ATV

Category: Lajme

  • KEDS tregon se ku do të ketë ndërprerje të rrymës të dielën

    KEDS tregon se ku do të ketë ndërprerje të rrymës të dielën

    Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) bën të ditur se të dielën, më 13.10.2024, do të kryhen punime të domosdoshme për siguri të sistemit energjetik.

    Si rezultat i kësaj, në disa lokacione të Prishtinës do të ketë ndërprerje të rrymës.

    Ky është orari sipas lokacioneve në Prishtinë:

    Njoftime për punime të domosdoshme për siguri të sistemit

    1.

    NS 110/10[kV] Prishtina 6

    Nga Dalja 10 kV PTK Dispeqingu do te nderprehet:

    NS 10/04kV TS Dispeçingu (kodi: 19100014048) nga ora 07:00 deri në orën 19:00

    Vendet: TS 048 Dispeqingu, KOSTT, Bankomati i BKT afër zyrave të KEDS dhe ATK.

    Arsyeja: Ndërprerje emergjente për siguri.

    2.

    NS 110/10[kV] Prishtina 6

    Nga Dalja 10kV PTK Dispeçingu do të nderprehet:

    NS 10/0.4kV TS Dispeçingu (S-kek) (kodi: 12000017168) nga ora 07:00 deri në orën 19:00

    Vendet: TS 048 Dispeçingu, KOSTT, Bankomati i BKT afër zyrave te KEDS dhe ATK .

    Arsyeja: ndërprerje për siguri, ndërrimi i pikës furnizuese të ndërtesës KEDS.

  • Kardiologjia Invazive këtë vit synon rekord të intervenimeve, funksionojnë me dy salla operative

    Kardiologjia Invazive këtë vit synon rekord të intervenimeve, funksionojnë me dy salla operative

    Shërbimi i Kardiologjisë Invazive në kuadër të Klinikës së Kardiologjisë, ka shënuar numër rekord të intervenimeve, përfshirë procedura të koronarografisë dhe stentimeve. Kështu ka bërë të ditur për Ekonomia Online, drejtori i kësaj klinike, Daut Gorani.

    Gorani ka thënë se këtë vit synojnë të shënojnë rekord të numrit të diagnostikimit dhe intervenimit, pasi vitin e kaluar kanë përfunduar 4100 procedura diagnostike të koronarografisë dhe 2800 procedura intervente të stentimit.

    Ai ka thënë se aktualisht kanë funksionalizuar edhe sallën e kateterizimit në Prizren, e cila punon dy herë në javë.

    “Ne kemi bërë një regjistrim të numrit të gjithmbarshëm të procedurave që i kemi realizuar deri tani. Vitin e kaluar, kemi punuar jashtëzakonisht shumë, kemi shënuar një rekord për herë të parë me numër kaq të madh të procedurave. Kanë qenë 4100 koronarografi dhe dikund 2800 intervenime (stentime). Po ashtu edhe sivjet jemi në rrugë të tejkalojmë rekordin e vitit të kaluar, meqenëse është bashkëngjitur edhe salla e kateterizimit në Prizren, të cilët ne po ashtu e mbulojmë me staf, janë edhe dy, tre kolegë vendor që punojnë atje. Punojmë dy herë në javë 24 orë në Prizren, ndërsa në QKUK punojmë çdo ditë. Mesatarja e punës është 15 pacientë në ditë. Sivjet po ashtu kemi një numër shumë të madh për nëntë muaj dhe numri i gjithmbarshëm i vitit të kaluar dhe sivjet deri në shtator, është 7200 procedura të koronarografisë dhe 4760 procedura të stentimit”, ka thënë Gorani.

    Gorani ka thënë se aktualisht funksionojnë me dy salla operative dhe se nganjëherë shfrytëzojnë edhe sallën e cila gjendet në Klinikën e Neurologjisë.

    “Në këto sallat tona, po ashtu edhe elektrofiziologjia, elektrostimulimi pra implantimi i pacemakerëve (bateria për zemër). Ne i kemi dy salla, salla një dhe salla dy dhe në rast nevoje ndonjëherë, e shfrytëzojmë edhe sallën e Neurologjisë. Po ashtu, në këto salla kemi filluar edhe me mbylljen e defekteve të sëmundjeve strukturale të zemrës. Këtë muaj, do të vazhdojmë procedurën e mbylljes së defektit Interatrial (vrima në zemër) nën mbikëqyrjen e profesionistëve nga Italia, ndërkohë stafi vendor komplet e bën punën”, u shpreh ai.

    E sa i përket numrit të pacientëve në këtë klinikë, Gorani i ndanë në dy grupe. Ka thënë se ka pacientë që kryejnë kontrolle të rregullta por edhe pacientë neglizhentë.

    “Ne kemi një shumëllojshmëri të pacientëve. Kemi pacientë janë shumë të vetëdijesuar për shëndetin e vet dhe vijnë e bëjnë kontrolle me rregull, bëjnë ekzaminime të duhura, trajtimin e duhur të problemeve të tyre kardiake, mirëpo natyrisht kemi edhe shumë pacientë neglizhentë, kemi pacientë të cilët nuk janë kujdesshëm, sidomos në ushqim, kanë obezitet në trajtimin e diabetit e abuzues të duhanit. Është një numër i pacientëve që janë të vetëdijshëm, disa janë të pakujdesshëm për shëndetin e tyre”.

    “Sidoqoftë, kushtet janë shumë më të mira për trajtimin e sëmundjes së zemrës. Përveç kushteve, natyrisht ka nevojë për përtëritjen e teknologjisë. Ne presim së shpejti të marrim një aparat të ri për kateterizimin e zemrës, është procedurë e sipër furnizimi me një aparat të tillë, pastaj janë aparate tjera për procedura të sofistikuara mjekësore”, ka thënë Gorani për EO.

    Gorani ka thënë se klinika që ai e drejton nuk është imune në largimin e stafit shëndetësor, por jo me një largim masiv të tyre. Ai ka thënë se vetëm dy mjekë janë larguar për në sektorin privat, ndërsa shtatë infermierë kanë migruar jashtë vendit.

    “Në anën tjetër, stafi është trajnuar jashtëzakonisht shumë. Ne kemi një numër prej 18 kardiologëve invaziv, disa prej kardiologëve janë vërtetë brilant në punën e tyre. Stafi i mesëm po kemi (largim) dikund shtatë punëtorë nga stafi i mesëm që janë larguar nga ne e kanë shkuar në shtetet tjera, për shkak të pagave më të mira, ndërsa nga mjekët nuk kemi pasur deri tani. Kemi një apo dy mjekë që kanë shkuar në sektorin privat, mirëpo ka edhe kërkesa të mëdha që të na bashkëngjiten stafit invaziv dhe kolegët që vijnë zakonisht me performancë cilësore”, ka deklaruar Gorani.

  • E diela me diell dhe vranësira, temperaturat arrijnë në 22 gradë

    E diela me diell dhe vranësira, temperaturat arrijnë në 22 gradë

    Sot, moti në Kosovë parashihet të jetë me diell e pjesërisht i vranët.

    Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat do të lëvizin nga 3 deri në 22 gradë Celsius.

    “Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 3-6 gradë celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 18-22 gradë Celsius. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i juglindjes”, njofton IHMK-ja.

  • Daçiq thotë se në Horgosh u ndalua një ish-pjesëtar i UÇK-së

    Daçiq thotë se në Horgosh u ndalua një ish-pjesëtar i UÇK-së

    Zëvendëskryeministri i Serbisë, njëherësh ministër i Brendshëm, Ivica Daçiq, ka thënë se në pikëkalimin kufitar mes Serbisë dhe Hungarisë, Horgosh, është arrestuar një person me inicialet M.I., nën dyshimet se ka kryer krime lufte kundër popullatës civile, në qershor të vitit 1999 në Prishtinë.

    Sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme serbe, Daçiq ka pretenduar se i ndaluari, së bashku me disa anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ka kryer krime lufte përmes përdorimit të forcës fizike, armëve dhe kërcënimeve ndaj banorëve të nacionalitetit serb, të cilët, sipas tij, janë dërguar më pas nëpër burgje të improvizuar dhe janë maltretuar.

    Me urdhër të Zyrës së Prokurorit, është thënë se i ndaluari do të jetë për 48 orë në mbajtje.

    Daçiq ka thënë se për shkak të hetimeve që po kryhen, nuk mund të japë më shumë hollësi.

    Në të kaluarën janë arrestuar disa herë shtetas të Kosovës, nën pretendime të tilla.

    Autoritetet e Kosovës i konsiderojnë këto ndalime si arbitrare dhe të padrejta dhe kërkojnë ndihmën e faktorit ndërkombëtar për lirimin e tyre.

    Serbia, në strategjinë e vet kombëtare 2021-2026 për ndjekje të krimeve të luftës, pretendon se ka juridiksion për të vënë drejtësi për krimet e kryera gjatë konflikteve të armatosura në vitet ’90.

    Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshje për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike, më 2013, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por bashkëpunim mes tyre për rastet e krimeve të luftës nuk ka pasur thuajse fare./REL/

  • Një polic i Kosovës ndalohet nga Serbia në Merdarë, ishte edhe pjesëtar i UÇK-së

    Një polic i Kosovës ndalohet nga Serbia në Merdarë, ishte edhe pjesëtar i UÇK-së

    Një polic i Kosovës është ndaluar sot në pikën kufitare në Merdarë, nga autoritetet e Serbisë.

    Mësohet se bëhet fjalë për një pjesëtar të Njësisë së Reagimit të Shpejtë (NJRSH) me inicialet L.B, i cili ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Aktualisht nuk dihet arsyeja e ndalimit të tij.

  • Kriza me ushqimin e FSK-së, Osmani kërkon takim me gjeneralin Jashari e ministrin Maqedonci

    Kriza me ushqimin e FSK-së, Osmani kërkon takim me gjeneralin Jashari e ministrin Maqedonci

    Pas problemeve të vazhdueshme me ushqimin e ushtarëve të FSK-së dhe shqetësimeve të ngritura edhe nga komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar një takim me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe komandantin e FSK-së.

    Kështu ka konfirmuar këshilltari për media i presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina, duke treguar se Osmani ka kërkuar një raport të detajuar nga komandanti i FSK-së për gjendjen.

    “Presidentja Osmani ka përcjellë me shqetësim situatën e krijuar ditëve të fundit sa i përket furnizimit me ushqim të ushtarëve të FSK-së, ndaj menjëherë ka kërkuar raport të detajuar nga komandanti i FSK-së”, ka thënë Kupina.

    Kupina ka thënë se shefja e shtetit ka kërkuar takim për ta diskutuar këtë çështje edhe më në detaje me komandantin e FSK-së, Bashkim Jashari dhe ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

    “Po ashtu i ka ftuar në takim për ta diskutuar këtë çështje edhe më në detaje komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Jashari, por edhe Ministrin e Mbrojtjes Maqedonci. Presidentja angazhohet, brenda kompetencave të saj, në funksion të zgjidhjes së problemit të shfaqur që ndikon pashmangshëm në operacionalitetin e FSK-së, procesin zhvillimor të saj, imazhin dhe integritetin e saj institucional”, ka thënë Kupina për Express.

    “Presidentja angazhohet, brenda kompetencave të saj, në funksion të zgjidhjes së problemit të shfaqur që ndikon pashmangshëm në operacionalitetin e FSK-së, procesin zhvillimor të saj, imazhin dhe integritetin e saj institucional”, ka shtuar tutje Kupina.

  • Navalny shkroi se e dinte që do të vdiste në burg

    Navalny shkroi se e dinte që do të vdiste në burg

    Disidenti rus, Aleksei Navalny, kundërshtari më i ashpër i presidentit rus, Vladimir Putin, ka besuar se do të vdiste në burg, sipas një libri, që pritet të publikohet më 22 tetor.

    Revista amerikane, The New Yorker ka publikuar të premten pjesë të librit në të cilin është përfshirë ditari i Navalnyt në burg, dhe dorëshkrime tjera të tij.

    “Do të kaloj pjesën e mbetur të jetës në burg dhe do të vdes këtu”, ka shkruar ai më 22 mars 2022.

    “Nuk do të kem kujt t’i them lamtumirë… të gjithë përvjetorët do të festohen pa mua. Nuk do t’i shoh kurrë nipat dhe mbesat e mia”.

    Navalny ka qenë duke kryer dënimin me 19 vjet burg, nën akuzat për “ekstremizëm”, në një burg në Arktik.

    Vdekja e tij më 16 shkurt, në moshën 47-vjeçare, është dënuar ashpër nga Perëndimi dhe shumica e kanë fajësuar Putinin.

    Navalny është arrestuar në janar të vitit 2021, pasi kthimit në Rusi nga Gjermania, ku ishte trajtuar pas një helmimi me agjent nervor në një qytet rus.

    “E vetmja gjë nga e cila duhet të kemi frikë është që t’ia dorëzojmë atdheun një bande të plaçkitësve, hajnave dhe hipokritëve”, ka shkruar ai më 17 janar 2022.

    Në dorëshkrimet e tij vërehet vetmia në burg, por pa i humbur dozat e humorit.

    Për shembull, më 1 korrik 2022, Navalny e ka përshkruar ditën e tij të zakonshme: zgjimi në orën 6:00, mëngjesi në 6:20 dhe nisja e punës në 6:40.

    “Në punë, rrini të ulur për shtatë orë duke qepur në makinë”, ka shkruar ai.

    “Pas punës, vazhdoni të rrini të ulur për disa orë në një stol druri, para portretit të Putinit. Ky quhet ‘aktivitet disiplinor’”.

    Libri, i quajtur “Patriot”, do të publikohet prej shtëpisë botuese amerikane, Knopf, e cila planifikon të publikojë edhe versionin rus.

    “Është e pamundshme të lexosh ditarin e Navalnyt në burg pa u tmerruar nga tragjedia e vuajtjeve të tij, nga vdekja e tij”, ka thënë redaktori i New Yorkerit, David Remnick.

    Në dorëshkrimin e fundit të tij, më 17 janar 2024, Navalny i përgjigjet pyetjes që i kanë bërë shumë persona në burg, se pse është kthyer në Rusi.

    “Nuk dua të heq dorë nga shteti im, apo ta tradhtoj atë. Nëse bindjet tuaja do të thonë dika, duhet të përgatiteni për t’i mbajtur ato, dhe për të bërë sakrifica, nëse është e nevojshme”, ka thënë ai./REL

  • Tri viktima të luftës së fundit rivarrosën sot në Drenas, ishin në Listën e Personave të Zhdukur

    Tri viktima të luftës së fundit rivarrosën sot në Drenas, ishin në Listën e Personave të Zhdukur

    Tri viktima nga lufta e fundit që ishin në Listën e Personave të Zhdukur do të rivarrosën sot në Dranas pasi eshtrat e tyre u idenfikuan nga mbetjet mortore të gjetura në lokacionin e varrezave në Prekaz.

    Kështu ka bërë të ditur Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur.

    “Pasi identifikimit përmes analizës shkencore të ADN-së, nga mbetjet mortore (eshtrat) e zhvarrosura gjatë vitit të kaluara (nga lokacioni i varrezave në Prekaz), familjet kanë vendosur që sot në Drenas, përkatësisht në Polluzhë dhe Shtuticë, të rivarrosen: Xhavit Maloku nga Polluzha, Agim Syla dhe Besim Berisha nga Shtutica, viktima të luftës që ishin në Listën e Personave të Zhdukur”, ka thënë ai.

    “Me këtë rast, Komuna e Drenasit , në nderim të viktimave të luftës, Xhavit Maloku, Agim Syla, Besim Berisha, dhe Ramadan Hoxha (rivarrosur më 1 tetor 2024) e Gani Baleci (rivarrosur më 14 korrik 2024), organizon Mbledhje Përkujtimore, duke filluar nga ora 12:00 në Sallën e Kulturës, për të vazhduar pastaj me ceremonitë e rivarrimit në Polluzhë (ora 14:00) dhe Shtuticë (ora 15:00), me përkrahjen e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur Qeveritar për Persona të Zhdukur, Ministrisë së Mbrojtjes/Forcës së Sigurisë së Kosovës, Institutit për Mjekësinë Ligjore, Kryqi i Kuq i Kosovës / Red Cross of Kosova dhe Shoqatës së Familjeve ‘ For New Life Kosovo’”, ka shtuar ai.

    Gara tha se ata lanë pas një trashëgimi: “lirinë që gëzojmë”.

    “Lavdi e nderim, mirënjohje për guximin dhe sakrificën e trimave, dëshmorëve, të rënëve dhe gjithë viktimave të luftës, që janë shembulli frymëzues i guximit dhe vendosmërisë njerëzore. Ata lanë pas një trashëgimi të madhe për te të gjithë, duke na dhënë lirinë që gëzojmë sot”.

  • Tensionet etnike në veri mbeten rrezik për dhunë, thotë zyrtari i NATO-s

    Tensionet etnike në veri mbeten rrezik për dhunë, thotë zyrtari i NATO-s

    Admirali i Marinës së ShBA-së Stuart B. Munsch, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli – e cila mbikëqyr KFOR-in – tha se aleanca mbetet e shqetësuar për rrezikun e dhunës së përsëritur në veriun e paqëndrueshëm.

    “Retorika e nxehtë politike mund të frymëzojë disa forca joqeveritare për të kryer dhunë siç ndodhi vitin e kaluar”, u tha Munsch gazetarëve në Prishtinë.

    “Nuk do të thosha se përfundimisht po vjen konflikti, mendoj se ka një rrezik të vazhdueshëm”, tha ai, duke iu referuar mungesës së progresit në bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe Serbisë.

  • LDK: Dështimet e qeverisë në furnizimin me ushqim, po rrezikojnë ushtarët e Kosovës

    LDK: Dështimet e qeverisë në furnizimin me ushqim, po rrezikojnë ushtarët e Kosovës

     

    Lidhja Demokratike e Kosovës në konferencën e mbajtur sot, ka ngritur shqetësimet dhe ka kërkuar llogaridhënie nga qeveria për krizën me ushqimin e ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës Anton Quni dhe Armend Zemaj, gjatë konferencës thanë se dështimet e qeverisë në furnizimin me ushqim, po rrezikojnë ushtarët e Kosovës.

    “Kjo situatë alarmante, e konfirmuar nga Komandanti Jashari në një letër drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes, është një pasojë e drejtpërdrejtë e dështimit të qeverisë për të planifikuar dhe menaxhuar shërbimet thelbësore për ushtrinë tonë. Situata nuk është thjesht një çështje e vonesave në ushqim—është një çështje shëndeti, sigurie dhe gatishmërie operacionale. Ushtarët tanë tani përballen me kërcënimin real të helmimit nga ushqimi dhe infeksionit për shkak të kushteve të përkeqësuara higjienike dhe shërbimeve ushqimore të pasigurt.”

    Në konferencë po ashtu u tha se në këtë situatë jemi shkaku i varësisë së qeverisë nga kontratat emergjente për blerje, të menaxhuara pa transparencë ose llogaridhënie.

    Prandaj Lidhja Demokratike e Kosovës ka një plan të qartë për ta rregulluar këtë. Nën drejtimin e LDK-së, blerja e ushqimit dhe shërbimeve të tjera thelbësore për FSK-në do të menaxhohet me profesionalizëm, transparencë dhe parashikim. Ne do të prezantojmë standarde ndërkombëtare për të siguruar që ushtarët tanë të mos lihen më kurrë në pozita të tillë të rrezikshme.