ATV

Category: Lajme

  • Murati: Sot u ekzekutuan pensionet me rritje

    Murati: Sot u ekzekutuan pensionet me rritje

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se sot janë ekzekutuar pensionet për të gjitha kategoritë, me rritjen prej 20%.

    “Qeveria për të gjithë!”, ka shkruar Murati.

    Kjo rritje prej 20 % është kritikuar nga opozita si një lëvizje politike në prag të zgjedhjeve të 9 shkurtit.

    Postimi i plotë:

    Sot është bërë ekzekutimi i pensioneve siç bëhet rëndom sipas kalendarit me datën 15 të muajit.
    Duke filluar nga ky muaj, skemat si vijon ekzekutohen me rritjen prej 20%:
    – Pensioni Bazik i Moshës,
    – Pensioni Kontributpagues, i plotë dhe parcial,
    – Pensionet për Aftësi të Kufizuara,
    – Pensioni për Personat e Verbër,
    – Pensioni për Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë,
    – Pensioni Invalidor i Punës,
    – Pensioni Familjar, dhe
    – Pensioni i Parakohshëm i Trepçës.
    Qeveria për të gjithë!

  • MPJD: Serbia liron Sadik Durakun

    MPJD: Serbia liron Sadik Durakun

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njoftoi se ka Serbia ka liruar nga paraburgimi kosovarin Sadik Duraku, që ishte arrestuar më herët gjatë këtij vitit nën dyshime për krime lufte më 1999.

    Duraku, me shtetësi të Britanisë së Madhe dhe Kosovës ishte arrestuar më 17 prill në vendkalimin kufitar Kroaci-Serbi në Batrovci.

    Autoritetet serbe dyshonin se ai kishte kryer veprën penale “krim lufte kundër popullatës civile”.

    Sipas Serbisë, dyshohej që Duraku “së bashku me persona të panjohur, gjatë vitit 1999, në zonën e komunës së Gjakovës, Prizrenit dhe Pejës, si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka rrahur, fizikisht, ka ngacmuar mendërisht dhe ka grabitur popullatën civile”.

    Avokati i tij më herët i kishte thënë Radios Evropa e Lirë se Duraku, shtetas i Britanisë së Madhe, që nga dhjetori i vitit 1998 kishte qenë në këtë shtet dhe nuk ishte kthyer në Kosovës deri në vitin 2004.

    Edhe familja e tij kishte thënë për REL-in se Duraku kishte jetuar në Britani të madhe para se të niste lufta në Kosovë.

    Edhe shtetas të tjerë të Kosovës gjenden në paraburgim në Serbi, nën akuza për krime lufte: Nezir Mehmetaj, Hasan Dakaj dhe Tefik Mustafa.

    Ndërkaq, ditë më parë MPJD po ashtu konfirmoi se M.I, i ndaluar në Serbi nën dyshime për krime lufte është shtetas i Kosovës.

    Autoritetet e Kosovës i kanë dërguar kërkesë Serbisë që të ekstradojë në Kosovë shtetasit kosovarë që mbahen nga autoritetet serbe. Megjithatë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte deklaruar në korrik të këtij viti se nuk pret që Serbia t’i përgjigjet pozitivisht kësaj kërkese.

  • Sot nis sezoni i ngrohjes nga Termokos në kryeqytet

    Sot nis sezoni i ngrohjes nga Termokos në kryeqytet

    Sot ka nisur zyrtarisht sezoni ngrohës 2024/2025 në Prishtinë.

    Kryetari i Prishtinës Përparim Rama së bashku me Kryeshefin Ekzekutiv të Termokos-it, Fisnik Osmani, Aksionarët dhe Bordin e Drejtorëve të ndërmarrjes kanë zhvilluat takim në këtë ndërmarrje.

    Rama ka uruar një sezon të mbarë dhe të suksesshëm, duke falënderuar ekipin për punën e tyre të mrekullueshme.

    “Nëpërmjet shërbimit të Termokos-it, po ndërtojmë një kryeqytet më të pastër dhe më miqësor për mjedisin. Ky rrjet ngrohjeje mbulon mbi 33 mijë njësi banesore, me rreth 25 mijë konsumatorë aktivë, që përfaqësojnë më shumë se 130 mijë banorë”, ka shkruar Rama në rrjetin social Facebook.

    Sipas tij janë rreth 1 mijë objekte banesore të kyçura në rrjet, me një sipërfaqe totale prej rreth 2.800.000 m², nga të cilat rreth 2.200.000 m² janë aktualisht aktive.

  • ​Guvernatori Ismaili merr pjesë në takime të nivelit të lartë në Bruksel

    ​Guvernatori Ismaili merr pjesë në takime të nivelit të lartë në Bruksel

    Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili mori pjesë në takime të nivelit të lartë në Bruksel, ku u takua me Drejtorin e Përgjithshëm të Këshillit Evropian të Pagesave (EPC), Andreoli, dhe me Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerim dhe Fqinjësi (DG NEAR), Koopman, së bashku me guvernatorët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

    Në këto takime u diskutua mbi efektet pozitive të Planit të Rritjes në kontekstin e zgjerimit të Zonës së Vetme të Pagesave të Evropës (SEPA), ku edhe Kosova synon anëtarësimin si pjesë e këtij procesi. Gjithashtu, u diskutuan aspekte të tjera operacionale që lidhen me përgatitjet e duhura për zbatimin e tij.

    Gjatë paraqitjes së zhvillimeve të fundit dhe aktiviteteve të ndërmarra nga BQK-ja për hartimin e legjislacionit dhe harmonizimin e tij me atë të Bashkimit Evropian, parakusht për një aplikim të suksesshëm, Ismaili informoi se BQK-ja ka bërë përgatitjet e nevojshme. Me këtë rast, edhe njoftoi palët për procesin para-aplikues të Kosovës i cili do të mundësojë shqyrtim paraprak të aspekteve kryesore të përmbushjes se kritereve ligjore dhe rregullative, për të hapur rrugën për aplikimin zyrtar për anëtarësim në SEPA.

    “Përfshirja e Kosovës në SEPA pritet të kontribuojë në zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik me vendet e rajonit dhe të BE-së, të rrisë efikasitetin e pagesave, të avancojë infrastrukturën e pagesave dhe të ulë kostot e pagesave dhe remitancave. BQK-ja në përputhje me objektivat e saj strategjike është e angazhuar për të përmbyllur me sukses këtë proces dhe shpreh mirënjohje e saj për kontributin e institucioneve vendore, si dhe atyre ndërkombëtare për mbështetjen në këtë proces”, thuhet në njoftim të BQK-së.

  • ​Formacioni i mundshëm i Kosovës kundër Qipros

    ​Formacioni i mundshëm i Kosovës kundër Qipros

    Në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, Kombëtarja e Kosovës në futboll sonte do të ballafaqohet me Qipron në kuadër të Grupit 2 të Ligës C në Ligën e Kombeve.

    “Dardanët” të hënën kanë zhvilluar stërvitjen e fundit për këtë ballafaqim dhe në konferencë për media, trajneri Franco Foda theksoi se Kosova nuk është e kënaqur me vendin e dytë dhe se tani e tutje lufta dhe synimi kryesor do të jetë vendi i parë në këtë grup, raporton KosovaPress.

    I bindur në fitore është shprehur edhe sulmuesi Edon Zhegrova i cili siguroi se ai bashkë me lojtarët tjerë do të japin maksimumin në fushë.

    Ndeshja Kosovë-Qipro do të nis nga ora 20:45 dhe ky është formacioni i mundshmë i “Dardanëve”:

    Kosova: Muric, Vojvoda, Rrahmani, Dellova, Rrudhani, Jashari, I. Krasniqi, Zhegrova, Rrahmani, Rashica.

  • ​Xhandarmëria serbe në Merdarë, Sveçla: Provokimet do të dështojnë

    ​Xhandarmëria serbe në Merdarë, Sveçla: Provokimet do të dështojnë

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka deklaruar se provokimet serbe do të dështojnë.

    Ai teksa e ka quajtur shkelje të marrëveshjes shkeljen e vijës ndarëse kufitare në Merdarë nga xhandarmëria serbe, tha se për këtë tashmë kanë njoftuar partnerët.

    Ministri i Punëve të Brendshme u shpreh se këto shkelje do t’i prezantojnë si dëshmi shtesë se si Serbia nuk është e gatshme për bashkëpunim.

    “Bëjnë shkelje të marrëveshjes për menaxhimin e përbashkët të pikave kufitare. Nuk është hera e parë që ata bëjnë shkelje të kësaj marrëveshje, por shpresojmë të jetë e fundit. Ne patjetër që jemi të gatshëm me u ballafaqua me çdo shkelje të tyre dhe në të njëjtën kohë edhe t’i prezantojmë ato tek partnerët tanë si dëshmi shtesë se si Serbia nuk është e gatshme për të bashkëpunuar pavarësisht marrëveshjet të cilat ajo i ka nënshkruar”, tha ai.

    Ministri, Sveçla po ashtu theksoi se institucionet e Kosovës po forcohen çdo ditë për zmbrapsjen e qëllimeve hegjemoniste të shtetit serb.

    Ndërsa, shtoi se Kosova është e gatshme të ballafaqohet me çdo sfidë.

    “Është e qartë se Kosova është e kërcënuar nga aspiratat hegjemoniste të Serbisë gjithë aparati i tyre shtetëror punon për të përmbushur qëllimet e tyre të cilat ko vetëm që janë të papranueshme për ne por edhe kriminale në realitetin tonë. Institucionet e Kosovës po forcohen çdo ditë që këto qëllime të Serbisë të zmbrapsen në çdo moment tash edhe në të ardhmen. Jam i bindur që këto provokime do të dështojnë patjetër vështirësojnë jetën e qytetarëve tanë posaçërisht të komunitetit serb, por ne jemi të aftë që të ballafaqohemi me çfarëdo sfide nga brenda apo jashtë”, tha ai.

    Këto komente i pari i ministrisë së Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i bëri pas pjesëmarrjes në debatin me temën “Roli i Inteligjencës Artificiale (IA) në Luftën Kundër Terrorizmit dhe Sigurinë Kombëtare” i organizuar nga Qendra Amerikane për Luftimin e Ekstremizmit dhe Terrorizmit (ACCET).

    Gjatë ditës së djeshme pranë stacionit policor kufitar në Merdarë, në anën serbe, është parë një makinë e tipit Land Rover me targa serbe, e cila dyshohej të ishte në pronësi të xhandarmërisë serbe.

    Sipas Policisë së Kosovës në atë makinë gjendeshin katër pjesëtarë të xhandarmërisë serbe.

  • ​Dialogu Kosovë-Serbi, Kurti pret që me Komisionin e ri Evropian të fillojë një dinamikë e re

    ​Dialogu Kosovë-Serbi, Kurti pret që me Komisionin e ri Evropian të fillojë një dinamikë e re

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur optimist që do të fillojë një dinamikë e re në dialogun me Serbinë, pas konstituimit të strukturave të reja të Bashkimit Evropian. Ai nënvizoi rëndësinë e tërheqjes së letrës së ish kryeministres serbe, Ana Bërnabiq nga BE-ja, ku sipas tij kjo dëshmon zmbrapsje nga Marrëveshja Bazë e Brukselit dhe aneksi i Ohrit. Përkitazi me këtë, ai theksoi edhe domosdoshmërinë e nënshkrimit të marrëveshjes.

    Kurti në një adresim për media pas samitit të Procesit të Berlinit, foli edhe për vendimin që unilateralisht të hiqet regjimi i vizave për Bosnjë Hercegovinën si dhe kërkesat që i ka paraqitur në takim me kancelarin gjerman, Olaf Scholz.

    “Ne po presim Komisionin e ri Evropian që të fillojë me dinamikë të re dhe për këtë arsye jemi optimist. Edhe më tej insistojmë që të dorëzohen kryekrimineli Milan Radoiçiq që na vrau rreshterin, heroin Afrim Bunjaku, por edhe grupi i tij që tashmë ndodhën në aktakuzën 160 faqesh të Prokurorisë. Ne kërkojmë që letra e ish kryeministres Bërnabiq të tërhiqet, pasi me atë letër që i është dërguar 27 vendeve të BE-së ajo është tërhequr nga marrëveshja. Njëkohësisht ajo çka jemi marrë vesh, marrëveshja bazë e Brukselit dhe aneksi i Ohrit të nënshkruhen, pasi nënshkrimi është garanci ligjore dhe dëshmi e palëkundur e vullnetit të mirë dhe mirëbesimit ndërmjet palëve. Sa herë flasim për dialog unë insistoj të përmend faktin se kemi marrëveshje bazike dhe se dialogu ka pasur sukses. Por neve na duhet të respektojmë dhe zbatojmë marrëveshjen”, tha ai.

    Ai shtoi se në takim me kancelarin gjerman ka kërkuar heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës.

    “Në takimet që kemi pasur kemi kërkuar që t’i hiqen masat ndëshkuese të padrejta. T’i jepet statusi i vendit kandidat dhe sa më parë që të na dërgohet pyetësori me ato mijëra pyetje që me shumë përgjegjësi, durim dhe disiplinë do t’i përgjigjemi atyre pyetjeve. As nuk kemi dhe as nuk duam të kemi alternativë ndaj Bashkimit Evropian”, deklaroi ai.

    Duke folur heqjen e vizave për Bosnjën në mënyrë unilaterale prej 1 janarit 2025, Kurti e arsyetoi këtë vendim, derisa tha se shteti boshnjak për shkak të Republikës Serbe, është shndërruar në Bjellorusi të vogël në Ballkan.

    “Ne e kemi liberalizimin e vizave në Kosovë nga 1 janari dhe ndodhemi në një situatë paradoksale që nëse unë me pasaportë diplomatike të Kosovës dua të shkoj në Sarajevë më duhet të shkoj në Shkup të marr vizë disaditore dhe kjo është një absurditet i mundimshëm. Andaj në kushtet kur ne e kemi ratifikuar të parët marrëveshjen për lëvizje të lirë me karta identiteti dhe kur kjo gjë nuk është bërë në Parlamentin e Bosnjë dhe Hercegovinës unë kam ofruar që nga 1 janari qytetarët e Bosnjës të vijnë në Kosovë me karta identiteti ndonëse ata nuk do të mund të bëjnë të njëjtën gjë për shkak të Republikës Serbe atje, e cila është shndërruar në Bjellorusi të vogël në Ballkanin tonë Perëndimor… Nëse ndërkohë nuk bëhen ratifikimi në Parlamentin e Bosnjë dhe Hercegovinës qytetarët e Bosnjës me karta identiteti do të kujdesimi që me vendim të Republikës së Kosovës të mund të vijnë lirshëm”, tha Kurti.

    Ndërkaq e përmendi edhe nevojën që avionët që nisen ose aterojnë nga aeroporti “Adem Jashari” në Kosovë të kalojnë në hapësirën ajrore të Serbisë, pasi e njëjta vazhdon të jetë e mbyllur tash e 25 vjet.

    “Kemi bërë kërkesa konkrete, siç është ajo kur avionët aterojnë ose nisen nga aeroporti ndërkombëtar i Prishtinës ‘Adem Jashari’, nuk mund të kalojnë në hapësirën ajrore të Serbisë tash e 25 vjet që nga intervenimi i NATO-s. Kjo shkakton kosto për kompanitë, kosto për udhëtarët dhe ndotje të ambientit. Kemi pasur kërkesa të tilla që i kemi thënë në këto takime”, përfundoi Kurti./KP/

  • ​Fermerët nuk kanë marrë pagesat e subvencioneve, shoqata ka një kërkesë për ministrin

    ​Fermerët nuk kanë marrë pagesat e subvencioneve, shoqata ka një kërkesë për ministrin

    Shoqata e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës (SHPQK), ditëve të fundit ka pranuar një numër të madh ankesash nga fermerët për shkak të vonesave në pagesat e subvencioneve nga ana e Ministrisë së Bujqësisë.

    Duke u bazuar nga ankesat, kjo shoqatë e fermerëve, prodhues të qumështit, i ka kërkuar ministrit të Bujqësisë, që të përdorni autoritetin tuaj për të përshpejtuar ekzekutimin e pagesave të subvencioneve te fermerët.

    “I nderuar ministër, siç jeni edhe ju në dijeni, këto subvencione janë një bazë e rëndësishme për sigurimin e qëndrueshmërisë financiare të fermerëve të cilët përballen me shpenzime të mëdha për prodhimin bujqësor dhe blegtoral dhe janë mjete të domosdoshme për të garantuar që fermerët të mund të vazhdojnë aktivitetet e tyre pa ndërprerje dhe në kohë. Vonesat që janë duke ndodhur, janë duke i vendosur fermerët në situata të pafavorshme, ku shumë prej tyre po përballen me vështirësi, mungesë mjetesh financiare, borxhe dhe pa mundësi për të blerë me kohë inputet e nevojshme për mbjellje vjeshtore për të mbuluar shpenzimet e inputeve, si: farërat, plehrat, karburantin dhe shpenzimet tjera të cilat janë rritur ndjeshëm për shkak të inflacionit të lartë. Prandaj, vonesa në pagesë të subvencioneve po ndikon direkt në planifikimin e tyre sezonal dhe si rrjedhojë do të ndikojë negativisht në prodhimin final bujqësor. Prandaj, ju bëjmë thirrje që të merrni masa të menjëhershme në përshpejtimin e pagesave të subvencioneve, duke siguruar që fermerët të marrin mbështetjen e nevojshme në kohë dhe të kenë mundësinë të përballojnë detyrimet e tyre financiare”, thuhet në njoftim.

  • ​Joshua-Dubois, kjo është koha kur mund të zhvillohet lufta tjetër

    ​Joshua-Dubois, kjo është koha kur mund të zhvillohet lufta tjetër

    Anthony Joshua dhe Daniel Dubois mund të përballen për një revansh në muajin shkurt, si pjesë e një ngjarjeje “surprizë e madhe” në Arabinë Saudite.

    Në shtator, Dubois e mposhti Jishuan me nokaut në raundin e pestë në stadiumin “Wembley”. Pas meçit, në të cilin Dubois ruajti titullin e IBF-së në peshën e rëndë, promotori i Joshuas, Eddie Hearn tha se “AJ” kishte një klauzolë për rimeç.

    Joshua, 34 vjeç, pritet të aktivizojë këtë klauzolë dhe një revansh me Dubois, 25 vjeç, mund të vijë shumë shpejtë, përcjellë KP.

  • Aktakuzë kundër një personi për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës

    Aktakuzë kundër një personi për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë- Departamenti Special kundër L.D., i cili ngarkohet për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës më 29 maj 2023 afër objektit të Komunës së Zveçanit.

    Në njoftimin e PSRK-së, thuhet se L.D., ngarkohet për veprat penale “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Sipas aktakuzës i pandehuri më datë 29.05.2023, afër objektit të Komunës së Zveçanit, në koordinim me të pandehur të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, përmes përdorimit të dhunës i kanë sulmuar dhe seriozisht i kanë kanosur ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, si dhe disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.

    Prokurori i Shtetit nga Prokuroria Speciale ka kërkuar nga Gjykata që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe të njëjtit t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në përfundim të këtij rasti penal.