ATV

Category: Lajme

  • Mbi 200 njerëz të vdekur nga përmbytjet në Mianmar

    Mbi 200 njerëz të vdekur nga përmbytjet në Mianmar

    Numri i njerëzve që humbën jetën si pasojë e tajfunit Yagi në Mianmar u rrit në më shumë se 200, tha Qeveria ushtarake e këtij vendi.

    Stuhia përfshiu Vietnamin verior, Laosin, Tajlandën dhe Mianmarin në fillim të shtatorit dhe, deri më tani, shkaktoi vdekjen e më shumë se 500 njerëzve në të gjithë rajonin, sipas shifrave zyrtare.

    Ajo shkaktoi përmbytje të rënda dhe rrëshqitje dheu në Mianmar, duke lënë së paku 226 persona të vdekur.

    Po ashtu, shkatërroi qindra mijëra hektarë me të mbjella dhe, për pasojë, OKB-ja tha se më shumë se gjysmë milioni njerëz kanë nevojë urgjente për ushqime, si dhe për ujë të pijshëm, strehim dhe rroba.

    OKB-ja tha se përmbytjet janë ndër më të këqijat në historinë e vonë të Mianmarit.

    Agjencia e saj për Reagim ndaj Fatkeqësive vlerësoi se rreth 630.000 njerëz janë prekur nga përmbytjet, për shkak të bllokimit të rrugëve, dëmtimit të urave dhe ndërprerjes së linjave të komunikimit.

    Mianmari edhe ashtu është i shkatërruar nga lufta civile, që ka përfshirë këtë vend qysh në vitin 2021, kur ushtria ka marrë pushtetin nga qeveria e zgjedhur në mënyrë demokratike.

    Që nga ajo kohë, mijëra njerëz janë vrarë dhe miliona të tjerë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, derisa grupe të ndryshme të rezistencës së armatosur luftojnë kundër juntës ushtarake që mban pushtetin./REL

  • ​Dëmtohet një shtëpi në Kodrën e Minatorëve, Krasniqi: Ky sulm është nxitje e mosdurueshmërisë etnike e cila nxitet nga Vuçiqi

    ​Dëmtohet një shtëpi në Kodrën e Minatorëve, Krasniqi: Ky sulm është nxitje e mosdurueshmërisë etnike e cila nxitet nga Vuçiqi

    Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka njoftuar se rreth orës 00:30 gjatë mesnatës një patrollë policore ka identifikuar tym në një nga shtëpitë e ndërtuara nga Qeveria në Kodrën e Minatorëve.

    Sipas tij zjarri është fikur dhe dëmet janë sanuar.

    “Fatmirësisht, nuk ka asnjë person të lënduar veç dameve materiale. Kjo nuk është hera e parë që ka sulme të tilla, mirëpo kjo nuk është as hera e fundit që do të ndërtohen shtëpi të reja”, tha Krasniqi.

    Qeveria e Republikës së Kosovës sipas tij e dënon fuqishëm këtë akt dhe sipas tij as ky e asnjë sulm tjetër nuk e ndal kthimin e banorëve në pronat e tyre.

    “Kërcënimet, shantazhet, pamfletet terroriste, nuk i frikësojnë qytetarët dhe as nuk e ndalojnë punën tonë për sigurimin e banimit të qëndrueshëm. Ky sulm është nxitje e mosdurueshmërisë etnike e cila nxitet nga Vuçiçi i cili ka mbetur i mbyllur në propagandën e tij dhe e ka humbur kontrollin e strukturave paralele në pjesën veriore”, ka shkruar ai.

  • Osmani lanson sot Qendrën Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë

    Osmani lanson sot Qendrën Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë

    Sot orën 14:30, presidentja Vjosa Osmani, do të marrë pjesë në ngjarjen lansuese të Qendrës Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

    Sipas komunikatës për media, Qendra e Ekselencës funksionalizohet sot si rezultat i memorandumit të nënshkruar nga Osmani në emër të Republikës së Kosovës dhe nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjatë edicionit të dytë të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

  • ​Arrestohet një person, dyshohet se kërkoi pagesë prej 280 mijë euro nga ankuesi

    ​Arrestohet një person, dyshohet se kërkoi pagesë prej 280 mijë euro nga ankuesi

    Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për detyrim dhe armëmbajtje pa leje në fshatin Rugovë të Gjakovës.

    Sipas policisë ankuesi ka raportuar, se i dyshuari është duke kërkuar prej tij që t’i paguaj një shumë prej 280.000 euro.

    “Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur dhe konfiskuar: një armë automatike me 102 copë fishekë dhe një pistoletë me 4 copë fishekë. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.

  • Biden telefonon Trumpin pas “tentativës për vrasje”

    Biden telefonon Trumpin pas “tentativës për vrasje”

    Presidenti i SHBA-së, Joe Biden telefonoi ish presidentin Donald Trump dhe i uroi “të shkuara” pas ngjarjes për të cilën thuhet se ishte “tentativë për vrasje”, transmeton Anadolu.

    Në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë thuhet se presidenti Biden telefonoi Trumpin dhe diskutoi lidhur me ngjarjen e shënuar.

    “Presidenti Biden bisedoi në telefon me ish presidentin Trump dhe shprehu kënaqësinë e tij që ai ishte mirë. Të dy zhvilluan bisedë të sinqertë dhe Trump shprehu falënderimet për telefonatën”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.

    Trump bëri një deklaratë me shkrim lidhur me bisedën duke thënën se zhvilluan një bisedë të sinqertë.

    Biden i cili telefonoi Trumpin lidhur me ngjarjen për të cilën thuhet se ishte tentativë për vrasje, më parë tha se nuk mundi të kontaktonte me ish presidentin dhe se do ta telefononte sërish më pas.

    Ngjarja

    Të shtëna me armë zjarri u dëgjuan pranë fushës së golfit ku ish-presidenti amerikan Trump ndodhej në Florida mbrëmjen e djeshme dhe më pas u raportua se ai ishte i sigurt.

    Djali i madh i Trumpit, Donald Trump Jr., njoftoi në llogarinë e tij X se një armë AK-47 u gjet në shkurre në fushë pas incidentit nga forcat vendase të zbatimit të ligjit dhe se u kap një i dyshuar.

    Burimet që folën për AP thanë se agjenti i Shërbimit Sekret hapi zjarr ndaj të dyshuarit ndërsa Trump, të cilin ai ishte përgjegjës për mbrojtjen, po luante golf.

    Në e-mailin e tij drejtuar mbështetësve të tij, Trump tha se ai “nuk do të dorëzohet kurrë”. “Kam dëgjuar të shtëna armësh rreth meje, por para se thashethemet të dalin jashtë kontrollit dua të them se: Jam mirë dhe i sigurt”.

    Byroja Federale e Hetimeve të SHBA-së (FBI) njoftoi se po heton “ngjarjen që duket si një tentativë për vrasje” kundër Trumpit. Biden lidhur me ngjarjen tha se “Shërbimi Sekret ka nevojë për më shumë ndihmë”.

    Trump shpëtoi me një lëndim në vesh nga tentativa për vrasje gjatë tubimit në Pensilvani më 13 korrik.

  • DASH: Vazhdojmë të mbështesim fuqishëm dialogun Kosovë-Serbi

    DASH: Vazhdojmë të mbështesim fuqishëm dialogun Kosovë-Serbi

    Departamenti amerikan i Shtetit përsëriti se e ardhmja e Kosovës dhe Serbisë është në institucionet e Bashkimit Evropian dhe se dialogu mes tyre, i ndërmjetësuar nga BE-ja, është “e vetmja rrugë përpara”.

    I kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë për të komentuar kërkesat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për Kosovën, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha se SHBA-ja “vazhdon të mbështesë fuqishëm dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si rrugë për të arritur një marrëdhënie paqësore dhe produktive ndërmjet dy vendeve”.

    Gjatë një adresimi në fund të javës së kaluar, Vuçiq kërkoi riintegrimin e serbëve në institucionet e Kosovës, përfshirë kthimin e tyre në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës për veriun, kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në funksionet e tyre dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës.

  • Sulmohet seksualisht një grua në Prishtinë, arrestohet i dyshuari

    Sulmohet seksualisht një grua në Prishtinë, arrestohet i dyshuari

    Një grua ka njoftuar policinë se është sulmuar seksualisht nga një burrë në Prishtinë.

    Policia bën të ditur se i dyshuari është arrestuar dhe më pas është dërguar në mbajtje.

    “Viktima femër kosovare ka raportuar është ngacmuar seksualisht nga i dyshuari mashkull kosovar i cili është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje. Rasti është duke u hetuar”, thotë policia në raport.

  • ​Vjedhje e rëndë në një market në Bardhosh

    ​Vjedhje e rëndë në një market në Bardhosh

    Policia e Kosovës ka njoftuar se në fshatin Bardhosh, në Prishtinë të hënën 4 persona të maskuar kanë depërtuar në brendi të një marketi.

    Sipas raportit të policisë aty janë vjedhur një sasi të cigareve dhe 200 euro para të gatshme.

    Peronat pas vjedhjes me një veturë janë larguar në drejtim të panjohur.

    “Nuk raportohet për të arrestuar, rasti në hetime”, thuhet në raportin e policisë.

  • Sot përurohet fontana e rinovuar e Pallatit të Rinisë në Prishtinë

    Sot përurohet fontana e rinovuar e Pallatit të Rinisë në Prishtinë

    Komuna e Prishtinës ka njoftuar se sot do të përurohet Fontana e Rinovuar e Pallatit të Rinisë në Prishtinë.

    Përurimi do të bëhet në ora 19:00.

    Vendi ku do të përurohet është Fontana e Pallatit të Rinisë pranë obeliskut të pavarësisë – NEWBORN.

  • Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, dje ka dëshmuar dëshmitari i 85-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

    Ky dëshmitar ka dëshmuar me masa mbrojtëse dhe sipas përmbledhjes së lexuar nga përfaqësuesi i ZPS-së, Matt Halling, ai është ish-ushtar i UÇK-së.

    “Dëshmitari 04737 është një ish-anëtar i UÇK-së nga Zona Operative e Pashtrikut. Ai do të jep dëshmi lidhur me veprimtaritë gjatë luftës dhe strukturës së komandës në këtë brigadë”, ka theksuar prokurori Halling.

    Ish-drejtuesit e UÇK-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, po gjykohen në Gjykatën Speciale nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij , sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.