Sot mbahet ceremonia e ndërrimit të komandës së KFOR-it në Kosovë.
Gjenerali i Ushtrisë Turke, Ozkan Ulutash do ia dorëzojë këtë post gjeneralmajorit italian, Enrico Barduanit.
Ceremonia nis nga ora 9:30, në Kampin Film City në Prishtinë.

Sot mbahet ceremonia e ndërrimit të komandës së KFOR-it në Kosovë.
Gjenerali i Ushtrisë Turke, Ozkan Ulutash do ia dorëzojë këtë post gjeneralmajorit italian, Enrico Barduanit.
Ceremonia nis nga ora 9:30, në Kampin Film City në Prishtinë.

Policia e Kosovës ka njoftuar se kanë kontrolluar 36 lokacione të ndryshme me dyshime për veprat penale keqpërdorim i pozitës zyrtare, falsifikim i dokumenteve, ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike.
“Si prova materiale janë gjetur dhe sekuestruar: tri pistoleta, 6 copë armë të gjata, 598 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm, një telefon, 2 shtëpiza kompjuteri, 7 DVR dhe dokumente të ndryshme”, thuhet në raportin e policisë.
Lidhur me rastin sipas policisë janë intervistuar katër të dyshuar meshkuj kosovarë të cilët me vendim të prokurorit janë liruar. Ndërsa, rasti shkon në procedurë hetimore.

Kuvendi i Kosovës sot pritet të mbajë seancë të jashtëzakonshme.
Në njoftimin e Kuvendit të Kosovës thuhet se në rend dite është debati Parlamentar për komunikimet e kryetares së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila me Milan Radoiçiq.
Derisa kjo temë është diskutuar edhe të enjten në Kuvendin e Kosovës ki kishte tensione mes deputetëve.
Megjithatë nuk arriti të hynte në rend dite dhe opozita e lëshoi sallën.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se sot do të mbaj mot kryesisht i vranët dhe me riga shiu të intensitetit mesatar.
“Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 8-11 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 19-22 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i jugperëndimit me shpejtësi 1-9 m/s”, thuhet në njoftim.

Gazetari Valdrin Krasniqi ka dhënë detaje nga dita kur katër vjet më parë forcat speciale të EULEX-it, me urdhër të ZPS-së arrestuan zëdhënësin e UÇK-së, Jakup Krasniqin.
Ai thotë se vajza e Bacit Jakup, Gresa, e ka telefonuar në 7 të mengjesit, të 4 nëntorit 2020 për t’ia kumtuar lajmin se babai i saj po arrestohet për tu dërguar në Hagë.
Krasniqi thotë se pjesëtarët e EULEX-it ishin befasuar kur e kishin parë atë menjëherë në vendin e ngjarjes, të cilët me shpejtësi mbyllen dyert e hekurta të oborrit të tij, për t’i pamundësuar atij të realizojë fotografi.
Postimi i plotë i gazetarit Krasniqi:
Ishte ora 7 e mëngjesit, e 4 nëntorit 2020.
Telefoni im po cingeronte dhe pash se ishte Gresa, vajza e Bacit Jakup. Zëri i saj ishte i ngarkuar, teksa më tregonte se EULEX-i kishte hyrë në shtëpinë e tyre për të arrestuar babanë e saj – zërin e UÇK-së. Nuk mendova dy herë. Me vrap shkova drejt shtëpisë së tyre dhe sapo mbërrita, pashë oborrin e mbushur me policë të huaj të maskuar, duke rrethuar atë vend që gjithmonë ishte simbol i lirisë dhe krenarisë.
Si gazetar, instinktivisht kapa aparatin për të fotografuar atë moment të rëndë. Por EULEX-i veproi menjëherë. Ata mbyllën dyert e hekurta, duke mos lejuar askënd të shihte atë që po ndodhte brenda. Ishte një moment që nuk mund ta harroj kurrë – një moment ku padrejtësia ndihej aq e prekshme, ndërsa ne ishim të pafuqishëm përballë saj.
Sot, katër vjet më vonë, të njëjtët xhipa të EULEX-it u parkuan sërish në vendin e njëjtë. Por kësaj here, nuk ishin aty për të marrë Bacin Jakup.
E kishin sjellë atë për një vizitë të shkurtër në shtëpi, që të vendoste një buqetë lulesh mbi varrin e vëllait të tij, Azemit, të cilin nuk e kishte parë për katër vjet. Azemi ndërroi jetë të shtunën dhe Baci Jakup nuk kishte pasur mundësinë t’i jepte lamtumirën e fundit. Për shkak të procesit në Hagë, Baci Jakup nuk ishte aty as për dasmën e djalit të tij të vetëm, Altinit, i cili tashmë është bërë baba.
Nuk mundi të ishte as në dasmën e vajzës së tij, Gresës, e cila po ashtu është bërë nënë.
Dhimbja për të gjitha këto momente të humbura është e pamasë, por Baci Jakup mbetet i fortë, siç ka thënë gjithmonë: “Njeriu është më i fortë se guri.” Sot, ne e përshëndesim Bacin Jakup me shpresën që së shpejti ta shohim përsëri në Kosovë, në atë tokë për të cilën ai dha gjithë jetën e tij. Jeta vazhdon, por historia e tij është një testament i sakrificës dhe forcës njerëzore. Te presim shpejt, Bac, në vendin tënd të dashur.

Drejtori i Autoritetit të Rajonit të Pellgjeve Lumore në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Naser Hafizi, është arrestuar para pak minutash në Aeroportin e Prishtinës.
Hafizi, dyshohet për përfshirje në aferën e faljes së borxheve për kompanitë e ambalazhuesve të ujit.
Ai nuk u gjet të martën në vendin e tij të punës kur Policia e Kosovës zhvilloi një bastisje në Ministrinë e Mjedisit, e as në shtëpinë e tij dhe ndaj tij u lëshua urdhër arrest.
Hafizi është arrestuar porsa ka ateruar në Aeroportin e Prishtinës, raporton Paparaci.
Hafizi dyshohet për veprën penale të “Keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar” me rastin e faljes së borxheve për kompanitë e ambalazhuesve të ujit.

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka shpallur shitjen e aseteve përmes likuidimit numër 69, ku janë përfshirë 55 asete/njësi atraktive të ndërmarrjeve shoqërore, të cilat paraqesin një mundësi të shkëlqyer për zgjerim të biznesit apo iniciativa të reja biznesore.
Në rajonin e Mitrovicës ofrohen tri asete, një kombinim të tokave bujqësore dhe një lokali me tokë, së bashku me një depo, duke përfaqësuar një mundësi të mirë për ata që synojnë të investojnë në pronat rurale dhe tregtare.
Në rajonin e Pejës ofrohen 25 asete, që paraqet edhe ofertën më të madhe të aseteve. 24 asete janë toka të kategorive të ndryshme, një portofolio e larmishme për investitorët që kërkojnë të zgjerohen në sektorin bujqësor apo atë të ndërtesave komerciale, ndërsa një aset për shitje është objekt.
Në rajonin e Prishtinës ofrohen 20 asete, përfshirë 10 toka bujqësore, 4 lokale, një zyrë dhe asete të luajtshme të ndërmarrjes shoqërore Ingeniering.
Në rajonin e Prizrenit ofrohen 7 asete. Në Prizren ofrohet një kombinim të tokave bujqësore, lokaleve dhe një aset i luajtshëm, duke përfaqësuar një zgjedhje të mirë për investitorët që kërkojnë mundësi në rajonet turistike.
Në këtë valë ofrohen për shitje edhe 4 lokale në Podgoricë, Mali i Zi. Lokalet afariste me sipërfaqe që variojnë nga 75 metra katrorë deri në 232 metra katrorë, janë të pozicionuara në lokacione atraktive në Podgoricë.
Blerësit mund të konkurrojnë për njërin nga këto asete apo mund të konkurrojnë për më shumë asete.
Ofertat e mbyllura për njësitë/asetet që janë në shitje përmes shitjes së aseteve me likuidim numër 69 duhet të dorëzohen në sallën e konferencave – hoteli “Grand” Prishtinë më datën 30.10.2024, nga ora 10:00-12:00. Hapja e ofertave do të bëhet të njëjtën ditë, duke filluar nga ora 12:30.
Palët e interesuara mund të kontaktojnë AKP-në, rruga “Dritan Hoxha numër 55”, Prishtinë apo në numrin e telefonit 383 (0) 38 500 400.

Të rinjtë janë më kreativ sesa vetë politikat qeverisëse dhe se kreativiteti historikisht ka qenë një mënyrë për adresimin e sfidave. Kështu u tha në panelin diskutues të ministrave “Ekonomia kreative në perspektivë”, e organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari tha se industria kreative në Kosovë është shumë dimensionale falë rinisë që po kontribuon në këtë.
Ajo tha se ky sektor i ekonomisë kontribuon në rritjen ekonomike dhe promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare në fushën e kulturës.
Hajdari potencoi se ka filluar strategjia për specializim të mençur që zbulon katër shtyllat që sjellin më shumë kreativitet.
Ajo theksoi se Kosova është lidere në Ballkanin Perëndimor për industrinë kreative, derisa shtoi se klima e të bërit biznes është përmirësuar dukshëm.
“Ky sektor i ekonomisë kreative apo industrisë kreative kontribuon në rritjen ekonomike por edhe në promovimin e imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare…26:58 Ne kemi filluar me strategjinë për specializimin të mençur ku i zbulon katër shtylla kryesore që sjellin kreativitet më shumë ose ndryshueshmëri të Kosovës që është më konkurrente në rajon sesa vendete tjera. Pikërisht, Kosova është lidere në Ballkanin Perëndimor për industrinë kreative. Kjo është konkluduar nga enter discovery survey…Përveç kësaj strategjia, industria e ka tash politikën industriale që është deri në vitin 2030, ndër objektivat e kësaj politike është edhe inovacion i produktit…Klima e të bërit biznes është përmirësuar dukshëm, gjithsej vetëm nga ministria jonë ne kemi finalizuar dhe miratuar 21 ligje për ndërmarrësinë, industrinë, pronësinë industriale, rritjen e konkurreshmërisë”, tha Hajdari.
Ndërkaq, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci potencoi se kreativiteti historikisht ka qenë një mënyrë për adresimin e sfidave.
Ajo tha se nxënësit dhe studentët janë më kreativ sesa vetë politikat e qeverisë.
Në kuadër të këtij paneli, Nagavci tha se kanë përpiluar programe të ndryshme me partnerët dhe organizatat e shoqërisë civile që të zhvillohen shkathtësitë e buta që nga moshat më të hershme.
Nagavci përmendi se janë punësuar këshilltarë për karrierë nëpër shkolla për nxënësit nga klasa e 6 deri në klasën e 9.
“Kreativiteti historikisht ka qenë një mënyrë për adresimin e sfidave dhe problemeve, vazhdon të jetë i tillë…34:25 Kemi pasur programe të shumta në bashkëpunim edhe me partnerët, bashkëpunëtorët dhe organizatat e shoqërisë civile në mënyrë që të zhvillohen shkathtësitë e buta qysh prej moshës më të hershme…Kemi filluar gjatë mandatit tonë edhe me punësimin e këshilltarëve të karrierës në shkollat e mesme të ulëta, prej klasës së 6 deri në klasën e 9…Tashmë ne kemi filluar që tri vite implementimin e suksesshëm të mësimit dual. Kemi më shumë se 1 mijë e 500 nxënës të cilët nga klasa e dhjetë vazhdojë mësimin dual, ku 51 për qind të shkollimit të tyre e zhvillojnë në biznese dhe ndërmarrje”, potencoi Nagavci.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku tha se janë bërë disa ndryshime në ligje, duke përfshirë atë për Kinematografinë, për çka tha se mbështetja shtetërore tashmë shkon deri në 90 ose 100 për qind të vlerës së realizmit të filmave.
Përveç kësaj, ai tha se në kuadër të Ligjit të ri për Artin dhe Kulturën po punohet me një vizion të ri zhvillimore.
Çeku potencoi se financimi për kulturë në rajon është në rënie, përderisa në Kosovë po shënon rritje.
“Ligji i ri për kinematografinë, për shkak të potencialit industrial të filmit e ka shpallur si sektor të interesit të veçantë publik. Mbështetja shtetërore tashmë shkon deri në 90 ose 100 për qind të vlerës së realizmit të filmave…Ligji i ri për Artin dhe Kulturën që pak e thjeshtëzon atë legjislacioni që ka qenë edhe i vjetër por edhe i pa harmonizuar. Po punohet me një vizion të ri zhvillimor, ku njihet skena e pavarur kulturore si vlerë e shtuar për zhvillimin e vendit tonë. Ligji për të drejtat e autorit ka ekzistuar ligji, por në është realizuar asnjëherë tarifa e ritransmetimit ose të drejtave që burojnë nga ata që krijojnë nga autori, tashmë është edhe ligji i ri dhe është zhbllokuar ajo mosmarrëveshja e shumë viteve më parë…Është ligji i përbashkët i yni, ligji i pagave. Njihet si pjesë e veçantë pjesa e krijuesve dhe performuesve, është ngritur paga e drejtuesve, menaxhmentit dhe pjesës dërrmuese performuese dhe krijuesve…Në rajon financimi për kulturën është në rënie, përderisa në vendin tonë është në ngritje”, tregoi Çeku.
Pjesë e panelit diskutues ishte edhe ekspertja në fushën e ekonomisë kreative nga UNDP, Gokçe Dervishoglu Okandan. Ajo tha se kontributi i qeverive në këtë fushë është relevant, derisa potencoi se ka dallime sa i përket ekonomisë kulturore apo politikave në gjithë botën, sepse sistemet qeveritare janë të ndryshme.
“Pse duhet t’i japim potencial, fokus këtij bashkëpunimi. Kemi këtu tri ministri. Një mënyrë e qeverisjes, mënyrë e re është kjo ndërdisiplinore. Kjo ka të bëjë me shumë fusha…Ministrja e përmendi ngjarje të ndryshme, ngjarje të cilat e nxisin dinamizmin ekonomik, por edhe kohezionin social…Kjo është një mision shumë i rëndësishëm lidhur me atë që ka të bëjë me diplomacinë kulturore ku mblidhen shumë përfaqësues të shteteve të ndryshme. Ka dallime sa i përket ekonomisë kulturore apo politikave në gjithë botën, sepse sistemet qeveritare janë të ndryshme…Unë konsideroj se kontributi i të gjitha ministrive është shumë relevante, angazhimi i të rinjve. Kjo dëshmon se është një plan i shëndoshë”, tha Dervishoglu Okandan.
Ndërkaq, drejtoresha e Future by Lund nga Universiteti i Lundit, Charlotte Lorentz Hjorth tha se Bashkësia Evropiane viteve të fundit e ka njohur kulturën kreativ dhe financimet për hulumtimet dhe inovacionet brenda fushës së industrisë kreative.
Ajo shtoi se të gjitha përpjekjet në këtë fushë janë bërë që të kenë një inovacion të disiplinave të ndryshme.
“Jemi pjesë e iniciativave evropiane dhe bashkësia evropiane viteve të fundit e ka njohur këtë kulturën kreative dhe financimet për hulumtimet dhe inovacionet brenda fushës së industrisë kreative. Arsyeja për këtë është se nevoja për zgjedhjen e sfidave komplekse që janë adresuar edhe më herët…Ky është ai sektori i shpresës në Evropë. Ne kemi vendosur që diku në vitin 2017-2018 që universiteti i Lundit të jetë pjesë e partneritetit të BE-së dhe gjithashtu edhe të kemi një ekosistem…Të gjitha meritat që i kemi arritur deri më tani është që të kemi një inovacion të disiplinave të ndryshme”, theksoi Hjorth. /kp

Komanda e Forcave Tokësore në kuadër të planit të trajnimeve dhe ngritjes së kapaciteteve luftarake ka realizuar me sukses Trajnimin Taktika me Njësi te Vogla.
Trajnimi Taktika me Njësi të Vogla është një ndër trajnimet më specifike dhe të veçanta që realizon Komanda e Forcave Tokësore, i adaptuar nga programi trajnues Pri-Rengjers i Ushtrisë Amerikane, që është një trajnim i karakterit profesional dhe sfidues, i cili ndihmon pjesëtarët që të përgatiten për detyra ku kërkohet sfidë dhe angazhimi i lartë fizik dhe psikik për përmbushjen e misionit.
“Komanda e Forcave Tokësore në kuadër të ngritjes së kapaciteteve luftarake ka vazhduar të realizoj me profesionalizëm, përkushtim dhe disipline trajnime të nivelit të avancuar për të arritur qëllimin dhe objektivat FSK-së, me qëllim të përmbushjes së misionit mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

Kreu i qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, kanë nënshkruar tri marrëveshje pas takimit të përbashkët.
Rama e falënderoi Erdoganin për dronët kamikazë, të cilët tha se Turqia ia ka dhuruar Shqipërisë.
“Dhurata nuk duhet të shqetësojë askënd se kë do të godasë Shqipëria, por është një dhuratë që përmban brenda një mesazh shumë të qartë të Turqisë në raport me këtë marrëdhënie, që Shqipëria është e pagoditshme”, ka thënë Rama në konferencë për media.
E, një prej marrëveshjeve të nënshkruara ishte “deklarata e synimit mbi bashkëpunimin në fushën e sigurimeve në bujqësi të mbështetur nga shteti midis Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë të Republikës së Turqisë”.
Marrëveshja e radhës ishte “Protokoll ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit të Lartë të Arsimit të Republikës së Turqisë për Hapjen e Degës, Njësisë Akademike, Programeve të Studimit nga Universiteti Teknik i Stambollit në Shqipëri”.
Marrëveshja e tretë ishte ajo për “Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Agjencisë për Media dhe Informim të Republikës së Shqipërisë dhe Drejtorisë së Komunikimit të Presidencës së Republikës së Turqisë për bashkëpunim në fushën e marrëdhënieve me publikun dhe komunikimin”./A2News