ATV

Category: Lajme

  • Kurti takohet me bashkatdhetarë në Berlin

    Kurti takohet me bashkatdhetarë në Berlin

    Në Berlin ishte mikpritja e radhës që iu bë Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti nga bashkatdhetarët tanë që jetojnë në Gjermani.

    I shoqëruar edhe nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, kryeministri Kurti ndau me të pranishmit e shumtë të arriturat dhe sukseset e vendit dhe qeverisjes në të gjitha fushat në këto më shumë se tre vjet e gjysmë qeverisje.

    Ai e ftoi mërgatën tonë të vijë sa më shumë e sa më shpesh në Kosovë, teksa i njohu me mundësitë institucionale që kemi krijuar për ata, përfshirë Programin për Diplomacinë Qytetare dhe mundësitë që ofron statuti i ri i Universitetit të Prishtinës për akademikët nga mërgata.

    “Për dallim nga para tri dekada kur thoshim ejani të kontriboni duke sakrifikuar, tani themi ejani të fitoni duke investuar. Në Kosovë mund të fitohet”, u shpreh kryeministri.

    Duke folur për rolin e rëndësishëm që mërgata ka luajtur ndër vite, ai tha se mbijetesa në vitet e ’80-ta dhe mbijetesa në vitet e ’90-ta me rezistencën paqësore nuk do të mund të mbahej pa ta, lufta çlirimtare gjithashtu nuk do të mund të mirëmbahej pa ta, dhe zhvillimin e pasluftës po bëhet bashkë me ta.

    Në adresimin e tij, kryeministri gjithashtu veçoi arsimin dual që në Kosovë po zhvillohet në 23 shkolla, 14 komuna dhe 12 profile nga të cilat kanë përfituar 1600 nxënës, e që bazohet dhe frymëzohet pikërisht nga vendet gjermanishtfolëse dhe për të cilat kemi mësuar shumë nga përvojat e vet mërgatës sonë.

    “Nëse ka një gjë që është më e rëndësishme edhe se ekonomia, edhe se arsimi, është lidhja e ekonomisë me arsimin”, shtoi më tej kryeministri teksa foli për përfitimet nga arsimi dual.

    Ndër të tjera, ai u bëri thirrje bashkatdhetarëve të brezit të dytë dhe të tretë që ta mësojnë gjuhë shqipe me sa më shumë përkushtim dhe disiplinë.

    “Mësimi i gjuhës shqipe është jo vetëm mundësia e dëshmia, por unë besoj është edhe garancia, se integrimi pa asimilim ndodh, dhe kjo është ajo që na duhet neve, integrim pa asimilim”, ishin fjalët e kryeministrit drejtuar të pranishmëve.

    Ky ishte takimi i katërt me radhë i kryeministrit Kurti në qytete të Gjermanisë gjatë kësaj fundjave. Paraprakisht, kryeministri ishte mirëpritur në Munih, Shtutgart dhe Këln.

  • Vdekja e dyshimtë në Pejë – Prokuroria jep detaje

    Vdekja e dyshimtë në Pejë – Prokuroria jep detaje

    Një person është gjetur sot pa shenja jetë në Pejë.

    Detaje për rastin për Insajderi ka dhënë zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi i cili shtoi se janë duke tentuar t’i zbardhin detaje e vdekjes së viktimës.

    “Një trup i pajetë në kanalin që përçon në qarshin e gjatë të Pejës është gjetur në orët e mëngjesit. Njesit relavante policore janë në vendin e ngjarjes bashkë me Prokuroren e Krimeve të Renda. Është thirrur Mjekesia ligjore për tërheqjen e trupit të pajetë dhe po ndërmerren veprime hetimore për zbardhjen e rrethanave të vdekjes së viktimës”, tha ai.

    Rastin për Insajderi e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë, Fadil Gashi duke konfirmuar se trupi i pajetë është gjetur në orët e hershme të mëngjesit të sotëm.

  • Tërmet në Serbi, dridhjet ndjehen edhe në Kosovë

    Tërmet në Serbi, dridhjet ndjehen edhe në Kosovë

    Para pak minutash, Serbia është goditur nga një tërmet.

    Dridhje të tokës janë dëgjuar edhe në disa qytete të Kosovës.

    “Magnituta e tërmetit është 3.9 – 13km në verilindje të Vranjës në Serbi. të dielën, 13 tetor 2024 rreth orës 20:46”.

    Ky termet ka ndodhur rreth 72km larg nga Prishtina.

  • ​Ankandi i trembëdhjetë i letrave me vlerë mbahet më 21 tetor

    ​Ankandi i trembëdhjetë i letrave me vlerë mbahet më 21 tetor

    Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton se më 21 tetor 2024 do të mbahet ankandi i trembëdhjetë për vitin 2024. Në këtë ankand, sipas kësaj ministrie do të emetohen Obligacione me maturitet 3 vjeçar në shumën prej 10 milionë euro.

    “Investimi në Obligacione është investim i sigurt, i garantuar me Ligjin për Borxhin Shtetëror dhe Garancitë Shtetërore, ku interesi i përcaktuar nga tregu ju garantohet për të gjithë kohëzgjatjen (3 vite) dhe është tërësisht i liruar nga tatimi. Për detaje rreth pjesëmarrjes në ankande për blerjen e letrave me vlerë, ju lutem kontaktoni ndonjërën nga Bankat Komerciale që operojnë në Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatë.

  • Kurti në Berlin takohet me ministrin britanik dhe emisarin Peach: Marrëdhëniet e mira fqinjësore janë kyçe

    Kurti në Berlin takohet me ministrin britanik dhe emisarin Peach: Marrëdhëniet e mira fqinjësore janë kyçe

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Berlin në prag të Samitit të Procesit të Berlinit, ka zhvilluar një takim me ministrin e Shtetit për Evropë, Amerikë Veriore dhe Territore të Mbretërisë së Bashkuar, Stephen Doughty dhe emisarin britanik për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach.

    “Në Berlin, në prag të Samitit të Procesit të Berlinit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim bilateral me ministrin e Shtetit për Evropë, Amerikë Veriore dhe Territore të Mbretërisë së Bashkuar, Stephen Doughty bashkë me të dërguarin e Posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach.”

    Në këtë takim është diskutuar për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bsahkuar.

    “U diskutua për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, fushat e ndryshme të bashkëpunimit ndërshtetëror, me theks tek ajo e mbrojtjes, proceset integruese Euro-Atlantike të Kosovës dhe mundësitë e reja në shërbim të thellimit të raporteve bilaterale.”

    Po ashtu ata uruan FSK’në për suksesin në “Cambrian Patrol”, ku u radhit e dyta.

    “Të dyja palët uruan Forcën e Sigurisë së Kosovës për suksesin në Garën “Cambrian Patrol” në Mbretërinë e Bashkuar, ku ekipi i FSK-së u radhit i dyti, duke u shpërblyer me medalje të argjendtë në mesin e ekipeve nga 36 shtete të ndryshme të botës.”

    Kurti ka thënë që “marrëdhëniet e mira fqinjësore janë kyçe për bashkëpunim e integrim rajonal”.

    “Ai e falënderoi ministrin e shtetit Doughty dhe emisarin Lord Peach për rolin e rëndësishëm dhe mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj republikës sonë.”

  • Tahiri: Vetëm një qeveri e paaftë si kjo ka mund ta sjellë në këtë situatë në FSK

    Tahiri: Vetëm një qeveri e paaftë si kjo ka mund ta sjellë në këtë situatë në FSK

    Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së në Kuvendin e Kosovës, Abelard Tahiri tha se nuk e kishte menduar kurrë se Kuvendi do të thërrasë seancë të jashtëzakonshme për shkak të mungesës së ushqimit për ushtrinë.

    Ai tha se vetëm një qeveri e paaftë ka mundur ta sjellë situatën këtu.

    “Megjithatë, në seancën e jashtëzakonshme që e kemi ftuar sot, përtej kritikave, fokus primar e kemi angazhimin për të gjetur një zgjidhje emergjente”, theksoi ai.

    Duhet përkujtuar që në Kuvendin e Kosovës sot do të diskutohet për problematikën e shfaqur në FSK në lidhje me furnizimin me ushqim për pjesëtarët e saj.

    Reagimi i plotë:

    Nuk e kam menduar kurrë se një ditë Kuvendi i Kosovës do të thërrasë seancë të jashtëzakonshme për shkak të mungesës së ushqimit për Ushtrinë e Kosovës. Vetëm një qeveri e paaftë si kjo, ka mundur të na sjellë në këtë situatë. Megjithatë, në seancën e jashtëzakonshme që e kemi ftuar sot, përtej kritikave, fokus primar e kemi angazhimin për të gjetur një zgjidhje emergjente, në mënyrë që urgjentisht të evitohet ky problem. Ushtria e Kosovës është krenaria jonë.

  • Kosovarëve iu ndalohen specat në kufi, gjoba shkon deri në 1500 euro

    Kosovarëve iu ndalohen specat në kufi, gjoba shkon deri në 1500 euro

    Bashkatdhetarët nga Kosova kanë tentuar të dërgojnë speca drejt vendeve të ndryshme të Evropës, veçanërisht në Gjermani dhe Zvicër, për të përgatitur turrshi tradicionale, sidomos gjatë përiudhës së vjeshtës.

    Mërgimtarët kanë publikuar në rrjetin social “TikTok”, video të cilat janë bërë virale, ku shihen shporta të mbeturinave, të mbushur me speca që janë ndaluar në kufirin mes Serbisë dhe Kroacisë.

    Kjo pasi shumë shtete nuk lejojnë transportin e këtyre produkteve përmes pikave kufitare, përcjell albinfo.

    Gjobat variojnë dhe varen prej disa faktorëve, ndërsa sipas deklaratave të disa mërgimtarëve, ka pasur raste kur janë gjobitur deri në 1500 euro.

  • Procesi i Berlinit hyn në vitin e 11-të

    Procesi i Berlinit hyn në vitin e 11-të

    Liderë të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të disa vendeve të Perëndimit, do të mblidhen të hënën në kryeqytetin gjerman, me ftesë të kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scolz, për t’i diskutuar objektivat e radhës në kuadër të Procesit të Berlinit.

    Shkurt për Procesin e Berlinit

    Organizohet prej vitit 2014, me iniciativë të kancelares së atëhershme gjermane, Angela Merkel, pas një pauze të vendosur nga zyrtarë të Bashkimit Evropian në proces të zgjerimit të bllokut evropian.

    Procesi i Berlinit nuk e ka një strukturë fikse, pra nuk e ka një mekanizëm qendror koordinues, dhe mbahet në vende të ndryshme.

    Ndër vite, takimet janë mbajtur në Tiranë, Londër, Paris, Vjenë apo Poznan.

    Nuk ka as mekanizëm ndëshkues.

    Përveç Qeverive të vendeve të Ballkanit – Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës – dhe 10 vendeve partnere perëndimore, në takimet e Procesit të Berlinit marrin pjesë edhe institucionet e Bashkimit Evropian, institucionet financiare ndërkombëtare dhe organizata rajonale.

    Ai është zgjeruar ndër vite, dhe derisa të mbahet samiti kryesor, sikurse ky i 14 tetorit, përgjatë vitit mbahen edhe një mori takimesh në nivele ministrore, si dhe shumë evente anësore me fokus në fushën digjitale, biznesore, të rinjtë, shoqërinë civile, çështjet gjinore dhe konferencat shkencore.

    Në faqen zyrtare të platformës thuhet se “Procesi i Berlinit i ndihmon Ballkanit Perëndimor dhe banorëve të saj të jenë më të afërt me njëri-tjetrin”.

    Por, sa është arritur ky objektiv?

    E vërtetë që takimet e liderëve të Ballkanit janë bërë të shpeshta dhe fotografitë e tyre të përbashkëta janë kthyer në diçka normale.

    Megjithatë, marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë janë konsideruar me raste pengesë në zbatim të disa marrëveshjeve.

    Njëjtë, edhe mosnjohja e shtetësisë së Kosovës nga ana e Bosnje e Hercegovinës, ka penguar marrëveshje tjera. Njëra prej tyre është ajo për lëvizje të lirë.

    Banorët e dy vendeve vazhdojnë të pajisjen me viza nëse duan të vizitojnë njëri-tjetrin.

    Synimet kryesore

    Përveç përmirësimit të bashkëpunimit rajonal, synim tjetër i Procesit të Berlinit është edhe rritja e bashkëpunimit të Ballkanit me BE-në, në mënyrë që rajoni të ketë standarde evropiane, dhe që banorët e Ballkanit të shohin rezultate konkrete.

    Nisma është e fokusuar në zhvillim ekonomik, siguri energjetike, agjendë të gjelbër, partneritet për klimën, rritjen e lidhjeve në rajon përmes projekteve infrastrukturore dhe përfshirjen e e plotë të komuniteteve në procese shoqërore.

    Ndër marrëveshjet më me nam janë ato për Tregun e Përbashkët Rajonal dhe ajo që njihet si ‘Agjenda e Lishshmërisë” për përshpejtim të rritjes ekonomike dhe krijim të vendeve të punës përmes lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave.

    Asnjëra prej tyre nuk është zbatuar pikë për pikë.

    Çfarë është arritur ndër vite?

    Marrëveshja për “roaming” apo heqjen graduale të tarifave për telefoninë mobile dhe internetin, ka hyrë në fuqi në vitin 2023.

    Çfarë pritet nga takimi i 14 tetorit?

    Njohësit e çështjeve politike kanë përmendur lansimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal 2.

    Rruga për arritje të marrëveshjes është zhbllokuar pasi Kosova ka hequr ditë më parë një ndalesë në mallrat prej Serbisë, në pikëkalimin në Merdare.

    Zyrtarët gjermanë në veçanti i kanë bërë thirrje të vazhdueshme Kosovës që të hiqte atë masë, me argumentin se po shkelte Marrëveshjen për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), dhe se po rrezikonte pjesëmarrjen në nismat rajonale.

    Masat kufizuese u vendosën në qershor të vitit 2023, pas arrestimit të tre policëve kosovarë nga autoritetet serbe. Zyrtarët policorë u liruan ndërkohë, por masa mbeti në fuqi.

    Zyrtarët evropianë përmendin vazhdimisht nevojën e kryerjes së reformave të nevojshme nga vendet e Ballkanit, në mënyrë që rajoni të integrohet sa më shpejt në Bashkimin Evropian dhe Rusia të mos ketë asnjë mundësi për destabilizim as të këtij rajoni, por as të BE-së përmes tij.

    Aktualisht vetëm Kosova nuk e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, ndonëse ka aplikuar zyrtarisht për t’u bërë anëtare, në dhjetor të vitit 2022./REL/

  • ​Interesim i madh për adoptimin e fëmijëve pa kujdes prindëror

    ​Interesim i madh për adoptimin e fëmijëve pa kujdes prindëror

    Numri i familjeve potenciale për adoptim është më i lartë se sa numri i fëmijëve pa kujdes prindëror. Nga të gjitha rastet e trajtuara gjatë periudhës janar-shtator 2024, në Klinikën e Gjinekologjisë, prej 26 rasteve të trajtuara, 11 prej tyre kanë rezultuar në braktisje. Ndërsa në vitin 2023, prej 30 rasteve të trajtuara vetëm katër fëmijë janë braktisur.

    Për momentin në SOS Fshatrat e Kosovës janë 31 fëmijë të moshave të ndryshme deri në 18-vjeç. Shkak i pritjes së gjatë për adoptim, për të cilin ndodh se familjet presin deri në 10 vjet, sipas drejtorit të Qendrës për Punë Sociale, Bajram Shala po është numri i vogël i fëmijëve me status për adoptim.

    “Numri i familjeve potenciale për adoptim është më i lartë se sa numri i fëmijëve pa kujdes prindëror me status të zgjidhur e potencial për adoptim, është shumë i vogël. Kjo ndodh për shkak që ka numër të lartë të familjeve që parashtrojnë kërkesa dhe janë të vlerësuara pozitivisht për adoptim, por numri i fëmijëve me status për adoptim është i vogël. Andaj, kjo është arsyeja e pritjeve të gjata”, ka thënë Shala në një përgjigje me shkrim.

    Punëtorja sociale në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, Hafize Hamza-Geci ka potencuar se gjendja ekonomike është ndër shkaqet kryesore të braktisjes së fëmijëve.

    “Vitin 2023 kemi pasur rënie të numrit të fëmijëve të braktisur në klinikën tonë. Gjithsej, kemi trajtuar 30 raste, kurse në braktisje, refuzim të kujdesit ndaj fëmijës së tyre kanë rezultuar 4 raste. Këtë vit, deri më 30 shtator 2024 kemi një ngritje shumë më të madhe të braktisjes së fëmijëve, pas lindjes nga prindërit. Nga të gjitha rastet që janë trajtuar gjatë 2024, prej 26 rasteve, 11 kanë rezultuar në braktisje. Arsyet më të shpeshta të braktisjes së fëmijëve menjëherë pas lindjes nga nënat, janë shkaqe ekonomike, por edhe arsye të ndryshme, si braktisja e partnerit dhe mospërkrahja e familjes së tyre”, ka potencuar Geci.

    Drejtoresha e SOS Fshatit, Ora Bytyçi, tregon se momentalisht në SOS janë gjashtë familje, të cilat jetojnë në banesa me qira. Ai ka theksuar se SOS Fshatrat nuk përkrahen financiarisht nga qeveria, si çdo organizatë tjetër aplikojnë për grande me projekte.

    “Momentalisht, kujdesemi për 31 fëmijë të moshave të ndryshme deri në 18-vjeç. Momentalisht, kemi 6 familje SOS. Ne, kemi vendosur që së bashku me SOS nënat dhe tezet që të marrin banesa me qira në Prishtinë… Kur fëmijët tanë arrijnë moshën 18-vjeç, ne kemi edhe programin e gjysmë pavarësimit. Në programin e gjysmë pavarësimit i kemi 12 të rinj, ndërsa ata të cilët kanë kaluar edhe atë trevjeçarin e gjysmë pavarësimit, janë mbi 30 të rinj… Për momentin, nuk përkrahemi financiarisht nga shteti, sigurisht i kemi disa prej projekteve që aplikojmë dhe fitojmë grante, por aplikojmë si çdo organizatë tjetër. Në të ardhmen shpresojmë të jemi në buxhetin e Republikës së Kosovës sepse, këta fëmijë janë të Kosovës, janë brengë e secilit prej nesh”, ka thënë ajo.

    Fëmijët pa përkujdesje prindërore janë në kompetencë të organit të kujdestarisë në Qendrën për Punë Sociale, i cili sipas kompetencës territoriale dhe mandatit si dhe në përputhje me dispozitat e ligjeve që rregullojnë mbrojtjen e interesave dhe të drejtave të fëmijëve ndërmerr hapa e veprime për mbrojtjen e fëmijës. /kp

  • ​10 vjet nga droni shqiptar në Beograd

    ​10 vjet nga droni shqiptar në Beograd

    Më 14 tetor 2014, në orën 21:27 është ndërprerë ndeshja Serbi-Shqipëri që luhej në kuadër të kualifikimeve për kampionatin Evropian France 2016.

    Ndërprerja ishte paralajmëruar po thuaj që para fillimit: Ishte ndaluar pjesëmarrja e tifozëve të Kombëtares shqiptare në Beograd, ndërsa tifozët serbë në stadium me fishkëllima e britma penguan intonimin normal të Himnit Kombëtar Shqiptar.

    Në këto kushte, të rënduara dhe të vështira për ekipin shqiptar, filloi ndeshja.

    Arbitri britanik Martin Atkinson nuk e kishte të lehtë të ndante gjyqësinë që, sidomos nga lojtarët, tifozët, por edhe zyrtarë serbë që gjendeshin aty, konsiderohej betejë lufte.

    E tensionuar, me epërsi të dukshme shqiptare, ndeshja vazhdoi kështu deri në minutën 42.

    Dhe në atë minutë, nga qielli i Beogradit, sipër tifozëve, më ngadalë e duke valëvitur nga një dron, në fushën e lojës, afrohej flamuri me hartën e viseve etnike shqiptare, me portretet e Ismail Qemalit e të Isa Boletinit dhe me mbishkrimin “AUTOCHTHONOUS”.

    Të gjithë mbeten të habitur e të heshtur duke shikuar çudinë që zbriste nga lartësia.

    Pastaj një futbollist serb e mori në hapësirë, pa rënë në tokë, flamurin me simbole shqiptare e lojtarët e kombëtares vrapuan menjëherë pas tij duke ia rrëmbyer nga duart.

    Pas kësaj, topi u “harrua” dhe filloi beteja fizike ndërmjet lojtarëve të dy ekipeve. Nga tribunat e shikuesve zbriten spektatorët serbë të cilët mësyn lojtarët shqiptarë. Një konfrontim fizik i pabarabartë të cilin lojtarët e kombëtares e braktisen duke kërkuar shpëtim në zhveshtoren e vet.

    Pjesëtarët e sigurimit, në vend se të mbronin lojtarët shqiptarë, u bënë bashkë me spektatorët e lojtarët serbë duke i goditur me grushte e karrige derisa ata sa u futen në kthinën e vet të stadiumit.

    Në kushte të tilla nuk kishte si të vazhdohej loja.

    Lojtarët shqiptarë, pasi e morën veten, e dorëzuan flamurin e rënë fushë te zyrtarët e UEFA-s dhe rreth orës 3 mëngjesit u kthyen në Tiranë, transmeton Koha.net.

    Zhvillimi ndeshjes së ndërprerë Serbi – Shqipëri pastaj vazhdoi në tryezat politike.

    Politikanë serbë na quajtën të pa civilizuar e vizita e paraparë e Edi Ramës në Beograd u shty për më shumë tri javë, pasi vëllai tij akuzohej ta kishte lëshuar dronin.

    E kur shkoi Edi Rama në Serbi, në konferencën shtypit me Aleksandar Vuçiqin, natyrisht se nuk u harruan droni, ndeshja e as Kosova.

    Batutat dhe fjalët lakonike thuheshin anglisht e shqip e serbisht me cinizëm por edhe me maturi.

    Dhe këtu përfundoi “pjesa e parë” politike për ta vazhduar pjesa e dytë sportive e ndeshjes:

    Komisioni Disiplinor i UEFA-së vendosi më 24 tetor 2014 që ndeshjen e ndërprerë ta regjistrojnë në favor të Serbisë, derisa dy kombëtaret të dënoheshin me nga 100 mijë euro, Serbisë t’i hiqeshin dy pikë dhe dy ndeshje t’i luante pa tifozë.

    Pas ankesës së Shqipërisë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë, më 10 korrik të këtij viti, 3 pikët e ndeshjes kaluan në anën e Shqipërisë.

    Në ndërkohë ishte “zbuluar” edhe autori i dronit, Ismail Morina, Ballisti i cili bënte jetë të dyfishtë: Në famën e flamurit të tij e në dyshimin që ai të jetë vërtet autori i lansimit dhe i fshehjes e ruajtjes nga sigurimi serb nga i cili, thoshte ai, kërkohej për t’u vrarë.

    Kështu deri në prag të ndeshjes që u zhvillua më 8 tetor në Elbasan Arena ndërmjet Shqipërisë e Serbisë, kur Ismail Morina u burgos me akuzë për armëmbajtje pa leje dhe me posedim të biletave të falsifikuara për këtë ndeshje.

    Takimi Shqipëri – Serbi përfundoi me rezultatin 0: 2 dhe ai la shumë për të dëshiruar, sidomos për angazhimin e lojtarëve në fushë dhe të spektatorëve në tribuna. Edhe këtë radhë në ndeshje ka qenë e përzierë politika: Edi Rama uroi fitoren e ekipit serb, ndërsa tifozë të kuqezinjve, bashkë me udhëheqjen e lojtarët u “armatosen” për betejën në Erevan.

    Mrekullia ndodhi në kryeqytetin armen: Ndeshja Armeni – Shqipëria përfundoi me rezultatin 3:0 dhe Serbia, tash, ashtu siç tha kapiteni i Kombëtares Lorik Cana, kampionatin evropian France 2016, do ta shikojë nga televizioni e me këtë edhe ndeshjet e Shqipërisë në këtë garë në të cilën ajo është për herë të parë.