ATV

Category: Lajme

  • Kurti në Shtutgart: Mërgata jonë është përbërës i fuqishëm historik, ekonomik dhe politik i Kosovës

    Kurti në Shtutgart: Mërgata jonë është përbërës i fuqishëm historik, ekonomik dhe politik i Kosovës

    Pas Mynihut, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bashkë me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, u mirëpritën dje nga bashkatdhetarë të shumtë edhe në qytetin e Shtugartit.

    Aty bashkë zhvilluan një bisedë të hapur rreth zhvillimeve në vend, zhvillimit të vendit dhe rolin historik të mërgatës si dhe të kontributit që vazhdon.

    Përmes një komunikate për media, thuhet se kryeministri veçoi rolin e rëndësishëm që mërgata jonë në Gjermani ka edhe sot në raportet që Kosova ka me Gjermaninë si dy shtete, dhe shqiptarët me gjermanët si dy popuj.

    “Nuk harrojmë asnjëherë ta themi sepse e kuptojmë në shkallën e duhur që mërgata jonë është përbërësi i fuqishëm historik, ekonomik, politik dhe diplomatik i Republikës së Kosovës dhe kombit shqiptar mban…prandaj themi me plot zemër se ju jeni zemra e përpjekjeve tona për liri dhe përparim”, u shpreh kryeministri Kurti.

    “Mërgimi i rëndë që na karakterizonte fort në të kaluarën, tash ka rezultuar me mërgatën që është e ardhmja. E ardhmja e kthimit në atdhe, në Kosovën që po përparon nga kontributi i dikurshëm e i vazhdueshëm i juaji i cili ju bën juve thelb të së ardhmes sonë”, tha kryeministri Kurti.

    Ndërkaq Gërvalla-Schwarz, duke e cilësuar Shtugartin si kryeqytet të mërgatës shqiptare, tha se nga ky qytet u organizuan shumica e aksioneve në ndihmë të Kosovës, nga aty u nisën veprat më të mëdha në solidaritet me qytetarët e Kosovës në kohë të zymta, dhe po nga ky qytet Sali Çekaj u nisë me djemtë dhe vajzat e tij për të mbrojtuar me gjakun e tij Republikën e Kosovës.

    Ajo falënderoi bashkatdhetarët për rolin e tyre vendimtar e të vazhdueshëm në fuqizimin e shtetit të Kosovës dhe për mbështetjen e tyre, teksa u bëri thirrje që të regjistrohen sa më parë në mënyrë që të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhjet e ardhshme parlametare të shkurtit 2025.

  • Sulmohet brutalisht ish-kryetari i Listës Srpska, Goran Rakiq

    Sulmohet brutalisht ish-kryetari i Listës Srpska, Goran Rakiq

    Mbrëmë rreth orës 02:30, në rrugën “Sutjeska” në veri të Mitrovicës, është sulmuar brutalisht ish-kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, bëjnë të ditur burime të Ekonomia Online. Rasti ka ndodhur para banesës së tij, ku besohet se personat që e kanë sulmuar ishin duke e pritur.

    Sipas të njëjtit burim, rasti nuk është raportuar në Policinë e Kosovës dhe duket se po tentohet të mbahet i fshehur.

    Se PK nuk është në dijeni për këtë rast e ka konfirmuar edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në veri, Veton Elshani.

    Rakiqi ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital, ku është regjistruar, por dyshohet se ka pasur përpjekje për ta fshirë rastin nga regjistri.

    Sipas burimeve, kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek dyshohet se po ndihmon në fshirjen e rastit.

    Mësohet se Rakiq, tashmë deputet në Parlamentin e Serbisë, i është thyer një dorë dhe i është qepur koka si pasojë e sulmit të mbrëmshëm.

    Burime të EO bëjnë të ditur se dyshohet se e gjithë kjo ka ndodhur si pasojë e përçarjes mes Rakiqit dhe terroristit Milan Radojiçiq.

  • Kosova strehon 68 afganë

    Kosova strehon 68 afganë

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se kjo ministri ka pritur dhe akomoduar sot 68 afganë, për ofrimin e mbrojtjes së përkohshme.

    “Bazuar në vendimin e mbledhjes së 220-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës për ofrimin e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme të disa shtetasve afganë dhe familjarëve të tyre, Ministria e Punëve të Brendshme ka pritur dhe akomoduar sot 68 prej tyre në kuadër të këtij procesi”, shkruan Sveçla në Facebook.

    Ai shprehet se duke e ditur populli i Kosovës nevojën e mbështetjes dhe strehimit, sot ata po hapin dyert për ata që kanë nevojë.

    “Ky veprim është në vazhdimësi të angazhimit të Qeverisë sonë ndaj krizës në Afganistan, duke ofruar mbrojtje dhe strehim për individët në rrezik nga konfliktet e brendshme. Duke mos harruar faktin që populli ynë para çerek shekulli ka ndjerë nevojën e mbështetjes dhe strehimit dhe i është mundësuar ajo, sot hapim edhe ne dyert për ata e ato që kanë nevojë. Ky proces po vijon me sukses sipas planit operacional dhe në përputhje me legjislacionin dhe standardet ndërkombëtare”, ka deklaruar shefi MPB-së.

  • Maqedonci: Me Jashari kemi kërkuar të ndërmerren hapat e duhur për furnizimim ushqimor

    Maqedonci: Me Jashari kemi kërkuar të ndërmerren hapat e duhur për furnizimim ushqimor

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka dalë me sqarim sa i përket çështjes me shujta të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    “Duke marrë parasysh çështjet e ngritura në lidhje me furnizimin me ushqim për pjesëtarët e FSK-së, ju njoftoj se Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës gjatë këtyre ditëve kanë bërë përpjekje të vazhdueshme për të siguruar furnizimet, me qëllim që shërbimi ushqimor për personelin e FSK-së të ofrohet në mënyrën më të mirë të mundshme”, shkruan ministri në Facebook, njofton Klankosova.tv.

    Ndër të tjera, Maqedonci thotë se ai, bashkë me komandantin e FSK-së, Bashkim Jasharin, kanë kërkuar që strukturat përgjegjëse në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës të ndërmarrin hapat e duhur dhe të nevojshëm për të zgjidhur sfidat lidhur me furnizimin dhe shërbimin ushqimor për personelin e FSK-së.

    “Që nga themelimi i FSK-së në vitin 2009, pothuajse çdo herë pas përfundimit të kontratave trevjeçare, si rezultat i ankesave nga operatorët ekonomikë të cilat janë adresuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, janë zhvilluar procedurat për lidhjen e kontratave emergjente. Vetëm nga viti 2015 e deri më tani janë dhënë 10 kontrata sipas procedurave ekstrem emergjente. Këto çështje kanë krijuar situata të jo të mira dhe probleme të vazhdueshme, duke rrezikuar integritetin e proceseve dhe që si rezultat kanë ndikuar në dëmtimin e imazhit publik të FSK-së dhe mirëqenien e pjesëtarëve të saj. Për të adresuar këto sfida të përsëritura, unë, së bashku me Komandantin e FSK-së, kemi kërkuar që strukturat përgjegjëse në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës të ndërmarrin hapat e duhur dhe të nevojshëm për të zgjidhur sfidat lidhur me furnizimin dhe shërbimin ushqimor për personelin e FSK-së. Përmes këtyre veprimeve, synojmë të minimizojmë ndikimet negative në furnizim dhe shërbim, duke garantuar që situata të tilla të mos prekin më efektivitetin e përgjithshëm dhe performancën operacionale të personelit të FSK-së”, shkruan tutje i pari i Mbrojtjes.

    “Jemi të vetëdijshëm se aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi kërkojnë afate të caktuara kohore për procesin e rekrutimit të personelit profesional për kuzhinat e FSK-së. Megjithatë, do të zbatojmë me përpikëri të gjitha procedurat ligjore të prokurimit për furnizimin me ushqim në kazermat e FSK-së. Pas hapjes së konkursit për rekrutimin e personelit të stafit të kuzhinave që e kemi bërë me datën 10 tetor, do të vazhdojmë të ndjekim hapat e nevojshëm për të siguruar që ky proces të përfundojë me sukses deri në finalizimin e plotë të rekrutimit të personelit civil të specializuar, i cili do të integrohet në kuadër të FSK-së. Nëpërmjet këtyre masave, ne synojmë të forcojmë kapacitetet tona operacionale, duke garantuar që çdo pjesëtarë i FSK-së të marrë shërbimin e duhur dhe cilësor që meriton. Kjo qasje do të ndihmojë në krijimin e një ambienti të qëndrueshëm dhe efikas, duke kontribuar kështu në rritjen e imazhit të FSK-së dhe në besimin e publikut në institucionet tona”.

  • Krasniqi: PDK do e bëjë secilin qytetar të krenohet sërish me Kosovën

    Krasniqi: PDK do e bëjë secilin qytetar të krenohet sërish me Kosovën

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se partia e tij është gati për fitore të reja.

    Tutje, ai shton se PDK do e bëjë secilin qytetar të krenohet sërish me Kosovën.

    “Sa herë që Kosova është në dhembje – është kushtrim për Partinë Demokratike të Kosovës. PDK është gati për fitore të reja dhe do ta bëjë secilin qytetar të krenohet sërish me Kosovën!”, ka shkruar Krasniqi.

  • Sondazhet zgjedhore në ShBA: Kush është përpara – Harris apo Trump?

    Sondazhet zgjedhore në ShBA: Kush është përpara – Harris apo Trump?

    Dy nga shtetet më të rëndësishme për muajin nëntor, Pensilvania dhe Arizona, tregojnë vështirësitë me të cilat përballen Kamala Harris dhe Donald Trump në javët e fundit të fushatës zgjedhore.

    Sipas sondazhit të fundit nga New York Times/Philadelphia Inquirer/Siena College, në fakt, demokratja ka një avantazh të lehtë në Pensilvani, 50% kundrejt 47%, ndërsa republikani vazhdon të jetë përpara në Arizona, 51% kundrejt 46%.

    Kujtojmë se ish-presidenti i SHBA-së dhe kandidati republikan për president Donald Trump refuzoi një kërkesë nga Fox News për një tjetër debat me kandidaten demokrate dhe zëvendëspresidenten Kamala Harris.

    Në llogarinë e tij në Truth Social, Trump, në të gjitha kapitujt, pretendoi se kishte fituar dy debatet e fundit, një kundër Presidentit Joe Biden dhe tjetrin kundër Harris më 4 shtator, duke shtuar se “nuk do të ketë revansh”.

  • Ministri shqiptar në Qeverinë e Malit të Zi: Deklaratat e Zëvendëskryeministrit për Kosovën qëndrim personal, është vijë e kuqe për ne

    Ministri shqiptar në Qeverinë e Malit të Zi: Deklaratat e Zëvendëskryeministrit për Kosovën qëndrim personal, është vijë e kuqe për ne

    Si “qëndrim personal” e ka konsideruar ministri shqiptar për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve në Qeverinë e Malit të Zi, Fatmir Gjeka, deklaratën e Zëvendëskryeministrit të Malit të Zi, Milun Zogoviç, se “Kosova është pjesë e Serbisë”, derisa ka theksuar se për shqiptarët kjo çështje është “vijë të kuqe”.

    Këto komente, Gjeka i ka bërë në një përgjigje për Albanian Post, ku ka bërë të ditur se për deklaratën e Zogoviç-it, do të kërkojnë në seancën e ardhshme të ekzekutivit malazez qëndrim nga anëtarët e tjerë të qeverisë.

    “Në seancën e parë të Qeverisë do ta bëjmë këtë pyetje dhe do të kërkojmë nga anëtarët e tjerë të Qeverisë që të shprehen për këtë deklaratë”, tha Gjeka për AP.

    Zogoviç është pjesë e koalicionit “Për të Ardhmen e Malit të Zi”, të njohur për qëndrimet e tyre pro ruso-serb. Këtë koalicion, Milojko Spajiç, lideri i Lëvizjes “Evropa Tani”, për t’u bërë kryeministër e kishte bërë pjesë të shumicës, madje ua kishte dhënë edhe postin e Kryetrait të Kuvendit, të cilin e mban Andrija Mandiç, i cili Vladimir Putin-in e Rusisë e konsideron si president të tij.

    Fillimisht forcat pro ruso-serbe kishin vetëm Kryetarin e Kuvendit, ndërsa së fundmi janë bërë edhe pjesë e qeverisë së Spajiç-it, duke marrë poste të rëndësishme, siç është kjo që e mban Zogoviç.

    Por, kur Spajiç kishte arritur marrëveshje me disa parti politike në Mal të Zi, përfshirë këtu disa parti shqiptare dhe ato pro serbo-ruse, të gjitha kishin nënshkruar atë që njihet si marrëveshja e parimeve.

    Aty thuhet se do ta mbështesin integritetin territorial të Ukrainës, si dhe sanksionet kundër Rusisë, forcimin e mëtejshëm të pjesëmarrjes së Malit të Zi në NATO, avancimin e të drejtave të pakicave, mbështetjen e pa diskutueshme të sovranitetit të vendeve fqinje, përfshirë edhe të Kosovës.

    “Deklarata e nënkryetarit Zogoviç është qëndrim i tij personal. Sepse, me hyrjen në Qeverinë e Malit të Zi, ne kemi nënshkruar një marrëveshje politike ku thuhet se nuk ka ndryshim në politikën e jashtme të vendit. Dhe kjo nënkupton zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore me Republikën e Kosovës”, thotë Gjeka për AP.

    Por, në këtë mënyrë, me këto deklarata skandaloze, Ministri shqiptar në qeverinë e Malit të Zi thekson se Zogoviç-i dhe subjekti i tij “e shkatërrojnë atë marrëveshje”.

    “Kjo është një vijë e kuqe për ne dhe ata e dinë mirë”, paralajmëron Gjeka.

    Në një intervistë për median malazeze “Aplus”, zëvendëskryeministri Zogoviç ka thënë se me futjen në qeverinë e Spajiç-it, nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket Kosovës. Ai ka propaganduar se “Kosova është krahinë jugore e Serbisë”.

    “Sa i përket obligimeve ndërkombëtare të Malit të Zi, gjithçka do të respektohet, por unë kam mendimin tim se Kosova është pjesë e Serbisë e shkëputur qëllimisht. Këtë qëndrim e kam shprehur në Kuvend, pak ditë para se të hyja në Qeveri”, ka deklaruar Zogoviç, ndonëse zyrtarisht kryeministri Spajiç dhe pjesa dërrmuese e kabinetit të tij e pranojnë dhe e përkrahin realitetin sa i përket Kosovës..

    Me të ardhur në pushtet Lëvizja “Evropa Tani”, me kryeministër Milojko Spajiç, shumë njohës ndërkombëtar të zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor kanë shprehur shqetësimin në lidhje me orientimin që mund ta ketë qeveria malazeze, duke qenë se pjesë e saj janë edhe forcat pro ruso-serbe.

    Shqetësimet ishin rritur kur Andrija Mandiç-i, një pro ruso-serb që shfaqet në selinë e Partisë Progresive Serbe (SNS) – partia e Aleksandër Vuçiç-it – gjatë proceseve elektorale në Serbi, kishte marrë postin e Kryetarit të Kuvendit.

    Përveç kësaj, Mandiç është shprehur dhe vazhdon të shprehet hapur kundër pavarësisë së Kosovës. Ai madje kishte mbajtur grevë urie kur Mali i Zi e kishte njohur pavarësinë e Kosovës.

    Nga ana tjetër, shqiptarët që janë pjesë e ekzekutivit të Spajiç-it (kanë tri ministri, përfshirë një pozitë të zëvendëskryeministrit), kanë deklaruar se nuk do të qëndrojnë në asnjë moment në qeveri në rast se ndryshon qëndrimi i shtetit malazez sa i përket Kosovës.

    Ndryshe, Kosova dhe Mali i Zi kanë qenë vende përbërëse në kuadër të Jugosllavisë, por me statuse të ndryshme.

    Mali i Zi ka qenë një nga gjashtë republikat e Federatës Jugosllave, ndërsa Kosova ishte krahinë autonome në kuadër të Serbisë, dhe kjo deri në vitin 1989, kur presidenti fashist i atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviç e suprimoi atë.

    Mali i Zi është vendi i fundit që është shkëputur nga Jugosllavia, dhe kjo jo më larg se në vitin 2006. Lëvizjen për shkëputjen nga Jugosllavia e kishte udhëhequr ish-presidenti malazez, Milo Gjukanoviç.

    Kur Kosova e shpalli pavarësinë e saj, më 17 shkurt të vitit 2008, Mali i Zi vetëm disa muaj më pas, saktësisht me 9 tetor 2008, e kishte njohur pavarësinë e saj. Kryeministër në atë kohë ishte Gjukanoviç.

    Njohja nga Mali i Zi për Kosovën ishte mjaft e rëndësishme, pasi që një vend fqinje po pajtohej me mëvetësinë e saj. Ishte vendi i 49 që e kishte njohur pavarësinë e Kosovës.

  • Protesta në Turqi kundër dhunës ndaj grave

    Protesta në Turqi kundër dhunës ndaj grave

    Qindra gra kanë protestuar në qytetet turke kundër vrasjes së grave, pas raportimit të dy rasteve në Stamboll.

    Qindra persona kanë bërtitur zëshëm kundër presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan dhe partisë së tij me rrënjë islamike, AKP.

    “Ju jeni një Qeveri që lejoni vrasjen e grave”, ka thënë organizatorja e marshit, Gunesh Fadime Ahsahin, para turmës.

    Gulizar Sezer, nëna e një gruaje të re që është vrarë, ka thënë se duhet t’i jepet fund “masakrimit të vajzave tona”.

    Trupi i vajzës së saj është gjetur ne qershor, pasi fillimisht është gjuajtur në det, i mbështjellë në një tepih.

    Protesta tjera janë mbajtur në Ankara dhe Izmir, sipas Federatës për të Drejta të Grave.

    Protesta të ngjashme janë mbajtur çdo ditë gjatë javës, në qytete të ndryshme, kryesisht nëpër kampuse universitare.

    Protestat kanë shpërthyer prej vrasjes së dy vajzave të reja në javën e fundit, brenda 30 minutave.

    I dyshuari për vrasje e ka vrarë më pas edhe veten.

    I dyshuari dhe dy gratë kanë qenë të moshës 19-vjeçare, kanë thënë zyrtarët.

    Erdogan, që paraprakisht ka fajësuar alkoolin dhe rrjetet sociale për vrasje të tilla, është zotuar të mërkurën që të forcojë sistemin gjyqësor dhe të luftohet krimi.

    Turqia regjistron me vite raste të vrasjes së grave.

    Një grup monitorues ka thënë se vetëm këtë vit janë kryer 299 vrasje të grave, në shtetin me 85 milionë banorë.

    Më 2021, Turqia është tërhequr prej një konvente të Këshillit të Evropës për parandalim të dhunës ndaj grave, e njohur si Konventa e Stambollit.

    Konventa obligon autoritetet kombëtare që të hetojnë dhe ndëshkojnë dhunuesit e grave.

  • Rama për emigrantët: Nuk mund të lëvizin lirshëm, e kundërta ndërhyjnë forcat e sigurisë

    Rama për emigrantët: Nuk mund të lëvizin lirshëm, e kundërta ndërhyjnë forcat e sigurisë

    Vetëm një javë larg hapjes së kampit të emigrantëve në Gjadër, marrëveshje mes qeverisë shqiptare dhe italiane, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane ‘La Repubblica’ , ku ka folur për këtë marrëveshje.

    “Qendrat e emigrantëve në Shqipëri nuk shqetësojnë qeverinë tonë. Do të shqetësohemi vetëm nëse përfshihemi nga Italia dhe kur ka arsye për t’u shqetësuar”, thotë Rama në intervistë, ndërsa ‘La Repubblica’ shkruan se, ‘kryeministri shqiptar që ëndërron anëtarësimin në BE, është i qetë’.

    “Ishte ai që bëri paktin me kryeministren italiane, Giorgia Melonin për megastrukturën për ndalimin dhe riatdhesimin e emigrantëve jashtë kufijve italianë dhe tani ai vetëm po vëzhgon”.

    Kreu i qeverisë shprehet se qendrat për emigrantët nuk kanë asnjë lidhje me qeverinë shqiptare.

    Rama bën të qartë se marrëveshja nuk parashikon që emigrantët të largohen nga kampet dhe të lëvizin lirshëm, pasi në raste të tilla do të ndërhyjnë forcat shqiptare të sigurisë.

  • Hoxhaj në Samitin World Changers: Shqiptarët duhet të përfitojnë nga revolucioni i madh i teknologjisë

    Hoxhaj në Samitin World Changers: Shqiptarët duhet të përfitojnë nga revolucioni i madh i teknologjisë

    Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka marr pjesë si folës në Samitin World Changers Balkan, i cili është mbajtur dje në Shkup.

    Ish-ministri i jashtëm, Enver Hoxhaj, deputet i PDK-së në Kuvend, në fjalën e tij në Samit, para shumë politikanëve ballkanas dhe ndërkombëtar, ka thënë se shqiptarët duhet të ecin me kohën dhe të përfitojnë nga revolucioni i madh i teknologjisë, siç është inteligjenca artificiale, ku veçse ndodhet bota e fuqishme.

    “Ky do jetë dallimi në të ardhmen, në mes të vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim, ku shqiptarët asesi nuk guxojnë që të mos ecin me kohën dhe të mos përfitojnë nga revolucioni i madh i teknologjisë në të cilin veçse ndodhet bota e fuqishme!”, ka thënë Hoxhaj në Samit.