ATV

Category: Lajme

  • Lansohet Rrjeti për inteligjencë kundër pastrimit të parave në Kosovë

    Lansohet Rrjeti për inteligjencë kundër pastrimit të parave në Kosovë

    Njësia për Inteligjencë Financiare bashkë me Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar me Qeverinë e Kosovës kanë lansuar Rrjetin e përbashkët të inteligjencës kundër pastrimit të parave të Kosovës (JMLINK).

    Flutura Blakçori Xërxa nga Njësia për Inteligjencë Financiare tha se ky rrjet është ndër kriteret kryesore për luftimin e pastrimit të parave dhe luftimin e terrorizmit.

    Ajo tha se rruga përpara është e gjatë por me punë të vazhdueshme e me integritet do të kenë rezultate.

    Ministri i Financave, Punws dhe Transfereve, Hekuran Murati theksoi se krijimi i këtij rrjeti është hap i rëndësishëm në përmbushjen e prioriteteve si qeverie për luftimin e pastrimit të parave, krimit të organizuar dhe financimit të terrorizmi.

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se ky projekt do t’i forcoj aftësitë për të adresuar kërcënime që vijnë nga pastrimi i parave dhe financimi i terrorizmit.

    Sveçla theksoi se Kosova mbetet e sfiduar nga financimi i terrorizimit dhe ky rrjet do ta vendos Kosovën në pozicion më të fuqishëm për parandalimin e këtyre krimeve.

  • ​Osmani: Forcat barbare do të dështojnë edhe në Ukrainë

    ​Osmani: Forcat barbare do të dështojnë edhe në Ukrainë

    Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka thënë se liria e demokracia gjithmonë do të triumfoj.

    Sipas saj ashtu siç kanë dështuar forcat barbare në Kosovë, do të dështojnë edhe në Ukrainë.

    “Agresori nuk duhet asnjëherë të shpërblehet me tokën e viktimës! Ashtu siç dështuan në Kosovë, Kroaci, Slloveni e Bosnje-Hercegovinë, forcat barbare do të dështojnë edhe në Ukrainë. Liria dhe demokracia gjithmonë do të triumfojnë!”, tha Osmani.

    Presidentja Vjosa Osmani tha se dje, para liderëve të tjerë në Samitin Ukrainë-Evropë Juglindore në Dubrovnik, ka theksuar se mësimet e së kaluarës ua kujtojnë se akomodimi i agresorëve nuk sjellë kurrë paqe të qëndrueshme.

    “Solidariteti ynë për popullin e Ukrainës është i rrënjosur thellë në vet përvojën e dhimbshme të popullit tonë. Prandaj, do të vazhdojmë të mbështesim të drejtën e popullit ukrainas për liri, për sovranitet dhe integritet territorial. Deri në fitore!”, ka shkruar Osmani.

  • Aksident i rëndë në Nekoc, rrokulliset vetura – deklarohet policia

    Aksident i rëndë në Nekoc, rrokulliset vetura – deklarohet policia

    Mëngjesin e së enjtes ka ndodhur një vetaksident trafiku në fshatin Nekoc të Drenasit.

    Si pasojë e këtij vetaksidenti, një person ka marrë lëndime trupore dhe i njëjti është dërguar për trajtim mjekësor.

    Kështu ka konfirmuar për Paparacin zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

    “Rreth orës 08:30, është pranuar informata për një vetaksident trafiku rrugor të ndodhur në fshatin Nekoc. Deri më tani bëhet e ditur se në këtë vetaksident është përfshirë një automjet dhe për pasojë vozitësi është lënduar dhe i njëjti është dërguar për trajtim mjekësor. Njësia rajonale e trafikut ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur një hetim lidhur me rrethanat e këtij vetaksidenti”, tha Ahmeti.

  • ​Qytetari goditet nga vetura në Mitrovicë të Veriut, i dyshuari largohet nga vendi i ngjarjes

    ​Qytetari goditet nga vetura në Mitrovicë të Veriut, i dyshuari largohet nga vendi i ngjarjes

    Policia e Kosovës ka njoftuar se të mërkurën në Mitrovicë të Veriut një veturë e panjohur ka goditur një këmbësor kosovar dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.

    Sipas policisë viktima ka pranuar tretman mjekësor derisa kanë thënë se rasti është duke u hetuar.

    “Këmbësori mashkull kosovar ka informuar se një veturë e panjohur e kishte goditur dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin e policisë.

  • Dënohet me 1 vit burgim këngëtari Luiz Ejlli

    Dënohet me 1 vit burgim këngëtari Luiz Ejlli

    Gjykata e Fierit ka dënuar me 1 vit burg këngëtarin Luiz Ejlli, për falsifikim dokumentesh.

    Ejlli ka qenë dhe fitues i edicionit të dytë të Big Brother Vip Albania.

    Sipas njoftimit të Gjykatës, këngëtari gjatë kohës që ishte noter ka falsifikuar dokumente për të justifikuar burimin e paligjshëm të pasurive me prejardhje nga aktiviteti kriminal.

    Bashkë me artistin është dënuar me 18 vite burg edhe shtetasi Fatmir Avdurrahmani. Të dy akuzohen për kryerjen e veprës penale “Falsfikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim.

    Njoftimi i plotë i Prokurorisë:

    Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier kërkoi dënimin me 12 muaj burgim të ish-noterit E.L., dhe shtetasit F.A. të akuzuar për kryerjen e veprës penale ‘Falsifikimi i dokumenteve’ kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186, paragrafi 2 i Kodit Penal.

    Në kuadër të hetimeve të iniciuara nga ish Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Lushnjë mbi procedimit penal nr. 388, të vitit 2022, me të pandehur, shtetasit L.E dhe F.A., rezultoi e provuar se i pandehuri F.A., në bashkëpunim me të pandehurin L.E., ish-noter, kanë falsifikuar deklaratën noteriale, të cilën i pandehuri F.A. e ka përdorur në Prokurori, për të justifikuar burimin e krijimit të pasurive të tij, të sekuestruara në kuadër të hetimeve të procedimin pasuror nr. 3 të vitit 2021, të ish Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Lushnjë.

    Deklarat noteriale e hartuar nga i pandehuri L.E., ishte falsifikuar në përmbajtjen e saj, por mbante nënshkrimin e këtij të fundit. U provua se, me të njëjtën datë, numër repertori e koleksioni që mbante kjo deklaratë noteriale, në regjistrin e ish noterit L.E. dhe në arkivën e akteve noteriale të hartuara prej tij, në vitin 2015, ekziston një deklaratë noteriale me palë të ndryshme.

    Konkretisht, i pandehuri L.E, megjithëse i ishte hequr licensa nga Ministria e Drejtësisë, duke qenë ende në posedim të vulave të noterit, në bashkëpunim me të pandehurin F.A., kanë krijuar deklaratën noteriale me të dhëna të pavërteta, dhe më pas i pandehuri F.A., në datën 25.02.2022, e ka dorëzuar këtë deklaratë noteriale në ish-Prokurorinë Lushnjë.

    Në datën 02.10.2024, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka përfunduar shqyrtimin gjyqësor të çështjes dhe vendosur të deklarojë fajtor të pandehurit për faktin e dërguar për gjykim, si më poshtë:

    -Deklarimin fajtor të të pandehurit L.E., për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186 prag.2, i Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 12 (dymbëdhjetë) muaj burgim;

    -Deklarimin fajtor të të pandehurit F.A, për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim, dhe dënimin e tij me 18 (tetëmbëdhjetë) muaj burgim.

    Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë për hetimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale në fushën e falsifikimit të dokumentave, me qëllim realizimin e përfitimeve në mënyrë të paligjshme.

  • Weber: Serbia ndjek ende një politikë agresive që bazohet në konceptin e “Botës Serbe”

    Weber: Serbia ndjek ende një politikë agresive që bazohet në konceptin e “Botës Serbe”

    Procesi i Berlinit u krijua për të shoqëruar rrugëtimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së. Por shumë prej vendeve e kanë rrugën të bllokuar për shkak të konflikteve me njëri-tjetrin.

    Analisti gjerman nga Berlini, Bodo Weber, sheh një ndikim pozitiv nga takimet e përvitshme të këtij procesi.

    “Takimet e rregullta të liderëve dhe ministrave janë bërë normalitet,” thotë ai në një intervistë për DW. Kjo ka ndihmuar që perspektiva e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së të mbetet e gjallë.

    Por ai konstaton se Procesi i Berlinit nuk i ka stabilizuar marrëdhëniet rajonale në mënyrë të përhershme.

    “Serbia, që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ndjek ende një politikë agresive rajonale, e cila bazohet në konceptin e ‘Srpski svet’,” thotë Weber.

    Ky koncept nacionalist, që promovohet nga krahu nacionalist i udhëheqjes serbe, synon të bashkojë serbët në vende të ndryshme të Ballkanit, veçanërisht në Bosnje-Hercegovinë, Mal të Zi dhe Kosovë.

    Marrëveshja e tregtisë së lirë CEFTA

    Në dhjetëvjetorin e tij, Procesi i Berlinit synon të arrijë një marrëveshje të re: CEFTA. Marrëveshja rajonale e tregtisë së lirë do të lidhë më ngushtë vendet e Ballkanit Perëndimor me tregun e përbashkët të BE-së. Në fakt, marrëveshja nuk është shumë e re, sepse të gjitha vendet e rajonit janë anëtare të saj, përfshirë edhe Kosovën, e cila deri tani përfaqësohej nga UNMIK-u. Rinënshkrimi i marrëveshjes i jep mundësi Kosovës të përfaqësohet në CEFTA nga qeveria e saj.

    Pak para samitit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, iu nënshtrua presionit të të dërguarit të posaçëm gjerman për Ballkanin, Manuel Sarrazin, dhe hapi pikën e Merdarës për të lejuar aty kalimin e mallrave serbe. Bllokada e importeve nga Serbia ekziston që nga qershori 2023. Qeveria e Kosovës kishte deklaruar se kësisoj donte të ndalte kontrabandën e armëve nga Serbia në Kosovë. Ministrja e Jashtme, Annalena Baerbock, në takimin përgatitor të ministrave të Jashtëm, e quajti këtë një “hap historik” për rajonin.

  • UNICEF: Më shumë se 370 milionë vajza janë viktima të dhunës seksuale

    UNICEF: Më shumë se 370 milionë vajza janë viktima të dhunës seksuale

    Më shumë se 370 milionë vajza dhe gra të reja nën moshën 18-vjeçare, janë dhunuar apo janë sulmuar seksualisht në gjithë botën, sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF).

    Këto janë shifrat e para të agjencisë lidhur me dhunën seksuale ndaj fëmijëve, në nivel global, dhe janë publikuar një ditë para shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Vajzave.

    Të dhënat nënkuptojnë që një në tetë vajza është e prekur nga kjo formë e dhunës.

    Nëse në të dhëna përfshihen edhe format tjera të dhunës seksuale, sikurse ato që kryhen online apo dhuna verbale, atëherë numri do të shkonte në mbi 650 milionë, që do të thotë se çdo e pesta vajzë është përballur me një formë dhune, ka thënë UNICEF.

    Situata është më e komplikuar në rajonet më cenueshme, sikurse ato me institucione më të dobëta, me prani të forcave paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara, apo me prani të shumë refugjatëve që i ikin dhunës dhe pasigurive.

    Në këto situata, shkalla e dhunimeve dhe sulmeve seksuale mund të rritet në më shumë se çdo të katërtën vajzë.

    Edhe djemtë dhe burrat e rinj preken nga dhuna seksuale, ka raportuar agjencia.

    Vlerësohet që rreth 240 deri në 310 milionë djem – rreth një në 11 – kanë përjetuar dhunë apo sulme seksuale gjatë fëmijërisë.

    Sipas të dhënave, rastet më të shpeshta të dhunës seksuale ndodhin gjatë adoleshencës.

    Rajonet me numrin më të madh të rasteve të dhunës seksuale te fëmijët janë: Afrika sub-Sahariane, më pas Azia Lindore dhe Juglindore, Azia Qendrore dhe Jugore dhe më pas Evropa dhe Amerika Veriore.

    Raporti është përpiluar pas kryerjes së anketave në më shumë se 120 shtete dhe territore në periudhën 2010-2022, ka thënë UNICEF.

  • NASA ndan foto nga hapësira të uraganit Milton që goditi Floridan

    NASA ndan foto nga hapësira të uraganit Milton që goditi Floridan

    NASA ka shpërndarë foto të uraganit Milton teksa kalonte mbi Gjirin e Meksikës, në brigjet e gadishullit Jukatan.

    Në kohën kur u bënë fotografitë, uragani ishte në kategorinë 5.

    Në Meksikë, autoritetet në shtetin e Jukatanit raportuan dëme të vogla nga Milton pasi kaloi në det të hapur.

    Linjat e energjisë elektrike, dritat e rrugëve dhe pemët u rrëzuan pranë bregut dhe çatitë e disa strukturave të vogla u shkatërruan, ka njoftuar guvernatori i Jukatanit, Joaquin Diaz, shkruan skynews.

    Ai nuk raportoi për viktima apo plagosje.

    Ndërsa tani, uragani Milton ka zbritur në tokë në Florida, ka njoftuar Qendra Kombëtare e Uraganeve.

    Bëhet e ditur se më shumë se 1.5 milionë shtëpi dhe biznese kanë mbetur pa energji elektrike.

  • Hamza paralajmëron padi për shpifje ndaj deputetit të VV-së: Kurrë hiç nuk e kam taku Listën Serbe

    Hamza paralajmëron padi për shpifje ndaj deputetit të VV-së: Kurrë hiç nuk e kam taku Listën Serbe

    Bedri Hamza, kandidat i PDK-së për kryeministër, ka folur rreth një statusi të deputetit të VV-së, Adnan Rrustemi, i cili e akuzoi për takim të fshehtë me Listën Serbe.

    Në një deklarim për Mitropol, Hamza ka paralajmëruar padi për shpifje kundër Rrustemit.

    “Kurrë hiç nuk i kam taku. Nëse dikush ka një fotografi, e lus ta publikoj. Për këtë shpifje ndaj meje unë me avokatin tim do ta padis deputetin Adnan Rrustemi” – ka deklaruar Hamza.

  • Kuvendi sot mban seancë

    Kuvendi sot mban seancë

    Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancë.

    Kjo seancë pritet të fillojë në ora 11:00.

    Rendi i ditës

    1. Votimi për emërimin e shtatë (7) anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore,
    2. Votimi i Projektligjit nr.08/L-309 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit, për programin e parë për “Financimin e politikave zhvillimore për efektivitetin fiskal, konkurrueshmërinë dhe rritjen e gjelbër”, në mes të Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim,
    3. Votimi i Projektligjit nr.08/L-313 për ratifikimin e amendamentimit të Marrëveshjes për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe organizatat e grupit të Bankës Botërore,
    4. Votimi i Projektligjit nr.08/L-314 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin Energjia diellore fotovoltaike në KEK – Porta Globale,
    5. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,
    6. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-294 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.08/L-197 për Zyrtarët Publikë,
    7. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-287 për Këshillin e Sigurisë të Republikës së Kosovës,
    8. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-275 për rrugët,
    9. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-290 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.08/L-013 për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës,
    10. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-266 për gjendjen civile,
    11. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-300 për provimin e maturës shtetërore,
    12. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-306 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-132 për automjete,
    13. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-311 për menaxhimin e resurseve ujore,
    14. Shqyrtimi i Programit Kombëtar për Integrim Evropian 2024-2028,
    15. Votimi i Projekt-rezolutës për adresimin e gjetjeve të Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit-DASH,
    16. Shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,
    17. Shqyrtimi i Projekt-rezolutës për adresimin e çështjes së emigrimit të qytetarëve nga Republika e Kosovës,
    18. Shqyrtimi Projekt-Rezolutës për tërheqjen e tri (3) projektligjeve nga shqyrtimi në Kuvend,
    19. Shqyrtimi i Projekt-Rezolutës për arratisjen e personave të dënuar – degradimi i institucioneve të sigurisë,
    20. Shqyrtimi i Raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr.05/L-090 për sponsorizime në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.06/L-116,
    21. Shqyrtimi i Propozim-rezolutës për vlerësimin e punës së Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2022,
    22. Shqyrtimi i Raportit të Performancës së ndërmarrjeve publike për vitin 2022,
    23. Raportimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për progresin mbi zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe reflektimin e Agjendës Transformuese të Kosovës në buxhet dhe politika qeveritare,
    24. Themelimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy (2) anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, prej tyre, një nga komuniteti shqiptar dhe një nga komuniteti serb.