ATV

Category: Lajme

  • Fundoset varka me emigrantë në brigjet e Greqisë, në mesin e viktimave dy fëmijë

    Fundoset varka me emigrantë në brigjet e Greqisë, në mesin e viktimave dy fëmijë

    Katër persona, duke përfshirë dy fëmijë, vdiqën të martën në ishullin grek të Kos në një aksident që përfshinte një varkë emigrantësh që kalonte nga Turqia e afërt, thanë autoritetet greke.

    Një deklaratë e rojes bregdetare tha se 27 persona u shpëtuan dhe askush nuk figuronte si i zhdukur.

    Në deklaratë thuhet se sipas të mbijetuarve, aksidenti ndodhi kur personi që drejtonte varkën e vogël bëri një manovër të ngathët pak larg Kosit.

    Dhjetë pasagjerë ranë në ujë dhe dy gra dhe dy fëmijë vdiqën, tha roja bregdetare.

    Të mbijetuarit u morën nga anijet e rojes bregdetare, raporton Associated Press.

    Autoritetet greke po përgatiten për një rritje të mundshme të ardhjeve të emigrantëve për shkak të luftimeve të vazhdueshme në Liban dhe Gaza.

    Më herët të martën, një zyrtar paralajmëroi se luftërat në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, të kombinuara me efektet e ndryshimeve klimatike, do ta vënë Evropën nën presion të vazhdueshëm afatgjatë nga imigracioni.

  • Një tërmet 6 shkallësh godet Turqinë

    Një tërmet 6 shkallësh godet Turqinë

    Një tërmet i fuqishëm e ka goditur sot Turqinë.

    Raportohet se fuqia e tërmetit ishte 6 shkallë të Rihterit dhe se thellësia e këtij tërmeti ishte 10 kilometra.

    Sipas faqes EMSC epiqendra e dridhjes së tokës ishte 18 kilometra në perëndim të Doganyol.

    Aktualisht nuk raportohet për dëme apo ndonjë të lënduar.

    Ndryshe, më 6 shkurt të 2023-tës, Turqia u përball me një tërmet tejet të madh 7.2 të shkallës Rihter dhe për pasojë mbi 50 mijë persona kishin vdekur.

  • Theret me thikë një nxënës në Mitrovicë, policia jep detaje

    Theret me thikë një nxënës në Mitrovicë, policia jep detaje

    Një nxënës i gjimnazit ‘Frang Bardhi’ në Mitrovicë është therur me thikë. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

    Sipas tij, lidhur me rastin është arrestuar një person i dyshuar i moshës se mitur.

    “Sot, rreth orës 09:45, është raportuar për një person të lënduar. Nga hetimet e para bëhet e ditur se incidenti ka ndodhur në sheshin Skenderbeu në Mitrovicë, ku pas një përleshje i lëndime nga një mjet i mprehtë ka pësuar viktima mashkull i moshës se mitur. Lidhur me rastin është arrestuar një person i dyshuar i moshës se mitur. Njësitet përkatëse po vazhdojnë me rrjedhën e hetimeve”, thotë Zahiti.

    Mësohet se i lënduari është dërguar në emergjencën e spitalit, ndërsa motivi i kësaj ngjarje nuk dihet.

  • Irani paralajmëron për përgjigje “të vendosur” nëse e sulmon Izraeli

    Irani paralajmëron për përgjigje “të vendosur” nëse e sulmon Izraeli

    Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, e ka paralajmëruar shefin e Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, që Teherani është gati për përgjigje “të vendosur”, nëse Izraeli sulmon shtetin e tij, si hakmarrje për sulmin me raketa.

    Republika Islamike ka lëshuar 200 raketa drejt Izraelit më 1 tetor, si hakmarrje për vrasjet e dy aleatëve të tij të ngushtë, liderin e Hamasit, Ismail Haniyeh dhe liderin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah, si dhe një gjeneral iranian.

    Lindja e Mesme vazhdon të jetë e alarmuar nga përshkallëzimi i mundshëm i luftës teksa Izraeli lufton grupet e mbështetura nga Irani, Hezbollahun në Liban dhe Hamasin – grup palestinez i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Gazë.

    Hezbollahu, grup militant dhe parti politike që kontrollon pjesën më të madhe në jug të Libanit, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, derisa Bashkimi Evropian e ka në listë të zezë vetëm krahun e armatosur, por jo partinë, e cila ka ulëse në Parlamentin e Libanit.

    Izraeli godet lagje të Bejrutit pavarësisht paralajmërimit amerikan

    Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant është zotuar javën e kaluar që masat hakmarrëse të vendit të tij do të jenë “vdekjeprurëse, precize dhe befasuese”, raporton Radio Evropa e Lirë.

    “Irani, duke bërë përpjekje për të mbrojtur paqen dhe sigurinë në rajon, është plotësisht i përgatitur për një përgjigje të vendosur”, ndaj Izraelit, ka thënë ministri Araghchi, përgjatë një bisede telefonike me Guterresin.

    Përgjatë thirrjes telefonike, Araghchi u ka bërë thirrje Kombeve të Bashkuara për t’i përdorur të gjitha resurset “për t’iu dhënë fund krimeve dhe agresionit të regjimit izraelit dhe për të dërguar ndihmë humanitare në Liban dhe Gazë”.

    Diplomati i lartë iranian ka biseduar përmes telefonit edhe me homologun e tij francez, Jean-Noel Barrot.

    Përgjatë thirrjes, Araghchi e ka përmendur nevojën e ndaljes së sulmeve izraelite në Liban, ka paralajmëruar kundër “aventurave të reja” të armikut të përbetuar, dhe ka bërë thirrje për largim të “pengesave” izraelite për të dërguar ndihma te personat e zhvendosur.

    Në javët e fundit, Araghchi e ka vizituar Libanin, Sirinë, Arabinë Saudite, Katarin, Irakun dhe Omanin në përpjekje për t’i ulur tensionet./REL/

  • Izraeli godet lagje të Bejrutit pavarësisht paralajmërimit amerikan

    Izraeli godet lagje të Bejrutit pavarësisht paralajmërimit amerikan

    Të paktën një raketë izraelite ka goditur lagjet në jug të Bejrutit në orët e para të së mërkurës, disa orë pasi Shtetet e Bashkuara kanë thënë se kundërshtojnë shkallën e sulmeve izraelite në këtë qytet.

    Agjencia e lajmeve Reuters ka raportuar se janë dëgjuar dy shpërthime dhe tymi është parë duke dalë prej dy lagjeve në Bejrut.

    Sulmet kanë ndodhur pasi Izraeli ka lëshuar urdhra për evakuim, herët në mëngjes.

    Në ditët e fundit, ushtria izraelite ka kryer sulme në jug të Bejrutit, pa ndonjë paralajmërim.

    Ushtria izraelite, në anën tjetër, ka thënë se ka kryer sulm drejt një magazine të armëve të Hezbollahut në lagjen Daniheh të Bejrutit.

    “Para sulmit janë marrë hapa për të ulur rrezikun e dëmtimit të civilëve”, ka thënë ushtria izraelite.

    Hezbollahu, grup militant dhe parti politike që kontrollon pjesën më të madhe në jug të Libanit, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, derisa Bashkimi Evropian e ka në listë të zezë vetëm krahun e armatosur, por jo partinë, e cila ka ulëse në Parlamentin e Libanit.

    Thirrjet për evakuim kanë prekur më shumë se çerekun e Libanit, sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, dy javë pasi Izraeli ka nisur inkursion në jug të shtetit, me arsyetimin se po lufton infrastrukturën e Hezbollahut.

    Disa shtete perëndimore po kërkojnë armëpushim mes fqinjëve, por edhe në Gazë, ndonëse Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të përkrahin Izraelin dhe do të dërgojnë sisteme për mbrojtje raketore dhe trupa ushtarake.

    Të martën, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, ka thënë se SHBA-ja ia ka shprehur shqetësimet që ka administratës së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, për sulmet e kryera së fundmi.

    “Kur flasim për shkallën dhe natyrën e bombardimeve që kemi parë në Bejrut në javët e fundit, është diçka që e kemi bërë të qartë për Qeverinë e Izraelit, se ne kemi shqetësime dhe jemi kundër”, u ka thënë ai gazetarëve.

    Kryeministri në detyrë i Libanit, Najib Mikati, ka thënë të martën se kontaktet e tij me zyrtarë amerikanë i kanë dhënë “një lloj garancie” që Izraeli do t’i zvogëlojë sulmet në Bejrut dhe lagjet më në jug.

    Bejruti është goditur për herë të fundit më 10 tetor, kur dy sulme afër qendrës së qytetit kanë vrarë 22 njerëz dhe kanë shembur ndërtesa në zona të banueshme.

    Burimet libaneze të sigurisë patën thënë ato ditë se zyrtari i Hezbollahut, Wafiq Safa ka qenë në shënjesër, por që ka mbijetuar.

    Izraeli nuk i ka komentuar këto deklarata.

    Lindja e Mesme vazhdon të jetë e alarmuar nga përshkallëzimi i mundshëm i luftës teksa Izraeli lufton grupet e mbështetura nga Irani, Hezbollahun në Liban dhe Hamasin – grup palestinez i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Gazë./REL

  • Bastisje në Dubravë, gjendet drogë te të burgosurit

    Bastisje në Dubravë, gjendet drogë te të burgosurit

    Gardianët dhe Policia e Kosovës dje kanë zhvilluar kontrolle në disa lokacione në Qendrën Korrektuese në Dubravë ku kanë zbuluar substanca narkotike te të burgosurit.

    Sipas policisë, janë gjetur dhe konfiskuar 19.3 gramë drogë ndërsa ndaj të dyshuarve është hapur rasti për posedim të narkotikëve.

    “Qendra korrektuese e Dubravës 15.10.2024. Raportohet se në disa lokacione në Qendrën korrektuese janë gjetur dhe konfiskuar 19.3 gramë substancë e dyshuar narkotike. Rastet janë duke u hetuar”, thuhet në raportin e policisë.

  • Elon Musk jep 75 milionë dollarë për republikanët

    Elon Musk jep 75 milionë dollarë për republikanët

    Elon Musk u ka ofruar rreth 75 milionë dollarë grupit të tij të fushatës pro-Donald Trump, America PAC, gjatë një periudhe tre mujore, tregojnë zbulimet federale.

    Musk, shefi miliarder i Tesla, SpaceX dhe faqes së mediave sociale X, e shfaqi zyrtarisht mbështetjen për Trump në korrik pasi kandidati republikan i mbijetoi një atentati.

    Miliarderi gjithashtu iu bashkua atij në skenë në fillim të muajit në Pensilvani, kur ish-presidenti u kthye në vendin ku iu bë tentativa për ta vrarë. Me këtë donacion, miliarderi thuhet se është bërë vendimtar në përpjekjet e kandidatit republikan për të fituar zgjedhjet presidenciale në SHBA.

  • Presidentja Osmani takohet me ambasadorin britanik, flasin për zhvillimet e fundit në vend

    Presidentja Osmani takohet me ambasadorin britanik, flasin për zhvillimet e fundit në vend

    Presidentja Vjosa Osmani ka pritur dje në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

    Në njoftimin e Presidencës, thuhet se Osmani dhe ambasadori Hargreaves kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në vend.

    Po ashtu, u diskutua rëndësia e intensifikimit të bashkëpunimit bilateral midis Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, me fokus në fushat e politikës së jashtme, mbrojtjes, mbrojtjes dhe ekonomisë.

  • Bashkëjetoi me një të mitur, arrestohet i dyshuari në Kllokot

    Bashkëjetoi me një të mitur, arrestohet i dyshuari në Kllokot

    Një person është arrestuar në Kllokot pasi që i njëjti ishte duke bashkëjetuar me një të mitur.

    Sipas raportit policor, viktima është dërguar në strehimore, ndërsa i dyshuari u dërgua në mbajtje.

    “Njësitë e hetuesisë më 15.10.2024 kanë identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin mashkull kosovar, pasi që i njëjti ishte duke bashkëjetuar me viktimën e mitur femër kosovare. Viktima është strehuar në strehimore, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”.

  • Krasniqi reagon pas vdekjes së gjeneralit Jackson

    Krasniqi reagon pas vdekjes së gjeneralit Jackson

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas vdekjes së gjeneralit Mike Jackson, komandantit të parë të KFOR-it pas luftës në Kosovë.

    Me anë të një postimi në Facebook, Krasniqi thotë se roli i Jacksonit në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në një kohë sfiduese për popullin tonë ishte jetik.

    Ai ngushëlloi familjen e tij dhe të gjithë ata që e njohën.

    “Me dhembje mora lajmin për ndarjen nga jeta të gjeneralit Mike Jackson, komandantit të parë të KFOR-it pas luftës në Kosovë. Roli i tij në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në një kohë sfiduese për popullin tonë ishte jetik. Përkushtimi i tij në bashkëpunimin me krerët e UÇK-së dhe në përpjekjet për paqe do të mbetet gjithmonë i paharruar. Ngushëllimet e mia të sinqerta për familjen dhe të gjithë ata që e njohën dhe bashkëpunuan me të. Pushoftë në paqe”, shkroi Krasniqi.