ATV

Category: Lajme

  • ​Narrativat serbe për Kosovën, Schneeberger: Po i përhap Vuçiq dhe “kukullat” e tij në veri

    ​Narrativat serbe për Kosovën, Schneeberger: Po i përhap Vuçiq dhe “kukullat” e tij në veri

    Këshilltarja lokale e Bashkimit Evropian, Kati Schneeberger ka reaguar karshi dezinformatave që udhëheqësit në Serbi po bëjnë për Kosovën, duke thënë se kjo narrativë është përhapur jo vetëm nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, por edhe nga “kukullat e tij vendase”, duke aluduar në politikanin Aleksandër Arsenijeviq.

    Derisa zyrtarët serbë po përhapin dezinformata duke pretendtuar se gjoja po ndodh “spastrim etnik” apo edhe “gjenocid” ndaj serbëve në veri të vendit, Schneeberger ka thënë se realisht serbët në Kosovë janë nën presion nga Serbia.

    “Narrativa e ‘gjenocidit’ ndaj serbëve në Republikën e Kosovës është përhapur jo vetëm nga vetë Vuçiq, por edhe nga kukullat e tij vendase. Por çfarë i kërcënon në të vërtetë serbët e Kosovës – një dyqan ushqimesh të shpejta, një bilbil apo ndikimi nga Serbia?”, ka shkruar ajo në X derisa ka shpërndarë edhe disa fotografi ku shihet edhe Aleksandër Arsenijeviq.

    Arsenijeviq njihet për provokime, për cka edhe është arrestuar disa herë nga Policia e Kosovës. Së fundi janë publikuar disa fotografi ku ai shihet i rrethuar nga pjesëtarë të maskuar të të ashtuquajturës “Mbrojtja civile” në Zveçan, kur janë sulmuar trupat paqeruajtëse të KFOR-it.

  • ​Shefja e Komisionit të BE-së zbulon komisionerët e caktuar për 5 vitet e ardhshme

    ​Shefja e Komisionit të BE-së zbulon komisionerët e caktuar për 5 vitet e ardhshme

    Presidentja e Komisionit Evropian zbuloi të martën propozimin për komisionerët e rinj.

    Ursula von der Leyen, në një konferencë shtypi, shpalosi sugjerimet për përbërjen dhe strukturën e re të komisionit pas javësh kërkimi për të gjetur ekuilibrin gjinor.

    Çdo komisioner i propozuar duhet të miratohet nga Parlamenti i BE-së pas marrjes në pyetjeje përpara komisioneve parlamentare, një proces që mund të zgjasë deri në fund të tetorit, sipas vlerësimeve.

    Von der Leyen njoftoi se komisioni i ri do të ketë katër gra dhe dy burra në mesin e nënkryetarëve ekzekutivë.

    Ministri i Jashtëm francez në largim, Stephane Sejourne, i cili u emërua si kandidat nga Franca të hënën pas dorëheqjes së papritur të komisionerit Thierry Breton, u propozua si zëvendëspresident ekzekutiv për prosperitetin dhe strategjinë industriale. Sejourne u propozua gjithashtu për të trajtuar portofolin e industrisë, SME-ve dhe Tregut të Vetëm.

    Breton, komisioneri evropian i Francës për tregun e brendshëm, akuzoi Von Der Leyen se e minoi atë duke i kërkuar Francës që të tërheqë emrin e tij “për arsye personale”.

    Ai tha se von Der Leyen kishte “ofruar, si një shkëmbim politik, një portofol gjoja më me ndikim për Francën në Kolegjin e ardhshëm”.

    Ish-kryeministrja e Estonisë Kaja Kallas u emërua Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Teresa Ribera e Spanjës u emërua për të punuar në tranzicion të pastër, të drejtë dhe konkurrues, ndërsa finlandezja Henna Virkkunen u zgjodh për të trajtuar Sovranitetin Teknik, Sigurinë dhe Demokracinë. Roxana Minzatu e Rumanisë do të jetë përgjegjëse për njerëzit, aftësitë dhe gatishmërinë. Raffaele Fitto nga Italia, u emërua për të trajtuar Kohezionin dhe Reformat.

    – Komisionerët

    Marta Kos, e cila është në pritje të miratimit nga parlamenti slloven për emërimin e saj, u emërua komisionere përgjegjëse për zgjerimin.

    Ministrja e Jashtme belge Hadja Lahbib është një kandidat për portofolin e Përgatitjes dhe menaxhimit të Krizave, si dhe për Barazinë.

    Polaki Piotr Serafin do të jetë përgjegjës për buxhetin, ndërsa Magnus Brunnes i Austrisë do të ketë portofolin e Punëve të Brendshme dhe Migracionit.

    Andrius Kubilius i Lituanisë u propozua për komisioner për Mbrojtjen dhe Hapësirën.

    Sipas planeve të Von Der Leyen, Dan Jorgensen i Danimarkës do të merret me Energjinë dhe Strehimin./AA/

  • ​Çmimet e naftës rriten mes ndërprerjeve të furnizimit në SHBA

    ​Çmimet e naftës rriten mes ndërprerjeve të furnizimit në SHBA

    Çmimet e naftës u rritën të martën, nxitur nga shqetësimet për ndërprerjet e furnizimit në SHBA pas uraganit Francine dhe pritjet në rritje se Rezerva Federale e SHBA mund të ulë normat e interesit.

    Standardi ndërkombëtar i naftës së papërpunuar Brent u rrit me 0.26% në 72.94 dollarë për fuçi në orën 10.37 të mëngjesit sipas orës lokale (0737 GMT), nga mbyllja e sesionit të mëparshëm prej 72.75 dollarësh.

    Standardi amerikan West Texas Intermediate (WTI) u rrit 0.42% në 69.31 dollarë për fuçi pasi u mbyll në 69.02 dollarë në seancën e mëparshme.

    Çmimet e naftës vazhduan fitimet e tyre të martën pasi uragani Francine ndërpreu një pjesë të konsiderueshme të prodhimit të naftës dhe gazit në SHBA.

    Stuhia, e cila goditi bregun e Gjirit të SHBA javën e kaluar si një stuhi e kategorisë 2, kufizoi prodhimin e energjisë në Gjirin e Meksikës – një rajon kyç për furnizimin me naftë dhe gaz natyror të SHBA-së.

    Sipas Byrosë së Sigurisë dhe Zbatimit të Mjedisit, rreth 12.18% e prodhimit të naftës dhe 16.02% e prodhimit të gazit natyror në Gjirin Persik mbetet jashtë linjës që nga e hëna për shkak të ndikimit të stuhisë.

    Këto shkurtime të prodhimit po intensifikojnë shqetësimet për ofertën në treg, duke i shtyrë më tej çmimet e naftës në rritje.

    Tregjet po parashikojnë gjithashtu një ulje të mundshme të normës së interesit nga Rezerva Federale e SHBA të mërkurën, me analistët që parashikojnë një shans 70% për një ulje prej 50 pikësh.

    Normat më të ulëta mund të nxisin aktivitetin ekonomik dhe të rrisin kërkesën për naftë.

    Tre senatorë demokratë, përfshirë Elizabeth Warren, kanë bërë thirrje për një shkurtim edhe më të madh prej 75 pikash bazë për të mbrojtur ekonominë amerikane./AA/

  • Nis takimi midis Lajçakut dhe Petkoviqit në Bruksel

    Nis takimi midis Lajçakut dhe Petkoviqit në Bruksel

    Në Bruksel ka filluar takimi midis kryenegociatorit të Serbisë, Petar Petkoviq me të dërguarin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

    Sipas Tanjug-ut, takimi filloi rreth 11:25.

    Në kuadër të raundit të ri të dialogut sot pritet që delegacioni nga Prishtina i kryesuar nga kryenegociatori Besnik Bislimi të takohet me Lajçakun dhe ende nuk dihet nëse do të mbahet edhe një takim trepalësh.

  • Në OKB diskutohet për t’i dhënë fund pushtimit të territoreve palestineze

    Në OKB diskutohet për t’i dhënë fund pushtimit të territoreve palestineze

    Shtetet anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara do të diskutojnë sot kërkesën e palestinezëve për t’i dhënë fund pushtimit izraelit të territoreve palestineze, brenda 12 muajve.

    Teksti i projekt-rezolutës, që është përballur me kritika të ashpra nga Izraeli, bazohet në një opinion këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i cili e cilëson si “të paligjshëm” pushtimin e vazhdueshëm izraelit që nga viti 1967.

    “Izraeli është i detyruar t’i japë fund pranisë së tij të paligjshme në territorin e pushtuar palestinez sa më shpejt që të jetë e mundur”, thuhet në opinionin e përpiluar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së.

    Në përgjigje, vendet arabe kanë bërë thirrje për një seancë të posaçme të kësaj asambleje.

    Projekt-rezoluta kërkon, gjithashtu, tërheqjen e forcave izraelite nga territoret palestineze, ndalimin e vendbanimeve të reja, kthimin e tokave dhe të pronave të sekuestruara, si dhe mundësinë e kthimit të palestinezëve të zhvendosur.

    Miratimi i rezolutës do të ishte “një shpërblim për terrorizmin dhe një mesazh për botën se masakra barbare e fëmijëve, përdhunimi i grave dhe rrëmbimi i civilëve të pafajshëm janë taktika të vlefshme”, tha ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon.

    Ai iu referua sulmit të Hamasit – grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera – më 7 tetor të vitit të kaluar në Izrael.

    Atë ditë, Hamasi vrau mbi 1.200 njerëz dhe mori mbi 250 pengje, prej të cilave gati 100 vazhdojnë të mbahen në Gazë.

    Në përgjigje të sulmit, Izraeli vazhdon ofensivën e tij në Gazë – enklavë e kontrolluar nga Hamasi.

    Sipas autoriteteve atje, nga sulmet izraelite janë vrarë mbi 41.000 njerëz.

    Zyra e të Drejtave e OKB-së thotë se shumica e viktimave janë gra dhe fëmijë./REL

  • Ministria e Financave: Nëse s’keni pranuar e-mail, s’keni nevojë për verifikim për shtesat

    Ministria e Financave: Nëse s’keni pranuar e-mail, s’keni nevojë për verifikim për shtesat

    Ministria e Financave ka dalë me sqarim për kërkesat për verifikime shtesë që u janë dërguar disa prindërve, në programin për shtesat për fëmijët. MF-ja ka bërë të ditur se verifikimi shtesë është bërë për t’u siguruar se prindërit dhe fëmijët e tyre jetojnë në Kosovë. Sipas njoftimit, kushdo që s’ka pranuar e-mail, s’ka nevojë për verifikime shtesë.

    Ky proces nisi më 11 shtator. Në emailin që u ishte dërguar disa prindërve u ishte thënë se përkohësisht janë pezulluar pagesat e shtesave për fëmijë, deri kur të paraqesin dokumente për verifikim në Qendrën për Punë Sociale.

    Ministria ka kërkuar nga përfituesit që në QPS të dërgojnë këto dokumente: kopjen e letërnjoftimit, një faturë të shërbimeve publike, si dhe për fëmijët nga mosha 0-6 vjeç librezën e vaksinimit, e për ata mbi 6 vjet vërtetimin nga shkolla.

    Ministria e Financave nuk ka treguar as të martën, në njoftimin në Facebook, se sa prindërve u është dërguar ky email.

    “Në kuadër të programit për shtesat për fëmijë, është një numër i caktuar i prindërve, llogaria e të cilëve është përzgjedhur për verifikim shtesë për t’u siguruar se ata dhe fëmijët e tyre jetojnë në Kosovë. Të gjithë këta prindër kanë pranuar njoftimin në eKosova dhe në email adresat e tyre, me hapat e nevojshëm për të kompletuar verifikimin shtesë dhe për të ri-aktivizuar llogarinë e shtesave për fëmijë. Nëse ju nuk keni pranuar njoftimin e tillë nga eKosova e as email nga MFPT, atëherë nuk keni nevojë të ndërmerrni ndonjë veprim. Programi i shtesave për fëmijë vazhdon si zakonisht, dhe ju do të pranoni shtesat sikurse çdo muaj në llogarinë tuaj”, thuhet në njoftimin që Ministria e Financave e ka publikuar në Facebook.

    Qeveria e Kosovës ndan 20 euro në muaj për fëmijë deri në 16 vjet.

    Në rast se prindi ka 3 fëmijë e më shumë, atëherë pagesa për secilin është nga 30 euro në muaj.

    Sipas Ministrisë së Financave nga kjo skemë përfitojnë 400 mijë fëmijë.

  • Von der Leyen zgjedh sllovenen Marta Kos komisionare të Zgjerimit

    Von der Leyen zgjedh sllovenen Marta Kos komisionare të Zgjerimit

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, paraqiti të martën përbërjen e re të Komisionit Evropian, e cila do të ketë mandat pesëvjeçar.

    Postin e komisionares për zgjerim, ajo ka vendosur t’ia ndajë kandidates nga Sllovenia, Marta Kos.

    Por, ajo do të emërohet zyrtarisht vetëm nëse merr mbështetjen e Parlamentit të Sllovenisë dhe të Parlamentit Evropian.

    Kos nuk është nominuar formalisht nga vendi i saj.

    Portofoli i zgjerimit ka rëndësi të veçantë për rajonin e Ballkanit Perëndimor, sepse të gjashtë vendet e tij, plus Ukraina, Moldavia, Gjeorgjia dhe Turqia, janë në proces të zgjerimit.

    Me përjashtim të Kosovës, të gjitha janë vende kandidate, e disa edhe në negociata për anëtarësim.

    Kandidatura e Kosit ka shkaktuar kundërthënie në Slloveni, pasi opozita nuk dëshiron ta mbështesë e as të caktojë seancë dëgjimore në Komisionin përkatës parlamentar.

    Autoritetet sllovene kanë ndërruar në momentin e fundit kandidatin e tyre, për t’i ndihmuar von der Leyenit të rriste numrin e grave në Komision, pasi ishte më pak se një e treta.

    Megjithatë, kërkesa e von der Leyenit u pa nga disa si ndërhyrje në sovranitetin e një vendi anëtar të BE-së.

    Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane të Parlamentit të Sllovenisë, Franc Breznik, i cili vjen nga opozita, ka refuzuar ta vendosë në rend dite konfirmimin e Kosit.

    Për pasojë, von der Leyen nuk ka mundur ta propozonte Komisionin e ri më 10 shtator, kur ka qenë e planifikuar, por e ka shtyrë për 17 shtator.

    Ajo e ka bërë tani këtë propozim, me pritjet që edhe Sllovenia ta përfundojë ndërkohë procedurën e saj.

    Opozita në Slloveni ka akuzuar Kosin se ka qenë bashkëpunëtore e shërbimit sekret komunist të ish-Jugosllavisë.

    Kos ka qenë ambasadore e Sllovenisë në Gjermani dhe në Zvicër.

    Më herët ka punuar edhe në Qeverinë e Sllovenisë si drejtore për raportet me mediat.

    Sipas traktateve të BE-së, secili vend anëtar ka të drejtë të ketë një komisionar. Për rrjedhojë, Komisioni Evropian ka po aq anëtarë sa ka edhe vende anëtare, përkatësisht 27.

    Von der Leyen ka përsëritur disa herë se, gjatë mandatit të ardhshëm 5-vjeçar, do ta ketë prioritet zgjerimin e BE-së./REL

  • Mbyllet “Oxford Street” në Londër për automjete, Rama: Edhe Prishtina duhet dhe të transformohet

    Mbyllet “Oxford Street” në Londër për automjete, Rama: Edhe Prishtina duhet dhe të transformohet

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka thënë sot se rruga ikonike e Londrës e njohur si “Oxford Street”, do të mbyllet për automjete dhe do të shndërrohet në shesh për këmbësorë, ndërkaq në ndërlidhje me këtë tha se Prishta duhet dhe do të jetë në hap me qytetet perëndimore dhe lider në rajon për këtë transformim.

    Rama në një postim në Facebook shkruan se duhet më shumë hapësira për këmbësorë, më shumë gjelbërim, e më pak automjete në qendra të qyteteve.

    “Më shumë hapësira për këmbësorë, më shumë gjelbërim, e më pak automjete në qendra të qyteteve.

    Prishtina duhet, dhe do të jetë në hap me qytetet perëndimore dhe lider në rajon për këtë transformim”.

  • Haxhiu: Njerëzit ikin nga një vend të varfër, jetike mbyllja e marrëveshjes me Serbinë

    Haxhiu: Njerëzit ikin nga një vend të varfër, jetike mbyllja e marrëveshjes me Serbinë

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka deklaruar se retorika e përditshme e krerëve të shtetit për kërcënimet e mundshme nga Serbia, largojnë investitorët e huaj. Prandaj, e konsideron jetike përmbylljen e marrëveshjes me shtetin serb, raporton EO.

    Gjatë takimit të Komisionit për Shëndetësi me delegacionin gjerman, Haxhiu ka thënë se ikja e qytetarëve ndodh për shkak të varfërisë, andaj konsideron se që paqja arrihet me një njohje reciproke.

    “Kur jemi më i varfër në Evropë, është normale që njerëzit të ikin nga një vend të varfër, si mundemi me e ndalë këtë, vetëm me zhvillim ekonomik. Kur ka zhvillim ekonomik, atëherë qytetarët nuk ikin sepse krijojnë kushte më të mira. Zhvillimi ekonomik vjen me investime dhe me mbështetje të partnerëve dhe të miqve, por nëse çdo ditë lajmi kryesor është potencial kërcënimi që vjen nga Serbia dhe retorika e përditshme politike është për luftën, atëherë investitorët nuk mundën me ardh sepse ata dëshirojnë siguri”.

    “Prandaj na nevojitet që procesi i dialogut me Serbinë të përfundojë me njohje reciproke, për të kaluar në atë që është një fqinjësi normale, duke qenë se kam qenë edhe pjesëtar i UÇK-së dhe konsideroj që çështjen e luftës e kemi përfunduar në vitin 1999 me Serbinë dhe neve na nevojitet paqja që mundë të realizohet përmes procesit të dialogut por që kjo të jetë me një njohje reciproke, dhe të na hap rrugën e perspektivës evropiane”, u shpreh Haxhiu.

  • ​Ministria jep sqarim pse ka kërkuar verifikim për shtesat e fëmijëve

    ​Ministria jep sqarim pse ka kërkuar verifikim për shtesat e fëmijëve

    Ministria e Financave Punës dhe Transfereve ka reaguar lidhur me kërkesën për verifikim shtesë për të riaktivizuar llogarinë e shtesave për fëmijë.

    Sipas ministrisë në kuadër të programit për shtesat për fëmijë, është një numër i caktuar i prindërve, llogaria e të cilëve është përzgjedhur për verifikim shtesë për t’u siguruar se ata dhe fëmijët e tyre jetojnë në Kosovë.

    “Të gjithë këta prindër kanë pranuar njoftimin në eKosova dhe në email adresat e tyre, me hapat e nevojshëm për të kompletuar verifikimin shtesë dhe për të ri-aktivizuar llogarinë e shtesave për fëmijë. Nëse ju nuk keni pranuar njoftimin e tillë nga eKosova e as email nga MFPT, atëherë nuk keni nevojë të ndërmerrni ndonjë veprim. Programi i shtesave për fëmijë vazhdon si zakonisht, dhe ju do të pranoni shtesat sikurse çdo muaj në llogarinë tuaj”, thuhet në njoftimin e ministrisë.