ATV

Category: Lajme

  • ​Përfshihet nga zjarri një veturë në Fushë-Kosovë

    ​Përfshihet nga zjarri një veturë në Fushë-Kosovë

    Policia e Kosovës ka njoftuar se më 14 tetor në Fushë Kosovë është djegur një veturë e parkuar.

    Sipas policisë dyshohet se zjarri është shkaktuar qëllimisht.

    “Viktima mashkull kosovar ka njoftuar se vetura e tij që ishte e parkuar është përfshirë nga zjarri. Njësitë policore i janë përgjigjur rastit dhe sipas hetimeve të para dyshohet se zjarri është shkaktuar qëllimisht”, thuhet në raport.

    Sipas policisë zjarri ishte fikur nga viktima, përderisa rasti vazhdon të hetohet nga njësitet policore.

  • Varhelyi: Shqipëria përmbushi reformat e kërkuara me vendosmëri

    Varhelyi: Shqipëria përmbushi reformat e kërkuara me vendosmëri

    Konferenca e dytë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, mbahet sot në Luksemburg, ku do të hapen bisedimet për kapitujt e “themeloreve”, blloku kryesor i negociatave për anëtarësim.

    Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi përgëzoi Shqipërinë për reformat të cilat çuan në hapjen e kapitujve të parë.

    “Sot përgëzojmë vendosmërinë dhe punën e përkushtuar të Shqipërisë. Ndërsa Shqipëria përmbushi reformat e kërkuara, ne jemi në gjendje të hapim Klasterin e Parë – Bazat që na lejojnë të vazhdojmë me grupe të tjera”, ka thënë Varhelyi.

  • Arrestohet një person në Banjskë, në shtëpinë e tij u gjetën pushkë dhe xhaketë me emblemë të ushtrisë serbe

    Arrestohet një person në Banjskë, në shtëpinë e tij u gjetën pushkë dhe xhaketë me emblemë të ushtrisë serbe

    Një person është arrestuar në fshatin Banjskë për shkak se gjatë kontrollit në shtëpinë e tij janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë dhe xhaketë me emblemë të ushtrisë serbe.

    Policia bën të ditur përmes raportit se i dyshuari më pas është liruar.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për shkak se gjatë kontrollit në shtëpinë e tij janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjuetie me 9 fishekë dhe një xhaketë me emblemë të ushtrisë serbe. I dyshuari pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”.

  • OKB: Më shumë se 400.000 fëmijë janë zhvendosur si pasojë e luftimeve në Liban

    OKB: Më shumë se 400.000 fëmijë janë zhvendosur si pasojë e luftimeve në Liban

    Më shumë se 400.000 fëmijë në Liban janë zhvendosur në tre javët e fundit, tha një zyrtar i agjencisë së Kombeve të Bashkuara për fëmijët. Ai paralajmëroi për “gjeneratë të humbur” në shtetin e përfshirë nga shumë kriza dhe tani po përballet edhe me luftë.

    Izraeli ka përshkallëzuar fushatën e tij kundër Hezbollahut – grupit militant dhe partisë politike që kontrollon shumicën e Libanit jugor – përfshirë edhe duke nisur një ofensivë tokësore, pasi për një vit ka këmbyer zjarr në kufi, në kohën kur paralelisht po zhvillon luftë në Gazë kundër Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

    Hezbollahu është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, derisa Bashkimi Evropian e ka në listë të zezë vetëm krahun e armatosur, por jo partinë, e cila ka ulëse në Parlamentin e Libanit.

    Luftimet në Liban kanë detyruar 1.2 milion persona të largohen nga shtëpitë e tyre, shumica e tyre kanë ikur në Bejrut dhe në pjesë të tjera në veri të shtetit gjatë tri javëve të fundit, që kur janë përshkallëzuar luftimet, raporton Radio Evropa e Lirë.

    Ted Chaiban, zëvendësshefi për veprime humanitare në UNICEF, ka vizituar shkolla që janë shndërruar në strehimore për familjet e zhvendosura.

    “Këto tri javë të luftës kanë ndikuar shumë fëmijë”, tha Chaiban për Associated Press.

    “Aktualisht, 1.2 milion janë të privuar nga shkollimi. Shkollat e tyre publike ose janë të paqasshme, ose janë dëmtuar nga lufta, ose po përdoren si strehimore. Gjëja e fundit që i duhet këtij shteti është rreziku i një gjenerate të humbur”, shtoi ai.

    Përderisa shkollat private libaneze ende janë duke operuar, sistemi publik i arsimit është goditur rëndë nga lufta.

    Më shumë se 2.300 persona në Liban janë vrarë gjatë sulmeve izraelite, pothuajse 75 për qind e viktimave janë regjistruar në muajin e fundit, sipas Ministrisë libaneze të Shëndetësisë. Në tri javët e fundit, më shumë se 100 fëmijë janë vrarë dhe më shumë se 800 janë plagosur, tha Chaibani./REL

  • Zhduket një grua në Pejë

    Zhduket një grua në Pejë

    Policia e Kosovës ka njoftuar për zhdukjen e një gruaje në Pejë.

    Në raportin policor thuhet se ankuesi mashkull kosovar ka njoftuar policinë se viktima femër kosovare ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet për vendndodhjen e saj.

    Tutje, Policia njoftoi se rasti është duke u hetuar nga njësitet policore.

     

  • ​Sulmi rus në Mykolaiv la një person të vrarë dhe 16 të plagosur

    ​Sulmi rus në Mykolaiv la një person të vrarë dhe 16 të plagosur

    Si pasojë e një sulmi me raketa ruse në Mykolaiv, një person mbeti i vrarë dhe 16 të tjerë u plagosën.

    Kjo u raportua në Telegram nga shefi i Administratës Ushtarake Rajonale të Mykolaiv, Vitalii Kim, sipas Ukrinform.

    “Aktualisht, ne dimë për 11 të plagosur, disa në gjendje të rëndë. Fatkeqësisht, një person vdiq”, ka shkruar Kim.

    Shpërthime u dëgjuan në Mykolaiv herët të martën. Më herët, Forcat Ajrore të Ukrainës kishin paralajmëruar për kërcënimin e përdorimit të armëve balistike nga drejtimi jugor.

  • ​Parashikimi i motit për sot

    ​Parashikimi i motit për sot

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se sot do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara.

    Sipas institutit, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 3-5 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 20-23gradë Celsius.

    “Në mëngjes nëpër ultësira parashihet mjegull e radiacionit, si pasojë e amplitudave të theksuara të temperaturave . Do të fryjë erë kryesisht nga veriperendimi me shpejtësi 1-3m/s”, thuhet në njoftim.

  • Provokime nga ana serbe në kufi, Policia kërkon nga ndërkombëtarët që të ndërmarrin veprime

    Provokime nga ana serbe në kufi, Policia kërkon nga ndërkombëtarët që të ndërmarrin veprime

    Policia e Kosovës ka bërë thirrje që ndërkombëtarët të ndërmarrin veprime ndaj palës serbe, pasi sot tek pala serbe në stacionin policor kufitar në Merdarë është vërejtur një veturë e tipit Land-Rover me targa të Serbisë që dyshohej të jetë e xhandarmërisë serbe.

    Sipas informacioneve nga kompetentët, njofton Policia, aty shiheshin katër pjesëtarë të xhandarmërisë serbe të cilët kanë qëndruar rreth dhjetë minuta tek hyrja e objektit te pala serbe.

    Njoftimi i plotë i Policisë:

    Më datë 14.10.2024, rreth orës 18:20, tek pala serbe në stacionin policor kufitar në Merdar është vërejtur një veturë e tipit Land-Rover me targa të Serbisë që dyshohej të jetë e xhandarmërisë serbe!

    Sipas informacioneve nga kompetentët aty shiheshin 4 (katër) pjesëtarë të xhandarmërisë serbe të cilët kanë qëndruar rreth 10 (dhjetë) minuta tek hyrja e objektit te pala serbe.

    Të njëjtit janë larguar duke shkelur vijën ndarëse kufitare që në fakt përbënë shkelje të marrëveshjes për IBM-në, ka për qëllim provokimin apo krijimin e ndonjë incidenti ndërshtetëror.

    Policia e Kosovës kërkon nga autoritetet relevante ndërkombëtare që të ndërmarrin veprime të nevojshme për ruajtjen e stabilitetit dhe respektimin reciprok të marrëveshjeve qe ndërlidhen me menaxhimin e integruar kufitar dhe me sigurinë në përgjithësi.

    Policia e Kosovës është duke kryer detyrat e saj ligjore në funksion të ruajtjes së qetësisë, stabilitetit dhe menaxhimin profesional të kufijve shtetëror në bazë të mandatit të saj Kushtetues dhe duke respektuar marrëveshjet ndërkombëtare për menaxhim të integruar kufitar, përderisa mbetet e përkushtuar në ruajtjen e sovranitetit dhe do të reagoj me profesionalizëm ndaj çdo akti kundërligjor, kundër kushtetues apo që cenon marrëveshjet ndërkombëtare për menaxhim kufitar.

  • Arrestohet një shtetas i Maqedonisë në Kosovë, kërkohej me fletarrest ndërkombëtar

    Arrestohet një shtetas i Maqedonisë në Kosovë, kërkohej me fletarrest ndërkombëtar

    Policia e Kosovës, konkretisht njësia nga Administrata për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Sundimin e Ligjit në Policinë e Kosovës (FAST/FAST), dje në Ferizaj ka arrestuar një shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut për të cilin është lëshuar fletarrest ndërkombëtar, njoftoi AIM nga Prishtina.

    Në njoftimin e mbrëmshëm të policisë së Kosovës thuhet se shtetasi i RMV-së 50-vjeçar me iniciale H.F. është arrestuar në një aksion të përbashkët të FAST-it me njësinë e hetimeve për narkotikë në Ferizaj.

    “Me datë 14.10.2024, në qytetin e Ferizaj, nga Administrata për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor të PK-së, më saktësisht njësiti FAST, i mbështetur nga departamenti për hetimin e narkotikëve në Ferizaj, është kryer një aksion i koordinuar policor, gjatë të cilës është ndaluar shtetasi nga Maqedonia e Veriut me iniciale H.F, (viti i lindjes 1974), i cili me fletarrest ndërkombëtar nga Republika e Maqedonisë së Veriut kërkohet për vuajtje të dënimit me burgim prej gjashtë vjetësh”, thuhet në njoftim.

    Policia e Kosovës njofton se pas përfundimit të procedurave, me vendim të Prokurorisë Speciale, i dyshuari është dërguar në mbajtje policore për 48 orë, për të vazhduar me procedurat tjera ligjore.

  • Aktgjykimi lirues për Dhurata Hoxhën dhe tre të tjerët

    Aktgjykimi lirues për Dhurata Hoxhën dhe tre të tjerët

    Përgatiti: Nora Luta

    Ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, nuk ishte e pranishme në sallën e gjykimit këtë të hënë, kur Gjykata e shkallës së parë dha verdiktin për akuzat që rëndojnë ndaj saj për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

    Themelorja e liroi Hoxhën, Ekrem Tahirin, Fitim Mustafën dhe Gëzim Dushin, zyrtarit për komunikim nga të gjitha akuzat.

    Gjykata tha se nuk është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar mirë se Hoxha përdori një kontratë të Ministrisë për shërbime të informimit publik, për fushatën e saj si deputete në vitin 2019.

    Aktakuza ndaj Hoxhës dhe të tjerëve ishte ngritur gjatë vitit 2022, ndërsa në këtë proces u mbajtën 16 seanca, e u dëgjuan shumë dëshmitarë, në mesin e tyre edhe ekspertë financiarë.

    Prokuroria Speciale e akuzonte Hoxhën se kontratën e Ministrisë që ishte për të informuar qytetarët për procesin e liberalizimit të vizave, e shfrytëzoi për fushatën e saj si deputete, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit 143 mijë e 447 euro.

    Për keqpërdorim të detyrës zyrtare akuzoheshin edhe Fitim Mustafa, në cilësinë e zyrtarit të prokurimit, dhe Gëzim Dushi në atë të komunikimit, ndërsa Ekrem Tahiri, si drejtor i kompanisë “PR Solution”, akuzohej për ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

    Mustafa e Hoxha akuzoheshin për të njëjtën vepër penale edhe në një rast tjetër, por Apeli në shtator të këtij viti e ka vërtetuar aktgjykimin lirues të Gjykatës Themelore në Prishtinë.