ATV

Category: Lajme

  • Një grup grash vendosin posterë në veri

    Një grup grash vendosin posterë në veri

    Disa posterë janë vendosur në pjesë të ndryshme në Mitrovicë të Veriut. Policia e konfirmoi këtë rast duke thënë se një grup i grave i ka vendosur këta posterw, si një lloj aksioni ose protestë e tyre.

    Në fotografitë e publikuara të posterave, shihet një zyrtar policor duke kontrolluar një fëmijë afër të cilit shihen biskotat ‘Plazma’, në një tjetër shihet një pastruese me logon e Vetëvendosjes duke fshehur ‘Plazma’ dhe në posterin e fundit shihet një person i maskuar duke gjuajtur një kuti të këtyre biskotave.

    Këta postera janë vendosur në disa lokacione në veri të Mitrovicës dhe janë të nënshkruara nga artisti me pseudonimin Graforizha.

  • Antenat në ballkonet e ndërtesave, rrezik për jetën e kalimtarëve

    Antenat në ballkonet e ndërtesave, rrezik për jetën e kalimtarëve

    Përgatiti: Sara Shehu

    Antenat satelitore të vjetra edhe pse jo nga materiali, ishin vërtetë të arta.

    Ato janë pajisje që u përdoren për të marrë dhe dërguar sinjale nga satelitët në orbitë. Ato janë të dizajnuara për të kapur sinjalet e transmetimit, si televizionin satelitor, internetin satelitor, dhe komunikimet telefonike.

    Me teknologjinë e sotme, kanë ndryshuar shumë gjëra. Tani mund të shohësh një lens të sjellë nga kujtesa e atyre kohërave.

    Në Prishtinë ende ekzistojnë antena të vjetra të vendosura në ballkone të ndërtesave e në çati, por ekziston rreziku nga rënia e tyre, nëse ato nuk janë të siguruara si duhet.

    Për të reduktuar rreziqet, është e rëndësishme që antenat e vjetra të kontrollohen dhe mirëmbahen rregullisht.

    Tashmë, Komuna e Prishtinës ka një plan për menaxhimin e situatës me antenat satelitore, për të cilën zëdhënësi Donat Lushaku ka theksuar se do ta realizojnë së shpejti.

    Mes tjerash, antenat kanë kabllo ose pajisje elektrike të dëmtuara, ato mund të shkaktojnë rrezik nga goditjet elektrike ose zjarret.

    Ndryshe, antenat satelitore janë edhe disa nga pajisjet që përbëhen nga valët elektromagnetike. Megjithatë, shumica e studimeve nuk kanë treguar se këto valë përbëjnë një rrezik të madh për shëndetin në nivelet normale të ekspozimit.

  • Tahiri: Pas 9 shkurtit, Kosova do t’i rikthehet normalitetit

    Tahiri: Pas 9 shkurtit, Kosova do t’i rikthehet normalitetit

    Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka akuzuar pushtetin aktual se po tenton ta ndalë fjalën e lirë.

    Ai ka vlerësuar se Qeveria Kurti një gjë të tillë po mundohet ta bëj edhe me RTK-në.

    Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se pas 9 shkurtit, Kosovës do t’i rikthehet normaliteti.

    Sipas tij, pas kësaj date, edhe RTK-së do t`i kthehet fisnikëria në misionin e vet si transmetues publik.

    “Një RTK që do të duhej të ishte në funksion të publikut dhe fjalës së lirë, na i mbylli dyert dhe transmetimin pikërisht nga frika e pushtetit. Si akt, ka ndodhur pardje. Si metodë, ka ndodhur që prej ditës së parë të qeverisjes së Vetëvendosjes. Si tendencë, po ndodhë edhe sot dhe synon të vazhdojë edhe më tej, derisa të fusë nën kthetra çdo forum ku flitet hapur dhe kritikohet arsyeshëm. Por fjalën e lirë nuk do të mund ta mbysin. Pas 9 shkurtit, Kosovës do t’i rikthehet normaliteti, e RTK-së, fisnikëria në misionin e vet si transmetues publik”, ka shkruar Tahiri.

  • Ministria e Mbrojtjes i reagon Haradinajt: Asnjëherë nuk ka humbur ndonjë dron

    Ministria e Mbrojtjes i reagon Haradinajt: Asnjëherë nuk ka humbur ndonjë dron

    Ministria e Mbrojtjes përmes një komunikate për media kanë reaguar ndaj deklaratës së Daut Haradinajt, i cili ka thënë se një dron i FSK-së ka humbur.

    Në këtë reagim thuhet se ajo çfarë ka thënë Haradinaj nuk është e vërtetë.

    “Teksa lajmet e pavërteta përhapen nëpër studio televizive pa kuptuar peshën e fjalës në sigurinë e vendit, informojmë qytetarët se të pavërteta janë dhe pretendimet se ka humbur ndonjëherë ndonjë dron. Përkundrazi, flota e dronëve vëzhgues dhe sulmues është shtuar pas blerjes së parë dhe po vazhdon të shtohet”, shkruhet në reagim.

    Mes tjerash, Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se vazhdimisht pranojnë furnizime me sisteme të armatimit dhe pajisje ushtarake.

    Komunikata e plotë:

    Forca e Sigurisë së Kosovës po zhvillohet si një forcë profesionale, e ndërveprueshme me NATO-n dhe e gatshme për të kryer detyrat e saj bazuar në mision. Asgjë e pavërtetë që thuhet për të nuk i kontribuon zhvillimit të saj, përkundrazi mbështetë tentativat për minimim e një pune kolosale brezash, sakrificën e dëshmorëve, veteranëve dhe gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës për formimin e një ushtrie të gatshme për mbrojtje të territorit.

    Teksa lajmet e pavërteta përhapen nëpër studio televizive pa kuptuar peshën e fjalës në sigurinë e vendit, informojmë qytetarët se të pavërteta janë dhe pretendimet se ka humbur ndonjëherë ndonjë dron. Përkundrazi, flota e dronëve vëzhgues dhe sulmues është shtuar pas blerjes së parë dhe po vazhdon të shtohet. Kurse për çështjen e furnizimeve ju sigurojmë që në vazhdimësi pranojmë furnizime me sisteme të armatimit dhe pajisje ushtarake.

    Ndjeshmëria e procesit të blerjeve dhe furnizimit, ligjërisht kufizon nivelin e informacionit që mund të ndajmë me publikun pa dhënë shumë detaje. Megjithatë janë evidente aktivitetet e shumta të FSK-së ku janë përdorur e përdoren pajisjet dhe sistemet më moderne të armatimit me të cilat FSK është furnizuar dhe po furnizohet vazhdimisht. Të tjera po vijnë, dhe të gjitha sipas standardeve të NATO-s.

  • Presidenti amerikan Biden arrin në Berlin për bisedime mbi Ukrainën dhe Lindjen e Mesme

    Presidenti amerikan Biden arrin në Berlin për bisedime mbi Ukrainën dhe Lindjen e Mesme

    Presidenti i SHBA Joe Biden mbërriti të premten në Berlin për bisedime me liderët gjermanë mbi mbështetjen perëndimore për Ukrainën dhe situatën e paqëndrueshme në Lindjen e Mesme.

    Biden është planifikuar të takohet me presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier dhe kancelarin Olaf Scholz dhe bisedimet e tyre pritet të fokusohen në forcimin e lidhjeve transatlantike dhe mbështetjen e ndihmës ushtarake për Ukrainën.

    Gjermania është aktualisht donatori i dytë më i madh i Ukrainës pas SHBA-së dhe ka ofruar armë të avancuara si tanke luftarake Leopard 2, raketa Patriot dhe sisteme të mbrojtjes ajrore IRIS-T.

    Vizita e Biden vjen në një kohë të dyshimeve në rritje për të ardhmen e ndihmës perëndimore për Ukrainën, për shkak të zgjedhjeve në SHBA – më pak se tre javë larg – dhe mundësisë së një mandati të dytë për ish-presidentin Donald Trump.

    Trump dhe Partia e tij Republikane kanë qenë shumë më pak mbështetëse për të ndihmuar Ukrainën të luftojë Rusinë, me disa anëtarë të partisë që kërkojnë që ndihma të ndërpritet plotësisht.

    Pas bisedimeve të tij me udhëheqësit gjermanë, Biden është planifikuar gjithashtu të zhvillojë një takim me kancelarin Scholz, presidentin francez Emmanuel Macron dhe kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer.

    “Presidenti Biden mezi pret të ketë një bisedë me liderë të tjerë për çështjet kritike të ditës, të cilat padyshim përfshijnë luftën e Rusisë kundër Ukrainës, situatën atje; gjithashtu situatën në Lindjen e Mesme, gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme diplomatike në lidhje me konfliktin tani mes Izraelit dhe Libanit, natyrisht, rreziku i përshkallëzimit të situatës me Iranin”, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë para vizitës.

    Vizita e lamtumirës së Biden në Berlin, pasi mandati i tij në detyrë përfundon në janar, ishte planifikuar fillimisht për një javë më parë, por u shty për shkak të uraganit Milton, i cili kërcënoi me shkatërrim masiv shtetin e Floridës.

    Policia e Berlinit u vendos në gatishmëri të lartë gjatë vizitës së Bidenit dhe rreth 2,500 oficerë policie u vendosën për të forcuar sigurinë dhe për të siguruar rrugën e Bidenit nga aeroporti i Brandenburgut në qendër të qytetit.

    Rrugët rreth ndërtesave kryesore qeveritare u mbyllën dhe snajperët u vendosën në majë të ndërtesave. Autoritetet lokale kanë paralajmëruar banorët të presin ndërprerje të konsiderueshme të trafikut të premten./AA

  • KQZ: Votimi me kusht nuk do të lejohet në çdo qendër

    KQZ: Votimi me kusht nuk do të lejohet në çdo qendër

    Në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 9 shkurt të vitit të ardhshëm, votimi me kusht nuk do të lejohet në çdo qendër votimi, bëri të ditur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

    KQZ do të caktojë qendrat e votimit me kusht dhe listën e tyre do ta publikojë në faqen zyrtare të këtij institucioni, tha zëdhënësi Valmir Elezi, përmes një video-adresimi.

    Ndryshimet për votimin me kusht ishin bërë me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme të miratuar në vitin 2023.

    “Ky lloj votimi [me kusht] është i mundur sërish, por nuk do të lejohet në çdo Qendër Votimi ashtu siç ishte në proceset e kaluara zgjedhore. Në zgjedhjet e radhës për Kuvendin e Kosovës, KQZ do të caktojë Qendrat për Votim me Kusht. Lista e tyre do të publikohet në ueb faqen e KQZ-së dhe mjetet tjera të informimit”, tha Elezi.

    Data për mbajtjen e zgjedhjeve është caktuar nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, pas konsultimeve me partitë politike dhe KQZ-në.

    Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 do të jenë të parat zgjedhje të rregullta parlamentare në Kosovë, që prej shpalljes së pavarësisë në vitin 2008./KP

  • ​Përurohet institucioni parashkollor “Xixëllonjat”, Rama: Kryeqyteti po krijon kushte të mirëfillta për fëmijët

    ​Përurohet institucioni parashkollor “Xixëllonjat”, Rama: Kryeqyteti po krijon kushte të mirëfillta për fëmijët

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama bashkë me nënkryetaren, Jehona Lushaku Sadriu përuruan renovimet e institucionit parashkollor “Xixëllonjat” në lagjen Pejton, me kapacitet prej 250 fëmijëve.

    Kryetari Rama tha se duke renvouar këto institucione, kryeqyteti po krijon kushte të mirëfillta për fëmijët.

    Ai potencoi se duke krijuar kushte të mira, fëmijëve u mundësohet të mësojnë dhe të edukohen.

    Ai tha se përurimi i renovimit të këtij institucioni është arritje për këtë pjesë të Prishtinës, pasi sipas tij kjo i ndihmon prindërit të punojnë më lirshëm.

    Rama tregoi se pesë institucione parashkollore janë në renovim e sipër.

    Jehona Lushaku Sadriu potencoi se renovimi i objektit “Xixëllonjat” është dëshmi që kryeqyteti u kushton rëndësi fëmijëve dhe mësuesve.

    Ajo shtoi se Prishtina e meriton këtë kopsht madhështor.

    Ndërkaq, në emër të prindërve dhe gjyshërve, Musli Aliu tha se janë me fat që në këtë institucion parashkollore kanë rritur dhe edukuar fëmijët.

  • Kosova nën masa dhe kushtëzime shtesë për shkak të dialogut

    Kosova nën masa dhe kushtëzime shtesë për shkak të dialogut

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia përparim në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, i cili proces, siç tha ai, nuk është duke vazhduar ashtu siç e mbështet aleanca e NATO-s. Në një prononcim për media, Rutte, u shpreh i kënaqur me përpjekjet e Gjermanisë për të afruar vendet e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian dhe NATO-n, siç ishte takimi në kuadër të Procesit të Berlinit.

    “Ne duhet të jemi të vetëdijshëm për tensionet në Ballkanin Perëndimor dhe fakti që dialogu Prishtinë-Beograd, të cilin e mbështesim, nuk po ec përpara siç do të dëshironim. Jam shumë i kënaqur me takimin që u mbajt në Berlin këtë javë nën udhëheqjen e kancelarit Scholz ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, sepse e di që Gjermania po punon veçanërisht shumë për ta afruar atë grup me BE-në, afër NATO-s, për ata që nuk janë ende në NATO”., tha Rutte

    Dinamikë të re në proces të dialogut kërkoi edhe kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, gjatë Samitit të Procesit të Berlinit. Ai përsëriti se e ardhmja evropiane e Kosovës dhe Serbisë lidhet me rezultate në dialog.

    Trysnia e bashkësisë ndërkombëtare për përparim në dialog, sipas deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, duhet të bëhen mbi Serbinë, si palë destruktive në procesin e dialogut.

    ‘’Procesi i dialogut ndodhet në një udhëkryq për shkak të sjelljes së papërgjegjshme të Serbisë e cila refuzon të nënshkruaj marrëveshjen bazë të Brukselit, refuzon ta zbatojë atë dhe angazhohet për ta shkelur atë. Kjo marrëveshje është shkelur tashmë disa herë nga ana e Serbisë, ndërkohë që nuk kemi pasur reagim të vendosur, të drejtpërdrejtë të BE-së si fasilitues i këtij procesi. Nuk mund të paguaj Kosova çmimin e destruktivitetit të Serbisë”, tha Rrustemi.

    Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka paralajmëruar kushtëzime shtesë për Kosovën dhe Serbinë sa i përket përfitimeve të mjeteve financiare nga plani i rritjes i BE-së.

    Sipas zëdhënëses së BE-së, Ana Pisonero, ndarja e këtyre mjeteve e që për Kosovën janë paraparë rreth nëntë milionë euro, do të bëhet vetëm pas vlerësimit të Shërbimit të Jashtëm të BE-së, i cili ka nën mbikëqyrje edhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Ajo që mund të them është që këto parakushte do të vlerësohen nga Komisioni përpara pagesave, dhe do të llogarisim rolin dhe kontributin e Shërbimit të Jashtëm të BE-së”., tha Pisonero.

    Ndërkohë, Bashkimi Evropian, po i mban në fuqi masat ndëshkuese ndaj Kosovës pavarësisht se Qeveria konsideron se janë plotësuar të gjitha kushtet për heqjen e tyre.

    Deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, tha se ndërlidhja e dialogut me përfitimet nga fondi i BE-së dhe mos heqja e masave ndëshkuese thellon padrejtësinë ndaj Kosovës.

    ‘’Ndërlidhja është e gabueshme. Masat kanë qenë të padrejta që në fillim. Masat duhet të hiqen sa me parë sepse Kosova është palë konstruktive. Plani i rritjes së BE-së është mbi bazën e reformave. Kosova ka dorëzuar planin e reformave dhe ato janë miratuar nga BE-ja dhe mendoj se ndërlidhja e Planit të Rritjes duhet të bëhët në raport me përmbushjen e reformave, nuk duhet të devijohet kriteri në një proces që nuk varët vetëm nga Kosova.”, tha Rrustemi për rtv21.

    Përparim në proces të dialogut po kërkon edhe SHBA-ja. Ambasadorja e SHBA-së në NATO, Julianne Smith, tha të mërkurën se institucionet e Kosovës i kanë të qarta thirrjet se nevojitet investim më i madh në dialog në mënyrë që Kosova të jetë pjesë e programit për Partneritet për Paqe në kuadër të NATO-s.

    “Ne, gjithsesi, e vlerësojmë programin e Partneritetit për Paqe. Jemi të kënaqur që kemi parë interes të madh nga Kosova për t’iu bashkuar Partneritetit për Paqe. Por mendoj se miqtë tanë në Kosovë i kanë dëgjuar thirrjet tona të zëshme dhe të qarta. Ne duam që ata të vazhdojnë të investojnë në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian“., tha Smith.

  • Oficeri i FSK-së diplomon në Inxhinieri Ushtarake në Missouri të SHBA-së

    Oficeri i FSK-së diplomon në Inxhinieri Ushtarake në Missouri të SHBA-së

    Kapiten Kemajl Haliti ka përfunduar me sukses “Kursin e Karrierës së Kapitenit Inxhinierik” në Fort Leonard Wood, Missouri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kështu ka bën të ditur FSK-ja përmes një njoftimi.

    Sipas tyre, trajnimi kishte për qëllim përgatitjen për oficer inxhinierë të nivelit të mesëm me njohuri dhe aftësi të nevojshme për të udhëhequr dhe menaxhuar në mënyrë efektive operacionet inxhinierike në nivel kompanie dhe regjimenti, duke i përgatitur ata për rolet e stafit dhe pozicionet komanduese duke u fokusuar në parimet e avancuara inxhinierike, planifikimin taktik, vendimmarrje ushtarake, krijimi dhe zhvillimi i lidershipit brenda kontekstit të inxhinierëve luftarak.

    “Nga 75 oficerë, 16 prej tyre ishin oficerë nga vendet si: Arabia Saudite, Benini, Brazili, Indonezia,Kosova, Korea Jugore, Gjermania, Bregu i Fildishtë,Tunizia, Italia, Mbretëria e Hashimetit- Jordani, Kuvajti dhe Lituania, gjithsej 16 oficerë të huaj në mesin e 75 studentëve oficer”, thuhet në njoftim.

  • Grupet rivale ortodokse përleshen në katedralen e Ukrainës

    Grupet rivale ortodokse përleshen në katedralen e Ukrainës

    Një përleshje e dhunshme shpërtheu ndërmjet besimtarëve të kishave rivale ortodokse për kontrollin e një katedraleje në qytetin Çerkasi në Ukrainën qendrore.

    Katedralja e Shën Michaelit, e cila është caktuar si kishë garnizoni për Forcat e Armatosura të Ukrainës, ishte vendi ku po mbahej një liturgji nate kur rreth 100 persona me uniforma kamuflazhi dhe me maska u futën me forcë në hapësirën e katedrales më 17 tetor.

    Tensionet rreth Katedrales së Shën Michaelit pasojnë përpjekjet më të gjera të Ukrainës për ta kufizuar ndikimin e Kishës Ortodokse Ukrainase (UOC), e cila historikisht ka qenë e lidhur me Kishën Ortodokse Ruse.

    Megjithëse e shpalli pavarësinë nga Moska në vitin 2022, UOC ende shihet me dyshim nga autoritetet ukrainase për shkak të dyshimeve se mban qëndrim prorus.

    Videoja e incidentit shfaq përshkallëzimin e tij në një përleshje fizike midis besimtarëve të kishave rivale.

    Sipas Zoya Vovk, zëdhënëse e Policisë Kombëtare në rajonin e Çerkasit, disa njerëz u plagosën gjatë përleshjeve dhe pranuan tretman mjekësor.

    U raportua se përfaqësuesit e UOC-it thyen portat e hyrjes dhe hodhën gaz lotsjellës në turmën e besimtarëve të Kishës Ortodokse të Ukrainës.

    Dëshmitarët thanë se priftërinjtë dhe besimtarët e UOC-it u barrikaduan brenda katedrales dhe nuk lejuan të tjerët të futeshin brenda.

    Një korrespondent i Radios Evropa e Lirë raportoi nga vendi i ngjarjes se përleshja përfundoi vetëm pasi mbërritën policia dhe aktivistët.

    Kapelani i lartë ushtarak i rajonit të Çerkasit, Ati Nazariy, tha për REL-in se besimtarët vendës e kishin uzurpuar kishën fillimisht gjatë natës, por më vonë ishin larguar nga ata që ai i përshkroi si “aktivistë rusë” besnikë ndaj patriarkatit të Moskës.

    “Lutjet për ushtarët tanë duhet të dëgjohen këtu”, tha Nazariy, duke shtuar se pjesëtarët e UOC-it i shpërfillën ushtarët ukrainas, duke i parë ata si armiq.

    Në fund, u mbajt një shërbesë në gjuhën ukrainase në këtë kishë.

    Vovk konfirmoi se ka nisur një hetim për “huliganizëm”./REL