ATV

Category: Lajme

  • FSK e kryen ushtrimin fushor “Arrow Delta 01”, testojnë edhe kapacitetet e togut të mortajave

    FSK e kryen ushtrimin fushor “Arrow Delta 01”, testojnë edhe kapacitetet e togut të mortajave

    Forca e Sigurisë së Kosovës ka njoftuar Kompania e Shtabit e Regjimentit të Tretë të Këmbësorisë së Forcave Tokësore e ka realizuar me sukses ushtrimin fushor “Arrow Delta 01”.

    “Në kuadër të ngritjes së kapaciteteve luftarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kompania e Shtabit (KSH) e Regjimentit të Tretë (R3K), të Këmbësorisë së Forcave Tokësore ka realizuar me sukses ushtrimin fushor’’Arrow Delta 01’’”

    FSK thotë se qëllimi i ushtrimit kishte objektiv testimin e kapaciteteve të togut të rikonicionit dhe togut të mortajave në mbështetje të operacioneve mbrojtëse si dhe testimin e kapacitete të liderëve kyç.

    “Qëllimi i ushtrimit kishte objektivë testimin e kapaciteteve të togut të rikonicionit dhe togut të mortajave në mbështetje të operacioneve mbrojtëse, si dhe testimin e kapaciteteve të liderëve kyç. Forca e Sigurisë së Kosovës, në kuadër të planit po ngrit kapacitetet operacionale, bazuar në praktikat dhe përvojat më të mira të vendeve partnere, të cilat po ndihmojnë FSK-në, me përvojat e tyre.”

  • Shangai goditet nga tajfuni më i fuqishëm në 75 vjet

    Shangai goditet nga tajfuni më i fuqishëm në 75 vjet

    Një tajfun i fuqishëm “ka zbarkuar” në tokë pranë qendrës financiare kineze të Shangait.

    Sipas mediave të huaja, tajfuni Bebinca goditi rreth orës 7:30 me orën lokale të hënën në zonën bregdetare të Lingang New City në lindje të Shangait, tha Administrata Meteorologjike e Kinës.

    Mijëra banorë në zonën metropolitane të Shangait janë evakuuar, ndërsa të gjitha fluturimet në dy aeroportet kryesore të qytetit janë ndalur.

    Tajfuni Bebinca është stuhia më e fortë që ka goditur Shangain në 75 vjet, sipas mediave shtetërore kineze.

    Është e rrallë që Shangai të goditet drejtpërdrejt nga tajfunët e fortë, të cilët tentojnë “të zbresin” më tej në jug të Kinës.

    Autoritetet kanë lëshuar një alarm të kuq, niveli më i lartë, pasi është regjistruar shpejtësia e erës deri në 151 km/h.

    Shërbimet e trenave janë anuluar, autostradat janë mbyllur dhe 25 milionë banorët e Shangait janë këshilluar të qëndrojnë në shtëpi përpara mbërritjes së stuhisë. /Telegrafi/

  • Prishtinasit sot mund të udhëtojnë pa pagesë me autobusët e Trafikut Urban

    Prishtinasit sot mund të udhëtojnë pa pagesë me autobusët e Trafikut Urban

    Trafiku Urban ka njoftuar kryeqytetasit se sot mund të udhëtojnë me autobusë urbanë pa pagesë, si dhe biçikletat.

    “Të hënën, më 16.09.2024, të gjithë mund të udhëtoni pa pagesë me autobusët e Trafikut Urban në Prishtinë”, ka njoftuar Trafiku Urban të shtunën.

    Ndërsa, për biçikleta në njoftim thuhet se duhet të regjistrohen në aplikacion dhe më pas të përdorin pa pagesë gjithë ditën.

    “Gjithashtu, pasi të regjistroheni në aplikacionin #nextbike me vlerën prej 5 eurosh, po atë ditë mund të përdorni biçikletat publike pa pagesë, gjatë gjithë ditës”.

    Kjo fushatë po bëhet në kuadër të Javës Evropiane të Mobilitetit.

  • ​81 vjet nga Lidhja e Dytë e Prizrenit

    ​81 vjet nga Lidhja e Dytë e Prizrenit

    Sot janë bërë 81 vjet nga mbledhja e Kuvendit në Prizren, i cili zgjati deri më 20 shtator dhe ku ishte vendosur për formimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, organizatë politike kombëtare, e cila do të angazhohej për bashkimin dhe mbrojtjen e trojeve etnike.

    Në të morën pjesë 45 delegatë të zgjedhur nga Kosova dhe trevat e tjera shqiptare. Kongresin e udhëhoqi Komiteti Ekzekutiv, me në krye Musa Shehu, i shoqëruar prej Asllan Boletini, Shefqet Shkupi, Qazim Bllaca, Tahir Zajmi, Pjetër Vuçaj, Sheh Hasnai, Qemajl Balila, Hivzi Meraku, Luk Simoni, Haxhi Fahrija, dhe Sokol Dobroshi.

    Kryetari i Këshillit Ekzekutiv, Musa Shehu, paraqiti rendin e ditës për t’u zgjedhë Paria e Kongresit që përbërë prej kryetarit, dy nënkryetarëve dhe një sekretari.

    Me votim të fshehtë Musa Shehu zgjidhet kryetar i kongresit, Aqif Blyta nënkryetar, Rexhep Krasniqi nënkryetar. Ndërsa sekretar i Kongresit u emërua Bedri Gjinaj.

    Kuvendi vendosi formimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, organizatë politike kombëtare, e cila do të angazhohej për bashkimin dhe mbrojtjen e trojeve etnike. Kuvendi zgjodhi Komitetin Qendror të Lidhjes, të përbërë nga 7 veta. Kryetar i Lidhjes u zgjodh Rexhep Mitrovica, veprimtar i njohur i çështjes kombëtare.

    Në Kuvendin e Dytë, që u mbajt më 17-21 janar 1944, u bënë ndryshime në kreun e Lidhjes. Kryetar i Komitetit Qendror u zgjodh Bedri Pejanin, pas Rexhep Mitrovica ishte emëruar kryeministër i qeverisë që gjermanët ngritën në Tiranë. Kuvendi miratoi edhe statutin e Lidhjes, i cili u dekretua nga Këshilli i Naltë më 14 mars 1944.

    Lidhja do të kishte dhe organin e vet “Lidhja e Prizrenit”, në faqet e të cilit propagandohej ideja e krijimit të Shqipërisë etnike dhe denoncoheshin krimet e kryera nga serbët ndaj shqiptarëve të Kosovës. Lidhja e Dytë e Prizrenit ishte një organizim i krerëve nacionalistë kosovarë, me në krye Bedri Pejanin i inkurajuar në periudhën kur Rexhep Mitrovica qe kryeministër.

    Ndryshe nga Lëvizja Nacionalçlirimtare dhe disa grupime nga radhët e nacionalistëve, që qenë angazhuar në luftë kundër pushtuesve nazifashistë, forcat kryesore nacionaliste hezitonin që të bënin të njëjtën gjë, t’u bashkoheshin atyre, pasi mendonin se një luftë që udhëhiqej nga komunistët do të përfundonte me rivendosjen e pushtetit jugosllav në krahinë.

    Përfaqësuesit më në zë të rretheve nacionaliste i konsideronin pushtuesin italian e më pas atë gjerman si të keqen më të vogël në krahasim me sundimin serb e jugosllav, që pritej të rivendosej pas tërheqjes së tyre.

    Pikërisht për këtë arsye, pas kapitullimit të Italisë, ata përpunuan idenë e thirrjes së një kuvendi kombëtar, i cili duhej të hidhte bazat e krijimit të një organizate politike, që do të mbronte trojet etnike nga rreziku i ripushtimit të Kosovës nga forcat jugosllave, pas largimit të trupave gjermane. /KP/

  • Harris reagon pas të shtënave me armë pranë Trumpit

    Harris reagon pas të shtënave me armë pranë Trumpit

    Kamala Harris ka reaguar pas të shtënave me armë zjarri pranë fushës së golfit ku po luante ish-presidenti, Donald Trump.

    “Jam informuar mbi të shtënat me armë zjarri pranë ish-presidentit Trump dhe pronës së tij në Florida, dhe jam e lumtur që ai është i sigurt. Dhuna nuk ka vend në Amerikë”, shton ajo.

    Sipas mediave amerikane ish-presidenti Donald Trump nuk ka pësuar lëndime, pasi të shtënat u raportuan pranë fushës së tij të golfit në Florida të dielën.

    Zëdhënësi i fushatës së Trump, sqaroi se ish-presidenti Trump është i sigurt.

  • Reagon Trump: Jam i sigurt dhe mirë, nuk dorëzohem kurrë

    Reagon Trump: Jam i sigurt dhe mirë, nuk dorëzohem kurrë

    Ish-presidenti Donald Trump është jashtë rrezikut, pasi u njoftua për të shtëna me armë në afërsi të tij të dielën pasdite në Florida, tha ekipi i fushatës së tij dhe Shërbimi Sekret.

    Trump ka reaguar pas kësaj ngjarje duke thënë se nuk do të dorëzohet kurrë.

    “Jam i sigurt dhe mirë. Asgjë nuk do të më ngadalësojë, nuk do të dorëzohem kurrë!”, thotë ai.

    Ndërkohë në pranga është vënë një person, teksa nuk ka pasur asnjë të lënduar.

    Për ngjarjen kanë reaguar edhe Presidenti Joe Biden dhe zëvendëspresidentja Kamala Harris, duke thënë se “ndihen të lehtësuar” që Trump është mirë.

    Rreth dy muaj më parë, Donald Trump i shpëtoi një atentati në një tubim në Pensilvani ku një plumb e plagosi në vesh.

    Ish-Presidenti Trump ishte kthyer në Florida këtë fundjavë nga një udhëtim fushate në pjesën perëndimore të vendit, përfshirë një tubim të premten mbrëma në Las Vegas dhe një aktivitet për mbledhje fondesh në Utah. Masat e sigurisë për kandidatin republikan janë shtuar pas atentatit ndaj tij në muajin korrik.

  • Gjendet pa shenja jete një grua në Prishtinë

    Gjendet pa shenja jete një grua në Prishtinë

    Një grua është gjetur pa shenja jete në Prishtinë të dielën.

    Lajmin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes raportit ditor. Sipas PK’së, mjeku kujdestar ka konfirmuar vdekjen e viktimës.

    “TRUPI I PA JETË&HETIM MBI VDEKJEN- Prishtinë 15.09.2024, NN. Është raportuar se është gjetur pa shenja jete viktima femër kosovare. Në vendin e ngjarjes kanë dal njësit relevante ku mjeku kujdestar ka konfirmuar vdekjen e viktimës. Rasti nën hetime”, thuhet në njoftimin e PK’së.

  • Zbulohet identiteti i sulmuesit të Donald Trump

    Zbulohet identiteti i sulmuesit të Donald Trump

    Është publikuar emri i të dyshuarit për atentatin në tentativë ndaj kandidatit republikan për president Donald Trump.

    New York Times dhe Fox News Channel njoftuan se ishte 58-vjeçari Ryan Wesley Routh nga Hawaii.

    Sulmuesi u arrestua dhe siç njoftoi FBI të dielën, kandidati republikan presidencial Donald Trump është i sigurt pas një atentati pranë fushës së tij të golfit në West Palm Beach, Florida.

    Washington Post raportoi se Trump ishte duke luajtur golf në fushë kur ndodhi incidenti.

    Sherifi i Qarkut Palm Beach tha në një konferencë për shtyp se personi i armatosur ishte në shkurre pranë fushës së golfit kur agjentët e Shërbimit Sekret, të cilët po kontrollonin terrenin përpara Trump, panë tytën e armës. Agjentët qëlluan në drejtim të tij dhe ai hodhi pushkën e tipit AK-47, dy çanta shpine dhe sende të tjera dhe iku me një Nissan të zi.

    Një dëshmitar e pa sulmuesin dhe arriti të bënte një foto të makinës dhe targave të tij, gjë që bëri që zëvendësit e sherifit ta dallonin dhe ta ndalonin atë në një qark fqinj.

    “Ai është aktualisht në paraburgim,” tha Sherifi i Qarkut Palm Beach, Ric Bradshaw.

    Trump u dërgua në siguri sapo u vu re sulmuesi. Ai më pas ka bërë të ditur vetë në rrjetet sociale se është mirë.

    Një zyrtar i policisë pa emër tha se Trump ishte 300-400 metra larg nga sulmuesi, domethënë një ose dy vrima në fushën e golfit.

    Duke folur për mediat amerikane, djali i Routh, Oran, e përshkroi atë si një “baba të kujdesshëm dhe të dashur”. “Unë nuk e di se çfarë ndodhi në Florida dhe shpresoj se gjithçka është e ekzagjeruar. Ai nuk është një njeri që do të bënte diçka të tillë,” tha Oran në një deklaratë për CNN.

    BBC Verify gjeti profile të mediave sociale që përputhen me atë emër. Ato tregojnë se Routh ftoi luftëtarët e huaj të shkonin në Ukrainë për të luftuar forcat ruse. Në profilin e tij ka gjithashtu mesazhe pro-palestineze, pro-Tajvani dhe anti-kineze, duke përfshirë akuzat për “luftë biologjike” kineze dhe referenca për Covid-19 si një “sulm”.

    Routh, i cili nuk kishte përvojë ushtarake, i tha New York Times në vitin 2023 se ai udhëtoi për në Ukrainë menjëherë pas fillimit të pushtimit rus në 2022 për të gjetur rekrutë ushtarakë midis ushtarëve afganë që kishin ikur nga talebanët. “Ne ndoshta mund të blejmë disa pasaporta përmes Pakistanit pasi është një vend kaq i korruptuar,” tha ai.

    Routh i tha gjithashtu Times se ai kishte një takim në Uashington me Komisionin e SHBA për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë për të ndihmuar në sigurimin e më shumë mbështetje për Ukrainën.

    Ai duket se ka qenë i përfshirë në rekrutimin që në fillim të kësaj vere, duke shkruar në Facebook në korrik: “Ushtarë, ju lutem mos më telefononi. Ne jemi ende duke u përpjekur që Ukraina të pranojë ushtarë afganë dhe shpresojmë të marrim disa përgjigje në afërsi. e ardhmja .. kërkoj durimin tuaj.”

    Në qershor 2022, Routh foli gjithashtu me degën rumune të Newsweek, gjithashtu për përpjekjet për të rekrutuar vullnetarë për Legjionin e Mbrojtjes Ndërkombëtare të Ukrainës, një njësi e forcave tokësore të Ukrainës. “Për mua, shumë konflikte botërore janë gri, por ky është padyshim bardh e zi,” tha Routh në atë kohë. “Kjo është një histori e së mirës kundër së keqes.”

    Raportet e hershme sugjeruan se Routh kishte një dosje kriminale. Sipas burimeve të CBS, Routh u akuzua dhe u dënua për krime të shumta në Guilford County, Karolina e Veriut midis 2002 dhe 2010.

    Veprat penale përfshijnë mbajtjen e një arme të fshehur, rezistencën ndaj arrestimit, drejtimin e mjetit me patentë të pezulluar, vjedhjen dhe shkaktimin e një aksidenti dhe ikjen nga vendi i një aksidenti. /Express

  • Azemi: Pronari i kompanisë së punëtorëve teknik të Kuvendit më ka paditur, shkak kërkesa për rritje page

    Azemi: Pronari i kompanisë së punëtorëve teknik të Kuvendit më ka paditur, shkak kërkesa për rritje page

    Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka thënë për Ekonomia Online se pronari i kompanisë së punëtorëve teknik të Kuvendit të Kosovës, e ka paditur atë për shkak të kërkesave për rritje të rrogave për këta punëtorë.

    Azemi ka deklaruar se pronari i kompanisë ka bërë padi penale në gjykatë, duke shtuar se ka mbi një vit që nuk ka paguar fare trustin pensional për këta punëtor.

    Ai u shpreh se punëtoret teknik të Kuvendit të Kosovës që të hënë kanë nisur grevën, me kërkesat e tyre për rritje pagash deri 550 euro, nuk do të punojnë deri sa operatori të i plotësoj kërkesat e tyre.

    “Duam të tregojmë edhe fytyrën e institucionit tonë, deputetëve edhe Qeverisë së Kosovës t’i tregojmë që përkundër asaj që Qeveria e Kosovës ka nënshkruar në lidhje me pagën 350 euro, këta punëtorë këtu marrin pagë 275 euro. Përkundër bisedimeve nuk kemi arritur një marrëveshje, këta punëtor kërkojnë paga 550 euro. Përderisa të mos nënshkruhet kontrata mes këtyre mes punëtorëve dhe operatorit ekonomik pagën nën 550 këta punëtor nuk do të kryejnë shërbimet e tyre. Është një pasqyre edhe e këtyre institucioneve që kemi. Presim që pagat tona të rriten konform rritjes ekonomike dhe konform inflacionit që është bërë në Kosovë”, ka thënë Azemi.

    “I kemi njoftuar të gjitha institucionet, duke u nisur nga kryeparlamentari, nga drejtori i administratës nga sekretari. Realisht e kemi njoftuar edhe pronarin e kompanisë, por në vend që të bisedojë pronari e kompanisë, ka bërë një padi penale në gjykatë dhe ne na duhet që të takohemi në gjykatë në lidhje me pronarin e kompanisë. Sepse ne kemi kërkuar që të rritet paga e tyre, përkundër asaj që pronari i kompanisë ka më shumë se një vit që nuk ka paguar fare trustin pensional, ai ka gjetur momentin dhe ka gjetur guximin sepse te ne mund të gjendet guximi që të padite kryetari i sindikatës se pse ka kërkuar pagë më shumë se 275 euro”, ka thënë ai.

    Punëtorët teknikë të Kuvendit të Kosovës, të hënën kanë hyrë në grevë para institucionit më të lartë ligjvënës për shkak të pagave të ulëta. Ata kanë kërkuar që paga nga 270 t’iu rritet deri në 550 euro.

  • Sot protestohet kundër heqjes së Ligjit për Punën nga kalendari legjislativ

    Sot protestohet kundër heqjes së Ligjit për Punën nga kalendari legjislativ

    Forumi Ekonomik i Grave ka ftuar të gjithë prindërit, vajzat, djemtë, burrat e gratë, që t’i bashkohen protestës paqësore, e cila mbahet sot në ora 16:30, përpara ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

    Ky forum thekson se pas vendimit për të hequr Ligjin për Punën nga Kalendari Legjislativ, pavarësisht kërkesave dhe reagimeve të shumta nga grupet e interesit, është e qartë se premtimet e qeverisë kanë mbetur fjalë boshe.

    “Ligji për Punën është jetik për avancimin e barazisë gjinore dhe përmirësimin e kushteve të punës në vend. Aktualisht, vetëm 2 në 10 gra janë të punësuara, dhe shumë prej tyre detyrohen të punojnë në kushte të pasigurta, pa mbrojtje dhe pa të drejta themelore të punës. Ligji ekzistues diskriminon gratë dhe burrat njësoj—gratë për shkak të përgjegjësive të lejes së lehonisë, dhe burrat për shkak të mungesës së të drejtave për t’u kujdesur për fëmijët e tyre. Ne kërkojmë që qeveria të publikojë për diskutim Projektligjin e ri dhe të zhvillojë konsultime me të gjitha palët e interesuara. Nuk do të pranojmë më justifikime dhe vonesa”, thuhet në reagim.