ATV

Category: Lajme

  • Murati: Raporti i ASK-së konfirmon edhe rritjen e pagave

    Murati: Raporti i ASK-së konfirmon edhe rritjen e pagave

    Ministri i Financave Hekuarn Murati ka thënë se raporti i publikuar i ASK-së konfirmon rritjen e pagave në sektorin publik.

    Murati ka shkruar në Facebook se sipas raportit, në vitin 2023, paga mesatare ishte rritur me 18% krahasuar me nivelin e vitit paraprak, si rezultat i hyrjes në fuqi të Ligjit të Pagave ne Sektorin Publik.

    “Edhe njëherë, si çdoherë tjetër, demantohen të pavërtetat e opozitës sa i përket rritjes së pagave. Pra, vetëm i duhet lënë kohës”, ka shkruar Murati.

  • Haziri: Një shtet pretendent për të hyrë në NATO, nuk po mundet t’ia sigurojë ‘pasulin’ ushtrisë

    Haziri: Një shtet pretendent për të hyrë në NATO, nuk po mundet t’ia sigurojë ‘pasulin’ ushtrisë

    Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lufti Haziri ka thënë se një shtet pretendent për të hyrë në NATO, nuk po mundet të ia sigurojë ushqimin ushtrisë së vet.

    Për këtë, Haziri fajtor e lë kryeministrin Albin Kurti.

    “Me u mundu të zgjidhësh problemin e ushtrisë me mensën e studentëve, është diçka krejt tjetër. E ka kthyer krejt prapë. Është një njeri që e ka kundërshtuar dhe 17 shkurtin, e ai sot po e izolon si kryeministër, po ia shkakton dhimbjen më të madhe. Një shtet pretendent për të hyrë në NATO, nuk po mundet të ia garantojë pasulin ushtrisë”, u shpreh Haziri, Klankosova.tv.

    “Ministri Maqedonci ka imunitet, është i përgatitur, dhe mendoj se po bëhet goditje ndaj tij”, u shpreh Haziri sa i përket ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedoncit.

  • Gjobiten dy shoferë në Ferizaj, tejkaluan shpejtësinë

    Gjobiten dy shoferë në Ferizaj, tejkaluan shpejtësinë

    Policia e Komunikacionit Rrugor në rrugën transitore në mes të fshatrave Varosh-Gërlicë të Ferizajt, ka ndaluar dy shoferët: B.M (F/K), e moshës 22-vjeçare, e cila zhvilloi shpejtësi 149 km/h në zonën e kufizimit 60 km/h dhe A.S (M/K) i moshës 22-vjeçar, i cili zhvilloi shpejtësi 135, në zonën e kufizimit 60 km/h.

    Krahas gjobës, atyre i janë shqiptuar edhe nga tri pikë negative dhe u është marrë leja për tre muaj.

    Njoftimi i plotë:

    Policia e Komunikacionit Rrugor me datën 12.10.2024 rreth orës 00:30 në rrugën transitore në mes të fshatrave Varosh-Gërlicë të Ferizajt, ka ndaluar dy shoferët: B.M (F/K), e moshës 22 vjeçare, e cila zhvilloi shpejtësi 149 km/h në zonën e kufizimit 60 km/h dhe A.S (M/K) i moshës 22 vjeçar, i cili zhvilloi shpejtësi 135, në zonën e kufizimit 60 km/h.

    Ndaj tyre policia u shqiptoi nga një gjobë kundërvajtëse prej treqind (300) euro, 3 pikë negative dhe masë mbrojtëse prej tre (3) muajve.

    Policia Rajonale e Ferizajt do të vazhdojë me aktivitete të shtuara,me synim parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor dhe apelojmë tek shoferët që të bëjnë kujdes, të respektojnë shenjat e trafikut.

    Ndërsa, ftojmë qytetarët që të bashkëpunojnë më policinë.

    Për të gjitha kundërvajtjet që shkaktohen në komunikacion, të njoftojnë menjëherë stacionin më të afërt të policisë, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat kujdestarë : 192,0290/326-250 & 0290/322-406.

  • Haziri për Hysenin: Jemi të gatshëm ta ndihmojmë që të dalë nga kjo situatë

    Haziri për Hysenin: Jemi të gatshëm ta ndihmojmë që të dalë nga kjo situatë

    Ish-kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka mbajtur një konferencë për media ku ka folur rreth qeverisjes aktuale të kësaj komune.

    Ai pati një varg kritikash për punën e kryetarit aktual të komunës Alban Hyseni.

    Haziri tha se LDK është e gatshme ta ndihmojë Hysenin të dalë nga kjo situatë.

    “Ne mundemi me i huazu kuadrot tona. Ne i lusim njerëzit tonë, i thojmë për plan ekonomik, zhvillimor, urban, çfarëdo nëse komuna ka edhe këshilltarët komunal edhe profesionistë, unë jam i gatshëm që me i lutë kolegët e mi, 5, 10 apo 50 me i ulë edhe me thirrë z. Hyseni dhe t’i diskutojmë 2 ditë apo 3 ditë edhe me i ndihmu në menaxhimin e projekteve, edhe të planifikimit edhe të zbatimit, duke e përfshirë edhe vetën time”, tha Haziri.

    Nënkryetari i LDK-së tha se në moshën e Alban Hysenit, ai ka qenë pjesë e vendimarrjeve të mëdha që e kanë sjellur pavarësinë.

    “Në moshën e tij unë kam menaxhu me ekipin e unitetit dhe ësht shkaktuar 17 shkurti”, tha Haziri gjatë konferencës.

  • Serbia thotë se ushtarët afër kufirit penguan kontrabandën me drunj

    Serbia thotë se ushtarët afër kufirit penguan kontrabandën me drunj

    Ministria serbe e Mbrojtjes ka reaguar ndaj deklarimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti se forcat e ushtrisë serbe janë afruar rreth 50 metra afër kufirit në ditën e shtunë, duke thënë se “autoritetet e sigurisë”, kanë ndërprerë “kontrabandën me drunj të prerë ilegalisht”.

    Në një komunikatë të lëshuar më 13 tetor, autoritetet serbe kanë akuzuar Kurtin për “vazhdim të fushatës dezinformuese kundër ushtrisë dhe forcave serbe të sigurisë”.

    “Në postimin në rrjetet sociale shihen pjesëtarët e forcave të armatosura të Serbisë në zonën e sigurisë tokësore duke kryer detyra të rregullta për sigurimin e linjës administrative, në përputhje me marrëveshjet ushtarako-teknike dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të nënshkruara”, është thënë në njoftim.

    Mes tjerash është përmendur që zyrtarë ushtarakë që shihen nëpër fotografi kanë qenë duke parandaluar kontrabandën.

    “Autoritetet e sigurisë me aktivitetet e tyre kanë ndalur aktivitetet ilegale të bartjes së lëndëve drunore në territorin e Kosovës, me ç ‘rast hajdutët e drunjve kanë ikur në Kosovë”, është thënë në reagim.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të shtunën mbrëma se Serbia ka provokuar sërish, “duke lëvizur trupat e saj rreth 50 metra afër vijës kufitare me Kosovën”, më saktësisht afër Komunës së Kamenicës.

    Duke shpërndarë disa fotografi në Facebook, Kurti ka thënë se trupat ushtarake serbe janë larguar pasi kanë vërejtur se autoritetet e Kosovës i kanë incizuar veprimet e tyre.

    “Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë investime të paprecedenta në ngritjen dhe përmirësimin e kapaciteteve të strukturave të inteligjencës, sigurisë dhe mbrojtjes, të cilat janë të gatshme për të parandaluar çdo kërcënim ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të shtetit tonë”.

    Ky postim i Kurtit është bërë pak javë pas shënimit të përvjetorit të parë të sulmit në Banjskë të Zveçanit.

    Në shtator të vitit të kaluar, një grup i armatosur serb, e ka sulmuar Policinë e Kosovës, duke lënë të vrarë rreshterin, Afrim Bunjaku.

    Në këmbim e sipër të zjarrit, më pas, janë vrarë edhe tre sulmues serbë.

    Kosova fajëson Serbinë për organizim dhe kryerje të sulmit, por Beogradi i mohon të gjitha.

    Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

    Autoritetet e Kosovës kanë ngritur aktakuzë ndaj tij dhe dhjetëra personave tjerë, që besohet se janë të lirë në Serbi. Tre prej tyre janë të arrestuar në Kosovë.

    Kosova dhe Serbia ndajnë një vijë kufitare të gjatë rreth 350 kilometra.

    Mbi 60 për qind e kësaj vije përfshin komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

    Një pjesë e mirë është zonë me terren të vështirë, të pabanueshëm.

    Dy vendet e kanë arritur marrëveshje për menaxhim të integruar të kufirit në dhjetor të vitit 2011.

    Për Kosovën vija kufitare është kufi, për Serbinë vijë administrative./REL

  • Shahini: Ekonomia kombëtare po vuan nga mos konsumimi i produkteve vendore

    Shahini: Ekonomia kombëtare po vuan nga mos konsumimi i produkteve vendore

    Kryetari i Aleancës Kosovare e Bizneseve, Agim Shahini ka deklaruar se u bë hapja e Panairit tradicional ushqimor Agro Tirana 7 në Tiranë i organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe Bashkia e Tiranës.

    Përmes një njoftimi në Facebook, Shahini ka thënë se ekonomia kombëtare po vuan nga mos konsumimi i produkteve vendore si nga Kosova dhe Shqipëria, raporton Ekonomia Online.

    Nikolin Jaka kryetar i DHTI në Tiranë tha se tregu kombëtar po bëhet për çdo ditë e më shumë interesant për kompanitë vendore dhe ato të huaja.

    Në këtë Panairi po marrin pjesë kompani edhe fermer nga Shqipëria dhe Kosova.

  • Bajrami: Manipulimet s’ndalen, LVV lavdërohet me “Planin e Rritjes”, s’e përmend që për të përfituar duhet zbatuar Asociacioni

    Bajrami: Manipulimet s’ndalen, LVV lavdërohet me “Planin e Rritjes”, s’e përmend që për të përfituar duhet zbatuar Asociacioni

    Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami thotë se Lëvizja Vetëvendosje nuk po i ndalë “manipulimet me numra”.

    Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka thënë se zbatimi i marrëveshjeve nga dialogu me Serbinë është kushti për Kosovën për të pasur qasje në milionat e BE-së.

    “Derisa masat ndeshkuese të BE-së po i kushtojnë Kosovës qindra miliona Euro, Zyra e propagadës së LVV po lavdërohet se Kosova përfiton 880 milionë Euro nga “Plani i Rritjes”, ndërsa nuk po tregojnë se për të përfituar nga këto fonde kusht për Kosovën është zbatimi i marrëveshjes së Brukselit dhe i ankesit të Ohrit Manipulimet me numra nuk kanë të ndalur, dje LVV paska dalë me komunikatë se Kosova përfiton 880 milionë Euro”, shkroi Bajrami në një postim në Facebook.

    Ajo ka përmendur disa fakte, duke treguar se për të përfituar nga fondi që i afrohet 1 miliardëshit, Kosova duhet ta zbatojë edhe Asociacionin.

    “Lë t’i themi disa fakte: Është e vërtetë se Kosova është pjesë e “Planit të Rritjes” (Growth Plan) që është një fond prej 6 miliardë Euro për Ballkanin Përendimor, për periudhën 2024-2027, prej tyre 2 miliardë Euro janë grante, pjesa tjetër është kredi, por gjithashtu është e vërtetë se Kosova nuk i ka përfitu 880 milionë Euro, Kosova ka potencial të përfitoj këto mjete kur t’i plotëson kushtet që vendosën nga BE. Është e ditur se edhepse për Kosovën nuk ishte parakusht për tu bërë pjesë e Planit të Rritjes, për të përfituar nga ky fond përpos kritereve teknike Kosova duhet të zbatoj të gjitha detyrimet e dala nga marrëveshja për normalizim dhe ankesi i Ohrit, pra edhe Asociacioni”, shkroi Bajrami.

    Ajo përmendi grantet milionëshe në bujqësi, projektin e riciklimit të mbeturinave, projektin për trajtimin e ujit dhe mbeturinave e rehabilitimin e rrjetit të KOSTT-it, që janë pezulluar për shkak të masave ndëshkuese nga BE-ja.

  • Pse shtatzënat duhet patjetër të marrin vitaminën D

    Pse shtatzënat duhet patjetër të marrin vitaminën D

    Fëmijët që lindin me nivele të ulëta të vitaminës D janë në rrezik më të lartë të kenë tension të lartë dhe të sëmuren më shpesh, ka treguar një studim i ri.

    Bebet, vitamina D e të cilave është në nivele të ulta në lindje, kanë rrezik 60 për qind më të madh të zhvillimit të tensionit të lartë të gjakut sistolik midis moshave gjashtë dhe 18, sipas studimit të Shoqatës Amerikane të Zemrës.

    Nëse nëna e një fëmije nuk merr vitaminën D mjaftueshëm nga ushqimi, ekspozimi në diell ose shtesat gjatë kohës sa është shtatzënë, foshnjat nuk do të jenë në gjendje të absorbojnë siç duhet kalciumin që kanë nevojë për të zhvilluar eshtra të forta.

    Kjo mund të ketë efekte katastrofike për shëndetin e tyre kardiak më vonë në jetë, duke rritur rreziqet e zhvillimit të sëmundjeve të zemrës.

  • Parashikimi i motit për javën e ardhshme, temperaturat deri në 23 gardë Celsius

    Parashikimi i motit për javën e ardhshme, temperaturat deri në 23 gardë Celsius

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovë ka njoftuar se gjatë javës së ardhshme parashihet të mbaj mot me diell dhe vranësira të shpërndara, raporton EO.

    Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 3-7 gradë Celsius, kurse maksimalet gjatë ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 18-21 gardë Celsius.

    “E martë- Mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 3-5 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 20-23gradë Celsius. Në mëngjes nëpër ultësira parashihet mjegull e radiacionit, si pasojë e amplitudave të theksuara të temperaturave . Do të fryjë erë kryesisht nga veriperëndimi me shpejtësi 1-3m/s. E mërkurë- Do të mbajë mot me diell dhe vranësira të pjesëshme.

    Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 3-6 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 18-22 gradë Celsius. Në mëngjes parashihet që në shumë vende, kryesisht viseve të larta dhe atyre me afërsi rreth lumenjëve , të ketë mjegull. Do të fryjë erë nga drejtimi i juglindjes me shpejtësi 1-4/m/s. E enjte- Do të mbajë mot kryesisht i vranët. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 2-4gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 17-20gradë Celsius. Në mëngjes në shumë territore parashihet mjegull. Do të fryjë erë kryesisht nga jugperëndimi e lehtë deri mesatare”, thuhet në njoftim.

    “Vranësirat gjatë ditës do të dendësohen duke krijuar kushte për riga shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 3-5-gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 14-17-gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i jugperëndimit me shpejtësi 1-7 m/s. Kushtet biometeorologjike dhe agrometeorologjike paraqiten të mira”, thuhet në njoftim.

  • Tërmet me magnitudë 3.7 godet Serbinë

    Tërmet me magnitudë 3.7 godet Serbinë

    Mëngjesin e sotëm në orën 04:48 një tërmet me magnitudë 3.7 të shkallës Rihter është regjistruar në rajonin e Vranjës, 10 kilometra në verilindje.

    Intensiteti në epiqendër vlerësohet në shkallët V-VI të shkallës Mercall dhe u publikua në faqen e internetit të Institutit Sizmologjik Republikan bazuar në ngjarjet sizmologjike të lokalizuara automatikisht.

    Tërmeti në Vranjë me intensitet më të dobët është ndjerë edhe në pjesën veriore të Maqedonisë së Veriut.