ATV

Category: Lajme

  • Banorët e fshatit Shipitullë: Shpronësimet na kanë detyruar t’i mbyllim fermat

    Banorët e fshatit Shipitullë: Shpronësimet na kanë detyruar t’i mbyllim fermat

    Ajri i ndotur, zhurmat e mëdha, mbyllja e fermave, ambulancës dhe shkollës janë disa nga shqetësimet të cilat i shprehën sot banorët e fshatit Shipitullë të Obiliqit duke protestuar para objektit të ri të qeverisë së Kosovës për disa herë lidhur me shpronësimet.

    Disa nga rreth 40 banorë të Shipitullës që morën pjesë në protestë thanë se janë detyruar që t’i mbyllin bizneset e tyre dhe nuk janë lejuar t’i hapin të rejat për shkak të padrejtësive që po u bëhen nga shpronësimet e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

    Përfaqësuesi i fshatit, Arsim Mjeku tha se në pamundësi për të hapur një fermë të pulave, është detyruar që biznesin ta hapë të një lloji tjetër në komunën e Fushë Kosovës.

    Ai pretendoi se vija e procesit të shpronësimit ka lëvizur, e që sipas tij ekskavatori i KEK-ut është më afër shtëpive se që e lejon ligji dhe se po u merren tokat për shpronësim, por jo edhe shtëpitë.

    “KEK-u këtë që e ka bërë nuk e ka bërë në mënyrë ligjore dhe të sinqertë sa i përket banorëve të fshatit Shipitullë. E ka bërë një padrejtësi shumë të madhe, dikush duhet të japë përgjegjësi…E ka lëvizur vijën andej lartë, sipas dëshirës, si e kanë pasur interesin e vet…20:07 Sa i përket investimeve në bujqësi, ka pasur që i kanë ferma të lopëve, të dhive, të deleve janë mbyllu. AK pasur të ndërtohet një fermë e pulave diku rreth 25 mijë pula dhe diku 20 mijë copë qura…Për atë projekt kam qenë unë që kam pasur ta bëjë, por nuk është mundësuar në vitin 2017…Investimet që kam pasur t’i bëjë në fshatin Shipitullë më është dashur t’i bëjë në komunën e Fushë Kosovës”, tha Mjeku.

    Edhe banori, Musli Mjeku tregoi për shkak të shpronësimeve, mbi 150 krerë bagëti janë detyruar t’i heqin.

    “Unë mund t’iu them si agronom që deri tash i kemi pasur diku mbi 150 frymë bagëti sot nuk është asnjë. Arsyet po shihen në bazë të kësaj, prej 2004 është ardhur vendim që në fshatin Shipitullë nuk bënë të ngritet asgjë. Unë i kam gjashtë fëmijë, nuk mund t’i mbajë një vend, si të bëjë zgjidhje e tyre”, tregoi Mjeku.

    Avokatja që po merret me këtë çështje e cila banon kohë pas kohe në këtë fshat, Sadije Mjekiqi tha se brenga dhe shqetësimi i banorëve të fshatit Shipitullë janë mjaft serioze.

    Ajo tha se kërkesën me shkrim e kanë paraqitur në tetë institucione duke filluar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, disa ministrive dhe organeve të tjera, porse shton se kanë hasur në vesh të shurdhër.

    “Kemi paraqitur një kërkesë me shkrim tetë institucioneve të Republikës së Kosovës, duke filluar nga kryeministri Albin Kurti, Artane Rizvanolli ministre e Ekonomisë, ju kemi drejtuar Liburn Aliut, ministër i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Rifat Latifit ministër i Shëndetësisë…Pastaj, Faton Pecit që ta kuptoj se sa në rrezik dhe sa të dëmtuar janë të gjitha ngasratë bujqësore nga të gjitha kanë jetuar banorët Shipitullë…Aty kam shprehur shqetësimin e banorëve të fshatit Shipitullë duke sqaruar se tokat e tyre, duke përfshirë arat, livadhet, brigjet, malin, kopshtet mbi 90 për qind janë shpronësuar. Kurse kanë ngelur vetëm shtëpitë me oborre…Prej tetë institucioneve të dorëzuara ka hasur në vesh të shurdhër dhe janë sikur asgjë nuk po ndodhë. Të mos u mbetem borxh tri organe na janë përgjigjur”, tha Mjekiqi.

    Përveç këtyre, Mjekiqi theksoi se institucionet po tregohen jo serioze dhe aspak të interesuara karshi kërkesës së banorëve të fshatit Shipitullë.

    Sipas saj, ministria e Mjedisit, Planifikimmit Hapësinor dhe Infrastrukturës që merret me shpronësime ka bërë shkelje flagrante të dispozitave ligjore. Mjekiqi tha se janë shkelur Ligji për Mbrojtjen nga Zhurma, për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja, ligji për Shëndetësi Publike, ai për Mbeturinat e disa të tjerë.

    “Unë kurrë nuk mundem me ditë përgjigjen e institucioneve tona. Por, janë dalë shumë pa serioze të pa interesuara, po iu bëjë apel që të merren seriozisht me jetën dhe dëmet që u shkaktohen banorëve të fshatit Shipitullë…09:06 Qeveria, përkatësisht ministria që merret me shpronësime të cilën e drejton Liburn Aliu duke mos i përfillur jetën, mënyrën e jetës së banorëve të Shipitullës kanë bërë shkelje flagrante të dispozitave ligjore të Ligjit për Mbrojtjen nga Zhurma, për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja…Ligji për Ujërat është i shkelur në këtë rast, e kanë shkelur ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit, për Mbrojtjen e Natyrës, Ligjin për Shëndetësi sepse dëmtohet çdo ditë e më shumë shëndeti i banorëve dhe kanë shkelur Ligjin për Mbeturinat”, theksoi Mjekiqi.

    Banorët e këtij fshati, përveç para objektit të qeverisë, më parë kanë protestuar edhe para ministrive dhe zyrave të KEK-ut.

  • Falja e borxheve për ambalazhuesit e ujit dhe mesazhet e Mihalit me Krasniqin, PDK-ja kërkon seancë të jashtëzakonshme

    Falja e borxheve për ambalazhuesit e ujit dhe mesazhet e Mihalit me Krasniqin, PDK-ja kërkon seancë të jashtëzakonshme

    Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka bërë të ditur se kanë kërkuar që të mërkurën të mbahet seancë e jashtëzakonshme.

    Arsyeja e thirrjes së seancës tha ai është falja e borxheve të ambalazhueseve të ujit dhe mesazhet ndërmjet Dejona Mihalit dhe ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi.

    “Nesër kemi ftuar seancën e radhës, seancë e jashtëzakonshme. Kemi kërkuar edhe një komision hetimor në të cilën nuk është votuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Çështjen e borxheve të ambalazhuesve të ujit, kjo nuk është votuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Dëmi që është shkaktuar është 11 milionë euro. Çështje tjetër e rëndësishme është çështja e përgjimeve në sektorin e energjisë elektrike”, tha Tahiri.

  • Kurti në Berlin – sheh nga afër ekspozitën “Rezistenca paqësore dhe shtetformimi në Kosovë 1988 – 1998”

    Kurti në Berlin – sheh nga afër ekspozitën “Rezistenca paqësore dhe shtetformimi në Kosovë 1988 – 1998”

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku, kanë para nga afër ekspozitën “Rezistenca paqësore dhe shtetformimi në Kosovë 1988-1998” të kuruar nga autori Shkumbin Brestovci, e paraqitur para publikut gjerman në Berlin.

    Në një postim në Facebook, shefi i qeverisë thotë se kjo ekspozitë është organizuar nga një bashkëpunim i ngushtë ndërmjet Ambasadës së Kosovës në Berlin, Fondacionit Friedrich Ebert-Stiftung dhe Institutit Leibniz për Kërkimet e Evropës Lindore dhe Juglindore në Regensburg.

    Më tek, Kurti thotë se rruga e ndjekur nga vendi ynë Kosova si dhe nga populli dhe liderët politikë të saj në të kaluarën, janë historia e domosdoshme prej nga nisemi për të ardhmen tonë politike krah vendeve të Bashkimit Evropian.

  • Qytetarit nga Prizreni i gjenden 15 monedha floriri në Morinë

    Qytetarit nga Prizreni i gjenden 15 monedha floriri në Morinë

    Një 56-vjeçar nga Prizreni, me iniciale F. A., është proceduar penalisht në Morinë pasi tentoi të fuste në Shqipëri 15 monedha floriri pa i deklaruar.

    Gjatë kontrollit të detajuar të automjetit tip “BMW”, të drejtuar nga F. A., policia gjeti dhe sekuestroi monedhat floriri, të cilat po tentoheshin të futeshin në Shqipëri në shkelje të ligjeve në fuqi, shkruan A2.

    “Pas përfundimit të procedurave të para, materialet iu referuan Prokurorisë, e cila ka nisur procedimin në gjendje të lirë për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.

    “Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin kosovar F. A., 56 vjeç, banues në Prizren, Kosovë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.

    “Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Irani dënon vendimin për sanksionimin e Teheranit nga BE-ja dhe Britania

    Irani dënon vendimin për sanksionimin e Teheranit nga BE-ja dhe Britania

    Irani ka dënuar rundin e ri të sanksioneve të vendosura ndaj Teheranit nga Bashkimi Evropian dhe Britania, duke mohuar se i ka ofruar raketa balistike Rusisë.

    Kështu tha më 15 tetor një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Iranit përmes një postimi në X.

    Bashkimi Evropian të hënën u pajtua për vendosjen e sanksioneve ndaj shtatë personave dhe shtatë organizatave, përfshirë kompaninë ajrore, Iran Air, për shkak të lidhjeve të tyre me transferet iraniane të raketave balistike në Rusi.

    Njëkohësisht, Britania i shtoi në listën e saj të sanksioneve edhe nëntë entitete nga Irani.

    Muajin e kaluar, Shtetet e Bashkuara, duke cituar informacionet që janë ndarë me aleatët, tha se Rusia ka pranuar raketa balistike nga Irani për t’i përdorur në luftën e saj kundër Ukrainës.

    Zëdhënësi i MPJ-së iraniane, Esmaeil Baghaei, mohoi se shteti i tij i ka ofruar raketa balistike Rusisë.

    “Disa shtete evropiane dhe Britania fatkeqësisht pretendojnë, pa asnjë dëshmi, se Irani ka ndërhyrë ushtarakisht në këtë konflikt, gjë që ne e hedhin poshtë plotësisht”, tha Baghaei, duke iu referuar pushtimit rus të Ukrainës.

    Baghaei dënoi rundin e ri të sanksioneve dhe tha se vendosja e sanksioneve të reja nga BE-ja dhe Britania kundër individëve dhe entiteteve iraniane ishte në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.

    Sipas sanksioneve do të ndalohen të gjitha fluturimet nga kompanitë ajrore iraniane për në Evropë, thanë zyrtarët iranianë.

    Në mesin e personave të sanksionuar është edhe zëvendësministri iranian i Mbrojtjes, Seyed Hamzeh Ghalandari.

    Sanksionet po ashtu përfshijnë ngrirjen e aseteve dhe ndalesa të udhëtimeve për në BE./REL

  • Hapja e kapitujve për anëtarësim në BE, Osmani uron Shqipërinë

    Hapja e kapitujve për anëtarësim në BE, Osmani uron Shqipërinë

    Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka uruar Shqipërinë për hapjen e kapitujve të anëtarësimit në BE.

    Osmani e cilësoi si moment historik.

    “Urime Shqipërisë për arritjen e një momenti historik të madh në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në BE!”, shkroi ajo.

    Tutje, e para e shtetit të Kosovës, ka thënë se hapja e kapitujve të anëtarësimit në BE e sjell Shqipërinë një hap më pranë një të ardhmeje më të ndritshme dhe më të begatë për të gjithë qytetarët e saj.

    “Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera demokratike në rajonin tonë duhet të vazhdojnë të përparojnë në rrugët e tyre drejt BE-së, e cila është thelbësore për sigurimin e paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm – jo vetëm për rajonin, por për të gjithë Evropën”, ka shkruar Osmani në X.

  • “Dialogu Kosovë – Serbi shumë i rëndësishëm”, thotë ministri francez pas takimit me kryeministrin serb

    “Dialogu Kosovë – Serbi shumë i rëndësishëm”, thotë ministri francez pas takimit me kryeministrin serb

    Ministri i Francës për Çështjet Europiane, Benjamin Haddad, ka thënë se pati një “takim produktiv” me kryeministrin e Serbisë, Millosh Vuçeviq.

    Takimi u zhvillua të hënën në Berlin, ku u mbajt samiti i radhës i Procesit të Berlinit.

    Haddad shkroi se u mbështetën në “diskutimet e mbajtura nga presidenti Emmanuel Macron gjatë vizitës së tij në Serbi më 29 dhe 30 gusht”.

    “Ne ritheksojmë angazhimin tonë për këtë bashkëpunim dypalësh, veçanërisht në fushën e inteligjencës artificiale dhe perspektivën e anëtarësimit të Serbisë në BE”, tha ministri francez.

    Ai tha se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është shumë i rëndësishëm për Francën, e cila u tha se angazhohet për sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

  • Mali i Zi me më pak se 5% të banorëve shqiptarë

    Mali i Zi me më pak se 5% të banorëve shqiptarë

    Në Mal të Zi, 41.1 për qind e qytetarëve deklarohen si malazezë, ndërsa 32.9 për qind si serbë, tregojnë rezultatet e regjistrimit të fundit të popullsisë, që u bë në dhjetor të vitit 2023.

    Ato u publikuan të martën nga Drejtoria e Statistikave në këtë vend, MONSTAT.

    Për krahasim, në regjistrimin e parafundit – më 2011 – 45 për qind ishin malazezë dhe rreth 29 për qind ishin serbë.

    Të dhënat e fundit tregojnë, po ashtu, se popullsinë e Malit të Zi e përbëjnë 9.45% boshnjakë, 4.97% shqiptarë, 2% rusë dhe 1.6% myslimanë.

    Krahasuar me regjistrimin e parafundit, numri i shqiptarëve duket stabil: më 2011 ishin 4.91%, apo 30.439, ndërsa tani janë 30.978.

    Në regjistrimin e fundit, rreth 2.8% e popullsisë nuk u deklaruan.

    Në Mal të Zi, përndryshe, jetojnë 623.633 banorë, që do të thotë 0.6% më shumë se në vitin 2011.

    Në pyetjen se çfarë gjuhe flasin, 36.2% thanë gjuhën malazeze, ndërsa 43.5% gjuhën serbe.

    Sipas fesë, qytetarët e Malit të Zi ndahen në ortodoksë – 71.1%, myslimanë – 20% dhe katolikë – 3.2%.

    Regjistrimi i rregullt i popullsisë në Mal të Zi duhej të bëhej në vitin 2021, por, fillimisht, u shty për shkak të pandemisë së koronavirusit.

    Pas saj, ai u shty disa herë, për shkak të mosbesimit të opozitës në atë proces.

    Partia Demokratike e Socialistëve shprehu vazhdimisht dyshime se qëllimi i vërtetë i regjistrimit ishte rritja e numrit të serbëve në Mal të Zi dhe ulja e numrit të malazezëve.

    Për muaj të tërë, forcat dhe mediat proserbe e proruse bënë fushatë, duke u kërkuar qytetarëve që të deklaroheshin si serbë.

    Fushatës iu bashkua edhe Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, i cili u bëri thirrje qytetarëve që të identifikoheshin si pjesëtarë të popullit serb dhe besimtarë të Kishës Ortodokse Serbe, që flasin gjuhën serbe.

    Krerët e kësaj kishe e mohojnë kombin malazez, duke e klasifikuar atë si pjesë të korpusit serb.

    Në atë kohë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, fliste vazhdimisht për rëndësinë e regjistrimit në përcaktimin e numrit të serbëve në Mal të Zi./REL/

  • MCC/MCA: Projekti ‘Energji për barazi’ transformon sektorin e energjisë

    MCC/MCA: Projekti ‘Energji për barazi’ transformon sektorin e energjisë

    Për herë të parë në strategjinë e energjisë për vitin 2022-2031, do të ketë rritje në përqindjen e grave në sektorin e energjisë së paku deri në 25 për qind.

    Kështu u tha në lansimin e projektit të “Energji për barazi”, nga MCC/MCA në Kosovë, aktivitet i cili synon fuqizimin e grave në sektorin e energjisë.

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se vlerësimet kanë qenë se vetëm 9 për qind e fuqisë punëtore në sektorin e energjisë në Kosovë të jenë gra dhe tashmë do të jetë deri në 25 për qind.

    “Sektori i energjisë i cili tradicionalisht ka qenë i dominuar nga burrat, ka përjetuar ndryshime të mëdha në dekada të fundit, pavarësisht progresit dhe ndryshimeve teknologjike, gratë vazhdojnë që të jenë të nënpërfaqësuara në pozita udhëheqës. Sa i përket pjesëmarrjes së grave në sektorin e energjisë në kohë kur kemi dizajnuar komponente, vlerësimet kanë qenë që vetëm 9 për qind e fuqisë punëtorë në sektorin e energjisë në Kosovës kanë qenë gra. Kjo pikënisje për dizajnimin e kësaj komponente të rëndësishëm por ka qenë arsyeja pse për herë të parë në strategjinë e energjisë për vitin 2022-2031 e kemi vendosur rritje e përqindjes së grave në sektorin e energjisë si një prej objektivave kyçe, ta rrisim në të paku 25 për qind”, ka thënë Rizvanolli.

    Ndërsa, kryeshefja ekzekutive në MCA Kosovë, Florina Duli ka shtuar se përmes projektit JETA, do t’i thyejnë këto barriera, duke krijuar shtigje që gratë të përparojnë në sektorin e energjisë përmes garanteve dhe asistencës teknike.

    “Ende shumë çka mbetet për të bërë për të adresuar mospërputhjen gjinor në këtë sektor, i cili përbëjnë vetëm 15 për qind të fuqisë punëtore. Kjo është me e theksuar në kompanitë publike, në ndërmarrjet publike, ku përfaqësimi i grave është më i ultë se sa në sektorin privat. Në MCA mbetemi plotë shpresë që përmes projektit JETA t’i thyejmë këto barriera që t’i stimulojmë ndryshimet në kompani duke krijuar shtigje që gratë të përparojnë në sektin e energjisë e tutje përmes grandeve dhe asistencës teknike”, ka shtuar Duli.

    Po ashtu, drejtori i projektit JETA, MCA Kosovë, Hamit Qeriqi ka vijuar se Programi i granteve ofron mbështetje financiare për kompanitë në tre kategori të ndryshme, të vogla, mesme dhe të mëdha, duke përfshirë organizata e shoqërisë civile.

    “Aktiviteti përfshin tre nënaktivitete kyçe, granti për gratë në energji, forcimi i shtigjeve për përparim dhe përfshirje për gratë më energji dhe shpërblimi për kompaninë më të mirë. Programi i granteve ofron mbështetje financiare për kompanitë dhe këtë e kemi përshkallëzuar në tre kategori të ndryshme, mikro, të vogla, mesme dhe të mëdha dhe duke përfshirë organizatat e shoqërisë civile. Kemi disa iniciativa që lidhen me shtigjet që përqendrohen në zhvillimin e kapaciteteve të grave si mundësi për pune praktike, trajnimi dhe mundësi për bursa për programe specifike që lidhen me sektorin e energjisë”, ka vijuar Qeriqi.

    E drejtori menaxhues i sektorit të operacioneve në MCC, Kevin Mitchell është shprehur se ky program investon drejt një të ardhme të energjisë që është më e përballueshme. /kp

  • Edhe dy muaj tjerë paraburgim për Thaçin dhe Veselin

    Edhe dy muaj tjerë paraburgim për Thaçin dhe Veselin

    Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, kanë marrë vendim për vazhdimin e masës së paraburgimit edhe për nga dy muaj të tjerë për ish-Presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli, të cilët akuzohen për krime lufte së bashku me Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.

    Vendimet e ndara për dy të akuzuarit janë marrë më 14 tetor 2024 nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Në të dy vendimet, thuhet se nuk ka mjaftueshëm informacione që tregojnë se në rast që të akuzuarit lirohen nga paraburgimi, ata mund të arratisen nga drejtësia. Mirëpo, thuhet se ka rrezik që të pengojnë administrimin e drejtësisë dhe të kryejnë krime ndaj atyre që perceptohen kundërshtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), si dhe ndaj dëshmitarëve.

    “Paneli konkludon se në këtë moment nuk ka ende mjaftueshëm informacion që të justifikojë një gjetje se z. Thaçi (z.Veseli) mund të arratiset nga drejtësia nëse lirohet. Megjithatë, Paneli është i kënaqur, bazuar në standardin përkatës, se ekziston një rrezik i mjaftueshëm që z. Thaçi (z.Veseli) do të pengojë përparimin e procedurave të Dhomave të Specializuara dhe se ai mund të kryejë krime të tjera kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë dëshmitarët që kanë dhënë ose mund të japin dëshmi në këtë çështje dhe/ose pritet të paraqiten para Dhomave të Specializuara”, thuhet në vendimet ndaj tyre.

    Ashtu si për Thaçin, edhe për Veselin, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka parashtruar se rreziqet përkatëse që mund të dalin nga dy të akuzuarit, mund të menaxhohen në mënyrë efektive vetëm në objektin e paraburgimit.

    Gjithashtu, në këto vendime thuhet se ZPS-ja ka parashtruar se sjellja e dy të akuzuarve paraqet rrezik të shtuar për shkak të zbulimit të vazhdueshëm të informacioneve të ndjeshme të dëshmitarëve lidhur me procesin gjyqësor.

    “Sjellja e z. Thaçi tani paraqet një rrezik jashtëzakonisht të shtuar, aq sa edhe kufizimet dhe monitorimi standard i komunikimeve në Qendrën e Paraburgimit nuk janë të mjaftueshme. Prandaj, duke pasur parasysh zbulimin e vazhdueshëm të informacioneve të ndjeshme të dëshmitarëve të lidhura me procedurat aktuale gjyqësore, rreziqet themelore vazhdojnë të ekzistojnë”, thuhet në vendimin për vazhdimin e paraburgimit për Thaçin, e ngjashëm edhe në atë për Veselin.

    Si rrjedhojë, tek këto vendime, Paneli ka rikujtuar se arsyeshmëria për vazhdimin e paraburgimit ndaj të akuzuarve duhet të vlerësohet bazuar në fakte të secilit rast dhe veçorive specifike të tij.

    Tek rasti i Thaçit, si veçori specifike përmendet ndikimi dhe autoriteti e të akuzuarit, mundësia për t’u përballur me një dënim të gjatë me burg, rreziku që i akuzuari të kryejë krime të tjera, e të tjera.

    “Veçoritë specifike të këtij rasti përfshijnë: (i) ndikimin dhe autoritetin e z. Thaçi; (ii) njohurinë e tij për akuzat dhe provat kundër tij, dhe mundësinë e një dënimi të gjatë me burg; (iii) rrezikun që z. Thaçi të pengojë procedurat e Dhomave të Specializuara; (iv) rrezikun e kryerjes, nxitjes ose ndihmës në kryerjen e krimeve të tjera; (v) faktin se masat kufizuese në rast lirimi nuk janë të mjaftueshme për të zbutur rreziqet; (vi) rëndësinë dhe kompleksitetin e akuzave kundër z. Thaçi; dhe (vii) faktin se gjyqi është në zhvillim, duke treguar një përparim të arsyeshëm të procedurave”, thuhet në vendimin për Thaçin.

    Ndërsa, për Veselin, Paneli ka vlerësuar se ai akuzohet për dhjetë pika të krimeve ndërkombëtare, e në rast që shpallet fajtor mund të dënohet me një dënim të gjatë me burg.

    “Sipas vlerësimit të Panelit, veçoritë specifike të këtij rasti përfshijnë: (i) z. Veseli është i akuzuar për dhjetë pika të krimeve të rënda ndërkombëtare, në të cilat ai dyshohet të ketë luajtur një rol të rëndësishëm; (ii) nëse shpallet fajtor, z. Veseli mund të përballet me një dënim të gjatë me burg; (iii) rreziqet sipas nenit 41(6)(b)(ii) dhe (iii) nuk mund të zbuten me ndonjë kusht; (iv) çështja kundër z. Veseli është komplekse; dhe (v) fakti që gjyqi është në zhvillim, duke treguar një përparim të arsyeshëm të procedurave”, thuhet në vendimin për Veselin.

    Si rrjedhojë, Paneli ka konstatuar se vazhdimi i paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë për dy të akuzuarit është i nevojshëm dhe i arsyeshëm kështu duke e urdhëruar vazhdimin e një mase të tillë.

    Në fund të vendimeve, trupi gjykues ka urdhëruar edhe ZPS-në që të dorëzojnë parashtrimet e tyre mbi shqyrtimin e ardhshëm të paraburgimit ndaj Thaçit dhe Veselit deri më 22 nëntor 2024. ndërsa përgjigjet në këto parashtrime të dorëzohen sipas afateve të përcaktuara me Rregullore.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.