ATV

Category: Lajme

  • Dështon krijimi i qeverisë së re në Rumani

    Dështon krijimi i qeverisë së re në Rumani

    Përpjekja e Rumanisë për të formuar një qeveri të re dështoi pasi parlamenti refuzoi dje kandidatin për kryeministër, Adrian Vestea duke zgjatur pasigurinë politike në vend shtatë javë pas rënies së administratës së mëparshme.

    Vestea siguroi 189 vota pro dhe 23 kundër, shumë më pak se 233 votat e nevojshme për një shumicë absolute në parlamentin me 465 vende.

    Vetëm 212 ligjvënës morën pjesë në votim.

    Presidenti Nicusor Dan tani duhet të emërojë një kandidat tjetër për të provuar të formojë një qeveri.

    Dan kishte emëruar Vestean, një anëtar të Partisë Kombëtare Liberale (PNL) të qendrës së djathtë, pavarësisht kundërshtimit nga kryeministri i përkohshëm Ilie Bolojan, i cili drejton partinë.

    Një kongres i posaçëm i partisë të dielën votoi për përjashtimin e Vesteas dhe mbështetësve të tij nga PNL, megjithëse vendimi ende kërkon miratim formal nga organet e tjera të partisë.

    Dan kishte kërkuar të ringjallte një koalicion midis PNL-së dhe Partisë Social Demokratike (PSD), një parti që është përballur me akuza të gjata për korrupsion.

    Bolojani dhe shumica e ligjvënësve të PNL-së e kundërshtuan një marrëveshje të tillë.

    Vestea u mbështet nga PSD-ja opozitare, disa disidentë nga PNL-ja dhe grupe më të vogla politike. Ai gjithashtu zhvilloi bisedime me Aleancën e ekstremit të djathtë për Bashkimin e Rumunëve (AUR) në një përpjekje për të siguruar mbështetje, por ligjvënësit e AUR-së dolën nga parlamenti para votimit.

  • Raportohet zhdukja e një gruaje në Rahovec, rrethanat të paqarta

    Raportohet zhdukja e një gruaje në Rahovec, rrethanat të paqarta

    Një grua është raportuar e zhdukur që nga data 19 qershor në Rahovec, ndërsa rrethanat e zhdukjes së saj mbeten ende të paqarta.

    Rastin në polici e ka lajmëruar një burrë i cili ka bërë të ditur se viktima ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet vendndodhja e saj.

    Rahovec/19.06.2026 – 11:30. Ankuesi mashkull kosovar me 22.06.2026 ka raportuar se viktima femër kosovare ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet vendndodhja e saj”, thuhet në raport.

  • Kosovarët po e lënë tokën djerrë: Mbi 6 mijë hektarë pa u punuar gjatë 2025-ës

    Kosovarët po e lënë tokën djerrë: Mbi 6 mijë hektarë pa u punuar gjatë 2025-ës

    Edhe pse sipërfaqja e përgjithshme e shfrytëzuar e tokës bujqësore në Kosovë u rrit me 510.9 hektarë gjatë vitit 2025, të dhënat e Anketës së Ekonomive Bujqësore tregojnë se 6,104 hektarë tokë vazhdojnë të mbeten djerrë.

    Sipërfaqja e përgjithshme e shfrytëzuar e tokës bujqësore në Kosovë ka shënuar një rritje minimale gjatë vitit 2025, ndërsa mbi 6 mijë hektarë tokë vazhdojnë të mbeten djerrë.

    Të dhënat e Anketës së Ekonomive Bujqësore (AEB) tregojnë se sipërfaqja e përgjithshme është rritur për vetëm 510.90 hektarë ose 0.1 për qind krahasuar me vitin 2024.

    Sipas statistikave, sipërfaqja e përgjithshme e shfrytëzuar e tokës bujqësore ka arritur në 420,739.57 hektarë në vitin 2025, nga 420,228.67 hektarë sa ishte një vit më herët.

    Pjesën më të madhe të tokës bujqësore vazhdojnë ta zënë livadhet dhe kullosat, duke përfshirë edhe tokën e përbashkët. Kjo kategori është rritur nga 216,534.33 hektarë në vitin 2024 në 216,697.39 hektarë në vitin 2025, një rritje që sipas raportit lidhet me shtimin e fondit blegtoral.

    “Gjatë vitit 2025, gjithsej toka e punueshme, arat, ishte 189 131,22 ha, pjesa më e madhe ishte me: drithëra (128 190,63ha, ose 67,8%); bimë foragjere (36 446,35ha, ose 19,3%); perime 9 841,44 ha në fushë të hapur, në serra dhe kopshte (prej të cilave perime në fushë të hapur dhe serra ishin 8 946,37ha, ose 4,7%); patate (3 375,16ha, ose 1,8%); bishtajore (2 257,45ose 1,2%); bimë industriale ( 1 254,60ha, ose 0,7%); kultura të tjera (2 556,27ha, ose 1,4%) dhe tokë djerrë ishte 6 104,38 ha ose 3,2%”, thuhet në raport.

    Edhe toka e punueshme, arat ka shënuar rritje të lehtë. Nga 188,795 hektarë në vitin 2024, ajo ka arritur në 189,131.22 hektarë në vitin 2025, duke përbërë rreth 45 për qind të gjithë sipërfaqes së shfrytëzuar bujqësore.

    Ndërkohë, jo të gjitha kategoritë kanë shënuar rritje. Kopshtet janë zvogëluar nga 912.75 hektarë në 895.07 hektarë, ndërsa edhe plantacionet e vreshtave kanë rënë nga 3,405.54 hektarë në 3,343.21 hektarë.

    Në anën tjetër, plantacionet e pemëve kanë shënuar një rritje të lehtë, duke kaluar nga 10,408.21 hektarë në 10,481.08 hektarë, ndërsa fidanishtet janë rritur nga 172.86 hektarë në 191.61 hektarë.

    Sa i përket strukturës së tokës së punueshme, gjatë vitit 2025 gjithsej 189,131.22 hektarë ishin të mbjella me kultura të ndryshme. Pjesën më të madhe e zënë drithërat me 128,190.63 hektarë ose 67.8 për qind, të ndjekura nga bimët foragjere me 36,446.35 hektarë ose 19.3 për qind.

    Perimet janë kultivuar në 9,841.44 hektarë, ku 8,946.37 hektarë janë në fushë të hapur dhe në serra. Patatet janë mbjellë në 3,375.16 hektarë, bishtajoret në 2,257.45 hektarë, ndërsa bimët industriale në 1,254.60 hektarë.

    Megjithatë, raporti evidenton se 6,104.38 hektarë, ose 3.2 për qind e tokës së punueshme, kanë mbetur djerrë edhe gjatë vitit 2025.

    Të dhënat e Agjencisë së Statistikave tregojnë gjithashtu se 34,240.28 hektarë janë ujitur të paktën një herë gjatë periudhës referuese të anketës, ndërsa 123,045.50 hektarë janë trajtuar me pesticide.

    Edhe sektori i blegtorisë ka shënuar rritje të lehtë. Numri i gjedheve është rritur nga 240,848 në vitin 2024 në 241,423 në vitin 2025, ndërsa numri i deleve ka kaluar nga 209,947 në 211,178.

    “Rezultatet e kësaj ankete tregojnë se blegtoria në Kosovë, gjatë vitit 2025, sa i përket numrit të gjedheve ishte 241 423, ku krahasuar me vitin paraprak 2024 (që ishte 240 848), ka një rritje të lehtë. Sa i përket numrit të deleve gjatë vitit 2025 ishte 211 178, ku krahasuar me vitin paraprak 2024 (që ishte 209 947), vërehet një rritje e lehtë”. /Monitor

  • “Skandal i madh”, asamblisti i LDK-së akuzon Komunën e Gjilanit për “pazare me tokën publike”

    “Skandal i madh”, asamblisti i LDK-së akuzon Komunën e Gjilanit për “pazare me tokën publike”

    Asamblisti në Kuvendin Komunal të Gjilanit dhe kandidati i LDK-së për deputet në zgjedhjet e 7 qershorit, Gentrit Murseli, ka reaguar ndaj një propozim-vendimi të dorëzuar nga Komuna e Gjilanit për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të dy parcelave komunale.

    Përmes një postimi në Facebook, Murseli ka publikuar dokumente për të cilat thotë se dëshmojnë se pushteti komunal ka proceduar në Kuvendin Komunal një propozim për dhënien në shfrytëzim për 99 vjet të dy parcelave me sipërfaqe totale prej mbi 75 hektarësh, respektivisht më shumë se 750 mijë metra katrorë.

    Sipas tij, përfitues i propozuar i kësaj prone është kompania “NORD KOS”, e cila, sipas të dhënave të publikuara nga ai, është themeluar më 24 prill të këtij viti.

    “Pra, kryetari i komunës, Alban Hyseni, tenton të japë pronat komunale në shfrytëzim sikur të ishin prona të tij private, pronarëve të një biznesi të hapur vetëm 2 muaj më parë”, ka shkruar Murseli.

    Ai ka pretenduar se në këtë proces nuk janë respektuar procedurat ligjore dhe se ka munguar transparenca ndaj publikut.

    Në cilësinë e anëtarit të Kuvendit Komunal, Murseli ka kërkuar anulimin e menjëhershëm të këtij vendimi.

    “Le të jetë ky vendimi i fundit i këtyre pazareve të natës, si dhe mësim për Alban Hysenin se nuk mund ta falë asnjë centimetër tokë të qytetarëve të Gjilanit për interesa të tij personale”, ka deklaruar ai.

  • Grabitje në një shtëpi në Gjakovë, zhduket arma me 30 fishekë

    Grabitje në një shtëpi në Gjakovë, zhduket arma me 30 fishekë

    Një rast i vjedhjes së rëndë është raportuar në Gjakovë, ku persona të panjohur kanë hyrë me forcë në një shtëpi dhe kanë vjedhur një armë zjarri me 30 fishekë.

    Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur më 22 qershor 2026, rreth orës 06:50. Pronari i shtëpisë ka raportuar se në momentin e incidentit ndodhej jashtë vendit, ndërsa arma e vjedhur ishte me leje.

    Lidhur me rastin, njësitet përkatëse policore kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve.

  • Vdekja e 26 vjeçarit në vendin e punës në Prizren, arrestohet një person

    Vdekja e 26 vjeçarit në vendin e punës në Prizren, arrestohet një person

    Policia e Kosovës ka njoftuar se një person është arrestuar lidhur me rastin e vdekjes së një punëtori në vendin e punës në Prizren.

    Rasti është iniciuar si “Asgjësimi, dëmtimi apo heqja e pajisjeve mbrojtëse në vendin e punës”. I arrestuari është dërguar në mbajtje.

    “Prizren/22.06.2026 – 08:00. Viktima mashkull kosovar derisa ka qenë në vendin e punës është lënduar nga një mjet pune. Nga lëndimet e marra viktima ka ndërruar jetë, vdekjen e të cilit e ka konstatuar mjeku kujdestar. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion, ndërsa lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. Rasti në procedurë hetimore”, bën të ditur policia.

    Siç u bë e ditur dje, 26 vjeçari vdiq pasi dyshohet se u godit nga një pjesë e pajisjes së punës derisa ishte duke punuar në një objekt ndërtimi gjatë procesit të betonimit.

    Vdekja e tij u konstatua në vendngjarje.

  • Hashim Thaçi i qeshur në imazhin e fundit të ndarë nga djali i tij

    Hashim Thaçi i qeshur në imazhin e fundit të ndarë nga djali i tij

    Endrit Thaçi ka publikuar në llogarinë e tij në Instagram një fotografi të babait të tij, ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, i cili vazhdon të qëndrojë në paraburgim në Hagë.

    Fotografia, e realizuar në një ambient të thjeshtë dhe me paraqitje zyrtare, e tregon Thaçin të buzëqeshur dhe në gjendje të mirë shpirtërore.

    Hashim Thaçi ndodhet në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020, ndërsa procesi gjyqësor ndaj tij dhe bashkëakuzuarve të tjerë po vazhdon. Gjatë kësaj periudhe, familjarët e tij kanë publikuar herë pas here fotografi dhe mesazhe në rrjetet sociale, duke shprehur mbështetje dhe duke kërkuar drejtësi në procesin që po zhvillohet.

  • QKUK përballet sërish me mungesë të penjve kirurgjik

    QKUK përballet sërish me mungesë të penjve kirurgjik

    Jo vetëm së fundmi, por kohë pas kohe në klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është raportuar mungesë e penjve kirurgjikë.

    Edhe gjatë ditëve të fundit është shfaqur sërish mungesa e këtij materiali, të domosdoshëm për ndërhyrjet kirurgjikale.

    Lidhur me këtë çështje, nga QKUK-ja kanë konfirmuar për Indeksonline se tashmë është nënshkruar kontrata për furnizim me penj kirurgjik dhe se pritet që ato të dorëzohen gjatë ditës së sotme.

    “Bazuar në të dhënat nga Barnatorja Qendrore, ju njoftojmë se Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka nënshkruar kontratën për furnizim me penjë kirurgjik. Kanë përfunduar të gjitha procedurat e nevojshme administrative dhe gjatë ditës së sotme pritet liferimi”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së për Indeksonline.

  • MPJ e Gjermanisë për zhvillimet në Shqipëri: Protestë kundër një projekti turistik, është çështje e brendshme e Shqipërisë

    MPJ e Gjermanisë për zhvillimet në Shqipëri: Protestë kundër një projekti turistik, është çështje e brendshme e Shqipërisë

    Qeveria gjermane ka folur lidhur me protestat që po zhvillohen në Shqipëri, ku mijëra qytetarë po kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama.

    I pyetur nga Deutsche Welle nëse Berlini është në kontakt me protestuesit, nëse është në dijeni për kërkesat e tyre dhe çfarë pret nga qeveria shqiptare, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, Martin Giese, tha se autoritetet gjermane kanë marrë dijeni për zhvillimet.

    Ai theksoi se qytetarët në Shqipëri kanë të drejtë të protestojnë, por protestat i cilësoi si çështje të brendshme politike të vendit.

    “Kam marrë parasysh njoftimet për këtë. Bëhet fjalë për një projekt kundër të cilit ka protesta. Sigurisht, njerëzit në Shqipëri kanë të drejtë të protestojnë. Por kjo është një çështje e brendshme politike në Shqipëri”, deklaroi Giese.

    Zyrtari gjerman shtoi se, për këtë çështje, Berlini nuk mund të japë më shumë informacione.

  • Belgjika lëshon viza për delegacionin e talebanëve për bisedimet e BE-së për migracionin

    Belgjika lëshon viza për delegacionin e talebanëve për bisedimet e BE-së për migracionin

    Belgjika i ka lëshuar viza një delegacioni taleban për të marrë pjesë në një takim për migracionin në Bruksel, duke i hapur rrugën vizitës së parë të përfaqësuesve talebanë në një ngjarje të organizuar nga BE-ja që kur grupi u kthye në pushtet në Afganistan në vitin 2021.

    Bisedimet e planifikuara kanë shkaktuar tashmë kritika nga organizatat e të drejtave të njeriut, të cilat argumentojnë se angazhimi me talebanët rrezikon të minojë angazhimin e Bashkimit Evropian për të drejtat e njeriut.

    Megjithatë, qeveria belge tha se miratoi pesë viza për anëtarët e delegacionit pasi vlerësimet e sigurisë nuk gjetën prova se individët përbënin kërcënim. Vizat janë të kufizuara rreptësisht, duke lejuar hyrjen vetëm në Belgjikë, jo në Zonën më të gjerë Shengen, dhe janë të vlefshme për një ditë të vetme.

    Zyrtarët belgë kanë refuzuar të zbulojnë datën e saktë të vizitës, duke përmendur shqetësime për sigurinë. Megjithatë, burimet e BE-së thonë se takimi pritej të zhvillohej menjëherë pas lëshimit të vizave.

    Sipas zyrtarëve evropianë, diskutimet do të përqendrohen në migracionin dhe kthimin e mundshëm të shtetasve afganë që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në Bashkimin Evropian. Në maj, Komisioni Evropian njoftoi “qëllimin e tij për të ftuar zyrtarët talebanë në Bruksel në të ardhmen e afërt për diskutime në lidhje me kthimin e migrantëve në Afganistan”.

    Komisioni Evropian ka theksuar se takimi po mbahet në një nivel teknik dhe nuk përbën njohje formale të qeverisë talebane. Zyrtarët e BE-së kanë thënë vazhdimisht se bisedimet kanë për qëllim të adresojnë çështjet praktike të migracionit dhe jo marrëdhëniet diplomatike me sundimtarët e Afganistanit.

    Çështja mbetet shumë e ndjeshme sepse talebanët janë përballur me kritika të gjera ndërkombëtare që nga rifitimi i pushtetit. Ata vendosën kufizime të ashpra për gratë dhe vajzat, duke përfshirë kufizime në arsim, punësim dhe liri lëvizjeje.

    Grupet e të drejtave të njeriut i kanë kërkuar BE-së ta anulojë plotësisht takimin. Organizatat, përfshirë Human Rights Watch dhe Amnesty International, argumentojnë se çdo angazhim me talebanët duhet të përqendrohet në llogaridhënie dhe të drejtat e njeriut dhe jo në lehtësimin e deportimeve në një vend që ata e përshkruajnë si gjithnjë e më të rrezikshëm.

    Ky debat ka zbuluar gjithashtu përçarje brenda vetë Belgjikës. Ministri i Jashtëm, Maxime Prévot tha se kundërshtonte ftesën e përfaqësuesve talebanë në Bruksel, por argumentoi se Belgjika nuk mund t’i refuzonte vizat sepse ajo strehon institucionet e BE-së dhe po vepronte mbi një kërkesë të lidhur me biznesin zyrtar evropian.

    Bisedimet vijnë ndërsa qeveritë evropiane përballen me presion në rritje për të shtrënguar politikat e migracionit. Ndërsa afganët mbeten ndër kombësitë që kanë më shumë gjasa të marrin mbrojtje nga azil në BE, disa shtete anëtare kanë kërkuar kontrolle më të rrepta të migracionit dhe bashkëpunim më të madh për kthimin e njerëzve, aplikimet e të cilëve janë refuzuar.

    Afganistani aktualisht po përballet me një krizë humanitare. Sipas Kombeve të Bashkuara, miliona afganë përballen me pasiguri ushqimore dhe vështirësi ekonomike, ndërsa vendi po pranon gjithashtu një numër të madh të të kthyerve nga Irani dhe Pakistani fqinj.