba trafiku shqiptoi policia gjatë 24 orëve të fundit

    Mbi 2 mijë e 500 gjoba trafiku shqiptoi policia gjatë 24 orëve të fundit

    Policia e Kosovës ka shqiptuar gjithsej 2 mijë e 591 tiketa trafiku gjatë 24 orëve të fundit.

    Në këtë periudhë kohore raportohet se kanë ndodhur 15 aksidente trafiku me të lënduar dhe 28 me dëme materiale.