ATV

Category: Lajme

  • Procesi i Vetingut, peng i votës së deputetëve të Listës Serbe

    Procesi i Vetingut, peng i votës së deputetëve të Listës Serbe

    Përgatiti: Nora Luta

    Kur kanë mbetur edhe disa muaj në përfundim të mandatit të Qeverisë në pushtet, një nga premtimet kryesore të saj ka mbetur ende pa u realizuar.

    Vettingu në sistemin e drejtësisë, ishte prioritet në agjendën e Ministrisë së Drejtësisë.

    Njohës të sistemit thonë se ky proces është i domosdoshëm, andaj kanë kritika për punën e ekzekutivit në këtë drejtim.

    Kushtetuesja dha dritën e gjelbër për vetingun, megjithatë ky proces ka mbetur peng i votave të deputetëve të Listës Serbe, të cilët e kanë bojkotuar punën.

    Për të nisur në praktikë ky proces fillimisht amendamentet duhet të miratohen në Kuvend.

    Pasi përmendin ndikimin politik, e marrëdhëniet me shtetin e Serbisë, shoqëria civile thotë se i takon mazhorancës, e Ministrisë së Drejtësisë që të bëjë përpjekje që ndryshimet të kalojnë në Kuvend.

    Në anën tjetër Ministria e Drejtësisë nuk ka kthyer përgjigjeje në interesimin e ATV-së për këtë çështje.

    Procesi i verifikimit dhe vlerësimit të prokurorëve e gjyqtarëve është konsideruar ndër prioritetet e ekzekutivit për reformën në drejtësi.

    Por, Ministria pas opinionit të Komisionit të Venecias hoqi dorë nga vetingu i plotë, duke e reduktuar në një veting të pjesshëm që do të përfshijë vetëm udhëheqësit e prokurorive, gjykatave dhe anëtarëve e kryesuesve të Këshillave përkatës.

  • QKMF-ja në Skenderaj – pozitat e drejtorit dhe zëvendësdrejtorit që 3 vjet me u.d

    QKMF-ja në Skenderaj – pozitat e drejtorit dhe zëvendësdrejtorit që 3 vjet me u.d

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Skenderaj, tash e tri vjet dy pozitat kryesore udhëheqëse i ka me ushtrues detyre.

    Teksa konkursi për drejtor dhe zëvendësdrejtor u hapë këtë javë, opozita hedh akuza se këto pozita janë ruajtur për njerëz të pushtetit komunal.

    “Sot e ka hapur konkursin, që tri vjet nuk munden me emërua drejtor sepse Fadil Nura e pret kushëririn e tij që ta kryej specializimin. Që tri vjet QKMF-ne e man me U.D.”, tha Nuredin Lushatku nga lista “Ideali për Skenderaj”.

    Akuzat e opozitës i mohoi i pari i Skenderajt Fadil Nura, derisa për vonesa dha disa sqarime.

    “Ne e kemi hapur njëherë por ka dështuar sepse ligji e specifikon sa kandidat duhet te jenë. Për mua është e rëndësishme ta kemi një mjek menaxher, as qe behet fjalë se duam ta rehatojmë dikë aty”, tha Nura.

    Ndërkohë, rasti i ish-zëvendësdrejtoreshës të cilës iu ndërrua vendi i punës, është në pritje të vendimit nga Gjykata e Apelit.

    Florentina Shalës iu ndërrua pozita me ardhjen e pushtetit të ri dhe sipas saj, politika ishte arsyeja.

    “As nuk jam pjesë e politikes, as nuk kam qenë. Pse e kam përkrah politiken, anën e kundër te tij është diçka tjetër”, tha Shala.

    Vendimin e kryetarit të komunës e hodhi poshtë Inspektorati i Punës dhe meqë nuk e përfilli obligimin që pala të rikthehet në detyrën e mëhershme, e dënoi me gjobë prej 1,500 eurosh. Pas kësaj, kryetari i Fadil Nura vendosi që ta anulojë komplet procedurën e konkursit të vitit 2021 kur Florentina Shala e kishte fituar pozitën e zëvendësdrejtoreshës.

    “Unë normalisht ju kom drejtu Gjykates edhe Gjykata Themelore në Mitrovicë e ka marrë një aktgjykim ku mu ka aprovu kërkesëpadia edhe thotë qe anulohet si i kundërligjshëm vendimi kryetarit Nura që e ka ba anulimin për procedurën e konkursit”, tha Shala.

    Pavarësisht kësaj, Nura këmbëngulë se vendimi i tij ka bazë ligjore.

    “Askund nuk ka qe pozita e zëvendësdrejtorit te jete e përhershme. Ne kemi gjetur shkelje ne atë konkurs sepse s’ka pasur kundër kandidat madje edhe përvojën e ka bërë fallcë”, tha Nura.

    Derisa konkursi për drejtor dhe zëvendësdrejtor të QKMF-së është hapur, Komuna e Skenderajt duhet ta emërojë edhe drejtorin e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale meqë Rrezarta Hasani dha dorëheqje të mërkurën.

  • Rimbursimi në kthim të shisheve, nga viti i ardhshëm

    Rimbursimi në kthim të shisheve, nga viti i ardhshëm

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Shumë sosh, të enjten u panë edhe përreth rrugëve nacionale e lokale të vendit.

    Meqë një shisheje të plastikës i duhen vite të tëra për reciklim, Ministria e Mjedisit kishte planifikuar rimbursimin e tyre.

    Kështu në shkurt të këtij hapi konkurs për administrator i cili do të merrej me kthimin e shisheve.

    Mirëpo, gjatë të enjtes, nga ky dikaster nuk kthyen përgjigje se cilët hapat janë ndërmarrë tutje dhe se a do të filloj rimbursimi nga 2025-ta, siç ishte premtuar.

    Sidoqoftë, ambientalisti Besnik Shabiu, vlerëson se ministria ndër vite pak punoi në këtë drejtim.

    “Ne kemi ngecur mbrapa dhe jo rrallë prej statistikave që merren nivel global, Kosova renditet në vendet më të ndotura në Evropë, konsiderohet ndër ndotësit më të shpërndarë, duke pas për bazë prodhimin e madh por ministria nuk e ka pasur prioritet këtë pjesë”, tha Shabiu.

    Kurdo që të fillojë, projekti, po shihet si stimulim për ruajtje të ambientit.

    “Do t’i stimulonte njerëzit të mos i hedhin në rrugë, qoftë edhe nëse do kishte kushtuar 5 centë…”, tha Ilir Mazreku, profesor i lëndëve për mjedisin.

    Andaj, po vlerësohet se një gjë e tillë do të duhej të ishte realizuar kohë më parë.

    “Ky proces është dashur që të filloj shumë kohë më parë, pasi shumë vende nëpër botë e kanë tashmë këtë projekt”, tha Shabiu.

    Për të ndihmuar në ruajtjen e ambientit, tash një vit, me vendim të Ministrisë së Mjedisit, qytetarët detyrohen të pagujnë 5 centë për një qese të plastikës.

  • Rreth një mijë rosa u vodhën në Miradi të Epërme

    Rreth një mijë rosa u vodhën në Miradi të Epërme

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Shëtitjen nëpër fermë e pati të zakonshme, por numrin e rosave nuk e pati të njëjtin si një ditë më parë.

    Ramadan Slivovës, në fërmën ku punon që 3 vite, në fshatin Miradi e Epërme, të komunës së Fushë Kosovës, iu vodhën një mijë rosa.

    Ai dyshon se shpezët, u nxorën nga ky qosh i rrethojës, të cilin as kamerat e sigurisë nuk e regjistruan, për shkak të errësirës.

    “Dje si kam ardh e kom pa që dy shota ishin jashtë, kur e pash teli i dëmtum, kur po hi po e shoh një mungesë të madhe, e kom thirr policinë. Afër 100 copa. Dëmi rreth 15 mijë euro. Vetëm në mengjes e mbrëmje jemi këtu I kemi kamerat po s’u dok atje terr”, tha Ramadan Slivova, punëtor në fermën e patave.

    Slivova, thotë se më lehtë do e përballonte po t’i kishte gjetë të ngordhura.

    “Ndryshe kur ti mbyt s’muja, e ndryshe me t’i marrë dikush, po ishalla policia po i gjen e mirret me ta”, tha Slivova.

    Ferma nuk ruhet nga askush dhe nuk ka afër as shtëpi banimi.

    Derisa thotë se nuk ndjehet mirë për atë që ndodhi, Ruzhdi Gjyrevci banor i këtij fshati, thotë se vjedhjet nuk janë të zakonshme aty.

    “Shumë keq që i paska ndodh, me tregun kur erdha në punë por ksi raste s’ka pas kurrë në këtë fshat”, tha Gjyrevci.
    Nga

  • Verfikimi për shtesat e fëmijëve do të bëhet në postën e Kosovës

    Verfikimi për shtesat e fëmijëve do të bëhet në postën e Kosovës

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Të enjten u bënë fiks një muaj, prej kur Ministria e Financave nisi verifikimin shtesë për disa llogari të prindërve, që përfitojnë shtesa për fëmijët, për të kuptuar nëse jetojnë në Kosovë.

    Megjithatë nga kjo ministri nuk treguan se sa është numri i llogarive që dyshohet se keqpërdorët me shtesat për fëmijët.

    Në Qendrën për Punë Sociale në Fushë Kosovë, mbi 140 prind i kanë dorëzuar dëshmimit e kërkuara nga ministria e Financave.

    Sipas drejtorit të kësaj qendre, procesi i verifikimit nuk ishte fare i lehtë për shkak të kushteve në qendrat për punë sociale.

    Për këtë shkak që nga e hëna e 21 nëntorit, prindërit që ftohen nga Ministria e Financave, dokumente e nevojshme duhet t’i dërgojnë në Postën e Kosovës.

    “Ministria e Financave ka bërë marrëveshje me postën edhe nga e hëna prindërit duhet të shkojnë atje t’i dorëzojnë dokumentet e nevojshme…”, tha drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Fushë Kosovë, Abaz Gjigolli.

    Verifikimi mund të zgjasë deri në një afat të papërcaktuar.

    Megjithatë ekonomistët nuk presin që procesi të përmbyllet brenda një kohe të shkurtër, kryesisht për shkaqe elektorale.

    “Ministria e Financave aktualisht bënë vetëm kalkulimin e votave sigurisht që pres që të zbatohet një gjë e tillë, këtë më shumë Ministria e Financave e bënë për frikësim..”, tha Bashkimi Mustafa, ekonomist.

    Për shkak të dyshimeve për keqpërdorime me shtesat e fëmijëve, Ministria e Financave kërkoi dokumente shtesë të llogarive të prindërve.

    Kësisoj për fëmijët nga 0 deri në 5 vjet ju kërkohej të dorëzojnë dëshminë e vaksinave, ndërkaq nga 6 deri në 16 vjet iu kërkua dëshmia nga shkolla.

  • MËSUESI QAUSH HAXHOSAJ – FANAR NDRIÇUES NË RRUGËN E DIJES

    MËSUESI QAUSH HAXHOSAJ – FANAR NDRIÇUES NË RRUGËN E DIJES

    Shkruan: Demir Reshiti

    Në këtë vit të veçantë, kur ish-mësuesi im i shkollës fillore, Qaush Haxhosaj, përmbyll dekadën e tetë të jetës, ndjej për obligim ta nderoj këtë figurë të rëndësishme të arsimit dhe njeri me vlera të larta njerëzore i cili ka dhënë një kontribut të madh në formimin e brezave të rinj.
    Qaushi, i lindur më 23 mars 1945, ishte fëmija i parë Dinë Haxhosajt nga fshati Prekolluk i komunës së Deçanit, një personalitet ky i respektuar në atë zonë, i cili kishte edhe tre djem tjerë dhe një vajzë.

    Pas përfundimit të shkollës fillore, Qaushi vazhdoi arsimimin e tij në normalen e Gjakovës, ku u diplomua me sukses në vitin 1967. Ky vit përfaqëson gjithashtu fillimin e një karriere të gjatë si mësues, kur ai u punësua në shkollën fillore “29 Nëntori” në Bresanë të Opojës. Këtu, ai shërbeu me përkushtim për 12 vite, duke ndihmuar nxënësit të zhvillohen dhe të formojnë karakterin e tyre. Dy vitet e para punon si arsimtar i lëndës Bazat e Arsimit Teknik, ndërsa dhjetë vite tjera si mësues klasor duke i përcjellë deri në klasën e pestë tri gjenerata, njëra nga të cilat ishte gjenerata ime.

    E konsideroj vetën me fat që e kam pasur mësues këtë personalitet të respektuar i cili ka pasur ndikim të madh në trasimin e rrugës sime të dijes dhe të ngritjes intelektuale. Ishte pikërisht mësuesi Qaush i cili që në orën e parë të mësimit nuhati talentin tim dhe aftësitë e mia për të zënë dije dhe më mbështeti për tërë kohën sa e kisha mësues. Ndërsa kujtoj të gjitha mësimet që kam marrë prej tij, e ndiej se isha i bekuar që kisha fatin ta kem mësues një njeri si ai.

    Edhe pse ishte vetëm 22 vjeçar kur e filloi punën në një fshat larg nga vendlindja e tij, mësuesi Qaush u prit me dashamirësi nga kolegët dhe nxënësit. Ai kujton me nostalgji dhe respekt ato vite dhe ndjen një lidhje të veçantë me opojanët.

    Ndonëse  në vitin 1979, pas 12 vitesh të kaluara në Opojë, u detyrua të rikthehet në vendlindje për tu përkushtuar ndaj nevojave të familjes, ai gjithmonë me mendje dhe zemër kujtonte ish-nxënësit e tij në fshatin ku për herë të parë rroku ditarin shkollor.
    Misionin e shenjtë të mësuesit, Qaushi e vazhdoi në vendlindjen e tij ku ka punuar fillimisht në shkollën fillore “Avni Rrustemi” në fshatin Irzniq, ndërsa pas çlirimit të Kosovës, deri në arritjen e moshës së pensionit (2010)  ka punuar në shkollën fillore “Ardhmëria” në Beleg.  Gjatë gjithë këtyre viteve mësuesi Qaush thotë se asnjëherë nuk e ka harruar Opojën duke shtuar se shpeshherë kolegëve dhe nxënësve të tij ju folur për Opojën dhe opojanët si njerëz të respektuar me virtyte të larta njerëzore.

    Në Opojë përveç mësuesit Qaush, nga komuna e Deçanit kanë punuar edhe Hajdar Çekaj, Sylejman Ferizi, Dinë Ahmeti dhe Ismet Ferizi, (tre të fundit tashmë të ndjerë). Ishte pikërisht mësuesi Hajdar ai që e ftoi Qaushin të fillojë punë në Opojë dhe punuan bashkë më shumë se një dekadë. Ai edhe tani, pas 13 vitesh në pension, vazhdon të mbajë kontakte me kolegë dhe ish-nxënës, të cilët e kujtojnë me respekt dhe admirim. Kontaktet me mësuesin Hajdar i ka vazhduar rregullisht pas kthimit të tij në vendlindje, ndërsa në Opojë kontakton me profesorin e nderuar Hajriz Meleqi, me ish-mësuesit Jahja Piraj nga fshati Pllavë, Nuridin Kutelin nga fshati Kosavë dhe me Hajri Nuhiun nga fshati Kuklibeg.

    Qaushi ka 6 fëmijë (tri vajza e tre djem) dhe 15 mbesa e nipa. Dy djem i punojnë në botën e jashtme ndërsa njëri djalë dhe vajzat jetojnë në Kosovë. Si kryefamiljar i devotshëm që është, ai vazhdon të ndajë dashurinë e tij, duke kaluar kohë të çmuar me ta, si dhe duke u angazhuar në aktivitete të tjera si leximi dhe punimi në kopsht. Një nga kënaqësitë e tij të mëdha është udhëtimi me familjen gjatë verës për pushime në det.

    Mësuesi Qaush Haxhosaj është një model për shumë breza, dhe historia e tij tregon se si një mësues i përkushtuar mund të ndihmojë në ndërtimin e një shoqërie më të mirë. Të gjithë ne, ish-nxënësit e tij, jemi krenarë për të, dhe e nderojmë atë në këtë përvjetor të veçantë. Gëzuar, mësues i nderuar. Të priftë shëndeti dhe e mbara e shekullofsh bashkë me më të dashurit tu!

     

  • Kurti takohet me Sautter, flasin për rezultatet e Procesit të Berlinit e dialogun Kosovë-Serbi

    Kurti takohet me Sautter, flasin për rezultatet e Procesit të Berlinit e dialogun Kosovë-Serbi

    Kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim sot Drejtorin Politik të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Günter Sautter.

    Zyra e Kryeministrit njoftoi se në takim u bisedua për “rezultatet e Procesit të Berlinit, përfshirë gjashtë takimet ministeriale dhe vlerësuam si arritje të rëndësishme marrëveshjen e re për Qasjen në Arsimin e Lartë dhe Deklaratën për Planin e Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal (CRM) 2025–2028”.

    Gjithashtu, ZKM thotë se gjatë takimit u diskutua për forcimin dhe thellimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Gjermanisë, si dhe për bashkëpunimin rajonal, dialogun në Bruksel dhe integrimet euroatlantike.

    “Kurti e falënderoi Sautter për vizitën dhe shprehu mirënjohjen e tij për ndihmën dhe mbështetjen diplomatike, ushtarake dhe ekonomike të Gjermanisë për të cilën ka tha se “ka qenë thelbësore për çlirimin, pavarësimin dhe ndërtimin e zhvillimin e vendit tonë”.

    Kryeministri Kurti e uroi Sautter për pozitën e re në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe i ofroi bashkëpunimin e plotë në avancimin e agjendës së përbashkët në mbrojtjen dhe avancimin e demokracisë dhe lirive themelore.

    Zyrtari gjerman në këtë takim u shoqërua nga ambasadori i vendit të tij, Jörn Rohde.

  • Dosja e Prokurorisë: I akuzuari i dha Afrim Muçiqit borxh me fajde në shumën 70 mijë euro

    Dosja e Prokurorisë: I akuzuari i dha Afrim Muçiqit borxh me fajde në shumën 70 mijë euro

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, më 31 korrik 2024 ka ngritur aktakuzë ndaj Erdin Rekës, i cili akuzohet se i ka dhënë para me fajde këngëtarit Afrim Muçiqi në shumën totale prej 70 mijë euro.

    Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Erdin Reka akuzohet se nga fundi i vitit 2012 deri nga gjysma e vitit 2013, i cili në atë kohë ishte shok i të dëmtuarit Afrim Muçiqi, duke shfrytëzuar në atë periudhë gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit, fillimisht i jep para borxh me fajde, në disa raste, i cili borxh/fajde arrin shumën prej 70 mijë euro.

    Në aktakuzë thuhet se duke shfrytëzuar edhe besimin e madh që i dëmtuari kishte ndaj të akuzuarit, ky i fundit përpiloi Kontratë fiktive mbi huanë kinse e lidhur më 15 mars 2012 mes Rekës si huadhënës dhe në anën tjetër Afrim Muçiqi dhe djali i tij, A.M., si huamarrës.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, për shkak të vonesës për kthimin e borxhit/fajdesë në shumën e lartcekur, nga fillim i vitit 2013 në vazhdimësi, e ngarkon me kamatë mujore 30 %, kështu që i dëmtuari Afrim detyrohet që në vitin 2013 të shes shtëpinë për të paguar kamatën, e cila kamatë paguhet deri në fund të vitit 2014.

    Kështu, aktakuza thotë se i akuzuari Reka ka realizuar dobi pasurore në shumën prej 512 mijë euro dhe kur i dëmtuari Afrim e kupton se është duke pësuar financiarisht dhe i akuzuari nuk ndalet së kërkuari fajde duke shpikur shuma të tjera, refuzon të paguajë shumën e mëtejshme të fajdesë ndaj Rekës.

    Me këtë, Erdin Reka akuzohet se ka kryer veprën penale “Fajdeja” nga neni 331, paragrafi 3 të Kodit Penal.

    Prokuroria ka propozuar që pas administrimit të provave dhe përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, i akuzuari të shpallet fajtor për veprën që i vihet në barrë dhe të dënohet sipas ligjit, si dhe të ngarkohet me shpenzimet e procedurës.

    Çka kishte deklaruar i dëmtuari Afrim Muçiqi në Prokurori e Polici?

    Në deklaratën e dhënë më 31 maj 2024 në Prokurori, thuhet se Muçiqi ka deklaruar se e ndien veten shumë të dëmtuar jo vetëm për shkak të të hollave por edhe për shkak të prishjes së imazhit. Kurse, në deklaratën e dhënë më 9 qershor 2022, kishte thënë se të akuzuarin e kishte shok.

    “Ashtu siç e kam cek në deklaratën e datës 09.11.2018, Erdinin e kam takuar ne vitin 2009-2010, e kam shok, ne mesin – fundin e vitit 2012 fillimisht ia kam kërkuar 10,000€, pastaj kam vazhduar ne fillim te vitit 2013, 10,000€ te tjera, kah fundi i vitit 2013 ka arrit shifrën 70,000€ për të cilat kam paguar kamatë 21,000€ ne muaj”, citohet të ketë deklaruar Muçiqi.

    Ai kishte thënë se paratë me fajde ka filluar t’i marrë në fund të 2012-ës e në fillim të 2013-ës. Tha se rastin nuk e kishte paraqitur më herët për shkak të gjendjes emocionale dhe profesionit, dhe se e kishte konsideruar shok tani të akuzuarin.

    Gjithashtu, thuhet se Muçiqi kishte deklaruar që i akuzuari ia kishte shtuar 20 mijë euro kinse i ka marrë e për to kishte paguar 30% fajde dhe po ashtu nga gjykata ishte njoftuar se e kishte paditur i akuzuari për kthim borxhi, e pas kësaj kishte shkëputur çdo kontakt me të dhe nuk i kishte paguar më para.

    I njëjti kishte thënë se nuk kanë asnjë marrëveshje në formë të shkruar dhe se në kopje të padisë shihet nënshkrimi i falsifikuar.

    E në deklaratën e dhënë më 12 dhjetor 2019 në Prokurori, Muçiqi kishte deklaruar se pas dëshmisë në Polici, kur është takuar ballë për ballë me të akuzuarin, ai i ishte drejtuar me fjalë kërcënuese “të kotë e ke që ki dhanë deklaratë në polici sepse unë jam më i fortë se hetuesit dhe prokurorët dhe kam me ja u q* nanën tanve”. E pas kësaj thotë se i kishte reduktuar lëvizjet në zonën ku e kishte takuar.

    Më tej, thuhet se kishte deklaruar që një person e kishte dëgjuar të akuzuarin duke thënë se e kishte kryer rastin e Muçiqit përmes një ish-hetuesi, tani avokat në Kosovë. Herave tjera kur ishte takuar në rrugë, i dëmtuari ka thënë se i akuzuari i kishte rënë sirenës së veturës, e në një dasmë e kishte provokuar.

    Kurse, në deklaratën e dhënë në Polici më 15 janar 2019, i dëmtuari kishte thënë se asnjëherë nuk ka lidhur Kontratën mbi huanë, në të cilën ishte përfshirë edhe djali i tij, A.M.

    “Këtë nënshkrim në Kontratën mbi huanë e datës 15.03.2012 siç e kam cekur edhe me herët unë nuk e kam vendosur në këtë dokument, në te cilën është i përfshire edhe djali im A., unë me besim te plotë them se asnjëherë nuk kam qenë në zyre të avokatit ku është përpiluar kjo kontratë, nuk e di kur është përpiluar, kush e ka përpiluar dhe kush e ka nënshkruar te njëjtën. Këtë ma ka thënë në njërën prej seancave qe qeli sytë se ti ne prezencën time nuk ke nënshkruar dhe mendo mire sepse Erdini po luan me ty dhe më ka thënë edhe këtë se asnjëherë s’ka qenë prezent si dëshmitar kur unë gjoja i kam marr 70000 Euro borxh tek Erdini”, citohet të ketë deklaruar Muçiqi.

    I dëmtuari kishte mohuar t’i ketë marrë 70 mijë euro borxh në prezencë të dëshmitarëve, djalit të tij dhe avokatit, andaj kishte kërkuar ekspertizë për nënshkrimin.

    Më 9 nëntor 2018 në Prokurori, Afrim Muçiqi kishte përsëritur se të akuzuarin e kishte shok dhe në fund të 2012 ia kishte kërkuar 10 mijë euro, duke vazhduar me shumat e tjera, për të cilat kishte paguar kamatë 21 mijë euro në muaj. Kur janë takuar në qershor 2018, tha se Reka i ishte drejtuar me fjalët “ik klloshar dhe kurrë mos më dil përpara”, duke i thënë se do shihen në gjykatë se e ka paditur.

    Padinë tha se Reka e kishte bërë për mospërmbushje të kontratës në bazë të kontratës së huasë mes tij (të akuzuarit), të dëmtuarit e djalit të këtij të fundit- A.M. I dëmtuari tha se nënshkrimi i ishte falsifikuar.

    Çka kishte deklaruar i pandehuri Reka në Prokurori e Polici?

    Në deklaratën e dhënë më 30 janar 2024 në Prokurori, Erdin Reka kishte thënë se të dëmtuarin e kishte shok. Sipas tij, një ditë Afrim Muçiqi i kishte kërkuar para, por Reka i kishte thënë që nuk ka dhe të njëjtat ia kishte kërkuar babait të tij, i cili pas insistimit të tij kishte pranuar t’ia jepte 70 mijë euro borxh.

    Pasi ia kishte dhënë paratë, Reka deklaroi se kishin shkuar te avokati bashkë me të dëmtuarin e dy dëshmitarë, ku e kishin nënshkruar kontratën. Afrimi sipas tij nënshkroi edhe për djalin e vet.

    Reka kishte deklaruar po ashtu se pas një kohe, babai ia kishte kërkuar paratë, e që sipas tij meqë Muçiqi nuk ia kishte kthyer, e ka paditur. Asnjë cent prej 70 mijë eurove borxh, Reka tha se nuk ia ka kthyer Muçiqi.

    Kurse, më 3 prill 2019 në Polici, thuhet se Erdin Reka ka deklaruar se Muçiqin e njeh si këngëtar, me të cilin është njoftuar para 16 vitesh kur i kishte kënduar në dasmë. Tha se ia ka dhënë 70 mijë euro borxh, e për këtë kishte bërë kontratë për huamarrje, ku ishte evidentuar edhe data e kthimit. Meqenëse s’ia ka kthyer paratë, thotë se e ka paditur Muçiqin për mospërmbushje të kontratës.

    Ai kishte mohuar se ia ka dhënë Muçiqit 7 herë nga 10 mijë euro, por vetëm 70 mijë borxh, si dhe mohoi se i ka kthyer i dëmtuari borxh me kamatë të fajdesë.

    Ndryshe, nga Gjykata Themelor në Prishtinë kanë konfirmuar se gjykimi për këtë rast nuk ka nisur ende. “Betimi për Drejtësi” ka tentuar të marrë një qëndrim nga Muçiqi lidhur me këtë rast, mirëpo i njëjti deri në publikimin e këtij artikulli nuk është përgjigjur.

  • Kthehen në Itali katër migrantë që u strehuan në Shqipëri

    Kthehen në Itali katër migrantë që u strehuan në Shqipëri

    Katër migrantë, që kishin shkuar në Shqipëri më 16 tetor nga Italia, janë kthyer mbrapsht në Itali, konfirmuan autoritetet shqiptare për Radion Evropa e Lirë.

    Drejtori i portit të Shëngjinit, Sander Marashi, tha se migrantët që u larguan nga Shqipëria ishin dy të mitur dhe dy të tjerë që kishin probleme shëndetësore.

    Një ditë më parë, anija italiane Libra, u ankorua në portin e Shëngjinit me 16 migrantë në bord, të cilët Shqipëria ka pranuar t’i strehojë.

    Dhjetë migrantë ishin nga Balgladeshi dhe gjashtë nga Egjipti, të cilët ishin shpëtuar në det pas nisjes nga Libia.

    Shqipëria dhe Italia nëntorin e vitit të kaluar kanë arritur marrëveshje për strehimin e migrantëve. Marrëveshja, që është kritikuar nga organizatatat për të drejtat e njeriut, parasheh që Shqipëria do të pranojë deri në 36.000 migrantë në vit, dhe aplikacionet e azilit të këtyre migrantëve do të procesohen në dy qendra në Shqipëri.

    Marrëveshja pesëvjeçare është thënë se do t’i kushtojë Italisë 160 milionë euro në vit.

    Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, e ka përshkruar marrëveshjen me Shqipërinë si zgjidhje inovative për një problem afatgjatë.

    Sipas marrëveshjes, procedurat për migrantët do të kryhen në dy qendra.

    Qendra e parë në Shëngjin do të përdoret për procedura të identifikimit të migrantëve, ndërsa qendra e dytë, në Gjadër, rreth 20 kilometra larg portit, do të shpërbëjë për strehim të migrantëve derisa të procesohen kërkesat për azil.

    Qendrat do të funksionojnë sipas ligjit italian, me staf italian të sigurisë, ndërsa gjyqtarët do t’i mbajnë seancat përmes video-lidhjes nga Roma.

    Italia ka thënë se do të pranojë t’i strehojë migrantët që fitojnë azil. Ndërkaq, ata që nuk fitojnë azil do të dëbohen direkt nga Shqipëria.

  • Rundi i ri i dialogut Kosovë-Serbi, javën e ardhshme

    Rundi i ri i dialogut Kosovë-Serbi, javën e ardhshme

    Javën e ardhshme, që sipas të gjitha gjasave të enjten më 24 tetor, në Bruksel pritet të zhvillohet rundi i ri i takimeve në kuadër të dialogut për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryenegociatorëve.

    Kështu thanë burimet diplomatike të Radios Evropa e Lirë në Bashkimin Evropian, pa dhënë hollësi për takimet.

    Në BE gjithmonë e përdorin fjalën “takime”, pasi nuk janë të sigurt nëse do të ketë takim trepalësh, pra takim mes dy delegacioneve në prani të lehtësuesit nga BE-ja.

    Deri më tani, zakonisht janë zhvilluar takime dypalëshe mes të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, dhe kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, por jo edhe takime trepalëshe.

    Herën e fundit kur është zhvilluar një takim trepalësh ka qenë takimi i 2 korrikut të këtij viti. Megjithatë, pas takimit palët dolën me qëndrime diametralisht të kundërta rreth asaj që kishte ndodhur në takime. Palët e kishin akuzuar njëra-tjetrën për “mungesë të gatishmërisë për dialog”.

    Ditëve të fundit, Lajçak ka mbajtur konsultime me palët. Por, përpos pohimeve se po shqyrtohet rruga përpara në dialog, nga ana e BE-së – që ndërmjetëson këtë proces që ka nisur më 2011 – nuk kanë dhënë hollësi se me cilat tema do të merren palët në takimet e radhës.

    Në BE, por edhe në NATO gjithnjë e më shumë po shprehin pakënaqësi lidhur me rrjedhën aktuale të dialogut, duke thënë se procesi nuk po prodhon rezultatet e pritura. Kështu ka konstatuar edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, duke shprehur shqetësim për këtë.

    Emisari evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, ka mandat në këtë post deri në fund të muajit janar të vitit 2025. Ndërkaq, në BE presin të shohin se çfarë qasje rreth dialogut do të ketë përfaqësuesja e e re e lartë për politikë të jashtme, Kaja Kallas, pasi ajo të marrë mandatin. Mandati i saj do të nisë kur të jetë gati i tërë ekipi i ri i Komisionit Evropian, pasi të konfirmohet nga Parlamenti Evropian.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se pret dinamikë të re nga Komisioni Evropian, sa i përket dialogut./rel