ATV

Category: Lajme

  • ​Sporti mjet thelbësor në zhvillimin e demokracisë

    ​Sporti mjet thelbësor në zhvillimin e demokracisë

    Sporti është mjet thelbësor për zhvillimin e demokracisë në Kosovës, por edhe në njohjen dhe ndërkombëtarizimin e shtetësisë së Kosovës. Kështu është thënë në panelin e diskutimit me temë “Sporti dhe demokracia: Një vizion i ri për të ardhmen”.

    Në këtë panel morën pjesë deputet të kuvendit të Kosovës si dhe përfaqësues të federatave të ndryshme sportive të Kosovës.

    Me këtë rast, ish-drejtori i NDI në Kosovë, Alex Chavarria në fjalën e tij potencoi rëndësinë e madhe që sporti ka në zhvillimin e demokracisë përmes aktiviteteve të ndryshme që sjellin bashkimin e njerëzve dhe thyen barriera të mëdha ndërmjet tyre.

    “Është shumë me rëndësi të shohim se sa i rëndësishëm është roli i zhvillimit të demokracisë. Sporti i bashkon njerëzit, i rrëzon barrierat sociale dhe promovon përfshirjen dhe barazinë. Mendoj që këtë nuk e kuptojmë sa duhet në jetën tonë të përditshme…Si i tille, nuk ka dyshim se sporti ka ndikim të thellë në demokracinë e Kosovës, është ndjenjë e krenarisë nacionale, kombëtare që mund të krijohet nga ndërveprimi sportiv sepse kështu duhet të veprojmë me shoqërinë…Sporti ia ka dhënë mundësinë Kosovës që të njihet ndërkombëtarisht gjithashtu dhe që atëherë, kanë qenë tri Lojëra Olimpike që kur Kosova është bërë pjesë dhe nëse kam numëruar mirë, i keni pesë medalje të arta”, theksoi

    Ndërsa, deputetja e Kuvendit të Kosovës, Elixa Hoxha ka vënë në pah rëndësinë që ka sporti për imazhin e Kosovës jashtë vendit, duke e arritur këtë në formën më të mirë përmes sukseseve të mëdha në garat sportive ndërkombëtare.

    “Nëse flasim për kulturë dhe për sport, zakonisht Kosova ndryshon në sytë e të tjerëve si imazh dhe si brenda i një shteti të ri për shkak të sukseseve që kjo kategori e njerëzve ose kjo platformë sportive u krijon mundësi edhe të rinjëve por edhe krijon një pikëpamje të re dhe një mundësi të re të leximit të potencialit të shtetit se çfarë mund të jetë nga brenda dhe çfarë mund t’i jap Evropës dhe botës një shtet me një shoqëri shumë të re”, theksoi Hoxha.

    Ndërsa kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës kërkoi më shumë gjithëpërfshirje të grave në vendimmarrje nëpër federatat sportive, duke theksuar se FBK është shumë e përkushtuar në këtë drejtim.

    Fetahu: FBK përkrah gjithërfshirjen dhe parimin e demokracisë në organet e saj.

    “Ne e kemi këtu deficitin si vend, jo vetëm në basketboll por në të gjitha sportet besoj dhe ne kemi vendosur që ato t’i subvencionojmë në të gjitha nivelet. Prej garave shkollore që organizohen si pjesë e programit Sport në shkolla e deri tek garat seniore, nëse merresh me basketboll në Kosovë, nuk do të paguash asgjë. Kjo ishte për ta trajtuar çështjen e barazisë gjinore dhe të gjithpërfshirjes si parime të tjera të demokracisë. Masat stimuluese janë aty jo vetëm për femrat, masat stimuluese kemi edhe për të rinj, por edhe për veteran, kemi edhe më programin Sport në shkolla”, tha Fetahu.

    Në panel gjithashtu u kërkuar më shumë përfshirje të grave në proceset vendimmarrëse të të gjitha feteratave dhe organizatave të ndryshme sportive në vend. /kp

  • Ministrja gjermane në Kosovë, Osmani e pret në takim

    Ministrja gjermane në Kosovë, Osmani e pret në takim

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ministren e shtetit për Evropë dhe Klimë të Republikës Federale të Gjermanisë, Anna Lührmann.

    Nga ky takim mediat janë lejuar të marrin vetëm pamje, ndërsa nuk është paralajmëruar ndonjë konferencë me gazetarë.

    Gjermania ka kërkuar të gjendet një mundësi që Kosova t’i largojë masat e sigurisë për mallrat serbe, në mënyrë që të arrihet pajtim për ndryshim të statusit të përfaqësimit në CEFTA.

    Emisari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin ka paralajmëruar se Kosova mund të mbetet jashtë Procesit të Berlinit. Ai thotë se “nëse Kosova e bllokon CEFTA-n do të jetë shumë e vështirë që t’i bashkëngjitet pastaj Planit të Rritjes dhe qasjes në tregun e BE-së”.

    Osmani ka konfirmuar së fundmi se ekziston kërcënimi që Kosova të largohet nga Procesi i Berlinit.

  • Osmani e Tërnava flasin për angazhim të përbashkët kundër gjuhës së urrejtjes ndërfetare

    Osmani e Tërnava flasin për angazhim të përbashkët kundër gjuhës së urrejtjes ndërfetare

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim kreun e Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava.

    Në komunikatën për media thuhet se në takim është diskutuar për angazhimin e Bashkësisë Islame në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, traditën e tolerancës ndërfetare dhe nevojës për vazhdimin e kultivimit të saj.

    Osmani shprehu vlerësimin e thellë për përpjekjet e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) për dialog, mirëkuptim dhe unitet ndërmjet të gjithë komuniteteve fetare në Kosovë.

    “Në një kohë ku paqja dhe mirëkuptimi global janë më të rëndësishme se kurrë, Kosova është krenare që vazhdon ta mbajë lart nivelin e tolerancës dhe harmonisë ndërfetare”, ka theksuar Osmani.

    Në takim u potencua roli jetik i të gjitha bashkësive fetare dhe nevoja e një angazhimi të përbashkët kundër gjuhës së urrejtjes dhe në favor të tolerancës, mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë.

  • Kurti takohet me Çanakun, flasin për raportet Kosovë-Serbi dhe Kishën Ortodokse në Mal të Zi

    Kurti takohet me Çanakun, flasin për raportet Kosovë-Serbi dhe Kishën Ortodokse në Mal të Zi

    Kryeministri Albin Kurti bashkë me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, mirëpriten në Prishtinë për një mëngjes pune bashkëthemeluesin dhe ish-udhëheqësin e Lidhjes së Social Demokratëve të Vojvodinës, Nenad Çanak, i shoqëruar nga Mitropoli i Kishës Ortodokse të Malit të Zi, Boris Bojoviq.

    Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se gjatë bisedës u diskutua mbi çështje aktuale, zhvillimet në rajon, pasojat e vazhdueshme të agresionit ushtarak rus në Ukrainë dhe rrezikun që lufta atje vazhdon të paraqes për sigurinë e kontinentit të Evropës dhe rajonin e Ballkanit.

    “Millan Çanak, djali i Nenad Çanak, që po ashtu ishte në këtë takim e i cili së fundmi është kthyer nga një mision humanitar në Ukrainë, ndau nga përvoja e tij atje dhe foli për gjendjen në terren, trimërinë dhe moralin e lartë të ushtrisë ukrainase në fushëbetejë dhe për mobilizimin qytetar për rezistencë. Në takim u diskutua edhe për raportet e Kosovës me Serbinë, për historikun, aktualitetin dhe perspektivën e tyre, dhe për gjendjen e pakicës serbe në Kosovë”, thuhet në njoftim.

    Ndër tjera theksohet se Kurti tha se agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës ka shpërfaqur qartë rreziqet që regjimet autoritare paraqesin për shtetet fqinje, përveçse për të drejtat e njeriut dhe mirëqenien e popullatës vendëse.

    Ai veçoi rëndësinë që demokratizimi i shoqërive, pluralizmi partiak, sundimi i ligjit, mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut dhe bashkëpunimi rajonal kanë në përballje me këto rreziqe, krahas mbështetjes të vazhdueshme ndaj Ukrainës në luftën e saj çlirimtare – të cilën Republika e Kosovës po e mbështetet fuqishëm me gjithë kapacitetet e saj.

  • BE mirëpret thirrjet e Vuçiqit për riintegrimin e serbëve në Kosovë

    BE mirëpret thirrjet e Vuçiqit për riintegrimin e serbëve në Kosovë

    Bashkimi Evropian, duke iu referuar masave dhe thirrjeve të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për serbët në Kosovë, u kërkoi të dyja vendeve që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

    “Ne e mirëpresim gatishmërinë e shprehur nga presidenti Vuçiq për të vazhduar angazhimin në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Pozitivisht e marrim edhe thirrjen e tij për serbët e Kosovës, që të marrin pjesë në zgjedhjet në Kosovë dhe të riintegrohen në të gjitha institucionet e Kosovës, nga të cilat janë larguar në vitin 2022”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

    Ai i bëri komentet në kërkesën e Radios Evropa e Lirë për t’i komentuar disa kërkesa dhe masa të Vuçiqit, që parashtroi javën e kaluar.

    Mes tjerash, ato përfshijnë shpalljen dhe mbajtjen e “zgjedhjeve lokale, të lira dhe demokratike” në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, si dhe kthimin e serbëve në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës për veriun dhe kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në funksionet e tyre.

    Komunat në veri, aktualisht, udhëhiqen nga shqiptarë, pasi banorët lokalë serbë i bojkotuan zgjedhjet në atë zonë.

    Kryetarët serbë, ashtu si edhe zyrtarë të tjerë të komunitetit dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës në veri në nëntor të vitit 2022, kur tensionet ishin të larta për shkak të vendimit të autoriteteve të Kosovës për t’i zëvendësuar targat serbe të makinave me targa të Kosovës.

    Stano tha se BE-ja, vazhdimisht, i ka bërë thirrje Beogradit që të inkurajojë riintegrimin e serbëve në institucionet e Kosovës, dhe Prishtinës që ta mundësojë atë.

    “Marrëveshjet e dialogut i parashikojnë hapat dhe procedurat që kjo të ndodhë, në përputhje dhe duke respektuar kornizën ligjore të Kosovës”, tha Stano.

    “Në këtë kontekst, impelementimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është shumë i rëndësishëm”, shtoi ai, duke iu referuar, po ashtu, kërkesës së Vuçiqit për themelimin e këtij asociacioni në Kosovë.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk i ka komentuar deri më tash kërkesat e Vuçiqit.

    Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar Qeverinë e tij që nga e premtja e kaluar, por nuk ka marrë përgjigje.

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se Vuçiq po tenton të ruajë në Kosovë “atë që nuk e ka më”.

    “Ai [Vuçiq], faktikisht, po e kërcënon Republikën e Kosovës përmes konferencës së tij për shtyp, mirëpo ky është një kërcenim, i cili, ta them të drejtën, nuk na bën shumë përshtypje. Ne nuk frikësohemi, nuk shqetësohemi, sepse në atë pjesë të vendit janë institucionet e Kosovës, janë institucionet e sigurisë, janë institucionet politike, janë komunat që funksionojnë… Është shans i humbur i qytetarëve që kanë mendime të tjera për të marrë pjesë në procesin politik edhe për të qenë bashkëpjesëmarrës në procesin politik. Pas kësaj që ka ndodhur, vendi e ka marrë një drejtim të ri”, tha Konjufca.

    Stano përsëriti thirrjet për shmangien nga retorika nxitëse dhe, siç tha, hapat e njëanshëm.

    “Retorika nxitëse dhe mashtruese, si dhe veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara shkojnë kundër dialogut. Ato vënë në rrezik normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe sigurinë e qytetarëve të tyre”, tha Stano.

    “Rruga përpara për të dyja palët është konfirmimi i angazhimit të tyre konstruktiv në procesin e normalizimit. Rasti i parë për këtë është takimi i kryenegociatorëve më 17 shtator në Bruksel”, tha zëdhënësi i BE-së.

    Radio Evropa e Lirë mori vesh nga burime të besueshme në BE se kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, e kanë konfirmuar shkuarjen në Bruksel.

    Nuk është ende e qartë nëse do të kenë takim të përbashkët, apo vetëm veç e veç me zyrtarët e BE-së.

  • Gjendet i vdekur një burrë që ishte raportuar i zhdukur në Vuçë të Leposaviqit

    Gjendet i vdekur një burrë që ishte raportuar i zhdukur në Vuçë të Leposaviqit

    Është gjetur i vdekur një person në ditën e pestë të kërkimit në fshatin Vuçë të Leposaviqit.

    Kjo u bë e ditur nga Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim, ku thuhet se gjetja e fshatarit është bërë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, zjarrëfikësit dhe bashkëfshatarët e të ndjerit.

    “Është gjetë trupi i pa jetë në ditën e 5 të kërkimit i fshatarit nga fshati Vuçë e Leposaviqit nga Pjestarët e Policisë së Kosovës në bashkpunim me Shoqatën Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim, zjarrëfiksit dhe bashkfshatarë”, thuhet në postimin e tyre të plotë.

  • Dita Ndërkombëtare e Demokracisë – Në Kuvend hapet “Panairi i organizatave të shoqërisë civile”

    Dita Ndërkombëtare e Demokracisë – Në Kuvend hapet “Panairi i organizatave të shoqërisë civile”

    Për nder të Ditës së Demokracisë, Kuvendi i Kosovës ka organizuar një sërë aktivitetesh. Njëra ndër to ishte edhe “Panairi i organizatave të shoqërisë civile”, raporton EO.

    Përfaqësuesja e Institutit Demokratik të Kosovës, Violeta Haxholli ka thënë se ky panair ka për qëllim prezantimin të gjitha publikimet dhe hulumtimeve të tyre gjatë këtij viti tek deputetët e Kosovës dhe qytetarët që do të vizitojnë këtë panair.

    “Ne si përfaqësues të Institutit Demokratikë të Kosovës, marrim pjesë çdo vit në këtë panair që organizohet nga Kuvendi i Kosovë për nder të shënimit të Ditës së Demokracisë në Kosovë. Qëllimi është që të gjitha shoqatat e shoqërisë civile të prezantojnë të gjitha gjatë publikimet këtij viti apo me herët në mënyrë që qytetarët që do të vijnë në Kuvend do të kenë mundësinë që të njoftohen më shumë me punën e organizatave te shoqërisë civile, pastaj mundësia e shkëmbimit e këtyre informacione me deputetët e Kosovës që janë prezent dhe akterët tjerë në Kuvend. Ka një numër të madh të organizatave që monitoron punën e Kuvendit, ky është qëllimi ynë që të prezantojmë punën tonë dhe të shkëmbejnë informacione edhe me deputetët e Kuvendit dhe të evokojmë të gjeturat që dalin nga hulumtimet tona dhe panairi është mundësi për ta bërë”, ka thënë Haxholli.

    Blerina Recica nga organizata INDEP ka thënë për EO se kjo organizatë ka të bëjë me fushën e demokracisë dhe transparencës në institucionet e Kosovës.

    “Ne si organizatë punojnë nga viti 2011 punojmë në fushën e demokracisë dhe transparencës. Kemi të bëjmë me llogaridhënie në institucionet në Kosovë e ministrive. Kjo organizatë më shumë kemi të bëjmë me llogaridhënie me politikat e gjelbëra me fokus të veçantë të energjisë së ripërtrishme”, ka thënë Reçica.

  • Hamza takon ambasadorin e Finlandës: Kosova të gjitha sfidat i ka përballuar dhe tejkaluar me përkrahjen e aleatëve

    Hamza takon ambasadorin e Finlandës: Kosova të gjitha sfidat i ka përballuar dhe tejkaluar me përkrahjen e aleatëve

    Kandidati i PDK’së për kryeministër të Kosovës, Bedri Hamza, ka njoftuar se sot është takuar me ambasadorin e Finlandës, Matti Nissinen.

    Hamza ka thënë se Finlanda është mike e Kosovës dhe përkrahëse e madhe e integrimit euroatlantik.

    Ai bëri të ditur se në takim është biseduar për zhvillimet politike në vend, rritjen e bashkëpunimin ndërshtetëror dhe për sigurinë, paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

    “Ditën e sotme e nisa me një takim me Ambasadorin e Finlandës, Matti Nissinen. Finlanda është një mike e Kosovës dhe një përkrahëse e madhe e integrimit tonë euroatlantik. Ne biseduam për zhvillimet politike në vend, për rritjen e bashkëpunimit ndërshtetëror dhe për sigurinë, paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.”

    Kryetari i Mitrovicës ka shtuar se sfidat deri tani Kosova i ka tejkaluar me përkrahjen e aleatëve.

    “Kosova, të gjitha sfidat e deritashme, duke u bërë partnere konstruktive, i ka përballuar dhe i ka tejkaluar me përkrahjen e aleatëve!”.

  • ​Përfitimet e inteligjencës artificiale në procesin zgjedhor diskutohen në Kuvend

    ​Përfitimet e inteligjencës artificiale në procesin zgjedhor diskutohen në Kuvend

    Në shënimin e Ditës së Demokracisë sot është mbajtur tryeza e diskutimit në Kuvend, “Zgjedhjet dhe teknologjia: Ndikimi në demokracinë moderne”, organizuar nga D4D dhe NDI. Aty u tha se teknologjia është esenciale në organizmin e zgjedhjeve pasi përmirëson dhe lehtëson shërbimet që ndërlidhen drejtpërdrejtë me votuesit, subjektet politike dhe me vëzhguesit e zgjedhjeve.

    Ish drejtori i NDI në Kosovë, Carlo Binda tregoi përfitimet e përdorimit të inteligjencës artificiale në procesin zgjedhor, mirëpo shtoi se për të siguruar që ai nuk minon bazat e demokracisë duhet të vendosen kornizat adekuate ligjore.

    “Ka disa përfitime nga përdorimi i inteligjencës artificiale në zgjedhje, pavarësisht nëse jeni një komision zgjedhor që përdor inteligjencën artificiale gjeneruese, për shembull, për të zhvilluar materiale për edukimin e votuesve, kjo ju lejon shpejtë të prodhoni materiale të dobishme trajnimi për qendrat e votimit dhe punëtorët që mund të keni dhe dëshironi të punësoni. Ka raste në Shtetet e Bashkuara ku disa nga shtetet janë bashkuar përmes një konsorciumi për të punuar me inteligjencën artificiale për të qenë në gjendje të bëjnë një kontroll të regjistrimit të votuesve dhe ta bëjnë atë proces shumë më efikas, ku zakonisht do të mbështeteshit në qeniet njerëzore dhe analizat njerëzore, tani mund të mbështeteni në inteligjencën artificiale. Por kornizat, kornizat ligjore duhet të jenë të vendosura për të siguruar që përdorimi i inteligjencës artificiale nuk po minon bazat e shprehjes demokratike dhe në Shtetet e Bashkuara, MB, ata tashmë kanë filluar të trajtojnë legjislacionin dhe politikat rreth përdorimit të AI, veçanërisht në procesin demokratik”, tha ai.

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, tha se megjithëse digjitalizimi ndihmon procesin zgjedhor, kjo e fundit nuk guxon tërësisht të varet nga teknologjia.

    “Teknologjia është esenciale në kuptimin e organizimit të zgjedhjeve, madje edhe qenësore përtej dëshirës sonë. Në masë të madhe imponohet në kuptimin e zhvillimeve të gjithmbarshme dhe ambientimi që ndodh shoqërisë dhe vet qytetarëve me teknologjinë. Teknologjia sikurse çdo aspekt tjetër i procesit zgjedhor i ka përparësitë dhe mangësitë….Në raport me zgjedhjet teknologjia është e dobishme sidomos në regjistrimin e votuesve, ndarjen e zonave zgjedhore, trajnimin e zyrtarëve të administrimit të zgjedhjeve dhe veçmas për partitë politike në kuptimin e mesazhit elektoral. Kosova është përpjekur të ecë në drejtimin e përfshirjes së teknologjisë në procesin e administrimit të zgjedhjeve, duke synuar të lehtësojë administrimin e zgjedhjeve, por natyrisht me një qasje të kujdesshme në kuptimin që garanton gjithëpërfshirës dhe siguri të procesit zgjedhor”, tha ai.

    Ndërkaq, shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Ableard Tahiri, tha se digjitalizimin e administrimit zgjedhor e kanë pasur prioritet në reformën e miratuar zgjedhore.

    “(Në kuadër të reformës zgjedhor) Kemi arrit me i adresu shumë të meta që kanë qenë në ligjin e kuar dhe që kanë qenë gjithmonë duke u rritur më shumë, pikërisht në ballafaqimin me të rejat e fundit që kanë sjell edhe rrjetet sociale dhe digjitalizimi. Digjitalizimi dhe IA janë një hap përpara dhe ne si shoqëri duhet ta ndjekim me legjislacion dhe rregulla, pasi ligji që ka qenë në fuqi ka pasur kuptim në vitin 2010 por në vitin 2024-2025 nuk ka kuptim. Ajo çka ofron teknologjia, mënyrën e regjistrimit, mënyrën e votimit, numërimit të votave është shumë me avancuar sesa ka qenë para 1 dekade”, theksoi Tahiri.

    Pjesëmarrës në këtë tryezë ishte edhe zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi, i cili tha se ky institucion ka arritur t’i digjitalizojë shumë nga operacionet zgjedhore për zgjedhjet e 9 shkurtit.

    “Tashmë është e ditur se teknologjia informative po bëhet çdo ditë e më shumë pjesë e pazëvendësueshme e proceseve zgjedhore në vende të ndryshme të botës dhe natyrisht edhe në Kosovë. Teknologjia informative ofron mundësi të shumta që i ndihmojnë institucioneve të menaxhimit të zgjedhjeve, siç është KQZ-ja, që të përmirësojnë efikasitetin e zgjedhjeve, transparencën dhe rrjedhimisht besueshmërinë e qytetarëve dhe të akterëve të tjerë në procesin zgjedhor…Në javën e parë pas shpalljes të datës së zgjedhjeve, KQZ ka pranuar softuerin e zhvilluar me ndihmën e Misionit të OSBE-së në Kosovë, përmes së cilit digjitalizohen shumë nga operacionet zgjedhore, avancohen disa prej shërbimeve që ekzistonin më herët dhe përmbushen kërkesat e reja që dalin nga Ligji i ri për Zgjedhjet e Përgjithshme. Përgjithësisht, përmes softuerit, KQZ do të përmirësojë dhe lehtësojë shërbimet që ndërlidhen drejtpërdrejtë me votuesit, subjektet politike dhe me vëzhguesit e zgjedhjeve”, tha ai./KP/

  • Budapesti po përgatitet për përmbytjet më të madhe të dekadës

    Budapesti po përgatitet për përmbytjet më të madhe të dekadës

    Pasi stuhia “Boris” solli shira të rrëmbyeshëm dhe përmbytje katastrofike në pjesë të Evropës Qendrore dhe Lindore, autoritetet e Budapestit nuk po i lënë asgjë fatit. Niveli i ujit në Danub është rritur tej mase. 350 ushtarë janë angazhuar në mbrojtjen nga përmbytjet.

    Me kërkesë të disa qarqeve, ministri i Mbrojtjes Kristóf Szalay-Bobrovniczky urdhëroi vendosjen e ushtarëve për përgatitjet e mbrojtjes nga përmbytjet në vendbanimet Mosonmagyaróvár, Neszmély, Pilismarót dhe përgjatë lumit Lajta.

    Ministri i Brendshëm Sándor Pinter tha në një konferencë për shtyp të dielën se qeveria ka autorizuar departamentin e ministrisë së brendshme për të organizuar mbrojtjen nga përmbytjet.

    Parashikimet thonë se niveli i ujit të Danubit dhe Lajtës do të arrijë, e ndoshta edhe do ta kalojë nivelin e ujit të vitit 2013, kur Budapesti u godit nga përmbytje të paprecedentë.