ATV

Category: Lajme

  • OKB: Dhjetëra mijëra të zhvendosur për shkak të sulmeve në Liban

    OKB: Dhjetëra mijëra të zhvendosur për shkak të sulmeve në Liban

    Dhjetëra mijëra persona janë larguar nga shtëpitë e tyre në Liban, teksa Izraeli ka vazhduar të kryer sulme, thanë Kombet e Bashkuara më 24 shtator, duke i quajtur këto ngjarje si “shumë alarmante”.

    “Ne jemi thellësisht të shqetësuar lidhur me përshkallëzimin serioz të sulmeve që pamë dje”, tha zëdhënësi i agjencisë për refugjatë të OKB-së, Matthew Saltmarsh.

    “Dhjetëra mijëra persona u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre dje dhe gjatë natës dhe numri i tyre pritet të rritet”, shtoi ai për gazetarët në Gjenevë.

    Sulmet ajrore izraelite kanë vrarë të paktën 558 persona të hënën, përfshirë 50 fëmijë dhe 94 gra, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Liban. Të paktën katër punonjës shëndetësorë u vranë dhe 16 mjekë u plagosën, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë.

    Izraeli dhe Hezbollahu – grupi libanez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara – kanë këmbyer zjarr ndërkufitar pothuajse çdo ditë që kur nisi lufta në Gazë më 7 tetor.

    Por, bombardimet e 23 shtatorit në Liban deri më tani shënuan përshkallëzimin më të madh, që nga lufta e vitit 2006 mes Izraelit dhe Hezbollahut, grup që mbështetet nga Irani.

    Disa agjenci të OKB-së po punonin që të përshpejtonin dërgimin e ndihmave në Liban për të adresuar situatën, e cila ishte e rëndë edhe para përshkallëzimit të fundit.

    “Ky është një rajon që veçse ishte shkatërruar nga lufta dhe një shtet [Libani] që e di shumë mirë se çfarë është vuajtja”, tha Saltmarsh.

    Ai theksoi se edhe para sulmeve të 23 shtatorit, në Liban ka pasur zhvendosje të popullsisë nga pjesa jugore e vendit.

    “Situata është shumë alarmante. Është shumë kaotike. Numri i civilëve të vrarë është i papranueshëm”, theksoi ai.

    Sulmet e së hënës u kryen pasi Izraeli sulmoi Bejrutin të premten duke vrarë dhjetëra persona, përfshirë dy komandantë të Hezbollahut. Ditë më parë, po ashtu, pajisjet e telekomunikimit të grupit u goditën nga një sërë shpërthimesh. Për këto shpërthime, që lanë të vrarë 39 persona dhe plagosën pothuajse 3.000 të tjerë, Hezbollahu e ka fajësuar Izraelin. Por, Izraeli nuk ka komentuar për këtë rast./REL/

  • ​Thellohet deficiti tregtar, nga cilat vende importon Kosova më së shumti mallra?

    ​Thellohet deficiti tregtar, nga cilat vende importon Kosova më së shumti mallra?

    Importi i mallrave ka arrit 582 milionë euro në muajin gusht të këtij viti, që është një rritje prej 11. 2 për qind. Ndërsa, vlera e mallrave të eksportit kishte vlerën 83. 5 milionë euro, që është një rritje prej 24 për qind, krahasuar muajin gusht të këtij viti me muajin e njëjtë të vitit 2023.

    Sipas këtyre të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës shihet se eksporti dhe importi i mallrave ka dallim të madh në Kosovë.

    Sipas këtyre statistikave, deficiti tregtar është 9. 4 për qind në muajin gusht 2024, krahasuar me muajin gusht 2023, raporton KosovaPress.

    “Eksporti i mallrave në muajin gusht 2024 kishte vlerën 83,5 milion Euro, ndërsa importi 582,0 milion Euro, që është një rritje prej 24,0% për eksport, si dhe një rritje prej 11,2% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023”, thuhet në raportin e ASK-së.

    Sipas kësaj Agjencie, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 264. 6 milionë euro, ose 45,5 për qind.

    “Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (15,1%) dhe Kina (12,9%)”, thuhet në raportin e fundit të ASK-së.

    Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 15,9% e përbëjnë produktet minerale; 14,2% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 11,4% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 10,4% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 9,9% e përbëjnë mjetet e transportit; etj.

    Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 19,6% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 19,2% e përbëjnë produktet minerale; 11,4% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 11,0% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 10,3% e përbëjnë artikuj të ndryshëm të prodhuar; etj.

    ASK bën të ditur se eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 15,8 milionë euro, ose 18,9%.

    “Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: Zvicra (10,1%) dhe SHBA (2,2%)”.

    Këtë herë, për muajin gusht ASK nuk ka treguar për importet e prej vendeve të BE-së dhe raportet tregtare me vendet e CEFTA-s.

    Në korrik eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 26,4 milion Euro, ose rreth 30,8% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 19,4%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (9,6%), Italia (3,58), Holanda (2,4%), etj.

    Po ashtu në korrik importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 270,9 milion Euro, ose 46,6% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 20,7%. Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania (13,9%), Italia (6,8%), Greqia (4,5%), etj.

    Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s

    Në korrik Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 45,0 milion Euro, ose 52,4% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 63,1%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (21,9%), Maqedonia e Veriut (16,6%), Mali i Zi (6,5%), Serbia (5,8%).

    Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 66,7 milion Euro, ose 11,5% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-9,8%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Shqipëria (5,1%), Maqedonia e Veriut (3,8%), Serbia (1,5%).

  • Kurti në vendin e rënies së Heroit Afrim Bunjaku: Plani ishte që të ndahet Kosova, rënia tij nuk ishte e kotë

    Kurti në vendin e rënies së Heroit Afrim Bunjaku: Plani ishte që të ndahet Kosova, rënia tij nuk ishte e kotë

    Pas vizitës tek familja e Heroit Afrim Bunjaku, në njëvjetorin e rënies së tij dhe homazheve tek varri i të ndjerit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Drejtorin e Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, vizituan vendin e rënies së rreshterit Bunjaku, përkatësisht në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku në nderim të tij u zbulua tabela e rrugës që do të mbajë emrin “Afrim Bunjaku” sipas vendimit të mbledhjes së 221-të të Qeverisë.

    Në deklarimin e tij para medieve, kryeministri Kurti potencoi se Banjska e 24 shtatorit 2023 ka qenë një plan për të sulmuar Kosovën ka qenë një agresion kundër sovranitetit shtetëror, integritetit territorial, paqes, sigurisë, kushtetutshmërisë, dhe ligjshmërisë.

    “Plani ishte që të ndahet Kosova, plani ishte që të aneksohet një pjesë e territorit dhe rënia e Afrim Bunjakut nuk ishte e kotë, përkundrazi ajo është fitore e madhe e shtetit të Kosovës për të gjithë qytetarët pa dallim dhe në mbrojtje të tërësisë tonë territoriale. Kosova është një dhe e pandashme”, deklaroi kryeministri.

    Gjatë vizitës në vendin e rënies së heroit Afrim Bunjaku, kryeministri Kurti ishte bashkë me policët që para një viti në orët e hershme të mëngjesit të 24 shtatorit 2023 u ballafaquan me paramilitarët e Radoiçiqit, të cilët ndanë detaje nga ballafaqimi me sulmin.

    Kryeministri Kurti, shprehu mirënjohjen e tij të thellë dhe falënderime të përjetshme ndaj policisë sonë për të gjithë punën, angazhimin dhe kontributin në sigurinë e vendit.

  • Idrizi viziton familjen e heroit, Afrim Bunjaku: Do të mbetet udhërrëfyes për gjeneratat e reja

    Idrizi viziton familjen e heroit, Afrim Bunjaku: Do të mbetet udhërrëfyes për gjeneratat e reja

    Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka vizituar familjen e heroit të Kosovës, Afrim Bunjakut, në njëvjetorin e vdekjes si pasojë e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.

    Pas vizitës në familje, Idrizi me bashkëpunëtorë kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurora me lule pranë varrit të heroit në fshatin Samadrexhë.

    “Në 1 vjetorin e rënies heroike në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetit, me nder dhe krenari përkujtojmë heroizmin e heroit, rreshterit Afrim Bunjaku. Fillimisht vizituam familjen Bunjaku, për të ndarë dhimbjen dhe krenarinë për birin e tyre, që Kosova e Vushtrria do ta kujtojnë gjithmonë me krenari, e më pas bëmë homazhe dhe vendosëm kurora lulesh pranë varrit të heroit në fshatin Samadrexhë. Vepra e heroit Afrim Bunjaku, do të mbetet përgjithmonë udhërrëfyes për gjeneratat e reja, se si duhet dhe mbrohet atdheu”, ka shkruar Idrizi.

  • Video e rrallë, kur heroi Afrim Bunjaku ishte në krye të detyrës me kolegët e tij

    Video e rrallë, kur heroi Afrim Bunjaku ishte në krye të detyrës me kolegët e tij

    ATV ka publikuar një video të rrallë të heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku, duke patrulluar me kolegët e tij.

    Sot, në shënimin e një vjetorit të rënies së tij, kryeministri i vendit, Albin Kurti së bashku me kryetarin e kuvendit, Glauk Konjufca dhe ministrin e punëve të brendshme Xhelal Sveçlën kanë vizituar familjen e tij.

    Pas vizitës, krerët e shtetit bënë homazhe para varrit të tij në varrezat e Samadrexhës në Vushtrri.

    Po ashtu, gjatë ditës, rruga rajonale, segmenti Ballaban – Banjskë, ka marr emrin e heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku.

    Kujtojmë se në orët e para të se dielës së 24 shtatorit të vitit 2023, Policia e Kosovës u sulmua në Banjskë të Zveçanit nga persona të maskuar, uniformuar e armatosur rëndë, ku nga ky sulm terrorist, mbeti i vrarë rreshteri u Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

    Pas rreth një viti, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore të Prishtinës për 45 të pandehurit që dyshohet se janë të përfshirë në këtë sulm terroristë. /atvlive.tv

  • Krasniqi: Serbia duhet t’i dorëzojë kriminelët që kanë gjetur strehim atje

    Krasniqi: Serbia duhet t’i dorëzojë kriminelët që kanë gjetur strehim atje

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se rreshteri Afrim Bunjaku është simbol i guximit, nderit dhe besnikërisë së palëkundur ndaj atdheut.

    Ai ka shkruar në Facebook të martën se Serbia duhet t’i dorëzojë kriminelët serbë “që kanë gjetur strehim atje, për të dhënë llogari para drejtësisë sonë”.

    Kreu i partisë opozitare ka shtuar se guximi vetëmohues i Afrimit Bunjakut ka gdhendur “përgjithmonë emrin e tij në zemrat e popullit të Kosovës”.

    “Afrimi, më shumë se zyrtar i Policisë së Kosovës, ishte një simbol i guximit, nderit dhe besnikërisë së palëkundur ndaj atdheut. Përballë rrezikut kundër terroristëve në Banjskë, ai qëndroi i vendosur për të mbrojtur tokën për të cilën kanë rënë mijëra dëshmorë ndër breza. Në njëvjetorin e këtij sulmi terrorist mbi shtetin e Kosovës, tashmë edhe pas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, edhe me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtare, Serbia duhet të detyrohet që t’i dorëzojë kriminelët serbë që kanë gjetur strehim atje, për të dhënë llogari para drejtësisë sonë. Sot, krahas nderimit për Afrimin, shprehim respektin dhe mirënjohjen tonë më të thellë për familjen Bunjaku, dhembjen e së cilës e ndanë secili qytetar atdhedashës i shtetit tonë”, ka thënë Krasniqi.

  • Vazhdon periudha për aplikim të subjekteve politike për certifikim dhe dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë

    Vazhdon periudha për aplikim të subjekteve politike për certifikim dhe dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se është duke vazhduar periudha për aplikim të subjekteve politike për certifikim dhe dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë, për Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.

    Gjatë periudhës 102 ditore (1 shtator – 11 dhjetor 2024), kërkesat për certifikim nga subjektet politike duhet të dorëzohen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, përkatësisht në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP).

    Gjithashtu, gjatë kësaj kohe, subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të dorëzojnë listën e kandidatëve për deputetë.

    Të gjitha detajet për periudhën e aplikimit për certifikim të subjekteve politike janë publikuar në ueb faqen e KQZ-së www.kqz-ks.org (Shërbimet e KQZ-së > Shërbimet për subjekte politike > Certifikimi i subjekteve politike) apo në vegzën direkte: https://kqz-ks.org/sherbime-per-subjektet-politike/certifikimi-i-subjekteve-politike/

  • ​Ferizaj, qytetari dorëzon në polici portofolin e gjetur me para

    ​Ferizaj, qytetari dorëzon në polici portofolin e gjetur me para

    Policia e Kosovës ka njoftuar se të martën më 24 shtator rreth orës 11:00, një qytetar nga Ferizaj, H.Musliu i moshës 79 vjeçare ka gjetur një portofol me para dhe dokumente të humbura në rrugën ‘’Reçaku’’ në Ferizaj.

    Musliu menjëherë e ka njoftuar policinë dhe portofolin e gjetur e ka dorëzuar në stacionin e policisë në Ferizaj.

    “Në ndërkohë është identifikuar pronari i portofolit të humbur, N.S nga fshati Brod i Shtërpcës dhe është paraqitur në polici. Pas procedurave të verifikimit të pronarit, në prani të policisë, pronarit i kthehen paratë: 530 franga, 145.5 euro dhe dokumente tjera”, thuhet në njoftim.

    Me këtë rast Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj e ka falënderuar qytetarin H. Musliu për gjestin human dhe shembullor me rastin e dorëzimit të portofolit në stacionin e policisë.

  • Sveçla: Serbia duhet t’i dorëzojë sa më parë terroristët e sulmit në Banjskë

    Sveçla: Serbia duhet t’i dorëzojë sa më parë terroristët e sulmit në Banjskë

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se përgjegjësia për vrasjen e heroit Afrim Bunjaku dhe e organizimit të sulmit terrorist në Banjskë është e Serbisë.

    Ai ka thënë se drejtësia është e pashmangshme dhe “Serbia duhet të dorëzojë terroristët sa më parë”.

    Sipas Sveçlës, Serbia duhet t’i dorëzojë terroristët sa më parë.

    Sveçla ka shkruar në Facebook të martën se rënia e Bunjakut mbrojti sovranitetin e vendit.

    “Rënia e tij mbrojti sovranitetin e territorin e vendit tonë andaj është edhe heroike, edhe e paharrueshme. Përgjegjësia për vrasjen e Heroit Afrim Bunjaku dhe organizimit të atij sulmi terrorist është drejtpërdrejtë e Serbisë. Drejtësia është e pashmangshme dhe Serbia duhet të dorëzojë terroristët sa më parë. Rruga e fshatit Banjskë ku u vra Rreshter Afrimi nga sot mbanë emrin e tij. Ajo është rruga që kolegët e tij e kalojnë çdo ditë në shërbim. Mesazhi që dha Rreshter Afrimi është i qartë, terrorizmin e luftojmë me çdo kusht. Rruga që trasoi Afrimi është e përditshmja jonë bashkë me kolegët e tij, sundimi i rendit dhe ligjit në çdo cep të Republikës sonë”, ka thënë ai të njëvjetorin e vrasjes së Bunjakut.

  • A është e rrejshme jeta e influencuesëve?

    A është e rrejshme jeta e influencuesëve?

    Në valën e trendëve dhe botës virtuale, një profesion i ri ka zë vend në fushën e marketingut online dhe figurave që janë kthyer në imazhe të cilët i shohim në platformat si Tik-tok, Instagram, Facebook e Youtube.

    Influencerët dhe ndikimi i tyre në perceptimin e të rinjëve mbi stilin e jetës ka bërë që kjo të krijoj një presion shoqëror për tu përputhur me standardet e përcaktuara nga ata.

    A është kjo jeta reale e tyre apo është ajo se çka këta influencues zgjedhin të prezantojnë, u debatua edhe në emisionin Libero.

    Sipas Gazetares, Argnesa Abdixhiku, ajo se çka i paraqitet audiencës përmes publikimeve në rrjete sociale, nuk është gjithmonë reale dhe po krijon iluzion tek të rinjtë.

    Kjo po krijon pakënaqësi me sfidat e përditshme në procese të ndryshme në jetë.

    “ Jeta joreale, po shkakton presion shoqëror, pakënaqësi të mëdha, luksi i madh i jetës, shfaqja e kësaj jete në rrjete sociale krijon bindjen tek masa dhe të rinjtë të cilët po infuencohen shumë, kjo mund të vërehet edhe prezenca e moshës së re në platformën tik-tok, duke prezentuar apo promovuar produkte dhe shërbime të cilat janë joreale dhe shpeshherë të dëmshme për konsumimin e tyre” shtoi Argnesa.

    Semra Ajeti përcolli mesazh për publikun rreth kësaj dukurie, sidomos për adoleshentët dhe rastet e rënda (deri në vetëvrasje)  si rrjedhojë e përjetimeve si; bullizmi, dëshpërimi apo ndikimi online.

    “ Ajo që do të thoja për ata që po na ndjekin është se, të gjithë jemi ndonjëherë nervoz, të gjithë kemi momente që nuk jemi të lumtur apo nuk marrim vëmendje ashtu siç ne dëshirojmë dhe jo gjithmonë në rrjetet sociale e tregojmë realitetin. Prandaj, mos u fokusoni në atë se çka shihni në rrjete sociale, duajeni vetën, dhe mos besoni gjithçka që shihni në këto platforma” deklaroj Semra, si gazetare e po ashtu edhe si një influencere e cila re-prezanton një lifestyle estetik në rrjetin e saj në Instagram.

    Nga një këndvështrim tjetër, po e sheh këtë fakt Kaltrina Mikushnica, si figurë e mediave dhe  influencere.

    Ajo pohoj që personalisht publikimi i përmbajtjeve pozitive si dhe ngjarjeve të përditshme, ka ndikuar që të krijohet një marrëdhënie reale dhe të fitohet besueshmëria edhe te kompanitë (në rastin e reklamimit të produkteve) edhe tek audienca e saj online.

    Për të parë më shumë rreth këtij diskutimi,  ndiqni linkun e emisionit Libero: