ATV

Category: Lajme

  • ​Deputeti Shala thotë se ka eksploduar kazani në Termocentralin Kosova A, flasin nga KEK-u

    ​Deputeti Shala thotë se ka eksploduar kazani në Termocentralin Kosova A, flasin nga KEK-u

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Ferat Shala, ka njoftuar përmes një video në rrjetin social Facebook, për eksplodim të kazanit në Termocentralin Kosova A, Blloku A4.

    “Eksplodim i kazanit ‘bojleri i Albinit’, në Termocentralin Kosova A, Blloku A4. Kjo i shkon për shtati mafisë energjetike, sepse tash na duhet import i energjisë”, ka shkruar Shala krahas videos së publikuar në Facebook.

    Nga ana tjetër, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), përmes një njoftimi zyrtar ka thënë se nuk ka vend për shqetësim në lidhje me operimin dhe sigurinë në njësitë e TC Kosova A.

    Sipas zyrës për informim në KEK, njësia A4 është ndalur për shkak të një lidhjeje të shkurtër në kabllot e matjeve, dhe është shkyçur nga puna në mënyrë të rregullt.

    “Ekipet e mirëmbajtjes janë angazhuar që nga momenti i ndaljes së njësisë dhe po punojnë për sanimin e gjendjes, me qëllim që njësia të kthehet në operim sa më shpejt. Zjarri i raportuar në media ka ndodhur jashtë njësisë A4 dhe I njëjti është lokalizuar dhe fikur në kohë optimale nga zjarrfikësit”, thuhet tutje.

    Korporata Energjetike e Kosovës fton të gjitha mediat dhe palët e interesit që në raste të tilla të kërkojnë informacione zyrtare nga KEK, për të evituar krijimin e panikut përmes lajmeve të pavërteta.

    “Kjo është e rëndësishme për të siguruar që opinioni publik të jetë i informuar saktë”, ka thënë KEK-u.

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Ferat Shala përmes një video në rrjetin social Facebook, ka thënë se ka eksploduar kazani në Termocentralin Kosova A, Blloku A4.

  • ShBA-ja e mbështet Gjykatën Speciale: I gjykon krimet e luftës, një rast i madh e përfshin ish-kreun e shtetit

    ShBA-ja e mbështet Gjykatën Speciale: I gjykon krimet e luftës, një rast i madh e përfshin ish-kreun e shtetit

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të qarta në përkrahjen për Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë. Madje, për ShBA-në nuk ka dilema se Gjykata Speciale, siç zakonisht i referohet këtij institucioni në Kosovë, po gjykon krimet e luftës dhe “po ashtu po kontribuon në vendosjen e shtetit të së drejtës brenda Kosovës”.

    Beth Van Schaack, ambasadore amerikane për Drejtësinë Penale Globale, ka theksuar përkrahjen e ShBA-së për Gjykatën Speciale gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë. Për më shumë, ajo vlerësoi se është “jashtëzakonisht e rëndësishme” që të vazhdohet mbështetja për këtë institucion nga ana e komunitetit ndërkombëtar.

    Në këtë bashkëbisedim, Uk Lushi, ish-ushtar i Batalionit “Atlantiku” të UÇK-së, e pyeti për qëndrimin rreth Gjykatës Speciale. Ajo tha se ShBA-ja ka qënë përkrahëse e Gjyktës Speciale, “e cila në thelb është një gjykatë kosovare”.

    “Ne kemi qenë prej kohësh përkrahës të Dhomave të Specializuara të Kosovës, e cila në thelb është një gjykatë kosovare, por e ndodhur jashtë territorit, në Hagë. dhe përfiton nga një model hibrid, ku një numër i ekspertëve ndërkombëtarë janë duke shërbyer në pozita kyçe në atë institucion. Kështu për shembull, kryeprokurorja, Kim West, është juriste e Shteteve të Bashkuara. Ne e kemi dërguar atë, në thelb, për ta mbështetur punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës” – tha ajo, transmeton Nacionale.

    Van Schaak ka përmendur edhe rastin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, ndonëse jo me emër.

    “Është jashtëzakonisht e rëndësishme që ne të vazhdojmë ta mbështesim atë institucion si komunitet ndërkombëtar. Është duke gjykuar krimet nga lufta në Kosovë, por po ashtu po kontribuon në vendosjen e shtetit të së drejtës brenda Kosovës. Dhe kështu ne po bëjmë atë që mundemi për të mbështetur atë institucion ndërsa ai vazhdon punën e tij. Është një rast i madh që po ecën përpara, i cili përfshin ish-kreun e shtetit, por ka edhe një sërë rastesh të tjera, duke përfshirë çështjet që përfshijnë përpjekje për të minuar administrimin e drejtësisë. Dhe kjo përfshin rastet që përfshijnë ngatërrimet e mundshme me dëshmitarë ose frikësimin e dëshmitarëve” – tha ajo, transmeton Nacionale.

    Tutje, në pikëvështrimin e zyrtares amerikane, Gjykata Speciale kontribuon në “ndërtimin e një shteti të së drejtës”.

    “Dhe kështu këto raste janë po aq të rëndësishme, sepse ato kanë të bëjnë me ndërtimin e një shteti të së drejtës dhe një sistemi gjyqësor që është në gjendje të funksionojë pa iu nënshtruar presionit të jashtëm nga individë apo subjekte që nuk do të donin t’i shihnin këto çështje të ecin përpara”, tha ambasadorja Van Schaack.

    Sjellim ndër mend që gjykimi për krime lufte ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, është duke vazhduar në Gjykatën Speciale në Hagë.

  • Eksplodon kazani në Termocentralin Kosova A

    Eksplodon kazani në Termocentralin Kosova A

    Deputeti i PDK-së Ferat Shala, ka njoftuar se ka shpërthyer një kazan në Termocentralin Kosova A, Blloku A4.

    “Eksplodim i kazanit “bojleri i Albinit”, në Termocentralin Kosova A, Blloku A4. Kjo i shkon për shtati mafisë energjetike, sepse tash na duhet import i energjisë!”, ka shkruar ai në Facebook.

  • ​Kërkohej me urdhër arrest ndërkombëtar për vrasje dhe grabitje arrestohet nga Policia

    ​Kërkohej me urdhër arrest ndërkombëtar për vrasje dhe grabitje arrestohet nga Policia

    Policia e Kosovës, gjegjësisht njësiti FAST Kosova, me mbështetje të Njësisë elite FIT, më 17 tetor në orët e mbrëmjes në Mitrovicë ka arrestuar një person të kërkuar me urdhër arrest ndërkombëtar nga shteti gjerman, nën dyshimin e kryerjes se veprave penale, vrasje dhe grabitje.

    “Me urdhër të Prokurorit Kujdestar për Krime të Renda i dyshuari tani më i arrestuar, me iniciale (G. V.) viti i lindjes (1997) dërgohet në ndalim policor për 48 orë për të vazhduar me procedura tjera të parapara për raste të tilla”, thuhet në njoftim.

    Policia e Kosovës njofton se mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në parandalimin dhe luftimin e të gjitha llojeve të krimit, përderisa sipas njoftimit angazhime aktive janë duke u realizuar dhe do të realizohen në vazhdimësi edhe në fushën e bashkëpunimit policor ndërkombëtar.

  • 10 vjet nga Procesi i Berlinit, sot diskutohen arritjet, mundësitë e humbura, dhe rruga përpara

    10 vjet nga Procesi i Berlinit, sot diskutohen arritjet, mundësitë e humbura, dhe rruga përpara

    Sot do të mbahet diskutimi “10 vjet nga Procesi i Berlinit: Arritjet, mundësitë (e humbura), rruga përpara”.

    Aty pritet të marr pjesë edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Jorn Rohde.

    Ngjarja është paraparë të zhvillohet në Qendrën e Trajnimeve ProCredit, Icon Tower Prishtinë, nga ora 11:00.

    Të hënën u mbajt procesi i Samitit të Berlinit.

    Kosova, aty u përfaqësua nga kryeministri i vendit, Albin Kurti.

    Samiti, shënoi dhe vitin jubilar të 10-tin me radhë.

  • Kim Jong Un: Koreja e Jugut, shtet i huaj armiqësor

    Kim Jong Un: Koreja e Jugut, shtet i huaj armiqësor

    Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka thënë të premten se Koreja e Jugut është shtet i huaj armiqësor, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve KCNA.

    Ajo publikoi fotografi të Kimit me ushtarë të rangut të lartë duke e analizuar një hartë të quajtur “Seul” në një post komandues.

    Kimi diskutoi për përdorimin e “forcës së ofensive” kundër Jugut si hakmarrje për çdo lëvizje që cenon sovranitetin e Koresë së Veriut, sipas artikullit në KCNA, në të cilin nuk pati shpjegim se çfarë force mund të përdoret.

    Një ditë më herët, Koreja e Veriut konfirmoi se Kushtetuta e saj e ndryshuar rishtazi e përcakton Korenë e Jugut si “vend armik” për herë të parë.

    Kimi e ka kritikuar vazhdimisht Korenë e Jugut këtë vit, duke e akuzuar se po bashkëpunon me Shtetet e Bashkuara në përpjekje për ta rrëzuar regjimin e tij.

    Urdhri i Kimit në janar për ta rishkruar Kushtetutën befasoi shumë ekspertë të huaj, pasi u pa si një eliminim i idesë së shtetësisë së përbashkët ndërmjet Koreve të ndara nga lufta dhe si një shkëputje nga ëndrrat e paraardhësve të tij për të arritur paqësisht bashkimin e Koreve sipas kushteve të Veriut.

    Ajo i shkatërroi lidhjet rrugore dhe hekurudhore me Jugun këtë javë, po ashtu. Këto veprime nënvizojnë “jo vetëm ndarjen fizike, por edhe fundin e marrëdhënieve të dëmshme me Seulin”, e citoi KCNA Kimin të ketë thënë.

    Seuli ka thënë se, nëse Koreja e Veriut shkakton dëme ndaj popullit të tij, “ajo ditë do të jetë fundi i regjimit të koreanoverior”.

    Kimi i bëri këto deklarata gjatë inspektimit të selisë së Korpusit të 2-të të ushtrisë koreanoveriore të enjten, tha KCNA. Kjo është njësi e madhe ushtarake që përfshin disa brigada të vendosura përpara me armë të rënda në drejtim të Koresë së Jugut.

    “Kim po përpiqet t’i forcojë mentalisht ushtarët në vijën e parë me komentet e tij”, tha Yang Moo-jin, president i Universitetit të Studimeve për Korenë e Veriut në Seul.

    “Kjo retorikë e ‘dy vendeve armiqësore’ është, në fund të fundit, strategjia e mbijetesës së Kim Jong Unit… Mos ndërhy, jeto veçmas si një vend armik. Është një rrugë që (Koreja e Veriut) nuk e ka ndjekur kurrë më parë, dhe askush nuk mund të jetë i sigurt për suksesin e saj”.

    Tensionet mes dy Koreve janë rritur prej kur Veriu filloi të dërgonte balona me mbeturina përtej kufirit në Jug në fund të majit, duke e nxitur Seulin t’i përgjigjet me transmetime propagandistike me altoparlantë, gjë që e zemëroi Phenianin.

    Koreja e Veriut ka rritur retorikën e saj armiqësore ditët e fundit, duke akuzuar ushtrinë e Jugut për dërgimin e dronëve mbi kryeqytetin e saj për tri ditë këtë muaj dhe kërcënoi me një “katastrofë të tmerrshme” nëse zbulon një tjetër dron mbi hapësirën e saj ajrore.

    Qeveria e Koresë nuk ka treguar nëse ka dërguar apo jo dronë në Veri, apo nëse ata janë dërguar ushtria e saj apo nga civilë.

    Të premten, komandantët më të lartë ushtarakë të Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara mbajtën një takim vjetor të Komitetit Ushtarak dhe shprehën shqetësim për sfidat e sigurisë që burojnë nga kërcënimet e Koresë së Veriut.

    Të dielën, Koreja e Jugut do të fillojë ushtrimet e mëdha ushtarake vjetore, të quajtura Hoguk, për të përmirësuar performancën operacionale./REL

  • ​Vdekja e liderit të Hamasit nxit thirrje për armëpushim në Gazë

    ​Vdekja e liderit të Hamasit nxit thirrje për armëpushim në Gazë

    Vdekja e liderit të grupit militant palestinez Hamas, Yahya Sinwar, nga një sulm izraelit të enjten, ka nxitur thirrje për një armëpushim në Rripin e Gazës.

    Sinwar, i cilësuar si arkitekti i sulmit të 7 tetorit 2023 që e nxiti luftën në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit, u vra në jug të Gazës nga një sulm izraelit. Hamasi është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha për gazetarë të enjten vonë pasi mbërriti në Gjermani se tani është koha për një armëpushim në Gazë dhe për “t’u siguruar se do të ecim në drejtimin e duhur, në mënyrë që të jemi në gjendje t’i përmirësojmë gjërat për tërë botën”.

    Biden theksoi, pas një bisede telefonike me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, se ka ardhur “koha që lufta të përfundojë dhe t’i kthejmë pengjet në shtëpitë e veta. Jemi të gatshëm ta bëjmë këtë”.

    Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, bënë thirrje përmes komunikatave që Hamasi t’i lirojë të gjitha pengjet.

    Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, tha se shpreson se vdekja e Sinwarit do të sjellë armëpushim në Gazë.

    Derisa Izraeli e ka konfirmuar vrasjen e Sinwarit, Hamasi ende nuk ka komentuar.

    Sinwar ishte zgjedhur udhëheqës i grupit pas vrasjes së liderit të atëhershëm, Ismael Haniyehut, në korrik, në një sulm të dyshuar izraelit në kryeqytetin iranian, Teheran.

    Para se të bëhej lider i Hamasit, Sinwar ishte shef i krahut të armatosur të grupit.

    Gjatë sulmit të 7 tetorit 2023, Hamasi vrau rreth 1.200 njerëz – kryesisht civilë – në jug të Izraelit dhe rrëmbeu afër 250 të tjerë. Ky sulm e nxiti luftën izraelite në Gazë, ku për pasojë janë vrarë më shumë se 42.000 palestinezë.

    Ndërkohë, Biden theksoi se sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të udhëtojë për në Lindje të Mesme në ditët në vijim, për të bërë përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje për lirimin e pengjeve dhe për armëpushim në Gazë.

    Megjithatë, Netanyahu ka thënë se Izraeli do ta kontrollojë Gazën sa të jetë e nevojshme për t’i siguruar që Hamasi të mos riarmatoset.

    “Hamasi nuk do ta sundojë më Gazën. Sot nis dita pas Hamasit”, tha Netanyahu, duke shtuar se Izraeli do ta vazhdojë luftën derisa të lirohen të gjitha pengjet.

    “Lufta jonë nuk ka mbaruar ende”, shtoi ai./REL/

  • ​Moti sot i vranët dhe me intervale me diell

    ​Moti sot i vranët dhe me intervale me diell

    Të premten është parashikuar mot i vranët dhe me intervale me diell.

    Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës vranësirat gjatë ditës do të dendësohen duke krijuar kushte për riga shiu.

    “Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 3-5-gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 14-17-gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i jugperëndimit me shpejtësi 1-7 m/s. Kushtet biometeorologjike dhe agrometeorologjike paraqiten të mira”, njofton IHMK.

  • ​Dita evropiane kundër trafikimit të qenieve njerëzore

    ​Dita evropiane kundër trafikimit të qenieve njerëzore

    Kjo ditë shërben për të sjellë në vëmendje të vendimarrësve, shoqërisë civile, agjensive apo institucioneve të ndryshme dukurinë e trafikimit të personave, dukuri kjo që ka prekur mbarë botën. Rreth 27 milionë persona (gra, bura dhe fëmijë) trafikohen në vit.

    Trafikimi i personave nënkupton “rekrutimin, transportimin, transferimin, fshehjen ose pritjen e personave nëpërmjet kërcënimit, përdorimit të forcës e formave të tjera të shtrëngimit, mashtrimit, marrjes me forcë, dredhisë ose abuzimit të pushtetit ose të pozitës vulnerabël ose dhënien apo marrjen e pagesave ose përfitimeve për të arritur pëlqimin e një personi që kontrollon një person tjetër, për qëllime shfrytëzimi.

    Në të gjithë botën, 23% e viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore janë vajza dhe adoleshentë.

    Në Bashkimin Evropian, forma më e zakonshme e trafikimit të raportuar është ajo e shfrytëzimit seksual, një formë e dhunës me bazë gjinore që prek në mënyrë disproporcionale gratë dhe vajzat që përfaqësojnë 95% të viktimave të regjistruara.

    Sipas raportit të fundit botëror për trafikimin e qënieve njerëzore, shumë vende kanë raportuar një rritje të viktimave të trafikimit në vitet e fundit, si për shkak të përmirësimit të procedurave për identifikimin e viktimave dhe trafikantëve, si dhe për një rritje të mundshme të incidencës.

    Gratë dhe vajzat e përfshira në trafikim me qëllim shfrytëzimin seksual, pësojnë dhunë dhe abuzim që përfshin edhe privimin e lirisë personale, dhunë ekonomike, fizike dhe seksuale të cilat çojnë në pasoja të rënda dhe ndonjëherë kërcënuese për jetën.

  • Familja e Faton Hajrizit padit Kurtin, Bislimin e Haxhiun

    Familja e Faton Hajrizit padit Kurtin, Bislimin e Haxhiun

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    “Ftoj qytetarët të mos bien pre e euforisë se heroizimit dhe romantizimit të faton hajrizit”, kishte thënë kryeministri Kurti.

    Me këtë thirrje e kishte nisur mbledhjen e 24 korrikut, kryeministri Albin Kurti.

    Këtij qëndrimi për trajtimin e figurës së Faton Hajrizit, iu kishte bashkuar edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pikërisht pas intervistimit për arratisjen e tij.

    “Nuk mund ta quajmë hero një person që ka vepra të rënda, që ka plagosur Policinë e Kosovës që është dënuar për vepra të rënda”, kishte deklaruar Haxhiu.

    Për këtë çështje ishte deklaruar edhe zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi.

    “Në sytë e Kosovës ai është kriminel dhe në narrativën kosovare krimineli e ka vendin në burg”, kishte thënë Bislimi.

    Me këto deklarime nuk u pajtuan familjarët e Faton Hajrizit.

    Andaj, ndaj Kryeministrit, Zëvendëskryeministrit dhe Ministres së Drejtësisë dorëzuan padi pasditen e së enjtes.
    Përveç tërheqjes së fjalës, këta kërkojnë edhe kompensim.

    “Kjo padi ka të bëjë me dy ministra, kryeministrin dhe një deputet, të kenë ata term ofendues, fyes. Për familjen Hajrizi kjo ka qenë e rëndë. Në mbledhjen e supozohet të diskutohen çështje të tjera e jo të emërtohen njerëz me epitete fyese, sigurisht që do të kompensim për këtë”, tha Gent Gjini, avokat i familjes së Faton Hajrizit.

    Fakti se Hajrizi kishte dënime të formës së prerë edhe për plagosjen e policëve në një grabitje në Drenas, sipas
    vëllait të tij nuk mjafton që ai të quhet kriminel.

    “Kriminel nuk është Faton Hajrizi. Ai nuk ka vra gra e as fëmijë”, tha Artan Hajrizi, vëlla i Faton Hajrizit.

    Në fillim të muajit korrik Faton Hajrizi ishte arratisur për të nëntën herë nga burgjet e vendit. Më 19 korrik, ai u vra në Lloznicë të Serbisë pasi fillimisht dyshohet se vrau një polic të këtij shteti. Megjithatë, institucionet e Kosovës posedojnë dosjen e tij të trashë penale. Në vitin 2000 në moshën 15 vjeçare u dënua për vrasjen e një ushtari rus, derisa vite më vonë u dënua edhe për plagosjen e disa policëve gjatë grabitjes në Drenas.