ATV

Category: Lajme

  • Miratohet agjenda e reformave për të përfituar nga Plani i Rritjes, kusht progresi në dialog

    Miratohet agjenda e reformave për të përfituar nga Plani i Rritjes, kusht progresi në dialog

    Qeveria e Kosovës e ka miratuar Agjendën e Reformave të Kosovës në kuadër të Instrumentit të BE-së për Reforma dhe Rritje Ekonomike në Ballkanin Perëndimor.

    Kryeministri Albin Kurti tha se Bashkimi Europian ka kërkuar “aprovimin e kësaj agjende të reformave”, ndërsa tregoi se ajo u negociua me Komisionin Europian nga një delegacion i udhëhequr nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

    “Nga muaji maj, ky instrument tashmë ka hyrë në fuqi. Për të përfituar nga këto fonde si ndihmesë për arritjen e reformave, është kërkuar përgatitje e një agjende të reformave nga të gjitha gjashtë shtetet. Kosova ka negociuar me Komisionin Evropian dhe ka përgatitur një agjendë serioze të reformave për katër vitet e ardhshme, që fillon sivjet e vazhdon deri në vitin 2027. Negocimi i agjendës së reformave dhe planit të rritjes ka filluar qysh nga nëntori i vitit të kaluar. Ekipi ynë negociator i udhëhequr nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka bërë një punë të shkëlqyeshme”, tha ai.

    Kurti tha se Kosova “ka respektuar të gjitha afatet dhe ka dorëzuar në kohë agjendën e reformave, koston financiare për secilën reformë, si dhe listën indikative të projekteve investive”.

    Ai tregoi se “si rezultat i këtij plani”, Kosova “mund të përfitojë deri në 882 milionë e 600 mijë euro”. Afër 30% e kësaj shume, Kurti tha se “janë grante” ndërsa “rreth 70% janë hua afatgjate”.

    Agjenda, siç tha Kurti, përfshin pesë fusha, 30 reforma dhe 111 hapa ose veprime konkrete. Aty, tha se hyjnë “qeverisja e mirë, tranzicioni i gjelbër dhe digjital, zhvillimi i sektorit privat dhe mjedisi i biznesit, zhvillimi dhe ruajtja e kapitalit njerëzor, vlerat themelore dhe sundimi i ligjit”.

    “Nga kjo agjendë e reformave, brenda katër viteve të ardhshme do të jemi dëshmitarë të shumë ndryshimeve të nevojshme, gjithsesi pozitive, të cilat do të ndodhin në Republikën e Kosovës”, u shpreh kryeministri.

    Ai tha se Komisioni Europian më pas “do të përgatisë marrëveshjen nga instrumenti nga plani i rritjes dhe marrëveshjen për hua”.

    Bislimi, ndërkaq, tha se kjo agjendë është “rezultat i një pune pothuajse njëvjeçare”.

    Këshilli i Bashkimit Europian e ka miratuar në maj Planin e Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor, një instrument i ri për të mbështetur reformat e lidhura me BE-në dhe rritjen ekonomike në rajon.

    Vendet anëtare të BE-së do të kenë fjalën kryesore në miratimin e burimeve financiare, ndërsa Kosovës dhe Serbisë u kërkohet “progres i matshëm dhe rezultate të prekshme” në normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimin e të gjitha detyrimeve nga Marrëveshja Bazike dhe Aneksi i saj i zbatimit, si dhe të gjitha marrëveshjet e mëparshme të dialogut.

    Pagesat do të bëhen dy herë në vit, me kusht që shtetet të përmbushin hapat cilësorë dhe sasiorë të specifikuar në agjendat e tyre të reformave.

  • Kurti për takimet në ShBA e Poloni: Vendet mosnjohëse synojmë t’i afrojmë, ato që na kanë njohur t’i thellojmë raportet

    Kurti për takimet në ShBA e Poloni: Vendet mosnjohëse synojmë t’i afrojmë, ato që na kanë njohur t’i thellojmë raportet

    Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë ka njoftuar kabinetin për udhëtimet në ShBA dhe Poloni.

    Ai tha se ka pasur “takime të shumta” atje për thellim të marrëdhënieve, ndërsa shtoi se ka takuar edhe udhëheqës të shteteve mosnjohëse për t’i njohur ato me Kosovën, historinë dhe synimet demokratike të saj.

    Kurti ka falënderuar diasporën në këto dy vende për pritjen madhështore që i kanë bërë.

    “Takimet të shumta bilaterale me shtete mike, aleate e partnere e kanë karakterizuar vizitën tonë për të forcuar edhe më tej marrëdhëniet dhe bashkëpunimin. Takuam edhe udhëheqës të shteteve mosnjohëse për t’i njohur ata sa më gjerë e më gjatë e më thellë me vendin tonë, me historinë tonë me synimet tona demokratike e veriatlantike për të afruar sa më shumë ato vende drejt njohjes së vendit tonë dhe vendosjes së bashkëpunimit dhe të marrëdhënieve bilaterale sa më parë aq më mirë ku edhe prezantuam edhe perspektivën tonë për realizimin e rritjes ekonomike e të progresit demokratik të vendit tonë”.

    “Këto vendet mosnjohëse pra synojmë që t’i afrojmë e ndërkohë me vendet që na kanë njohur t’i thellojmë raportet biletarale. Mikpritja madhështore nga diaspora jonë në ShBA e Poloni na la mbresa të forta dhe emocione të pashlyeshme, për të cilat i falënderoj përzemërsisht. Sinergjia e Qeverisë dhe institucioneve të Republikës në përgjithësi me ta është e domosdoshme përveçse e nevojshme si për të tashmen ashtu edhe për të ardhmen e vendit”, tha Kurti.

  • KRU “Prishtina” vazhdon me shpërndarjen e ujit në disa zona

    KRU “Prishtina” vazhdon me shpërndarjen e ujit në disa zona

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, po vazhdon të shpërndarjë ujë të pijshëm në disa zona në kryeqytet.

    Kjo po ndodhë pasi ditë më parë IKSHPK, ka rekomanduar që qytetarët të mos e konsumojnë ujin që vjen nga liqeni i Badovcit, për shkak të rritjes së manganit.

    “Përderisa vazhdon të jetë ende sasi e lartë e manganit në liqenin e Badocit, ju njoftojmë se autobotet janë duke vazhduar furnizimin me ujë në këto pika, nga ora 08:00-22:00. Badoci, Kishnica, Sushica, Shashkovci, Graçanica, Llapnasella, Preoci, Hajvalia, Veterniku, Lagjja e Spitalit, rruga” Muharrem Fejza”, rruga” Ndue Përleshi”, rruga” Sokol Sopi”, rruga”B” dhe “C” dhe  Bregu i Diellit në tërësi, etj. Krahas kësaj, autobotet po qëndrojnë më gjatë në ndonjë pikë duke pasë parasysh gjithnjë kërkesat më të mëdha”, thuhet në njoftimin e KRU “Prishtina”.

    Në njoftim po ashtu thuhet se përveç ujit që po shpërndahet te qytetarët, fokus janë shkollat dhe kopshtet e fëmijëve.

  • Biden dhe Netanyahu pritet të diskutojnë për përgjigjen ndaj Iranit

    Biden dhe Netanyahu pritet të diskutojnë për përgjigjen ndaj Iranit

    Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, pritet që më 9 tetor të zhvillojë një bisedë me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, raportuan mediat, ndërsa forcat izraelite intensifikuan ofensivën e tyre tokësore kundër militantëve të Hezbollahut, të mbështetur nga Irani, në jug të Libanit.

    Raportet nga Reuters dhe Axios, të cilat citojnë burime që folën nën kushte anonimiteti, thanë se bisedimet do të përfshijnë edhe planet e mundshme për ta goditur Iranin si përgjigje ndaj sulmit me raketa, kryesisht joefektiv, të Teheranit ndaj Izraelit javën e kaluar, në shenjë hakmarrjeje për eliminimin e udhëheqësit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, nga Izraeli.

    Këto bisedime do të jenë hera e parë që Biden dhe Netanyahu komunikojnë drejtpërdrejt që nga gushti.

    Hezbollah, një grup dhe parti politike që kontrollon pjesën më të madhe të jugut të Libanit, është cilësuar si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka futur në listën e zezë vetëm krahun e tij të armatosur, por jo partinë, e cila ka vende në parlamentin libanez.

    Më 9 tetor, Hezbollah deklaroi se luftëtarët e tij kishin përdorur artileri dhe raketa kundër trupave izraelite pranë fshatit kufitar libanez Labbouneh.

    Në një deklaratë tjetër, grupi tha se kishte përfshirë në luftim forcat izraelite, ndërsa ato “u përpoqën të depërtonin në qytetin kufitar të Blidës”, në juglindje të Libanit.

    Ushtria izraelite tha herët më 9 tetor se kishte interceptuar dy predha të lëshuara nga Libani, ndërsa alarmet për sulme ajrore u aktivizuan në dhe rreth qytetit bregdetar Caesarea, në jug të Haifës.

    Luftimet e fundit ndodhin ndërsa rriten frikërat për një konflikt më të madh në rajon, pasi Izraeli gjithashtu pretendoi se pasardhësi i Nasrallah ka të ngjarë të jetë “eliminuar”.

    Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, më 8 tetor tha se Hezbollah ishte një “organizatë pa një kryetar”.

    “Nasrallah u eliminua. Pasuesi i tij ndoshta është eliminuar gjithashtu”, tha Gallant para oficerëve në qendrën e komandës veriore të ushtrisë, pa dhënë më shumë detaje.

    “Hezbollahu nuk ka askënd që të marrë vendime, askënd që të veprojë”, shtoi ai.

    Netanyahu më pas përsëriti ato komente, duke thënë: “Ne kemi ulur aftësitë e Hezbollahut”.

    “Ne kemi eliminuar mijëra terroristë, përfshirë vetë Nasrallahun dhe pasardhësin e Nasrallahut, dhe pasardhësin e pasardhësit”, tha Netanyahu.

    Hashem Safieddine, një zyrtar i lartë i Hezbollahut dhe kushëriri i Nasrallahut, pritej gjerësisht të emërohej në postin kryesor të grupit, por vendndodhja dhe gjendja e tij mbeten të panjohura që nga një sulm izraelit më 2 tetor ndaj një takimi të dyshuar të udhëheqjes së Hezbollahut.

    Hezbollahu nuk ka komentuar për fatin e Safieddine, megjithëse anëtarë të paidentifikuar kanë thënë për media të ndryshme se grupi ka humbur kontaktet me të që nga sulmi.

    Safieddine është shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara.

    Më 8 tetor, ushtria izraelite tha se kishte vrarë një tjetër komandant të lartë të Hezbollahut, Suhail Husseinin, i cili ishte përgjegjës për mbikëqyrjen e logjistikës, buxhetit dhe menaxhimit të Hezbollahut.

    Ndërkohë, në një intervistë për programin “60 Minutes” të CBS TV, nënpresidentja e SHBA-së, Kamala Harris, tha se e konsideronte Iranin si kundërshtarin më të madh të Shteteve të Bashkuara.

    “Irani ka gjak amerikan në duart e tyre”, tha ajo. “Dhe ajo që pamë në lidhje me këtë sulm ndaj Izraelit, 200 raketa balistike, çfarë duhet të bëjmë për të siguruar që Irani kurrë të mos arrijë aftësinë për të qenë një fuqi bërthamore — kjo është një nga prioritetet e mia më të larta”.

    Harris — kandidatja presidenciale demokrate që do të përballet me republikanin Donald Trump në zgjedhjet e 5 nëntorit — refuzoi të spekulojë nëse Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin veprime ushtarake nëse zbulohen prova që Irani po ndërton një armë bërthamore.

    Teherani ka mohuar ndërtimin e armëve të tilla dhe thotë se programi i tij bërthamor është për qëllime civile.

    Komentet u bënë ndërsa udhëheqësia e Hezbollahut, e lodhur dhe e gjakosur, sugjeroi se mund të jetë e gatshme të negociojë një armëpushim me Izraelin.

    Zëvendësudhëheqësi Naim Qassem, në një fjalim të transmetuar në televizion, për herë të parë nuk sugjeroi që përfundimi i luftës në Gazë ishte një parakusht për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi me Izraelin në Liban.

    Qassem tha se grupi mbështeste një përpjekje nga kryetari i parlamentit libanez, Nabih Berri, një aleat i Hezbollahut, për të arritur një marrëveshje për t’i ndaluar luftimet.

    Vonë më 8 tetor, qeveria siriane tha se shtatë civilë u vranë në një sulm ajror izraelit në Damask. Një monitorues lufte tha se sulmi kishte shënjestruar një ndërtesë të përdorur nga Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) dhe Hezbollahu.

    Izraeli nuk ka komentuar këto zhvillime dhe raportet nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur./REL/

  • Apeli ndryshon vendimin e Themelores, Shaban Gogaj dënohet me 6 vjet e 6 muaj burgim

    Apeli ndryshon vendimin e Themelores, Shaban Gogaj dënohet me 6 vjet e 6 muaj burgim

    Gjykata e Apelit ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë ndaj të akuzuarit Shaban Gogaj, sa i përket veprës penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, duke e dënuar me dy vjet burgim. Ndaj Gogajt, u shqiptua dënim unik me 6 vjet e 6 muaj burgim.

    Më 15 mars 2024, Themelorja e dënoi Gogajn me 7 vite e 6 muaj burgim për vrasje nga pakujdesia

    Në vendimin e Apelit, i cili është marrë më 3 tetor 2024, thuhet se është aprovuar ankesa e mbrojtësit të Gogajt, avokatit Besnik Berisha përkitazi me vendimin mbi dënimin me burgim për pikën II të dispozitivit të aktakuzës, ndërsa aktgjykimi i Themelores u ndryshua sa i përket kësaj pike, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Sipas Apelit, dënimi me burgim është në ekzekutim e sipër dhe të akuzuarit i është llogaritur koha e kaluar në paraburgim nga 23 shtatori 2018 e deri në përfundim të dënimit të shqiptuar me burgim, por jo më gjatë sesa dënimi i shqiptuar.

    Po ashtu, i akuzuari mbetet në paraburgim deri në marrjen e një vendimi tjetër.

    Kurse, janë refuzuar si të pabazuara ankesa e Prokurorisë Themelore në Gjilan, përfaqësuesit të palës së dëmtuar- avokatit Berat Tmava dhe ajo e avokatit Berisha sa i përket pikës I të dispozitivit të aktakuzës.

    Më 14 tetor 2022, Gjykata Themelore në Pejë kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Shaban Gogaj, duke e dënuar me 7 vite e 6 muaj burgim për vrasje nga pakujdesia të Agonis Tetajt. Kurse, Isuf Cacaj me 2 mijë euro gjobë për armëmbajtje pa leje.

    Gjykata e Apelit më 23 mars 2023 kishte shqyrtuar ankesat e mbrojtësit të Gogajt, avokatit Besnik Berisha, palës së dëmtuar, avokatit Berat Tmava dhe ankesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan. Kurse, pas shqyrtimit të ankesave, Apeli më 23 mars 2023 e ka kthyer lëndën në rigjykim.

    Ndërsa, më 15 mars 2024, Themelorja e dënoi sërish me 7 vite e 6 muaj burgim për vrasje nga pakujdesia, ndërsa Isuf Cacaj u dënua me 2 mijë euro gjobë për armëmbajtje pa leje.

    Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 12 qershor 2019, Shaban Gogaj akuzohet se më 23 shtator 2018, rreth orës 11:04, në Deçan, në rrugën “Luan Haradinaj”, përkatësisht në kompaninë “Gogaj AG”, me dashje e privon nga jeta Agonis Tetajn dhe me këtë ka vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarve A.H dhe F.Z. Në këtë rast, për armëmbajtje pa leje akuzohet edhe Isuf Cacaj, ku sipas aktakuzës, në dyqanin “Gogaj AG”, ka mbajt në pronësi armën, e gjetur nga policia në sirtarët nën banakun e arkës./BetimipërDrejtësi

  • Avokati Koci: Ka informacione që edhe shumë persona janë të përfshirë në sulmin në Banjskë

    Avokati Koci: Ka informacione që edhe shumë persona janë të përfshirë në sulmin në Banjskë

    Avokati i familjes së rreshterit të vrarë në sulmin në Banjskë, Afrim Bunjku, Arianit Koci, tha se ka informacione që, përveç 42 të akuzuarve, edhe shumë persona të tjerë janë të përfshirë në rastin e sulmit terrorist në Banjskë, raporton Ekonomia Online.

    Koci shtoi se i mbetet në dorën e Prokurorit të rastit se a do të ngrihet edhe një aktakuzë e re apo do të zgjerohet aktakuza aktuale.

    Ai shtoi se në këtë rast pret që të dënohet të gjithë të akuzuarit për shkak se ka prova të pa kundërshtueshme.

    “Së pari ju e patë që u evituan të gjitha pengesat procedurale, të gjithë u pajisen me shkresa të lëndës. Të akuzuarit i kanë 30 ditë afat për t’i kundërshtuar provat edhe më bë kërkesën për hudhjen e aktakuzës. Prej tre të akuzuarve, dy nuk u deklaruan fare që i bie që nuk e kanë pranuar fajësinë, i treti tha fare nuk kam lidhje me këtë aktakuzë. Natyrisht pres që do të dënohen të gjithë, për shkak se ka prova të pakundërshtueshme. Kjo gjë është e qartë e qartë që në fillim”.

    “Kam informacione që janë edhe shumë persona të tjerë të përfshirë, a do të ngrihet edhe një aktakuzë e re apo do të zgjerohet kjo mbetet në strategjinë e Prokurorit. Hetimet për këtë rast, në mënyrë të vrullshme dhe intensive, po vazhdojnë”.

    “Gjykata Supreme i di punët e veta, unë besoj sepo e trajtojnë me prioritet. Sa i përket 42 personave që janë të akuzuar, për ta më jetë nuk ka. Ata janë në kërkesën e kuqe të Interpolit, ata jo që nuk munden me dalë prej Serbisë, por pres në çdo moment që Serbia, ose kur t’i vijë koha, t’i dorëzojë në Kosovë”.

    LEXONI EDHE:

    Dusan Maksimovic deklarohet i pafajshëm për sulmin në Banjskë, Spasojevic e Tolic nuk deklarohen fare

  • Orban: Pa Serbinë në BE, Ballkani nuk mund të jetë stabil

    Orban: Pa Serbinë në BE, Ballkani nuk mund të jetë stabil

    Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, vendi i të cilit e ka përsipër kryesimin gjashtëmujor të BE-së, ka folur për procesin e zgjerimit të BE-së me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, në seancën plenare të 9 tetorit të Parlamentit Evropian.

    Orban kritikoi BE-në se nuk po i mban premtimet që ua kishte dhënë vendeve të këtij rajoni para 20 vjetëve, duke theksuar rastin e Serbisë.

    “Duhet të fokusohemi sidomos në Serbinë. Pa Serbinë, ne nuk mund ta stabilizojmë Ballkanin derisa Serbia të mos jetë vend anëtar i Bashkimit Evropian. Ballkani mbetet një rajon jostabil”, ka thënë Orban.

    Serbia kishte aplikuar për anëtarësim në BE në vitin 2009, ndërsa statusin e vendit kandidat e mori në vitin 2012, para se të fillonte negociatat në vitin 2014. Edhe Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë filluar negociatat për anëtarësim, ndërsa Bosnje e Hercegovina mori statusin e vendit kandidat në vitin 2022.

    Kosova ende nuk ka statusin e vendit kandidat, ndërsa aplikoi për anëtarësim në fund të vitit 2022.

    Gjatë fjalimit të tij, Orban shtoi se edhe pse disa vende kandidate i kanë përmbushur obligimet, ato nuk kanë lëvizur në procesin e negociatave për anëtarësim.

    “Të rikujtojmë se para 20 vjetëve, BE-ja u kishte premtuar vendeve të Ballkanit Perëndimor perspektivën e anëtarësimit në BE. Presidenca hungareze është e mendimit se ka ardhur koha ta përmbushim këtë premtim”, ka thënë Orban, i cili paralajmëroi zhvillimin e një samiti me Ballkanin Perëndimor.

    Edhe pse presidenca hungareze e BE-së tashmë është në gjysmën e saj – pasi përfundon në fund të dhjetorit – Orbani e mbajti tani fjalimin e zakonshëm ku shefi i qeverisë së vendit kryesues tregon prioritetet e presidencës së saj. Mbajtja e këtij fjalimi ishte shtyrë dy herë.

    Orban gjithashtu bëri thirrje për “ndryshim” në Bashkimin Evropian, në fjalimin e shoqëruar me protesta për prapambetje demokratike në Hungari.

    “BE-ja duhet të ndryshojë, dhe do të doja t’ju bindja për këtë sot”, tha kryeministri i ekstremit të djathtë, në Strazburg.

    Orban tha se kjo është “periudha më serioze” në historinë e BE-së, me luftën në Ukrainë, konfliktin në Lindjen e Mesme që po eskalon dhe një “krizë migracioni” që sipas tij mund të shkaktojë “shkatërrimin” e sistemit të kufijve të hapur në Schengen.

    “Unioni ynë duhet të ndryshojë, dhe presidenca dëshiron të jetë katalizatori i këtij ndryshimi”, tha ai.

    Si aleati më i afërt i presidentit rus, Vladimir Putinit, brenda Bashkimit Evropian, qeveria nacionaliste e Orbanit është në përplasje me partnerët e saj për një sërë çështjesh – nga ndalimi i ndihmës për Kievin, deri te miratimi i një sërë ligjesh që blloku i sheh si prapambetje demokratike.

    Fjalimi i Orbanit në parlament, ku ishte e pranishme edhe kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është shtyrë dy herë dhe tani po zhvillohet në mes të mandatit presidencial të Budapestit.

    Ligjvënësit e BE-së premtojnë se do ta mbajnë Orbanin përgjegjës, me liderin e opozitës hungareze, që është bërë eurodeputet, Peter Magyar, si një ndër folësit e radhës dhe me protesta që zhvilloheshin përgjatë fjalimit të Orbanit.

    “Nuk ka para për të korruptuarit”, thuhej në një pankartë të mbajtur nga ligjvënësit e majtë, në referencë ndaj miliardave euro fonde që janë ngrirë për Hungarinë për shkak të shqetësimeve mbi sundimin e ligjit.

    Një interpretim i zhurmshëm i himnit antifashist “Bella Ciao” u dëgjua ndërsa ai përfundoi fjalimin, duke shkaktuar një thirrje për rend nga presidentja e parlamentit, Roberta Metsola, e cila tha: “Ky nuk është Eurovisioni”.

    Kur Hungaria mori presidencën gjashtëmujore të BE-së në korrik, Orban doli jashtë skenarit: ai nisi një “mision paqeje” të pakoordinuar për Ukrainën në Kiev, Moskë dhe Pekin, që la udhëheqësit në Bruksel të shqetësuar.

    Në përgjigje, von der Leyen urdhëroi zyrtarët e lartë të anashkalojnë një sërë takimesh të organizuara nga presidenca hungareze, në një bojkot de facto të paprecedentë.

    Që kur u rikthye për ta udhëhequr vendin e tij në vitin 2010, Orban ka ndërmarrë hapa për të kufizuar të drejtat civile dhe për të forcuar kontrollin mbi pushtetin, duke u përplasur vazhdimisht me Brukselin mbi çështjet e sundimit të ligjit.

    Por, Orban ka theksuar fitoren e ekstremit të djathtë në zgjedhje nga Italia në Holandë dhe Austri – dhe ndikimin në rritje të një grupi të ri të udhëhequr nga Hungaria në parlamentin e BE-së, Patriotët për Evropën – si dëshmi se klima politike në Evropë po ndryshon./REL/

  • Dusan Maksimovic deklarohet i pafajshëm për sulmin në Banjskë, Spasojevic e Tolic nuk deklarohen fare

    Dusan Maksimovic deklarohet i pafajshëm për sulmin në Banjskë, Spasojevic e Tolic nuk deklarohen fare

    Në seancën fillestare të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të akuzuarit Blagoje Spasojevic dhe Vladimir Tolic nuk u deklaruan rreth fajësisë, derisa Dusan Maksimovic u deklarua i pafajshëm lidhur me akuzën për sulmin terrorist në Banjskë.

    Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur më 11 shtator një aktakuzë ndaj 45 personave, të cilët akuzohen për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të rënda penale, por vetëm tre prej tyre janë në dispozicion të organeve të drejtësisë: Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq.

    Ata janë arrestuar pas sulmit të armatosur në Banjskë, në veri të Kosovës, kur një grup i armatosur serb sulmoi Policinë e Kosovës dhe vrau policin, Afrim Bunjaku.

    Gjatë shkëmbimit të zjarrit, më pas, u vranë tre sulmues.

    Përgjegjësinë për sulmin e shtatorit të vitit të kaluar e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.

    Besohet se ai, dhe shumica e pjesëtarëve të këtij grupi të armatosur, ndodhen në Serbi.

    Seanca përgatitore ishte paraparë të mbahej më 25 shtator, por avokatët e të arrestuarve kërkuan shtyrje me arsyetimin se kishin marrë aktakuzën me vonesë dhe se u nevojitej kohë për t’u përgatitur.

    Prokuroria, në anën tjetër, kërkoi që gjykimi të fillojë edhe për të akuzuarit që janë në arrati, gjë që u kundërshtua nga avokatët, duke theksuar se një gjë e tillë nuk e parashihet me ligjet e Kosovës.

    Në fund, gjyqtari i rastit, Arben Hoti tha se do të kërkojë një opinion juridik nga Gjykata Supreme për interpretimin e Ligjit kur bëhet fjalë për gjykim në mungesë, dhe konstatoi se ka kushte për të gjykuar ata që ndodhen në paraburgim në Kosovë.

    Gjykata Supreme ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se e ka pranuar kërkesën për këtë çështje, më 30 shtator, dhe se lënda po shqyrtohet.

    Zyrtarë të saj theksuan se nuk ka një afat brenda të cilit Gjykata Supreme e Kosovës duhet të japë mendimin e saj juridik.

    Kush janë të pandehurit?
    Në aktakuzë përmenden 45 persona:

    Millan Radoiçiq, Bllagoje Spasojeviq, Vlladimir Tolliq, Dushan Maksimoviq, Vlladimir Radivojeviq, Uglesha Jarediq, Millorad Jevtiq, Vllastimir Andriq, Aleksandar Millosavleviq, Llazar Shmigiq, Velko Gjorgjeviq, Vlladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Millovan Kërstoviq, Urosh Milliq, Trajko Vasiq, Danillo Vasiq, Vukashin Jarediq, Sasha Periq, Nemanja Stankoviq, Momçillo Vuçkoviq, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviq, Marko Arsiq, Zharko Cvetkoviq, Kërsto Damjanoviq, Stefan Millosavleviq, Marko Saviq, Aleksandar Jevremoviq, Radosh Gvozdiq, Ivan Milliq, Gojko Zubaq, Nemanja Radivojeviq, Radak Axhiq, Millosh Millenkoviq, Gjorgje Balloviq, Danijell Gjukiq, Danillo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Millosh Kragoviq, Milan Nedelkoviq, Nikolla Illiq, Vlladan Illiq, RAD D.O.O. dhe Radulle Steviq.

    Prokuroria Speciale e Kosovës i ngarkon të akuzuarit në rastin Banjska, ndër të tjera, për vepra terroriste dhe vepra kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.

    Më herët, prokurori i rastit Naim Abazi ka thënë se të akuzuarit kishin role të ndryshme brenda grupit kriminal – nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste deri te financimi dhe pastrimi i parave.

    Në aktakuzë thuhet se ky grup, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, ka tentuar “ta shkëpusë pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe, dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojë Republikës së Serbisë”.

    Si lider i këtij grupi është identifikuar Millan Radoiçiq, për të cilin thuhet se ka luajtur një rol të rëndësishëm në koordinimin dhe aktivitetet kriminale. Radoiçiq gjendet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar për lidhjet me krimin e organizuar ndërkombëtar dhe korrupsionin. Në Kosovë, Radoiçiq gjithashtu lidhet me vrasjen e një politikani opozitar serb dhe frikësimin e dëshmitarëve në një proces gjyqësor që lidhet me ndërtimet ilegale.

    Në aktakuzë, Prokuroria përmend 34 dosje me prova, në mesin e të cilave ka video-incizime, analiza të pajisjeve elektronike, përgjigje të ndryshme nga Luksemburgu, Bosnje e Hercegovina, bankat dhe institucione të ndryshme, deklarata të dëshmitarëve etj.

    Hetimin e sulmit në Banjskë po e udhëheq edhe Prokuroria e Lartë Publike në Beograd, e cila ngarkon Radoiçiqin me tre vepra penale – ndër të cilat janë prodhimi i paautorizuar, posedimi, mbajtja dhe trafikimi i armëve të zjarrit dhe lëndëve shpërthyese, dhe vepra të rënda kundër sigurisë publike. Të dyshuarit e tjerë janë persona të panjohur (NN).

    Autoritetet e Kosovës e konsiderojnë sulmin në Banjskë një akt terrorist dhe akuzojnë Serbinë se qëndron pas tij. Ministri Sveçla tha se ekzistojnë informacione të inteligjencës se të njëjtat grupe vazhdojnë të stërviten në territorin e Serbisë dhe rreth kufirit mes Kosovës dhe Serbisë.

    Nga ana tjetër, Serbia në disa raste ka mohuar çdo përfshirje, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka theksuar se për Beogradin ky sulm nuk është terrorist, por po hetohet.

    Bashkësia ndërkombëtare e ka dënuar ashpër sulmin në Banjskë dhe ka kërkuar hetim dhe që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.

  • Itali: Shqiptari vret bashkëshorten në sy të fëmijëve

    Itali: Shqiptari vret bashkëshorten në sy të fëmijëve

    Krimi në familjet shqiptare që jetojnë në Itali ka goditur sërish.

    Ngjarja e radhës është regjistruar në San Felice a Cancello, në provincën e Caserta, ku një 30-vjeçar shqiptar ka vrarë bashkëshorten e tij në sytë e fëmijëve të mitur, 4 dhe 6 vjeç.

    Sipas mediave italiane, të cilave u referohet A2 CNN, shqiptari i ka marrë jetën gruas së tij 24 vjeçare duke e mbytur. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:00 të mëngjesit, në kulmin e një mosmarrëveshjeje në familje, përballë dy fëmijëve të saj të vegjël.

    30-vjeçari është ndaluar nga policia dhe është dërguar në komisariat.

  • Arrestohet një person në Istog, dyshohet se kanosi zyrtarët policorë

    Arrestohet një person në Istog, dyshohet se kanosi zyrtarët policorë

    Një person është arrestuar në Istog, nën dyshimin se ka fyer dhe kanosur zyrtarët policorë.

    “KANOSJE/Fsh.Saradran, Istog 08.10.2024-08:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar , pasi që i njëjti ka fyer dhe kanosur zyrtaret policorë”, thuhet në raportin e Policisë.

    Tutje, Policia njoftoi se i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.