ATV

Category: Lajme

  • Prindërit e nxënësve të shkollës “Dardani” nga nesër bojkotojnë procesin mësimor: Orari i papërshtatshëm për fëmijët tanë

    Prindërit e nxënësve të shkollës “Dardani” nga nesër bojkotojnë procesin mësimor: Orari i papërshtatshëm për fëmijët tanë

    Prindërit e nxënësve të klasës II/4 të Shkollës Fillore të Mesme e Ulët “Dardani”, kanë vendosur të bojkotojnë procesin mësimor nga nesër, sepse sipas tyre orari i propozuar për vitin shkollor 2024-2025 është i papërshtatshëm.

    Përmes një komunikate për media, thuhet se orari i propozuar për fëmijët në klasën e dytë është nga ora 15:00 deri në 18:25.

    Sipas tyre, ky orar është tejet i papërshtatshëm për fëmijët, pasi çrregullon tërësisht dinamikën e tyre ditore, raporton Ekonomia Online.

    “Shumë prej nesh, si prindër që punojnë, i dërgojmë fëmijët në qëndrim ditor nga ora 07:30 e mëngjesit, dhe ky orar i ri do të thotë se ne mund t’i marrim fëmijët vetëm rreth orës 19:00 pasdite. Është shkencërisht e vërtetuar se orare të tilla nuk janë efektive për fëmijët, pasi çrregullojnë procesin e mësim nxënies. Për më tepër, Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Neni 50, Pika 4, thekson qartë se “Të gjitha veprimet që kanë të bëjnë me fëmijët, të ndërmarra qoftë nga institucionet e pushtetit publik, qoftë nga institucionet private, do të jenë në interesin më të mirë të fëmijëve.

    Ne besojmë fuqishëm se ky orar për nxënës të moshës 7-8 vjeç nuk e merr parasysh interesin më të mirë të fëmijëve tanë. Ndërsa një orar i tillë mund të jetë i pranueshëm në situata të jashtëzakonshme, Kosova dhe sistemi ynë arsimor nuk po kalojnë nëpër ndonjë periudhë të tillë. Prandaj, ne, prindërit e nxënësve të klasës II/4, kemi vendosur unanimisht të bojkotojmë procesin mësimor nga e Hëna date 16.09.2024, deri sa të na ofrohet një orar më i përshtatshëm për fëmijët tanë”, thuhet në komunikatë.

  • Serbia me masa ndaj Kosovës, Staroviq thotë se aplikimi i tyre nis në nëntor

    Serbia me masa ndaj Kosovës, Staroviq thotë se aplikimi i tyre nis në nëntor

    Ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale në Serbi, Nemanja Staroviq ka deklaruar se pakoja e masave e miratuar nga Qeveria serbe “për t’i mbrojtur të drejtat e serbëve dhe interesat kombëtare e vitale shtetërore në Kosovë” është më gjithëpërfshirësja që ka ndërmarrë Serbia në 25 vjetët e fundit.

    Staroviq nënvizoi se disa nga masat do të fillojnë të aplikohen që nga fillimi i nëntorit.

    “Kemi kërkesa të qarta për bashkësinë ndërkombëtare, që janë shumë mirë të argumentuara dhe të bazuara, dhe që përfshijnë rikthimin në ‘status quo ante’, pra në kohën para se Albin Kurti të shembte dhe rrëzonte Marrëveshjen e Brukselit me veprimet e tij njëanshme,” tha Staroviq për RTS.

    Ai theksoi se pakoja përfshin një dimension politik-juridik, si dhe një dimension socio-ekonomik.

    Sipas tij në muajin e ardhshëm, Kuvendi i Serbisë do të shpallë Kosovën si “zonë e mbrojtur sociale”.

    “Këtë do ta rregullojmë përmes një zgjidhjeje ligjore adekuate në gjashtë javët e ardhshme, si dhe praktikisht përmes rishikimit të buxhetit për vitin 2024 dhe projektbuxhetit për vitin 2025,” shtoi Staroviq.

    Në mesin e masave, Staroviq përmendi ndihmën prej 20,000 dinarë për 5,000 individë dhe familje të “rrezikuara socialisht” në Kosovë, si dhe pagat e plota prej 60,000 dinarë për 300 të papunë.

    Po ashtu, ai theksoi shpërndarjen e teksteve shkollore falas dhe shtesat për ushqim për fëmijët.

    Staroviq njoftoi gjithashtu se disa nga masat do të fillojnë të aplikohen që nga fillimi i nëntorit, disa nga fillimi i dhjetorit, dhe disa do të presin deri në fillim të janarit.

    Të premten, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, prezantoi pesë masa për Kosovën.

    Sipas prezantimit, aty përfshihen kthimi në gjendjen e “para vendimeve të njëanshme të Kosovës; shpalljen e Kosovës si zonë nën mbrojtje të posaçme speciale; përforcim të mëtejmë të institucioneve serbe në Kosovë; themelimin e një prokurorie të posaçme për ndjekjen penale të keqpërdorimeve dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut në zonën e Kosovës; dhe vendimin për paligjshmërinë e të gjitha institucioneve në Kosovë të themeluara pas shpalljes së njëanshme të pavarësisë”.

  • Arrestohet një burrë në Gjilan, dyshohet për dhunë në familje

    Arrestohet një burrë në Gjilan, dyshohet për dhunë në familje

    Është arrestuar një person në Gjilan, i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike dhe fizike ndaj një gruaje.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, viktima ka marrë tretman mjekësor për lëndimet e shkaktuara.

    Gjatë kontrollit, autoritetet kanë sekuestruar një pistoletë me kalibër 9×19 mm, e cila posedonte leje valide, si dhe 15 fishekë të po të njëjtit kalibër.

    Me vendim të prokurorit, pas intervestimit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • I sanksionuari i Amerikës Vulini thotë se Serbisë nuk i duhet BE-ja nëse i pret njohja e Kosovës

    I sanksionuari i Amerikës Vulini thotë se Serbisë nuk i duhet BE-ja nëse i pret njohja e Kosovës

    Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin deklaroi se Serbia është në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian, por se nuk vendos për shpejtësinë e saj.

    “Nëse në rrugë na pret njohja e Kosovës, detyrimi për të lehtësuar martesat e të njëjtës gjini apo pjesëmarrja në konfliktin me Rusinë dhe Kinën, ne as nuk duhet të shkojmë në atë rrugë”, tha Vulini në një intervistë për Veçernje Novosti.

    Ai theksoi se “derisa të na thonë këtë, na takon neve t’i përmbahemi neutralitetit tonë ushtarak, reformave që na përshtaten dhe të përpiqemi ta forcojmë Serbinë në kohën e ardhshme”.

    I pyetur nëse Serbia me blerjen e avionëve francezë Rafal ka bërë kthesën më të madhe drejt Perëndimit deri më tani, Vulini tha se ky ishte një vendim pragmatik dhe jo politik, dhe se Serbia do të mbrojë qiejt e saj me “rafal” dhe “miga”.

    Ai tha se presidenti rus Vladimir Putin, gjatë takimit të tyre të fundit në Rusi, nuk përmendi “Rafalët”, “por përmendi shkëmbimin tregtar, marrëveshjen e gazit dhe mbështetjen e Rusisë për çdo luftë serbe”, përcjellë Danas.

    Vulin që është në listën amerikane të personave të sanksionuar vizitoi Rusinë muajin e kaluar.

  • Ekstradohet nga Italia në Shqipëri Agron Tufa, i dënuar me 30 vjet burgim

    Ekstradohet nga Italia në Shqipëri Agron Tufa, i dënuar me 30 vjet burgim

    Ekstradohet nga Italia, shtetasi Agron Tufa, i dënuar me 30 vjet burgim, për vrasje me dashje.

    Agron Tufa, i dënuar nga Gjykata e Krujës me 30 vite burgim për vrasje me dashje, është ekstraduar nga Italia në Shqipëri.

    52-vjeçari u kap në Bari, Itali, në muajin janar 2024, gjatë operacionit policor të koduar “Informacioni”, i finalizuar si rezultat i shkëmbimit të informacioneve mes Policisë së Shtetit dhe Policisë italiane.

    Ai ishte shpallur në kërkim ndëkombëtar, pasi në vitin 2021, Gjykata e Krujës e ka dënuar me 30 vjet burgim, për vrasje me dashje të kryer në bashkëpunim dhe për armëmbajtje pa leje.

    Shtetasi Agron Tufa, në bashkëpunim me shtetasin H. R., ka vrarë me armë zjarri, në Nikël, Krujë, shtetasin K. H., dhe më pas e kanë djegur trupin e tij.

  • E plagosën një qen, arrestohen dy persona në Skenderaj

    E plagosën një qen, arrestohen dy persona në Skenderaj

    Dy persona janë arrestuar në Skenderaj dje më 14 shtator pasio e kishte plagosur qenin e një personi tjetër.

    Në raportin 24-orësh të policisë thuhet se ata i kishte lajmëruar në polici pronari i qenit.

    Nga të dyshuarit janë konfiskuar dy pushkë gjuetie. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

  • Akuzohen për huliganizëm dhe sulm ndaj policëve, ish-asamblistit të LVV-së dhe të tjerëve në 2025-ën u parashkruhet lënda

    Akuzohen për huliganizëm dhe sulm ndaj policëve, ish-asamblistit të LVV-së dhe të tjerëve në 2025-ën u parashkruhet lënda

    Gjashtë të akuzuarve për huliganizëm dhe sulm ndaj personit zyrtar gjatë protestave të 2015-ës, ish-asamblistit të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, Egzon Azemit, Luan Hotit, Naim Bunjakut, Kushtrim Avdimetajt, Veron Hasanit dhe Ardian Huliti, pritet që më 18 nëntor 2025 këto vepra tu parashkruhen.

    Sipas Kodit Penal të Kosovës (KPK), dënueshmëria për të dy veprat penale “Huliganizëm” dhe “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare” del të jetë deri në 5 vite burgim, ndërkaq rasti sipas akuzës së prokurorisë ka ndodhur më 17 dhe 18 nëntor të vitit 2015, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “1. Kushdo që merr pjesë në turmën e mbledhur prej më tepër se tetë personave, e cila me veprime të përbashkëta e privon personin tjetër nga jeta, i shkakton lëndime të rënda trupore personit tjetër, shkakton rrezik të përgjithshëm, shkakton dëm pasuror në vlerë prej njëzetmijë (20.000) Euro apo më shumë ose kryen vepra tjera të rënda të dënueshme me së paku pesë (5) vjet burgim apo tenton të kryejë vepra të tilla, dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet”, thuhet nenin 412 i KPK-së që flet për veprën penale të “Huliganizmit”.

    “2. Nëse vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni rezulton me lëndim të lehtë trupor të personit zyrtar apo ndihmësi të tij ose përfshin kanosje për përdorimin e armës apo mjetit të rrezikshëm, kryesi dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet”, thuhet në nenin 410 paragrafi 2 i KPK-së që flet për “Sulmin” ndaj personit zyrtar.

    Dhe se duke llogaritur afatin e parashkrimi del se parashkrimi relativ i këtyre veprave bëhet pas pesë viteve, ndërsa parashkrimi absolut bëhet pas dhjetë viteve nga kryerja e veprës penale.

    “1.4. pesë (5) vjet nga kryerja e veprës penale të dënueshme me më shumë se tre (3) vjet burgim;” thuhet në kapitullin e dhjetë nenin 106 që flet për parashkrimin e ndjekjes penale.

    Në çfarë faze gjendet procesi gjyqësorë ndaj gjashtë të akuzuarve?

    Fillimisht, ndaj të akuzuarve Kushtrim Avdimetaj, Veron Hasani dhe Ardian Hulit është veçuar procedura penale dhe se ndaj të njëjtëve po mbahet shqyrtimi gjyqësor.

    Ndërkaq, ndaj Egzon Azemit, Luan Hotit dhe Naim Bunjakut ende nuk është arritur të mbahet shqyrtimi fillestar, në të cilin rast gjykatës është Eroll Gashi, ndërsa prokuror Blerim Igrishta.

    Më 3 shtator 2024 kishte dështuar të mbahej shqyrtimi gjyqësorë ndaj Azemit, Hotit dhe Bunjakut pasi që ky i fundit mungoi për shkaqe shëndetësore.

    Lidhur me zvarritjen e këtij rasti “Betimi për Drejtësi” ka dërguar pyetje një javë më parë Gjykatës Themelore të Prishtinës, mirëpo e njëjta deri në publikimin e këtij raporti nuk kanë kthyer përgjigje.

    Çka thuhet në Dosjen e Prokurorisë ndaj këtyre të akuzuar?

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 17 dhjetor 2015, gjashtë të akuzuarit e lartcekur më 17 dhe 18 nëntor 2015, kanë marrë pjesë në turmë-protestën e organizuar në të cilën protestë edhe përkundër që se forcat e rendit po mbanin situatën nën kontroll ata kishin sulmuar seriozisht Policinë e Kosovës duke e goditur me gurë, kubëza betoni dhe mjete tjera të forta.

    Në aktakuzës thuhet se, si pasojë e goditjeve nga të akuzuarit, lëndime të lehta trupore kishin pësuar të zyrtarët policorë: Ismail Sadiku, Naim Berisha dhe Ekrem Vllasi si dhe nga këto veprime të të pandehurve ishte shkaktuar dëm i konsiderueshëm material.

    Andaj, për këto veprime të akuzuarit po ngarkohen se kanë kryer veprat penale “Huliganizëm” nga neni 412 paragrafi 1 dhe “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare” nga neni 410 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

  • Arrestohet një person në Krushë, gjuajti me armë në një aheng

    Arrestohet një person në Krushë, gjuajti me armë në një aheng

    Një person është arrestuar në Krushë të Vogël të Prizrenit dje më 14 shtator, pasi kishte shtënë me armë zjarri në një aheng familjar.

    Në raportin 24-orësh thuhet se nga i dyshuari është konfiskuar arma e zjarrit Zoraki me një karikator dhe pesë gëzhoja.

    Me vendim të prokurorit, pas intervistimit i dyshuari dërgohet në mbajtje.

  • Arrestohet në aeroportin “Adem Jashari”, kishte urdhëresë nga gjykata

    Arrestohet në aeroportin “Adem Jashari”, kishte urdhëresë nga gjykata

    Një person është arrestuar dje më 14 shtator në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”,

    Në raportin 24 orësh të policisë thuhet se ky arrestim u bë me urdhëresë të lëshuar nga gjykata.

    “Në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata, është arrestuar një mashkull kosovar dhe i njëjti dërgohet në vuajtje të dënimit”, thuhet në raportin 24-orësh.

  • Në Holandë mbahet takimi rajonal për personat e zhdukur

    Në Holandë mbahet takimi rajonal për personat e zhdukur

    Gjatë javës, në Mbretërinë e Holandës, në një bashkë-organizim nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur i Republikës së Kosovës dhe Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur është mbajtur takimi i radhës i Grupit Rajonal për Persona të Zhdukur, që funksionon sipas Planit Kornizë Rajonal në zbatim të Deklaratës për Persona të Zhdukur nga Samiti i Londrës (2018), në kuadër të Procesit të Berlinit.

    Krahas diskutimeve dhe përgatitjeve për takimin e radhës në kuadër të procesit të Berlinit, sipas propozimit dhe kërkesës paraprake së Kryesuesit të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur (KQPZh), Andin Hoti, të pranishmit gjatë takimit kanë prezantuar edhe angazhimin rajonal në përmbushje të objektivave të Planit Kornizë me theks të veçantë adresimin dhe punën në terren.

    Përderisa në filim të takimit, Drejtoresha e Përgjithshme e Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, Kathryne Bomberger, theksoi se puna e Grupit Rajonal është thelbësore për të siguruar përgjigje për ata që janë ende të zhdukur. “Kjo çështje ka të bëjë me sigurimin e drejtësisë për familjet e të zhdukurve – njohjen e vuajtjeve që kanë kaluar, sigurimin e llogaridhënies dhe rivendosjen e dinjitetit për viktimat, dhe se zgjidhja e këtyre rasteve nuk është vetëm një proces teknik, por është detyrim moral dhe ligjor”.

    Ndërsa, Udhëheqësi i Njësisë së KQPZh-së, Kushtrim Gara, në cilësinë edhe të bashkë-kryesuesit të këtij takimi rajonal, ritheksoi edhe njëherë angazhimin dhe përkushtimin e Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, së bashku me shoqatat e familjarëve dhe institucionet tjera shtetërore, për të vërtetën, intensifikimin e bashkëpunimit dhe dinamizimin e procesit.

    “Shteti ynë, Komisioni Qeveritar i Republikës së Kosovës, mbetet shembull për trajtimin dhe adresimin e kësaj çështje, plage të hapur e shoqërisë sonë dhe tema më prioritare e të gjitha agjendave. Që nga koha kur jemi bashkuar kësaj nisme, të konkretizuar me marrëveshjet në vitin 2018, ne kemi mbështetur e vazhdojmë të mbështesim iniciativat e tilla me qëllim të intensifikimit të bashkëpunimit rajonal, por gjithnjë me kërkesat tona konsistente qe ky bashkëpunim te rezultoi me i efektshëm dhe te sjellë përgjigje për familjarët që vazhdojnë te jetojnë me dhimbjen dhe ankthin e pritjes”.

    Duke vlerësuar angazhimin dhe të arriturat e deritanishme, si dhe mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve ndërkombëtare, ai shtoi “ne kemi nevojë të dimë te vërtetën edhe për 1595 personat e zhdukur nga lufta në Kosovë dhe për më shumë se 11000 personat që vazhdojnë të jenë të zhdukur nga luftërat në rajon. Mohimi i saj, apo përpjekjet për të shtrembëruar të vërtetën, është krim”.