ATV

Category: Lajme

  • Zelensky prezanton “Planin e fitores” që përfshin kërkesën për anëtarësim në NATO

    Zelensky prezanton “Planin e fitores” që përfshin kërkesën për anëtarësim në NATO

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka prezantuar një plan, që ai beson se do të ndryshonte kahen e luftës në të mirë të Kievit, dhe do të mund t’i jepte fund konfliktit me Rusinë, jo më larg se vitin e ardhshëm.

    Në një fjalim të mbajtur para Parlamentit ukrainas, më 16 tetor, Zelensky ka bërë thirrje që “partnerët t’i heqin kufizimet për përdorim të armëve me rreze të gjatë në gjithë territorin ukrainas të pushtuar nga Rusia, në territorin rus dhe në infrastrukturën ushtarake të armikut”, dhe të ofrohet ndihmë në “furnizim të brigadave rezervë”.

    Në “Planin e fitores” të përbërë prej pesë pikave, ai ka e ka hedhur poshtë mundësinë e copëtimit të territorit ukrainas, dhe ka bërë thirrje që Kievit të ftohet për t’iu bashkuar aleancës ushtarake të NATO-s, dhe që Kievi të pajisjet me një paketë strategjike parandaluese jobërthamore.

    Lideri ukrainas ka thënë se do të prezantojë hollësitë e planit të enjten në një samit të Bashkimit Evropian, që do të mbahet në Bruksel.

    Ai ka thënë se planin e ka diskutuar me liderë të Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Italisë dhe Gjermanisë.

    Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se Ukraina duhet të “kthjellet”, dhe e ka akuzuar Zelenskyn se vetëm e ka “kamufluar” një plan amerikan.

    Moska kundërshton hapur anëtarësimin e Ukrainës në NATO, dhe një mundësi të tillë e përdor si pretekst pse e ka nisur luftën në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

    Kievi ka pritur të marrë një përgjigje për planin, në një takim që ishte planifikuar të mbahet në bazën Ramstein javën e kaluar në Gjermani, mirëpo takimi është shtyrë për shkak se presidenti amerikan, Joe Biden e ka anuluar udhëtimin, për shkak të uraganit Milton.

    Zelensky ka thënë se pret përgjigje për planin para zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit në Shtetet e Bashkuara – vendin që ofron përkrahjen më të madhe financiare dhe ushtarake për Kievin – meqë një fitore e kandidatit republikan, Donald Trump mund të zbehë përkrahjen e Uashingtonit.

    Prezantimi i Zelenskyt vjen teksa Rusia vazhdon të rrisë presionin në qytetet dhe infrastrukturën ukrainase, dhe derisa ushtria ruse avancon në qytezën e rëndësishme Pokrovsk.

    Më 16 tetor, Rusia e ka sulmuar Ukrainën me 136 dronë dhe dy raketa.

    Forca ajrore ukrainase ka thënë se shumica e raketave janë rrëzuar prej sistemit për mbrojtje ajrore./REL

  • Selmanaj: Problem serioz për ata që Simiqin e quajnë vëlla, e Isa Mustafën “horr”

    Selmanaj: Problem serioz për ata që Simiqin e quajnë vëlla, e Isa Mustafën “horr”

    Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj ka komentuar bisedën e koordinatores së VV-së, Dejona Mihali dhe ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi e ku në një pjesë të bisedës, Mihali e quan “horr” Isa Mustafën.

    Ai tha se është një problem serioz për ata që Simiqin e quajnë vëlla, e Mustafën “horr”.

    “Nëse këta mendojnë që Isa Mustafa dhe LDK-ja qenkan ‘horra’, e Simiqi qenka ‘brate’ apo vëlla këtu qenka një problem serioz të nderuar që po na shikoni. Kush janë këta njerëz këtu. Në momentin që ne dalim e flasim për këto fenomene këta dalin e thonë këta janë të Serbisë, a në fakt shumë gjëra lidhen kështu ndoshta edhe rastësisht”, tha ai.

  • Disa lagje të Prishtinës mbesin pa ujë, shkak punimet e paplanifikuara

    Disa lagje të Prishtinës mbesin pa ujë, shkak punimet e paplanifikuara

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se ka ndërprerje të furnizimit me ujë në disa lagje të Prishtinës.

    Krejt kjo shkaku i disa punimeve teknike të paplanifikuara.

    “Ju njoftojmë se për shkak të disa punimeve teknike të paplanifikuara kemi ndërprerje të furnizimit me ujë/ Bregu i Diellit prej banesave të bardha deri te qendra ” Hyzri Talla” dhe lagjja Kalabria”, thuhet në njoftimin në Facebook.

  • ​Tahiri: LV-ja është në faj, prandaj po ikë nga ballafaqimi

    ​Tahiri: LV-ja është në faj, prandaj po ikë nga ballafaqimi

    Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, e ka quajtur të papranueshme që Dejona Mihali, zyrtare partiake e Lëvizjes Vetëvendosje të ketë ndikim dhe kontroll në secilën ministri dhe ndërmarrje publike.

    Sipas tij, strukturat joformale që s’kanë asnjë funksion publik nuk duhet me pas asnjë rol në Qeverinë e Kosovës.

    “Struktura joformale të cilat nuk kanë asnjë rol në Qeverinë e Kosovës, s’kanë funksione publike, sot vendosin për paratë e taksapaguesve të Kosovës. A kuptoni se përmes një pazari, negocimi mundohet që paraja publike dhe korrupsioni të instalohet si e mirë publike. A kuptoni se të gjitha veprimet e njëpasnjëshme që ne i kemi diskutuar këtu dhe po diskutohen në diskursin publik janë duke shpërfaq dy konkluzione. Kjo qeveri ka ardh në pushtet me mashtrim. Para katër viteve ka dhënë platformë politike vetëm për me marrë besimin dhe atë mos me kthy në të mirën e shtetit por në të mirë partiake që s’kanë funksione sikurse është koordinatorja e LVV-së (Dejona Mihali)…Kosova ka ardh në një stad kur diskutohen në struktura joformale se kur duhet me u ndal rryma dhe kur duhet me u leshu rryma. S’ka logjik se një institucion partiak me pas ndikim me dhënë udhëzime politike dhe programore në Kuvend. Është e papranueshme se para-politika me pas kontroll në secilin ministër dhe ndërmarrje publike”, tha ai.

    Tahiri në seancën e jashtëzakonshme, ku po diskutohet për faljen e borxheve të ambalazhuesve të ujit, tha se partia në pushtet, LVV-ja është në faj, prandaj po ikë nga ballafaqimi në Kuvend.

    “Cila ka qenë mënyra dhe baza e shlyerjes së borxheve. Duhet të jetë e saktë se në çfarë baze është vendosur se për kompani të caktuara është konstatuar borxhi i grumbulluar dhe pastaj të njëjtat kanë pranuar vendime me vlera financiare. Po flasim për vlera milionëshe. Në jemi në dy muajt e fundit të këtij kuvendi. Edhe fëmija në djep e dinë se kur ikë dikush, ikë për shkak se është në faj. Kjo qeveri dhe kjo mazhorancë janë në faj se s’kanë qysh me mbrojt një skandal korruptiv që shihet se është bardh e zi”, shtoi ai.

  • BE-ja u bën thirrje vendeve anëtare që të ofrojnë ndihmë mjekësore për Libanin

    BE-ja u bën thirrje vendeve anëtare që të ofrojnë ndihmë mjekësore për Libanin

    Komisionerja e Shëndetësisë e BE-së, Stella Kyriakides dhe komisioneri për menaxhimin e krizave, Janez Lenarçiç u kanë bërë thirrje vendeve anëtare të BE-së që t’i ofrojnë ndihmë mjekësore Libanit, në një letër drejtuar vendeve anëtare.

    Letra citon “armiqësitë e vazhdueshme, të cilat kanë vënë një tendosje të rëndë mbi shërbimet mjekësore në Liban”.

    Që nga 30 shtatori, Forcat e Mbrojtjes izraelite (IDF) kanë nisur një operacion tokësor në Libanin jugor, duke synuar grupin militant Hezbollah të mbështetur nga Irani.

    Komisioni Evropian ka marrë një kërkesë zyrtare për ndihmë nga autoritetet libaneze, duke theksuar nevojën urgjente për furnizime jetike mjekësore, thuhet në letër.

    Kjo kërkesë po përpunohet përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së, i krijuar në vitin 2001, i cili ka zgjeruar bashkëpunimin midis shteteve anëtare të BE-së dhe 10 vendeve të tjera pjesëmarrëse për të përmirësuar parandalimin dhe reagimin ndaj fatkeqësive.

  • Zemaj: Dejona Mihali është vet Kurti

    Zemaj: Dejona Mihali është vet Kurti

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka folur gjatë seancës së sotme të jashtëzakonshme për raportimet e mediave për ambalazhuesit e ujit.

    Ai përmendi edhe publikimin e bisedave mes Dejona Mihalit e Nagip Krasniqit dhe Mimoza Kusarit me Igor Simiqin.

    Zemaj me këtë rast tha se Mihali është vet Kurti.

    “Të rikujtojmë që Hafizi nuk është ndonjë person i parëndësishëm, ai është njeri shumë i afërt me Kurtin, ndërsa Dejona është vet Kurti. Të dy rastet tregojnë se kjo qeveri është zhytur në korrupsion, këta njerëz janë shkurt e shqip struktura kriminale. Duhet të dimë se si njeriu i quajtur Naser Hafizi me pagë pak më shumë se 700 euro të blejë 4 banesa, prona dhe vec në muajin shkurt të këtij viti të ketë qarkullim bankar mbi 400 mijë euro, pse nuk janë alarmuar insitutucionet përgjegjëse me kohë për disproporcionin e madh në krahasim me të hyrat e tij, a deri këtu e ka kapur shtetin kjo qeveri e cila edhe sot del i mbron njerëzit e korruptuar dhe atë pa fije turpi? A mund të dijmë spe një person i quajtur Dejona Mihali, pa asnjë pozitë në qeveri, vendos kur duhet të ndalet rryma, çfarë të komunikohet dhe si të komunikohet për punësime dhe për zhvillim? Kësaj s’mund t’i themi gjë tjetër veçse organizim i një skeme kriminale, pa frikën e përgjegjësisë dhe pa brengën e llogaridhënies”, ka thënë Zemaj.

  • Kosovë-Hungari, nënshkruhet Memorandum bashkëpunimi në fushën e cilësisë në arsimin e lartë

    Kosovë-Hungari, nënshkruhet Memorandum bashkëpunimi në fushën e cilësisë në arsimin e lartë

    Gjatë një takimi zyrtar në Budapest, më 16.10.2024, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), Naim Gashi dhe Presidentja e Komitetit për Akreditim të Hungarisë (MAB), Valéria Csépe, kanë nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi në fushën e cilësisë në arsimin e lartë.

    Drejtori Gashi ka thënë se ky Memorandum bashkëpunimi është një lajm i mirë për cilësinë në arsimin e lartë dhe dëshmi për ndërkombëtarizimin e sistemit të arsimit në Republikën e Kosovës.

    Presidentja Csépe potencoi rëndësinë e këtij Memorandumi për cilësisë në arsimin e lartë konform objektivave të Zonën Evropiane të Arsimit të Lartë dhe shprehu gatishmërinë e MAB për ta përkrahur AKA-në në arritjen e objektivave të saj.

    Marrëveshja është nënshkruar në kuadër të një vizite zyrtare që AKA po zhvillon në Hungari një delegacion i Kosovës, i kryesuar nga Kryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, profesoresha Hasnije Ilazi.

    Të dy agjencitë janë pajtuar të shkëmbejnë informacione dhe ofrojnë këshilla profesionale për aktivitetet dhe proceset e njëra-tjetrës, për ofruesit e arsimit të lartë që veprojnë në secilin shtet, si dhe për zhvillimet në sistemet e arsimit të lartë të secilit vend.

    AKA dhe MAB janë pajtuar që të përfshijnë vlerësues ose specialistë nga sistemet e njëra-tjetrës për të forcuar dimensionet ndërkombëtare të proceseve të vlerësimit të secilës palë.

    Dy agjencisë janë dakorduar që të “bashkëpunojnë në projekte dhe aktivitete të dakorduara reciprokisht, për përfitimin e të dyja palëve, përfshirë vlerësimet e jashtme kundrejt standardeve specifike profesionale, zhvillimin e procedurave, rregulloreve, trajnimeve, seminareve, punëtorive, mbështetjen e mobilitetit të stafit, dhe kryerjen e kërkimeve në çështje që lidhen me sigurimin e cilësisë”.

  • Sulmoi KFOR-in dhe Policinë, Dejanoviq dënohet me 8 muaj burgim dhe 10 mijë euro gjobë

    Sulmoi KFOR-in dhe Policinë, Dejanoviq dënohet me 8 muaj burgim dhe 10 mijë euro gjobë

    Gjykata Themelore e Prishtinës e ka dënuar me 8 muaj burgim dhe 10 mijë euro gjobë të akuzuarin Lazar Dejanoviq, i cili ngarkohej nga Prokuroria Speciale për huliganizëm dhe sulm ndaj personit zyrtar në protestat e dhunshëm në veri të vendit më 2023-n.

    Atij do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

    Pasi që palët thanë se nuk do të ushtrojnë ankesë lidhur me lartësinë e dënimit, gjyqtari Valon Kurtaj e shpalli vendimin mbi dënimin që tash, të formës së prerë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Aktakuza ndaj të pandehurit Dejanoviq është ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 15 tetor 2024.

  • Kurti: Viktimat e dhunës seksuale, përkundër traumave të pashlyeshme treguan forcë për ndërtimin e një jete të re

    Kurti: Viktimat e dhunës seksuale, përkundër traumave të pashlyeshme treguan forcë për ndërtimin e një jete të re

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në 25-vjetorin e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës (QKRMT) tha se përkundër traumave të pashlyeshme, të mbijetuarat e dhunës seksuale kanë treguar forcë të jashtëzakonshme për të ndërtuar një jetë të re, raporton Ekonomia Online.

    Kurti u shpreh se kanë filluar me procesin e dokumentimit të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

    “Përveç ofrimit të përkrahjes ndaj të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës, organizatat e grave kanë kontribuar edhe në hartimin e politikave që avancojnë drejtësi tradicionale e që reflektojnë realitetin dhe nevojat e të mbijetuarave. Përkundër traumave të pashlyeshme, të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës, kanë treguar forca të jashtëzakonshme për të ndërtuar një jetë të re. Prandaj krahas mbështetjes së përhershme dhe të thellë, e kemi edhe një dhimbje për to”.

    “Teksa punojmë për përballje me të kaluarën, me përkushtimin tonë të përbashkët për të luftuar padrejtësitë dhe për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më të ndjeshme. Me këtë qëllim kemi themeluar për herë të parë pas luftës, Strategjinë për Drejtësi Tradicionale. Kemi filluar me procesin e dokumentimit të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë”.

    Osmani: Historia nuk mbyllet pa dalë para drejtësisë autorët e dhunimeve seksuale gjatë luftës

  • Osmani: Historia nuk mbyllet pa dalë para drejtësisë autorët e dhunimeve seksuale gjatë luftës

    Osmani: Historia nuk mbyllet pa dalë para drejtësisë autorët e dhunimeve seksuale gjatë luftës

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se shteti serb gjatë luftës në Kosovës, ka përdorur si mjet të fortë dhunën seksuale.

    Në 25-vjetorin e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Osmani i ka quajtur heroina dhe vetë nderi i Kosovës të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës.

    “Për gjatë 25 viteve, KRTC ka bërë një gjë që vështirë të përshkruhet me një fjalim. U siguruan që mund të flasin para popullit të Kosovës por edhe para botës dhe mund të vazhdojë luftën për drejtësi. Dua të iu siguroj që mbështetja për juve nuk do të ndalet por do të vazhdojë dhe ne do të luftojmë për këtë kauzë”.

    “Për gjatë këtyre, ne vazhdimisht e kemi kujtuar dhimbjen e së kaluarës, e mbi të gjitha ka një vendosmëri për të kërkuar drejtësi. Dhuna seksuale u përdor edhe si mjet nga udhëheqësi gjenocidial i Millosheviqit, në mënyrë që të vuajnë edhe gjeneratat pasuese. Historia dëshmoi një qendresë të popullit tonë, dhe kjo u dëshmua nga të mbijetuarat e dhunës seksuale për të treguar të vërtetën”, u shpreh ajo.

    Tutje, presidentja Osmani potencoi se historia nuk mbyllet pa dalë para drejtësisë autorët e krimit.

    “Edhe sot me praninë tuaj po e dëshmoni që historia të mos përsëritet, padrejtësitë nuk duhet të kalojë në heshtje dhe historia nuk mbyllet pa dalë para drejtësisë autorët e krimit. Jam e lumtur që Kosova për këto vite ka krijuar mekanizma që secila e mbijetuar ta ndjejë ndihmën e shtetit. Unë jam krenare për punën që po bën Vasfija”, ka thënë ajo.