ATV

Category: Lajme

  • Serbët e Kosovës me pasaporta serbe nga sot mund të udhëtojnë në vendet e BE’së pa viza

    Serbët e Kosovës me pasaporta serbe nga sot mund të udhëtojnë në vendet e BE’së pa viza

    Bartësit e pasaportave serbe nga Kosova, të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë, prej sot mund të udhëtojnë pa viza në vendet e BE-së, pasi ka hyrë fuqi Rregullorja për heqjen e vizave, e cila është publikuar në Gazetën Zyrtare të BE-së më 23 shtator.

    “Kjo Rregullore është plotësisht e detyrueshme dhe zbatohet drejtpërdrejt në shtetet anëtare në përputhje me Traktatet”, shkruan në dokument, raporton televizioni publik serb RTS.

    Danijell Apostolloviq, ambasadori i Serbisë në BE, ka thënë se ky është një lajm i mirë, sepse sipas fjalëve të tij, “eliminoi padrejtësinë dhe trajtimin diskriminues të BE-së ndaj serbëve nga Kosova”, sepse ata ishin të fundit nga Ballkani Perëndimor që iu mundësua regjimi pa viza.

    Ai ka thënë se vendimi ishte rezultat i një lufte diplomatike të zyrtarëve serbë.

    “Siç e dini, pala prishtinase e kundërshtoi miratimin e këtij vendimi, me argumente “të pakuptimta”, e cila edhe një herë tregoi jokonstruktivitet dhe mbi të gjitha qëndrim çnjerëzor ndaj qytetarëve dhe se qëllimi i tyre nuk është normalizimi i përditshmërisë së njerëzve. Për fat të mirë argumentet e palës sonë fituan”, ka thënë Apostolloviq.

    Ai ka shprehur mirënjohjen e tij për komisioneren Ilda Johansson, për Matjazh Nemec, i cili ishte raportues për këtë çështje, si dhe deputetë të shumtë të Parlamentit Evropian që e miratuan këtë vendim me shumicë votash. Prej tyre 406 votuan për, 97 ishin kundër, përkujtoi ambasadori Apostolloviq.

    Më 18 shtator, në Strasburg, përfaqësuesit e Parlamentit Evropian (PE) dhe Këshillit të Bashkimit Evropian (BE) nënshkruan ligjin për heqjen e vizave për serbët e Kosovës me pasaporta të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë, të cilat Kosova i cilëson si ilegale.

    Më 22 korrik, Këshilli i BE-së miratoi vendimin për heqjen e vizave për mbajtësit e këtyre pasaportave.

  • KQZ-ja diskuton për buxhetin për vitin 2025

    KQZ-ja diskuton për buxhetin për vitin 2025

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot do të mbaj mbledhjen e radhës në të cilën parashihet që të shqyrtohet dhe miratohet qarkorja buxhetore për vitin 2025.

    Sipas njoftimit për medie, mbledhja do të filloj në ora 13:30 në zyrat e KQZ.

    Rendi i plotë i ditës:

    1. Hyrje: z. Kreshnik Radoniqi, Kryesues i mbledhjes së KQZ-së

    2. Procesverbali i mbledhjes së KQZ Nr.53, 54 dhe 55/2024

    3. Aktivitetet e SKQZ

    4. Raportet e Këshillave 4.1.1 Shqyrtimi dhe miratimi i Qarkorës së Buxhetit 2025/2, qarkorja finale dhe kufijtë buxhetor.

    5. Të ndryshme

  • Zhduket një grua në Prizren

    Zhduket një grua në Prizren

    Një grua është raportuar e zhdukur në Prizren.

    Lidhur me rastin, policia ka nisur hetimet.

    “Është raportuar se viktima femër kosovare ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet vendndodhja e saj. Njësitë relevante policore janë duke e hetuar rastin për të cilin është njoftuar prokurori”, thuhet në raportin policor.

  • IML pa staf mbështetës, s’ka sociolog e psikolog

    IML pa staf mbështetës, s’ka sociolog e psikolog

    Në Institutin e Mjekësisë Ligjore nuk ka staf mbështetës. Mjeku mundohet ta kryejë funksionin e psikologut për mbështetje të viktimës nga dhuna. E domosdoshme shihet mbikëqyrja e viktimës nga profesionistë të shëndetit mendor e social.

    Në Institutin e Mjekësisë Ligjore, stafi i ekspertëve kryen dokumentimin e dëmtimeve dhe pjesës klinike mjeko-ligjore.

    Por në këtë institut mungon stafi mbështetës.

    “Ne nuk kemi staf mbështetës, sociolog, psikolog për mbështetjen e mëtutjeshme të viktimave. Por fatkeqësisht ne funksionojmë në këto kushte që i kemi dhe mundohet mjeku me e marrë detyrën ose funksionin që e kish kry psikologu në një situatë tjetër”, tha doktoresha Bergita Curri.

    Prandaj nga IML e shohin më se të nevojshme që stafi mbështetës të jetë pjesë e këtij instituti.

    “Do të kishte qenë mirë me e pasë një psikolog, sidomos për faktin se ne kemi të bëjmë me viktimat e moshës së ulët, ndonjëherë kemi edhe fëmijë të cilët është shumë e vështirë me i qetësu edhe me i sjell deri në situatën që ata të bashkëpunojnë për ta kryer ekzaminimin”, tha ajo.

    Punën e profesionistëve të shëndetit mendor e social e tregon sociologu Genc Xërca.

    “Mund të dimë gjendjen e viktimës çfarë është. Pastaj të jepen predispozita dhe këshillime se si të vazhdohet më tutje me trajtime; a të kthehet në rrethin e mëparshëm tek familja apo t’i gjindet ndonjë strehim i përkohshëm dhe adaptimi apo integrimi në shoqëri. Pra këto kapacitete psikologjike dhe sociale janë të domosdoshme që ta mbikëqyrin viktimën dhe të jepin rekomandime”, tha Xërca.

    Nga Ministria e Drejtësisë është paraparë renovimi i Institutit të Mjeksësisë Ligjore në vlerë mbi 800 mijë euro.

  • Grupi parlamentar i VV-së mban konferencë për medie

    Grupi parlamentar i VV-së mban konferencë për medie

    Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje sot do të mbajë konferencë për media.

    Ngjarja nis nga ora 11:00 në zyret e këtij grupi në Kuvendin e Kosovës.

    Nuk dihet se kush do të jenë folësit apo cila do të jetë tema që do të trajtohet.

  • Mbahet samiti i Procesit të Berlinit, Kosova përfaqësohet nga kryeministri Kurti

    Mbahet samiti i Procesit të Berlinit, Kosova përfaqësohet nga kryeministri Kurti

    Sot në kryeqendren gjermane, do të mbahet samiti i radhës i Procesit të Berlinit.

    Kosova, aty do të përfaqësohet nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

    Ky vit do të jetë jubilar i 10-ti me radhë, kumbara e së cilës ishte kancelarja Angela Merkel.

    Qëllimi i kësaj nisme ishte nxitja e bashkëpunimin rajonal, pajtimin dhe integrimin në BE ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor përmes mbështetjes ekonomike, politike dhe infrastrukturore.

    Në kuadër të kësaj deri më tani janë nënshkruar rreth 15 marrëveshje, që mbulojnë aspekte të ndryshme siç janë tregtia, lëvizja e lire, transformimi digjital, bashkëpunimi në infrastrukturë dhe energji.

    Marrëveshjet zakonisht nënshkruhen në nivel të liderëve, të cilët në kuadër të kësaj iniciative takohen një herë në vit.

    Në mungesë të përparimit të dukshëm shteteve të rajonit në proceset e integrimeve evropiane, ku shtete e rajonit janë në faza të pabarabarta, procesi i Berlinit ka ndihmuar që zgjerimi i Bashkimit Evropian të mbahet lart në agjendë të Brukselit.

    Procesi i Berlinit vazhdon të luajë një rol vendimtar në nxitjen e bashkëpunimit dhe zhvillimit në Ballkanin Perëndimor.

    Këtë vit, Kosovës iu mundësua pjesëmarrja falë zhbllokimit të CEFTA-s, gjë që e parandaloi përjashtimin e vendit tonë nga ky samitm të vetmes platformë ku Kosova përfaqësohet e barabartë.

    Pjesëmarrja e Kosovës në Procesin e Berlinit ka ofruar një platformë për dialog dhe bashkëpunim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe ato që nuk e njohin pavarësinë e saj.

  • Ushqimi në FSK, Kuvendi me seancë të jashtëzakonshme

    Ushqimi në FSK, Kuvendi me seancë të jashtëzakonshme

    Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancë të jashtëzakonshme.

    Në rend dite do të jetë trajtimi i problemit të furnizimit me ushqim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

    Seanca nis nga ora 12:00.

    Deputetët sot do të mblidhen me iniciativën e AAK-së.

  • Moti sot: Me diell dhe vranësira, temperatura deri në 21 gradë Celsius

    Moti sot: Me diell dhe vranësira, temperatura deri në 21 gradë Celsius

    Ditën e sotme moti do të jetë me diell dhe vranësira të shpërndara.

    Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 3 dhe 7 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 18 dhe 21 gradë Celsius, njofton Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.

    Do të fryjë erë kryesisht nga drejtimi i veriperëndimit e lehtë deri mesatare.

  • NATO fillon një stërvitje bërthamore: Ne jemi gati të mbrohemi

    NATO fillon një stërvitje bërthamore: Ne jemi gati të mbrohemi

    NATO fillon stërvitjen e saj vjetore bërthamore, në të cilën do të marrin pjesë rreth 2000 personel ushtarak nga tetë baza ajrore gjatë dy javëve të ardhshme, me theksimin se nuk është një përgjigje ndaj pushtimit rus të Ukrainës, por me një sinjal të qartë për Moskën, se NATO është gati të mbrohet.

    Në stërvitjen “Steadfast Noon”, 60 avionë do të marrin pjesë në fluturime stërvitore mbi Evropën Perëndimore. Këto përfshijnë avionë luftarakë të aftë për të mbajtur bomba bërthamore amerikane të stacionuara në Evropë dhe bombardues me rreze të gjatë, si dhe aeroplanë vëzhgimi dhe furnizimi me karburant.

    “Asnjë nga stërvitjet nuk do të përfshijë armë luftarake”, tha NATO.

    Stërvitja e këtij viti do të zhvillohet në bazat ajrore në Belgjikë dhe Holandë, si dhe në hapësirën ajrore mbi Britaninë, Danimarkën dhe Detin e Veriut. Avionët pjesëmarrës vijnë nga gjithsej 13 vende të aleancës.

    NATO thekson se Mesdita e palëkundur është një “aktivitet stërvitor rutinë dhe i përsëritur” dhe jo një përgjigje ndaj pushtimit rus të Ukrainës. Megjithatë, synohet t’i dërgohet një sinjal i qartë Moskës se NATO është e gatshme të mbrohet me armë bërthamore nëse është e nevojshme.

    “Parandalimi bërthamor është një gur themeli i sigurisë aleate,” tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte.

    Dhe Mesdita e palëkundur, shtoi ai, është një provë e rëndësishme e parandalimit bërthamor të Aleancës dhe i dërgon një mesazh të qartë çdo kundërshtari se NATO do të mbrojë dhe mbrojë të gjithë aleatët.

  • Maqedonci ia kthen Serbisë: Prej kur keni filluar t’a ruani prerjen e pyllit me ushtarë të armatosur?

    Maqedonci ia kthen Serbisë: Prej kur keni filluar t’a ruani prerjen e pyllit me ushtarë të armatosur?

    Kryeministri Albin Kurti, mbrëmë tha se forcat e ushtrisë serbe janë afruar rreth 50 metra afër kufirit në ditën e shtunë, duke thënë se trupat ushtarake serbe janë larguar pasi kanë vërejtur se autoritetet e Kosovës i kanë incizuar veprimet e tyre.

    Por, ndaj këtij deklarimi të Kurtit, reagoi Ministria serbe e Mbrojtjes e cila ka akuzuar Kurtin për “vazhdim të fushatës dezinformuese kundër ushtrisë dhe forcave serbe të sigurisë”, duke thënë se “autoritetet e sigurisë me aktivitetet e tyre kanë ndalur aktivitetet ilegale të bartjes së lëndëve drunore në territorin e Kosovës, me ç ‘rast hajdutët e drunjve kanë ikur në Kosovë”.

    Ndaj kësaj deklarate të autoriteteve serbe ka reaguar ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci i cili ka thënë se Serbia pas rasteve të tilla gjithmonë mundohet të arsyetohet.

    “Prej kur paska filluar ushtria serbe të kryej detyra të ruajtjes së pyjeve dhe për më tepër me ushtarë të armatosur me armë dhe pajisje taktike si dhe me automjete të blinduara ushtarake? Sepse sipas ligjit të pyjeve të Republikës së Serbisë, konkretisht në nenin 40 të tij, është përcaktuar qartë se rojet e pyjeve në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave janë të vetmit zyrtarë për ruajtjen e pyjeve dhe pengimin e prerjes ilegale të tyre brenda territorit të Serbisë. Në vazhdimësi, Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Serbisë përpiqet që prezencën e shtuar ushtarake të ushtarëve serbë në afërsi të territorit të Republikës së Kosovës, ta arsyetoj duke përdorur justifikime tërësisht të paqëndrushme, siç përpiqet që edhe ushtrimet me avionë luftarakë sulmues dhe dronë vetvrasës sulmues, siç ishte ushtrimi “Vihor 2024” në Peshter, t’i paraqes si përgatitje ushtarake për mbrojtje të territorit”, ka shkruar Maqedonci.

    Ai ka thënë se veprime të tilla të Serbisë janë tregues të qasjes hegjemoniste dhe agresive të Serbisë në raport me Kosovën dhe fqinjët e tjerë.

    “Militarizimi i vazhdueshëm i Serbisë dhe veçanërisht vendosja e shumë kapaciteteve ushtarake në jug të territorit të saj, është një tregues për vazhdimësinë e qasjes hegjemoniste dhe agresive të Serbisë në raport me Kosovën dhe fqinjët e tjerë. Gjithsesi, Republika e Kosovës qëndron e palëkundur në rrugëtimin e saj për integrime euro-atlantike dhe do të mbetet gjithmonë e vendosur që të zhvilloj kapacitete ushtarake sipas standardeve të NATO-s, të afta për të mbrojtur territorin dhe sovranitetin e vendit dhe për të kontribuar për paqe dhe siguri në botë”, ka shkruar Maqedonci.