ATV

Category: Lajme

  • Vala ekstreme e të nxehtit, 40 viktima deri më tani në Francë

    Vala ekstreme e të nxehtit, 40 viktima deri më tani në Francë

    Dyzet persona janë mbytur në Francë gjatë ditëve të fundit teksa përpiqeshin të freskoheshin për t’i shpëtuar vapës rekord, tha të martën kryeministri, ndërsa një valë të nxehti ka përfshirë një pjesë të madhe të Evropës.

    Duke folur përpara një mbledhjeje emergjente mbi valën e të nxehtit, kryeministri francez Sebastien Lecornu tha: “Një plagë e trishtueshme sa i përket mbytjeve, pasi të dhënat e fundit që sapo na janë raportuar tregojnë 40 viktima që nga 18 qershori, shumica prej tyre të rinj”, raportojnë mediat atje.

    Në mbarë Francën, njerëzit janë hedhur në kanale dhe lumenj për t’u freskuar. Ministrja franceze e Sportit, Marina Ferrari, tha se e kupton dëshirën për t’i shpëtuar vapës, por paralajmëroi kundër notit në zona të paautorizuara ose të rrezikshme.

    Pjesa më e madhe e Francës ndodhet nën alarm të lartë për vapën dhe pritet të përjetojë temperatura rreth 40 gradë Celsius të martën, sipas Meteo France, ndërsa në disa pjesë të Francës perëndimore temperaturat mund të arrijnë deri në 43 gradë Celsius.

    Njerëzit janë këshilluar të shmangin notin pa mbikëqyrje ndërsa vala e të nxehtit përfshin Francën.

    Vendi sapo ka regjistruar pasditen dhe natën më të nxehtë që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1947. Pesëdhjetë e katër departamente janë nën alarm të kuq, në atë që meteorologët e përshkruajnë si një situatë të paprecedentë.

    Të hënën, ekipet e emergjencës nuk arritën të rikthenin në jetë dy fëmijë, 2 dhe 4 vjeç, të cilët u gjetën pa ndjenja nga nëna e tyre në makinën e familjes pranë shtëpisë së tyre, tha një prokuror në Carpentras, në juglindje të Francës.

    Tre të moshuar humbën jetën në incidente të ndara në rajonin e Bordeaux-së si pasojë e problemeve shëndetësore të shkaktuara nga vala e të nxehtit gjatë fundjavës.

    Edhe Britania, Italia dhe Spanja po përballen me temperatura ekstreme, me rekorde të reja në disa rajone që kanë shkaktuar ndërprerje në shkolla dhe në rrjetet e transportit.

    Sipas Organizatës Botërore Meteorologjike, Evropa po ngrohet me një ritëm më shumë se dy herë më të shpejtë se mesatarja globale, duke i bërë episode të tilla të zgjatura të vapës gjithnjë e më të mundshme.

  • Lajm i mirë për blegtorët, Komuna e Prishtinës rrit subvencionet për vitin 2026

    Lajm i mirë për blegtorët, Komuna e Prishtinës rrit subvencionet për vitin 2026

    Drejtoresha e Bujqësisë në Komunën e Prishtinës, Jeta Rafuna ka publikuar listën e përfituesve të subvencioneve me pagesë direkte në sektorin e blegtorisë për vitin 2026.

    Këtë vit është rritur mbështetja për blegtorët:
    Për gjedhë mbështetja është rritur për 16.8%.
    Për dele dhe dhi mbështetja është rritur për 28.0%.

  • Alarmi i rremë për mjet shpërthyes në Prishtinë, Policia po e heton rastin

    Alarmi i rremë për mjet shpërthyes në Prishtinë, Policia po e heton rastin

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se po e heton rastin e djeshëm në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, ku një alarm për bombë rezultoi të ketë qenë i rrejshëm.

    Edhe në raportin 24-orësh, Policia ka përsëritur se pas ekzaminimit nga njësitet e specializuara, është konstatuar se nuk bëhej fjalë për ndonjë mjet shpërthyes.

    “Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, ndërsa hetimet për identifikimin e personit që ka bërë kallëzimin vazhdojnë”, thuhet po aty.

  • Shtyhet afati për aplikim në Thirrjen Publike për OJQ dhe individë për projektet në fushën e artit dhe kulturës

    Shtyhet afati për aplikim në Thirrjen Publike për OJQ dhe individë për projektet në fushën e artit dhe kulturës

    Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka njoftuar se është shtyrë afati për aplikim në Thirrjen Publike për OJQ dhe individë për projektet në fushën e artit dhe kulturës për vitin 2026.

    Sipas njoftimi afati i ri është deri më 26 qershor në ora 16:00.

    Njoftimi i plotë:

    SHTYHET AFATI I APLIKIMIT

    Njoftojmë të gjithë të interesuarit se është shtyrë afati për aplikim në Thirrjen Publike për OJQ dhe individë për projektet në fushën e artit dhe kulturës për vitin 2026.

    Afati i ri për aplikim është deri më 26 qershor 2026, ora 16:00.

    Të gjitha kushtet, kriteret dhe dokumentacioni i kërkuar për aplikim mbeten të pandryshuara.

    Për më shumë informata, të interesuarit mund t’i referohen dokumentacionit të publikuar në thirrjen zyrtare: https://www.mkrs-ks.org/repository/docs/1530-4.pdf

  • Raporti i Auditimit për OSHP-në: 54 raste me vonesa në vendimmarrje dhe probleme në menaxhimin e të hyrave

    Raporti i Auditimit për OSHP-në: 54 raste me vonesa në vendimmarrje dhe probleme në menaxhimin e të hyrave

    Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), ka publikuar raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) për vitin 2025, ku janë identifikuar një sërë mangësish financiare dhe procedurale që kanë ndikuar në opinionin e auditimit dhe në përputhshmërinë me legjislacionin në fuqi.

    Sipas raportit, auditori ka konstatuar mbivlerësime dhe nënvlerësime të të hyrave, si dhe mangësi në regjistrimin e pasurive dhe stoqeve.

    ” Konkretisht, janë evidentuar mbivlerësime të të hyrave prej 16,308 eurosh, nënvlerësime prej 4,864 eurosh, si dhe nënvlerësim i pasurive dhe stoqeve në vlerë totale prej mbi 2,700 euro.”, thuhet në raportin e ZKA-së.

    Një nga gjetjet kryesore lidhet me tarifat e ankesave. ZKA ka konstatuar se në 13 raste pagesat e tarifave të ankesës ishin më të ulëta sesa niveli i përcaktuar me rregullore, duke bërë që të hyrat të nënvlerësohen për 4,864 euro. Sipas raportit, kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së kontrolleve efektive dhe aplikimit të dispozitave të rregulloreve të shfuqizuara në disa raste.

    Raporti evidenton gjithashtu mangësi në regjistrimin e pasurive. Dy pagesa për inventar dhe pajisje në vlerë prej 3 eurosh nuk ishin regjistruar në sistemin “e-Pasuria”, ndërsa materiale shpenzuese në vlerë prej 2,704 eurosh nuk figuronin në sistemin për evidentimin e hyrje-daljeve të stoqeve. Sipas auditorëve, kjo situatë ka ardhur si pasojë e mungesës së koordinimit ndërmjet zyrtarëve përgjegjës dhe problemeve teknike në sistem.

    Në aspektin e përputhshmërisë ligjore, auditimi ka konstatuar se në 12 raste ekspertët shqyrtues kanë vonuar përgatitjen e raporteve nga 1 deri në 26 ditë përtej afateve të parapara ligjore. Auditori vlerëson se këto vonesa mund të ndikojnë në shtyrjen e realizimit të projekteve publike dhe të rrisin rrezikun e kontestimeve ligjore ndaj vendimeve të OSHP-së.

    Po ashtu, në 54 raste janë evidentuar vonesa në nxjerrjen e vendimeve nga panelet shqyrtuese të OSHP-së. Sipas ZKA-së, vonesat bien ndesh me parimet e transparencës dhe llogaridhënies në prokurimin publik, ndikojnë negativisht në realizimin e projekteve publike dhe mund të shkaktojnë kosto shtesë ligjore.

    Raporti thekson se auditimi ka rezultuar me tetë rekomandime, prej të cilave pesë janë të reja dhe tre të përsëritura nga vitet paraprake.

    ZKA ka kërkuar nga drejtuesit e OSHP-së forcimin e kontrolleve të brendshme, respektimin e afateve ligjore në trajtimin e ankesave dhe përmirësimin e menaxhimit të pasurive dhe të hyrave.

  • Mungon Erion Veliaj, shtyhet seanca gjyqësore

    Mungon Erion Veliaj, shtyhet seanca gjyqësore

    Mungesa në sallë e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, por edhe të avokatit të tij mbrojtës, u bë shkak për shtyrjen e seancës të së martës ndaj tij dhe të bashkëpandehurve në Gjykatën e Posaçme.

    Avokati Ndreca e kishte justifikuar mungesën, përmes një raporti mjekësor, shkruan A2 CNN.

    Gjykata vendosi të shtyjë seancën për më 7 korrik dhe njëkohësisht të pezullojë afatin e paraburgimit ndaj Veliajt.

  • Kurti: Pas certifikimit të rezultateve do të fillojmë komunikimet menjëherë me partitë politike

    Kurti: Pas certifikimit të rezultateve do të fillojmë komunikimet menjëherë me partitë politike

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se pas certifikimit të rezultateve do të nis komunikimet me partitë politike për formimin e institucioneve të Kosovës.

    “Përbesë porsa të certifikohen rezultatet fillojmë komunikimet menjëherë”, tha shkurt Kurti para gazetarëve.

    Në anën tjetër, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thanë të hënën për Gazetën Online Reporteri.net se do të presin 48 orë pas dy vendimeve të fundit të PZAP, ku u rrëzuan dy kërkesat e dy kandidatëve për deputet të PDK-së, dhe pastaj të bëhet shpallja e rezultateve përfundimtare dhe certifikimi i zgjedhjeve.

    Sipas KQZ-së, pas plotfuqishmërisë së vendimeve do të vlerësohet nëse ato përmbajnë obligime konkrete për institucionin, para se të procedohet me shpalljen e rezultateve përfundimtare.

    “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të përfundimit të shqyrtimit të ankesave dhe vendimmarrjen e institucioneve përkatëse para se të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Mund t’iu konfirmoj se KQZ është njoftuar me vendimet e PZAP-it lidhur me 2 ankesat e paraqitura në këtë institucion. Ndaj këtyre vendimeve të PZAP-it, palët kanë të drejtë ankese brenda 48 orëve në Gjykatën Supreme, andaj KQZ do të presë që vendimet të marrin formën e prerë.

    Pas plotëfuqishmërisë së vendimeve, mbetet të shihet nëse ato përmbajnë obligime konkrete për KQZ-në, për t’i zbatuar dhe pastaj për të proceduar me aktin e shpalljes së rezultateve përfundimtare”, tha të hënën zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

  • Rama publikon letrën e UÇK’së që thotë se Goxhaj refuzoi t’i bashkohet luftës në Kosovë, i bindur që Irani ka dorë në protestë

    Rama publikon letrën e UÇK’së që thotë se Goxhaj refuzoi t’i bashkohet luftës në Kosovë, i bindur që Irani ka dorë në protestë

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se sot në mëngjes dikush ia ka dërguar një letër lidhur me Driton Goxhajn, i cili ka marrë edhe rol organizatori në protestën që po mbahet në Tiranë.

    Rama thotë se personi që ia ka nisur letrën ka disa të vrarë në familje dhe në mesazh ka kontestuar veprimtarinë e Goxhajt në UÇK.

    ““Po mos bre mos ja kajni nanën krejt, çfarë komandant i leshit more”… Këto ishin fjalët e një burri me disa të vrarë në familje, që më çoi dokumentin bashkëngjitur sot në sabah!”, ka shkruar Rama.

    “Ndërsa këto janë fjalët e mia: Ej, trima, jo për një manipulator gjysëm taleban e gjysëm mitoman, po për krejt botën sikur të ma falin, nuk e hedh një pikë balte unë mbi flamurin e UÇK-së”, ka shtuar Rama.

    Në letrën që ka publikuar kryeministri shqiptar, të nënshkruar nga “komandant plaku”, që daton si letër e datës 21 prill 1999, thuhet se Driton Goxhaj pasi kishte çuar me makinë disa persona për t’iu bashkuar UÇK’së, vet më pas është larguar duke thënë se “nuk i ka marrë koka erë” për të qëndruar ne luftë, siç po bënte babai i tij.

    Edi Rama dje ka shkruar rreth Goxhajt duke e cilësuar si person të lidhur me Iranin.

  • Dy motrat që humbën jetën në aksidentin e rëndë, do të varrosen në Kosovë

    Dy motrat që humbën jetën në aksidentin e rëndë, do të varrosen në Kosovë

    Erza (23 vjeçe) dhe Aulona (17 vjeçe) humbën jetën në një aksident tragjik në Gjermani.

    Ngjarja e rëndë ka ndodhur të shtunën e kaluar, gjatë kohës kur dy motrat po udhëtonin drejt Gjermanisë për të vizituar të afërmit e tyre. Sipas raporteve të policisë gjermane dhe mediave zvicerane, në aksidentin zinxhiror u përfshinë pesë automjete.

    Mediat zvicerane dhe gjermane njoftojnë mbi një aksident të rëndë komunikacioni në Gjermani: Dy motra të moshës së re, Erza (23 vjeçe) dhe Aulona (17 vjeçe), të cilat jetonin në Olten të Zvicrës dhe kishin prejardhje nga Kosova, kanë humbur jetën në një aksident tragjik komunikacioni në autostradën gjermane A5.

    Babai i vajzave ka rrëfyer mes lotësh se vajzat e tij u detyruan të frenonin në autostradë për shkak të një aksidenti që kishte ndodhur më përpara, por një makinë që vinte pas tyre nuk arriti të ndalonte me kohë dhe u përplas me forcë të madhe pas automjetit të motrave. Përplasja rezultoi fatale dhe dy të rejat ndërruan jetë në vendngjarje.

    Familja dhe mbarë rrethi i tyre në Olten janë tronditur nga kjo tragjedi. I ati i tyre u shpreh se vajzat ishin në lulen e rinisë dhe se ato e donin shumë jetën. 23-vjeçarja Erza sapo kishte përfunduar shkollimin e lartë profesional dhe punonte në Olten, ndërsa motra e saj më e vogël, Aulona, ishte në vitin e dytë të përgatitjes profesionale. Familja e pikëlluar ka bërë të ditur se tashmë kanë nisur përgatitjet për t’i dërguar trupat e dy motrave në Kosovë, ku edhe do të bëhet varrimi i tyre.

  • Detaje tronditëse për vrasjen e Eglant Koçit, zbulohet biseda e autorit me familjarët

    Detaje tronditëse për vrasjen e Eglant Koçit, zbulohet biseda e autorit me familjarët

    Janë zbuluar detaje tronditës mbi vrasjen e Eglant Koçit nga shoku i tij, Armand Shakaj, një krim që sipas hetuesve u pasua nga përpjekje për të fshehur gjurmët duke zhdukur trupin në majën e Korrës.

    Gazetari Igli Çelmeta ka treguar se menjëherë pasi kishte dalë nga komisariati, Shakaj ishte përballur me miq dhe familjarë të viktimës, të cilët e kishin pyetur për praninë e tij në polici.

    Sipas gazetarit, autori i dyshuar u kishte thënë se ishte marrë në pyetje vetëm si person që kishte dijeni për ngjarjen, pasi kishte komunikuar me Eglant Koçin ditën e zhdukjes.

    Madje, sipas Çelmetës, Shakaj kishte shkuar edhe më tej, duke u kërkuar familjarëve që ta njoftonin nëse Koçi kthehej në shtëpi, duke u shtirur si i shqetësuar për të.

    “Sapo ka dalë nga komisariati është ndeshur me miq, të afërm, familjarë të Eglant Koçit, autori i krimit, dhe e kanë pyetur po ti çfarë do në komisariat. U ka thënë se e kanë pyetur si person në dijeni, pasi atë ditë kishte folur në telefon me Eglantin. Madje u ka thënë të afërmve, kur të kthehet Eglanti në shtëpi i thoni të më telefonojë pasi jam shumë i shqetësuar dhe kam humbur kontaktet. Pra autori i krimit u kishte thënë këto fjali të afërmve të Eglantit. Policia sekuestroi kamerat e sigurisë dhe brenda 24 orësh zbuloi që Armand Shakaj ishte autori i dyshuar. Ai kishte nuhatur që policia po e zbulonte krimin, edhe pse në kokën e tij djallëzore, mënyra se si e kishte fshehur trupin, kishte menduar se nuk do gjendej kurrë. Ai e çoi në lartësinë më të madhe, në majën e Korrës, për ta zhdukur. Policia ka pajisje të sofistikuara për sinjalizimin e telefonit celular. Janë zbuluar fshatrat ku ka pulsuar celulari dhe janë pyetur banorë të zonës dhe një bari që kishte parë automjetin e Shakajt”, deklaroi ai, raporton A2 CNN.